Mirë se vjen Evropë në epokën e reagimit të ashpër

0

Partitë radikale po korrin fitore që nga Greqia në Spanjë dhe në Francë. Ndërsa eurokratët nuk mund të fajësojnë njeri tjetër përveç vetes.

Philippe Legrain

‘’Po, ne mundemi’’ mund të jetë një slogan bajat në Amerikën e Obamës, por në Spanjën e goditur nga kriza është thirrja e protestës së një partie radikale të majtë, krijuar një vit më parë, që po e përshkon vendin si stuhi. Në një manifestim masiv,, më tepër se 100,000 mbështetës të Podemos (Emri i partisë do të thotë ‘’Mundemi’’ në spanjisht) mbushën rrugët e Madridit më 31 janar për të protestuar kundër masave shtrënguese, borxheve shtypëse dhe sistemit të korruptuar politik – duke kërkuar kështu ndryshim. Protestuesit nuk përfaqësojnë një grup periferik. Podemos po udhëheq para të dyja partive të mëdha të qendrës së majtë dhe qendrës së djathtë në sondazhet për zgjedhjet që do të mbahen në fund të këtij viti.

Zgjedhja e një qeverie të drejtuar nga partia radikale e majtë në Greqi, Syriza, më 25 janar, ka elektrizuar politikën evropiane. Pasi iu është thënë prej vitesh se nuk ka alternativë tjetër ndaj përuljes kundrejt kërkesave gjermane për masa shtypëse shtrëngimi dhe ulje të pagave, grekët kanë guxuar t’i kundërvihen qeverisë së Angela Merkelit në Berlin – dhe evropianë të tjerë e kanë vënë re këtë gjë. Ndërkohë që fokusi i menjëhershëm është te përplasja ndërmjet qeverisë së re greke dhe autoriteteve të eurozonës mbi kërkesat për lehtësimin e borxhit – dhe mundësia (me pak gjasa) që Greqia të refuzohet nga bashkimi monetar – mosbindja athinase po shfaq tashmë pasoja politike.

Të mësuar prej kohësh duke e trajtuar Greqinë si një koloni të padisiplinuar, por në fund të fundit të nënshtruar, politik-bërësit e trembur gjermanë dhe ndjekësit e tyre në eurozonë mund të besojnë se kjo është një kryengritje e plotë. (Thjesht hidhini një sy lëvizjeve trupore të Jeroen Dijsselbloem, ministrit holandez të financave dhe kryetarit të Eurogrupit të homologëve të tij në eurozonë, në një konferencë për shtyp me homologun e ri grek, Janis Varufakis). Qeveritë e vendeve debitorë, që kanë përmbushur me bindje diktatin gjerman – Spanja, Portugalia dhe Irlanda – papritur ndjehen të ekspozuara politikisht. Qeveritë që kanë sfiduar lehtësisht Merkelin (Mendm Francën dhe Italinë) janë në një pozicion delikat: Ata përgjojnë ndonjë mundësi për të avancuar programin e tyre, duke u frikësuar ndërkohë se mund të anashkalohen nga ato më radikalet. Dhe kjo jo pa arsye, pasi partitë kundër qeverive të ngjyrave të ndryshme e kanë erën në drejtimin e tyre. Tani që votuesit nuk janë më të trembur nga paniku financiar, që gati e shkatërroi euron në vitin 2012, ata po e drejtojnë furinë e tyre te partitë e mëdha dhe teknokratët e BE-së, që nuk kanë mundur ta zgjidhin krizën dhe te të cilët nuk kanë më besimin se e kanë për zemër interesin e tyre.

A mund t’i fajësosh ata? Në fund të fundit, bankierët e pasur dhe kreditorët e tyre janë shpëtuar me paratë e taksapaguesve, ndërkohë që nxënësit e varfër dhe shërbime të tjera themelore kanë pësuar shkurtime në buxhet. Askush në Komisionin Evropian në Bruksel nuk ka humbur punën dhe askush nuk ka vuajtur nga ulja e pagave për të imponuar masa shtrënguese të parakohshme dhe të tepruara, që në mënyrë të panevojshme kushtojnë 10% të GDP-së së eurozonës – baras me 1 trilion euro! – sipas një studimi të një zyrtari të Komisionit Evropian që përdori modelin ekonomik të vetë komisionit. Sa herë që votuesit heqin një qeveri, siç kanë bërë në pothuajse çdo zgjedhje që kur kriza filloi në vitin 2008, zyrtarët nga Berlini, Brukseli dhe Frankfurti – të cilët nuk i kanë zgjedhur dhe nuk mund t’i bëjnë përgjegjës – këmbëngulin me zë të lartë se administrata në ardhje duhet t’i qëndrojë politikave të dështuara të administratës që largohet.

Meqë të votosh për partitë e mëdha të qendrës së majtë dhe qendrës së djathtë nuk bën ndonjë ndryshim, nuk duhet të habitemi që votuesit po kërkojnë alternativa të sinqerta. Dhe për momentin kjo ekziston vetëm në ekstreme.

