Dorota Shkoxhinjska për Muzeumin e Historisë të Polonisë
Në korrik 1942 nazistët gjermanë nisën deportimet masive të çifutëve nga Varshava e pushtuar për në kampin e shfarosjes në Treblinkë. Diplomati i ri, që kishte nisur të punonte si korier i lëvizjes ilegale polake, ndërmori një mision tejet të rëndësishëm. U vetofrua, se si dëshmitar okular do të njoftonte botën e lirë për shfarosjen e çifutëve polakë. Arriti të hynte dy herë në geton e Varshavës dhe më vonë edhe në kampin tranzitor në Izbica Lubelska.
Megjithë vështirësitë e shumta, duke përdorur gjeneralitete të falsifikuara, Karski ia doli të mbërrinte në Londër në fund të nëntorit. Aty përpiloi raporte të detajuara me shkrim për qeverinë polake në emigracion, njoftoi njëherësh edhe ministrin britanik të Punëve të Jashtme- Anthony Eden. Më vonë atë e dërguan në Uashington, ku në Zyrën Ovale pati një takim njëorësh me presidentin Franklin D. Ruzvelt.
Në kohën që Karski jepte alarmin ishte vrarë shumica e qytetarëve çifutë që banonin në Poloni. Kishte megjithatë ende kohë për të shpëtuar ata të paktë të mbetur gjallë.
Karski, që jetoi 86 vjet, pasivitetin e botës së lirë e konsideronte “mëkatin e dytë fillestar” të njerëzimit. Dëshmia e tij e faktuar mbetet një nga provat më të forta kundër luftës dhe një thirrje e vendosur për veprim kundër akteve të diskriminimit, poshtërimit, padrejtësisë dhe brutalitetit, të cilat përbëjnë arsyet kryesore të krimeve politike dhe genocidit.
I rritur në kryeqendrën në lulëzim të industrisë tekstile- në “tokën e premtuar” (në qytetin e Loxit), i cili në kapërcyellin e shekujve tërhiqte njerëz të kombësive dhe besimeve të ndryshme- Karski qysh në të ri u mëkua me parimet e tolerancës dhe bashkëpunimit. Familja katolikoromane e Karskit banonte në të njëjtën godinë me familjet çifute. Nëna besimtare ia kujtonte shpesh Karskit të kujdesej për çifutët më të rinj se vetja.
Karski vinte nga shtresa të ulta shoqërore. I ati, Stefan Kozielewski, ka qenë zanatçi galanterie- kur vdiq e la fëmijën vetëm 6 vjeç. Për Karskin e mitur babë u bë Mariani, vëllai i madh. Si nëna, Valentina, ashtu edhe vëllai Marian, injektuan tek ai idealet tipike për atë brez. Në përputhje me këto parime themelin e Republikës së Dytë e përbënin tri shtylla- Zoti, Nderi dhe Mëmëdheu. Vëllai i madh i Karskit, Marian Kozielevski, iu bashkua Legjioneve të Marshall Pillsudskit që shpuri në rifitimin e mëvetësisë së Polonisë në vitin 1918. Traditat familjare, talenti i lindur dhe pozicion i favorshëm i të vëllait në Poloninë e midisluftrave patën ndikim vendimtar në formimin e Karskit të ri. Studimet e përfunduara shkëlqyeshëm në universitet bënë që ëndrrat e Karskit për nisjen e karrierës diplomatike të bëheshin shumë reale. Në vitin 1935 mori titullin magister në jurisprudencë si dhe të njëjtin titull për shkencat diplomatike në universitetin Jan Kaziemierz në Lvov.
