Shqipëria në zgjedhje

1

SASHENKA LLESHAJ

 

 

  • Zgjedhjet vendore të 21 qershorit 2015 në Shqipëri do të realizohen pas ndarjes së re administrativo-territoriale të vendit, gjë që ka shtuar si konfuzionin ashtu edhe rëndësinë e garës për të qenë në krye të 61 bashkive të reja të Shqipërisë. Rindarja administrativo-territoriale e vendit, sipas së cilës do të zhvillohen këto zgjedhje, nuk është shoqëruar akoma me ndryshime në kompetencat e pushtetit vendor përmes një reformë më të gjerë decentralizmi duke bërë që ndryshimi formal i hartëzimit të zonave të mos shoqërohet me një ndryshim substancial të pushtetit vendor në Shqipëri.
  • Ndarja e Shqipërisë në më pak njësi, më të mëdha e për pasojë më të rëndësishme e bëri më të egër garën brenda-partiake për përzgjedhjen e kandidatëve partiak që do të garojnë për kryetarë bashkie, duke qenë se ky post fitoi peshë të shtuar. Për pasojë, kandidatët partiak u evidentuan relativisht vonë, nga gjysma e dytë e prillit. Edhe njëherë, u vërtetua që partitë politike në Shqipëri janë organizma të mbyllur, ku fjala e fundit në vendimmarrje, e për pasojë edhe në caktimin e kandidatëve, u takon liderave të partive.
  • Dy koalicionet kryesore që konkurojnë në këto zgjedhje janë Aleanca për Shqipërinë Europiane, e mbledhur rreth mazhorancës PS-LSI, dhe Aleanca Popullore për Punë dhe Dinjitet, e mbledhur rreth opozitës me në krye PD. Ndërkohë që në zgjedhjet që po afrojnë Aleanca për Shqipërinë Europiane kërkon një votë besimi për punën e deritanishme të qeverisë dhe Aleanca Popullore për Punë dhe Dinjitet kërkon një votë mosbesimi për qeverinë, kandidatët e pavarur që nuk konkurojnë nën siglat e partive apo koalicioneve advokojnë zhvendosjen e garës nga partitë tek individët dhe programet e tyre për bashkitë specifike.

 

  • “Beteja” për bashkinë më të rëndësishme në vend, Bashkinë e Tiranës, duket më e forta dhe më e paparashikueshmja në këto zgjedhje edhe pasi përveç kandidatëve nga dy partitë më të mëdha, opsioni i tretë për të zgjedhur një kandidat të pavarur duket kërcënues për rendin ekskluzivisht partiak që kanë zgjedhjet në Shqipëri. Bashkia e Tiranës ka shërbyer vazhdimisht si pol balancues i mazhorancave qeverisëse në Shqipëri, kështu që beteja për këtë post ka rëndësi të shtuar dhe simbolike në zgjedhje.                  

 

Shqipëria nuk ka qenë ndonjëherë më e elektrizuar në prag të zgjedhjet vendore sesa këtë vit përpara 21 qershorit 2015. Këto zgjedhje do të prodhojnë vetëm 61 fitues në krye të pushtetit vendor në Shqipëri duke e shtuar presionin si ndaj partive ashtu edhe ndaj kandidatëve. Ulja me 6-fish e numrit të njësive të pushtetit vendor (nga 374 në 61) ndërkohë që përmasat e njësive janë rritur, bën që rëndësia politike dhe pesha partiake e secilit kryetar bashkie që del nga zgjedhjet e 21 qershorit të shumfishohet duke tejkaluar edhe peshën specifike të deputetëve respektiv të zonave, sidomos në kushtet kur deputetët nuk janë të zgjedhur drejtpërdrejt por përmes sistemit proporcional rajonal me lista të mbyllura.
Pritshmëritë qytetare në lidhje me këto zgjedhje lokale janë gjithashtu të larta për dy arsye. E para, pas përvojës përgjithësisht pozitive me zgjedhjet e fundit parlamentare, ku dhe opozita për herë të parë pranoi rezultatin e zgjedhjeve, qytetarët shqiptar tashmë presin standarde përtej kushtit të nevojshëm por jo të mjaftueshëm të garantimit të një votimi të lirë dhe të ndershëm. E dyta, këto janë zgjedhjet e para në Shqipëri pas marrjes së statusit të vendit kandidat në Bashkimin Europian. Rritja e pritshmërive qytetare për zgjedhjet lokale e rrit në parim presionin ndaj partive dhe institucioneve përgjegjëse për garantimin e zgjedhjeve.
Të qenit në prag të zgjedhjeve vendore, ndërkohë që sapo është finalizuar edhe në ligj ndarja e re administrativo-territoriale e vendit e bën situatën në Shqipëri delikate. Në njërën anë ka risqe që lidhen me bashkërendimin kohor të këtyre dy proceseve dhe në anën tjetër ka avantazhe të cilat janë më të vështira për t’u pikasur që tani. Risqet lidhen me konfuzionin e qytetarëve në lidhje me zonave që ata u përkasin tashmë si dhe me identifikimin e tyre me kandidatët që iu ofrohen, ndërkohë që ndryshimet administrative nuk janë tretur akoma për shumicën e qytetarëve.1
Në anën tjetër, avantazhi i finalizimit të reformës territoriale në prag të zgjedhjeve vendore ka potentialin e ridimensionimit formal të këtij pushteti në Shqipëri duke qenë se ofron një situatë të re përpara fillimit të mandateve pasardhëse të pushtetit vendor. Megjithatë, mangësitë në shoqërimin e ndarjes së re administrativo-territoriale me kuadrin e përshtatshëm ligjor, vazhdimi me ligjin organik ekzistues të pushtetit vendor si dhe vonesat në avancimin e reformës decentralizuese bëjnë që ridimensionimi formal të mos shoqërohet akoma me një ridimensionim përmbajtësor të pushtetit vendor në Shqipëri. Për më tepër, ridimensionimi territorial mund të shoqërohet me riskun e marxhinalizimit të zonave rurale dhe cënimin e demokracisë vendore gjithpërfshirëse.
Mazhoranca në mbrojtje dhe opozita në sulm do të duhej të ishte lajmotivi i këtyre zgjedhjeve, në një kohë kur mazhoranca kërkon të ruajë pozitat e pushtetit dhe të konfirmojë pozicionin dominues, ndërkohë që opozita kërkon të fitojë terren në zgjedhjet vendore si avantazh të shtuar. Në fakt të dyja palët gjenden në kushtet e një gare të njëkohshme. E sigurtë është që këto zgjedhje janë tepër të rëndësishme, duke pasur parasysh ndarjen e re administrativo-territoriale dhe fuqinë e shtuar të 61 bashkive dhe perspektivën e fuqizimit të mëtejshëm me hapat decentralizues.

