ALBERT RAKIPI
Kur Federika Mogerini, ministrja e Jashtme e Italisë deklaroi në korrik të këtij viti në fillim në Tiranë dhe më pas në Beograd se Italia do të luante një rol ndërmjetësues në marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Serbisë, media dhe diplomacia europiane i kushtuan pak ose aspak vëmendje. Shefja e ardhshme e politikës së jashtme të Bashkimit Europian në turneun e vet ballkanik në kuadrin e Presidencës Italianë të Bashkimit Europian propozoi si hap të parë në rolin ndërmjetësues/lehtësues midis Shqipërisë dhe Serbisë një takim trepalësh të ministrave të jashtëm të të tre vendeve. Por pavarësisht nga mungesa e vëmendjes në qarqet diplomatike dhe median europiane, në qarqet akademike dhe diplomatike të të dy vendeve kjo ide e Ministres Mogerini krijoi një lloj hutimi dhe paqartësie. Koha ndoshta provoi që ministrja e Punëve të Jashtme të Italisë kishte të drejtë, por në korrik të këtij viti propozimi i saj i mësipërm dukej se ngjante me një prej paradokseve të shumta të marrëdhënieve ndërmjet shteteve jo vetëm në Ballkan.
Tre muaj më vonë marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Serbisë, që dukej se po futeshin në një rrjedhë pothuajse normale, u tronditën seriozisht pikërisht në prag të vizitës së Kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama në Serbi, e para e këtij niveli pas 68 vjetësh.
Shqipëria dhe Serbia pothuajse rrëshqitën në një gjendje të ngjashme me atë të Luftës së Ftohtë. Miti i armiqësisë historike midis shqiptarëve dhe serbëve në Ballkan u shfaq papritur dhe në mënyrë absurde në marrëdhëniet shtetërore midis Shqipërisë dhe Serbisë.
Ky artikull analizon gjendjen e marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Serbisë kryesisht pas rënies së regjimit të Milosheviçit dhe apelon për domosdoshmërinë e ballafaqimit të shoqërive ballkanike me të shkuarën e tyre si një kusht sinequanon për të ardhmen e paqes së qëndrueshme dhe ndërtimin e shoqërive demokratike moderne dhe ekonomive të zhvilluara në Ballkan. Përparimi në rrugën e reformave, që e përgatisin Shqipërinë dhe Serbinë, si dhe çdo vend në Ballkan për anëtarësim në BE, është e vetmja siguri e arkivimit të armiqësive historike të popujve. Duke mos ecur në këtë rrugë, në rastin më të mirë mund të vijojë të ruhet status quo-ja dhe në rastin më të keq, mund të ngrihen pikëpyetje për stabilitetin në rajon dhe të zgjohen armiqësitë e vjetra.
Këtu argumentohet se duke përjashtuar çështjen e “Kosovës së pavarur”, për të cilën Shqipëria dhe Serbia “agree to disagree”, midis të dy vendeve nuk ka asnjë problem të pazgjidhur që mund të vështirësojë bashkëpunimin dhe aq më pak të çojë në një konflikt. Nga ana tjetër, pajtimi midis serbëve dhe shqiptarëve në Ballkan mund të ndihmohet nga marrëdhëniet e mira shtetërore, thellimi i bashkëpunimit politik, ekonomik dhe kulturor midis Shqipërisë dhe Serbisë, por nga ana tjetër, ky pajtimi tani është edhe një çështje e marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës, si dy shtete të pavarura dhe me njohjen e pavarësisë së kësaj të fundit nga Serbia.
Rikthim në Luftën e Ftohtë?
Vetëm një javë përpara vizitës së Kryeministrit të Shqipërisë në Beograd, Shqipëria dhe Serbia pothuajse rrëshqitën në mënyrën më të pabesueshme të mundshme në një konflikt të ftohtë. Brenda njëzet e katër orëve qeveritë e të dy vendeve shkëmbyen Nota Proteste. Ambasadorët e të dy vendeve u thirrën me urgjencë në selitë diplomatike përkatëse. Shtetarët më të lartë të të dy vendeve u përfshinë në deklarata, por edhe polemika dhe madje edhe akuza në distancë. Këto dhe detaje të tjera ngjajnë tmerrësisht shumë me atmosferën e Luftës së Ftohtë të shtatëdhjetë viteve më parë. kur Shqipëria dhe në atë kohë, Jugosllavia e Titos, i dhanë fund muajit të tyre të mjaltit (1948).
