Një strategji rikthimi për Europën

0

CARL BILDT-JAVIER SOLANA

Kur Papa Françesku foli para Parlamentit Evropian nëntorin e kaluar, ai e krahasoi Bashkimin Evropian me një gjyshe – e këndshme dhe e pasur me eksperiencë, por që i mungonte vitaliteti dhe energjia e të shkuarës. Ka ardhur koha, argumentoi Papa Françesku, që udhëheqësit e BE-së të hedhin tutje imazhin e tyre të përgjumur, të njohin sfidat strategjike me të cilat përballet Evropa dhe të krijojnë një politikë të qartë për përballjen me to.
Duhet pranuar se karakterizimi që i bëri Papa BE-së ishte mjaft i saktë në disa drejtime. Por, pavarësisht nga lodhja e dukshme, Evropa ka disa pika të forta. Ajo është qendër e të menduarit të nivelit të lartë dhe e risive; është vendi i disa prej rajoneve dhe industrive më konkurruese dhe ndoshta më mbresëlënës është fakti se ajo ka krijuar një komunitet dhe një treg që përfshin rreth gjysmë-miliard njerëz.

Por bota po ndryshon: rajoni Azi-Paqësor po influencon gjithnjë e më tepër mbi zhvillimet ekonomike globale. Partneriteti Ndër-Paqësor – përmes të cilit Shtetet e Bashkuara dhe 11 vende të tjera do të krijojnë një zonë mega-rajonale të tregtisë së lirë – me shumë mundësi do ta përshpejtojë këtë zhvendosje (edhe më tepër nëse bashkohet edhe Kina). Megjithëse ky partneritet has një sërë pengesash që duhen kaluar para se marrëveshja të finalizohet, potenciali që ka për të rritur fuqinë ekonomike të Azisë nuk mund të nënvlerësohet.

Evropa duhet të punojë për të siguruar pozitën e saj në rendin e ri botëror – duke filluar me shtimin e lidhjeve të saj të tregtisë dhe investimeve me Shtetet e Bashkuara. Problemi është se, ndërsa negociatat për TPP vijojnë, bisedimet mbi Partneritetin dhe Investimet Transatlantike BE-SHBA (TTIP) janë karakterizuar kaq thellësisht nga kundërshtitë e brendshme sa i gjithë projekti mund të dështojë.

Udhëheqësit e biznesit në të dy anët e Atlantikut janë të bindur se një marrëveshje e suksesshme do të sillte përfitime thelbësore ekonomike – një perceptim që shumë studime e përforcojnë. E megjithatë, çështje të parëndësishme – si për shembull, përdorimi i pulës së klonuar dhe zgjidhja e mosmarrëveshjeve të investuesve – vijojnë të mbizotërojnë debatin.
Qëllimi i TTIP është të çlirohet fuqia e ekonomisë transatlantike, që mbetet ende tregu më i madh dhe më i pasur në botë, që përbën rreth 3/4 e aktivitetit global financiar dhe më tepër se gjysmën e tregtisë botërore. (Nëse TTIP hapet për vende të tjera – si Turqia, Meksika dhe Kanadaja – përfitimet do të ishin edhe më të mëdha).

Edhe më detyruese se përfitimet e arritjes së një marrëveshjeje, janë pasojat e mundshme shkatërruese të dështimit. Si fillim, një ndërprerje e bisedimeve për TTIP-në do t’u jepte mjaft municion zërave në Mbretërinë e Bashkuar që mbrojnë tërheqjen nga Bashkimi Evropian, por nëse TTIP do të zbatohej atëherë Mbretëria e Bashkuar do të gabonte po të largohej.

Për më tepër, perceptimi se zënkat e brendshme të BE-së kanë bërë që të humbasë një mundësi strategjike do t’i detyronte Shtetet e Bashkuara të përshpejtojnë shkëputjen e tyre nga kontinenti. Presidenti rus Vladimir Putin do ta shohë dështimin e BE-s si një mundësi të madhe për të ushtruar më tepër influencë në pjesë të tjera të Evropës. E gjitha kjo kontribuon në një rrezik thelbësor strategjik: Nëse TTIP ngec apo dështon, ndërkohë që TTP ecën përpara dhe ka sukses, atëherë balanca globale do të jetë në favor të Azisë – dhe Evropës do t’i mbeten pak variante për rifitimin e influencës së saj ekonomike dhe gjeopolitike.

Kur TTIP u propozua fillimisht, Evropa dukej se e njihte vlerën e saj. Në fakt, ishte BE-ja ajo që i shtyu Shtetet e Bashkuara, që fillimisht kishin dyshime për angazhimin e Evropës, për të filluar procesin e negociatave në qershor 2013.

Ambicia ishte të përmbylleshin negociatat mbi “një rezervuar gazi”. Askush nuk dëshironte të duronte bisedimet e zgjatura – apo dhimbjen politike që pason.

Por udhëheqësit e BE-së e braktisën projektin duke konfirmuar me sa duket frikën e amerikanëve. Bashkëbiseduesit tregtarë u përpoqën t’i çonin para bisedimet, ndërkohë që grupet kundër globalizimit morën nën kontroll diskursin publik, duke e prezantuar TTIP si një kërcënim ndaj gjithçkaje. duke filluar nga demokracia e Evropës deri te ecuria e saj.
Këto janë bisedime shumë të papërshtatshme dhe udhëheqësit e BE-së duhet ta këmbëngulin që ato të fitojnë më tepër vëmendje duke e argumentuar rëndësinë strategjike të marrëveshjes. Ata duhet ta rigjallërojnë përkushtimin e tyre për të përmbyllur bisedimet me sukses në vitin 2015.

Kjo nuk do të thotë se çështjet e tjera në bisedimet për TTIP do të jenë të thjeshta. Por arritja e një marrëveshjeje tregtare, veçanërisht një marrëveshjeje që përfshin kaq shumë çështje rregullatore, është gjithnjë e vështirë, pasi duhet të marrë parasysh karakterin e ndërlikuar dhe të ndryshueshëm të ekonomive moderne. Fakti është se sfidat që lidhen me përmbylljen e TTIP nuk janë më të vështira se sa ato me të cilat janë përballur udhëheqësit e Bashkimit Evropian vitet e fundit të krizës.

Kur të rifillojnë negociatat për TTIP muajin e ardhshëm, udhëheqësit e Bashkimit Evropian duhet të kërkojnë progres të sinqertë, me qëllim përmbylljen e një marrëveshjeje në fund të këtij viti. Lajmi i mirë është se zgjedhjet e fundit në Shtetet e Bashkuara mund të kenë përmirësuar shanset e tyre. Presidenti Barack Obama tashmë mund të marrë nga Kongresi të ashtuquajturin autoritet për përshpejtimin e bisedimeve. Nëse ai e bën këtë gjë, Kongresi thjesht do ta miratonte ose kundërshtonte çdo marrëveshje të negociuar, në vend që t’i analizojë ato veçmas.

Sezoni për zgjedhjen e presidentit amerikan po fillon dhe çështje të tjera gjatë vitit të ardhshëm mund ta zëvendësojnë axhendën e BE-së. Për këtë arsye, udhëheqësit e Evropës nuk duhet të humbasin kohë. Ata duhet ta shfrytëzojnë këtë mundësi ekonomike – dhe të shmangin një katastrofë strategjike.

SHPËRNDAJE