Ndonjëherë, sikurse në Greqi dhe Spanjë, kryengritësit janë nga e majta radikale. Në Irlandë, që do të shkojë në votime vitin tjetër, Sinn Fein, një parti e majtë që ishte më parë krahu politik i Ushtrisë Republikane Irlandeze, udhëheq lehtësisht në sondazhe. Në raste të tjera, këto parti janë në të djathtën ekstreme. Në Francë, Fronti Nacional racist i Marine Le Pen kryeson, duke fituar zgjedhjet plotësuese dhe duke kryesuar garën për zgjedhjet presidenciale të vitit 2017. Në Itali, ku kryeministri reformist Matteo Renzi mbetet popullor, të tre partitë kryesore opozitare – Liga e Veriut e të djathtës ekstreme, Lëvizja Pesë Yjet që është kundër qeverisë dhe Forca Italia e qendrës së djathtë kryesuar nga ish-kryeministri Silvio Berluskoni – janë tashmë kundër euros.

Shumica e propozimeve të së majtës ekstreme do të ishin të dëmshme, ndërkohë që nacionalizmi ksenofob dhe proteksionist i Le Penit është i neveritshëm. Por partitë e ngjashme me Podemos kanë të drejtë për disa gjëra të rëndësishme. Në një kohë kur familjet, kompanitë dhe bankat po përpiqen të reduktojnë borxhet e tyre menjëherë, masat shtrënguese çojnë në ngërç dhe vuajtje, në mungesë ‘’stabiliteti’’, sikurse pretendojnë udhëheqësit e eurozonës. Shkurtimet në buxhet dhe rritjet e taksave shpesh kanë rënë mbi të varfrit dhe të dobëtit dhe jo te të pasurit e lidhur politikisht.

Në përgjithësi, nuk është as e mundshme dhe as e drejtë që kostot e krizës financiare t’i mbajnë të gjitha borxhlinjtë. Pas çdo borxhliu të pakujdesshëm ekziston një huadhënës i pakujdesshëm. Në rastin e eurozonës, këto ishin kryesisht bankat gjermane dhe franceze, që huazuan shuma të mëdha në Evropën Jugore, si drejtpërdrejt ashtu edhe përmes bankave lokale. Ndërkohë që shpëtimi i Greqisë, Irlandës, Portugalisë dhe Spanjës portretizohet si gjest solidariteti nga ana e BE-së, ato ishin në fakt shpëtim i maskuar i këtyre bankave të huaja, që përndryshe do të pësonin humbje të mëdha prej huave të tyre të këqia. Barra e madhe e borxhit të Evropës Jugore – kryesisht private në Spanjë dhe kryesisht publike në Greqi – po e ngurtëson ekonominë dhe nuk mund të paguhet plotësisht.

Ulja e pagave ul kërkesën e brendshme dhe e bën akoma më të vështirë barrën e borxhit. Eurozona si e tërë është shumë e madhe, ndërsa kërkesa globale është shumë e dobët për të gjithë për të ndjekur strategjinë e Gjermanisë për të ulur pagat e për të subvencionuar eksportet.

Eurozona nuk është politikisht e qëndrueshme që të drejtohet, në fakt, nga hegjemoni gjerman, i cili vepron për interesat e tij të ngushta si kreditor në vend të interesit të përgjithshëm të bashkimit monetar si një i tërë. Nëse vendet do të kenë një monedhë, ata duhet ta bëjnë këtë si të barabartë, me institucionet e BE-së që përfaqësojnë interesat e përbashkëta, në vend që të veprojnë si instrumente për kreditorët për të imponuar vullnetin e tyre te debitorët. T’u mohosh njerëzve zgjedhjet bazë demokratike, se sa mund të taksojnë dhe shpenzojnë qeveritë, kjo do të çojë pashmangshmërisht në përplasje – sidomos kur rregullat fiskale të BE-së janë të dëmshme ekonomikisht. ‘’Jo taksim pa përfaqësim’’ janë shprehje prej revolucioni.

Asnjë nga këto nuk është radikale apo ekstreme, e aq më pak antieuropiane. Jashtë eurozonës, shumë njerëz të të gjitha rrymave do të binin dakord. Tragjedia e eurozonës është se hartuesit e politikave në Bruksel dhe elitat kombëtare po e shkatërrojnë mbështetjen politike për projektin evropian duke avancuar programin egoist dhe shkatërrues të Gjermanisë si kreditor. Me pak fat, ato do të ndryshojnë kurs para se të jetë shumë vonë. Në fund të fundit, ndërkohë që Syriza dhe Podemos duan ta bëjnë eurozonën më të drejtë, e djathta ekstreme do ta shkatërrojë fare BE-në. Evropa ka nevojë urgjente për alternativa ndaj merkelizmit – ose rrezikon të ketë një Presidente si Le Peni.

 

SHPËRNDAJE