KAROLINA KOWALSKA
Mbi 1.5 milion njerëz kanë vizituar muzeun e Aushvic-Birkenaut në vitin 2014, vendi më i vizituar i kujtesës në Evropë. Data 27 janar shënon 70 vjetorin e çlirimit të këtij kampi nazist të përqendrimit dhe shfarosjes.
Ngritur nga gjermanët në mes të viteve 1940 në qytetin e Oswiecim, në tokat që iu bashkëngjitën Rajhut gjerman, kampi Aushvic-Birkenau është kthyer në një simbol global gjenocidi. Përkujtimet e çlirimit të tij do të sjellin bashkë 300 ish-të burgosur të Aushvicit, të mbijetuarit e fundit të Holokaustit, si edhe zyrtarë qeverish nga e gjithë bota. Prej 10 vitesh tashmë, dita e çlirimit të kampit, është shënuar në të gjithë globin si Dita Ndërkombëtare e Përkujtimit të Holokaustit.
‘’Nuk mund ta kuptojmë Evropën e pasluftës dhe botën në përgjithësi pa një përplasje të thellë ndërmjet idesë tonë të njerëzimit dhe mbetjeve të Aushvicit. Këtu është i vetmi kamp shfarosjeje që është ruajtur në origjinalitetin e tij deri më sot’’ – shkruante Piots A. M. Cywinski, drejtor i Muzeut Shtetëror të Aushvic-Birkenaut në Oswiecim, në një raport të kohëve të fundit titulluar Rishikimi i mënyrës si e shohim botën dhe veten. Raporti i Memorialit të Aushvicit 2014.
Sot, është ky muze, 70 kilometra në perëndim të Krakovit, që mbron mbetjet e kampit më tragjik të Holokaustit, ku regjimi gjerman vrau mbi 1 milion njerëz gjatë luftës së dytë botërore.
Edhe pse një vizitë në kampin e dikurshëm të përqendrimit vjen si goditje për shumicën dhe ngulitet në kujtesën e tyre përgjithmonë, numri i atyre që duan ta shohin këtë vend është në rritje.
Në vitin 2004, 492,500 njerëz kaluan përmes portave të famshme me nënshkrimin ‘’Arbeit macht frei’’; dhjetë vite më pas ky numër arriti në 1,534 milion. Gjithnjë e më tepër vizitorë zgjedhin shoqërinë e një ciceroni, që iu tregon atyre historitë tmerruese të vendit ndërkohë që i çon te kazermat dhe furrat e djegies.
‘’Nga 270 ciceronë në Aushvic-Birkenau, mbi 100 flasin anglisht, dhjetëra të tjerë gjermanisht dhe disa të tjerë italisht, frëngjisht dhe hebraisht. Kemi edhe një japonez që ka udhëhequr tashmë vizita të ndryshme prej shumë vitesh dhe disa njerëz që flasin gjuhët skandinave’’ – thotë Andrzej Kacorzyk, zëvendësdrejtor i muzeut dhe drejtues i Qendrës Ndërkombëtare për Edukim rreth Aushvicit dhe Holokaustit.
Përveç gjimnazistëve dhe ushtarëve nga Izraeli, shumica e vizitorëve vijnë nga Mbretëria e Bashkuar, Skandinavia dhe Italia. Prej shumë vitesh tashmë, italianët kanë ardhur në ‘’trena kujtese’’ të veçantë. Gjermanët dhe francezët gjithashtu formojnë grupe të mëdha vizitorësh.
‘’Kjo vjen për shkak të edukimit mbi Holokaustin nëpër Evropë, si edhe prej programeve kombëtare dhe lokale që i lejojnë të rinjtë nga vendet evropiane të vizitojnë vendndodhjet e kujtesës’’ – shpjegon drejtori Kacorzyk.