Në vitin 1936 Karski nisi punën në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Ky pozocion i hapi atij dyert e salloneve të elitave varshaviane. Më tej një vit e kaloi jashtë shtetit, duke kryer stazhe në përfaqësitë diplomatike në Gjenevë dhe Londër. Natën e 23 korrikut 1939 Karski u thirr për t’u mobilizuar, çka shënonte edhe fundin e ëndrrave të tij rinore. Më 1 shtator 1939 shpërtheu lufta. Në pesë të mëngjesit avionët gjermanë bombarduan kazermat në Oshviençim ku ndodhej edhe njësia e Karskit. Disa orë më vonë nëntogeri dhe batalioni i tij u tërhoqën për në Lindje. Më 23 gusht 1939 në Moskë ishte nënshkruar traktati i fshehtë sovjeto-gjerman i mossulmimit, i cili e ndante Evropën Lindore në zona influence gjermane dhe sovjetike. Protokolli i fshehtë përcaktonte edhe parimet e ndarjes së territoreve të Polonisë, Lituanisë, Letonisë, Estonisë, Finlandës dhe Rumanisë. Ky pakt mundësoi invadimin sovjetik të Polonisë nga Lindja, në kohën kur vendi po humbiste luftën me ushtrinë e Hitlerit. Pakti Ribbentrop-Mollotov (pakti sovjeto-gjerman) bëri të mundur invadimin sovjetik të Polonisë në pjesën lindore në një kohë kur polakët kishin ndërmarrë veprime luftarake kundër ushtrisë hitleriane. Më 17 shtator 1939 ushtria sovjetike filloi pushtimin e Polonisë. Karski dhe batalioni i tij ishin nisur për Tarnopol, në Ukrainë kur ndeshën ushtrinë e kuqe. Sovjetikët premtuan bashkëpunim, megjithatë i trajtuan polakët si robër lufte dhe i dërguan në kampin Kozieslk, në Rusi.
Oficerët trajtoheshin më keq se ushtarët e thjeshtë. Në kohën kur gjermanët dhe rusët shpallën shkëmbimin e robërve të luftës, parimet ishin shumë të ashpra- nga ky shkëmbim kishin për të përfituar veç ushtarët e thjeshtë. Karski pa hezituar aspak e ndërroi uniformën e oficerit me atë të ushtarit të thjeshtë, duke deponuar se kishte qenë punëtor fabrike në Lox. Ky marifet rezultoi shpëtimtar për jetën. Oficerët e tjerë polakë u ekzekutuan në pyllin e Katinjës, pranë Smolenjskut (Katinj, Rusi). Kjo ndodhi përbën një nga krimet më të tmerrshme të luftës. Karski u iku gjermanëve duke u hedhur nga treni në lëvizje. Në Varshavë mbërriti duke ecur më këmbë. Si shumica e përfaqësuesve të inteligjencës dhe polakëve të përkushtuar çështjes atdhetare hyri menjëherë në lëvizjen ilegale që ishte një nga lëvizjet më të mëdha dhe më të rëndësishme të rezistencës në Evropën e pushtuar.
Karski filloi të punojë për lëvizjen ilegale në fund të vitit 1939. Inteligjenca e tij e lartë dhe kujtesa fenomenale bënë që ai të bëhej njëri nga emisarët e paktë në kontaktet e qeverisë në emigracion dhe lëvizjes. Gjatë misionit të parë në vitin 1940 i dorëzoi qeverisë polake (që atëkohë ishte vendosur në Angers, në Francë) raporte mbi gjendjen në Poloninë e pushtuar. U kthye prej andej me direktiva të qeverisë për drejtuesit e lëvizjes. Karski i mbante mend informatat më të rëndësishme dhe raportet i hartonte pasi mbërrinte në vendin e caktuar. Duke përdorur shumë dokumente identifikimi të falsifikuara, mjete të ndryshme transporti dhe mëndjemprehtësinë e tij, shpesh me rrezik për jetën, Karski mundi të kryente katër misione korieri për lëvizjen ilegale. Të parin dhe të dytin në vitin 1940 (linja e verdhë Varshavë-Angers-Varshavë), të tretin po në vitin 1940 (linja blu Varshavë-Angers, e ndërprerë në Demjat të Sllovakisë) dhe të katërtin në vitin 1942 (linja e kuqe Varshavë-Londër përmes Brukselit, Parisit, Perpignan, Barcelonës, Madridit dhe Gjibraltarit).
