Po ikim. Po të tjerëve do t’u lëmë
Të paktën një tregim a një varg,
Që mos skuqen kur në raft t’i vënë
E kur t’i shfletojnë në dhomë a në park.
- Agolli
I.
Natyra njerëzore dallohet ndër të tjera për dy veti praktikisht të kundërta: e para është pamundësia jonë për të ditur ç’do të ndodhë në të ardhmen; e dyta është dëshira dhe nevoja jonë për të parë pikërisht përpara, mundësia për të paraprirë me anë të dijes, analizës dhe përfytyrimit, pra, të mendjes, ngjarjet e së ardhmes, drejtimin e zhvillimit të tyre. Dhe mund të themi se e gjithë historia e njerëzimit është në fund të fundit dëshmi e përpjekjeve të tij që me anë të mundësisë për të bërë parashikime ta mposhtë pamundësinë për të njohur të ardhmen.
Këtu vlen të shtohet edhe diçka shumë e rëndësishme: pamundësia e njohjes së të ardhmes është mbrojtur dhe shfrytëzuar nga të gjitha ato grupime shoqërore, që kanë qenë të interesuara për ndalimin e zhvillimit të shoqërisë. Përkundrazi, mundësia për të parashikuar me realizëm të ardhmen ka qenë mbështetur dhe shfrytëzuar nga grupimet shoqërore, që dëshironin ndryshimin e gjendjes ekzistuese, ecjen përpara të shoqërisë. Nga kjo ndeshje, nga kjo luftë kanë lindur në historinë e njerëzimit errësira dhe drita, padija dhe dituria, mbetja në vend dhe ecja përpara.
Duke vështruar krijimtarinë e Dritëro Agollit në mënyrë të vetvetishme të lind një pyetje: Sa do të rrojë vallë vepra e tij? Lindjen e një pyetjeje të tillë e ushqen jo thjesht e vetëm rrjedha pothuaj gjysmëshekullore e veprimtarisë së tij letrare, jo thjesht e vetëm emri i tij i sotëm, por para së gjithash e mbi të gjitha brendia e botës letrare që ai ka krijuar dhe që për dhjetëvjeçarë të tërë ka përbërë një tërheqje dhe burim kënaqësie e frymëzimi të sinqertë, jo të zakonshëm, për më se një brez shqiptarësh e për grupe të gjera shoqërore duke nisur nga ato të fronteve të punës prodhuese e mendore deri te kuadrot e drejtimit të vendit. Lindjen e pyetjes për të ardhmen e veprës së D. Agollit e nxit fakti që kultura jonë për gjysmë shekulli nuk ka pasur një tjetër personalitet, pesha shoqërore e të cilit të jetë mbështetur aq shumë në vlerësimin e masës së njerëzve të thjeshtë brenda Shqipërisë dhe relativisht aq pak në vlerësimin e udhëheqësve të shtetit ose të të huajve. Lindjen e pyetjes për të ardhmen e veprës së D. Agollit e shkakton së fundi gjendja e sotme e kulturës sonë dhe prirja e saj e përgjithshme.
II.
Dritëro Agolli është në mënyrë të padiskutueshme dhe në përmasa të pakrahasueshme përfaqësuesi më tipik i botës kulturore shqiptare pas çlirimit. Kjo natyrë tipike e personalitetit të tij buron nga prejardhja familjare, nga formimi shpirtëror e nga veprimtaria profesionale dhe ajo politiko-shoqërore. Dritëro Agolli ka lindur në mjedisin klasik të punës në historinë e shoqërisë shqiptare, në fshat, është formuar shpirtërisht në atdhe dhe ka ushtruar një ndër profesionet me mundësi njohëse më të mëdha, gazetarinë e reportazheve nga rrethet. Këto të dhëna gërshetohen me faktet shumë domethënëse: që pjesa më e madhe e popullsisë shqiptare deri në ditët tona ka jetuar në fshat duke përbërë faktorin kryesor të jetës së shoqërisë; që formimi i shqiptarëve në tërësi, aq më tepër i përfaqësuesve më të mirë, ka tipare të qarta amtare; që krijuesit seriozë, si rregull, dhe krijuesit vërtet të mirë shqiptarë, konkretisht, – pra jo ata të shpallur si të tillë – e kanë njohur mirë jetën e popullit.
Pikërisht këto parakushte janë burimi i vlerave të veprimtarisë letraro-kulturore të Dritëro Agollit dhe mosnjohja ose shpërfillja e tyre i heqin fuqinë shkencore çdo shqyrtimi të kësaj veprimtarie duke i rrëzuar atij besueshmërinë e përfundimeve.
