Të drejtat e njeriut nën dritën e asistencës së Bashkimit Evropian

0

MEGI LLUBANI

Me afrimin e ditës ndërkombëtare të drejtave të njeriut në 10 dhjetor, natyrshëm lind nevoja për të reflektuar mbi sfidat e shkuara dhe ato të ardhme mbi një tematikë që është sa universale aq edhe individuale. Një prej mbrojtësve më të ethshëm të drejtave të njeriut dhe të gjithë dimensionet që i përkasin atyre, është Bashkimi Evropian, që përdor instrumente të ndryshme për promovimin e të drejtave të njeriut si brenda ashtu edhe përtej kuftijve. Bashkimi Evropian është themeluar mbi vendosmërinë e përbashkët për të promovuar paqen dhe stabilitetin dhe për të ndërtuar një botë të bazuar tek respekti për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit. Këto parime përshkojnë të gjitha aspektet e politikave të brendshme dhe të jashtme të Bashkimit Evropian. Demokracia është një aspiratë universale. Paqja e qëndrueshme, zhvillimi dhe mirëqenia janë të mundshme vetëm kur bazohen tek respekti për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit. Demokratizimi dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut, së bashku me sundimin e ligjit, qëndrojnë pra në themel të vlerave të Bashkimit Evropian, që prej krijimit të tij. Në mënyrë aktive BE promovon të drejtat e njeriut si brenda ashtu edhe jashtë kufijve të unionit. Megjithëse të drejtat e njeriut janë ngulitur në traktatin themelues të shumë dekadave më parë, ato u përforcuan edhe më tej në vitin 2000 me adoptimin e Kartës Themelore të Drejtave të Njeriut, e cila u bë ligjërisht detyruese me hyrjen në fuqi të Traktatit të Lisbonës, që ka hyrë në fuqi që prej vitit 2009. Më tej, në vitin 2012, BE-ja miratoi Kornizën Strategjike dhe Planin e Veprimit mbi të Drejtat e Njeriut dhe Demokracinë, që ka për qëllim ri-konfirmimin e angazhimit të Bashkimit Evropian për promovimin dhe mbrojtjen e të gjithë të drejtave të njeriut, qofshin këto ekonomike, politike, sociale apo kulturore.Një prej elementeve kryesore të kësaj Kornize është përfshirja e të drejtave të njeriut në të gjitha politikat e jashtme të BE-së, pa përjashtim. Sipas vetë dokumentit ‘’Bashkimi Evropian do të prmovojë të drejtat e njeriut në të gjitha fushat e veprimit të jashtëm pa përjashtim. Në veçanti do të integrojë promovimin e të drejtave të njeriut në tregti, investime, teknologji dhe telekomunikim, internet, energji, mjedis dhe politika zhvillimi’’1. Të gjitha vendet që dëshirojnë të anëtarësohen në Bashkimin Evropian duhet të respektojnë të drejtat e njeriut. Për këtë të gjitha marrëveshjet e tregtisë me vende të treta përmbajnë klauzola që përcaktojnë se të drejtat e njeriut janë një element themelor në marrëdhënien ndërmjet palëve.

