Zgohu Evropë

0

GEORGE SOROS

Evropa po përballet me një sfidë nga Rusia që ka të bëjë me vetë ekzistencën e saj. As udhëheqësit evropianë e as qytetarët nuk janë plotësisht të ndërgjegjshëm për këtë sfidë ose nuk dinë si të përballen me të. Ja atribuoj këtë kryesisht faktit që, Bashkimi Evropian në përgjithësi dhe eurozona në veçanti e kanë humbur rrugën pas krizës financiare të vitit 2008.

Rregullat fiskale që mbizotërojnë aktualisht në Evropë kanë shkaktuar mjaft mëri popullore. Partitë kundër Evropës kanë kapur pothuajse 30% të vendeve në zgjedhjet e fundit për Parlamentin Evropian, por ata nuk kishin ndonjë alternativë realiste ndaj BE-së deri kohët e fundit. Tashmë Rusia po prezanton një alternativë që përbën sfidë thelbësore për vlerat dhe parimet mbi të cilat është themeluar fillimisht Bashkimi Evropian. Kjo alternativë bazohet tek përdorimi i forcës, që e manifeston veten në shtypje brenda dhe agresion jashtë, përkundër sundimit të ligjit. Është tronditëse që Vladimir Putin i Rusisë e ka treguar veten superior në disa mënyra ndaj Bashkimit Evropian – më elastik dhe që shpesh sjell surpriza. Kjo i ka dhënë një avantazh taktik, të paktën në një periudhë afatmesme.

Evropa dhe Shtetet e Bashkuara – secila për arsyet e veta – janë të vendosura të shmangin çdo përballje ushtarake të drejtpërdrejtë me Rusinë. Rusia po shfrytëzon ndërkohë ngurrimin e tyre. Në shkelje të detyrimeve të traktatit të saj, Rusia ka aneksuar Krimenë dhe ka ngritur enklava separatiste në Ukrainën lindore. Në gusht, kur qeveria e sapo vendosur në Kiev kërcënoi se do të fitonte luftën në nivel të ulët në Ukrainën lindore kundër forcave separatiste mbështetur nga Rusia, Presidenti Putin pushtoi Ukrainën me forca të rregullta të armatosura në shkelje të ligjit rus që përjashton rekrutimin nga shërbimi i huaj pa miratimin e tyre.

Në 72 orë këto forca shkatërruan disa qindra automjete të armatosura të Ukrainës, një pjesë domethënëse e forcave të saj luftërave. Sipas gjeneralit Wesley Clark, Komandanti Suprem i Forcave të Armatosura Aleatë të NATO-s për Evropën, rusët përdorën disa sisteme raketore me lëshime të shumëfishta me municione thërrmuese dhe mbushje raketore termobarike (një armë edhe më çnjerëzore që duhet të shpallet e jashtëligjshme) me pasoja shkatërruese. Milicia lokale nga qyteti ukrainas i Dnepropetrovsk vuajti barrën e humbjes sepse ata po komunikonin përmes celularëve dhe kështu mund të lokalizoheshin dhe goditeshin lehtësisht nga rusët. Presidenti Putin deri më tani i është përmbajtur marrëveshjes së armëpushimit që nënshkroi me presidentin Petro Poroshenko në 5 shtator, por Putin ka ende zgjedhjen që ta respektojë armëpushimin për sa kohë i duket me përfitim ose të rifillojë një sulm të plotë.

Në shtator, Presidenti Poroshenko vizitoi Uashingtonin ku u mirëprit me entuziazëm nga një seancë e përbashkët e Kongresit. Në fjalimin e tij, ai kërkoi armatime mbrojtëse si “vdekjeprurëse ashtu edhe jo vdekjeprurëse”. Megjithatë, presidenti Obama e refuzoi kërkesën e tij pasi Javelin zotëronte raketa që mund të përdoren kundër tankeve avancues. Poroshenkos iu dhanë radarë, por për çfarë shërbejnë ato pa raketa? Vendet evropiane janë njësoj ngurruese në ofrimin e asistencës ushtarake për Ukrainën, duke pasur frikë nga hakmarrja ruse. Vizita në Uashington i dha presidentit Poroshenko një fasadë mbështetjeje me pak substancë.