Cilat janë anët më të spikatura, tiparet më thelbësore, të dukurisë letraro-kulturore Dritëro Agolli? Përse mund të thuhet me siguri se kjo veprimtari është produkti më tipik i botës kulturore shqiptare pas çlirimit?
***
Dritëro Agolli është në letërsi një veprimtar shoqëror, është një qytetar. Nuk ka asnjë çast që përjetimet dhe tallazitjet e tij letrare të mos ngjallin jehonë në shpirtin e lexuesit serioz, domethënë, nuk ka asnjë çast ku fati i krijuesit Dritëro të mos jetë shprehje letrare e fatit real të qytetarit të gjerë, e përjetimeve të këtij.
Shumë herë jam plakur e shumë herë jam rinuar
E shumë herë jam bërë fëmijë në krahët e nënës
Mes një lëndine të madhe të gjelbëruar,
Mes një qyteti të madh nën diskun e kuq të hënës.
E të gjitha i di: këngën, dhembjen, trishtimin,
E të gjitha përpiqem t’i di përherë e më shumë.
Plakem – rinohem, luftë pafund e mbarim.
Një grimëz e tokës së madhe jam unë,
Por gjithçka krijoj e zbuloj…
Në veten time fle një histori e përbotshme plot zhurmë,
Unë ec, s’ndaloj, transformoj… (“Kënga e njeriut”, 1972)
Qytetaria e Dritëro Agollit nuk është një veti abstrakte, tejnjerëzore dhe tejkohore. Ajo është thelbi i qenies shoqërore të njeriut dhe poetit, është e vetmja mënyrë e kuptimit dhe realizimit të jetës. Për më tepër, një kuptim dhe realizim të tillë ai nuk e quan thjesht çështje të brendshme, vetjake, që i përket atij e askujt tjetër. Në qytetarinë e tij, në natyrën thellësisht shoqërore të jetës dhe krijimtarisë së tij, Dritëro Agolli nuk është një njësh çfarëdo, i lirë nga gjithçka dhe nga gjithkush, nuk është një klithmëtar i individualizmit. Për Dritëro Agollin liria e njeriut është vetëm ajo që lind brenda rolit të tij shoqëror. Çdo liri tjetër është vetmi, është fillikatje, është kthim në botën e egërsisë. Dritëro Agolli është një ushtar i vetëdijshëm – në të vërtetë ushtar i spikatur, i shquar – i armatës së madhe të njerëzve të punës dhe krijimit. Dhe për këtë krijimtari qytetare e jo të kullës së fildishtë, për këtë veprimtari të mbrujtur me vetëdije të thellë shoqërore dhe jo me fluturime nga realiteti, ai është gati të dalë dhe të japë llogari jo vetëm përpara lexuesve të kohës por edhe brezave të mëvonshëm, është gati të flasë thjeshtë e ballëlart:
Ne s’kemi patur aq kohë të shkruanim për dashurinë,
Megjithëse kemi qenë dashnorë të marrë.
Vendi kërkonte këngë për lirinë,
Vendi kërkonte këngë për bukën që piqej në arë.
Vendi kërkonte nga ne poetët e shkretë
Të drejtonim kurset kundër analfabetizmit,
Të ngrinim diga në lumenjtë,
Të ndiznim maleve llambën e socializmit.
……………………………………………………….
Ne para jush do ngrihemi të ashpër si asketë,
Të ngarkuar me kallëza gruri dhe hekura të rëndë. (“Dy fjalë poetëve që vijnë”, 1971)
Qytetarinë Dritëro Agolli e ruajti edhe atëherë, kur arti dhe kultura jonë e humbën në tërësi çdo gjurmë të këtij tipari dhe u strukën në bimsën e vetvetes me pandehmën se po ktheheshin tek e vërteta:
Unë s’jam nga ata që ikin nga lufta,
Kur marrin në trup një gërvishtje,
As nga ata që heshtin të futur në tuta,
Kur i pështyjnë me tallje e skërmitje.
Unë jam gjithmonë mes luftës mizore
Dhe them: sikur dhe luftë mos ketë,
Për dhimbjen e madhe njerëzore
Do ndizja luftë me retë. (“Në luftë”, 1994)
Jeta dëshmoi se ky tipar pastërtisht shoqëror, kjo qytetari artistike e veprës së Dritëro Agollit, nuk ka qenë shenjë dalluese për veprën e shumë krijuesve të kohës së tij. Aq më pak është për krijimtarinë e sotme. Nga ana tjetër jeta ka dëshmuar se cilësia më e vyer e letërsisë sonë të pasçlirimit në veçanti, e kulturës sonë në tërësi, domethënë përfshirja e çiltër në fatet e shoqërisë, shqetësimi i ndjerë për to, lufta për të mirën shoqërore, për të mirën e përgjithshme, ka gjetur pa asnjë mëdyshje te Dritëro Agolli përfaqësuesin dhe shprehësin më të spikatur.