Në misionin e parë në vitin 1940 Karski kishte për detyrë të mbërrinte në Angers dhe t’i përcillte qeverisë në emigracion informatat mbi gjendjen në Poloninë e pushtuar. Qysh atëherë vuri në dijeni autoritetet polake për situatën në të cilën gjendeshin çifutët polakë. Njoftimet zyrtare gjermane tmerronin qytetarët polakë dhe vendosnin kufizime të ashpra në jetën e përditshme. Karski i përcolli qeverisë detaje nga situata aktuale. Nën pushtimin gjerman qytetarët polakë kërcënoheshin jo vetëm nga arrestimet për shkak të përkatësisë në lëvizjen ilegale, por edhe nga rreziqe të tjera që kishin të bënin me jetën e përditshme. Racioni i detyrueshëm i ushqimit ishte baraz me urinë. Produktet e përdorimit primar gjendeshin në tregun e zi vetëm për ata që kishin ende të holla. Pushtuesit po përpiqeshin jo vetëm të thyenin moralisht qytetarët, por edhe të dobësonin në përgjithësi popullin polak nga pikëpamja kulturore dhe ekonomike. Të gjitha institucionet e arsimit të lartë u mbyllën, ndërsa mësimi në gjuhën polake kërcënohej me vdekje. Grabitja e pasurisë ishte në rendin e ditës. Jeta nën pushtim do të thoshte tmerr i përhershëm nga arrestimet dhe ekzekutimet.
Qeveria polake në mërgim në Angers të Francës i ngarkoi Karskit të mbante mend strukturën e përgjithshme të lëvizjes ilegale, ndarjes së detyrave dhe kanaleve të komunikimit. Emisari Karski ua transmetoi këto drejtuesve politikë të lëvizjes në Poloninë e pushtuar. Këto direktiva patën ndikimin e tyre në organizimin e lëvizjes së parë, ndoshta më të rëndësishme, të rezistencës në Evropën e pushtuar. Në misionin e tij të tretë me kthimin në Angers, Karski u nis më këmbë nga malet Tatra në qershor 1940. Me vete kishte informata të dorëzuara nga udhëheqësit kryesorë të lëvizjes. Kushtet e motit ishin fatale, kështu që u detyrua të qëndrojë një natë në fshatin Demjat, ku pronari i shitur e dorëzoi tek Gestapo. Karski, pra, u arrestua dhe u torturua. Tentoi të kryente vetëvrasje, që të mos jepte asnjë informacion, megjithatë arritën ta çojnë në kohë në spital në Novi Sonç dhe përfundimisht shpëtoi .
Jeta nën pushtim përmbante përherë tmerrin, dyshimin dhe mosbesimin. Marrëdhëniet polako-çifute, para lufte të tensionuara, po përkeqësoheshin edhe më shumë, veçanërisht kur autoritetet gjermane nisën të zbatonin në Poloninë e pushtuar “zgjidhjen përfudimtare”. Udhëheqësit e lëvizjes ishin të vetëdijshëm për qëndrimin e shumë polakëve kristianë ndaj çifutëve. Antisemitizmin e konsideronin mallkim për gjithë popullin. Në traktet zyrtare dhe botimet ilegale paralajmëronin për pasojat që mund të kishin ata që do të angazhoheshin në përsekutimin e çifutëve. Udhëheqja e Luftës Civile shpallte “Paralajmërimin” për personat që do të dorëzonin çifutët.
(…) Përballë krimit nuk duhet qëndruar indifirent. Ai që hesht kur sheh vrasje – bëhet bashkëpunëtor i vrasësit. Kush nuk e dënon- do të thotë që e lejon (…)
Sipas rregullave hitleriane ai që nuk jepte informata për çifutë që fshiheshin –pa llogaritur këtu ndihmën për ta, apo strehimin- duhet të bënte llogarinë me pasoja të rënda, madje deri edhe me vdekjen. Me këtë kërcënohej e gjithë familja e individit që jepte ndihmë.