Prej më shumë se një viti në mediat ndërkombëtare, por edhe në diplomacinë europiane është kujtuar shpesh “armiqësia historike” midis shqiptarëve dhe serbëve dhe në mënyrë të veçantë koha e Luftës së Ftohtë në vitet 1948-1990. Duke lajmëruar apo komentuar vizitën e Kryeministrit shqiptar Edi Rama (e planifikuar më 22 tetor 2014) media ndërkombëtare por edhe diplomacia europiane theksuan fort faktin që Edi Rama do të ishte kryeministri i dytë shqiptar që vizitonte Beogradin, pas Enver Hoxhës që e kishte bërë këtë 68 vjet më parë. Simbolika e ndryshimit ishte e qartë: “Dy armiqtë e mëdhenj të Ballkanit” po i largohen të shkuarës dhe po shkojnë drejt paqes. Mirëpo ka ndodhur me saktësi ashtu siç paralajmëronte Kris Patten, ish-Komisioneri Britanik i Zgjerimit më shumë se një dekadë më parë kur thoshte se “në Ballkan, ku shpresa plekset vazhdimisht me dëshpërimin, duket shpesh sikur mund të zgjohesh në mëngjes të përshëndesësh pranverën, por i mbyll grillat me një mbrëmje të ftohtë e të errët.” Lufta e Ftohtë, vizita e Enver Hoxhës në Beograd më 1946 dhe në mënyrë të veçantë “armiqësia” historike midis dy kombeve që u risoll në kujtesë, duket se nuk i përket përfundimisht historisë. Kuptimi dhe shpjegimi i faktorëve që çuan në një marrëdhënie të tillë të ngjashme me Luftën e Ftohtë është thelbësor për hartuesit e politikës dhe vendimmarrësit në nivelin kombëtar, rajonal dhe të Bashkimit Europian, sigurisht përtej kuriozitetit akademik. Stabiliteti i brishtë i marrëdhënieve u trondit thellë dhe si pretekst shërbeu një ballafaqim sportiv midis dy ekipeve kombëtare që rezultoi të ishte thuajse fatal për marrëdhëniet politike midis të dy shteteve, marrëdhënie që janë strategjike për të ardhmen dhe sigurinë e të gjithë rajonit.
Fakti i ballafaqimit të Shqipërisë dhe Serbisë në një lojë sportive nuk është një faktor që mund të shpjegojë përse të dy shtetet u ndodhën në prag të një krize të re. John Stoessinger, në librin e tij “ Përse kombet shkojnë në luftë” sugjeron se ushtria gjermane mund të kishte pasur rezultat tjetër kundër Ushtrisë së Kuqe, nëse sulmi mbi Bashkimin Sovjetik do të kishte ndodhur më 15 maj, ashtu siç ishte planifikuar. Por Hitlerit iu desh të shtynte sulmin mbi Bashkimin Sovjetik, për shkak të grushtit të shtetit në Jugosllavi. Vonesa sipas Stoesingerit ishte fatale. Restaurimi i qeverisë kukull në Beograd mori kohë, Hitleri e shtyu me katër javë sulmin mbi Bashkimin Sovjetik, ushtarët gjermanë shkuan në frontin rus me uniformat verore përballë dimrit rus, që më shumë se njëqind vjet më parë kishte mundur Napoleonin.
Nëse hedhja e shortit për kualifikimet në Kupës së Europës nuk do të kishin vënë përballë Shqipërinë dhe Serbinë, në stadiumin e Beogradit nuk do të kishte ndodhur asnjë prej ngjarjeve, që ndodhën. Dhjetëra mijëra serbë nuk do të kishin pasur shansin të fyenin himnin shqiptar, as të kërkonin në kor vrasjen e shqiptarëve. Po kështu nuk do të kishte asnjë arsye që dikush të ngrinte dronin e famshëm me një pllakat të sajuar “të cilin Beogradi e interpretoi si një simbol të “Shqipërisë së Madhe” dhe për të cilin akuzoi Shqipërinë për një komplot të parapërgatitur për të destabilizuar Serbinë dhe të gjithë Ballkanin. Nëse nuk do të kishte ndodhur fataliteti i shortit e Serbia nuk do të luante me Shqipërinë, më 14 tetor, nuk kishte si të dilte në shesh rikthimi në një gjendje që të kujton fillimin e Luftës së Ftohtë midis të dy vendeve, rreth shtatëdhjetë vjet më parë.
