Dimensioni ekonomik i procesit të integrimit
Ashtu sikurse sugjerohet në literaturë dhe pasi kontrollojmë për një sërë efektesh që nuk kanë të bëjnë me procesin e integrimit të Shqipërisë me BE-në, ne gjejmë evidencë se flukset tregtare të Shqipërisë me vendeve të BE- së të prekura më pak ose aspak nga kriza janë rritur në përqindje të totalit. Ajo që duket më e rëndësishme është se kjo rritje dominon rritjet respektive të flukseve të tregtisë së Shqipërisë me secilën nga zonat e tjera të botës.
Ne gjejmë gjithashtu evidencë se në rastin e Shqipërisë gjatë periudhës së pas hyrjes në fuqi të MSA-së (2009-2012) ka një rritje të ndjeshme të IHD-ve ndonëse periudha në fjalë koinçidon me ashpërsimin e krizës së borxheve sovrane në eurozonë, që është zona e origjinës së një pjese të konsiderueshme të IHD-ve për në Shqipëri. Por, rezultatet e mësipërme të flukseve tregtare Shqipëri – BE ndonëse të qarta dhe interesante duhet marrë me rezervë të paktën për tre arsye: së pari, periudha e të dhënave të përdorura është relativisht e shkurtër; së dyti, rritja e flukseve tregtare Shqipëri – BE, ndonëse më e larta, nuk është statistikisht e ndryshme nga rritja e flukseve me dy zonat e tjera më të afërta dhe së treti, metoda e kontrollit për krizën është e përafërt. Gjithashtu, evidenca e IHD-ve duhet marrë me rezervë sepse periudha 2009-2012 koinçidon edhe me futjen e Shqipërisë në NATO gjë që me të drejtë mendohet se ka ndikuar pozitivisht në rritjen e sigurisë dhe për pasojë edhe të IHD-ve në Shqipëri.
Analiza e flukseve tregtare do të pasurohej shumë nëse do të zbatohej edhe në nivel mikro, dmth. duke zbatuar të njëjtën metodologji për secilën kategori importesh dhe eksportesh. Ne gjithashtu mendojmë se efektet potenciale të integrimit europian në rritjen ekonomike dhe në fushën e integrimit financiar do të materializohen më tej teksa Shqipëria ti afrohet anëtarësimit të plotë në BE. Studime të mëtejshme është mirë të fokusohen në këto drejtime.
Integrimi europian do të kishte efekte në rritjen ekonomike të Shqipërisë në atë masë që ndikon akumulimin e kapitalit fizik, njerëzor dhe teknologjik. Teorikisht përcaktohen dy mekanizma, përmes të cilëve integrimi europian ndikon akumulimin e kapitalit: Së pari, integrimi europian e bën më efiçente ekonominë, dmth. i paraprin një efekti pozitiv shpërndarjeje të burimeve, sjell rritjen e prodhimit dhe kjo, më tej – duke supozuar një raport konstant investimesh kundrejt të ardhurave – çon në rritjen absolute të investimeve. Rezultati përfundimtar është një sasi më e madhe e kapitalit dhe e të ardhurave për frymë në ekuilibër. Së dyti, ai mund të sjellë edhe rritjen e raportit të investimeve kundrejt të ardhurave përmes uljes së rrezikut. Ashtu sikurse edhe në rastin më sipër, rezultati përfundimtar është një sasi më e madhe kapitali dhe të ardhurash për frymë.
Për vlerësimin e efekteve të integrimit europian në investime dhe rritjen ekonomike, literatura është marrë sidomos me rastet e vendeve që i janë bashkuar BE-së gjatë rrugës. Vende të tilla janë Portugalia, Spanja, vendet Balltike, Greqia, etj. Kështu, në Portugali (Baldwin dhe Seghezza, 1998) investimet në raport me PBB–në u rritën shumë dhe shpejt në periudhën para anëtarësimit në BE. Edhe në Spanjë, pas anëtarësimit, investimet u rritën shumë duke mbështetur teorinë që lidh integrimin më të ngushtë me rritjen e investimeve dhe më tej me rritjen ekonomike.