Të drejtat themelore në Shqipëri nën lentet e BE-së

Në raportin më të fundit të progresit, publikuar në tetor 2014, në lëmin e të drejtave themelore identifikohen disa arritje por edhe shumë sfida të cilat gjenden përpara Shqipërisë. Sa i përket minoriteteve, më tepër përpjekje legjislative dhe institucionale nevojiten për përfshirjen sociale të komunitetit Rom dhe Egjiptian në vend. Mbrojtja e grave kundër çdo lloj forme dhune duhet të forcohet konsiderueshëm dhe në fushën e të drejtave të fëmijëve, sikurse thekson raporti, Shqipëria duhet të forcojë sistemin e mbrojtjes së fëmijëve, të sigurojë vijimësinë e stafit dhe standardet minimale të operimit. Këto janë vetëm disa prej sfidave më të cilat përballet Shqipëria në si në rrugën e saj të integrimit evropian ashtu edhe në përpjekjet e vendit për zhvillimin dhe progresin e demokracisë së brendshme.
Në Strategjinë e zgjerimit 2013-2014 dhe 2014-2015 një vend të vecantë ndër 5 prioritetet e identifikuara nga Komisioni Evropian zënë të drejtat e njeriut. Më specifikisht, për hapjen e negociatave të anëtarësimit Shqipëria duhet të përmbushë disa prioritete, ndër të cilët ‘’duhet të marrë masa efikase për të përforcuar mbrojtjen e të drejtave të njeriut, duke përfshirë këtu ato të komunitetit Rom dhe politikat anti-diskriminuese si edhe implementimin e të drejtës së pronës.’’ 2 Kjo përforcohet edhe më tej dhe renditet ndër detyrat kryesore që gjenden përpara Shqipërisë në përpjekjet për të bërë progres në hapjen e negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Evropian.
Në vetvete të drejtat e njeriut përfshijnë një gamë mjaft të gjerë çështjesh dhe fushash ndërhyrjeje, ndaj edhe përgjigja ndaj tyre bëhet në shumë fronte. Shqipëria ka bërë progres të konsiderueshëm dekadat e fundit për përmirësimin si të kuadrit ligjor dhe institucional ashtu edhe në situatën në terren. Për shembull, sa i përket të drejtave të grave, Këshilli Kombëtar për Barazi Gjinore ka filluar punën dhe koordinatorët për çështjet gjinore janë vendosur në të gjithë ministritë e linjës. Sa i përket të drejtave të fëmijëve, Shqipëria mbetet ende një vend burimi për punën e detyruar dhe politikat kundër diskriminimit duhet të përmirësojnë performancën sidomos sa i përket implementimit në terren. Shqipëria paraqet një panoramë mikse sa i përket mbrojtjes së minoriteteve. Ndërkohë që marrëdhëniet ndëretnike kanë mbetur përgjithësisht të mira, legjislacioni gjithëpërfshirës mbi minoritetet nuk është miratuar ende dhe korniza ligjore për mbrojtjen e minoriteteve mbetet e fragmentuar. Kushtet e jetesës, aksesi tek arsimi, punësimi, kujdesi shëndetësor dhe social për popullsinë Rome duhet të përmirësohet duke përmirësuar edhe koordinimin ndërmjet qeverisë lokale dhe asaj qendrore.

