Klajda Gjosha: Integrimi europian, prioritet ynë madhor

Opozita dhe maxhoranca duhet të jenë bashkë në procesin e integrimit, për të ardhmen e vendit, për detyrimin që kanë ndaj qytetarëve.

0

Zonja Gjosha a mund të dimë diçka rreth prioriteteve të punës së insitutionit tuaj për 2015? Cilat janë synimet tuaja kryesore këtë vit?

Së pari doja t’ju falenderoja për këtë intervistë dhe për rëndësinë që institututi juaj i kushton çështjeve të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Ministria e Integrimit Europian vetëm përpara disa ditësh, bëri publike prioritetet e saj për vitin 2015. Objektivi ynë më madhor, jo vetëm i Ministrisë që drejtoj, por i gjithë qeverisë, mbetet përmbushja e 5 prioriteteve që na janë lënë nga Komisioni Europian, për të kaluar në fazën tjetër të procesit që është hapja e negociatave. Për të realizuar këtë detyrim që ka Shqipëria, ka nisur puna për rishikimin e Udhërrëfyesit, i cili do të diskutohet në muajin shkurt edhe në mbledhjet e grupeve të punës të ngritura për monitorimin e 5 prioriteteve. Ky udhërrëfyes, do të ketë afate dhe masa të reja, për të gjitha institucionet shqiptare. Një tjetër prioritet i MIE-s, është hartimi i Strategjisë Kombëtare të Komunikimit për Procesin e Integrimit. Është ngritur një grup pune dhe shumë shpejt do të kemi një draft të kësaj Strategjie, e cila më pas do të konsultohet me grupet e interest në një takim publik. Jam e bindur se kjo Strategji do të na ofrojë korniza të qarta, për mënyrën si ne duhet të komunikojmë më publikun në lidhje me procesin e integrimit, komponent shumë i rëndësishëm për mbarëvajtjen e tij. Mbledhja e Këshillit Kombëtar të Integrimit, pas ngritjes së tij është gjithashtu me shumë rëndësi. Dukëqenëse tashmë kemi një opozitë të kthyer në Parlament, shpresojmë që Komisioni të mblidhet sa më shpejt në mënyrë që të procedojmë me tej me Këshillin. Kjo strukturë ka shumë rëndësi pasi do të ketë në përbërje të saj gjithë aktorët. Një tjetër prioritet është ristrukturimi i të gjitha Drejtorive të Integrimit në Ministritë e linjës. Ky ristrukturim do të bëhet në dy pjesë. Së pari ka të bëjë me të gjitha burimet njerëzore që merren dhe aplikojnë në projektet IPA. Një punë tjetër intensive në këto drejtori po kryhet për grupet negociatore që do të ketë Shqipëria pas hapjes së negociatave. Ministrive do tu duhet të përcaktojnë persona përgjegjës dhe të aftë për të kryer rolin e negociatorëve.

Një zhvillim që pritet me interes sidomos nga aktorët e shoqërisë civile është formimi i Këshillit Kombëtar të Integrimit. A mendoni se janë krijuar kushtet që opozita ta marrë pjesë në këtë këshill pasi që ka refuzuar gjatë vitit të kaluar?

Unë ua thashë edhe më sipër. Ministria e Integrimit e ka dërguar në Komisionin Parlamentar të integrimit Draftin për ngritjen e këtij Këshilli. Komisioni vendosi që ky diskutimet për këtë strukturë do të bëheshin vetëm kur opozita të rikthehej në Parlament. Mendoj se ka ardhur momenti që ky diskutim të përfundojë dhe të miratohet Këshilli. Madje gjej sërish rastin të ripërsëris thirrjen time, se opozita dhe maxhoranca duhet të jenë bashkë në procesin e integrimit, për të ardhmen e vendit, për detyrimin që kanë ndaj qytetarëve.

A duhet të shpresojnë qytetarët shqiptarë se këtë vit do të çelen negociatat për anëtarësim në BE apo ka ende një rrugë të gjatë drejt këtij hapi?

Në fakt për hapjen e negociatave nuk mund të vendosim afate. Varet nga ne sesa do të mundemi brenda një kohe sa më të shpejtë të përmbushim detyrat e shtëpisë që na janë lënë. Dua të theksoj se Shqipëria është në rrugë të mbarë në këtë drejtim,dhe besoj se kjo është shpresa më e mirë e nxitja më e madhe që e gjithë shoqëria shqiptare të japë kontributin e saj në mënyrë që vendi të avancojë me reformat dhe ne të avancojmë sa më shumë në rrugën tonë drejt BE-së, si një destinacion i sigurt.