***
Dritëro Agolli është pa mëdyshje dhe pa lëkundje një bir i vërtetë i vendit të vet, një atdhedashës. Parimisht nuk ka periudhë të jetës së tij letrare dhe nuk ka krijim, në sfond të të cilëve të mos dallohet qartë a të mos ndihet si një fushë e përhershme magnetike prania e gjithëfuqishme dhe jetëdhënëse e kësaj bote të madhe, hijerëndë, madhështore, që quhet vendlindje, atdhe. Jeta dëshmoi se ky tipar atdhedashurie, kjo veti e artit të Dritëro Agollit, nuk ka qenë shenjë dalluese e sinqertë për shumë krijues të kohës së tij dhe aq më pak është sot. Nga ana tjetër jeta ka dëshmuar se gjithë letërsia jonë e vërtetë, e qenësishme, e pashtirur, pra letërsia jonë më e mirë, shquhet për një dashuri të plotë dhe pa kushte ndaj atdheut. Dhe ka dëshmuar gjithashtu se Dritëro Agolli është ndër përfaqësuesit dhe shprehësit më të vërtetë, më të pastër, të kësaj ndjenje fisnike dhe fisnikëruese tej çdo përkufizimi.
E ç’më duhen mua pozat, shokë!
Unë rri tani edhe vras mentë,
Se i mbusha plot njëzet e nëntë,
Dhe sa pak i fala kësaj toke! (“Jubilare”, 1960)
Ngaherë kam ecur me nënën Shqipëri
Dhe pas krahut të saj jam mbajtur;
Para saj kam qënë përjetë çilimi,
Çilimi dhe burrë i matur… (“Nderi”, 1973)
Ashtu si te Naimi i vargjeve “Ti, Shqipëri, më jep nderë…” edhe atdheu i Dritëroit, i shkrirë e i bërë njësh me kuptimin e vendlindjes, është një kryepërmendore dhe një kryepersonazh pafundësisht e përkushtimisht i adhuruar, ndonëse i handakosur nga kamxhikët e historisë dhe paudhësitë e pareshtura të një pjese të bijve të tij.
Në fshatin tim prej vitesh s’kisha qënë
Dhe malli më kish djegur e zhuritur,
Atje më dukej hëna tjetër hënë
Siç thosh dikur Naimi mendjendritur. (“Guri”, 1984)
E dua pa mend vendin tim
Dhe s’gjej një gur a një trung
Ku të ulem pa brengë e trishtim,
Të mos ulem si murg.
Kalova mes erërash për të,
U ktheva në hi dhe në shkrumb,
Pa të nuk doja të isha asgjë
Dhe prapë s’gjej një gur a një trung,
Ku të ulem i qetë në agim a në muzg. (“Një gur a një trung”)
Në një përrallë të vjetër indiane, ku tregohet se cili është zoti i vërtetë i vendit, tregtarët synojnë të shfrytëzojnë deri edhe sulmin e armikut mbi vendlindjen e tyre, me qëllim që të shtojnë pasuritë. Dhe vetëm ndërhyrja e popullit arrin të shmangë fatkeqësinë. Jeta ka dëshmuar tashmë se Dritëro Agolli nuk e ka kthyer në tregti artin e tij kushtuar atdheut dhe popullit punonjës. Ai nuk ka kënduar kurrë për shkelësit e Shqipërisë, ashtu si nuk ka kënduar kurrë për shkelësit e vendeve dhe popujve:
I heshtur shoh ushtarët nëpër male,
Makinat mes kolonave të gjata.
S’e di pse Forcat Multinacionale
Më ngjasin krejtësisht në kryqëzata.
……………………………………………….
Dhe rri mendoj, kur flet me vete nata,
Ç’u kemi bërë perëndive të urta,
Që na dërgojnë akoma kryqëzata? (“Forcat Multinacionale”, 1997)
***
Si te askush tjetër në kulturën tonë vepra letrare dhe veprimtaria politiko-shoqërore e Dritëro Agollit kanë në qendër të tyre njeriun e punës, vetë punën. Ato udhëhiqen prej tyre dhe atyre u shërbejnë.
