BEN ANDONI
Në një nga dokumentarët e fundit për shoqërinë shqiptare, ai zgjodhi të hedhë një vështrim mbi klasën e saj të mesme. Tema social-filozofike nuk u mundua ta kapte shikuesin në gracka argumentimesh të koklavitura, por brenda një loje të thjeshtë të së përditshmes.
Pluton Vasi zgjodhi të jetë vetë personazh, e brenda një kohë-jete të kufizuar, falë gjuhës së filmit, arriti të na përcjellë një fenomen të tërë shoqëror. Njësoj, edhe në shumë raste të tjera, Pluton Vasi ka vite që do të sfidojë me tema, që e kalojnë thjesht kërkimin e sforcuar për ekzotizmin e shqiptarëve. Është i bindur dhe e ka theksuar kudo se kjo temë nuk mund të shesë më, në kurriz të vlerave të vërteta të artit, por edhe falë një vetëdije qytetare, që për të është kthyer në gardian të mendimit të thelluar. Shqipëria e Pluton Vasit është një vend evropian bashkë me paradokset, vuajtjet dhe të mirat e saj, por asnjëherë një vend që të ofrohet thjesht për atë sesi na shikojnë shumë artistë dhe udhëtarë të huaj, ku qëllimi mbetet sensacioni për konsum. “Shqiptarët asnjëherë nuk kanë qenë defiçentë, as në informacion dhe as në imazhe. Rezervati i librave të ndaluar në Bibliotekën Kombëtare të para viteve ‘90, ishte thuajse kurdoherë bosh; po ashtu edhe antenat apo kanoçet e gjenin drejtimin shumë kollaj të orientuar nga dora e mendja e shqiptarëve…”, do konfesonte ai në një intervistë.
Pluton Vasi i përket atij brezi kineastësh shqiptarë, që përshkuan fillimisht shesh-xhirimet si asistentë me kolegët e tij të vjetër, shkolluar kryesisht në vendet e Lindjes dhe që i kapi sfida e përcjelljes së filmit shqiptar para një realiteti të ri, që u hap me fillimin e viteve ’90. Vetëm se, tani buxhetet ishin reduktuar, kurse ngrehina e madhe e filmit shqiptar “Kinostudio” ishte drejt venitjes. Ajo konsumonte tashmë kujtimet e njerëzve të saj, por aspak zhurmën e shesh-xhirimeve, ku parakalonte e gjithë ekuipazhi, që prodhonte butaforitë. Vetë “Kinostudio” ishte kthyer në një simbol butaforie për t’përditshmen shqiptare. E kësaj kohe është përpjekja e regjisorit Vasi me një sërë dokumentarësh dhe filmash, që kulmuan në vitet e fundit me një film artistik me metrazh të gjatë, që edhe pse me një buxhet të vogël, do merrte vlerësime kudo nëpër festivalet ndërkombëtare. Filmi “Maja” i Pluton Vasit me skenarin e shkrimtares Luljeta Lleshanaku e kaloi ndoshta edhe parashikimin e tij më optimist. “Diktatori” Vasi në sheshin e xhirimit mundi të harmonizojë grupin e aktorëve, t’ua përcillte mirë idenë e tij dhe mbi të gjitha mesazhin e vet artistik.
Por, asnjëherë pa cënuar kanonet estetike të së bukurës dhe të ndryshmes. Kur e pyetën për zgjidhjen e tij, përgjigja ishte gati e prerë:“Shqipëria nuk është ekzotike, është një ndër vendet më të qytetëruara, në 365 ka dritë, ndërsa historia e menaxhimit është një tjetër gjë”. Paradoksi i subjektit u mbajt në nivel të arsyeshëm për ta përcjellë jo thjesht si ngjarje lokale, por si metaforë ballkanike. Dhe, çelësi i suksesit kish qenë pikërisht këtu. Puna me stafin e vet ishte bërë për të treguar një subjekt realisht metaforë dhe jo thjesht një subjekt për subjekt. Në ato që do pohonte më vonë, ai ua bëri të qartë të gjithëve se koncepti i tij regjisorial mbështetej dhe i dedikoj sidomos marrëdhënies mes dy palëve apo stafit të vet që vendoste.