Rëndësia politike e zgjedhjeve vendore për mazhorancën dhe opozitën

Zgjedhjet vendore, sidomos ato që ndodhin në gjysmë-qeverisje, pra dy vjet pas zgjedhjeve parlamentare, janë pashmangshmërisht mjet testues si për mazhorancën ashtu edhe për opozitën. Ato tërthorazi ose drejtpërdrejt tregojnë edhe mbështetjen ose jo të popullsisë për punën e deritanishme të qeverisë, reformat e ndërmarra si dhe deri diku parashtrojnë shanset e qeverisë për një mandat të dytë. Qeveria aktuale e Shqipërisë, e kryesuar nga Partia Socialiste (PS) dhe Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI), nën siglën “Rilindja”, nga këto zgjedhje vendore kërkon një votë besimi për punën e deritanishme të qeverisë. Ndërkohë, opozita, ku aktori kryesor është Partia Demokratike (PD), kërkon nga këto zgjedhje një votë mosbesimi për qeverinë.
Sidomos bashkërendimi në kohë i zgjedhjeve vendore me reformën territoriale u jep ngjyresa të veçanta këtyre zgjedhjeve sidomos për mazhorancën e cila potentialisht do të duhet të përballet, në rast fitoreje të konsiderueshme, me kritikat e dizenjimit të territorit sipas nevojave të veta elektorale (aplikimi i gerrymandering në mënyrën e copëzimit të territorit). Po në lidhje me reformën territoriale, zmadhimi i njësive vendore u jep peshë të veçantë këtyre zgjedhjeve për faktin se më pak individë do të përfaqësojnë zona më të mëdha e më me peshë duke rritur kështu rëndësinë politike që çdo kryetar bashkie apo anëtar i këshillit bashkiak ka në vendimmarrje.
Për më tepër, njësitë më të mëdha territoriale në këto zgjedhje vendore shtojnë mundësitë e palëve (si të mazhorancës ashtu edhe të opozitës) për të përllogaritur gjendjen aktuale të votave në terma proporcional si dhe për të bërë parashikime për zgjedhjet e ardhshme parlamentare (sigurisht duke marrë parasysh oshilacionet në elektorat që lidhen me kandidatët specifik në këto zgjedhje, kandidatët në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, dinamikat e koalicioneve si dhe ndryshimet e qëndrimeve të votuesve në nja hark kohor prej dy vjetësh). Kështu, mazhoranca dhe opozita testojnë si gjendjen aktuale të votave në nivel vendor, ashtu edhe bëjnë parashikime në terma proporcional për zgjedhjet parlamentare 2017.
Në rast se në zgjedhjet e mëparshme lokale, për shkak të fragmentimit ekstrem të territorit në bashki dhe komuna, ishte e vështirë të bëhej bilanci i forcave politike fituese apo humbëse duke qenë se në një formë a një tjetër, kur fitorja apo humbja nuk ishte e thellë, secila palë mund të deklaronte fitore të disa komunave apo bashkive, tashmë do të ketë një hartëzim më të qartë të zonave të fituara/humbura nga secila forcë.
Si kudo, zgjedhjet lokale janë një test i fuqishëm për mazhorancën për të pasur legjitimitetin e duhur moral për të qeverisur pas tyre, ndërkohë që ato janë një tregues i fortë i nivelit aktual të mbështetjes për mazhorancën dhe reformat e saj. Nga ana tjetër, suksesi i opozitës në këto zgjedhje do të varet nga aftësia për të kanalizuar në favor të vet pakënaqësitë e shqiptarëve me qeverinë.

Prezantim i reformës administrativo-territoriale

Ndarja e re administrativo-territoriale, që u finalizua me miratimin e ligjit në Kuvendin e Shqipërisë në korrik 2015, e rindan vendin në 61 njësi të qeverisjes vendore (bashki) nga 374 njësi (309 komuna dhe 65 bashki) që ishin më parë. Miratimi i këtij ligji shënoi fundin e një procesi relativisht të gjatë projektimi, analize dhe konsultimi në nivel teknik dhe përmbajtësor krahasuar me eksperiencat e mëparshme të projektimit dhe implementimit të reformave në Shqipëri. Megjithatë, formati përfundimtar i hartës administrativo-territoriale të vendit me 61 njësi ishte qartësisht rezultat i një konsensusi politik në nivel partiak.
Nevoja e një reforme të re territoriale, 15 vjet pas ndryshimeve të vitit 2000,2 ishte nënvizuar vazhdimisht në Shqipëri si nga aktorë të jashtëm ndërkombëtar (EU, USAID, OSCE, UNDP, RDP/SDC, ADA)3 ashtu edhe nga të brendshëm, sidomos nga shoqëria civile, duke ofruar kështu një konsensu paraprak në parim, pavarësisht opinioneve të ndryshme të aktorëve mbi modalitetet e refomës, planin e veprimeve si dhe rendin e hapave të nevojshëm. Reforma territoriale në Shqipëri është prezantuar dhe promovuar si një kusht i domozdoshëm për të ndërmarrë më pas hapa decentralizues në favor të këtij pushteti. Kështu, fragmentimi i lartë i territorit dhe mungesa e efiçencës në ofrimin e shërbimeve si pasojë e formati të mëparshëm administrativo-territorial është cilësuar si një pengesë e pakapërcyshme në krijimin e një pushteti lokal funksional dhe aktiv në shërbim të qytetarëve.

Pse një ndarje e re administrativo-territoriale për Shqipërinë?

Në Analizën e Situatës së Qeverisjes Vendore në Shqipëri, të përgatitur nga Ministri për Çështjet Vendore drejtuar Komisionit të Reformës Administrativo-Territoriale, thuhet se: “Reforma Administrative Territoriale synon rritjen e efikasitetit të njësive vendore në kosto më të ulëta, të cilat të jenë të afta për të ofruar shërbime më të mira dhe për t’u dhënë qytetarëve dhe komuniteteve më shumë akses në këto shërbime.”4 Po në këtë raport shtjellohen 4 arsyet kryesore për nevojën e realizimit të reformës: (1) ndryshimet demografike ndër-zonale dhe mbipopullimi/shpopullimi i zonave të ndryshme në Shqipëri, (2) fragementimi i lartë i territorit, (3) mungesa e efiçencës në ofrimin e shërbimeve si dhe (4) pamundësia për të nxitur dhe mbështetur zhvillimin ekonomik vendor dhe niveli i lartë i pabarazive mes njësive të qeverisjes vendore.5
Kjo qasje zhvillimore ndaj rigrupimit administrativ të territorit në një numër më të vogël njësish që për pasojë do të kishin përmasa më të mëdha, kapacitete më të mëdha dhe do të ofronin menaxhim më të mirë të burimeve ishte advokuar edhe nga analistë dhe politikëbërës përgjatë procesit duke theksuar shumësinë e arsyeve që e bënin ndarjen ekzistuese pengesë të zhvillimit lokal në Shqipëri.6 Kështu, reforma territoriale u prezantua si domosdoshmëri për të ndryshuar një gjendje alarmante të qeverisjes vendore në Shqipëri ku bashkitë dhe komunat ishin strukturalisht të pafta të ofronin me cilësi shërbime bazë si menaxhimi i mbetjeve, mirëmbajtja e shkollave, apo kryerja e investimeve të mëdha infrastrukturore, në kushtet e një buxheti të kufizuar dhe të shpenzimit të shumicës së fondeve për pagat e punonjësve.7 Kështu, pavarësisht opinioneve të ndryshme që pasuan mbi numrin e njësive dhe parimin operacional të përcaktimit të njësive, kishte konsensus në lidhje me faktin se ndarja ekzistuese ishte jo efiçente dhe përbënte pengesë në vetvete për zhvillimin në Shqipëri.

Diskutimi i reformës: And the winner is “modeli partiak”!

