ALBERT RAKIPI
Me ndërmjetësimin e Italisë ministrat e jashtëm të Shqipërisë dhe Serbisë u takuan në mes të muajit janar në Romë. Ky ishte takimi i parë pas bërjes publike të nismës italiane për të luajtur një rol ndërmjetësues në marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Serbisë.
Rolin ndërmjetësues e ka propozuar vetë Italia. Në fillim ishte ministria italiane Ema Bonino që foli për nevojën e një pale të tretë midis Tiranës dhe Beogradit. Në verën e vitit të kaluar, gjatë një turi ballkanik të Presidencës Italiane të BE-së, Mogerini, që pasoi në Farnezina Ema Boninnon, deklaroi në fillim në Tiranë dhe më pas në Beograd se Italia është e gatshme dhe dëshiron të luaje një rol ndërmjetësues midis Shqipërisë dhe Serbisë. Deklaratat publike të Mogerinit në Tiranë dhe Beograd krijuan të paktën një lloj hutimi apo paqartësie sepse asnjë nga vendet nuk kishte kërkuar një palë të tretë për të ndërmjetësuar .
Madje kjo ide tingëllon edhe më paradoksale po të mendosh se midis të dy vendeve praktikisht nuk ekziston ndonjë çështje e hapur për zgjidhjen e të cilës duhet të kërkohet ndërmjetësim ndërkombëtar.
Nëse përjashtojmë çështjen e Kosovës, për të cilën Shqipëria dhe Serbia kanë rënë dakord , për të mos rënë dakord, midis të dy vendeve praktikisht nuk ekziston asnjë çështje që mund të pengojë zhvillimin normal të marrëdhënieve dypalëshe.
Prej shkurtit të vitit 2008 Kosova është një shtet i pavarur dhe aktualisht është njohur nga 110 shtete , pothuajse të gjitha shtetet qe qeverisen nga sisteme demokratike, të gjitha vendet anëtare të BE-së, me përjashtim të Greqisë, Spanjës, Rumanisë, Qipros, Sllovakisë, shumica e shteteve anëtarëve të Këshillit të Sigurimit përjashtuar Kinën dhe Rusinë dhe po ashtu, Kosova është njohur si shtet i pavarur nga të gjitha vendet fqinje, me përjashtim të Serbisë. Kësisoj, e vetmja çështje për të cilën Shqipëria dhe Serbia ndahen në mënyrë kategorike është jashtë axhendës dypalëshe . Madje edhe përpara pavarësisë së Kosovës dhe njohjes së menjëhershme të saj nga SHBA dhe fuqitë europiane, Shqipëria dhe Serbia kanë zhvilluar marrëdhënie midis tyre . Në mënyrë të veçantë Tirana ka qenë mjaft aktive me ish-Zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Jashtëm Ilir Meta për të vendosur një komunikim në rritje me Serbinë pavarësisht nga qëndrimi i Serbisë ndaj Kosovës, përpara ose pas pavarësisë dhe njohjes së saj ndërkombëtare. Për më tepër Serbia dhe Kosova gjatë dy tre vjetëve të fundit kanë zhvilluar bisedime në nivelin e kryetarëve të qeverive dhe kanë arritur marrëveshje me ndërmjetësimin e Bashkimit Europian.
Mirëpo nëse midis Tiranës dhe Beogradit nuk ekzistojnë mosmarrëveshje, që do të kërkonin ndërmjetësimin e një pale të tretë për zgjidhjen e tyre, atëherë për çfarë ndërmjetëson Roma?
Propozimi italian për të luajtur një rol ndërmjetësues në verën e vitit të kaluar, në pamje të parë dukej edhe me i padobishëm dhe po aq i paqartë për faktin se midis të dy vendeve marrëdhëniet dukej se kishin hyrë në një trend pothuajse normal me marrëdhëniet ekonomike në rritje, një komunikim në rritje në fushën e kulturës, ndërsa në nivelin politik marrëdhëniet do të shënonin një nivel të lartë me takimin e të dy kryeministrave në Beograd, të planifikuar në fillim të muajit tetor të vitit të kaluar.
Propozimi Italian për nevojën e një pale të tretë në ndërtimin e të ardhmes së marrëdhënieve shqiptaro-serbe mbeti pothuajse në hije dhe vëmendja e diplomacisë dhe medias europiane u përqendrua në vizitën e kryeministrit të Shqipërisë , e para e këtij niveli pas 70 vjetësh.