Por ashtu sikundër puçi në Beograd, më 1941 nuk është arsyeja thelbësore përse Hitleri humbi luftën edhe “fataliteti i shortit” të UEFA-s që vuri përballë Shqipërinë me Serbinë, nuk mund të jetë arsyeja përse Serbia dhe Shqipëria ishin duke rrëshqitur në një atmosfere konfrontimi që të kujton të shkuarën.
Edhe më të painformuarit në marrëdhëniet ndërkombëtare, edhe më naivët, madje edhe partizanët e forcimit të marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Serbisë, (e sidomos këta të fundit) nuk mund të qetësohen dhe as të arsyetojnë thjesht se nuk do të kishte ndodhur asgjë sikur të mos kishte qenë ai dreq shansi krejtësisht fatal i shortit të organizatorëve të sporteve. Një udhëheqës i lartë i FIFA-s gati fajësoi UEFA-n, jo vetëm për zhvillimet e dhunshme në stadiumin e Partizanit të Beogradit, por edhe për shpërthimin e krizës midis Shqipërisë dhe Serbisë. Argumenti ishte i qartë. UEFA duhej të kishte shmangur fatalitetin e përplasjes së dy vendeve “armiq” në hedhjen e shortit. (Nëse Blater nuk mendon se Serbia dhe Shqipëria janë jo vetëm në armiqësi, por edhe në luftë me njëri-tjetrin.) Mirëpo ndërsa Blateri propozon si zgjidhje që Serbia dhe Shqipëria, si dy vende armiq, të mos luajnë me njëri-tjetrin, e njëjta formulë nuk mund të aplikohet edhe në marrëdhëniet ndërkombëtare.
Rikthimi i një gjendjeje të ngjashme me Luftën e Ftohtë midis Serbisë dhe Shqipërisë rrezikoi seriozisht realizimin e vizitës së Kryeministrit të Shqipërisë, e cila u shty nën presionin e valës së nxehtë për në dhjetë nëntor. Ndërsa në një perspektivë më strategjike, anulimi i vizitës së kryeministrit shqiptar në Beograd do të çimentonte një gjendje të ngjashme me Luftën e Ftohtë midis dy shteteve që janë kyç për stabilitetin dhe sigurinë e Ballkanit të sotëm.
Konflikti si një marrëdhënie dominuese
Pavarësisht se ka pasur periudha paqeje, konflikti ka qenë marrëdhënie dominuese midis dy kombeve, por edhe një përpjekje konstante e serbëve për të dominuar në këtë marrëdhënie, të paktën qysh nga krijimi i shteteve moderne në Ballkan.
Nga të gjithë fqinjët e Shqipërisë, të cilët historikisht kanë qenë në një garë dhe në të njëjtën kohë në mosmarrëveshje dhe konflikte për mënyrën se si mund t’i ndanin midis tyre territoret shqiptare apo më vonë shtetin shqiptar, më 1912, Serbia dhe Mali i Zi morën “pjesën e luanit”, “40 për qind të kombit shqiptar dhe më shumë se gjysmën e territoreve të banuara nga shqiptarët”. Kjo u perceptua si një padrejtësi e madhe, për të cilën krahas fqinjëve, shqiptarët fajësuan edhe fuqitë europiane të kohës. Në mënyrë paradoksale dhe tragjike krijimi i shtetit shqiptar krijoi edhe çështjen kombëtare shqiptare, zgjidhja e të cilës më 1912, konsistonte as më pak e as më shumë në restaurimin e territoreve shqiptare të aneksuara nga fqinjët, kryesisht nga Jugosllavia me mbështetjen e fuqive të mëdha.
Hedhja e bazave për krijimin e një shteti modern shqiptar gjatë periudhës së Mbretit Zog u shoqërua në pamje të parë me një politikë të jashtme kontradiktore në mënyrë të veçantë ndaj Beogradit, por Zogu arriti të ndërtonte me mjeshtëri balancat e duhura ballkanike në një mjedis thuajse krejtësisht armiqësor për të ardhmen e një shteti shqiptar.