Reforma administrativo-territoriale u prezanua si një ndër prioritet e qeverisë socialiste dhe puna filloi që në shator 2013.8 Ministri për Çështjet Vendore ishte përgjegjësi kryesor për realizimin e reformës administrativo-territoriale në Shqipëri. Aktivitetet prezantuese dhe diskutimet në lidhje me reformën vazhduan përgjatë vjeshtës 2013, u intensifikuan në fillim të vitit 2014 ndërkohë që në pranverë filluan propozimet konkrete për opsionet e ndarjes së hartës.
Në Kuvend, Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Reformën Administrativo-Territoriale (KPPRAT) u ngrit në janar 2014 dhe në qendër të organizimit dhe funksionimit të tij ishte balanca partiake. Kjo balancë garantohej si nga përbërja e komisionit ashtu edhe nga kriteret për vendimarrje. Kështu, dy partitë e mëdha – Partia Socialiste (PS) ashtu edhe Partia Demokratike (PD) – kishin nga 6 anëtar në komision, të ndjekura nga Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI) me 2 dhe Partia Republikane (PR) dhe Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet (PDIU)9 me nga 1 secila. Për më tepër, vendimarrja në komision kërkonte shumicë të thjeshtë duke e pamundësuar kalimin jo-konsensual të vendimeve.10
Ndërkohë që palët binin dakord mbi nevojën e reformës si dhe në kuadrimin e saj brenda përpjekjeve më të gjëra për decentralizim vendor, Halo11 argumenton se, diferenca midis mazhorancës dhe opozitës lidhej kryesisht me modalitetet dhe rendin e hapave: ridimensionim i kompetencave të pushtetit vendor dhe pastaj ndarje e re administrativo-territoriale apo ndarje e re fillimisht dhe më pas decentralizm dhe zgjerim i kompetencave të qeverisjes vendore? Opsioni i parë mbrohej kryesisht nga opozita, ndërkohë që qeveria mbronte qëndrimin se nuk mund të kishte ridimensionim kompetencash apo shtim të autonomisë qeverisëse të pushtetit vendor në kushtet ekzistuese të ndarjes administrativo-territoriale. Këto diferenca bënë që vota e opozitës të mos sigurohej për reformën, me përjashtim të votës së PDIU-së.
Pas prevalimit të opsionit të mazhorancës në lidhje me rendin e veprimeve për reformën territoriale diskutimi u zhvendos njëherazi në “lojën” e numrave, formatit të njësive dhe ofrimin e opsioneve për modelin e copëzimit të hartës së Shqipërisë në njësi të pushtetit vendor. Pas konsultimeve me grupet e interesit, ngritjen dhe trajnimin e grupeve të punës dhe dëgjesave publike, Ministri për Çështjet Vendore, Bledi Çuçi, i paraqiti KPPRAT-it 5 variante për ndarjen territoriale të vendit me opsionet 30 njësi, 39 njësi, 47 njësi, 57 njësi dhe 63 njësi.12 Pavarësisht argumentimit se secili nga variantet mbështetej mbi logjikën e krijimit të njësive funksionale që kanë paraprakisht lidhje sociale, ekonomike dhe historiko-kulturore me njëra-tjetrën, ndryshimi me dyfish i numrit të njësive nga opsioni i parë tek opsioni i pestë dëshmon për fluiditetin e parimit mbi të cilin njësitë po përcaktoheshin.
Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Reformën Administrativo-Territoriale, duke qenë dhe organi përgjegjës për përgatitjen e projektit të ndarjes, mori në shqyrtim propozimet e Ministrit Çuçi dhe miratoi dy variantet me 39 dhe 47 njësi. Nga miratimi i këtyre varianteve në maj e deri në miratimin e ligjit në parlament në fund të korrikut 2014 intensifikohen konsultimet publike, anketimi i popullsisë në lidhje me to si dhe fillojnë propozimet konkrete partiake sidomos për shtimin e numrit të njësive.13 Sidomos partia çame PDIU ishte në qendër të këtyre diskutimeve me propozimet e varianteve nga 60 deri në 80 njësi duke synuar qartazi ndarje në jug me baza më homogjene të popullsisë çame ndërkohë që kërkesat e Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut (PBDNJ)14 për trajtimin e Himarës si zonë minoritare greke u kundërshtuan si të pabazuara. Kështu, PDIU u bë aktor aktiv në bisedime duke i ofruar edhe votën mbështetëse opozitës në këmbim të marrjes parasysh të kërkesave të saj në hartëzim, gjë kjo që çoi dhe në përfshirjen e Shpëtim Idrizit nga PDIU në komision. Përparpara seancës plenare, në korrik, Ministri Çuçi prezantoi versionin me 61 bashki, version ky që u miratua në parlament me 88 vota në fund të korrikut.15 Kështu, PDIU ishte një aktor kyq në vendosjen e ndarjes me 61 bashki si dhe në ofrimin e një konsensusi më të madh parlamentar në kalimin e reformës territoriale (5 vota më tepër krahas 83 votave të mazhorancës në parlament pa votën e PBDNJ).
Pavarësisht konsultimve me shumë aktorë gjatë procesit të formësimit të reformës administrativo-territoriale në Shqipëri, versioni final me 61 bashki ishte qartazi produkt i negociatave partiake në kërkim të konsensusit politik për miratimin e reformës, sesa produkt i konsultimeve komunitare apo vlerësimeve teknike. Kjo nuk do të thotë se versioni me 61 bashki nuk ka vlera funksionale që përmbushin qëllimin e reformës, por do të thotë se delimitimi final i hartës iu përshtat nevojës së konsensusit politik për kalimin e saj në parlament. Fakti që harta e miratuar me 61 njësi nuk ishte ekzaktësisht asnjë nga 5 versionet origjinale të propozuara nga Ministri për Çështjet Vendore, e sidomos nuk ishte asnjëri nga dy versionet e miratuara fillimisht nga KPPRAT (39 apo 47 njësi) e përforcon këtë përfundim.

Disa avantazhe dhe mangësi të ndarjes së re administrativo-territoriale

Në parim, ndarja e re e Shqipërisë në më pak njësi që janë më të mëdha nxit zhvillimin lokal duke shtuar bazën e taksimit, duke rritur investimet në zona, duke ulur kostot a transaksionit dhe duke rritur cilësinë e shërbimeve. Kapacitetet e këtyre njësive do të jenë më të mëdha, duke pasur nën administrim burime më të shumta njerëzore, natyrore dhe financiare. Njëkohësisht, njësitë e mëdha eleminojnë kostot artificiale të bashkërendimit të disa njësive të pushtetit vendor për projekte minimale infrastrukturore. Kështu, duke pasur nën administrim zona më të mëdha me burime dhe kapacitete më të shumta në kushtet e evitimit të kostove artificiale, 61 bashkitë e Shqipërisë do të mund të përpilojnë strategji më gjithpërfshirëse dhe më afatgjata zhvillimore.
Për më tepër, në kushtet e një numri të vogël njësish vendore më të fuqishme, presioni lokal ndaj qeverisë qendrore do të shumfishohet. Kështu, do të jetë më e thjeshtë të avancohen problematikat konkrete të zonave në kushtet e agregimit të shqetësimeve të një komuniteti më të madh. Lënja në harresë e bashkive speficike do të jetë më e vështirë. 61 kryetarët e bashkive do të kenë një peshë më të madhe vendimarrëse bashkë me këshillat bashkiak respektiv.
Disavantazhet a reformës së re administrativo-territoriale lidhen si me efiçencën ashtu edhe me demokracinë vendore. Në një studim të realizuar nga BIRN argumentohet se kjo reformë “dëmton edhe më tej demokracinë problematike vendore pa e rritur mjaftueshëm efiçencën ekonomike”.16 Dhe vërtet, argumentimet mbi rritjen e efiçencës në menaxhimin e burimeve financiare dhe ofrimin e shërbimeve në nivel lokal i trajton bashkitë e reja si njësi homogjene ndërkohë që anashkalon faktin se komunat e ndarjes së mëparshme, sidomos ato më periferiket, potencialisht do të shndërrohen në njësi të marxhinalizuara të disa super njësive të përqëndruara tek qendrat urbane. Fakti që zyra administrative do të vazhdojnë të ekzistojnë në ish-komunat apo bashkitë e mëparshme nuk e ndryshojnë faktin që varësia e këtyre zonave nga qendra e bashkive të reja do të rritet. Njëkohësisht, numri i vogël i banorëve në shumë zona rurale të Shqipërisë e bën peshën e tyre specifike në terma elektoral shumë të vogël për kryetarët e bashkive të mëdha, duke ulur kështu incentivat për investime apo rritje të cilësisë së shërbimeve në këto zona. Nëse me ndarjen e mëparshme ekzistonte një “niveli i lartë i pabarazive mes njësive të qeverisjes vendore,”17 me ndarjen e re do të kalohet nga pabarazitë ndër-zonale në ato brenda-zonale.
Një problematikë tjetër që nuk lidhet me ndarjen e re administrativo-territoriale në vetvete por me mos shoqërimin e saj me ligjet përkatëse për funksionet e pushtetit vendor do të jetë sidomos e dukshme pas zgjedhjeve të qershorit. Kryetarët e rinj dhe anëtarët e këshillave tashmë do të kenë në administrim një territor më të madh, me më shumë qytetarë, ndërkohë që funksionet e tyre në raport me zonat e reja nuk janë përshtatur akoma. Një ndër arsyet e këtyre vonesave në kuadrin legjislativ vjen si pasojë e faktit që diskutimet në lidhje me reformën më të gjerë decentralizuese nuk kanë përfunduar akoma. Në këto kushte, është e vështirë të argumentohet mbi avantazhet e ndarjes së re adiminstrativo-territoriale kur bashkitë do të operojnë në bazën e funksioneve dhe kopetencave të vjetra.
Për më tepër, fundi i vitit 2014 dhe fillimi i vitit 2015 si muaj parazgjedhor do të kishin ofruar një mundësi të vyer për ridimensionimin e kapaciteteve të pushtetit vendor paralelisht me refomën territoriale. Parashtrimi i një projekt-ligji për decentralizimin do të kishte dy anë pozitive: (1) krijimin e një profili të ri të pushtetit vendor në terma funksional përveç atyre adiminstrativo-territorial; (2) krijimin e besimit se masat në lidhje me refomën e re decentralizuese, duke qenë se e kanë zanafillën në periudhën parazgjedhore kur të humburit dhe të fituarit nuk janë akoma të qartë, shkojnë përtej nevojave apo interesave të pushtetit qendror për t’ia përshtatur masën e decentarilizimit nivelit të fitores apo humbjes së forcës qeverisëse në zgjedhjet vendore. Kështu, periudha parazgjedhore do të kishte pasur një potencial të pakrahasueshëm për konsensus ndër-partiak i cili do të polarizohej së tepërmi pas zgjedhjeve duke qënë se reforma decentralizuese pas qershorit do të shikohej nga forcat politike në lentet e humbësve dhe fituesve. Nëse kandidatët e majtë do të kishin më tepër sukses në zgjedhje, qeveria do të kishte më tepër incentiva për të vazhduar me refomën decentralizuese ndërkohë që e kundërta do të ndodhte nëse opozita do të rezultonte e suksesshme në zgjedhjet vendore.