Dhe para nesh njeriu i bukur shfaqet,
Kur zhytur në mendime rri gatuan
Çelikun, tokën, drurin, vargjet…
Do thoni ju: Ku qenka bukuria?
Përgjigjem unë: Në mendjen dhe në duart vija-vija
Të lindura edhe ato në punë.
O mjeshtri punë!
Ti bukurinë njerëzore e skalit
Pa vanitet, pa mburrje dhe pa zhurmë,
Kjo lindje bukurie na mahnit. (“O mjeshtri punë!”, 1971)
Ku jeni miq, punëtorë, bujq, poetë
Barinj, kompozitorë, peshkatarë!
……………………………………………
Ku jeni, miq, për ju është vargu im!
Në oborrin tuaj jeta e pastër zjen:
Dëgjoj të qeshura e kuvendim,
Gjykime për të nesërmen që vjen. (“Ja, pronari”, 1956)
Kryepersonazhet e Dritëro Agollit, të poezisë a të prozës, janë mishërime të thjeshtësisë. Ata nuk janë sokëllitës mali, por njerëz që veprojnë e krijojnë “të zhytur në mendime”. Të metat që kanë, paraqitja artistike e paidealizuar, ua zbulon edhe më qartë dritën e mirësisë, atë dritë dëlirjeje dhe fisnikërie që u buron së brendshmi nga dëshira e pashuar për t’i shërbyer së mirës së përgjithshme.
Dhe s’ka gjë në jetë më të bukur,
Sesa kur ngroh me gjoksin tënd njerinë. (“Kllanikët”)
Në emër të njerëzve të thjeshtë të punës, në emër të personazheve të tij më të dashur, Dritëro Agolli arrin të pohojë thjeshtë, qartë dhe bukur – bukur, sepse besueshëm – si pakkush në letërsinë tonë:
Mbi veten time njerëzit i kam dashur… (“Për trimërinë dhe frikën”).
Dritëro Agolli arrin ta përmbledhë pikërisht kështu, thjeshtë e qartë, kuptimin e jetës njerëzore:
Fiton ai që s’mban për vete
Asgjë, bile as dritën,
Por njerëzve u jep në jetë
Ashtu si dielli dritën. (“Poemë për babanë dhe për vete”)
Pikërisht këta njerëz dhe jo diçka tjetër janë për Dritëro Agollin ai “gur filozofal” që kthen në vlerë gjithçka, janë kriteri i vlerave dhe i së vërtetës (poezia “Nga fletorka e shënimeve”, në vëllimin “Hapat e mia në asfalt”, 1961). Pakkush nga poetët tanë e ka shfaqur një të tillë dashuri për këta njerëz të punës, pakkush e ka vlerësuar si detyrë – madje detyrë të lartë – qytetare të shprehë hapur, me hijeshi, forcë dhe vijueshmëri, ndjenjën dhe qëndrimin e tij ndaj punëtorëve dhe fshatarëve, ndaj gjithë bashkatdhetarëve, ndaj gjithë njerëzve.
Kjo përbën një meritë të paçmueshme në një vend historikisht të prapambetur si Shqipëria, ku paria sunduese – armike e punës dhe e njeriut të punës – ka parë përgjithësisht vetëm interesat e veta të ngushta, ndërsa një rrymë jo e papërfillshme njerëzish të punës mendore e të kulturës – rrymë që ka pasur e do të ketë kurdoherë mendjemadhësinë dhe boshësinë ta quajë veten elitë – u ka shërbyer pa ndërgjegje shoqërore pikërisht interesave të ngushta, çnjerëzore, të kësaj parie.
Ndryshe nga pjesëtarët e kësaj rryme “elitare” Dritëro Agolli është ushqyer dhe frymëzuar nga vepra qytetare dhe kulturore e një rryme tjetër në historinë tonë, e asaj rryme që ka për përfaqësuesin e vet më të shquar Naim Frashërin. Ai është mbrujtur si askush tjetër me ndjenjën e pastër, në thelb të shenjtë, të nderimit deri në adhurim për punën dhe njeriun e punës. Vështirë që letërsitë e shumë vendeve evropiane – nga ato që ne i quajmë kohë e pa kohë si të qytetëruara – të krenohen se në këtë gjysmë shekulli të fundit kanë pasur një të tillë vepër-himn për shenjtërinë e punës, siç ka pasur letërsia jonë veprën e Dritëro Agollit.