Prej mbarimit të Luftës së Dytë Botërore marrëdhëniet shqiptaro-serbe janë zhvilluar në kontekstin e marrëdhënieve shtetërore midis Shqipërisë dhe Federatës Jugosllave. Një kthesë të jashtëzakonshme, thuajse të pabesueshme dhe të paimagjinueshme në marrëdhëniet tradicionale midis shqiptarëve dhe serbëve u shënua pothuaj menjëherë pas e deri në dy tre vjetët e parë pas Luftës së Dytë Botërore, ku Shqipëria dhe Jugosllavia komuniste shkuan më shpejtësi drejt krijimit të një aleance të veçantë me një numër marrëveshjesh, që paralajmëronin përfundimin e Shqipërinë si një pjesë e federatës. Ndikimi i jashtëzakonshëm jugosllav mbi qeverinë komuniste të Enver Hoxhës ishte i shpjegueshëm me rolin që Partia Komuniste Jugosllave kishte luajtur në krijimin e Partisë Komuniste të Shqipërisë. Kështu Shqipëria po rrëshqiste me shpejtësi dhe pa bujë nën orbitën jugosllave për t’u shndërruar në një nga republikat e federatës. Me nënshkrimin më 1946 të traktatit të miqësisë, bashkëpunimit dhe ndihmës reciproke, Shqipëria dhe Jugosllavia hynë në një aleancë politike dhe ushtarake, e cila përbënte, siç u përmend më lart një kthesë të jashtëzakonshme në politikën e jashtme të të gjithë historisë moderne të shtetit shqiptar. Kjo aleancë u forcua me nënshkrimin e traktatit të koordinimit të politikave ekonomike, bashkimin doganor dhe njehsimin e monedhës, kurse më 1947 Beogradi paraqiti planin për bashkimin e Shqipërisë më Jugosllavinë mbi baza federative. Por më 1948 mosmarrëveshjet midis Bashkimit Sovjetik dhe Federatës Jugosllave i dhanë fund muajit të mjaltit midis Shqipërisë dhe Jugosllavisë.
Marrëdhëniet midis shqiptarëve dhe serbëve, brenda marrëdhënieve shtetërore midis Shqipërisë dhe Federatës Jugosllave, pothuajse u ngrinë për më shumë se dy dekada. Por në fund të viteve gjashtëdhjetë midis të dy shteteve pati një zhvillim të ri, lidhur me një numër faktorësh që lidheshin kryesisht me dinamikën e Luftës së Ftohtë dhe zhvillimet dramatike me pushtimin e Çekosllovakisë nga Bashkimi Sovjetik, si dhe për shkak të aleancës së re të Shqipërisë me Kinën. Kjo është periudha e dytë jo konfliktuale në këto marrëdhënie pas Luftës së Dytë Botërore që mundësoi edhe një bashkëpunim mjaft dinamik midis Shqipërisë dhe Kosovës.
Në fillim të viteve nëntëdhjetë Shqipëria e porsadalë nga komunizmi dhe Jugosllavia e mbetur e Milosheviçit ishin në prag të një konflikti ushtarak.
Drejt një kapitulli të ri
Nga rënia e regjimit të Milosheviçit Shqipëria nuk ka pasur asnjë hezitim, asnjë dilemë për të vendosur një dialog dhe bashkëpunim me Serbinë. Madje edhe përpara rënies së Milosheviçit, në periudha shumë të tensionuara në marrëdhëniet midis shqiptarëve dhe serbëve, kryeministri i Shqipërisë Fatos Nano nuk pati asnjë hezitim të takohej me Presidentin serb Milosheviç në Samitin e Kretës, në nëntor 1997. Lufta në Kosovë dhe e fundit në ish-Jugosllavi ishte në prag të shpërthimit dhe ishte e vështirë të besohej se Samiti i Kretës dhe posaçërisht takimi i Kryeministrit të Shqipërisë dhe Presidentit të Serbisë mund të shërbente për të ndaluar konfliktin e ri midis serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë dhe aq më pak të shërbente për një klimë te re në rajon. Pas Samitit të Kretës Milosheviçi deklaroi se Kosova ishte një çështje e brendshme e Serbisë dhe zgjidhja duhej gjetur duke iu garantuar shqiptarëve të Kosovës të drejtat themelore të njeriut dhe jo autonominë.
Pas rënies së Milosheviçit, dialogu politik dhe marrëdhëniet midis Tiranës dhe Beogradit hynë në një hulli normale duke pasur, në fakt, një qasje aktive, konsekuente të diplomacisë shqiptare. Menjëherë pas rivendosjes së marrëdhënie diplomatike, në janar 2001, të dy vendet janë angazhuar për një komunikim në rritje. Në vitin 2003, vizitoi Beogradin Zëvendëskryeministri Ilir Meta dhe janë shkëmbyer vizita dhe nga ministrat e Jashtëm.