Reforma territoriale dhe zgjedhjet

Zakonisht, ri-ndarjet administrativo-territorial në prag zgjedhjesh konsiderohen në rastin më të mirë të dyshimta dhe në rastin më të keq të motivuara për të maksimizuar përfitimet në vota të mazhorancave që nisin reformat, duke arritur kështu në një manipulim me mjete legale të zgjedhjeve. Manipulime të tilla variojnë nga ripërcaktimet e Kodit Zgjedhor, tek rindarjet administrativo-territoriale (dhe shoqërimit të tyre me gerrymandering). Megjithatë, aplikimi i një qarku të shkurtër shkak-pasojë në lidhjen midis reformës së fundit administrativo-territoriale dhe zgjedhjeve të afërta lokale të qershorit 2015 mund të anashkalojë disa dinamika të rëndësishme të procesit, përveç potentialit që ka për të keqinterpretuar synimet aftagjata të reformës territoriale.
Pavarësisht se u argumentua më lart se ndarja territoriale me 61 bashki ishte rezultat i konsensusit politik, analizat e kryera deri më tani nga studiuesit nuk gjejnë ndonjë lidhje të veçantë midis përllogaritjeve të mundshme elektorale të mazhorancës dhe ndarjes së re territoriale. Kështu, pas një studimi që merr për bazë votat për këshillat vendor të vitit 2011, Halo18 argumenton se në disa raste copëzimet aktuale të njësive favorizojnë të djathtën, ndryshe nga sa do të kishte ndodhur nëse do të ishte vendosur për një ndarje me më pak njësi se 61. Për më tepër, arrihet në përfundimin se e djathta dëmtohet më tepër nga kushtet aktuale të koalicionit të dy ish aleatëve të saj LSI dhe PDIU me PS-në sesa nga hartëzimi i njësive. Për më tepër, Zaloshnja argumenton se në terma zgjedhor mazhorancës do t’i interesonte të ruante ndarjen e mëparshme territoriale me shumë njësi, ndërkohë që ndarja e re “do ta zbehte epërsinë paraprake që do t’i krijonte numri i madh i njësive të vogla në zgjedhjet e 2017-ës”.19
Partitë e vogla do të kenë vështirësi të shtuara në këto zgjedhje krahasuar me zgjedhjet e mëparshme vendore si pasojë e zmadhimit të njësive dhe zvogëlimit të numrit total të tyre në 61 bashki. Kështu, partitë e vogla do të kenë peshë më të vogël specifike edhe në koalicione duke qenë të pa afta të kërkojnë bashki, ndërkohë që më përpara numri i madh i njësive i bënte bastionet e tyre më domethënëse si dhe shtonte mundësitë e kompromisit me partitë e mëdha. Në kushtet e sitemit mazhoritar të zgjedhjes së kryetarëve të bashkive, partitë e vogla asimilohen në terma elektoral dhe çdo votë shkon në favor të partive të mëdha të cilat do t’i asimilojnë në terma votash dhe përfitimesh. Përjashtim bëjnë partitë me elektorat relativisht të përqëndruar, si psh PDIU, e cila e ka më të thjeshtë të propozojë një kandidat në disa bashki të jugut. Nga ana tjetër, marrëdhënia e partive të vogla me partitë e mëdha në koalicion mbetet klienteliste, siç do ta quante studiuesi Krasniqi,20 ku pavarësisht se partitë janë në dijeni të pamundësisë së tyre për të qenë aktor në zgjedhje, ato bashkohen në koalicione për të përfituar, vende në këshille, punësim të përkrahësve të tyre më vonë si dhe për të legjitimuar ekzistencën e tyre. Kjo është mjaft e qartë edhe në faktin që parti të vogla, tradicionalisht të djathta, si për shembull partia e ish-presidentit Bamir Topi, Fryma e Re Demokratike (FRD), apo Partia Demokristiane (PDK), i janë bashkuar koalicionit të majtë, i cili përveçse qeveris aktualisht perceptohet edhe si fitues (perceived ëinner) në zgjedhjet vendore.

“Si” dhe “për çfarë” konkurohet në këto zgjedhje

Organet e pushtetit vendor në Shqipëri zgjidhen sipas dy mënyrave të ndryshme të përllogaritjes së votave: me shumicë të thjeshtë dhe me proporcional zonal (bashkiak) me lista të mbyllura. Sipas Kodit Zgjedhor, nenet 162, 163, 165 dhe 166,21 kryetarët e bashkive zgjidhen me votim të drejtpërdrejtë dhe fitues shpallet kandidati që ka marrë shumicën e votave, ndërsa këshilltarët e këshillave bashkiak zgjidhen me sistem proporcional sipas një kombinimi të formulës D’Hont për shpërndarjen e mandateve midis koalicioneve dhe Sainte-Lague për shpërndarjen e mandateve brenda koalicioneve. Duke qenë se si deputetët në Kuvend ashtu edhe këshilltarët në këshillat bashkiak zgjidhen sipas proporcionalit rajonal me lista të mbyllura, aktualisht në Shqipëri kryetarët e bashkive janë përfaqësuesit e vetëm që zgjidhen me votim të drejtpërdrejtë nga qytetarët.
Ndërkohë që mënyra e zgjedhjes është parashtruar më sipër, ajo se për çfarë do të votojnë shqiptarët në zgjedhjet vendore të qershorit 2015 ka karakter të limituar lokal dhe zgjedhja parashtrohet përgjithësisht si garë ndërpartiake në nivel kombëtar sesa si garë e pushtetit vendor që u përshtatet zonave specifike. Kjo për tri arsye kryesore:
(1) Edhe pse gara për kryetar bashkie supozohet të jetë e personalizuar sipas zonave specifike dhe që partitë dhe kandidatët parashtrojnë programe që lidhen me bashkitë përkatëse, në kushtet e ndarjes së re territoriale dhe mos-shoqërimit të saj me kopetenca të reja për pushtetin vendor, kandidatët duhet të përshtaten paraprakisht me njësitë e reja që ata do të përfaqësojnë në rast fitoreje. Premtimet e reja programore është e vështirë të bëhen në kushtet e mungesës së pushtetit real për vendorët. Në kushtet e njësive më të mëdha është më e thjeshtë për partitë dhe kandidatët të artikulojnë çështje gjithpërfshirëse, duke qenë se tashmë bëhet fjalë për komunitete më heterogjene dhe më të mëdha, krahasuar me zgjedhjet e mëparshme vendore.
(2) Në kushtet e mungesës së traditës programore në kandidimet zgjedhore në Shqipëri, shoqëruar kjo me domosdoshmërinë e besnikërisë ndaj liderit të partisë, gara i zhvendos kandidatët specifik dhe zonat përkatëse në plan të dytë në krahasim me partitë dhe liderat e tyre. Rëndësia që Kodi Zgjedhor u jep partive në përzgjedhjen e kandidatëve si në zgjedhjet parlamentare ashtu edhe në ato vendore, në kushtet e mungesës së demokracisë brenda-partiake në Shqipëri,22 përforcon “tiraninë” e liderit në këto parti politike. Në kushtet e aplikimit të proporcionalit rajonal me lista të mbyllura si në zgjedhjet parlamentare ashtu edhe në ato për këshillat bashkiak, partitë janë ato që përgatisin listat shumë-emërore dhe vendosin mbi rendin e emrave në listë duke e bërë praktikisht të pamundur futjen në listë apo renditjen në krye të listës pa aprovimin e partisë dhe sidomos të liderit. Fjala e fundit në lidhje me kandidatët për kryetar bashkie u përket gjithashtu liderave partiak. Për pasojë, agenda partiake prevalon përkundrejt asaj vendore.
(3) Ndërkohë që kandidatët filluan të evidentoheshin relativisht vonë dhe zyrtarizimi i tyre zgjati edhe më shumë në kohë, përpilimi i një programi zgjedhor të mirëmenduar është i vështirë.
Ndërkohë, dytësimi i axhendës lokale përkundrejt çështjeve të ditës në nivel kombëtar është i dukshëm edhe në faktin që gjatë prezantimeve të kandidatëve në bashkitë e ndryshme kryefjala për të dyja palët janë çështje si vala e re e emigrimit të shqiptarëve, papunësia dhe dekriminalizimi i politikës. Kështu, fushata për zgjedhjet vendore po zhvillohen nën një klimë elektorale të paracaktuar nga zhvillimet e fundit në Shqipëri. Duke qenë se partitë nuk kanë programe madhore dhe as profile të përcaktuara ideologjike, diskutimi qendërzohet rrotull lajmeve të ditës apo të muajve të fundit. Sigurisht që këto probleme nuk mund të anashkalohen në zgjedhjet vendore, por interesant është fakti që ato nuk janë specifike dhe secila parti, duke iu referuar këtyre temave mund të artikulojë të njëjtin fjalim si në Tropojë ashtu edhe në Korçë apo në Konispol. Në këto kushte, retorika partiake për zgjedhjet vendore mund të ishte shumë mirë një retorikë për zgjedhjet parlamentare.
Gara për Tiranën, për vetë specifikën dhe rëndësinë e kësaj bashkie paraqet një karakter më të theksuar lokal dhe programor. Bashkia e Tiranës është cilësuar vazhdimisht si trampolina e liderave të partive ku Rama dhe Basha janë shembujt konkret të këtij trendi. Për pasojë, gara për të fituar votëbesimin e Tiranës – elektorati i së cilës cilësohet shpesh edhe si më skeptik, më pak militant dhe më kërkues – e tejkalon nevojën e konformizmit partiak drejt një artikulimi më të qartë prioritetesh, idesh dhe projektesh. Premtimet specifike elektorale për Tiranën do të analizohen në vijim.