***
Në gjurmët e poezisë dhe letërsisë më të mirë shqipe Dritëro Agolli është një poet i natyrës, një adhurues i saj. Por natyra nuk është as sfond e dekor i jetës së njeriut, as perëndi. Ajo është skena e veprimtarisë së njeriut të popullit, është pjesë e pandarë e jetës dhe e përjetimeve të tij, është vetë jeta e tij.
Natyra e Dritëro Agollit është fusha dhe mali, guri dhe zalli, lumi dhe pylli, lulja dhe burimi, natyra është shpendi dhe egërsira, era dhe rrufeja, hëna, yjet, dielli. Por është edhe shtëpia e fshati, gurët e vatrës dhe gurët e varrit, beli e lopata, dheu e plehu, bari dhe jonxha, gruri, thekra e misri, kosa dhe drapri, parmenda dhe qerrja, qumështi dhe buka, molla dhe dardha, kuajt, lopët, dhentë e qentë. Është edhe shkëmbi e turbina, hekurudha dhe vinçi, tornoja, kamioni, uzina dhe fabrika.
Natyra e Dritëro Agollit është kështu jo një natyrë e përfytyruar dhe e sajuar, jo diçka idilike e pastorale, jo një tablo – estetike a e përçudnuar – muzesh e galerish të pikturës, por strehë, shtrat e jastëk i njeriut, para së gjithash i njeriut të punës, hambar i jetesës dhe kopsht i luleve të shpirtit, mëngjes i lindjes dhe muzg i fikjes, histori e së djeshmes, vepër e të sotmes dhe ëndërr e së ardhmes (“Yjet”, “Mëngjes në port”).
Ndaj natyra për Dritëro Agollin nuk është e dashur sepse është e bukur, por është e bukur, sepse është e dashur. Ajo është pikërisht ai libër i madh i jetës, ku poeti lexon të gjitha ndodhitë, si të ëmblat ashtu edhe të hidhurat, është shkolla më e madhe e më e mirë, pasi më e vërteta, është faltorja më e shenjtë:
Me vete flas në njërin breg të lumit
Dhe pylli më dëgjon nga bregu tjetër
I sapozgjuar në mëngjes prej gjumit
Në shtratin me jorgan të madh të gjelbër.
Dhe zogjtë m’i dërgon si lajmëtarë
Me gjuhën e gërnetës, violinës…
Zbret lumi malit si dashnor i marrë
T’i puthë i etur buzët e luginës.
Dhe unë hesht si heshtja e thesarit:
O tokëzë, që ballin nuk ma ngryse,
Ma hap, të lutem, librin tënd të barit,
Të vetmin libër që lexoj pa syze! (“Në mëngjes para lumit dhe pyllit”, 1983)
Ndaj dhe bukuria e këngës së Dritëro Agollit për natyrën nuk qëndron te rima, aliteracionet e onomatopetë, nuk qëndron te përshkrimet dhe lirizmat arkadiane. Ajo qëndron në atë shkrirje të njeriut dhe natyrës, që gjen shpalosje te kënga e tij, atë shkrirje që është e njëjtë me atë ndërmjet njeriut dhe atdheut, atdheut dhe natyrës.
Pse s’të rrihet ty pa shushurimë
Lumi edhe gjethi në zabel?…
Ujë do të pish nëpër burime
Diellin ta shikosh kur hyn e del. (“Kurbatka”)
Një himn i kësaj shkrirjeje të brendshme, të qenësishme e tërësore, të jetës së njeriut me natyrën dhe atdheun është “Poemë për babanë dhe për vete”:
Im atë tokën shumë e donte,
Siç donte nënë e grua,
Për tokën lodhej dhe rënkonte
Dhe djersën dedhte krua.
Kur plis më plis e hidhte hapin,
I kishte hapi hije
Dhe zogjtë e malit udhë i hapnin
Me fjalë hirësie;
Kur grushtin mbushte plot me farë,
Mahnitej kush e shihte,
Dhe era ndalte frymën në arë,
Që qejfin mos t’ia prishte;
………………………………..
Po ati im mbi plisat ecte
Me shpirt të madhërishëm
Dhe tokës shpirt me shpirt i jepte
Nga shpirti i çuditshëm…
Jeta dëshmon se pakkush në letërsinë shqipe ka kristalizuar në botëkuptimin e tij një trini kaq të thjeshtë e njëherazi kaq të shenjtë, sikurse është trinia e njeriut të punës, natyrës dhe atdheut e Dritëro Agollit. Jeta dëshmoi gjithashtu se asnjë krijues tjetër në periudhën e pasluftës e deri më sot nuk arriti të krijojë diçka të ngjashme e t’ua dhurojë bashkatdhetarëve të vet.
