Transformimi i shqipërisë është një projekt kombëtar

Intervista e Ambasadorit Florian Rauning, Kryetar i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri

1

FLORIAN RAUNING

Z. Ambasador, ka kaluar pak më shumë se një vit nga momenti kur morët drejtimin e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri. A mund të na thoni disa fjalë rreth përparësive të Prezencës gjatë kësaj kohe?

Gjatë vitit të shkuar, filluam të zhvendosnim vëmendjen tonë nga ndërtimi i institucioneve te funksionimi i duhur dhe llogaridhënia e tyre. Kjo po drejton punën tonë në fusha si reforma gjyqësore dhe reforma e transmetuesit publik, si dhe na ka bërë t’i japim gjithnjë e më shumë rëndësi qëndrueshmërisë dhe pronësisë vendore gjatë punës tonë me trajnime dhe me rritjen e kapaciteteve, veçanërisht për policinë. Po ashtu, kjo ka sjellë zhvendosjen nga përmirësimi i ligjeve te zbatimi korrekt i tyre. Ky është një element thelbësor për të garantuar shtetin e së drejtës, i cili është një parakusht për të përparuar në shumë sfera të tjera. Gjithashtu, Prezenca po fokusohet gjithnjë e më shumë te përmirësimi i marrëdhënies ndërmjet qytetarëve dhe institucioneve, çka pasqyrohet në përpjekjet tona për të ushqyer marrëdhënie më të ngushta ndërmjet deputetëve dhe zgjedhësve dhe për të përkrahur procese gjithëpërfshirëse reformash. Për më tepër, me kërkesë të Qeverisë dhe Kuvendit, ne kemi ofruar ndihmë teknike për një sërë përparësish kyçe, që përfshijnë reformën administrativo-territoriale, decentralizimin,anti-korrupsionin, reformën gjyqësore, policinë, dhe përmirësimin e procesit legjislativ.

Cilat janë tri pikat kryesore për t’u mbajtur mend nga raporti i juaj vjetor i datës 18shtator përpara Këshillit të Përhershëm të OSBE-së?

Së pari, qeveria ka zhvilluar një vizion ambicioz të reformave të nevojshme për të përmirësuar gjendjen politike, ekonomike dhe sociale në Shqipëri. Qeveria ndërmori një qasje të strukturuar dhe proaktive, duke zhvilluar plane veprimi strategjike100- dhe 300-ditore dhe duke bërë përpjekje për të qenë transparente rreth rezultateve. Kjo përfaqësoi një stil të ri qeverisjeje. Së dyti, nevojitet më shumë punë për të garantuar qëndrueshmërinë e rezultateve. Kjo përfshin, ndër të tjera, hetimin dhe dënimin e zyrtarëve të lartë për korrupsion. Së treti, për të përparuar drejt sfidave dhe aspiratave thelbësore të Shqipërisë, do të duhet një program ndryshimi i thellë, afatgjatë, i plotë dhe konsensual. Është e domosdoshme që të dyja palët të punojnë së bashku.

Ka kaluar mbi një vit nga momenti kur qeveria aktuale mori drejtimin e vendit, pas zgjedhjeve që shihen si ndër më të mirat e mbajtura në Shqipëri dhe kalimit të qetë të pushtetit. Si e vlerësoni ju punën e qeverisë në sferat ku OSBE-ja ka interes të veçantë?
Qeveria ka zhvilluar një vizion ambicioz reformash, dhe megjithëse është ende shumë herët për të vlerësuar nivelin e përgjithshëm dhe qëndrueshmërinë e progresit, qeveria ka treguar që është e aftë për veprime konkrete. Operacioni i gjerë i policisë kundër kultivimit të drogës, përfshirë ndërhyrjen në Lazarat, është shembull i një gjëje të tillë, siç është dhe aksioni kundër lojërave të paligjshme të fatit, ai kundër ndërtimeve të paligjshme, si dhe aksioni më i fundit kundër vjedhjes së energjisë elektrike. Megjithatë, respektimi i shtetit të së drejtës dhe i një procesi të rregullt nga autoritetet shtetërore në këto aksione është i domosdoshëm. Është detyra e parë e shtetit të zbatojë ligjin dhe të mbrojë të drejtat e njeriut të shtetasve të tij. Për më tepër, presim të shohim rezultate pozitive nga krijimi i pozicioneve të larta për të luftuar korrupsionin, ndërmarrjen e veprime të prekshme kundër trafikimit njerëzor, nga masat për fuqizimin ekonomik të grave dhe të rinjve, si dhe nga një qeverisje vendore më e mirë dhe e efektshme si rezultati reformës administrativo-territoriale.