Po kaq shqetësuese ka qenë vendosmëria e udhëheqësve zyrtarë ndërkombëtare për të mbajtur angazhime financiare ndaj Ukrainës deri pas zgjedhjeve të 26 tetorit atje (që do të zhvillohen pasi ky numër të shtypet). Kjo ka çuar në një presion të shmangshëm mbi rezervat e monedhës ukrainase dhe ka rritur spektrin e një krize financiare në vend.
Ka tashmë presion nga donatorët, si në Evropë ashtu edhe në SHBA, për të shpëtuar mbajtësit e bonove në borxhin kombëtar ukrainas, do me thënë për zotëruesit e bonove të humbasin nga investimet e tyre si parakusht për asistencë të mëtejshme zyrtare ndaj Ukrainës që do t’i vendoste paratë e taksapaguesve në rrezik. Ky do të ishte një gabim skandaloz. Qeveria ukrainase e kundërshton këtë propozim sepse do ta vendoste Ukrainën në një falimentim teknik që do ta bënte pothuajse të pamundur ri-financimin e borxhit nga sektori privat. Shpëtimi i kreditorëve privatë do të shpëtonte shumë pak para dhe do ta bënte Ukrainën tërësisht të varur nga donatorët zyrtarë.

Për t’i komplikuar punët, Rusia në të njëjtën kohë po tund karotën dhe shkopin. Po ofron – por nuk po nënshkruan – një marrëveshje për furnizimin me gaz, që do të kujdesej për nevojat e Ukrainës gjatë dimrit. Në të njëjtën kohë Rusia po përpiqet të parandalojë furnizimin me gaz që Ukraina ka siguruar nga tregu evropian përmes Sllovakisë. Në mënyrë të ngjashme, Rusia po negocion me OECD për të monitoruar kufijtë duke vijuar ndërkohë sulmet në aeroportin e Donetskut dhe qytetin port të Mariupolit.

Është e lehtë të parashikojmë çfarë na pret. Putin do të presë rezultatet e zgjedhjeve në 26 tetor dhe më pas do t’i ofrojë Poroshenkos gazin dhe të tjera përftime të cilat i ka vërtitur me kusht që ai të caktojë një kryeministër të pranueshëm për Putinin. Kjo do të përjashtonte gjithkënd të lidhur me fitoren e forcave që rrëzuan qeverinë e Viktor Janukovic duke i rezistuar për muaj të tërë në Maidan – Sheshi i Pavarësisë. Mendoj se nuk ka gjasa që Poroshenko ta pranojë një ofertë të tillë. Nëse do ta bënte këtë, do të shpronësohej nga mbrojtësit e Maidanit; do të rigjallëroheshin kështu forcat e rezistencës.

Më pas Putin mund t’i kthehet fitores më të vogël që do të ishte ende brenda mundësive të tij: ai mund të hapë me forcë një rrugë tokësore nga Rusia në Krime dhe Transnistri para dimrit. Ndryshe, ai thjesht do të presë kolapsin ekonomik dhe financiar të Ukrainës. Besoj se ai po mbahet pas perspektivës së një ujdie të madhe në të cilën Rusia do të ndihmojë Shtetet e Bashkuara kundër ISIS – për shembull duke mos e furnizuar Sirinë me 5300 raketat që i ka premtuar, duke ruajtur kështu dominimin ajror të Shteteve të Bashkuara – dhe Rusia do të lejohet të bëjë ç’të dojë në “kufirin e afërt”, sikurse quhen shumë kombe fqinjë me Rusinë. Më e keqja është se presidenti Obama mund ta pranojë një marrëveshje të tillë. Ky do të ishte një gabim tragjik, me pasoja afatgjata gjeopolitike. Pa nënvlerësuar rrezikun nga ISIS, do të argumentoja se ruajtja e pavarësisë së Ukrainës duhet të ketë përparësi; pa atë, edhe aleanca kundër ISIS do të shpërbëhej. Kolapsi i Ukrainës do të ishte një humbje e jashtëzakonshme për NATO-n, Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara. Një Rusi fitimtare do të bëhej më influencuese brenda BE-së dhe do të përbënte rrezik domethënës për shtetet Baltike me popullsitë e tyre të konsiderueshme ruse. Në vend të mbështesë Ukrainën, NATO do të duhej të mbronte veten në tokën e saj. Kjo do të ekspozonte si BE-në ashtu edhe SHBA-të ndaj rrezikut që kaq shumë janë përpjekur të shmangin: një përballje ushtarake me Rusinë. Bashkimi Evropian do të ndahej edhe më tepër e do të bëhej i pa-qeverisshëm. Përse duhet ta lejojnë këtë Shtetet e Bashkuara dhe vendet e NATO-s?