Është e vështirë për tu përgjigjur pyetjes për ndikimin e procesit të integrimit në rritjen ekonomike. Teorikisht nuk ka dyshime se integrimi europian sjell, deri në terma afatmesme, një rritje më të lartë ekonomike për vendet që anëtarësohen në BE. Por, në fushën empirike rezultatet nuk janë aq bindëse. Gjithësesi, në përputhje me hipotezën e ngritur në këtë studim, ne nuk mendojmë se faza e tanishme, relativisht e hershme, e procesit të integrimit Shqipëri – BE ka lënë gjurmë në rritjen ekonomike të Shqipërisë apo në zhvillimet e tregjeve të saj financiare. Këto mbeten drejtime për tu eksploruar në të ardhmen teksa Shqipëria të avancojë në fazën e integrimit europian.
Një analizë cilësore e perspektivave të aktorëve kyç të procesit të integrimit
Kostot dhe përfitimet në aspektin politik dhe institucional nuk mund të shihen veçse në terma afatmesëm dhe afatgjatë në lidhje me atë që është tashmë ‘e vetmja lojë në qytet’ ose ndryshe ‘alternativa e vetme e zhvillimit të Shqipërisë’ – integrimi në BE. Kur flitet për PSA-në, MSA-në, lëvizjen e lirë në zonën Shengen apo marrjen e statusit të vendit kandidat, përveç simbolikës që lidhet me momente dhe data të caktuara, në terma politik është procesi ai që fiton rëndësi. Në këto kushte, procesi i integrimit në BE i ka ndikuar institucionet, demokratizimin, dialogun politik dhe politikbërjen në Shqipëri në aspektin formal dhe përmbajtësor si në terma kostosh ashtu dhe përfitimesh.
Përfitimet:
Në terma formal, sidomos gjatë intervistave të thelluara, u vu re se aktorët e përfshirë në proces nënvizuan anën normative të procesit, sidmos përmirësimin e kuadrit legjislativ; vendosjen e standardeve të përbashkëta; asistencës financiare dhe ndërtimin e kapaciteteve për çështjet e brendshme dhe të sigurisë. Në aspektin normativ, përafrimi i legjislacionit është ndoshta dhe arritja më e matshme në terma sasior, ndërkohë që përshtatja me kontekstin vendor dhe zbatueshmëria e tij ka përbërë dimesnionin më problematik të kuadrit legjslativ.
Po në aspektin formal, procesi është shoqëruar edhe me një sofistikim të aspektit burokratik (në kuptimin e drejtpërdrejtë dhe pa konotacion negativ) duke qënë se procesi është shoqëruar me ngritjen e një serie strukturash dhe institucionesh të reja në shërbim si të qytetarëve dhe aktorëve të përfshirë në proces (shoqëria civile, grupet e interesit, etj) por edhe në shërbim të koordinimit ndërinstitucional dhe mbarëvajtjes së vetë procesit. Shembulli më konkret është ngritja e Ministrisë së Integrimit Europian dhe të gjithë strukturave që lidhen me integrimin në BE nëpër institucione të tjera.
Në terma përmbajtësor, analiza e të dhënave tregon se procesi i integrimit europian ka shërbyer si një shtysë e fortë për zhvillimin e institucioneve në vend; koordinimin ndërinstitucional; ngritjen e institucioneve të reja; hapjen e vendimmarrjes përkundrejt aktorëve të tjerë shoqërorë dhe rritjen e llogaridhënies; përmirësimin e burimeve njerëzore dhe shtimin e kapaciteteve përthithëse të fondeve.
Një drejtim tjetër në të cilin Shqipëria ka përfituar nga procesi i integrimit është ai i funksionimit të institucioneve në terma të: zhvillimit të kapaciteteve institucionale dhe njerëzore përmes programeve të asistencës; koordinimin ndërinstitucional më të plotë; shtysën për pavarësinë e insitucioneve; intensitetin dhe shpejtësinë e përmirësimit të cilësisë së funksionimit të institucioneve dhe kapacitetin e tyre teknik.
Sa i takon demokratizimit dhe dialogut politik, Shqipëria vlerësohet të ketë përfituar nga procesi i integrimit në këto aspekte: fuqizimi i aktorëve politik; përmirësim i proceseve demokratike (zgjedhjet) dhe ndërmjetësim në zgjidhjen e situatave të polarizuara; vendosjen e një kornize bazë për llogaridhënien dhe transparencën në vendimmarrje; procesi ka shërbyer si nxitës i reformave për dialogun politik. Integrimi europian ofron modelin e zhvillimit politik, institucional, ekonomik dhe shoqëror. Komunikimi dhe hapja me Europën dhe rritja e ndjesë së përkatësisë në vlerat europiane i kanë shërbyer zhvillimit të shoqërisë shqiptare; integrimi europian është proces i vazhdueshëm kushëtizimi, negocimi, përafrimi dhe thellimi që ndihmon demokratizimin.