Koalicionet dhe premtimet e secilës palë

Përveç partive që hynë të vetme në zgjedhje dhe kandidatëve të pavarur, në zgjedhjet e 21 qershorit dy koalicionet kryesore23 janë Aleanca për Shqipërinë Europiane (AShE) dhe Aleanca Popullore për Punë dhe Dinjitet (APPD). AShE është e mbledhur rreth Partisë Socialiste (PS), dhe në përbërje ka 37 parti, nga ku përveç Lëvizjes Socialiste për Integrim (LSI) e cila është partia kryesore bashkë-qeverisëse me PS, vërehet dhe prezenca e Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet (PDIU), e cila u afrua më tepër me mazhorancën që nga miratimi i reformës administrativo-territoriale vitin e kaluar. APPD është e mbledhur rreth Partisë Demokratike (PD) dhe përbëhet nga 15 parti, ku spikatet aleati i qëndrueshëm i PD, Partia Republikane (PR).
Si dhe u theksua pak më lart, boshti kryesor që ndan dy koalicionet e këtyre zgjedhjeve nuk janë premtimet programore që lidhen me elektoratin lokal, por ndasia më e madhe kombëtare mazhorancë-opozitë që artikulohet sërish në zgjedhjet lokale. Kështu, në njërën anë qëndron mazhoranca që advokon reformat e ndërmarra si qeveri dhe nevojën për konsolidimin e mbështetjes ekzistuese, ndërsa në anën tjetër qëndron opozita që artikulon kritikat ndaj qeverisë dhe nevojën që këto zgjedhje të shërbejnë si një notë proteste ndaj qeverisë qëndrore. Zhvillimi i garës elektorale rreth këtij boshti të vetëm dëshmohet më së miri nga dy deklarata e palëve, ku mund të veçohen fjalët e Metës:
“Unë jam i bindur se zgjedhjet e 21 Qershorit do të konfirmojnë një mbështetje të gjerë për Aleancën për Shqipërinë Europiane, sepse kjo aleancë ka bërë dhe bën përpjekje të mëdha për të adresuar problemet më të rëndësishme të vendit, përmes reformave të guximshme.”24
Në anën tjetër, Basha shprehet se:
“Me 21 qershor keni në dorë për t’i thënë JO më rritjes së çmimeve…21 qershori është dita e gjykimit duke i thënë PO ndryshimit, ku populli mezi e pret këtë ditë, dhe për t’i dhënë ndëshkimin qeverisë Rama-Meta.”25
Duke u nisur nga emërtimet e koalicioneve, duket se mund të deshifrohen edhe element nga premtimet kryesore elektorale të dy koalicioneve të mëdha të rreshtuara përkrah mazhorancës dhe opozitës. Kështu, Aleanca për Shqipërinë Europiane i përshtatet programit më të gjerë të qeverisë duke rikonfirmuar ato që qeveria prezanton si arritje të vetat deri më tani, sidomos për marrjen e statusit të vendit kandidat nga Shqipëria një vit më parë. Në anën tjetër, Aleanca Popullore për Punë dhe Dinjitet duket një emërtim shumë i pazakontë për një koalicion të drejtuar nga PD, sidomos kur në përbërje të emërtimit gjenden fjalët “popullore” dhe “punë” që në historinë partiake të Shqipërisë kanë një konotacion që asociohet me të shkuarën komuniste dhe të majtën radikale dhe jo me PD-në. Megjithatë, përdorimi i fjalëve “popullore”, “punë” dhe “dinjitet” i përshtatet retorikës së deritanishme të opozitës që akuzon mazhorancën se nuk po punon dhe se po nëpërkëmb qytetarët.

“Opsioni i tretë”: kandidatët e pavarur

Ndërkohë që në zgjedhjet që po afrojnë Aleanca për Shqipërinë Europiane kërkon një votë besimi për punën e deritanishme të qeverisë dhe Aleanca Popullore për Punë dhe Dinjitet kërkon një votë mosbesimi për qeverinë, kandidatët e pavarur advokojnë zhvendosjen e garës nga partitë tek individët dhe programet e tyre për bashkitë specifike. Duke qenë se këta kandidatë janë të fokusuar vetëm në zonat ku kandidojnë pa nevojën e të qenit besnik ndaj axhendës më të gjerë të ndonjë partie, programet në këtë pikë tentojnë të jenë më të dukshme dhe të mirëartikuluara, sidmos në rastin e Tiranës. Deri në fillim të majit, në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve (KQZ) janë regjistruar 5 kandidatë të pavarur, ndërkohë që në Komisionet Zonale të Administrimit Zgjedhor (KZAZ) janë regjistruar 18 kandidatë të pavarur, për një total prej 23 kandidatësh të pavarur që do të konkurojnë në zona të ndryshme të Shqipërisë.26
Rasti i Tiranës, ka qenë dhe më i diskutuari muajt e fundit, sidomos nga skeptikët e zhgënjyer nga partitë në vend. Kandidati i pavarur Gjergj Bojaxhi, i pari që paraqiti kandidaturën në Tiranë, ka paraqitur një program zgjedhor ku parimi kryesor është kthimi i Bashkisë së Tiranës tek qytetarët e Tiranës. Ndërkohë që “beteja” për Tiranën do të shtjellohet në detaj në vijim, vlen të përmendet që Bojaxhi thekson se partitë politike në Shqipëri jo vetëm që nuk ofrojnë më zgjidhje, por janë kthyer në problem në vetvete.27 Përveç Bojaxhi, në Tiranë do të kandidojnë edhe dy kandidatë të tjerë të pavarur, Arben Tafaj dhe Sazan Guri, ky i fundit një ambjentalist aktiv që do të konkurojë nën moton “Tirana e Shpresës”.28

