Preç Zogaj
Po mbushet muaji nga dita e vizitës së Papa Françeskut në Tiranë. Fjalia që përmbledh gjurmën e saj akoma të nxehtë dhe me siguri të pashlyeshme në përjetimin dhe kujtesën e shqiptarëve mikpritës mendoj se është : “Po, ka ndodhur, Papa ishte këtu”. Bëhët fjalë për një prani të rrallë, që na pohon kështu siç jemi, por me fuqinë e mikut të madh, në këtë pikë të globit. Bëhët fjalë pra për një dhuratë, nga ato që vetmia intime e njeriut i konsideron qiellore. Gjithçka ka kaluar dhe ka mbetur si shkrepja e një ëndrre të mekullueshme, njëzet e një shtatori i Tiranës dhe Shqipërisë sikur u vesh me të bardhën divine. Ashtu ka nisur udhëtimin në të ardhmen tonë. Do të jetë një udhëtim i gjatë. Përtej arsyeve të mëdha, këtë parashikim e gjej të mbështetur në një fakt të gjallë të kësaj periudhe.
Papa Françeku u prit me emocion dhe dashuri të madhe në ardhje, por la prapa një dashuri akoma më të madhe në kthim. Ai i bëri për vetë shqiptarët me mesazhet e tij, me stilin e tij, me pamjen e tij, aq sa në një skenar të kthimit nga fillimi, mikpritja ndaj tij do të kishte qenë totale. “Vajzat dhe djemtë e klasës kanë venë fotografi të vizitës së Papës në galerinë e fotove më të zgjedhura në celularë e tyre”, me tregon vajza ime, nxënëse e vitit të dytë të shkollës “Petro Nini Luarasi”. Ajo është katolike, shoqet e saj të ngushta janë të besimit mysliman, bektashi dhe ortodoks. Vetë shkolla s’ka arsye të mos jetë një minaturë e raporteve fetare në shkallë vendi. Por mu sikur t’u ketë dhënë mësim një filozof dhe historian i madh si Ernest Renan, që ka shkruar si pakush tjetër për pluralitetin e religjioneve, ato nuk flasim për ketë temë në kuptimin që pse ti ke ketë besim dhe pse unë kam këtë tjetrin. Vajzat duket se janë secila besnike të besimit të trashëguar nga prindërit, por jetojnë bashkë, si shoqe dhe mikesha, në botkuptimin e shoqërisë së hapur, pse jo në predikatin e shqiptarizmit- jo të atij shqiptarizmi që u ngrit mbi mohimin e dhunshëm të çdo besimi- por të shqiptarizmit si bashjetësë fetare që vjen nga rilindja e hershme. Ato dhe qindra mijëra vajza dhe djem, të rritur dhe të moshuar më mbarë vendin, u inamoruan më shumë me Papa Françekun pasi e panë dhe e dëgjuan. Papa foli si burrë shteti gjatë takimeve politike dhe ndërfetare. Foli si kreu i kishës katolike në pjesën apostolike të vizitës. Në të gjitha rastet lartësoi bashkjetesën paqësore të katër bashkësive fetare në vend dhe martirizimin e klerit, sidomos të atij katolik, nga rregjimi komunist i Enver Hoxhës. Janë dy nga çuditë dhe mrekullitë e rracës sonë. Shqipëria i ka të sajat, në dritën e diellit të saj, qepur e lidhur mirë a keq me lloj-lloj plagësh, dangash dhe tatuazhesh të fatit të saj, por nuk i kishte treguar dot për një piacë më të gjerë e me të lartë të planetit. Erdhi Papa Françeku dhe ua bëri të njohura njerëzimit mbarë me përkuljen e tij.
Jemi një sakrificë e madhe e të parëve tanë për Europën. Jemi një provë e gjallë e thelbit paqësor që kanë fetë ashtu siç i ka diktuar zoti dhe siç i kanë gdhendur apustujt dhe profetët e tij besnikë. Jemi martirizimi i të përndriturve tanë për besimin në zot. Këta janë caku i një force shpirtërore që nuk e kemi ditur deri vonë se e kemi. As njerëzimi nuk e ka ditur se e ka. Pas njëzet e një shatorit njerëzimi ka mundur zbulojë këtë përmasë të panjohur të sakrificës njerëzore për hyjnoren, këtë pamje të Shqipërisë së thellë, që u mbivendoset dhe sfumon shabllonet sipërfaqësore për të.
Papa Françeku tha se kishte lexuar e mësuar shumë për Shqipërinë para vizitës. Në njëzet e një shtator, në vizitën e tij djaloshare nga mengjesi në mbrëmje, pa pushim, sa në një takim e ceremoni në tjetrën, shtatëdhjetë e tëtëvjeçari me talare të bardhë lexoi Shqipërinë. Dhe mësoi prej saj atë që e kemi thëne shpesh me njëri tjetrin, por që në leximin dhe shqiptimin e Papa Françekut ka vlerën e pasaportës dhe kartivizitës më të çmuar që na është dhënë ndonjeherë: Shqipëria është vend europian. E tha kur ishte kthyer në Vatikan. E tha për t’ja thënë Europës dhe botës. E tha për domëthënien polivalente që ka si mesazh.Shqipëria është vend euripian edhe me katërfetarzimin e saj. Katërfetarizmi mund të jetë europian. Koncepti i ri i Papa Françekun për Europën dhe europianizmin mbyllet këtu në artikulim. Ka folur për njerëzimin. Por na ka berë një nder të jashtëzakonshëm. Ndaj është e natyrshme të jemi një popull me Papën më zemër. Është bukur të shohim fotot e Papa Françekut në galerinë e fotove të zgjedhura të fëmijëve tanë. Është fisnike ta duam dhe të lutemi për shendetin e tij.