Marrëdhëniet ekonomike, ndonëse modeste për shkak të ndarjes dhe mungesës së komunikimit për një kohë të gjatë, kanë zgjuar interesin e të dy vendeve, ndërkohë që janë nënshkruar një numër marrëveshjesh. Shkëmbimet ekonomike, nga 233 mijë dollarë në vitin 2000 arritën në 139 milionë dollarë më 2010. Gjatë dy tre vjetëve të fundit tregtia dhe shkëmbimet janë rritur ndërsa një numër kompanish serbe konkurruese në Ballkan kanë shfaqur interes për tregun shqiptar të investimeve. Një muaj më parë filloi operimin drejt Tiranës kompania ajrore Air Serbia që realisht po lehtëson komunikimin midis dy popujve, ndërsa statistikat tregojnë se numri i turistëve serbë që zgjedhin Shqipërinë shënon një diagram në rritje. Izolimi relativisht i gjatë i dy shoqërive, mungesa e komunikimit përveç të tjerash edhe kulturor; padyshim miti armiqësisë historike midis dy popujve dhe sidomos Kosova, lufta e atjeshme dhe pavarësia e saj me një mbështetje të madhe perëndimore, nuk e bëjnë shumë të lehtë bashkëpunimin dhe integrimin. Jo pak serbë që vizitojnë Tiranën dhe Shqipërinë në ditët e sotme ndjehen shumë të habitur kur ballafaqohen me një shoqëri të hapur dhe një mjedis miqësor. Habia e madhe e tyre është lidhur me perceptimin që duket se ata kanë për Shqipërinë dhe shqiptarët. Miti i dy kombeve historikisht armiq duket se ende mban në të shkuarën një pjesë të rëndësishme të shoqërisë serbe dhe për fat të keq dhe të elitës në pushtet. I njëjti mit vërtitet edhe në mendjet e shqiptarëve , por kryesisht në segmente të diasporës në Perëndim, por edhe në Maqedoni dhe Kosovë.
Sipas studimit më të fundit të Institutit të Studimeve Ndërkombëtare shumica e shqiptarëve mendojnë se nëse ka një shtet që përbën kërcënim për Shqipërinë, kjo nuk është Serbia siç mund të mendojë shumëkush, por Greqia.
S’ka dyshim se Bashkimi Europian dhe aktorë të tjerë jashtë rajonit kanë nxitur dhe mbështetur bashkëpunimin dhe krijimin e marrëdhënieve normale ndërmjet shteteve të Ballkanit, por në asnjë rast, ndoshta duke përjashtuar Samitin e Kretës, marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Serbisë nuk kanë kërkuar ndërmjetësimin e një pale të tretë.
KOSOVA- Agree to Disagree
Midis Shqipërisë dhe Serbisë aktualisht nuk ekziston asnjë çështje themelore dhe e rëndësishme, që mund të jetë një pengesë reale për zhvillimin dhe thellimin e marrëdhënieve midis të dy vendeve. Nëse përjashtojmë qëndrimet që Serbia dhe Shqipëria kanë lidhur me shtetin e ri në Ballkan, Republikën e Kosovës, midis dy vendeve nuk ka realisht asnjë problem që mund të pengojë bashkëpunimin dhe aq më pak t’i përfshijë në një konflikt.
Shqipëria është një nga të 108 shtetet që e ka njohur Kosovën si shtet të pavarur dhe në asnjë rast nuk ka vendosur ndonjë lloj kushtëzimi që lidhet me Kosovën për zhvillimin e marrëdhënieve me Serbinë. Po ashtu do të ishte paradoksale që Serbia të mos zhvillonte marrëdhënie me Gjermaninë, Italinë, Francën, ShBA-në apo çdonjërin prej 108 shteteve që kanë njohur Kosovën si një shtet të pavarur. Serbia nuk e ka bërë këtë gjë dhe sigurisht do të ishte paradoks edhe më i madh që ta bënte me Shqipërinë. Nga ana tjetër, nuk ka dyshim se sa më shpejt që Serbia të njohë pavarësinë e Kosovës, aq më mirë do të jetë për të gjithë Ballkanin Perëndimor, për bashkëpunimin midis të gjitha shteteve dhe mbi të gjitha, ky do të ishte një hap shumë i rëndësishëm në procesin e pajtimit midis popujve të rajonit dhe në mënyrë të veçantë një hap i tillë do t’i shërbente pajtimit midis shqiptarëve dhe serbëve.