Sistemi gjyqësor shqiptar është bërë shpesh objekt kritikash. Flitet shpesh për një reformë, por vazhdojnë të mbizotërojnë problemet kryesore që lidhen me besimin dhe perceptimin e publikut rreth përhapjes së korrupsionit. Çfarë mund të bëhet për të përmirësuar situatën?
Korrupsioni i gjyqësorit është një nga pengesat kryesore që nuk lejon Shqipërinë të ketë një demokraci plotësisht funksionale. Sidoqoftë, ka një gjë që duhet trajtuar në mënyrë të plotë, si pjesë e panoramës së përgjithshme, që është reforma strategjike e sektorit të drejtësisë. Kjo nënkupton reformimin e një sërë institucionesh dhe procedurash – dhe zakonesh. Si e tillë, duhet të përfshijë në konsultime të gjithë aktorët, vendas apo ndërkombëtarë. Prezenca ka një përvojë të thellë dhe partneritet të specializuar afatgjatë në Shqipëri; ne jo vetëm mund të japim këshilla rreth standardeve ndërkombëtare dhe zbatimit të tyre në ligjin vendas, por dhe mund të japim ndihmë për të bashkërenduar dhe strukturuar procesin dhe për të angazhuar aktorët, veçanërisht ata të shoqërisë civile. Jam i bindur se reforma në drejtësi mund të jetë e suksesshme në Shqipëri, nëse institucionet angazhohen për t’u reformuar, ndajnë një vizion të drejtësisë në Shqipëri, përqendrohen në ofrimin e rezultateve konkrete për qytetarët dhe mbështeten nga partnerë ndërkombëtarë që punojnë sëbashku si ekip, nën drejtim shqiptar.

Z. Raunig, OSBE-ja është aktualisht e përfshirë në një projekt për përmirësimin e punës së transmetuesit publik në Shqipëri, RTSH-së. A mund të na thoni pak më shumë rreth objektivave tuaj në këtë drejtim?

Disa njerëz në Shqipëri duket se ende mendojnë se Shqipëria mund vijojë të mos ketë një transmetues publik të pavarur. Përgjigja ime është t’u hedhin një sy shteteve evropiane:të gjitha këto shtete kanë transmetues publikë të pavarur. Ky është standardi që duhet ndjekur. Ne patëm një konferencë shumë të frytshme,më20-21 nëntor, në të cilën Unioni Evropian i Transmetimit, UNESCO, RTSH-ja dhe OSBE-ja diskutuan se si të shndërrohet RTSH-ja në një transmetues publik të qëndrueshëm nga pikëpamja ekonomike, me pavarësi redaksionale dhe profesionalisht të fortë, i cili kontrollohet nga publiku, financohet nga publiku dhe është krijuar për publikun. Sidoqoftë, është thelbësore të ketë vullnet politik dhe qasje bashkëpunuese nga institucionet politike të përfshira.

Z. Ambasador, Shqipëria për ju nuk është vend i panjohur. Ju i keni shërbyer vendit tuaj të lindjes, Austrisë, si diplomat në Shqipëri për shumë vjet dhe ju keni një tjetër lloj afërsie me Shqipërinë duke qenë se flisni gjuhën e vendit. Çfarë ndryshimesh keni vënë re në Shqipëri që nga momenti i parë kur shkuat atje?

Kam pasur privilegjin të shoqëroja ndryshimin e saj nga një nga vendet më të mbyllura hermetikisht në botë, në një demokraci të re, të hapur, miqësore dhe ambicioze. Njëzet e katër vitet e fundit kanë qenë periudhë sfide për vendin, por e suksesshme në përgjithësi. Pas katapultimit në shekullin njëzetenjë të, pas rënies së regjimit totalitar në vitin 1991, Shqipëria pësoi transformime të hatashme. Në një periudhë shumë të shkurtër kohe, themelet e vendit u kthyen kryekëput. Njëzet e katër vite mund të jenë shumë në jetën e një individi, por janë në fakt pak kur flasim në dimensionin historik. Dhe këtu ndodhet sfida thelbësore e vendit: për të pasur një transformim të shëndetshëm dhe të qëndrueshëm nevojitet jo vetëm të bëhet shumë punë dhe të ketë përkushtim të fortë, por duhet gjithashtu kohë dhe durim. Kjo është në kundërshtim me dëshirën e kujtdo për të shijuar një mirëqenie maksimale tani dhe jo pas disa brezash.

Z. Ambasador, Shqipëria është tashmë një vend anëtar i NATO-s dhe vend kandidat për në BE. Vazhdon të ketë disa çështje shqetësuese, por nga ana tjetër ka lënë prapa shumë nga problemet e mëdha të hasura në të shkuarën. A mendoni se do të vijë një moment kur nuk do të ketë më nevojë për Prezencë të OSBE-së nga afër në këtë vend?