Të drejtat e njeriut dhe asistenca e BE-së: Projekte dhe iniciativa

Bashkimi Evropian ka asistuar në forma të ndryshme në avancimin e të drejtave themelore të njeriut në Shqipëri, duke e vendosur shpesh këtë fushë në qendër të vëmendjes dhe iniciativave të ndërmarra. Asistenca e Bashkimit Evropian në këtë fushë merr forma të ndryshme, duke filluar nga financime për investime në sisteme të ndryshme për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, në fonde të hapura për organizatat e shoqërisë civile të cilat aktivisht luftojnë për mbrojtjen e të drejtave të njeriut në Shqipëri. Kjo bën të mundur një qasje gjithëpërfshirëse në përpjekjet e përbashkëta ndërmjet aktorëve të ndryshëm të shoqërisë shqiptare për promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave politike, ekonomike, shoqërore e kulturore të qytetarëve shqiptarë.
Një prej instrumenteve kryesore të përdorur nga Bashkimi Evropian ka qenë dhe është forcimi i kapaciteteve të organizatave të shoqërisë civile për të ndihmuar në përforcimin e të drejtave të njeriut. Vetëm në vitin 2014 një total prej 1.2 milion Euro u shpërndanë ndër organizata të ndryshme të shoqërisë civile përmes Instrumentit Evropian për Demokraci dhe të Drejtat e Njeriut (EIDHR), për iniciativa të cilat synojnë të trajtojnë çështje të tilla si: fuqizimi i viktimave të dhunës në familje, mbrojtja e fëmijëve në rrezik dhe me aftësi të kufizuara si edhe lufta kundër diskriminimit për shkak të orientimit seksual.
Në periudhën 2007-2013, një shumë prej 1.1 miliard eurosh është shpenzuar nga EIDHR për mbështetjen e organizatave jo-qeveritare. Në veçanti janë mbështetur iniciativa që prmovojnë të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimn e ligjit; heqjen e dënimit me vdekje; luftën ndaj torturës dhe luftën ndaj racizmit si edhe të gjitha format e diskriminimit. Specifikisht për Shqipërinë, që nga viti 2007, rreth 600 000 euro janë shpenzuar çdo vit përmes EIDHR për aksione të ndryshme që lidhen me promovimin e të drejtave të njeriut. Vetëm në shkurt të vitit 2014, tetë kontrata u prezantuan si pjesë e mbështetjes së vazhdueshme të Bashkimit Evropian për organizatat e shoqërisë civile në Shqipëri. Aksionet e mbështetura përfshijnë fuqizimin e viktimave të dhunës në familje, promovimin e punësimit për njerëzit me aftësi të kufizuara, mbrojtjen e fëmijëve në rrezik dhe luftën kundër diskriminimit bazuar tek orientimi seksual. Projektet arritën një shifër totale prej 1.2 milion eurosh, të dhëna nën instrumentin financiar të BE-së për promovimin e demokratizimit dhe të drejtave themelore në nivel global, EIDHR. 3
Një tjetër iniciativë e kohëve të fundit është dialogu i filluar ndërmjet Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian për përfshirjen e komunitetit rom dhe egjyptian. Seminari i zhvilluar në shkurt të këtij viti me titull: ‘’Seminari i dialogut ndërmjet BE-së dhe Shqipërisë për përfshirjen e komunitetit rom dhe egjyptian: sfida të reja në zhvillimin social të Shqipërisë’’, Në këtë seminar të nivelit të lartë, nga njëra anë u kërkua më tepër angazhim praktik nga ana e qeverisë shqiptare për përballjen me sfidat e ndryshme të këtij komuniteti, por Drejtori për Zgjerimin në Komisionin Evropian deklaroi se Komisioni Evropian do të rrisë angazhimin e tij në mbështetjen e komunitetit rom dhe egjyptian përmes fondeve IPA II.
Si pjesë e rëndësishme e lëmit të të drejtave të njeriut, promovimi i të drejtave të grave përbën një prej dimensioneve kyçe të angazhimit për promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut në Shqipëri. Në këtë kuadër, vit pas viti projekte dhe iniciativa të ndryshme janë ndërmarrë dhe mbështetur nga Bashkimi Evropian, veçanërisht gjatë muajit ndërkombëtar të gruas. Në vitin 2014, në një mesazh të përbashkët, Ambasada e Shteteve të Bashkuara, Ambasada e Suedisë, Delegacioni i Bashkimit Evropian së bashku me disa organizata të tjera ndërkombëtare në Tiranë, theksuan se ‘’gratë dhe vajzat e këtij vendi kanë të drejtë të marrin pjesë në mënyrë të barabartë në të gjitha sferat e jetës publike pa diskriminim. Marrja e masave efikase për të përforcuar mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe politikat kundër diskriminimit janë prioritet kryesor për Shqipërinë në mënyrë që të përmbushë aspiratat e qytetarëve për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Është gjithashtu një prej nagazhimeve kryesore që Shqipëria ka ndërmarrë si shtet pjesëmarrës në OSBE’’. 4
Në fushën e mbrojtjes së dëshmitarëve, një projekt prej 550 00 eurpsh është financuar nga Bashkimi Evropian, për rritjen e kapaciteteve logjistike dhe operacionale, që lidhet ngushtë me luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe në tërësi me reformën në sistemin gjyqësor në Shqipëri. Si një prej prioriteteve kyçe për ecjen përpara të Shqipërisë në rrugën e integrimit, nuk mjafton lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar nëse vetë viktimat dhe dëshmitarët nuk ndjehen të sigurt të bashkëpunojnë me institucionet shtetërore, diçka që të çon pas në themelin e debatit mbi të drejtat e njeriut.