Argumenti që ka mbizotëruar si në Evropë ashtu edhe në Shtetet e Bashkuara është se Putini nuk është Hitleri; duke i dhënë atij gjithçka që ai kërkon me arsyetim, ai mund të ndalohet nga përdorimi i mëtejshëm i forcës. Ndërkohë, sanksionet kundër Rusisë – që përfshijnë për shembull kufizimet mbi transaksionet e biznesit, financës dhe tregtisë – do të kenë efekt dhe në periudhën afatgjatë, Rusia do të duhet të tërhiqet në mënyrë që të fitojë lehtësi prej tyre.
Këto janë shpresa të rreme që vijnë nga argumenti i rremë se asnjë provë faktike nuk mund ta mbështesë atë. Putini shpesh i është drejtuar forcës dhe do ta bëjë këtë sërish nëse nuk përballet me një rezistencë të fuqishme. Edhe nëse është e mundur që hipoteza të jetë e vlefshme, është mjaft e papërgjegjshme të mos përgatitesh për një Plan B.

Ka dy kundër-argumente që janë më pak të dukshme por edhe më të rëndësishme. Së pari, autoritetet perëndimore e kanë injoruar rëndësinë e asaj që unë e quaj “Ukraina e re”, që lindi në rezistencën e suksesshme në Maidan. Shumë zyrtarë që janë marrë me Ukrainën e kanë të vështirë të përshtaten me ndryshimet revolucionare që kanë ndodhur atje. Marrëveshja e Asociimit e nënshkruar kohët e fundit ndërmjet BE-së dhe Ukrainës u negociua fillimisht me qeverinë e Janukovic. Kjo hartë e detajuar tashmë ka nevojë për përshtatje ndaj një situate krejt të ndryshme. Për shembull, harta kërkon zëvendësimin dhe ri-trajnimin gradual të gjyqësorit në pesë vite ndërkohë që publiku po kërkon zëvendësim të menjëhershëm dhe radikal. Sikurse ka thënë kryebashkiaku i ri i Kievit, Vitali Klitschko “nëse vendos kastravecë të freskët në një fuçi me kastravecë turshi, shumë shpejt ata do të kthehen në turshi.”

Përkundër disa pretendimeve që qarkullojnë gjerësisht, rezistenca në Maidan u drejtua nga ajka e shoqërisë civile: të rinj, shumë prej të cilëve kanë studiuar jashtë dhe refuzuan t’i bashkohen qeverisë apo biznesit kur u kthyen sepse të dy ju dukën të neveritshëm. (Nacionalistët dhe ekstremistët anti-semitë përbënin pakicën e protestuesve kundër Janukovicit). Ata janë udhëheqësit e Ukrainës së re dhe ata i kundërvihen me forcë rikthimit të Ukrainës së vjetër, me korrupsionin endemik dhe qeverinë jo efikase.

Ukraina e re duhet të luftojë me agresionin rus, rezistencën burokratike si brenda ashtu edhe jashtë dhe hutimin në popullsinë e përgjithshme. Është për t’u habitur që ka mbështetjen e shumë oligarkëve, të presidentit Poroshenko mbi të gjithë dhe popullsisë së gjerë. Ka sigurisht ndryshime të mëdha në histori, gjuhë dhe pikëpamje ndërmjet pjesës lindore dhe perëndimore të vendit, por Ukraina është më e bashkuar dhe ka një mendësi më evropiane se kurrë ndonjëherë më parë. Ky bashkim megjithatë është tejet i brishtë.
Ukraina e re ka mbetur e panjohur pasi iu desh kohë para se të materializonte influencën e saj. Nuk pati praktikisht forca sigurie në dispozicion kur lindi. Forcat e sigurisë të Ukrainës së vjetër ishin angazhuar në mënyrë aktive në shtypjen e rebelimit të Maidanit dhe ata ishin çorientuar këtë verë kur duhet të merrnin urdhra nga një qeveri e formuar prej mbështetësve të rebelimit. Nuk është çudi që qeveria e re ishte fillimisht e paaftë për të organizuar një rezistencë efikase për themelimin e enklavave separatiste në Ukrainën lindore. Është edhe më e mahnitshme që presidenti Poroshenko arriti, pak muaj pas zgjedhjes së tij, të niste një sulm që kërcënonte të rifitonte ato enklave.