Më 22 korrik 1942 nazistët nisën deportimet masive të çifutëve nga getoja e Varshavës për në Treblinkë. Në vjeshtë të po këtij viti Karski ndërmori misionin e tij të fundit dhe më të rëndësishmin. Emisari kishte përgatitur një raport për qeverinë polake në Londër mbi situatën në vend si dhe për gjendjen e popullsisë polake. Me qëllim që Karski të përgatiste një raport sa më të besueshëm udhëheqësit çifutë i mundësuan atij hyrjen në geto që të mund të shihte me sytë e tij ferrin e atjeshëm. Kjo përvojë do të vendoste shumë për fatin e mëtejshëm të emisarit. Si dëshmitar okular i Shfarosjes Karski i vuri vetes një qëllim: të vinte në lëvizje ndërgjegjen e liderëve të botës së lirë që të shpëtonin çifutët që kishin mbetur ende gjallë. “Ajo që ndodhte ishte e pabesueshme. Ata që ishin atje nuk ishin njerëz. Atje ishte ferri vetë – i thotë Karski 36 vjet më vonë Claude Lanzmannit.
Udhëheqësit çifutë, të cilët e kishin futur Karskin fshehurazi në geto, i mundësuan edhe hyrjen në kampin tranzit gjerman që të mund të shihte si i ngarkonin çifutët nëpër trena për t’i nisur drejt vdekjes. Karski arriti të hynte në Izbicë. Më vonë e kujton këtë përvojë të tmerrshme në intervistën që dha për filmin e Lanzmannit “Shoah”. “I shtynin njerëzit me qytat e karabinave, i qëllonin, i ngjishnin për në vagona. I ngrinin, i kapnin për leshrash dhe drejt e në vagona. Vagonat niseshin vetëm kur mbusheshin plot e përplot. Ndjehesha shumë keq”.
Megjithë vështirësitë e shumta, duke përdorur dokumente identifikimi të falsifikuara, Karski ia doli të mbërrinte në Londër në fund të nëntorit. Hartoi raporte të detajuara me shkrim për qeverinë polake në mërgim. I raportoi edhe ministrit britanik të Punëve të Jashtme Anthony Edenit. Eprorët e Karskit e nisën paskësaj në Uashington ku pati një takim njëorësh me presidentin Franklin Ruzvelt. Iu lut të dy udhëheqësve për të frenuar Holokaustin. Për fat të keq mesazhi i tij u prit me indiferencë.
Më 10 dhjetor 1942 Ministria polake e Punëve të Jashtme u përcolli qeverive të vendeve aleate dhe neutrale një shënin që përshkruante shfarosjen që gjermanët po bënin me popullsinë çifute në Poloninë e pushtuar. Shënimi ishte hartuar mbi bazën e burimeve të ndryshme – midis të tjerash edhe nga raportimet e Karskit. Pas një jave aleatët dënuan zyrtarisht politikën gjermane të shfarosjes së çifutëve në Evropë. Shefi i diplomacisë britanike A. Eden e lexoi deklaratën e dënimit para dhomës së përfaqësuesve, teksa anëtarët e shprehën mbështetjen duke mbajtur një minutë heshtje. BBC transmetoi fjalën e ministrit në edicionin e lajmeve të mbrëmjes.
Dëshminë e tij rrëqethëse Karski ua përcolli shumnë personave- politikanë, gazetarë, shkrimtarë si edhe udhëheqësve të botës së lirë.
Disa muaj pas takimit të Karskit me Shmul Zigielbojm, në prill 1943, çifutët e getos së Varshavës nisën kryengritjen. Edhe pse në dispozicion kishin një sasi të kufizuar armësh të lehta bënë qëndresë për tri javë rresht. Në mesin e majit 1943 armiku e dogji krejt geton dhe të gjithë ata që ndodheshin në të. Nuk mbeti kurrgjë veç gërmadhave të përzhitura.
