Demokalipsi që po vjen

Numri i popullsisë së Shqipërisë vazhdon të ulet me ritme të larta duke rrezikuar mirëqenien e vendit në të gjitha nivelet

0

ANDI BALLA*

Shqiptarët kanë vite që e kanë kuptuar se emigrimi masiv i qytetarëve të vendit e ka mbajtur rritjen e popullsisë së Shqipërisë të kufizuar. Por në vitin 2011, u kuptua për herë të parë me shifra se popullsia në fakt ishte tkurrur në nivele që nuk ishin parë kurrë në historinë moderne të vendit — një ulje rreth 8 për qind brenda një dekade.
Ines Nurja, që ishte në krye të INSTAT-it në atë kohë, pothuaj i shokoi ata që i dinë pasojat afatgjata të tkurrjes demografike kur dha rezultatet paraprake të regjistrimit të popullsisë të vitit 2011, nga e cila rezultonte se popullsia rezidente e vendit ishte 2,8 milionë banorë, nga më shumë se 3 milionë të numëruar një dekadë më parë, një rënie prej rreth 7.7 për qind.
Në fakt, numri i njerëzve që kanë të drejtë kushtetuese të kenë qytetari dhe pasaportë shqiptare është rritur në mbi 4 milionë, sipas statistikave, por Nurja shjegoi se rënia e mprehtë e popullsisë rezidente vinte për shkak të “emigrimit të gjerë dhe një reduktim në normën e lindjeve” mes banorëve që jetojnë në Shqipëri gjatë gjithë vitit.
Rënia ishte një konkluzion logjik i dy dekadave të emigracionit masiv — një ndryshim dramatik demografik që ka ardhur me kosto dhe përfitimeve në dy dekadat e fundit, por që në vitet në vazhdim do të rrezikojë mirëqenien e vendit në të gjitha nivelet, duke krijuar një kaskadë demografike që mund përgjysmojë popullsinë e Shqipërisë në pak dekada.
Faktori tjetër — një normë e ulët e lindjeve — është një problem i gjithë Evropës bashkëkohore, ku popullsitë në vende nga Rusia në Itali janë duke u tkurrur dhe vjetëruar. Por për Shqipërinë gjërat janë edhe më keq nga fakti se shumica emigrantëve shqiptarë jashtë vendit janë në vitet e tyre më pjellore dhe fëmijët i lindin në vendet pritëse.
Shqipëria është edhe shteti i kontrasteve të mëdha historike në këtë fushë, sepse vendi dikur kishte familjet më të madha të Evropës. Sot, familja tipike shqiptare ka më pak se dy fëmijë, ndërsa në vitin 1961 familja tipike kishte gjashtë fëmijë. Kjo ndihmohej nga politikat e shtetit komunist të kohës, i cili e kishte përparësi shtimin e fuqisë punëtore dhe jepte shpërblime monetare për nënat që bënin mbi gjashtë femijë. Gratë me më shumë se 10 fëmijë shpalleshin “Nënë Heroinë” dhe iu jepej një lopë si dhuratë nga shteti. Aborti, i cili sot në Shqipëri është i ligjshëm dhe gjerësisht i praktikueshëm, nën komunizëm ishte i ndaluar përveç rasteve kur rrezikohej jeta e nënës. Planifikimi familjar, i cili sot praktikohet në mënyre pothuajse universale në Shqipëri, atëhere ishte inekzistent.
Ndryshimet e shpejta ndodhën në dy dekadat pas rënies së komunizmit dhe në vitin 2002 norma e lindjeve ra nën vijën e kuqe të 2,2 lindje për grua, numri që i duhet që një popullsi të qendrojë konstante, dhe sipas të dhënave të fundit në dispozicion, ato të vitit 2011, norma e lindjes tashmë është 1.7, pra Shqipëria vazhdon të tkurret në mënyrë natyrale.
Mbi këtë tkurrje, Shqipëria ka gjithashtu një nga përqindjet më të larta të emigracionit për frymë në botë, sipas Organizatës Ndërkombëtare për Migrim.
Vetëm në Bashkimin Evropian, të dhënat zyrtare Eurostat tregojnë shqiptarët janë numri i tretë më i madh i qytetarëve jo komunitarë që jetojnë në vendet e BE. Dy më të lartët janë shtetas të Turqisë dhe Marokut, por këto vende kanë përkatësisht 25 herë dhe 10 herë madhësinë e popullsisë së Shqipërisë.
Të dhënat e Eurostatit në vitin 2011 tregonin se 1,1 milion shqiptarë jetonin në BE, ku Greqia dhe Italia kanë pjesën më të madhe të tyre. Vetëm në Itali, kishte 467 mijë shqiptarë. Eurostat nuk dha të dhëna zyrtare për Greqinë, por numri i shqiptarëve atje në vitin 2011 ishte mbi 500 mijë sipas disa burimeve të tjera.