Për të vlerësuar meritat e Ukrainës së re duhet të kesh eksperiencë personale me të. Mund të flas nga eksperienca personale, megjithëse duhet gjithashtu të rrëfej se jam i njëanshëm në favor të saj. Themelova një fondacion në Ukrainë në vitin 1990 edhe para se vendi të fitonte pavarësinë. Bordi dhe stafi përbëhet krejtësisht nga ukrainas dhe ka rrënjë të thella tek shoqëria civile. E vizitova vendin shpesh, veçanërisht vitet e para, por jo ndërmjet 2004 dhe fillim 2014, kur u riktheva për të qenë dëshmitar i lindjes së Ukrainës së re.
Menjëherë mbeta i mahnitur nga përmirësimet e dukshme në pjekurinë dhe ekspertizën gjatë asaj kohe, si në fondacionin tim ashtu edhe në shoqërinë civile në përgjithësi. Aktualisht, angazhimi politik dhe qytetar është ndoshta më i lartë se në çdo pjesë tjetër të Evropës. Njerëzit kanë provuar gatishmërinë e tyre për të sakrifikuar jetën për vendin e tyre. Këto janë fuqitë e fshehura të Ukrainës së re që janë anashkaluar nga perëndimi.
Mangësia tjetër e qëndrimit aktual evropian kundrejt Ukrainës është se nuk e kupton faktin që sulmet ruse mbi Ukrainë janë sulme jo të drejtpërdrejta mbi Bashkimin Evropian dhe parimet e tij të qeverisjes. Duhet të jetë e qartë se është e papërshtatshme për një vend, ose shoqatë shtetesh, në luftë të ndjekë një politikë masash shtrënguese sikurse vijon të bëjë Bashkimi Evropian. Të gjitha burimet në dispozicion duhet të përdoren në luftë edhe nëse kjo do të thotë rritje të deficitit buxhetor. Brishtësia e Ukrainës së re e bën ambivalencën e Perëndimit edhe më të rrezikshme Në rrezik është jo vetëm mbijetesa e Ukrainës se re por edhe e ardhmja e NATO-s dhe Bashkimit Evropian. Në mungesë të një rezistence të unifikuar është jo realiste të pritet që Putin nuk do të shtrojë presion përtej Ukrainës kur ndarja e Evropës dhe dominimi i saj prej Rusisë është në horizont.
Pasi janë identifikuar disa nga mangësitë e qasjes aktuale, do të përpiqem të paraqes këtu kursin që duhet të ndjekë Evropa. Sanksionet kundër Rusisë janë të nevojshme por janë një e keqe e domosdoshme. Ato kanë një efekt negativ jo vetën mbi Rusinë por edhe mbi ekonomitë evropiane, duke përfshirë Gjermaninë. Kjo përkeqëson forcat e recesionit dhe deflacionit që janë shfaqur tashmë. Për kontrast, asistenca ndaj Ukrainës për të mbrojtur veten kundër agresionit rus do të kishte efekt stimulues jo vetëm mbi Ukrainën por edhe mbi Evropën. Ky është principi që duhet të udhëheqë asistencën evropiane ndaj Ukrainës.
Gjermania si avokati kryesor i masave shtrënguese fiskale, duhet të kuptojë kontradiktën e brendshme të situatës. Kancelaria Angela Merkel është sjellë si një evropiane e vërtetë sa i përket kërcënimit që përbën Rusia. Ajo ka qenë avokatja kryesore e sanksioneve mbi Rusinë dhe ka qenë më e gatshme të sfidojë opinionin publik gjerman dhe interesat e biznesit mbi këtë çështje krahasuar me çështje të tjera. Vetëm pas sulmit mbi linjën ajrore civile Malaysian në korrik opinioni publik gjerman ra dakord me të. Megjithatë, sa i përket masave shtrënguese fiskale ajo ka riafirmuar kohët e fundit përkatësinë me ortodoksinë e Bundesbankës – ndoshta në përgjigje të rezultateve zgjedhore të arritura nga Alternativa për Gjermaninë, partia kundër euros. Ajo duket se nuk e kupton sa e papërputhshme është kjo. Duhet të jetë edhe më e përkushtuar për të ndihmuar Ukrainën se sa për të imponuar sanksione mbi Rusinë.