Shmul Zigielbojm i dha fund jetës në Londër. Në letrën e lamtumirës shkruante se po kryente vetëvrasjen në shenjë proteste ndaj indiferencës së aleatëve karshi fatit të çifutëve. Shpresonte se vdekja e tij do të shpëtonte çifutët e mbetur gjallë. “Thelbin e dramës çifute në Luftën II Botërore e jep jeta e Zigielbojmit. Në të shfaqet pafuqia totale e çifutëve dhe indiferenca e botës”.
Më 28 korrik 1943 Karski ia transmetoi informacionet e veta edhe presidentit Ruzvelt me shpresën se ky i fundit do të mund ta frenonte holokaustin. Megjithatë presidenti amerikan nisi të veprojë vetëm nga fundi i luftës kur krijoi Këshillin për çështjet e emigrantëve të luftës dhe arriti të shpëtojë jetët e rreth 200 mijë çifutëve evropianë. Në vitin 1943 Karski pati një takim me gjykatësin e Gjykatës Supreme të SHBA, Feliks Frankfurter, nga i cili mbeti i dërrmuar nga fakti që ai nuk u zuri besë fjalëve të Karskit për këtë mizori të pashoqe njerëzore.
Karski nuk mundej më të kthehej në Poloni ngaqë gjermanët e njihnin tashmë identitetin e tij. Qeveria polake në mërgim i ngarkoi atij ndërkohë një detyrë të re. Duhej të bindte Hollivudin të bënte një film mbi përpjekjet luftarake të Polonisë dhe të fitonte simpatinë e opinionit publik në situatën kur Poloninë e kërcënonte dominimi sovjetik. Kur planet për filmin nuk u realizuan, Karski filloi të punonte ditë e natë me librin kushtuar lëvizjes ilegale dhe përvojave të veta të luftës. Libri “Një shtet i mistershëm” u botua në SHBA nga shtëpia botuese Houghton Mifflin dhe qysh në fillim bëri sensacion të madh me shitjen e rreth 400 mijë kopjeve. Libri u përkthye shumë shpejt në frëngjisht, suedisht, norvegjisht dhe islandisht.
Kur “Një shtet i mistershëm” u shndërrua në bestseller Karskin e ftonin anekënd SHBA dhe Kanadasë për të mbajtur leksione mbi lëvizjen ilegale polake si dhe situatën në Poloninë e pushtuar nga gjermanët. Kjo situatë megjithatë mori një kthesë të papirtur.
Në vitin 1945 SHBA njohën qeverinë e re kukull të Lublinit të imponuar nga sovjetikët. Për t’i bërë qejfin Stalinit e tërhoqën njohjen e qeverisë polake në emigracion, për të cilën kishte punuar Karski. Polonia ra, pra, nën ndikimin sovjetik dhe në të nuk kishte vend për opozitën. Veprimtarët e shtetit të ilegalitetit u konsideruan pjella të reaksionit dhe u eliminuan pamëshirë nga pushteti i ri.
Në pamundësi për t’u rikthyer në Poloni, Karski nisi një jetë të re në Amerikë. Pas punësh të rëndomta për mbijetesë, iu propozua vend pune në universitetin Georgetown ku jepte leksione mbi marrëdhëniet ndërkombëtare. Në vitin 1965 u martua me një kërcimtare polake me origjinë hebreje. Shumica e anëtarëve të familjes së saj ishin vrarë në kampet e shfarosjes. Vetëm ajo, Pola Nirenska, dhe prindërit e saj, kishin mundur të arratiseshin.
Për më se 30 vjet Karski shprehej shumë rrallë lidhur me përjetimet e tij të luftës. Vetëm këmbëngulja e regjisorit francez Claude Lanzmann, i cili po bënte një film mbi Holokaustin, e detyroi Karskin t’i fliste opinionit të gjerë mbi historinë e tij.
Në fillim të viteve ‘80 të shekullit XX nisi “misionin e tij të dytë”- t’i kujtonte botës indiferencën e aleatëve.
