Skavica – Rikthehet debati: Të ndërtohet apo jo!

0

 

Bujar Karoshi

Pse dështoi tenderi në dhjetor 2008? Skavica, me një digë apo me tre diga? Çfarë parashikon projekti i KESH për ndërtimin e dy digave në vend të Skavicës së madhe? A vazhdon ideja e Skavicës së projektuar në vitet 1980 apo mbeten zgjidhje të mundshme ndërtimi i 2 apo tre digave? Specialistët: Zgjidh nevojat për energji dhe bën funksionale kaskadën e Drinit. Kundërshtarët: Mbyt “hambarin” e Dibrës, ndan Dibrën në dy pjesë dhe e bën jo funksionale. Dëmtohet ekosistemi. Mbyt trashëgiminë historike dhe kulturore. Kompensimi i ulët dhe krijon probleme sociale gjatë shpërnguljes së popullsisë.

Një panoramë e historisë së hidrocentralit që ka penguar zhvillimin e rajonit që nga vitet ’60 të shekullit të kaluar.

 

Lajmi që rikthen debatin

Ndërtimi i hidrocentralit të Skavicës rishfaqet sërish në qendër të vëmendjes së qeverisë shqiptare.

Është Ministri i Energjisë dhe Industrisë z.Damian Gjiknuri, i cili gjatë një interviste për Radion e Jashtme të Kinës, duke folur për hapësirat e zhvillimit ekonomik mes dy vendeve, theksoi se “gjatë kontaktit me konsorciumin Power China Corporation patëm një diskutim shumë intensiv me ta lidhur me disa projekte me interes të përbashkët në fushën e prodhimit të energjisë elektrike, siç është hidrocentrali i Skavicës, duke rënë dakord për disa hapa të mëtejshëm se si mund ta zhvillojmë këtë projekt, si edhe për një projekt të mundshëm në sektorin e shpërndarjes së energjisë elektrike, sidomos për të luftuar fenomenin e vjedhjes së energjisë elektrike, nëpërmjet teknologjive dhe aplikacioneve që janë përdorur në vende që kanë pasur situata të ngjashme. Jemi në një rrugë të mbarë, jemi duke diskutuar dhe presim që ekipet e specialistëve kinezë të vijnë në Shqipëri dhe të hulumtojnë nga afër çka do të bëjmë në lidhje me zgjidhjet teknike të propozuara dhe më pas të shikojmë zgjidhjet ligjore dhe financiare të këtyre projekteve”.

Kjo deklaratë ka rikthyer edhe njëherë në qendër të debatit në vend nëse duhet ndërtuar apo jo Hidrocentrali i Skavicës. Një pjesë e opinionit, kryesisht lokal, është kundër ndërtimit të saj, ndërsa qeveria dhe projektues  hidrocentralesh në vend shprehin domosdoshmërinë e ndërtimit sa më të shpejt të saj.

 

SKAVICA, një projekt i vjetër apo një vepër e madhe?

Ideja për ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës fillon që në vitet 1960. Pas studimesh për  rreth dy dekada, rreth viteve 1980 filloi të flitej publikisht për të. Sipas projektit të asaj kohe,

hidrocentrali do të ndërtohej në grykën e Skavicës, ku shtrati i Drinit të Zi ngushtohet deri në 40 metra në një gjatësi 5-6 kilometra. Që në atë kohë studimi kishte paraparë dy zgjidhje te cilat në vetvete përbënin dy projekte të ndryshme.

Zgjidhja e parë parashikonte ndërtimin e një dige 163 metra të lartë, që krijonte një liqen artificial me nivel normal të tij në kuotën 445 metra mbi nivelin e detit. Vëllimi i digës do të ishte 11 milionë metër kub. Ky variant përmbyste luginën e Drinit të Zi deri në kufi me ish-republikën Jugosllave të Maqedonisë. Vëllimi i liqenit do të ishte 2.7 miliardë metër kub, sipërfaqja  60 km katror, fuqia e instaluar 350 megavat, si dhe energjia e prodhuar në vit do të ishte 1 miliardë kvh. Kosto e ndërtimin në këtë variant ishte parashikuar 600 milionë USD.