Ukraina e re ka vullnetin politik për të mbrojtur Evropën kundër agresionit rus dhe për tu angazhuar në reforma radikale strukturore. Për ta ruajtur dhe përforcuar këtë vullnet, Ukraina duhet të marrë asistencën e duhur nga mbështetësit e saj. Pa të, rezultatet do të jenë zhgënjyese dhe shpresa do të kthehet në dëshpërim. Zhgënjimi ka filluar pasi Ukraina ka vuajtur një humbje ushtarake dhe nuk mori armët që i duheshin për të mbrojtur veten.
Është koha që anëtarët e Bashkimit Evropian të zgjohen dhe të sillen si vende në luftë (në mënyrë jo të drejtpërdrejtë). Ata bëjnë më mirë ta ndihmojnë Ukrainën të mbrojë veten se sa ta lënë atë të luftojë vetë. Në një mënyrë ose një tjetër, kontradikta e brendshme ndërmjet të qenit në luftë dhe të qenit i angazhuar ndaj masave shtrënguese fiskale duhet të eliminohet. Aty ku ka vullnet, ka zgjidhje.

Më lejoni të jem specifik. Në progres raportin e fundit, nxjerrë në fillim të shtatorit, FMN vlerësoi se në rastin më të keq Ukraina do të ketë nevojë për mbështetje shtesë prej 19 miliard $. Kushtet janë përkeqësuar edhe më tej që nga ajo kohë. Pas zgjedhjeve në Ukrainë FMN do të duhet të rivlerësojë parashikimin e saj në këshillim me qeverinë ukrainase. Duhet të ofrojë një injektim të menjëhershëm parash prej të paktën 20 miliard $ me premtimin se do të ketë më tepër kur të jetë e nevojshme. Partnerët e Ukrainës duhet të ofrojnë financim shtesë me kusht implementimin e programit të mbështetur nga FMN-ja, duke e marrë vetë parasysh rrezikun dhe në linjë me praktikat standarde.
Shpenzimi i fondeve të huazuara kontrollohet nga një marrëveshje ndërmjet FMN-së dhe qeverisë ukrainase. Katër miliard dollarë do të përdoreshin për të zëvendësuar mangësitë në pagesat e Ukrainës deri tani; 2 miliard $ do të harxhoheshin për të riparuar minierat e çelikut në Ukrainën lindore që mbeten nën kontrollin e qeverisë qendrore dhe 2 miliard $ do të përdoreshin për blerjen e gazit shtesë për dimrin. Pjesa tjetër do të plotësojë rezervat e bankës qendrore.

Paketa e re e asistencës do të përfshinte një shkëmbim borxhi që do ta transformonte borxhin e monedhës Eurobond të Ukrainës (që arrin një total prej pothuajse 18 miliard $) në bonde më afatgjata e më pak të rrezikshme. Kjo do të lehtësonte barrën e borxhit dhe do të ulte rrezikun e premiumit. Duke marrë pjesë në këtë shkëmbim, zotëruesit e bondeve do të binin dakord të pranonin një normë interesi më të ulët dhe do të prisnin më gjatë për të marrë mbrapsht paratë e tyre. Shkëmbimi do të ishte vullnetar dhe i bazuar tek tregu që të mos keqinterpretohej si falimentim. Zotëruesit e bondeve do të merrnin pjesë me dëshirë sepse bondet e reja afatgjata do të garantoheshin – por vetëm pjesërisht – nga Shtetet e Bashkuara ose Evropa, sikurse ndihmuan Shtetet Bashkuara Amerikën Latine të dilnin nga kriza e borxhit në vitet 80’ me të ashtuquajturat bondet Brady (emërtuar sipas Sekretarit Amerikan të Thesarit, Nicholas Brady).