Emigracionit shqiptar për në BE u ndihmua nga afërsia gjeografike dhe ngjashmëritë kulturore, por shqiptarët e kanë përhapur në të gjitha qoshet e botës – nga Afrika e Jugut në Argjentinë e nga Australia ne ShBA, shqiptarët kanë krijuar komunitete të vogla e të mëdha, dhe po rrisin fëmijët e tyrë ne mërgim. Autoritetet e regjistrimit të popullsisë në Amerikën e Veriut, për shembull, kanë raportuar më shumë se 200,000 banorë të lindur në Shqipëri që jetojnë në SHBA dhe Kanada. Fëmijët e tyre të lindur atje, po kështu me qindra mijra, kanë dyshtetësi që në ditën e parë të jetës e nuk futen në shifrat e raportuara nga zyrtarët amerikanë e kanadezë.
Po pse është kjo prirje një problem? Në fund të fundit, ulja e popullsisë rrit mirëqënien dhe cilësinë e jetës për familjet më të vogla dhe fëmijët e tyre dhe është një dukuri e vendeve të zhvilluara.
Kjo nuk është e vërtetë kur popullsia, ashtu si në rastin e Shqipërisë sot, tkurrjet shumë dhe ka tendenca të qëndrueshme tkurrjeje, thonë ekspertët. Në se prirjet e tanishme vazhdojnë, nuk eshte e pabazë, për shembull, të imagjinohet një Shqipëri me 1,5 milionë banorë në vitin 2050, në se nuk ka ndryshime të tjera të mëdha.
Përveç rënies në normën natyrale të lindjes, shqiptarët vazhdojnë të emigrojnë dhe do të vazhdojnë ta bëjnë këtë edhe më shumë kur Shqipëria të bëhet antare e BE-së dhe shqiptarët të kenë mundësi ligjore të punojnë në vendet më të pasura të Evropës, të cilat po ashtu kanë kriza të ngjashme demografike dhe do kenë nevojë për krah pune. Përfitimi i tyre do të jetë humbje për Shqipërinë.
Emigranti tipik shqiptar do të vazhdojë të vijë nga pjesa më vitale e popullsisë: të rinjtë, familjet e reja dhe fëmijët e tyre. Ky është edhe segmenti i popullsisë që gjeneron rritje ekonomike, paguan më shumë taksa dhe mban peshën e sigurisë sociale në vënd.
Numri më i pakët i të rinjve do e kthejë përmbys piramidën demografike, duke e bërë popullsinë e Shqipërisë më të pasigurtë nga ana ekonomike. Skemat e pensioneve nuk do të mbahen dot në këmbë. Shteti do të jetë më i varfër sepse do të ketë më pak taksapagues. Tkurrja e numrit të konsumatorëve do të ulë peshën e ekonomisë dhe aftësinë thithëse për investime. Dhe tkurrja e numrit të shqiptarëve në përgjithësi do t’i ulë peshën vendit në forumet ndërkombëtare.
E vetmja pjesë e Shqipërisë që fiton nga tkurrja është natyra dhe ambjenti, po edhe aty do të ketë më pak njerëz për të pastruar dhe rregulluar shkatërrimin brutal që i është bërë në dekadat e fundit.
Nuk ka zgjidhje të lehta për këtë problem. Sa kohë që Shqipëria nuk ofron shpresë dhe mundësi të mjaftueshme për një jetë më të mirë në vend për veten dhe fëmijët, shumë shqiptarë do vazhdojnë të largohen nga vendi, dhe vala e fundit e largimit drejt BE-së është pjesë e kësaj prirje.
Për ata që mbeten në Shqipëri, këshilla më e mirë dhe zgjidhja më e thjeshtë vjen nga udhëheqësi shpirtëror i katolikëve të Shkodrës, Ëngjëll Masafra, i cili në një urim për Krishtlindjet u shpreh: “Përqafoni jetën – bëni fëmijë.”

 

* Ky shkrim është përkthyer dhe adaptuar nga kapitulli “Tkurrja e Shqipërisë” i “Pitbullët dhe Fluturat: Histori nga një vend në udhëkryq”, një libër gazetaresk në anglisht për lexues ndërkombëtarë dhe botuar rishtazi nga Instituti Shqiptar për Studime Ndërkombëtare. Balla është kryeredaktori i gazetës në anglisht “Tirana Times” dhe ka punuar si reporter dhe redaktor në Amerikën e Veriut dhe në Ballkan prej vitit 2002. Ai është një nga gazetarët më me përvojë që aktualisht mbulojnë Shqipërinë dhe shqiptarët për audiencat ndërkombëtare.

SHPËRNDAJE