Si duken sinjalet që vinë për Shqipërinë nga Brukseli? Cfarë pritet nga takimi i ardhshëm me kominionerin Johannes Hahn?

Tryeza e Dialogut të Nivelit të Lartë, do të mbahet në mars. Ne për herë të parë e zhvillojmë këtë tryezë më praninë e Komisionerit të Ri, z. Hahn. Dua të them, se deri tani sinjalet nga partnerët tanë kanë qenë mjaft pozitive. Janë vlerësuar reformat e ndërmarra, por sigurisht kërkohet bashkëpunim me opozitën dhe reforma në drejtësi si thelbësore për ta çuar përpara procesin e integrimit. Jemi në rrugë të mbarë, ndonëse kemi përpara një sfidë që kërkon angazhimin e të gjithëve.

Si e komentoni ndryshmet në vetë strukturën e drejtorive të BE, riemërtimin dhe ristrukturimin e ish Drejtorisë së Zgjerimit? A është ky një sinjal negativ për perspektivën e zgjerimit të vendeve të Ballkanit?

Sigurisht ristrukturime ka pasur dhe do ketë ne strukturat e BE-së, por perspektiva dhe puna për integrimin e vendeve te Ballkanit Perëndimor ne BE vazhdon si dhe më parë.E them me bindje se perspektiva e këtyre vendeve është e qartë dhe e pandryshueshme: anëtare me të drejta të plota në Bashkimin Europian. Është e shpallur që për 5 vitet e ardhshme nuk do të ketë anëtarë të rinj në BE. Megjithatë kjo periudhë për të gjitha vendet aspirante duhet të shërbejë si një periudhë për përmbushjen e reformave,plotësimin e standardeve, thellimin e bashkëpunimit mesvedit dhe transformimin e mentalitetit dhe të funksionimit të shoqërisë.

A po bashkëpunon Ministria jonë e Integrimit me struktura në vendet e rajonit që tashmë kanë pasur sukses në procesin e integrimit ose të çeljes se negociatave si Kroacia apo Mali i Zi? A ka një proces të transferimit të njohurive dhe eksperiencës?
Bashkëpunimi me këto vende, shkëmbimi i eksperiencave ka ekzistuar edhe më herët dhe sigurisht që janë të vazhdueshme trajnimet që ekspertët tanë bëjnë, për të marrë eksperiencën e këtyre vendeve. Është ndihmë në fakt për Shqipërinë,pasi kushdo që ka kaluar më herët hapat që ne po hedhim tani, ka çfarë të na mësojë. Ne kemi një bashkëpunim intensiv me Kroacinë veçanërisht që tashmë është edhe antare e Bashkimit Europian, por në tërësi më duhet të them që me të gjitha vendet e rajonit, bashkëveprimi është i frytshëm.

Zyrtarët e BE-së thonë se nuk mund te japin një datë konkrete për antarësimin e Shqipërisë në BE, por vende si Serbia kanë dalë vetë me synime konkrete, për antarësim të plotë në 2020, për shembull. A ka Shqipëria një synim kronologjik konkret të sajin dhe pse po ose jo?

Për ne rëndësi ka procesi dhe jo data. Për qeverinë shqiptare integrimi është prioriteti më madhor kombëtar, dhe pjesa më e madhe e reformave ecin paralel me këtë prioirtet apo janë në funksion të tij. Personalisht asnjëherë s’kam qenë partizane e datave dhe afateve, pasi për një sërë arsyesh atom und të ndryshojnë, qoftë duke u afruar, qoftë duke u shtyrë në kohë. Për mua si Ministre e Integrimit është thelbësore, që qytetarët të kuptojnë se antarësimin në Bashkimin Evropian nuk do të na e bëjë dhuratë askush. Duhet shumë punë, shumë angazhim nga të gjithë aktorët. Nuk mjafton vullneti i një qeverie. Duhet gjithpërfshirje, e para së gjithash duhet një sensibilizim që të kuptohet se Europa që duam të ndërtojmë brenda vendit tonë nis që nga gjërat më të vogla, që nga pagesat e faturave në kohë, zbatimi i rregullave të qarkullimit, duke vazhduar më tej të një shndërrim i plotë i mënyrës si funksionon shoqëria jonë, hallkat e shtetit,demokracia në tërësi.

BE-ja po del nga një krizë e madhe politike e ekonomike që mendohet se do ta bëjë më armiqësore ndaj zgjerimit në vendet e varfra të Ballkanit si Shqipëria. Ç’mund të bëjë Tirana nga ana e saj për ta lehtësuar këtë qasje të Evropës në krizë?