Zgjidhja e dytë parashikonte një digë shumë më të lartë, 210 metra, po në Skavicë, që e shfrytëzonte luginën e Drinit tërësisht. Vëllimi i digës do të ishte 16.5 milionë metër kub. Kjo digë krijonte një liqen me nivel normal në 485 metra mbi nivelin e detit dhe që kishte shtrirje e përmbyste deri në brendësi të territorit maqedonas. Diga ishte e parashikuar në të dy zgjidhjet të vendosej në kuotën 305 m mbi nivelin e detit në ceketinën e luginës, të krijuar nga lumi Drin i Zi (Gryka e Skavicës).  Vëllimi i liqenit do të ishte 6.5 miliardë metër kub, më shumë se dyfishi i Liqenit të Fierzës. Sipërfaqja  95.5 km katror, fuqia e instaluar 350 megavat, si dhe energjia e prodhuar në vit do të ishte 1.3 miliardë kvh. Kosto e ndërtimin në këtë variant ishte parashikuar 950 milionë USD. Ky variant do të krijonte një kaskadë të në Drin me rregullim disavjeçar.

 

 

Fuqia energjetike e Drinit

Nga pikëpamja energjetike, lumi i Drinit nuk është thjeshtë lumi më i madh i vendit, por janë karakteristikat e tij gjeografike që e bëjnë atë edhe në aspektin hidroenergjetik një lumë “gjigant” për Shqipërinë. Në bazë të studimeve të bëra nga ekspertë të huaj dhe të vendit rezulton se koeficienti i shfrytëzimit energjetik të këtij lumi është 0.53, koeficient ky sa dyfishi i lumenjve të tjerë. Gjatësia e lumit prej 285 kilometra, por edhe pjerrtësia e rrugës që ai përshkruan duke nisur nga kuota 485 metra mbi nivelin e detit në rrjedhën e sipërme në kufirin me Maqedoninë, deri në kuotën 23 metra mbi nivelin e detit në Fushën e Nënshkodrës, e bëjnë të mundur të ketë një tregues kaq të lartë hidroenergjetik. Drini ka një pellg ujëmbledhës 11 756 kilometra katrore. Për sa u takon prurjeve, Drini e ka mesataren vjetore 352 metër kub ujë në sekondë.

Specialistët e energjetikës mendojnë se sipas këtyre të dhënave lumi Drin ka potencial të madh në rezervat hidroenergjetike, që llogariten në 6-8 miliardë kilovat/orë energji. Në një gjuhë teknike kjo do të thoshte se ky lumë zotëronte 42 për qind të rezervave të shfrytëzueshme të lumenjve te vendit.

 

 

Tenderi i dështuar dhe reagimet politike

Më datë 17 dhjetor 2008, pas një ftese ndërkombëtare të shpallur nga Ministria e Ekonomisë, u hap faza e parë e procedurës konkurruese, ajo e parakualifikimit të ofertuesve për Hidrocentralin e Skavicës.  Në parakualifikim u  u paraqitën shoqëritë: Konsorciumi Italian TGK në përbërje të të cilit janë shoqëri italiane me eksperiencë në fushën e projektimit dhe ndërtimit të veprave energjetike. Korea Electric Power Corporation, që është Korporata Energjetike e Koresë së Jugut, që siguron energji elektrike prej 120 vjetësh, zhvillon projekte energjetike në disa vende të botës. STATKRAFT, shoqëri norvegjeze e cila është një nga shoqëritë më të rëndësishme energjetike në Europë. VERBUND – shoqëri Austriake që zotëron rreth 90 hidrocentrale. KELAG GRUP është një nga konsorciumet më të mëdhenj të prodhimit të energjisë në Austri. “R.Ë.E” AG, shoqëri gjermane, e cila kontrollon rreth 2800 MË nga energjia hidrike.

Në atë kohë shoqata “Për Mbrojtjen e Pellgut të Drinit të Zi” reagoi fuqishëm kundër tenderimit. Ajo deklaroi atëherë se pesë mijë anëtarë e saj nuk janë dakord me procedurat e ndjekura për tenderimin, si dhe denoncoi njërën nga firmat pjesëmarrëse në tender për pazare të fshehta me drejtuesit e komunave. Shqetësimin e tyre ia paraqitën edhe prefektit të asaj kohe, z. Xhafer Seiti, i cili nga ana e tij i nisi një letër Ministrit të Ekonomisë, ku i rekomandonte që në procesin e mëtejshëm të tenderimit të merreshin parasysh edhe kërkesat e shoqatës.

