Qasjet jokohorente ndaj detyrimeve të integrimit: rasti i strategjisë së migracionit

0

Alba Cela

Në gusht të vitit 2012 në tryezën e Kryeminsitrit të asaj kohe, z. Berisha, qëndronte një listë e ngarkuar me titujt e shumë strategjive dhe planeve të veprimit të gjykuara të nevojshme për tu hartuar e miratuar për një swrw fushash të rëndësishme. Një mungonte: Strategjia Kombëtare për Migracionin 2013-2018. Strategjia përkatëse e mëparshme (2005-2010) e kishte mbyllur ciklin. Zbatimi i saj ishte vlerësuar dhe partnerët ndërkombëtarë kishin filluar punën për hedhjen e hapave të tjera që do të bënin të mundur vijimin e angazhimeve.

Mungesa e emrit të kësaj strategjie në urdhërin e miratuar nga Kryeministri Berisha, nr.93, datë 7.8.2012, “Për përgatitjen e strategjive sektoriale e ndërsektoriale kombëtare për periudhën 2013 – 2020, si dhe dokumenteve strategjikë sektoriale 2013 – 2020, në kuadër të Strategjisë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim, 2013 – 2020”, ishte vërtet e habitshme. Për më tepër kur ishte vetë qeveria shqiptare që rreth 7 muaj më pare kishte nxjerrë urdhërin për krijimin e grupit të punës që do ishte përgjegjës për strategjinë e re. Me pritshmërinë se kjo strategji do hartohej dhe miratohej, masa të ndryshme që lidheshin me konsultimet për bërjen e saj si dhe me fillimin e zbatimit të saj ishin përfshirë edhe si disa pika konkrete veprimi në Planin Kombëtar të Zbatimit të MSA 2012-2015 përkatësisht në Kapitullin e Lirisë së Lëvizjes së Punëtorëve. Dy takime pune ishin organizuar ku përfaqësues nga organizata me ekspertizë si IOM ishin ftuar për të asistuar hartimin e strategjisë dhe madje ishte arritur në një skelet-strukture për të. Por lëshimi i një urdhëri të kryeministrit fshiu përfundimisht këtë strategji, duke abortuar atë që në ngjizje, për shkaqe me shumë gjasa burokratike.

Edhe pse nuk u kuptua asnjëherë nëse mungesa e emrit të kësaj strategjie ishte një lapsus administrativ, apo një rikalkulim i prioriteteve strategjike, puna e nisur zyrtarisht u ndërpre menjëherë dhe partnerëve të interesuar iu komunikua se do të zbatohej një qasje e re, ajo e përfshrijes së objektivave dhe masave të lidhura me migracionin në strategji të tjera.

Opinioni i organizmave ndërkombëtarë ishte kundër kësaj qasjeje duke argumentuar se ishte e pamjaftueshme që thjesht disa masa të shpërndaheshin nëpër dokumenta të tjerë strategjikë. Në një konferencë në prill të 2013, IOM dhe Delegacioni Europian u shprehën se “përfundimi i periudhës së zbatimit të Strategjisë së Migracionit (2005-2010) ka krijuar një vakum politikash… [dhe se] është e rëndësishme që Shqipëria të zhvillojë një strategji të re migracioni dhe masa veprimi në përputhje me legjislacionin e BE-së.”E megjithatë gjendja nuk ndryshoi. Asnjë nga strukturat shtetërore nuk e raportoi mos-hartimin e kësaj strategjie si një mungesë në raportet e tyre rutinore për Grupet e Punës që mbledhin informacion për integrimin.

As qeveria e re që nga shtatori i vitit të kaluar së bashku me drejtimin e vendit mori në përgjegjësinë e saj detyrimet e integrimit nuk duket se ka vlerësuar të ndjekë një politikë të ndryshme në këtë aspekt. Duket se migracioni do të mbulohet aq sa të mundet nëpërmjet Strategjisë Kombëtare të Menaxhimit të Kufijve ndërsa politikat e migracionit të punës janë përfshirë në draftin e ri të Strategjisë Kombëtare për Punësim dhe Aftësi 2014 – 2020 që ende nuk është miratuar.

Shembulli i sagës interesante por fatkeqe të strategjisë së migracionit si një detyrim i caktuar dhe më vonë i braktisur nga vetë ekzekutivi i kaluar në një nga dokumentat më të rëndësishëm për integrimin europian është në të vërtetë një shembull për qasjet jokoherente ndaj integrimit. Kjo qasje vihet re jo vetëm në raste kur ndërrohet administrata por dhe brenda një administrate të pandryshuar dhe aq më tepër brenda një kohe shumë të shkurtër. Kohë kjo që gjithsesi është e pamjaftueshme për të justifikuar cilësimin e strategjisë si të panevojshme. Për më tepër mënyra jotransparente në të cilën ky detyrim u zhvlerësua flet shumë për qasjen jopërfshirëse dhe madje të papërgjegjshme me të cilën trajtohen detyrimet teknike.

Edhe sot e kësaj dite historia e cuditshme e kësaj strategjie u bë e njohur vetëm nga një monitorim i gjerë dhe krejtësisht i pavarur nga sektori i shoqërisë civile. Monitorim i cili duket se merr një vlerë më të madhe për të siguruar që asnjë detyrim mos ti shpëtojë vëmendjes së ekspertëve të pavarur dhe për pasojë presionit publik. Me përparimin e Shqipërisë në rrugën e integrimit dhe futjen në një fazë delikate si është përpjekja për të celur negociatat si dhe më vonë menaxhimi i negociatave -që do të sjellë një numër akoma më të lartë detyrimesh-, ky lloj monitorimi duket se bëhet një praktikë e detyrueshme.

(Shënim i autorit: Kjo analizë u mundësua si rezultat i punës sime për të monitoruar në mënyrë të pavarur detyrimet e qeverisë shqiptare në kuadër të zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, në kapitullin ‘Liria e lëvizjes së punëtorëve’, detyrime të përcaktuara nga vetë ekzekutivi shqiptar në Planin e Zbatimit të MSA 2012-2015. Projekti i monitorimit është mundësuar nga Fondacioni i Shoqërisë së Hapur për Shqipërinë -OSFA.)

SHPËRNDAJE