***
Vepra e Dritëro Agollit shquhet për themelet e shëndosha morale. Në tërësinë e vet ajo ushqen ndjenjat njerëzore të jetës e të qytetarisë, jo të vdekjes dhe të individualizmit. Në të nuk ka banalitete dhe ca më pak zvetënim. Nga leximi i saj lexuesi nuk poshtërohet e nuk egërsohet, por rilind e dëliret. Ne e marrim në dorë veprën e Dritëro Agollit thjesht si lexues dhe befas ndihemi të përthithur në të, por të përthithur si personazhe, si heronj lirikë, si pjesëtarë. Leximi kthehet në trajtë jete, në dramë reale, në sprovë e shkollë ndjenjash e mendimesh, dhe nga ky shtegtim-trazim – kur i shtruar e i kthjellët, kur i tallazitur e i ngrysur, por gjithnjë i mbushur me përjetime të thella – ne dalim shpirtërisht më të pjekur, më të menduar, më largpamës, më të mirë, shkurt, më njerëz.
Kjo është për mua gjëja më e thjeshtë:
Ta ndiej të ardhmen kudo e ngaherë.
Për shembull, sa fryhet sythi i parë në vreshtë,
Shoh butet e mbushur me verë.
Jam mësuar të hyj në sendet si në kuzhinë,
Sado të vështira të jenë s’hutohem kurrë;
Për shembull, sa lind gjelbërimi në mal a luginë,
Shoh hambarë me grurë.
Edhe gjërat e thjeshta për mua kanë kuptimin e tyre,
Dhe jam i bindur e mendimin askush nuk ma tund.
Për shembull, një portë bëhet vërtet për të hyrë,
Por bëhet edhe për të dalë në horizontin pa fund. (“Për gjërat e thjeshta”, 1982)
Ndryshe nga ç’ndodh rëndom e jo vetëm te ne, e moralshmja te Dritëro Agollit shfaqet në mënyrë të papritur dhe të vetvetishme, ashtu si shfaqen në fund të fundit të gjitha të vërtetat e jetës. Dhe nëse lexuesi nuk do të rrëmbehej prej një morali të tillë, kjo pa dyshim nuk do të ishte e metë e Poetit.
S’i kam dashur kurrë gjërat e bujshme
Dhe shpesh jam menduar duhan duke pirë;
Ka gjëra lakuriqe që s’janë të turpshme,
Siç ka dhe gjëra të çndershme të veshura mirë.
Ja, e vërteta rri lakuriqe ngaherë,
Ja, dhe gënjeshtra me petka rri veshur!
Më thoni: cila ka turpin dhe cila ka nderë?
Kjo që ju thashë s’ka gjë për të qeshur! (“S’ka gjë për të qeshur”, 1984)
Jeta dëshmon se të paktë kanë qenë në kulturën tonë krijuesit me moralitet profesional të lartë dhe të spikatur. Jeta dëshmon se edhe më të paktë kanë qenë krijuesit me moralitet – jo vetëm profesional por edhe qytetar – të lartë, të pastër e të pafshehur. Dritëro Agolli hyn e radhitet jashtë çdo dyshimi ndërmjet këtyre të paktëve me të gjithë veprën e tij, edhe atë më të zymtën e më të brengosurën. Dhe jashtë çdo dyshimi është, në vijim të Naim Frashërit, krijuesi më i spikatur për moralitet qytetar e profesional.
***
Prej të tilla tiparesh të vërtetësishme qytetare e njerëzore e kanë zanafillën dhe shpjegimin e tyre edhe tiparet më të larta artistike të veprës së Dritëro Agollit:
– realizmi, sepse pa realizmin e shëndetshëm – domethënë atë që rrezaton të përgjithshmen – të vërtetat e mëdha të jetës njerëzore nuk vijnë dot në jetë. Dhe të vërtetat e Dritëro Agollit janë reale, janë aq reale. Ato janë plot jetë e do të mbeten të tilla.
– pasioni, sepse pa pasionin qytetarja dhe njerëzorja jo vetëm nuk arrijnë të triumfojnë, por nuk arrijnë as të shpërfaqen, të shprehen, të shpalosen. Qytetarja e njerëzorja te Dritëro Agolli janë aq të gjalla, sepse janë të shprehura me aq afsh, me aq fuqi, me aq bindje. Dhe të tilla do të mbeten: të gjalla, të fuqishme, bindëse.
