EBI SPAHIU
Me daljen e ISIS-it (Shteti Islamik i Irakut dhe Sirisë), i cili shpalli krijimin e një kalifati më 29 qershor, vëmendja e komunitetit ndërkombëtar është kthyer shpejt në aftësinë e kësaj organizate për të tërhequr mijëra luftëtarë të huaj nga mbi 80 vende botes, që të bashkohen me thirrjet për një xhihad global dhe të mbështesin forcat e ISIS-it në Lindjen e Mesme. Këtyre thirrjeve mendohet se u janë përgjigjur dhjetëra shtetas shqiptarë. Në një studim të kohëve të fundit, të përgatitur nga Soufan Group, një think tank me bazë në Nju Jork, sugjerohet se atje ka mbi 12,000 luftëtarë të ardhur nga më shumë se 81 vende të ndryshme, duke përfshirë Australinë, Shtetet e Bashkuara, Britaninë e Madhe, Zelandën e Re, si dhe shumë vende të tjera. Mbi 140 prej tyre mendohet se vijnë nga Shqipëria. Aftësia e madhe e ISIS-it për rekrutimin e luftëtarëve, në përgjigje të thirrjeve për një xhihad global, ka tërhequr vëmendjen e medieve, të cilat kanë analizuar jo vetëm praninë e luftëtarëve që janë bashkuar me ISIS-in, por edhe praninë e dukshme të grave e fëmijëve në radhët e një prej grupeve më të mirë-financuara aktualisht në Lindjen e Mesme. Sipas raporteve të tjera, ende të pakonfirmuara, më shumë se 200 të rinj shqiptarë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia, i janë përgjigjur tashmë thirrjes së shtetit islamik për t’u bashkuar me xhihadin. Islamizmi radikal dhe rekrutimi i shqiptarëve në radhët e shtetit islamik përbëjnë një kërcënim serioz për stabilitetin dhe sigurinë e Ballkanit, një rajon që është i njollosur nga tensionet dhe luftërat etnike në të kaluarën e afërt.
Muajt e fundit, autoritetet policore në Shqipëri dhe Kosovë kanë kryer një seri arrestimesh, të cilat kanë zbuluar linjat e mundshme të rekrutimit të luftëtarëve të rinj shqiptarë. Në fillim të gushtit, policia e Kosovës ndërmori një operacion të madh në të cilën u arrestuan mbi 40 persona të akuzuar për lidhje me terrorizmin dhe organizata ekstremiste, përfshirë Jabhat Al-Nusra dhe ISIS-in, si dhe për nxitje të urrejtjes fetare. Pak më shumë se një muaj pas, më 17 shtator, ata kryen edhe një operacion tjetër masiv duke arrestuar 15 persona, përfshirë nëntë imamë dhe anëtarin e një partie politike islamike, e cila merr pjesë në parlament. Mes të ndaluarve më 17 shtator ishte Shefqet Krasniqi, imami i Xhamisë së Madhe të Prishtinës, që është një nga figurat më të diskutueshme fetare dhe më me ndikim në Kosovë, për shkak të popullarizimit prej tij të një vizioni Salafist të Islamizmit dhe lidhjeve financiare me disa grupe fetare në Arabinë Saudite. Që nga 11 gushti, në Kosovë janë arrestuar gjithsej 55 individë dhe janë hetuar mbi 100 veta.
Përgjigja e shpejtë e forcave të sigurisë në Kosovë ka ardhur pas një serie fotografish të postuara në adresën e Lavdrim Muhaxherit në Facebook, më 29 korrik, ku tregohej 25 vjeçari nga Kaçaniku duke i prerë kokën e një djaloshi nga Iraku. Fotot ngjallën zemërim te zyrtarët e qeverisë dhe populli i Kosovës, gjë që reflektonte edhe një kërcënim të madh për sigurinë në Kosovë dhe shtetet e tjera të Ballkanit, që tani mund të përballen me një rritje të numrit të burrave dhe grave që kanë udhëtuar drejt Sirisë vitet e fundit, në emër të xhihadit. Menjëherë pasi imazhet grafike janë botuar nga Muhaxheri, Presidentja e Kosovës Ahtifete Jahjaga u takua me zyrtarë të lartë të sigurisë për të diskutuar dhe për të vënë në dukje rreziqet që kërcënojnë sigurinë në Kosovë për shkak të radikalizmit fetar, në një vend me një histori të bashkëjetesës fetare, por e dëmtuar nga tensionet etnike. Megjithatë, pavarësisht nga nismat e ndërmarra, këto masa mund të mos jenë të mjaftueshme për të këputur lidhjet që tashmë janë krijuar. Sipas një shkrimi në Gazetën Express të Prishtinës mendohet se ‘arrestimet janë të vonuara. Po të bëheshin më herët, mund të ndërpritej edhe rekrutimi i të rinjve për në Al-Nusra dhe ISIS.’
