IVAN VEJVODA
Në Berlinin Lindor, një natë të 9 nëntorit 1989, një rend ndërkombëtar që e kishte zanafillën në Jaltë dhe Potsdam, 45 vjet më parë, pësoi një fund dramatik. Rënia e Murit të Berlinit u hapi rrugën një varg ngjarjeve të rëndësishme, duke filluar me ribashkimin e Gjermanisë më 1990. Kështu nisi tranzicioni i parë i përshpejtuar i një ish-vendi komunist drejt demokracisë, i Republikës Demokratike Gjermane. Pas përpjekjeve të mëdha për politike, ekonomike dhe shoqërore, integruese, Gjermania sot është një forcë kryesore në Europë dhe në Bashkimin Europian.
Fundi i komunizmit në Europë nisi shumë më herët dhe akoma më befas se sa ishte pritur. Shumë rrethana dhe ngjarje – qofshin madhore apo minore – çuan drejt këtij ndryshimi të madh. Lëvizje të ndryshme dhe individë në disa vende komuniste u ngritën me guxim për të drejtat dhe liritë e tyre, që nga protestuesit e Gjermanisë Lindore më 1953 dhe të Hungarisë më 1956 e deri te ata të Çekosllovakisë më 1968 dhe të Polonisë më 1981. Ata krijuan hapësira dhe oaze të ndryshme për shoqërinë civile. Ata shpesh u shtypën në mënyrë brutale, por u mbajtën pas një angazhimi të thellë, të papërkulshëm, me shpresën se lufta e tyre për dinjitetin dhe lirinë e njeriut do të sillte një ditë frytet e saj. Akti i Helsinkit i vitit 1975 krijoi një bazë tjetër për kërkimin e të drejtave të njeriut dhe të lirive në regjimet autoritariste, te e cila mund të mbështeteshin disidentët.
Dalja e Mikail Gorbaçovit në krye të Bashkimit Sovjetik më 1985 çoi drejt hapjeve modeste politike të quajtura gllasnost dhe pjerestroika. Gorbaçovi paraqiti doktrinën “Rruga Ime”, që i lejonte vendet satelite të Bashkimit Sovjetik të ndiqnin rrugën e tyre, duke e çliruar Europën Qendrore dhe Lindore nga dora e hekurt e Moskës. Kjo çoi njëra pas tjetrës në hapjet – me ndryshimin e strukturave të pushtetit, përqafimin progresiv të institucioneve politike demokratike dhe kalimin gradual te ekonomitë e tregut, të bazuar mbi rendin ligjor – në Poloni, Hungari, Gjermaninë Lindore, Çekosllovaki, Rumani, Bullgari dhe Shqipëri.
Presioni politik, ekonomik dhe ushtarak i Shteteve të Bashkuara dhe shteteve europiane perëndimore në vitet 1980 kontribuoi po ashtu ndjeshëm mbi dinamikën gjeopolitike gjatë vijës së gabuar të Luftës së Ftohtë. Por trashëgimia kryesore e vitit 1989, e anus mirabilis, është ajo e ripërtëritjes dhe kurajës së individëve dhe shoqërive në tërësi në kërkim të lirive dhe të drejtave të tyre, shpesh në rrethana mjaft të vështira. Kthimi i tyre në një Europë të lirë dhe plotësisht në paqe – dhe drejt demokracisë, vlerave dhe shteteve të bazuara te sundimi i ligjit – nuk mund të mohohet se ishte kryesisht i suksesshëm.
Në vitet që pasuan pas rënies së Murit të Berlinit, Bashkimi Europian udhëhoqi zgjerimin e tij më të madh me anën e një procesi demokratizimi që çoi në integrimin e këtyre vendeve në vitin 2004, 2007 dhe 2013. NATO udhëhoqi po ashtu një proces zgjerimi paralel në vitin 1999, 2004 dhe 2009. Ndryshimet historike çuan edhe në shpërbërjen e tri federatave komuniste: në mënyrë paqësore në Çekosllovaki, më 1993, pak a shumë paqësisht në Bashkimin Sovjetik, më 1991 dhe me anën e një konflikti të zgjatur në Jugosllavi në vitet 1990. Periudha më e gjatë e paqes në Europë, që u bë e mundshme nga ombrella e sigurisë e Shteteve të Bashkuara, vazhdon, pavarësisht nga konflikti në Ballkan apo me ngjarjet e kohëve të fundit në Ukrainë.
Megjithatë, pavarësisht nga parashikimet shumë optimiste, historia ka vazhduar. Një çerek shekulli më pas, gjeopolitika përbën ende një element themelor të marrëdhënieve ndërkombëtare. Një varg konfliktesh të ngrira, të krijuara në fillim të viteve 1990, në vende të tilla si Nagorni-Karabaku, Transnistria, Abkazia dhe Osetia e Jugut, mbeten të pazgjidhura edhe sot. Po në vitin 1989, në anën tjetër të botës, Kina që po fuqizohej, shtypi dhunshëm një lëvizje demokratike dhe popullore studentore në Sheshin Tian An Men.
Sot, bota dypolare është bërë shumëpolare, një konfiguracion që nuk mund të quhet ende një rend i ri, i atij lloji, që u krijua pas Paqes së Vestfalisë më 1648, Kongresit të Vjenës më 1815, Traktatit të Versajës më 1918-1919 apo Luftës së Dytë Botërore. Manifestimet e sotme në shumë shoqëri lidhur me pakënaqësinë e popullit me politikën, shtimi i rishtetëzimeve, thellimi i pabarazisë dhe i lëvizjeve rajonale për pavarësi e pengojnë kërkimin e një aftësie më të madhe parashikuese si për të ardhmen e qeverive, ashtu edhe të qytetarëve. Shkelja e sovranitetit dhe e integritetit territorial të Ukrainës dhe aneksimi i Krimesë nga Rusia janë dëshmi e vazhdimit të një rendi ndërkombëtar të ndryshueshëm. Në botë ndihen ende pastronditjet e ngjarjeve shumë të rëndësishme të vitit 1989..