Sa i takon cilësisë së politikëbërjes, vendimmarrjes dhe llogaridhënies vlerësohen si përfitime shtysat dhe presioni i BE-së për të krijuar institucionet, kuadrin ligjor dhe mekanizmat për procese konsultimi me aktorët e tjerë në shoqëri. Përfitime në këtë drejtim janë: proces konsultativ nën shtysën e BE-së sa i takon politikave/strategjive – konsultim dhe monitorim; zgjidhja e krizave të brendshme përmes ndërmjetësimit të institucioneve të BE-së; shtysa pozitive për përgatitjen e dokumentave strategjikë; rritja e aksesit në informacion për qytetarët dhe krijimi i kulturës dhe praktikës së punës së llogaridhënies; përforcim i rolit të aktorëve të shoqërisë civile në kërkesat për llogaridhënie përmes instrumentave formalë dhe jo formalë; si dhe ngritja e strukturave formale për zhvillimin e integruar në nivel vendor.
Kostot:
Sa i takon kostove të procesit të integrimit, përfaqësuesit e institucioneve qeveritare identifikojnë si koston më të lartë koston financiare të përafrimit të legjislacionit dhe përputhshmërinë me kontekstin shqiptar, ngritjen e instrumentave për zbatueshmërinë e legjislacionit dhe zhvillimin e kapacitetit njerëzor.
Një kosto tjetër e identifikuar nga përfaqësuesit e institucioneve qeveritare është krijimi i varësisë ndaj kushtëzimeve të BE-së duke cënuar kështu krijimin e një kulture qendrueshmërie dhe të qenësishme të hartimit të politikave dhe proceseve që burojnë nga brenda dhe jo të kushtëzuara nga presioni i jashtëm.
Nga përfaqësuesit e shoqërisë civile, një seri kostosh janë identifikuar si: komunikimi i brendshëm institucional është cënuar nën presionin e kryerjes së proceseve në mënyrë të përshpejtuar sipas kushteve të BE-së; është cënuar ndërlidhja e qënësishme mes vullnetit dhe vendimmarrjes politike me proceset teknike e politkëbërëse në nivele të tjera institucionale; procesi i integrimit si më shumë teknik dhe ekzekutiv dhe mund të cënojë balancën dhe pavarësinë e institucioneve nëse instrumentalizohet nga aktorët politik.
Kostot kryesore sa i takon demokratizimit dhe dialogut politik janë: kushtëzimi politik krijon varësi të aktorëve dhe institucioneve kundrejt atyre të BE-së; Parliamenti Europian (grupim politik) nuk ka dalë gjithmonë me një qendrim të përbashkët dhe kjo ka thelluar polarizimin në arenën politike në Shqipëri. Megjithatë, problematike më e madhe këtu nuk vjen nga kostot në vetvehte, sesa nga instrumentalizimi i procesit nga aktorët politik, komunikimi politik i personalizuar dhe në llogore të ndryshme, fitimi i një farë ‘imuniteti’ ndaj kushtëzimit të BE-së.
Në lidhje me politikëbërjen, vendimmarrjen dhe llogaridhënien, presioni i jashtëm i realizimit të proceseve konsultative dhe monitoruese ka sjellë një mungesë të pronësisë së tyre lokale, e cila do të ishte më e qartë nëse proceset do kishin ndodhur gradualisht dhe si një nevojë e brendshme. Gjithashtu, konsultimi me grupet e interesit dhe shoqërinë civile shpesh nuk është i qenësishëm, por i bërë shpejt e shpejt për shkak të pranisë së përfaqësuesve të BE-së apo nevojës për të raportuar.
— Përmbledhje e projektit kërkimor për analizën e kostove dhe përfitimeve të procesit të integrimit europian të Shqipërisë, realizuar nga një grup ekspertësh të ACIT me mbështetjen e Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë. Ky projekt synon të kontribuojë në një dimension të munguar deri më tani, pra në debatin e mirëfilltë dhe të stukturuar mbi analizën e kostove dhe përfitimeve të procesit të integrimit. Autorë: Arjan Kadareja, PhD; Dokt. Blerjana Bino; Dokt. Besart Kadia; Elona Varfi, MSc; Sashenka Lleshaj, MSc; Dorela Noti, MA ; Erisa Çakalli, BA.