Edhe policia shqiptare, në fillim të marsit, arrestoi tetë persona, përfshirë dhe dy imamë radikalë, që besohet të ketë qenë udhëheqësit shpirtërore të grupeve ekstremiste islamike. Njëri prej tyre, i vetëshpalluri imam Genci Balla, gjithashtu mendohet se drejtonte klasa fetare për fëmijët në Xhaminë e Unazës së Re, në Tiranë. Tetë të arrestuarit u morën nën akuza të ngjashme për rekrutimin e luftëtarëve shqiptarë dhe përhapjen e urrejtjes fetare. Megjithatë xhamia paautorizuar mbetet e hapur. Komuniteti Mysliman i Shqipërisë duket se nuk ka kapacitete të mjaftueshme për t’u përballuar me sfidat e jashtme, me predikues të financuar, që japin një interpretim të ndryshëm të Islamizmit brenda xhamive, që janë pjesë e autoritetit të Komunitetit Mysliman Shqiptar, thotë Ermir Gjinishi, një udhëheqës fetar mysliman në Tiranë. Shfaqja e Islamizmit radikal në Shqipëri, një vend që e ka vlerësuar historikisht harmoninë fetare mes myslimanëve dhe të krishterëve, është duke u sfiduar nga disa institucione fetare islamike, që historikisht e kanë mbrojtur këtë ndjenjë të harmonisë dhe të bashkëjetesës mes grupeve fetare. Sipas një burimi të shtypit kosovar, linja kryesore e rekrutimit në Kosovë ka qenë nga imamët e BIK’ut, kurse në Shqipëri nga imamët e Lidhjes së Imamëve Shqiptarë, një organizatë jo-formale.
Rritja e numrit të lajmeve që vijnë nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia, numrat ende te pakonfirmuar të luftëtarëve shqiptarë në Lindjen e Mesme, nuset e xhihadit që kanë udhëtuar për në Siri, madje edhe fëmijët e marrë me vullnetin e prindërve të tyre, kërkojnë një vëmendje të veçantë nga shërbimet e sigurisë dhe zyrtarët e shtetit në këto vende. Meqenëse informacioni i raportuar është ende i paqartë dhe i pakonfirmuar plotësisht, për të vlerësuar seriozitetin e situatës aktuale shumë pyetje mbeten pa përgjigje. Analistët vendas dhe ekspertët kanë qenë të shpejtë për të fajësuar disa institucione fetare ose imamë të veçantë për nxitjen e ndjenjave radikale fetare apo lejimin e një vizioni Salafist të Islamizmit në vende ku historikisht ka mbizotëruar bashkëjetesa dhe harmonia fetare.
Gjithashtu, sipas analizave paraprake, sidomos në Shqipëri, polarizimet politike kanë nxitur shpesh udhëheqës fetarë të vetëshpallur për të mbështetur programet e partive politike në këmbim të votave, pa pasur parasysh aktivitetet e paligjshme që mund të kenë zhvilluar këto komunitete. Kjo tregon se nivelet e larta të korrupsionit në nivelet administrative dhe politike shërbejnë si vakuume shtesë, që mbështet radikalizmin fetar. Por më e rëndësishmja është se zhvillimi i Islamizmit radikal në Ballkan dhe rekrutimi i luftëtarëve të rinj që bashkohen me radhët e ISIS-it nuk paraqesin vetëm një kërcënim serioz për sigurinë kombëtare të vendeve të Ballkanit, por ato kërcënojnë edhe stabilitetin rajonal, duke i thelluar më tej përçarjet në një rajon me një histori tensionesh etnike të pazgjidhura plotësisht. Ashtu siç kanë treguar përvojat e kaluara në Ballkan, kërcënimet e këtij lloji kanë shkatërruar fillimisht një harmoni të gjatë fetare mes komuniteteve të krishtera dhe myslimane dhe pastaj edhe në luftë, siç ndodhi në Bosnjë në vitet 1990. Tensionet e etnike ende të pazgjidhura plotësisht dhe kapaciteti i dobët i shteteve për të trajtuar gjendje të tilla shoqërore mund të shërbejnë si shtrat i ngrohtë për grupet fetare radikale, për të tërhequr më shumë pasues duke ushqyer një frymë ekstremizmi, që nxit urrejtjen historike dhe fetare.