– forca komunikuese – gjuha e buruar nga gjuha e gjerë e popullit. Dhe për Dritëro Agollin gjuha e gjerë e popullit nuk mund të jetë një gjuhë krahinore, por një gjuhë e gjithmbarshme, një gjuhë që u drejtohet të gjithë bashkatdhetarëve dhe që kumbon e kuptueshme për të gjithë. Për Dritëro Agollin gjuha e gjerë e popullit është frymë, është figuracion, është stil, shkurt është mjeti i realizimit të artit. Në të njëjtën kohë ajo është gjuhë e njësuar, gjuhë e mirëfilltë letrare. E gjithë shprehësia e veprës së Dritëro Agollit, e gjithë fuqia e saj realiste, i gjithë pasioni i saj bindës, e merr fuqinë nga ky kuptim i thellë për gjuhën e gjerë të popullit. Ndaj ajo është aq e figurshme, aq stilistike, aq e frymëzuar, dhe në të njëjtën kohë është aq e qartë, aq e kuptueshme, aq shqipe; ndaj ajo është aq e hollë, aq elegante, dhe në të njëjtën kohë është aq e thjeshtë, e thënë dhe e shprehur aq shqip, pra, edhe aq rrëmbenjëse, frymëzuese. Vepra e Dritëro Agollit, si vepra e pakkujt tjetër në kulturën tonë, është fund e krye shqiptare, fund e krye dhe në mënyrë aq të papërsëritshme shqipe. Dhe si e tillë do të ruhet sa kohë të ruhet te ne lexuesit kjo qenësi shqiptare.
– poetika e pasur dhe me mbështetje të gjerë në metrikën popullore dhe atë klasike, sepse e gjithë përmbajtja ideore e veprës së Dritëro Agollit – e vërteta e madhe, qytetarja dhe njerëzorja, e thjeshta dhe e madhërishmja e kësaj të thjeshte – kërkojnë në mënyrë të natyrshme e të pashmangshme një teknikë të pasur e të mirërenditur poetike, njëlloj siç e gjejmë në harmoninë e përgjithshme ideo-kompozicionale të veprave më të larta të muzikës klasike. Te vepra e Dritëro Agollit, si te vepra e pakkujt tjetër në letërsinë e në kulturën tonë, bukuria e mendimeve dhe e përjetimeve shpaloset përmes një larmie teknikash e metrikash, të cilat krijojnë një tërësi të plotë harmonike, ashtu siç është harmonike, e plotë dhe e përpjesshme në tërësinë e vet bota e mendimeve, e përjetimeve dhe e idealeve të Dritëro Agollit.
Do thoni ju:
po mplakesh
në mendime,
Po bëhesh
dalngadalë
konservator,
Se vargjet
kanë ritëm,
kanë rimë,
Se vargjet
kanë shpirtin
popullor…
I dua
gjithë vargjet,
gjithë këngët,
Të matur,
të pamatur
e të lirë,
Mjafton
të kenë gazin
edhe brengën
E popullit
të madh
e zemërmirë. (“Komunistët”, 1971)
III.
…Letërsia dhe kultura jonë në përgjithësi, vetë shoqëria jonë, me shkëputjen e dukshme nga çështjet e mëdha të jetës shoqërore, me mbylljen në tema të ngushta, vetjake, me frymën gjithnjë e më abstrakte si dhe me ndihmën e botës joreale të rrjetit elektronik, do t’ua ftohë gjithnjë e më shumë njerëzve dëshirën për librin dhe do ta shtrembërojë së tepërmi edukatën dhe shijen e tyre estetike. Tanimë vihet re se si rregulli, pastërtia dhe bukuria – tiparet e punës krijuese – ngjallin përçmim, madje edhe urrejtje, ndërkohë që sa vjen e fuqizohet prirja për kaos, rendja pas luksit dhe grisomania jo vetëm në të veshur por edhe në të menduar.
Një klimë e tillë natyrisht nuk ndihmon e nuk do të ndihmojë në ruajtjen e popullaritetit të veprës letrare të Dritëro Agollit. Që sot ndikimi i saj është rëgjuar në mënyrë të ndjeshme, ashtu si ka ndodhur me veprën e mjaft shkrimtarëve dhe poetëve tanë, që i kanë kënduar së mirës, së ndershmes, dashurisë për punën e për vendlindjen, besimit tek e ardhmja.
E megjithatë e përkundër një prirjeje të tillë të shoqërisë sonë vepra e Dritëro Agollit, si vepra dhe veprimtaria e pakkujt në letërsinë dhe historinë tonë, qëndron si ajo pasqyra hamletiane e së vërtetës, që e bën këtë shoqëri të egoizmit dhe vetmitarisë të shohë të zit’ e zemrës së vet, mbetet si rreze e pashuar udhërrëfyese.