Më datë 5 janar 2009, komisioni i vlerësimit të ofertave duhej të shpallte fituesit për vazhdimin në fazën tjetër, por kjo nuk ndodhi kurrë. Qeveria shqiptare pranoi dështimin vetëm një vit më vonë, duke ia vendosur për këtë fajin krizës ekonomike që kishte filluar të godiste eurozonën.

Pajtim Bello, ish zëvendës ministër i Ekonomisë në qeverinë socialiste, në shkurt 2010 akuzonte qeverinë se e ka dështuar me qëllim ndërtimin e Skavicës. Ai thoshte në një intervistë për gazetën “Telegraf” se “për ndërtimin e Hidrocentralit të Skavicës ka pasur Vendim të Këshillit të Ministrave Nr. 299 date 6/5/2005 dhe ky vendim u hodh poshtë nga Qeveria “Berisha”, pa asnjë arsye të qenësishme. Ende nuk kane shpjeguar përse nuk vazhduan procedurat për lidhjen e kontratës koncensionare, por nëse do të ishte proceduar seriozisht ne sot do te kishim në punë një nga agregatet e Hidrocentralit të Skavicës.”

Ndërsa kryeministri i asaj kohe, Sali Berisha ia vuri fajin për këtë krizës ekonomike. “Mesa duket, thotë ai gjatë një mbledhje qeverie, kriza e thellë financiare bëri që këto kompani të mos mund t’i dalin zot ambicieve dhe projekteve të tyre. Atëherë, ne jemi para dy alternativave. E para është të shkojmë sërish të tender. Por ka edhe një alternativë tjetër që, të jem i sinqertë me ju, më është dukur gjithnjë më mira, që qeveria shqiptare të marrë përsipër ndërtimin e kësaj vepre të mrekullueshme energjetike”.

“Skavica është një projekt gjigant me një kosto minimale gjysmë miliardi Euro, thotë ai, dhe nuk ishte në rrezen e mundësisë sonë. Por tani është krijuar një situatë tjetër. Situata është më premtuese që qeveria të konsiderojë vetë ndërtimin e kësaj vepre gjigante. Ministria e Ekonomisë dhe Energjetikës, KESH-i dhe agjenci të tjera duhet ta shqyrtojnë me hollësi, duhet të hapë tenderin për projektin, nga studimet fillestare deri tek projekti i zbatimit, ose të përcaktojë parimet dhe ta tenderoi me çelësa në dorë”, thoshte në atë kohë ai.

Emin Mysliu, një nga projektuesit dhe drejtuesit e hidrocentraleve më të mëdhenj në vend, si Fierza, Komani, Vau i Dejes, etj., e sheh më se të mundshme realizimin e këtij investimi. Por duke marrë shembull ndërtimin e HEC-eve të tjerë mbi Drin, Mysliu theksonte për gazetën “Shekulli” në atë kohë, se Skavica mund të bëhet realitet, por me kushtin që për projektin me kosto rreth 500 milionë euro të vendosin specialistët e KESH-it.

 