(…) Kur përfundoi lufta mësova se qeveri, udhëheqës, shkencëtarë, shkrimtarë nuk dinin ç’kishte ndodhur me çifutët. Vrasja e 6 mln njerëzve të pafajshëm ishte mister, “një mister i llahtarshëm”. Pikërisht atëherë unë u shndërrova në hebre. Jam megjithatë një hebre kristian. Jam një katolik praktikues. Besimi më thotë se njerëzimi bëri mëkatin e dytë fillestar – për faktin se ka bërë krim për shkak të pakujdesisë, injorimit të vullnetshëm ose për shkak të mungesës së ndjeshmërisë, interesave personale, hipokrizisë apo racionalizmit të pashpirtë. Ky mëkat do ta persekutojë njerëzimin deri në ditët e fundit të tij. Më persekuton edhe mua. Dhe dua që të jetë pikërisht kështu – ishin fjalët e Karskit në Konferencën Ndërkombëtare të Çlirimtarëve në vitin 1981.
Në qershor 1982 Jak Karski mbolli pemën e tij në Bulevardin e të Drejtëve mes Popujve të Botës në Malin e Kujtesës në Jeruzalem. Në vitet që pasuan atij iu dhanë shumë medalje, dekorata e tituj, ndër të cilat: më 1988 “Courage to Care” nga Liga kundër Poshtërimit (në vitin 2012 kjo dekoratë u quajt “Courage to Care Jan Karski); çmimin “Piu XI” në vitin 1990; “Medaljen e Çlirimit Einsenhover” në vitin 1991; “Medaljen Wallenberg” në vitin 1991; “Medaljen e Lirisë” nga presidenti Obama në vitin 2012.
Në vitin 1994 prof. Jan Karski u bë qytetar nderi i Izraelit.
Prof. Karski ka qenë njeri, një hero i vërtetë kombëtar i lirisë, larg çdo forme shovinizmi. Ka qenë mishërim i krenarisë dhe fisnikërisë së polakëve të kohëve të shkuara – ka thënë Adam Mihnjik pas marrjes së çmimit “Shqiponja Jan Karski”.
Në vitet ‘80 dhe ‘90 profesori kishte kontributin e tij në eliminimin e ndarjes së dhimbshme mes polakëve dhe hebrejëve në shoqërinë amerikane dhe më gjerë, duke punuar me ngulm për instalimin e dialogut polako-hebre të pasluftës. Karski kishte aq guxim sa të mos lëkundej aspak tek kritikonte bashkatdhetarët e tij polakë dhe politikën polake. Pas shëmbjes së komunizmit më parë në Poloni në vitin 1989 dhe më vonë edhe në pjesë të tjera të Evropës Lindore, Karski, i shpallur persona non grata nga pushteti komunist, rifitoi vlerësimin që meritonte. Në vitin 1995 presidenti i atëhershëm Leh Vallensa i akordoi Karskit medaljen më të lartë civile polake – Urdhërin e Shqiponjës së Bardhë.
School of Foreign Service në universitetin Georgetown, ku Karski për 40 vjet ka dhënë historinë e komunizmit si dhe marrëdhënie ndërkombëtare, është një nga universitetet elitare për amerikanët e rinj dhe studentët e huaj, të cilët interesohen për politikën ndërkombëtare dhe problemet e botës. Shumë prej politikanëve më të rëndëlsishëm të sotëm, udhëheqës shtetesh dhe biznesmenë të suksesshëm, kanë qenë studentë të Karskit.
Jan Karski ndërroi jetë më 13 korrik të vitit 2000 duke lënë pas një trashëgimi të vyer. Kjo trashëgimi fton të promovohet shpirti i tolerancës dhe përgjegjësisë qytetare, nxit të kundërshtohen sloganet dhe ideologjitë totalitare, të cilat u hapin rrugë konflikteve, ksenofobisë, racizmit dhe antisemitizmit. Urtësia e Karskit është udhëtregues për këdo që kërkon frymëzim dhe orientim sesi veprohet në situata nga më të vështirat, duke mbetur mesazherë të së vërtetës. Jan karski – heroi i njerëzimit- fton këdo nga ne të vihet në mbrojtje të vlerave njerëzore.