Përzgjedhja e kandidatëve nga partitë dhe koalicionet

Propozimi i kandidatëve konkret nga partitë politike për zgjedhjet 2015 filloi vetëm në mes të prillit dhe akoma vazhdon. Konfuzioni i muajve të parë të 2015-ës në caktimin e kandidatëve lidhej me tri arsye kryesore: (1) ndarja e re administrativo-territoriale dhe paqartësitë që lidheshin me njësitë e reja, kompetencat e përfaqësimit të zonave tashmë më të mëdha si dhe përllogaritjet e reja të votave në raport me zonat e reja; (2) dinamikat brenda-partiake të secilës palë që lidheshin me garën brenda-partiake në kushtet e fuqisë së shtuar që do të kishin 61 kryebashkiakët e ardhshëm; dhe (3) dinamikat e formimit të koalicioneve dhe përcaktimi i zonave të secilës parti. Në vijim shtjellohen të tria këto pika.
Pavarësisht se nga miratimi i ligjit për ndarjen e re administrativo-territoriale në korrik të vitit të kaluar e deri në periudhën përgatitore për zgjedhjet vendore, partitë kishin kohë të mjaftueshme për të përshtatur strategjinë zgjedhore me ndryshimet zonale, konfuzioni që shoqëronte reformën dhe ridimensionimin territorial sigurisht që manifestohej në strategjitë partiake e sidomos në përzgjedhjen e kandidatëve. Në kushtet e zonave më të mëdha, partitë tashmë duhej të bënin kalkulime më të hollësishme si dhe të përshtatnin kandidatët me zona më të mëdha, komunitetet më heterogjene të të cilave jo detyrimisht mund identifikoheshin me kandidatët përkatës. Vështirësitë në kalibrimin zonal të kandidatëve ishin veçanërisht të dukshme në rastet kur partitë qenë të pavendosura midis dy ose më shumë kandidatëve që ishin kryetarët ekzistues të bashkive apo komunave që tashmë gjendeshin brenda së njëjtës bashki të re.
Dinamikat brenda-partiake mund të kenë qenë dhe karakteristika më interesante e këtyre zgjedhjeve vendore. Të qenit kryetar bashkie në kushtet e administrimit të zonave më të mëdha, më të rëndësishme, me më shumë peshë në vendimarrje si dhe me perspektivë për rritje të kompetencave vendore e bëri kandidimin në këto zgjedhje shumë tërheqës për çdo anëtar partie, dhe jo vetëm, me ambicie partiake dhe politike. Në këto kushte, përveç kryetarëve ekzistues të bashkive apo komunave, prefektë, deputetë apo ministra ishin gjithashtu të interesuar të kandidonin për të qenë një nga 61 kryetarët e ardhshëm të bashkive. Kështu, “lufta” brenda-partiake ishte shumë e fortë.
Pavarësisht se partitë deklaruan se kryesitë e tyre do të ishin përgjegjëse për përzgjedhjen e kandidatëve, ato qenë të kujdesshme që dinamikat brenda-partiake të mos bëheshin publike. Kështu, kundërshtitë dhe konkurrenca brenda partive nuk kaluan pa u vënë re, ndërkohë që fuqia e liderave partiak për të thënë fjalën e fundit u evidentua më së miri. Nga sa u prezantua në publik, PD ishte ndoshta partia që u konsultua më tepër me kryesinë dhe bazën në zona në përzgjedhjen e kandidatëve, duke qenë se në një seri bashkish si Tirana, Durrësi, Elbasani Tropoja, Lezha, Korça, etj, kandidatët u përzgjodhën nga propozimet paraprake.29 Ndërkohë brenda PS pati një seri mosmarrëveshjesh, madje dhe disidencë pas përcaktimtit të listave,30 sidomos për rastin e Tiranës, ku përzgjedhja e Erion Veliajt si kandidat i koalicionit të majtë e anashkaloi vendimin e Kryesisë së PS, meqenëse ky emër nuk ishte asnjë prej tre të propozuarve fillimisht: Pandeli Majko, Blendi Klosi apo Lindita Nikolla.
Ndërkohë që gara brenda-partiake vazhdonte, një variabël tjetër u shtohej përllogaritjeve të partive: formimi i koalicioneve dhe kompromiset e mundshme që rridhnin nga kjo. Kështu, sigurimi i partive aleate në koalicione vinte në shumicën e rasteve me kërkesa për kandidatë për kryebashkiak ose për këshilltarë bashkiak. Në rastin e PD dhe Aleancës Popullore për Punë dhe Dinjitet, Partia Republikane është aleati kryesor me të cilin do të ndahen disa zona akoma të papërcaktuara në numër. Në anën tjetër, PS dhe Aleanca për Shqipërinë Europiane kanë bërë tashmë përllogaritjet brenda koalicionit. Kështu, LSI do të ketë kandidatë për kryetar bashkie në 15 bashki,31 ndërsa PDIU do të ketë kandidatë në 3 bashki (Konispol, Rrogozhinë dhe Peqin).32
Ndërkohë, një çështje tangjent me të gjitha partitë dhe koalicionet është ajo e dekriminalizimit të politikës, që në rastin e zgjedhjeve lokale përkthehet në pastrimin e listave të kandidatëve nga personat me të shkuar kriminale apo problematike. Aktorët ndërkombëtar, e sidomos Ambasada Amerikane në Tiranë,33 kanë dalë me një deklaratë të qartë dhe aspak ambigue, duke nënvizuar se ata kanë identifikuar tashmë kandidatë në lista të cilët kanë të shkuar kriminale dhe se të gjitha palët duhet të anagazhohen për rishikimin e emrave të kësaj kategorie.

“Beteja” për Tiranën

Beteja për Tiranën është ndoshta nga më interesantet deri më tani. Bashkia e Tiranës, tashmë edhe më e madhe pas reformës territoriale, është pushteti më me rëndësi pas qeverisë, sidomos kur posti i kryetarit mbahet nga opozita e radhës. Ky fakt është evidentuar sidomos në tri mandatet e fundit të Bashkisë së Tiranës, ku Edi Rama kryesonte bashkinë në kohën e qeverisjes së demokratëve për dy mandate, ndërkohë që dy vitet e fundit të kryesimit të Lulëzim Bashës kanë qenë gjatë qeversjes socialiste. Në këto kushte, Bashkia e Tiranës bëhet balancuesja kryesore e qeverisë.
Për më tepër, kryesimi i Bashkisë së Tiranës ka një rëndësi të veçantë për balancat brenda-partiake, duke qenë se kryesimi i kësaj bashkie është parë si trampolina për kryesimin e partive përkatëse. Si Rama ashtu edhe Basha morën kryesimin e partive të tyre gjatë kohës që ishin kryebashkiakë të Tiranës. Gjithashtu, të dy kryebashkiakët u zgjodhën në krye të partive respektive gjatë kohës së qeverisjes së partive kundërshtare, pra kur ishin në opozitë. Në këtë kuptim përforcohet parimi jo formal që kur qeveria udhëhiqet nga njëra palë, Bashkia e Tiranës udhëhiqet nga opozita.
Megjithatë, në këto zgjedhje nuk është akoma e qartë nëse tradita do të vazhdojë. Kandidati i Aleancës Popullore për Punë dhe Dinjitet është doktori Halim Kosova, i cili ka qenë më parë ministër shëndetësie për një kohë të shkurtër. Ndoshta zgjedhja e këtij emri politikisht modest nga radhët e opozitës për kandidat në Tiranë dëshmon më së mirë përllogaritjen e balancës brenda partiake në PD dhe sidomos përllogaritjet e Bashës për të mos u sfiduar në krye të PD, duke qenë se tashmë do të jetë vetëm kryetar i opozitës, pa ndonjë mandat tjetër. Kosova nuk duket një kandidat që në rast fitoreje të Tiranës do të kërcënonte apo rivalizonte pozicionin drejtues të Bashës brenda PD-së, gjë që mund të pritej nga një kandidat tjetër i ri dhe me ambicie po aq sa Basha në kushtet e rëndësisë së shtuar që do të kishte kryetari i bashkisë më të rëndësishme në vend. Në anën tjetër, kandidati i Aleancës për Shqipërinë Europiane, Erion Veliaj, i cili ka mbajtur postin e Ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë në qeverinë aktuale është një kandidat i mundshëm dhe me ambicie të mjaftueshme për të pasuar Ramën në krye të PS në rast fitoreje në Tiranë.
Për më tepër, në këto zgjedhje duket se Tirana ka një kandidat tjetër të fortë jashtë rradhëve të partive politike. Kandidati i pavaruar Gjergj Bojaxhi, ish drejtor i Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare (KESH), ishte i pari që shpalli kandidaturën e pavarur për Tiranën. Fitorja e tij në Tiranë do të ishte një stuhi e vërtetë për rendin partiak të jetës politike në Shqipëri, duke i dhënë një goditje monopolit të partive. Kjo do të ishte “shuplaka” më domethënëse ndaj politikave dhe pushtetit ekskluzivisht partizan të Shqipërisë post-komuniste.
U përmend edhe më parë që ndryshe nga pjesa më e madhe e kandidimit në zonat e tjera të Shqipërisë, gara në Tiranë ka një profil më të dukshëm programor. Kështu, Veliaj, i cili ishte dhe Ministër i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë përgjatë dy viteve të fundit, e ka orientuar fushatën sipas së njëjtës retorikë të kohës si ministër, duke u fokusuar tek të rinjtë, punësimi dhe promovimin e aspekteve sociale dhe publike në kryeqytet.34 Njëkohësisht, ai luan edhe kartën e kritikës ndaj punës së deritanishme të kryetarit ekzistues, Bashës. Ndërkohë, Halim Kosova e ka fokusuar fushatën në moshën e mesme dhe shtresën e mesme duke zhvilluar takime me gratë, prindërit, pensionist si dhe banorët e zonave rreth Tiranës. Bojaxhi në anën tjetër ka parashtruar që do të fokusohet tek promovimi i hapsirave publike në qytet, zgjidhja e problemit të mbipopullimit të shkollave dhe kopshteve, promovimi i biznesit të vogël, etj.35 Për më tepër, Bojaxhi ka promovuar idenë e mbajtjes së referendumeve lokale për çështjet më të rëndësishme të bashkisë.36