PROJEKTI I KESH, DY HIDROCENTRALE

Në vitin 2010 KESH depozitoi në Ministrinë e Energjetikës një projekt, ku theksonte se Skavica është vetëm njëri nga dy hidrocentralet e planifikuara të ndërtohen. Ky studim, që ka pasur  mbështetjen e Bankës Botërore dhe asistencën teknike të kompanisë franceze Sogreah, i ka bërë një vëzhgim të hollësishëm të gjithë zonës që nis nga Skavica e deri në kufi me Maqedoninë. Ekspertë kanë përcaktuar disa pika dhe mbi to janë bërë studimet. Pikat e studimit janë grupuar në dy pjesë. Ata janë Kovashica, Dovalani, Katundi i Ri, Fushë Muhuri, dhe grupi i dytë Ura e Dodës dhe Skavica. Pasi janë marrë në konsideratë të gjithë këto pika ekspertët e kanë vlerësuar se si më të përshtatshmet janë Katundi i Ri dhe Skavica. Për digën e Skavicës janë studiuar tre lartësi të ndryshme, 340, 385 dhe 410 metra. Përllogaritjet tregojnë se më e përshtatshme dhe me më pak kosto është Skavica 385. Studimi i bërë është i gjatë e i hollësishëm, plot me të dhëna teknike. Në vija të përgjithshme ai planifikon që në Katundin e Ri, të ngrihet një digë 50 metra e lartë. Kjo digë mundëson ngritjen e një hidrocentrali me fuqi 49 megavat, gati sa dyfishi i Shkopetit. Për ndërtimin e kësaj dige ekspertët përllogarisin një kosto rreth 100 milion euro. Sigurisht kësaj shume i duhen shtuar edhe shpronësimet që në këtë rast janë shumë më pak se në variantet e mëparshme të Skavicës. Diga e Katundit të Ri përllogaritet se do të përmbytë 87 ha sipërfaqe tokësore prej të cilës 17 hektarë janë tokë arë. Ndërkohë ekspertët kanë përllogaritur që Skavica 385 si më e përshtatshmja mund të ketë një digë rreth 80 metra të lartë. Kjo garanton një hidrocentral me fuqi diku tek 119 megavat dhe për ndërtimin e saj kërkohet një financim prej 215 milion euro. Kjo lartësi e digës së Skavicës me rreth 30 metra më shumë nga Katundi i Ri sigurisht që shkakton përmbytje edhe më të mëdha. Sipas studimit ky variant i Skavicës përmbyt një sipërfaqe tokësore 1788 hektarë prej së cilës tokë arë janë 719  hektarë. Ky projekt redukton ndjeshëm përmbytjet. Por krahasuar me projektet ekzistuese ai redukton ndjeshëm edhe fuqinë e Skavicës, e përgjysmon atë. Po ashtu ky variant nuk bën më rregullim disavjeçar të kaskadës.

 

 

Drini duhet shfrytëzuar, nuk duhet përmbytur

Vesel Hoxha, anëtar i Senatit Akademik të Universitetit Politeknik të Tiranës, si dhe një ndër bashkëpunëtorët e një firme të huaj që synonte të ndërtonte hidrocentrale mbi lumin Drin në vitet 2009-2010, mendon se “për tu ndërtuar një vepër energjetike në radhë të parë kërkohet transparencë e plotë, për të gjitha detajet e projektit, jo një punë e mbyllur në zyrat qeveritare. Pastaj, mbi këtë bazë transparence, të qartë e të kuptueshme për të gjithë, mund të jepen pozicionimet dhe mendimet konkrete, ndaj veprës në fjalë. E thënë me fjalë të tjera, duhet diskutuar e duhet pozicionuar mbi bazën e një projekti konkret, për të dhënë mendime konkrete”.

“Si njohës i zonës por, pa pretenduar shumë në njohjen e saj, mendoj se mbi lumin e Drinit te Zi duhen të ndërtohen tre hidrocentrale.  Hidrocentrali i parë duhet ta ketë digën aty ku janë bërë studimet, në Skavicë, ku matjet topografike flasin për një kuotë absolute rreth shifrës 305 m mbi nivelin e detit.  Diga e dytë mendoj se duhet të ngrihet ose ndërtohet në vendin midis Kodrës së Bitrit (me lartësi mbi nivelin e detit 428 m) dhe Kodrës ose Majës se Thekanushit, me kuote absolute 515 m mbi nivelin e detit).  Ndërsa diga e tretë mund të ndërtohet mbi Katundin e Ri, aty ku lumi Drini i Zi fillon e ngushtohet”.

“Që vendi të zhvillohet, diku duhet të ndërtohet, qoftë ky ndërtim për vete, për fisin, për lagjen, për fshatin apo qytetin, për krahinën, qarkun apo për gjithë vendin. Problemi qëndron në atë që: Të ndërtohet duke u bazuar në studime shkencore, në pajtueshmëri të plotë me mjedisin dhe në marrëveshje të plotë me të zotët e shtëpisë, në rastin e veprave te natyrave të tilla, duke i bërë hesapet me hanxhinë, siç thotë populli”, shkruan në një opinion të tij në gazetën “Rruga e Arbërit” në vitin 2010.

Gjithashtu, argumenteve të shtruara se me ndërtimin e hidrocentraleve zona do të kthehet jo funksionale dhe do ndërpriten rrugët e komunikimit, ai thotë se qeveria duhet të bëjë një  studim të plotë urbanistik për zonën. Jemi në shekullin e 21-të dhe domosdo që, ndërtimi i tre digave do të shoqërohet me një riurbanizim të rajonit, me një infrastrukturë të re, ndoshta duke shfrytëzuar dhe tri digat e propozuara”

 

 

Reagimet kundër

Ali Hoxha është President Nderi i Shoqatës “Për mbrojtjen e pronave dhe të mjedisit të Pellgut të Drinit të Zi”. Ai thekson tre argumentet kundër ndërtimit të Skavicës.