Shqipëria ka mbështetur procesin e bisedimeve midis qeverisë së Serbisë dhe qeverisë së Kosovës, si dhe ka përshëndetur arritjen e marrëveshjes midis tyre në bisedimet e Brukselit. Vetë këto bisedime midis qeverisë së Serbisë dhe qeverisë së Kosovës përfshirë edhe nënshkrimin e Marrëveshjes së Brukselit (prill 2013) janë një njohje de facto e Kosovës nga ana e Serbisë.
Përveç qëndrimeve diametralisht të kundërta për shtetin e ri të Kosovës, midis Shqipërisë dhe Serbisë ka edhe ndryshime që lidhen me qëndrimet e të dy vendeve ndaj politikës së jashtme të Bashkimit Europian. Të dy vendet janë kandidate për anëtarësim në Bashkimin Europian(Serbia është një hap më përpara dhe ka filluar bisedimet për anëtarësim). Por ndërsa Shqipëria ka mbështetur plotësisht dhe në mënyrë të menjëhershme politikën e jashtme të Bashkimit Europian lidhur më sanksionet e tij kundër Rusisë pas aneksimit të Krimesë, Serbia ka refuzuar t’i mbështesë këto sanksione dhe po përpiqet paralelisht të zhvillojë marrëdhënie si me Perëndimin edhe me Rusinë. Duket qartë se nuk janë vetëm çështjet dhe interesat ekonomike të Serbisë me Rusinë, që e pengojnë Beogradin të mbështesë politikën e BE-së ndaj Rusisë dhe as e kaluara e këtyre marrëdhënieve. Të dy vendet po i rritin marrëdhënie në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes në kërkim edhe të një projektimi gjeopolitik. Gjatë muajve të fundit Serbia dhe Rusia ka zhvilluar stërvitje të përbashkëta ushtarake në kufirin me Kroacinë, që është në fakt kufiri i Aleancës së Atlantikut të Veriut. Ndërsa Shqipëria që prej vitit 2009 është anëtare aktive e Aleancës, Serbia është duke zhvilluar një marrëdhënie partneriteti individuale me NATO-n, por Beogradi, të paktën tani për tani, e ka bërë të qartë se nuk dëshiron anëtarësimin në Aleancë, gjë që reflektohet edhe në mjedisin e brendshëm, ku të paktën 60 për qind e qytetarëve e kundërshtojnë anëtarësimin në strukturat euroatlantike, përfshi sigurisht së pari NATO-n.
Ç’të bëjmë me mitin e armiqësisë?
Nëse ka një vend ku krijohen mitet, së pari, për luftën, armiqësitë, heronjtë dhe tradhtarët, fitoren dhe humbjen, është krejt e sigurt që një vend i tillë është patjetër Ballkani. Sipas George Schopflin, “mitet janë një mënyrë e organizimit të historisë me qëllim që të kenë kuptim për një bashkësi të caktuar. Dhe një nga mitet e padiskutueshme, pa të cilin nuk mund të kuptohet Ballkani, është miti i konfliktit dhe armiqësisë midis serbëve dhe shqiptarëve, që ka qenë me ndikim në historinë moderne, pas krijimit të shteteve në Ballkan. Ende edhe sot, tekstet serbe dhe shqiptare të historisë janë të mbushur me mitet kombëtare, me stereotipa dhe pikëpamje bardh e zi për të shkuarën. Gjurmimi i miteve mund të të çojë shumë prapa në histori, ku ballafaqimi me faktet është krejtësisht i pamundur. Zbërthimi i miteve është një udhëtim i domosdoshëm për të shkuar drejt të ardhmes. Aphthonoius thoshte se miti është një gënjeshtër që thotë të vërteta. Por gjithsesi është një gënjeshtër. Në një klimë të tensionuar midis të dy vendeve Kryeministri i Shqipërisë zgjodhi ta shpërfillte mitin e armiqësisë historike midis dy kombeve, duke këmbëngulur për realizimin e vizitës në Beograd. Nën inkurajimin, siç paralajmëronte Mogherini, edhe të një pale të tretë, Beogradi i dha fund hezitimit dhe dilemës për ta shtyrë këtë vizitë dhe më në fund pranoi që të shtronte qilimin e kuq për Kryeministrin e Shqipërisë.
(Artikulli është një variant i shkurtuar i esesë me të njëjtin titull)