GUNTER GRASS
THËNË MES NESH: Në atë rast duhej kryer punë më e pastër. E lashë veten të më rrëmbenin për hunde motivet personale. Në të vërtetë tersi filloi që me puçin e Roehmit*, që na bëri të ndërronim papritur vendqëndrimin: Të nisur nga Dakau morëm më 5 korrik nën komandë kampin e përqendrimit në Oranienburg vetëm pak kohë pasi dorbëria e SA – ve ishte zëvendësuar nga një trupë tjetër, një gardë mbrojtëse**. Ishin po ata kamaradë që vetëm pak ditë më parë ia kishin mbyllur gojën shpejt klikës së Roehmit. Të gjithë të këputur, megjithatë na rrëfyen për “natën e thikave të gjata” duke bërë të gjitha dorëzimet, së bashku me disa peshq të vegjël të SA – ve, që duhej të na ndihmonin në administratë, por që asnjëri nuk ia kishte haberin.
Njëri nga ata tipat e e fortë – me emrin kuptimplotë Kokëçeliku – na i solli të burgosurit për apel, ndërkohë që hebrenjve që ndodheshin mes tyre iu dha urdhër të qëndronin në pozicion veçmas.
Ishin vetëm një duzinë tipash. Mes tyre njëri binte veçanërisht në sy. E njoha menjëherë Mühsamin, fytyra e tij është e pangatërrueshme. Megjithëse ia kishin qëruar mjekrën në burgun e Brandenburgut atij revolucionarit të Këshillave, plus që e kishin bërë fërtele, prapë kishte mbetur një copë e mirë prej tij. Thënë mes nesh: një anarkist i klasit të parë, akoma më shumë një letrar tipik kafenesh. Në vitet e mia të hershme në Mynih ishte bërë qesharak si poet dhe agjitator i lirisë absolute, sigurisht edhe i dashurisë së lirë. Po ja, tani para meje qëndronte një shuk mjerimi, që as nuk ia vlente t’i flisje se ishte i shurdhuar. Si justifikim tregonte veshët e qelbëzuar, të zënë kore, dhe ngërdheshej si për të kërkuar falje.
I raportova komandantit të brigadës, Eicke, si adjutanti i tij, duke e quajtur Erich Mühsamin nga njëra anë të padëmshëm, nga ana tjetër tepër të rrezikshëm, madje vetë komunistët i ishin trembur agjitacionit të tij të pafund: “Në Moskë këtë do ta kishin likuiduar.”
Komandanti Eicke tha që unë të merresha vetë me këtë rast, duke më këshilluar trajtim të veçantë, gjë që ishte kuptimplote. Në fund të fundit ishte Theodor Eicke, ai që e kishte eliminuar me dorën e tij Roehmin. Por që pas apelit e bëra proçkën e parë. Mendova që me punën e pisët mund të ndynte duart idioti i SA – ve, Kokëçeliku.
Thënë mes nesh: Kisha një lloj ngurrimi të afrohesha me këtë çifut më shumë sesa ishte e nevojshme. Shto këtu që gjatë marrjes në pyetje ai për habi mbajti qëndrim. Çdo pyetjeje ai i kthehej me vargje, ca të tijat, por edhe nga Shileri: ”… dhe poqe se nuk vini jetën në rrezik..” Megjithë dhëmbët e rënë, ai vazhdonte të citonte me ton skenik. Ishte komike nga njëra anë, por nga ana tjetër… Veç kësaj m’i ngrinin nervat gjyzlykët e tij të varura në hundën prej çifuti… akoma më shumë nuk i shihja dot me sy as krisjet që kishin marrë të dy xhamat… Dhe si për inat ai buzëqeshte pas çdo citati…
Sidoqoftë i dhashë Müsamit 48 orë kohë, madje me këshillën urgjente që gjatë këtyre orëve të gjente një rrugë e t’i jepte fund vetë. Do të kishte qenë zgjidhja më e pastër.
Po ja, ai nuk e dha këtë kënaqësi. Pra duhej të vihej në veprim Kokëçeliku. Me sa duket ai e mbyti në një WC, por unë nuk doja të dija hollësi. Madje e thënë tamam, ai bëri një punë shkel e shko. U bë natyrisht më e vështirë ta qëndisnim rastin si vetëvrasje përmes varjes. Duart i kishin mbetur të ngërthyera në mënyrë të panatyrshme. Gjuhën nuk ia nxorëm që nuk ia nxorëm dot. Nga ana tjetër edhe nyja ishte lidhur si shumë me mjeshtëri. Sikur të mos mjaftonin këto, ai idioti, Kokëçeliku e menderosi edhe më keq në apelin e mëngjesit. U çor: “çifutët një hap përpara për t’u prerë kokat” gjithçka doli në shesh. Sigurisht ata zotërinjtë, mes tyre edhe dy mjekë, e dalluan menjëherë diletantizmin tonë.
E mora një vërejtje menjëherë nga komandanti i brigadës, Eicke: “ Dreq, Ehardt, duhej të kishe bërë punë më të pastër.”
Ç’të bëje, ai kishte të drejtë, thënë mes nesh, kjo dreq o punë do të na qepej pas për një kohë të gjatë. Ja, nuk ia dolëm mbanë ta bënim memec çifutin shurdh. Gjithkund flitej për atë… jashtë Mühsami po ngrihej si martir… madje edhe komunistët…
Kampin e përqendrimit Oranienburg u desh ta mbyllnim dhe t’i shpërndanim të burgosurit e mbetur në kampe të tjera. Tashmë jam sërish në Dakau, besoj se në liri me kusht.
* Në propagandën e nacionalsocialistëve, puçi I njohur me emrin “Röhm” ose revolta “Röhm” nënkupton urdhrin e Hitlerit për vrasjen e udhëheqjes së trupës sulmuese “Sturmabteilung”, SA – ve me në krye shefin e saj, Ernst Röhm, nga 30 qershori deri në 2 korrik 1934. Vrasja u paraqit nga autoritetnacionalsocialiste si masë preventive ndaj gjoja puç të planifikuar nga vetë Röhm. Në gjuhën e popullit puçi njihet me emrin “Nata e thikave të gjata”.
** “Leibstandarte” ishte garda paramilitariste nën urdhrat e Adolf Hitlerit, njëkohësisht edhe trupa mbrojtëse për anëtarët e qeverisë naziste.