Po, por mund të duhet ende njëfarë kohe. Shikoni Kroacinë për shembull– ajo pati një mision të OSBE-së gjatë procesit të anëtarësimit, i cili u mbyll vetëm pak muaj përpara se Kroacia të bashkohej zyrtarisht me BE-në. Ndërsa mandati i OSBE-së nuk përfshin dhe nuk mund të përfshijë anëtarësimin në Bashkimin Evropian, fakti është se OSBE-ja dhe BE-ja kanë një sërë objektivash dhe përparësish të përbashkëta. Pesë përparësitë e BE-së për hapjen e negociatave për anëtarësim, për shembull, janë plotësisht në të njëjtën linjë me mandatin dhe veprimtaritë e Prezencës së OSBE-së. Këto janë të gjitha fusha në të cilat ne kemi përvojë shumë të rëndësishme dhe në të cilat kemi qenë shumë aktivë për shumë vite. E nxis fuqimisht Shqipërinë ta shohë Prezencën e OSBE-së si një pasuri, si një ofertë për mbështetje dhe partneritet për Shqipërinë, për të ndihmuar vendin në realizimin e objektivave dhe aspiratave, gjatë rrugës për daljen nga tranzicioni.

Cilat mendoni se do të jenë sfidat kryesore të OSBE dhe prioritetet e punës në 2015 duke qenë se është dhe një vit zgjedhor?

Përparësia kryesore e Prezencës së OSBE-së për 2015-n është të vijojë ta ndihmojë Shqipërinë të bëhet një vend ku demokracia, drejtësia, shteti i së drejtës, siguria dhe institucionet funksionojnë mirë dhe kanë besimin e qytetarëve. Në terma praktikë, kjo do të thotë se po punojmë për të mundësuar një proces përfshirës e të plotë të reformës në drejtësi, për decentralizimin e mëtejshëm dhe zbatimin pa probleme të ndarjes së re administrativo-territoriale të vendit, për të rritur aftësinë e autoriteteve për të luftuar krimin e rëndë e të organizuar dhe korrupsionin, për të përmirësuar llogaridhënien, transparencën dhe komunikimin e parlamentit shqiptar me qytetarët dhe shoqërinë civile. Duke qenë vit zgjedhor, po përqendrohemi, po ashtu, te profesionalizimi i mëtejshëm dhe depolitizimi i administratës zgjedhore dhe te fuqizimi i grave për të marrë pjesë aktivisht në zgjedhje – jo vetëm si zgjedhëse, por edhe si kandidate.

Presidenca serbe e OSBE shënon rastin e parë që një vend nga Ballkani kryeson organizatën. Çfarë pritshmërish ka nga presidenca e Serbisë dhe si mendoni se do të ndikojë kjo presidencë e Serbisë në rrafshin dhe dinamikat rajonale?

Serbia ka marrë kryesinë e OSBE-së në një çast kritik për organizatën: gjendja në Ukrainë po përkeqësohet, ndërsa konflikte të tjera të zgjatura në zonën e OSBE-së vijojnë të ziejnë. Kryesia serbe i ka dhënë hov bashkëpunimit rajonal, veçanërisht në Evropën Juglindore, duke i mëshuar nevojës që misionet e OSBE-së në rajon të vijojnë të punojnë së bashku për të përforcuar dinamikat pozitive në rajon. Prezenca po e shfrytëzon interesin e lartë për bashkëpunimin rajonal për të zhvilluar disa veprimtari të reja rajonale që lidhen me bashkëpunimin mes të rinjve dhe policinë.

A ka ndonjë gjë tjetër që dëshironi të shtoni?

Transformimi i Shqipërisë është një projekt kombëtar. Ai jo vetëm prek këdo në shoqëri, por gjithashtu kërkon kontributin personal dhe të sinqertë të të gjithëve. Kjo sipërmarrje ambicioze do të jetë e suksesshme vetëm nëse të gjithë bashkohen dhe vendosin të mirën e vendit përpara interesave të ngushta personale, ekonomike apo partiake. Kjo është arsyeja përse miqtë e Shqipërisë dhe komuniteti ndërkombëtar theksojnë kaq shumë kërkesën për bashkëpunim të sinqertë dhe të shëndetshëm ndërmjet forcave politike të vendit. Mënyra konstruktive se si komunitetet fetare dhe etnike punojnë dhe jetojnë në Shqipëri mund të shërbejë si shembulli më i mirë.

SHPËRNDAJE