Në terma të përmirësimit të drejtave të njeriut, në vitin 2012 Shqipëria përfitoi nga një fond prej 82 milion eurosh, për mbështetjen e përpjekjeve për përmirësime në fusha strategjike të infrastrukturës dhe të drjetave të njeriut. Në detaje, një financim i tillë u fokusua te: bajpasi i Vlorës, rrjeti u rrugëve rurale dhe konkurrueshmëria ndërmjet fermerëve, përfshirja sociale e komunitetit rom dhe egjyptian dhe drejtësia dhe arsimi profesional. 5
Në fushën e të drejtës së punësimit dhe promovimit të kapitalit njerëzor, Bashkimi Evropian ka financuar një projekt prej 3 milion eurosh, për mbështetjen e kapitalit njerëzor dhe punësimit në Shqipëri. Qëllimi i projektit ishte rritja e kapacitetit të Inspektoratit të Punës për të vlerësuar kushtet e punës, prezantuar legjislacionin e shëndetësisë dhe sigurisë që është në linjë me ligjet e Bashkimit Evropian dhe të mbyllë hendekun ekzistues ndërmjet aftësive që kërkohen nga tregu dhe ato që ofrohen përmes arsimit profesional dhe trajnimit. Nën dritën e krizës ekonomike, Shqipëria ka një përqindje të ulët punësimi krahasuar me mesataren e Bashkimit Evropian, punësim të ulët për gratë dhe përqindje të lartë të punëkërkuesve afatgjatë e të dekurajuar si edhe një mospërputhje ndërmjet aftësive të kërkuara dhe atyre të ofruara. Kjo asistencë përpiqet të aftesojë disa nga këto çështje përmes zhvillimit të Strategjisë së Punësimit dhe Trajnimit 2013-2020 sensitive ndaj barazisë gjinore, duke ngritur kapacitetet e Shërbimit Kombëtar të Punës etj.
Sa i përket të drejtave të burgosurve, në vitin 2011, një projekt i financuar nga BE-ja, për të promovuar të drejtat e njeriut në sistemin e burgjeve në Shqipëri, kishte për qëllim rritjen e kapaciteteve të shoqërisë civile në monitorimin e sistemit të burgjeve. Për më tepër, falë asistencës së Bashkimit Evropian në përmirësimin e kushteve të burgjeve shqiptare, janë ndërmarrë disa projekte për përmirësimin e infrastrukturës dhe kapaciteteve (18.2 milion euro). Falë asistencës financiare të taksapaguesve evropianë, Shqipëria ka tashmë disa burgje të reja apo të rikonstruktuara dhe qendra paraburgimi si edhe një Qendër të re për Riintegrimin e të Rinjve në qytetin e Kavajës.
Një projekt i rëndësishëm i ndërmarrë nga EIDHR dhe inauguruar në fillim të këtij viti ishte ai mbi aksesin e fëmijëve në sistemin e drejtësisë. Qëllimi i projektit ishte sjellja e një ndryshimi të qëndrueshëm në aksesin tek sistemi i drejtësisë dhe të drejtat e fëmijëve përmes prezantimit për herë të parë në Shqipëri të protokolleve standarde mbi teknikat intervistuese që janë të përshtatshme për fëmijët dhe të drejtat e fëmijëve, duke targetuar profesionistët e sistemit të drejtësisë. Këto protokolle janë miratuar me akte normative institucionale dhe janë bërë pjesë e kurrikulës akademike respektive. Për më tepër, projekti kishte për qëllim rritjen e ndërgjegjësimit për 2487 fëmijë, që kanë përfituar nga aktivitetet e projektit dhe shumë aktorë të tjerë të përfshirë në nivel lokal dhe kombëtar përmes aktiviteteve trajnuese dhe kontakteve sa i përket të drejtave të fëmijëve dhe aksesin e tyre në drejtësi.
Ky projekt në veçanti ka gjeneruar një sens fuqizimi ndër anëtarët e komunitetit të margjinalizuar të përfshirë në implementimin e projektit, duke pasur parasysh nivelin e njohurive të marra mbi të drejtat e tyre dhe mekanizmat e aksesit tek këto të drejta. Kjo ofron një impakt afatgjatë të aksionit si te individët ashtu edhe te komuniteti në tërësi, duke i shtuar kështu një element qëndrueshmërie rezultateve të arritura.
Puna e Bashkimit Evropian me të drejtat e njeriut në Shqipëri nuk përshkohet vetëm nga një numër aktivitetesh dhe projektesh të mbështetura financiarisht. Në fakt, respektimi i të drejtave të njeriut, demokratizimi dhe sundimi i ligjit përbëjnë një prej themeleve të vetë arkitekturës së Unionit por edhe një prej themeleve të marrëdhënies që BE-ja ka me vendet e treta, qoftë këto aspiruese për anëtarësim në BE ose jo. Jo më kot, në vitin 2012, Bashkimi Evropian fitoi çmimin Nobel për Paqen për avancimin e paqes, pajtimit, demokracisë dhe të drejtave të njeriut. Arsyetimi i Komitetit të Nobelit ishte se Bashkimi Evropian prej shumë dekadash ka kontribuar në shndërrimin e kontinentit evropian nga një vend i ndarë prej luftës në një kontinent paqësor. Për të festuar këtë arritje të veçantë, Bashkimi Evropian vendosi t’ja dedikonte çmimin dhe paratë e fituara prej tij, fëmijëve të cilëve i mohohen shanset për t’u rritur në paqe dhe për ta dyfishuar çmimin Nobel nga 930 000 euro në 2 milion euro. Si rezultat më tepër se 28 000 fëmojë deri më tani kanë përfituar nga shumë projekte arsimi që zgjidhen çdo vit.

SHPËRNDAJE