Parashikimet e deritanishme të votimeve

Deri ne fillim të majit 2015, parashikimet zgjedhore përgjithësisht nxjerrin mazhorancën si fituese në shumicën e bashkive, gjë që në këto zgjedhje, në terma koalicionesh, përkthehet në fitoren e Aleancës për Shqipërinë Europiane. Këto përllogaritje janë bërë sipas votave të fituara në secilën bashki nga partitë/koalicionet në zgjedhjet e mëpashme (2011, 2013) si dhe marzhi i gabimit është i konsiderueshëm duke marrë parasysh diferencën që sjellin kandidatët e veçantë në zona të caktuara.
Kështu, në analizën e paraqitur nga Eduard Zaloshnja në shkurt dhe mars 2015, nga 61 bashki, mazhoranca ka përparësi në 41 bashki krahasuar me 20 bashki ku ka potential të fitojë opozita.37 Përgjithësisht, sipas kësaj analize, mazhoranca ka avantazh në bashkitë e jugut dhe opozita në veri. Në terma votash, votat për koalicionin e majtë parashikohen të jenë 800 mijë dhe për koalicionin e djathtë 680 mijë, me një diferencë prej 120 mijë votash në rang kombëtar. Për më tepër, Zaloshnja nënvizon se rreth 700 mijë votues janë elektorat i pavendosur, që nuk do të votojë, ose që mund të votojë për kandidatë të pavarur. Ai gjithashtu, nënvizon se 1 në 3 votues në Tiranë janë gati të votojnë për një kandidat të pavarur,38 duke i bërë këto zgjedhje vërtet të paparashikueshme.

Skenaret post-zgjedhore

Në rastin e zgjedhjeve vendore, mesazhet për palët janë më të vështira për t’u deshifruar sesa në rastin e zgjedhjeve parlamentare ku të dalurit nga zgjedhjet si mazhorancë apo opozitë bën diferencën reala. Fituesit dhe humbësit e zgjedhjeve vendore duhen vënë gjithnjë në kontekst, pasi të fituarit e një shumice njësish jo gjithnjë përkthehet në sukses elektoral. Kështu, fitorja në Tiranë, apo në një bashki tjetër me rëndësi strategjike, mund të jetë shumë më e rëndësishme për partitë dhe koalicionet sesa fitorja në një numër bashkish më periferike të Shqipërisë. Megjithatë, reforma administrativo-territoriale e ka zbehur disi diferencën në rëndësi dhe peshë që kishin njësitë e mëparshme duke e bërë kështu më të thjeshtë evidentimin e humbësve dhe fituesve në zgjedhjet vendore. Duke pasur parasysh kontekstin e mësipërm, në vijim parashtrohen tri skenaret kryesore post-zgjedhore.

Skenari 1: Koalicioni i majtë fiton shumicën e bashkive
Në rast se në zgjedhjet vendore të 21 qershorit në Shqipëri koalicioni i majtë fiton shumicën e bashkive bashkë me Tiranën, atëherë qeveria rikonfirmon pozitat dominuse si në pushtetin qëndror ashtu edhe në atë lokal. Për më tepër, koalicioni qeverisës PS-LSI përforcohet duke rritur edhe më tej shanset e garimit sëbashku në zgjedhjet parlamentare të 2017. LSI, për më tepër – një parti që ka njohur vetëm të qenit në mazhorancë që nga viti 2009, si me PD ashtu edhe me PS – po e konsolidon pozicionin e vet si parti, duke e shtuar hapësirën e manovrimit me koalicionet në të ardhmen. Nëse PDIU fiton në bashkitë ku kandidon me kandidatët e saj brenda koalicionit të majtë, atëherë përforcohet edhe lidhja e mëtejshme PDIU-mazhorancë dhe potencialisht rritet numri i votave të mazhorancës në parlament drejt shumicës së cilësuar për ndryshime kushtetuese.
Në këto kushte, është opozita ajo që jo vetëm humbet, por përpara saj prezantohen sfida ekzistenciale, sidomos nëse edhe Tirana fitohet nga koalicioni i majtë. Një reformë radikale në radhët e PD bëhet opsioni më i udhës, pavarëisht se kjo do të varej nga vendimet e Bashës në lidhje me njohjen e rezultatit zgjedhor apo fillimin e një kalvari të ri protestash dhe bojkotesh që e jashtësojnë fajin nga PD për humbjen e thellë në zgjedhje.
Për më tepër, dinamika të reja brenda PS-së mund të priten në kushtet e Ramës kryeministër dhe Veliajt Kryetar i Bashkisë së Tiranës duke parë ambiciet e të dyja palëve për pushtet brenda-partiak.
Në rast se koalicioni i majtë fiton shumicën e bashkive por Tirana fitohet nga opozita, atëherë balanca elementare e viteve të fundit mazhorancë-opozitë vazhdon të ruhet. Ndërkohë, opozita ka një pol pushteti dhe dilemat ekzistenciale zbuten disi, por nevoja e ridimensionimit të strategjive dhe koalicioneve për zgjedhjet e ardhshme mbetet.

Skenari 2: Koalicioni i djathtë fiton shumicën e bashkive
Në rast se koalicioni i djathtë fiton shumicën e bashkive bashkë me Tiranën, atëherë një balancë më e qëndrueshme mazhorancë-opozitë sigurohet për të paktën dy vitet në vazhdim, deri në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Për më tepër, shanset e opozitës në lidhje me zgjedhjet parlamentare 2017 rriten. Sidomos fitimi i Bashkisë së Tiranës, krijon një antipod të rëndësishëm për qeverinë, duke parë dhe historikun e viteve të fundit të bashkëekzistencës mazhorancë-opozitë në qeveri-bashki e Tiranës.
Në rast se opozita fiton shumicën e bashkive por Tirana fitohet nga mazhoranca, atëherë opozita, pavarësisht fitores në pjesën tjetër të Shqipërisë, humbet influencën në Tiranë si tek qeveria ashtu edhe tek bashkia. Kjo do të sjellë probleme praktike në trysninë që opozita do të jetë në gjendje të ushtrojë në vendimmarrje.

Skenari 3: Tiranën e fiton një kandidat i pavarur
Në rast se Tirana fitohet nga një kandidat i pavarur, ku më i favorizuari deri më tani duket të jetë Gjergj Bojaxhi, ky do të ishte një “revolucion” për rendin partiak të politikëbërjes në Shqipëri, pavarësisht se cili koalicion merr shumicën e bashkive të tjera. Ky kandidat jashtë-sistemi (jashtë sistemit të stabilizuar të partive) që merr bashkinë më të rëndësishme në vend ka shanse të ndryshojë rregullat e lojës, si dhe të krijojë një klimë tjetër konkurimi për zgjedhjet e ardhshme.
Në rast se Tirana merret nga një kandidat i pavarur dhe koalicioni i majtë fiton shumicën e bashkive të tjera, kjo do të jetë një goditje shumë e madhe për opozitën e cila do të nxirret disi jashtë loje në kushte të tilla. Një marxhinalizim i tillë i opozitës do të jetë edhe më problematik për të sesa fitorja e thellë e mazhorancës, pasi dinamikat që do të krijohen në skenën politike shqiptare në kushtet e një Tiranë “të pavarur” do të jenë të panjohura për partitë post-komuniste në Shqipëri.

The “missing” piece of the puzzle: qytetarët

Pavarësisht zhurmës së madhe që po bëjnë partitë dhe kandidatët në zgjedhjet vendore, e nesërmja e 21 qershorit, përveç se do të gjejë disa komisionerë të përgjumur pas numërimit të votave dhe disa kandidatë të revoltuar për humbjen në zgjedhje, do të sjellë pak të reja për banorët e 61 bashkive të Shqipërisë. Ajo çfarë është e dukshme që tani, është se as këto zgjedhje nuk do të sjellin shpresë se e përditshmja do të ndryshojë sadopak tek qytetarët që çdo ditë po mundohen të lënë Shqipërinë. Ndryshimet më të dukshme ka shanse të jenë ato të administratave vendore përkatëse, tashmë më prestigjoze dhe të centralizuara në kushtet e vetëm 61 bashkive.
Partitë mbeten aktorët kryesor në zgjedhjet në Shqipëri, qofshin ato parlamentare apo vendore. Qytetarët mbeten përgjithësisht të marxhinalizuar dhe fitojnë rëndësi veçse në fushata. Qytetarët më pak të marxhinalizuar në zgjedhjet në Shqipëri duket të jenë qytetarët e angazhuar në fushata dhe që janë pjesë e partive politike. Pavarësisht se kush del fitues në zgjedhjet e 21 qershorit, ka dyshime të forta që të fituar të jenë qytetarët.