Së pari, thotë ai, në aspektin ekonomik, Dibra është “Myzeqeja”, hambari i zonës verilindore të Shqipërisë. Ky pellg i Dibrës ka mbajtur me bukë jo vetëm gjithë Dibrën, por edhe Lumën, Mirditën e Matin, bile dhe Tiranën. Por dëmi ekonomik, për ne, qëndron në plan të dytë në krahasim me dëmin që shkaktohet në aspektin gjeopolitik dhe etnokulturor.

Në aspektin gjeopolitik Dibra e Poshtme do të shpërbëhej, sepse pjesa lindore e Dibrës do t’i bashkëngjitej pjesës tjetër që ka mbetur nën pushtimin serbosllav qysh prej vitit 1913, kurse pjesa tjetër e Dibrës, në anën perëndimore të Drinit të Zi, do të copëtohej dhe do t’u bashkëngjitej rretheve të Kukësit, të Mirditës dhe të Matit. Pra, praktikisht nuk do të ketë më Dibër

Në aspektin etnokulturor dëmi është i pallogaritshëm, sepse nga përmbytja e këtij territori, asgjësohet një qytetërim i tërë, një etni e tërë, do të zhdukej e gjithë Dibra me gjithë historinë e saj, gjithë ato gjurmë të qytetërimit të lashtë iliro-pellazge, si dhe Principata e Kastriotëve dhe terreni ku u zhvilluan 19 betejat fitimtare të Skënderbeut, kundër superfuqisë më të madhe të botës në atë kohë, nga 24 beteja gjithsej që ai bëri kundër Perandorisë Osmane. Po kështu do të zhdukeshin edhe të gjitha varret e mijëra dëshmorëve të rënë për mbrojtjen e atdheut nga pushtuesit e të gjitha kohërave, duke u përmbytur përgjithmonë nga uji i atij “deti” artificial.

Ai më tej bëhet më i ashpër, duke i quajtur “tradhtarë të kombit ” të gjithë ata qeveritarë që bëjnë përpjekje për ta ndërtuar hidrocentralin e Skavicës. “Të gjitha përpjekjet dhe projektet për shitjen, përmbytjen dhe asgjësimin e Dibrës dhe të historisë së saj janë tradhti kombëtare. Kjo sepse energjia e prodhuar nga HEC-i i Skavicës është projektuar jo për nevojat kombëtare, por për eksport dhe së dyti, për faktin se aq energji që parashikohet të prodhojë HEC-i i Skavicës, Dibra i ka të gjitha resurset, që nga ujëvarat e saj mund të ndërtohen rreth 10 (dhjetë) HEC-e të vegjël, të cilët do të jepnin po aq energjia elektrike sa ç’parashikon HEC-i i Skavicës, pa u dëmtuar asnjë pëllëmbë tokë. Në këtë aspekt, tradhti kombëtare do të bënim edhe ata dibranë që do të braktisnin trojet e veta, “vetëm për një euro”, pasi do të humbasin identitetin e vet.”

Një shembull të ngjashëm u vjen nga matanë kufirit. “Dibranët nga ndërtimi i liqenit artificial të Dibrës dhe hidrocentralit të Spiles nuk panë asgjë të mirë për këto 40 vjet pos humbjes të rreth 5000 ha tokës më pjellore dhe që vaditej nga dy lumenj, burimi kryesor i ekzistencës të numrit më të madh të familjeve dibrane”, i shkruante Argëtim Fida, në atë kohë kryetar i Komunës së Dibrës së Madhe, gazetarit Abdurahim Ashiku, i cili është bërë një “zëdhënës” i përpjekjeve të kundërshtarëve të Skavicës.