Unë s’imitova në rrugën time të gjatë poetë të tjerë
Megjithëse më shumë se veten i çmova ngaherë;
……………………………………………………………………
Unë imitova veç popullin tim të madh e të shtrenjtë,
Popullin tim të lashtë e rinor flokargjendtë;
…………………………………………………………..
Unë s’imitova reklamat e librit dhe shtypit të modës,
S’vrapova aspak si langua të gjuaja poetët e botës,
Poetët e botës i çmova kur ishin të mirë,
Po këmbët dhe duart e tyre kurrë s’i pata lëpirë
…………………………………………………………………
Unë imitova të gjitha ç’kanë të bëjnë me jetën,
Të gjitha ato që zbulojnë e ndritin veç të vërtetën!
……………………………………………………………………..
Kjo që ju them nuk është aspak mani madhështie,
Po është ndërgjegje e plotë e poetit dhe gur sigurie. (“E thjeshtë, e vërtetë dhe e vështirë”, 1984)
Në të njëjtën masë në letërsinë, kulturën dhe historinë tonë Dritëro Agolli mbetet ai shqiptar që si pakkush ka pasur guximin qytetar jo vetëm të pohojë se kujt i shërben veprimtaria e tij, kujt i kushtohet arti i tij, por edhe të shprehë qartë pikëpamjen se ç’është poezia e vërtetë, pra, ç’është në fund të fundit veprimtaria e dobishme shoqërore:
“Gjithmonë në poezinë e vërtetë ka një shqetësim, ka një hall. Shqetësimin dhe hallin e mbart vetë poeti që e ka marrë nga shoqëria e vet, që e ka në biografinë e tij. Këto shqetësime, mendime, ëndrra e ndjenja bëjnë pjesë në biografinë e poetit, formojnë ‘unin’ e tij. Poezia pa shqetësime nuk jep asnjë element biografik të poetit. Në këtë lloj poezie pa shqetësim të gjithë poetët janë të njëllojtë, se të gjithë nuk kanë biografi dhe të gjithë nuk dihet se ç’janë, nga kanë ardhur, çfarë pune kanë bërë prindërit e tyre, me ç’shokë rrinë, nga ç’krahina janë, me se merren. Dhe ata shkruajnë letra pa vënë as adresën e tyre, as të atij që do t’i marrë…Prandaj e gjejmë të udhës të themi se në vargje duhet të ndihet jeta e poetit në shoqërinë tonë dhe jeta e njerëzve që e rrethojnë. Dhe kjo ndihet vetëm atëherë kur poeti jeton me jetën e shoqërisë dhe shqetësohet për të gjitha problemet e kohës. Ai poet që nuk jeton me tërë jetën e shoqërisë, me historinë e saj, me ëndrrat e saj, nuk di ta tregojë as veten e vet në vargje, si të thuash, e harron edhe biografinë e tij. Kështu, gjeneratori i madh i poezisë është jeta e shoqërisë dhe e popullit, dashuria për njerëzit, për gurët dhe drurët e vendit, për zogjtë dhe kafshët.” (“Përcjellja e librit”, 1984, në vëllimin “Udhëtoj i menduar”)
Ndaj mund të thuhet pa mëdyshje se për sa kohë do ta zbehim e davaritim nga faqet e teksteve të shkollave dhe do ta harrojmë e do ta fshijmë nga mbrëmjet tona të leximit artistik – familjare a shoqërore këto qofshin – Dritëro Agollin, mikun besnik dhe mësuesin e urtë të lexuesve, për sa kohë një krijimtari e një kulturë e tillë nuk do të ndihet si nevojë nga shoqëria dhe nuk do të kërkohet prej saj, ne do të duhet ta shohim këtë si shenjë të qartë të kthimit tonë prapa në kohë, si shenjë që një shoqëri e tillë vijon të jetë e kredhur në egoizmin e shpallur si virtyt dhe në vetminë e shpallur si liri, shkurt, që ajo gjëllon ende në gjendjen e primitivitetit.
Dritëro Agolli është jo e kaluara por e ardhmja jonë. Nga faqet e veprës së tij, nga kjo ndërthurje e pashoqe e të resë më të përparuar me traditën më të vyer, ngrihet qetë e pareshtur ajo frymë e madhe, e mirë dhe e amshuar njerëzore, triumfi i së cilës do të shënojë ndarjen përfundimisht nga bota e egërsisë.
Shpëtim Çuçka