Një shkëmbim i tillë do të kishte disa përfitime të rëndësishme. Një prej tyre është se në dy-tre vitet e ardhshme, qeveria mund të përdorë më pak nga rezervat e veta të pakta për të paguar zotëruesit e bondeve. Paratë mund të përdoren për nevoja të tjera urgjente.
Duke zvogëluar pagesat e borxhit në vitet e ardhshme, shkëmbimi do të reduktonte gjithashtu shansin për një falimentim, duke shkurajuar kështu ikjen e kapitalit. Kjo do ta bënte më të lehtë të bindeshin pronarët e bankave të Ukrainës (shumë prej tyre të huaja) për të injektuar urgjentisht kapital të ri të nevojshëm tek to. Bankat kanë shumë nevojë për më tepër kapital nëse Ukraina do të shmangë një krizë të plotë bankare, por aksionerët e dinë se një krizë borxhi mund të shkaktojë një krizë bankare që zhduk kapitalet e tyre.
Së fundi, Ukraina do t’i mbante zotëruesit e bondeve të angazhuar në vend që t’i shohë ata të tërheqin para në 100 cent për 1 dollar meqenëse borxhi ekzistues duhet të shlyhet në vitet e ardhshme. Kjo do ta bënte më të lehtë për Ukrainën të rifutet në tregjet ndërkombëtare të bondeve sapo kriza të ketë kaluar. Në kushtet aktuale do të ishte më praktike dhe me kosto efikase që Shtetet e Bashkuara dhe Evropa mos të përdorin kredinë e tyre drejtpërdrejtë për të garantuar një pjesë të borxhit të Ukrainës, por të punësojnë ndërmjetës si Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim apo Banka Botërore dhe degët e saj.

Kompania shtetërore Naftogaz është një vrimë e zezë në buxhet dhe një burim korrupsioni. Naftogazi aktualisht i shet gaz familjeve me 47$ për trilion metër kub TMK, për të cilin paguan 380$ për TMK. Për momentin njerëzit nuk mund të kontrollojnë temperaturën e apartamenteve të tyre. Një ristrukturim radikal i sistemit tërësor të Naftogazit do të reduktonte konsumin familjar të paktën përgjysmë dhe do të eliminonte plotësisht varësinë e Ukrainës nga Rusia për gazin. Kjo do të përfshinte vendosjen e çmimit të gazit për familjet njësoj me çmimin e tregut. Hapi i parë do të ishte instalimi i sahateve në apartamente dhe i dyti të shpërndaheshin subvencione cash për familjet në nevojë.

Vullneti për të bërë këto reforma është i madh si në menaxhimin e ri ashtu edhe në qeveri por detyra është tejet e komplikuar (si e përcakton kush është në nevojë?) dhe ekspertiza është e papërshtatshme. Banka Botërore dhe degët e saj mund të sponsorizojnë një skuadër për zhvillimin e projektit që do të sillte bashkë ekspertë ndërkombëtarë dhe vendas për të shndërruar vullnetin aktual politik në projekte të aplikueshme nga bankat. Kostoja fillestare do të kalonte 10 miliard $ por mund të financohet nga bonde projektesh të nxjerra nga Banka Evropiane e Investimeve dhe do të prodhonte kthime shumë të mëdha.

Është gjithashtu koha për Bashkimin Evropian ta shikojë veten në mënyrë kritike. Një problem duhet të ketë BE-ja nëse Rusia e Putinit mund të jetë kaq e suksesshme edhe në një periudhë afatshkurtër. Burokracia e BE-së nuk ka monopol pushteti dhe nuk mund të jetë krenare për shumë gjëra. Duhet të mësojë të jetë më e bashkuar, elastike dhe efikase. Dhe evropianët vetë duhet ta shohin nga afër Ukrainën e re. Kjo do t’i ndihmonte ata të rifitojnë frymën origjinale që çoi në krijimin e Bashkimit Evropian. Duke shpëtuar Ukrainën, Bashkimi Evropian do të shpëtonte edhe veten.

SHPËRNDAJE