Ashiku është kundër ndërtimi të çdo varianti të tij. “Si me një digë, si me tri diga, Dibra në rrënjë të saj shuhet”, – thotë ai. Gjithë mendimet dhe opinionet kundër ai i ka përmbledhur në një libër publicistikë dhe vazhdimisht i kujton opinionit qëndrimin e tij kundër. “Midis 70 specialistëve të angazhuar 50 vjet më parë për studimin e kaskadës së Drinit – topologë, gjeologë, hidrologë, ing, hidroteknikë, mekanikë, elektrikë etj., nuk përmendet asnjë specialist mjedisi: agronom, zooteknik, inxhinier pyjesh, biolog, historian, arkeolog etj. Nuk merret mundimi dhe sot të pyeten askush prej tyre, a thua se jeta ekziston vetëm në saj të energjisë elektrike. Ashiku, ashtu si dhe Ali Hoxha,  mbështesin  mendimin se Dibra ka fuqi energjetike të fshehura, sidomos në hidrocentralet e vegjël. “Unë mendoj se në vend të Skavicës të ndërtohen një sërë hidrocentralesh të mesëm mbi degët e Drinit në Mallë, Veleshicë, Setë, Gramë, Gjalagjosht, Murrë, Okshtun… dhe qindra hidrocentrale të vegjël mbi degëzime më të vogla e

mbi kanale ujitës. Kam përmendur një studim të viteve ’80-të ku vetëm nga ngritja e hidrocentraleve mbi kanalet ujitëse dhe ujësjellësin e Peshkopisë prodhimi i energjisë elektrike rritej nga 15 milionë kilovatorë në 220 milionë që, siç thuhej atëherë, “Dibra ngrohej dhe gatuante me energji elektrike”.

Gazetari Ashiku ka hartuar edhe një platformë me 9 pika për t’i bërë ballë përpjekjeve për ta ndaluar ndërtimin e hidrocentralit, mes të cilave spikat krijimi i një “Fondacioni për Mbrojtjen e Dibrës”,  që do të marrë përsipër gjithë procesin për kundërshtimin e ndërtimit të hidrocentralit.

Murat Koltraka, një ndër aktivistët e shoqatës “Për mbrojtjen e Pellgut të Drinit të Zi”, në një sërë shkrimesh me argumentet kundër Skavicës thekson se “40 vite ndërtimi i kësaj vepre ka frenuar e mban të ndrydhura energjitë e komunitetit të 30 fshatrave të këtij rajoni, projekte për zhvillim e mirëqenie, ecjen përpara të tyre në raport me mundësitë që ata kanë. Ata nuk janë e fajtorë para askujt, pse janë banorë të këtij vendi.   Sipërfaqja e tokës bujqësore në Dibër është rreth 19 000 ha, kurse toka nën kulturë është 12 500 ha. Skavica fundos 10 600 ha ose 55% të fondit të tokës në total. Ky rezervuar fundos nën ujë 8000 ha tokë nën kulturë, ose 64% të saj për tërë Dibrën. T’i heqësh Dibrës 64% të tokës nën kulturë në rajonin më pjellor që përbën bazën e ekonomisë bujqësore për të, do të thotë të zbrazësh Dibrën nga dibranët”

“Nuk është rastësi as ai vendim fatal i vitit më 1913, kur Dibra një etni, një gjak, një gjuhe, me një kulturë, me një histori të përbashkët dhe në kufijtë e vet natyror ndahet në: Dibra e Epërme që u kaloi sllavëve dhe në Dibra e Poshtme që i mbeti Shqipërisë. Nuk është normale, që pas një shekulli Dibra e Poshtme të rindahet në dysh nga veriu në jug. Një projekt i tillë prish unitetin ekonomik dhe etnokulturor të Dibrës së Poshtme duke sjellë pasoja të rënda për të. Kjo vepër shkëput komunikimin e fshatrave kodrinor e malorë në perëndim me ata që mbetën në lindje”, thekson studiuesi i historisë dhe kulturës, Murat Koltraka.

Të njëjtën ide me Koltrakën ndan edhe ish deputeti i Dibrës, Idriz Xhomara. Në një shkrim të tijin në gazetën “Rruga e Arbërit” në prill 2011, ai shkruan se “Ideja e ndërtimit të këtij hidrocentrali si rregullator i gjithë kaskadës të Drinit ka fillimin që në vitin 1984. Pa vazhduar më tej gjithë zhvillimi i pellgut të Drinit është mbajtur peng i kësaj ideje. Në një zonë me tradita shumë punëtore pothuajse ka munguar ose është ndërprerë fare krijimi i pemtorëve, vreshtave, ndërtimi apo riparimi i shtëpive apo çfarëdo investim tjetër. Dhe tani pas më shumë se një çerek shekulli, kjo mund të konsiderohet pa mëdyshje si një nga efektet me negative si në aspektin ekonomik që e përmendëm më lartë si dhe në atë social duke akseleruar shumë shpërnguljen e banorëve të kësaj treve”.