Përkujtimi i 70 vjetorit të çlirimit të Aushvicit
Në 27 janar 2015, para mesditës, ish-të burgosurit e Aushvicit vendosen lule në Murin e Ekzekutimit në kampin e dikurshëm të Aushvicit, ku gjermanët vranë mijëra njerëz, shumica polakë. Pas meshës përkujtimore, ceremonia zyrtare do të zhvillohet para Portës së Vdekjes Aushvic II – Birkenau. Ceremonia u ndoq nga mbreti i Belgjikës dhe Holandës si edhe nga udhëheqës politik shumë vende, duke përfshirë presidentët e Austrisë, Francës, Gjermanisë, Ukrainës, Kroacisë dhe Polonisë, të cilët do të ndezin qirinj në monument për viktimat e kampit, ngritur në mesin e rrënojave të dy dhomave më të mëdha të gazit në Birkenau.
Edhe numri i vizitorëve të veçantë është gjithashtu në rritje. ‘’Gjithnjë e më tepër njerëz vijnë nga vende të cilat nuk janë përfshirë në mënyrë të drejtpërdrejtë në Luftën e Dytë Botërore si edhe nga jashtë Evropës. Dua të vë në dukje këtu veçanërisht të ftuar nga Shtetet e Bashkuara, Kanadaja, Izraeli, Australia, Koreja e Jugut dhe Japonia. Kemi parë gjithashtu një rritje të numrit të kinezëve’’ – shton Andrzej Kacorzyk.
Secilit grup i ofrohet një vizitë e programuar posaçërisht për nevojat e tyre, që fokusohet te historia e të burgosurve nga vendi i tyre. Ciceronët iu drejtohen vizitorëve në gjuhën e tyre amtare, ‘’gjuhët e zemrës’’, që e vendos theksin edhe më tepër te historia tragjike.
Interesi në rritje për historinë e Aushvicit dhe 70 vjetori i çlirimit të kampit nazist të përqendrimit dhe shfarosjes kanë ndihmuar në tërheqjen e vëmendjes globale ndaj problemeve të një vendi kujtese që deri tani është mbajtur nga qeveria polake. Kontribuuesit e huaj mbulojnë rreth 5% të kostos totale, ndërkohë që 5 milion PLN janë shpenzuar për punimet e ruajtjes vetëm vitin e kaluar, që është 1.5 milion PLN më tepër se viti paraardhës. Në vitin 2015, kjo mund të arrijë rreth 7 milion PLN.
Gjashtë vite më parë, i shqetësuar për gjendjen e kampit, profesor Władysław Bartoszewski, një anëtar legjendar i Zegotës (një organizatë polake që ndihmoi hebrenjtë brenda dhe jashtë getove gjatë Luftës së Dytë Botërore), ish-i burgosur i Aushvicit dhe ministër i dikurshëm i punëve të jashtme të Polonisë, kërkoi gjetjen e burimeve të rregullta financimi për ruajtjen e Aushvicit si një vend kujtese.
Kjo ishte ideja pas rritjes së Kapitalit të Përhershëm në 120 milion euro për punën konservuese. Deri më tani, qeveritë e 35 vendeve janë zotuar se do të paguajnë 102 milion për këtë qëllim. Më tej, 1 milion euro vijnë nga donatorë të ndryshëm, që kanë mbështetur Fondacionin Aushvic-Birkenau përmes fushatës ‘’18 shtyllat e përkujtimit’’.
Sipas stafit të muzeut, rezultatet e rinovimit do të jenë të dukshme në pak vite. Në tetor 2014, rinovimi katërvjeçar i kazermave dhe blloqeve 2 dhe 3, që kishte pësuar ndryshime të mëdha pas Luftës së Dytë Botërore, u përfundua me sukses. Puna përfshinte të gjithë elementët origjinalë të ndërtimit dhe pjesë të pajisjeve. Blloqet u mobiluan me mobilie origjinale të kampit si kabinete, krevate dhe tavolina.