Në datën 27 Janar 2015, Qendra e Informimit të Bashkimit Evropian, mirëpriti konferencën “Projekti i vlerësimit të kornizës kundër korrupsionit në Shqipëri : Gjetjet, rekomandimet dhe hapat e mëtejshëm.
Ky projekt i mbështetur nga Bashkimi Evropian, ka kryer vlerësime të kuadrit ligjor dhe institucional në fushat e mëposhtme:
• qasja në informacion;
• financimi i partive politike;
• raportimi apo kallëzimi administrativ i korrupsionit (whistleblowing);
• deklarimet e pasurive nga zyrtarët publikë;
• normat mbi konfliktin e interesit;
• hetimi dhe ndjekja penale e veprave penale që lidhen me korrupsionin;
• ndëshkimi i këtyre veprave penale nga gjykatat, përfshirë parandalimin e korrupsionit mes gjykatësve.
Marrë së bashku, vlerësimet kanë dhënë gjithashtu një grup gjetjesh dhe rekomandimesh globale për kuadrin e antikorrupsionit në tërësi.
Takimi u hap nga Z. Vassilis Maragos, Shef i Njësisë, DG NEAR, Komisioni Evropian, i cili i uroi mirëseardhjen të pranishmëve dhe të ftuarve në panel, si dhe bëri një prezentim të objektivave të kësaj konference.
Znj. Romana Vlhautin, Ambasadore e Bashkimit Evropian në Shqipëri, e cila mori pjesë në këtë takim, theksoi ndër të tjera se “Shqipëria duhet t`i adresojë çështjet që lidhen me luftën kudër korrupsionit, me kurajo dhe vendosmëri. Kjo duhet bërë me nisma konkrete për të forcuar legjislacionin si dhe burimet financiare dhe njerëzore – me qëllim ndërtimin e një sistemi kombëtar me integritet.
Z. Bledi Çuçi, Ministër Shteti për Çështjet Vendore dhe Koordinatori Anti – Korrupsion, ekspertet e projektit Z. Quentin Reed dhe Mr. Gent Ibrahimi, si dhe Znj, Eridana Çano, Drejtore e kabinetit të Zyrës së Koordinatorit Anti – Korrupsion, gjithashtu morën pjesë në këtë takim.
Gjatë fjalëve të tyre ata adresuan çështje të rëndësishme, si për shembull; nevoja për të formuluar dhe zbatuar një politikë anti – korrupsion. monitorimi – dhe ku është e nevojëshme, të propozohet, rritja apo ndryshimi i burimeve financiare, fizike dhe njerëzore të aktorëve më të rëndësishëm të fushës së anti – korrupsionit. Më tej ata e vlerësuan rolin e Koordinatorit Kombëtar Kundër Korrupsionit si një kanal të rëndësishëm për ankesat mbi korrupsionin dhe sjellet e gabuara të administratës publike.
Ambasadorë të ndryshëm të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, si dhe Ambasadori i OSBE –së në Shqipëri, morën pjesë në këtë takim duke adresuar çështje që lidhen me temën e anti – korrupsionit në Shqipëri.
Po ashtu, një numër i madh palësh të interesuara ndoqën këtë takim duke marrë pjesë aktive në seancën e pyetje– përgjigjeve që pasoi fjalimet e folësve.
Takimi u transmetua drejtpërsëdrejti nga një numër i madh kanalesh televizive shqiptare.