Në Europë do të shkojmë duke ofruar dhe jo për të kërkuar. Mendoj se së pari Shqipëria duhet të përmbushë nismat e marra në sektorin kyç të energjitikës i cili po çonte ekonominë drejt një kolapsi total, për ta stabilizuar së pari dhe më perspektivën shndërrimit në një sektor fitimprurës. Plotësimi i nismave në sektorin e turizmit,është gjithashtu një tjetër hap për ta ngritur këtë sektor në një nivel me standarde europiane me qëllim final shtimin e numrit të turistëve nga vende të ndryshme të botës (duke mos u mjaftuar vetëm me turistët nga rajoni si Kosovë, Maqedoni, Serbi). Shqipëria duhet të jetë një destinacion turizmi jo vetëm për sezonin veror, por edhe për atë dimëror.
Së treti – jo për nga rëndësia por e parë nga koha e kërkuar dhe realizimi i fondeve, është zhvillimi i sektorit bujqësor. Zhvillimi i këtij sektori ,në një kohë që Europa po ngre zërin për minimizimin e produkteve OMGJ dhe përdorim të produkteve BIO, duhet pare si primar së pari pasi do të rriste numri real i të punësuarve ,duke marre parasysh këtu edhe efektin zinxhir të produkteve( ruajtje, përpunim, ambalazhim, eksport dhe tregtim)
Së dyti, ky sektor do të mbështesë drejtpërsëdrejti sektorin e turizmit, me prodhimet BIO dhe të freskëta vendase. Kur flasim për Europë, kemi parasysh një treg me mbi 500 milion konsumatore, ku kërkesa për produktet BIO mbetet gjithmonë e lartë. Përqasja apo pranimi i Shqipërisë në këtë treg, do bëhet vetëm nëse ne ofrohemi denjësisht me produkte cilësore, të standardit europian dhe për këtë kërkohet punë dhe alokim fondesh, kërkohet kohë dhe kontroll, dhe mbi të gjitha ndërgjegjësim për të pranuar se vetëm në këtë mënyrë ne mund të pranohemi në familjen e madhe Evropiane.

Ju personalisht i përkisni një gjenerate të re shqiptarësh që nuk e kanë jetuar drejtpërdrejt eksperiencën e vështirë të Shqipërisë nën komunizëm. A mendoni që brezi pas jush, që është rritur tërësisht në tranzicion, po përgatitet mjaftueshëm për ta parë veten si qytetarë të denjë të barabartë të Bashkimit Evropian?

Mendoj se ky brez është i përgatitur mjaftueshëm, pasi një pjesë e konsiderueshme e tij është rritur pikërisht në vendet europiane apo të tjera të botës. Janë me qindra mijëra ata shqiptarë që kanë emigruar, që kanë ndërtuar një jetë në këto vende, që i njohin dhe kanë përqafuar standarde e këtyre shoqërive. Ka po ashtu mijëra studentë të cilët janë të kualifikuar si bashkëmoshatarët e tyre në botë, kanë shkëlqyer atje dhe vijnë e sjellin këto modele, duke kontribuar në vendin e tyre. Por, gjithashtu kemi edhe një rini brenda Shqipërisë, që do të integrohet, që do të investojë për vete. Këto modele janë shumë të mira për tu ndjekur nga të gjithë. Ne me këto modele japim kontribut për procesin e integrimit. Nuk mundemi që mendësia e kafeneve të udhëheqë. Po punohet për të rritur cilësinë e arsimit, pasi e kemi detyrim tu ofrojmë dije, tu krijojmë mundësi shkollimi që i afrojnë me tregun e punës të rinjtë shqiptarë. E shoh këtë si mënyrën më të mirë për tu integruar.

Së fundmi një pyetje që ka lidhje me punën dhe produktet konkrete që një sërë institutesh kërkimore (think- tanks) kryejnë për integrimin në Shqipëri: cila është qasja e Ministrisë së Integrimit për ti përfshirë këto organizata dhe për të shfrytëzuar punën, studimet, raportet dhe ekspertizën e tyre?

Jua them me shumë seriozitet dhe sinqeritet se Ministria e Integrimit Evropian i ka dyert të hapura për të nisur bashkëpunimin aty ku mungon dhe për ta thelluar më tej ku ekziston. Për ne institute serioze, organizata serioze të shoqërisë civile që vërtet kanë kontribut në procesin e integrimit janë një ndihmë shumë e madhe. Puna e tyre është vlerë e shtuar për procesin. Që në nisje të punës sime si Ministre e kam deklaruar se gjithpërfshirja do të jetë kryefjala jonë.

Intervistoi: Ema Butka

SHPËRNDAJE