“ Çështjet që lidhen me regjimin e filmit janë absurde për t’u diskutuar, që nga momenti kur bihet dakord për të punuar mbi një skenar, etika e korrektesa nuk diskutohen më; përjashto rastet humane e njerëzore që ndodhin kudo në botë”, do shprehej ai.
Por nëse në film metafora e tij ia kishte dalë, duket se një vazhdë e tërë filmash, realizuar derti më atëherë, ia kishin lehtësuar suksesin. Me temën e dokumentarit “Në Shkodër”, mbaruar pak më parë, ai tregoi pa asnjë dyshim se sensi për të thjeshtësuar idenë, në mënyrë që të përcillet sa më kuptueshëm dhe drejtpërdrejtë, është një element tejet i rëndësishëm. E, kjo mbetet edhe një nga sfidat e tij në art. Dhe, nuk mund të jetë kurrsesi pak, kur kjo të përcjell drejt suksesit. “Maja” do ta shpërblente atë vetë, si regjisorin më të mirë, por edhe aktorët e tij. I kënaqur, pas këtij kalvari pune, ai do shprehte emocionalisht një qëndrim të vetin për çmimet si motive, por ndërkohë edhe një kënaqësi, që donte ta dëgjonte dhe për krijues të tjerë. Tek e fundit, suksesi është grishja për më tej, është fryti i pasionit. E mirëkuptonte xhelozinë që solli çmimi, por edhe e dëshironte atë. Suksesi, në fakt, ndiqte atë të një filmi tjetër artistik, por me metrazh të shkurtër. “Shqetësimet e një obezi”, shënoi sukses dhe u nominua ndër më të mirët në disa festivale ndërkombëtare, mes të cilave dhe në Festivalin e Filmit “Swansea Bay” në Uells. Përtej humorit, ai e bëri publikun shqiptar dhe atë ndërkombëtar të shkonte pak më tej, tek ajo e përditshmja njerëzore që ai e tregoi se ndodh ngado në botë.
Pluton Vasi, në fakt, kalin e tij të betejës e ka në drejtimin e filmave dokumentarë, ku e gjen veten falë kulturës dhe njohjes së mirë të disa disiplinave në art. “Lojë botash”, “Mjekër e thinjur”, “Ç’do të thotë”, “K.E.N.G.A., “Gjitoni”, kanë zgjidhur e përcjellë për publikun tema të vështira. Prova është se kanë marrë shumë çmime, pasi kanë përcjellë mesazhe të mëdha sociale. Në njërën syresh, me pak elementë në dukje, por në fakt me një përpjekje të bukur të skenarit dhe të kamerës na ka dhënë një situatë minoritarësh në Shqipëri, sesi janë shkrirë me njerëzit dhe sesi është e përditshmja, ku përmes ritualit t’dasmës, konceptimeve arkitektonike dhe këngës polifonike është dhënë një peizazh i gjerë i bashkëjetesës së komuniteteve…
Në kohë të lirë, Pluton Vasi vazhdon të ushqehet në shumë fusha të artit. Jo thjesht, sepse ato e ndihmojnë, por mbetet nga të paktit regjisorë, që mundohet të mbajë standardin e artit që bën në nivele sipërore.
A do kishte një frymë më të mirë mes kineastëve shqiptarë nëse do realizoheshin tryeza apo mundësi komunikimi më të shumta me njëri-tjetrin? Ai e imponon mendimin e tij me qëndrimin, dashamirësinë por edhe angazhimin e madh drejt profesionalizmit, pasi ato i japin jetë përparësive, ideve të reja. Janë pikërisht ato që e kanë përcjellë deri më sot te suksesi.
Ndaj, “nuk është modest”, në kuptimin klasik, të asaj si e shesin këtë atribut shumë, por dëshiron që suksesin ta gëzojë dhe ta ndajë. Tek e fundit është një prag, nga ai që të frymëzon dhe të nguc më përpara. “Aty ka një fole dashurie të jashtëzakonshme. Ne duhet të komunikojmë me njerëzit. Mesazhi është që ne duhet të përpiqemi të krijojmë ura, të punojmë për njëri-tjetrin. Të mos luftojmë për të kërkuar të çuditshmen, por atë fare të zakonshmen. Nuk ka të jashtëzakonshme”, shprehet kineasti, që në fakt ka arritur shumë, por si gjithnjë i mëdyshuar deri në fund para chak-ut të mbylljes.