Mbështetja e BE-së për lirinë e medias në Shqipëri dhe në vendet e Evropës Juglindore

0

SASHENKA LLESHAJ, DRITAN SULCEBE

Përgjatë dy dekadave të fundit mediat janë shndërruar në një faktor të rëndësishëm në jetën sociale dhe politike të vendit. Pa garantimin e lirisë së medias, demokracia shqiptare do ta kishte të pamundur zhvillimin e saj të mëtejshëm dhe parë në këtë prizëm, dinamika, zhvillimi dhe perspektiva e medias në tërësi kanë nevojë për një vëmendje të veçantë. Bashkimi Evropian si garantues i qëndrueshmërisë dhe zhvillimit të demokracisë dhe shtetit ligjor në Shqipëri dhe rajon, është i interesuar që mediat të jenë të konsoliduara, të qëndrueshme dhe të lira duke vijuar kontributin e tyre në drejtim të procesit të zgjerimit për në BE. Në këtë kuadër, Bashkimi Evropian ka ndërmarrë një sërë iniciativash dhe projektesh për mbështetjen e mediave në Shqipëri, të cilat synojnë përafrimin me standardet e medias në BE, por dhe shmangien e disa fenomeneve negative që kanë shoqëruar median në rajon përgjatë viteve të fundit.

1. Parimet kryesore dhe mbështetja e BE-së për lirinë e medias në vendet kandidate dhe kandidate potenciale: Evropa Juglindore

Liria e të shprehurit, e për rrjedhojë liria e shtypit, konsiderohet ndër të drejtat themelore të njeriut dhe si e tillë nënvizohet në Kartën Evropiane për të Drejtat Themelore si dhe në Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Traktati i Lisbonës në Artikujt 2 dhe 49 gjithashtu shprehet se liria e të shprehurit është një e drejtë themelore që duhet garantuar nga çdo vend që dëshiron t’i bashkohet BE-së1. Në këto kushte, liria e të shprehurit dhe e medias bëhet një nga kushtet themelore të anëtarësimit në BE për vendet aspirante.
Praktikisht, progresi i çdo vendi aspirant është matur dhe raportuar përmes raporteve vjetore të Progresit për çdo vend. Praktikisht, kapitulli 10 “Shoqëria e informacionit dhe media” si dhe kapitulli 23 “Gjyqësori dhe të drejtat themelore” kanë vlerësuar në mënyrë të veçantë nivelin e progresit/regresit për secilin vend.
Për më tepër, nëpërmjet Drejtorisë së Përgjithshme për Zgjerimin (DG Enlargement) janë zhvilluar dy konferenca të mëdha për lirinë e të shprehurit dhe medias në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Turqinë: “Skeak Up! 1” dhe “Speak Up! 2” respektivisht në vitet 2011 dhe 2013, konferenca këto që mblodhën një seri aktorësh të medias dhe më gjerë nga vendet e BE-së dhe atyre aspirante. Rekomandime konkrete u themeluan në përfundim të secilës konferencë.
Sidomos në vitin 2013 në “Strategjinë për Zgjerim dhe Sfidat Kryesore 2013-2014” problemet me median në vendet e zgjerimit u cituan në mënyrë specifike. Për pasojë Komisioni Evropian angazhohej në adresimin e këtyre problemeve në tri drejtime:
1. “Promovim të lirisë së të shprehurit dhe medias dhe theksimit të rëndësisë së tyre për anëtarësimin në BE përmes dialogut të vazhdueshëm politik me vendet e zgjerimit;
2. Garantimi i lirisë së të shprehurit dhe medias adresohet vazhdimisht si prioritet përmes kapitullit 23 mbi gjyqësorin dhe të drejtat themelore dhe kapitullit 10 mbi shoqërinë dhe median;
3. Të jepet një çmim për ekselencën në gazetarinë investiguese duke filluar nga viti 2014.”
Përveç dokumenteve të lartpërmendura, duke parë rëndësinë e lirisë së medias dhe problemet sistematike që vendet kandidate dhe kandidate potenciale kanë në garantimin e kësaj lirie, Komisioni Europian përmes Drejtorisë së Përgjithshme për Zgjerimin ka përpiluar një dokument specifik udhëzimesh për një periudhë 6-vjeçare në adresimin e problemeve në këtë fushe: “Udhëzimet e Drejtorisë së Përgjithshme për Zgjerimin për mbështetjen e BE-së ndaj lirisë dhe integritetit të medias në vendet e zgjerimit, 2014-2020”. Kështu sipas këtyre udhëzimeve, “Komisioni Evropian është i detyruar nga kriteret politike të Kopenhagenit për të bërë një vlerësim të plotë dhe për të konkluduar nëse ka një respektim real dhe një angazhim të vërtetë për të promovuar lirinë e të shprehurit në vendet aspirante”.
Duke vazhduar me po të njëjtin dokument, udhëzimi paraqet tri fusha specifike veprimi për këtë periudhë:
1. “Një mjedis inkurajues për lirinë e të shprehurit dhe median;
2. Forcimi i organizatave të gazetarëve dhe profesionistëve të medias si nxitësit kryesor për ndryshimet e nevojshme;
3. Ndihmë ndaj mediave për të përmirësuar qeverisjen e tyre të brendshme, duke i bërë ato më rezistente ndaj presioneve të jashtme si dhe për të rivendosur besimin e audiencës ndaj tyre.”
Ndër instrumentet kryesore të mbështetjes së medias dhe të parashikuara veçanërisht për përmbushjen e veprimtarive në fushat e mësipërme në vendet e Evropës Juglindore kanë qenë instrumentet financiare, sidomos Instrumentet e Para-anëtarësimit (IPA). Kështu, një total prej 3.2 milion Euro pritet të investohet nga BE-ja në mbështetjen e programeve për median në vitin 2016.
Pavarësisht projekteve të shumta në këtë fushë dhe vëmendjes aktuale të BE-së ndaj problemeve të medias, grafiku i mëposhtëm dëshmon se vendet e Ballkanit Perëndimor plus Turqia gjenden akoma në nivele shumë të ulëta të lirisë së medias në krahasim me mesataren e BE-së. Ndërkohë që Serbia dhe Mali i Zi shënojnë vlerat më të mira në rajon, vitet e fundit Maqedonia dhe Turqia kanë shënuar rënie në lidhje me lirinë e medias.