Mirëpo zhvillimet që shoqëruan incidentet e rënda në ndeshjen e futbollit midis dy skuadrave kombëtare provuan një realitet të fshehur, të neglizhuar, të marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Serbisë . Brenda më pak se 24 orësh të dy vendet rrëshqitën në një situatë krejtësisht të ngjashme me atë të Luftës së Ftohtë. Teoritë ballkanike të konspiracionit u kombinuan në mënyrë të përsosur me nivelin e ulët profesional të diplomacisë. Zyra e kryeministrit të Serbisë shpejtoi të shpallte një komplot shqiptar për të destabilizuar Serbinë dhe të gjithë rajonin, duke implikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë vëllanë e kryeministrit të Shqipërisë, ndërsa Ministria e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, në gjendje alarmi, përdori instrumente dhe një frymë tipike për Shqipërinë komuniste të Luftës së Ftohtë (paralel me thirrjen urgjente të ambasadorit të Serbisë në ministri dhe notave të protestës që Shqipëria i drejtoi Serbisë, Shqipëria i dërgoi notë proteste zyrtare edhe Malit të ZI).
Në kushtet e një tensionimi të papritur të marrëdhënieve Shqipëri-Serbi, vizita e Kryeministrit Rama në Beograd u vu seriozisht në pikëpyetje dhe mosrealizimi i kësaj vizite do të ishte, në fakt, jo ruajtja e statuskuosë, por një hap prapa në marrëdhëniet midis dy vendeve.
Për të shmangur këtë përkeqësim të marrëdhënieve duket se erdhi në ndihmë “ideja italiane e Mogerinit”: ndërhyrja e një pale të tretë. Pavarësisht se Kryeministri i Shqipërisë ishte i vendosur për të realizuar vizitën në Beograd, kjo nuk do të kishte qenë e mundur pa ndërhyrjen e diplomacisë europiane. Ndërhyrja e Kancelares Merkel në Beograd dhe Tiranë as nuk u pohua dhe as u mohua nga zyra e saj .
Praktikisht të paktën përkeqësimi i mëtejshëm i marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Serbisë nuk u bë i mundur pa ndërhyrjen e një pale të tretë, duke provuar në një farë mënyre dobinë e idesë italiane të prezantuar nga Mogerini disa muaj më parë. Argumenti, se gjithçka që ndodhi në Beograd gjatë ndeshjes së ekipeve kombëtare dhe zhvillimet e mëtejshme ishin një incident, nuk e dobëson aspak idenë italiane për domosdoshmërinë e një pale të tretë në marrëdhëniet midis dy vendeve kyçe në Ballkan. Gjithashtu edhe fakti se midis dy vendeve nuk ka ndonjë çështje konkrete, të rëndësishme, që i ndan fort të dy vendet (për shembull, siç është çështja e emrit në marrëdhëniet midis Maqedonisë dhe Greqisë ), për të cilën do të duhej ndërhyrje ndërkombëtare, nuk e zbeh aspak propozimin italian.
S’ka dyshim që droni në Beograd ishte një incident , por zhvillimet dramatike politike, që vijuan pas këtij incidenti, dëshmuan qartë se midis Serbisë dhe Shqipërisë vijon të jetë e pranishme dhe influencuese kultura dhe miti i armiqësisë .Dhe për më tepër të dy vendet, të dyja shoqëritë, elitat politike dhe jo vetëm këto, nuk janë në gjendje ta kapërcejnë këtë kulturë dhe këtë mit pa ndihmën e të tretëve, siç është rasti i Italisë apo Bashkimi Europian.
Pajtimi i shqiptarëve dhe serbëve në Ballkan është themelor për stabilitetin , sigurinë dhe të ardhmen e të gjithë rajonit. Shqipëria dhe Serbia, dy vende strategjike në të gjithë rajonin mund ta udhëheqin pajtimin midis dy kombeve. Për të bërë hapat e parë drejt këtij pajtimi të dy vendet duket se kanë nevojën e një pale të tretë.
Është e qartë se nuk është fjala për një ndërmjetësim tradicional, në të cilën pala e tretë ndërmjetëson për një konsensus për çështje shumë të kontestueshme ndërmjet dy vendeve siç janë kufiri, territori apo çështje të ngjashme.
Roli i një pale të tretë në marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Serbisë ka të bëjë me një çështje themelore strategjike për të ardhmen europiane të të gjithë rajonit.
Po a është e gatshme Italia të luajë këtë rol ? Çfarë instrumentesh konkrete propozon ajo? Çfarë roli mund të sugjerojë për Bashkimin Europian italiania Mogerini tani në kapacitetin e shefes së diplomacisë europiane?
“Italia mbështet anëtarësimin e Serbisë dhe të Shqipërisë në BE dhe është një avokate e tyre”, deklaroi në Romë ministri italian i Punëve të Jashtme, pas takimit trepalësh në Romë. Afërmendsh takimi trepalësh nuk u zhvillua për të prodhuar një deklaratë që as Serbia, as Shqipëria nuk e vënë në dyshim.
Ndërmjetësimi modern (jo në kontekstin e të mos qenit klasik) në procesin pajtues midis shqiptarëve dhe serbëve në Ballkan, që mbështetet në frymën dhe vlerat europiane, sugjeron nevojën e instrumenteve, planeve dhe projekteve konkrete, që mund t’i propozojë apo udhëheqë Italia, apo Bashkimi Europian.