“Banorët e zonës së përmbytur do të marrin një shpërblim dhe sigurisht që do të zgjedhin dhe vendin ku do të vendosen. Por problemi është për ato që do të mbeten mbi kuotën e sipërfaqes të ujit, 485 m ku do të vështirësohet infrastruktura rrugore, shkollat, qendrat shëndetësore dhe mundësi të tjera që lidhen me përballimin e jetesës të cilët sipas meje do të kenë dhe detyrimin për të mbartur, transmetuar dhe zhvilluar atë traditë, kulturë dhe histori që përmendëm më lart”, mbyll shkrimin e tij Xhomara.

 

 

Reagime “Pro”

Përveç specialistëve të energjisë, zyrtarëve të KESH, firmave që duan ta ndërtojnë, edhe një pjesë e banorëve janë për ndërtimin e hidrocentralit. Por shumë prej tyre nuk janë në gjendje të argumentojnë idetë e tyre.

Agim Kasa, ish përgjegjës i statistikës në Dibër në vitet 1985-1992, në një shkrim në “Rruga e Arbërit”, mars 2010, rreshton argumentet ekonomikë që bëjnë të domosdoshme ndërtimin e hidrocentralit.

“Pozicioni natyror – gryka e ngushtë ku rrjedh lumi dhe shpatullat e forta shkëmbore, e bëjnë atë një vend të përshtatshëm dhe të sigurt për ndërtimin e hidrocentralit. E jo vetëm për këtë arsye, por Skavica krijon rezerva ujore për gjithë hidrocentralet e vendosur pas saj: Fierza, Komani e Vau i Dejës duke optimizuar tërë funksionimin e kaskadës së Drinit”.

Një tjetër zë, Ing. Emin Mysliu, jeta e të cilit është e lidhur ngushtë me hidrocentralet, e quan Skavicën punën e pambaruar të të gjithë linjës së shfrytëzimit të rrjedhës së lumit Drini i Zi për prodhimin e energjisë elektrike. Dhe për shkak të rëndësisë dhe kapacitetit të madh ujëmbledhës të rezervuarit, Skavica cilësohet si investim gjigant, i cili duke shtuar prodhimin e energjisë elektrike me 350 – 400 megavat, rrit jo pak por 15 % prodhimin e energjisë elektrike në vend.

Duke mbështetur këtë mendim të Mysliut, Kaca në shkrimin e tij thekson se “hidrocentrali i Skavicës është një vepër e madhe dhe se ndërtimi i veprave të mëdha kërkon edhe sakrifica të mëdha”.

“Jam për ndërtimin e Skavicës, sepse mes dy alternativave zhvillimi ekonomik, me dobiprurëse për vetë ekonominë është prodhimi i energjisë elektrike se sa zhvillimi agrar i zonës orientuar nga bujqësia, blegtoria apo pemëtaria. Një histori shumëvjeçare, me gjithë format e ndryshme të pronësisë mbi tokën nuk flet tjetër veçse për zonë me zhvillim të varfër ekonomik. Baseni ujëmbledhës i Skavicës përmbyt tokën më pjellore të Dibrës, siç është Lugina e Drinit të Zi, që së bashku me Maqellarën na ka pëlqyer ta quajmë “hambari i Dibrës”, por nuk ka qene krejt kështu.  Skavica duhet të ndërtohet, sepse nga ndërtimi i saj sigurohen më shumë të ardhura nga prodhimi dhe shitja e energjisë, prandaj duhet menduar si të jemi zgjidhje e problemit të ndërtimit dhe jo te kthehemi në problem për ndërtimin e Skavicës”, – shkruan Kaca.

“Pavarësisht argumenteve, ai bie dakord se qeveria duhet ta rishikojë politikën e kompensimeve dhe shpërnguljes së banorëve, në mënyrë që ata të mos kthehen në të braktisurit nga shoqëria apo të grabiturit nga qeveria. Skavica është ajo që duhet do t’i japë më shumë dritë Luginës së Drinit të Zi”, thekson ai.

 

 

SHPËRNDAJE