2. Një sfidë komplekse

Sigurimi i lirisë së mediave dhe të shprehjes është një nga sfidat kryesore të vendeve të përfshira në procesin e zgjerimit të BE. Ndërhyrjet politike në media, problemet ekonomike të tilla si përqëndrimi i mediave në grupime të mëdha si dhe forma të ndryshme të ngacmimit ndaj tyre, përfshirë dhunën ndaj gazetarëve, janë çështje të ditës në shoqëritë e Ballkanit Perëndimor. Përmirësimi i kësaj situate në shkon në mënyrë të pashmangshme përtej përafrimit të thjeshtë të rregullave të BE-së: Është një çështje që lidhet me ndryshimin e sjelljes dhe kulturës në politikë, gjyqësor dhe media.
BE-ja e mbështet këtë proces me
• Ofrimin e ndihmës juridike dhe udhëzime në hartimin e legjislacionit të medias
• Monitorimin e detajuar të politikave të vendeve kandidate dhe kandidate potenciale në këtë fushë
• Sigurimin e mbështetjes financiare nëpërmjet programeve të IPA-s

3. Mbështetja financiare

Mbështetje financiare për lirinë e mediave është dhënë përmes Instrumentit për Asistencën e Para-Anëtarësimit (IPA). Shembuj të vazhdueshëm të kësaj mbështetje përfshijnë:
• Një projekt menaxhimi të përbashkët me UNESCO-s për përmirësimin e standardeve etike dhe profesionale të gazetarisë dhe njohjes me procedurat e vetë-rregullimit.
• Një marrëveshje partneriteti me organizata të mediave nga të gjitha vendet e përfshira në procesin e zgjerimit në BE dhe disa vende të BE-së mbi Observatorin e Mediave të Evropës Juglindore për të ndërtuar kapacitete dhe koalicione për monitorimin e integritetit të medias dhe advokimin për reformën e medias.
• Mbështetje e drejtpërdrejtë ndaj Bashkimit Evropian të Transmetimeve për të mundësuar zhvillimin e rolit demokratik të medias së shërbimit publik në vendet në procesin e zgjerimit për në BE.
• Zhvillimin e një strategjie të zgjerimit për mbështetjen e mediave dhe rrjeteve të aktorëve të mediave.

4. Projekte mediatikë të financuar nga BE në Shqipëri

Përmirësimi i lirisë dhe profesionalizmit në median shqiptare
Objektivi i përgjithshëm i projektit është përmirësimi i lirisë së mediave dhe lirisë së shprehjes në Shqipëri, si aspekte të rëndësishëm të demokratizimit dhe integrimit evropian.
Projekti do të krijojë mekanizmin e monitorimit të mediave, i cili do të ketë si qëllim informimin e publikut dhe aktorëve të interesuar për problemet e vërteta të lirisë së medias në Shqipëri, duke rritur vëmendjen dhe ndjeshmërinë e tyre për këto probleme. Raportet e monitorimit për politikat përkatëse të mediave do të kontribuojnë në zgjerimin e njohurive mbi problemet reale të mediave dhe sjelljen e qeverisë shqiptare lidhur me këtë çështje. Projekti gjithashtu synon të promovojë mediat e pavarura dhe profesionale në Shqipëri në kushtet e zhvillimeve intensive në profesionin e gazetarit, për shkak të teknologjive të reja dhe dixhitalizimit. Aktivitetet e projektit fokusohen në zbatimin dhe përmirësimin e mëtejshëm të legjislacionit të medias, duke krijuar garanci të forta për mbrojtjen e gazetarisë. Për më tepër, projekti ka një komponent të rëndësishëm të lidhur me monitorimin e procesit të kalimit nga transmetimet analoge në ato dixhitale.
Raportimi i Mjedisit në Shqipëri
Objektivi i përgjithshëm i këtij projekti është që të rrisë standardet e raportimit të mjedisit nga mediat në Shqipëri, në kontekstin e aspiratës së vendit për t’iu bashkuar Bashkimit Evropian.
Forcimi i rolit të gjykatave në Qëndrueshmërinë e Lirisë së Shprehjes në Shqipëri
Projekti ka për qëllim që të kontribuojë në forcimin e lirisë së shprehjes në Shqipëri për të mirën e mediave individuale, gazetarëve dhe shoqërisë shqiptare në përgjithësi.

SHPËRNDAJE