 

 

Studiuese në Institutin e Studimeve Ndërkombëtare dhe ky shkrim është realizuar me mbështetjen e Friedrich Ebert Stiftung në Tiranë dhe është publikuar fillimisht si pjesë e serisë FES Perspektive.
1 IDRA. 2014. Anketa e zërit të qytetarëve: Reforma Territoriale dhe Administrative në Shqipëri. Projekt i ndërmarrë nga Qeveria Shqiptare dhe i mbështetur nga projekti STAR.        2 Reforma Administrative Territoriale, “Historik”, http://www.reformaterritoriale.al/reforma/pse.
3 Reforma Administrative Territoriale, “Pse”, http://www.reformaterritoriale.al/en/reform/why.
4 Ministri për Çështjet Vendore, Reforma Administrative-Territoriale: Analizë e Situatës së Qeverisjes Vendore në Shqipëri (Përmbledhje ekzekutive), prill 2014, fq. 4. http://www.parlament.al/web/pub/raporti_final_permbledhje_ekzekutive_28_prill2014_16984_1.pdf.                                                                                                                           5 Ibid, fq.8-13.
6 Shiko Nurellari, Adri, “Reforma e Vonuar Administrativo-Territoriale e Shqipërisë”, Shqip, 11 Mars 2014. http://gazeta-shqip.com/lajme/2014/03/11/reforma-e-vonuar-administrativo-territoriale-e-shqiperise/; Murrja, Arif. Nevoja e reformës territoriale dhe procesi i decentralizimit, Gazeta Bulevard, 14 Mars, 2014. http://bulevardionline.com/nevoja-e-reformes-territoriale-dhe-procesi-i-decentralizimit/.
7 Sipas raportit Reforma Administrative-Territoriale: Analizë e Situatës së Qeverisjes Vendore në Shqipëri, në vitin 2012, 230 njësi të qeverisjes vendore shpenzonin mbi 60% të buxhetit të tyre për pagat e punonjësve dhe 40 njësi shpenzonin mbi 80% të buxhetit të tyre për këtë qëllim.
8 Ministri për Çështjet Vendore, Prezantim për Ambasadorët e OSBE-së, 12 mars 2014, http://www.ceshtjetvendore.gov.al/al/newsroom/fjalime/prezantim-per-ambasadoret-e-osbe-se&page=1.
9 PDIU është një parti relativisht e re në Shqipëri, e cila përkrah çështjen kombëtare Shqiptare e sidomos mbrojtjen e çështjes çame. Kjo parti mbështetet kryesisht nga komuniteti çam në Shqipëri. Aktualisht PDIU ka 5 deputet ne Kuvend të cilët ishin vendimtar për mazhorancën në miratimin e ligjit për ndarjen e re administrative-territoriale si dhe në diskutimet në parlament, pavarësisht se deri në atë moment PDIU ishte në opozitë.
10 Kuvendi i Shqipërisë, Për Ngritjen e Komisionit të Posaçëm për Reformën Administrativo-Territoriale në Republikën e Shqipërisë, 23 janar 2014.
11 Halo, A. “Procesi i Reformës Administrativo-Territoriale: 2013-2014”, Reporter.al, 18 shkurt 2015. http://www.reporter.al/procesi-reformes-administrativo-territoriale-2013-2014/.                                                                                                                               12 Top Channel, Pesë variantet e ndarjes së re, 16 maj 2014, http://top-channel.tv/lajme/artikull.php?id=278074.
13 Për serinë e aktiviteteve shiko http://www.reformaterritoriale.al/aktivitete?limitstart=0.
14 PBDNJ është partia që mbron të drejtat e minoritetit grek në Shqipëri. Deri më tani ka qenë aleate e mazhorancës, por këto marrëdhënie u prishën pas miratimit të reformës territorial dhe afrimit të PS me PDIU (PDIU si mbrojtëse e çështjes çame dhe lobimit për njohjen e gjenocidit grek ndaj kësaj popullsie duket dhe rivalja më e natyrshme e PBDNJ).
15 Top Channel, Kuvendi miraton reformën territoriale, 31 July, 2014, http://www.top-channel.tv/lajme/artikull.php?id=282128.                                                                           16 Halo, A. “Reforma territoriale kërcënon demokracinë vendore”, Reporter.al, 19 shkurt 2015. http://www.reporter.al/reforma-territoriale-dhe-humbja-e-demokracise-vendore/.
17 Ministri për Çështjet Vendore, Reforma Administrative-Territoriale: Analizë e Situatës së Qeverisjes Vendore në Shqipëri (Përmbledhje ekzekutive), prill 2014, fq. 12.
18 Halo, A. “A ka prapavijë elektorale reforma administrativo-territoriale?”, Reporter.al, 6 mars 2015. http://www.reporter.al/a-ka-prapavije-elektorale-reforma-administrativo-territoriale/.
19 Zaloshnja, E. “Ndarja territoriale dhe llogaritë elektorale”, Respublica, 2 shkurt 2014. http://www.respublica.al/node/68222.                                                                                 20 Shqip, Kandidatët dhe kolaicionet, 06 prill 2015. http://www.top-channel.tv/new/tv/videot.php?id=56410.
21 Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë, Nr.10 019, datë 29.12.2008 (ndryshuar me ligjin nr.74/2012). http://www.parlament.al/web/pub/kodi_zgjedhor_i_azhornuar_pdf_web_15174_1.pdf.
22 Krasniqi, Afrim & Hackaj, Ardian, Albanians and the European Social Model: Internal Democracy in Albanian Political Parties, Instituti për Bashkëpunim dhe Zhvillim & Friedrich Ebert Stiftung: Tiranë.
23 Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve, Parti dhe koalicione te regjistruara ne KQZ per Zgjedhjet vendore 2015. http://www2.cec.org.al/Portals/0/Documents/CEC%202013/zgjedhje-vendore/2015/rregjistri/parti_koalocione_2015.pdf.                                                             24 Top Channel, Meta: Fitojmë më 21 Qershor. Rëndësi edhe anëtarët e Këshillave Bashkiakë, 10 prill 2015. http://www.top-channel.tv/lajme/artikull.php?id=296659&fundit.
25 Panorama, Basha prezanton Igli Kokalarin në Gjirokastër: Rama-Meta japin vendime për Shqipëtarët nga Gjirir i Lalzit, 26 prill 2015. http://www.panorama.com.al/basha-prezanton-igli-kokalarin-ne-gjirokaster-rama-meta-japin-vendime-per-shqiptaret-nga-gjiri-i-lalezit/.
26 Shekulli, Zgjedhjet, 23 kandidatë të pavarur në garë për bashkitë, 4 maj 2015. http://www.shekulli.com.al/p.php?id=254566.
27 Voice of America, Gjergj Bojaxhi, kandidat për Bashkinë e Tiranës, 30 mars 2015. http://www.zeriamerikes.com/media/video/albania-local-elections-bojaxhi-gjergj-candidate-tirana-mayor-mero-armand/2699998.html.                                                                      28 Shekulli, 21 qershori, të pavarurit dorëzojnë firmat në KQZ, 3 maj 2015. http://www.shekulli.com.al/p.php?id=253726.
29 Për propozimet e bazave të PD shiko A1 Report, 17 mars 2015. https://www.youtube.com/watch?v=2UCLUFZUomw. Për disa nga kandidatët e përzgjedhur nga PD shiko Ora News, PD zyrtarizon 9 kandidatë, 2 “për të luftuar” PDIU-në në Rrogozhinë e Konispol, 16 prill 2015. http://www.oranews.tv/vendi/ja-kandidatet-e-pd-se-per-te-luftuar-pdiu-ne-ne-rrogozhine-e-konispol/.
30 Ben Blushi, “Fjalimi im ne Funderalin e Rilindjes”, Panorama/BalkanWeb, 20 prill 2015. http://www.balkanweb.com/site/fjalimi-im-ne-funeralin-e-rilindjes/.
31 (Lezhë, Gjirokastër, Berat, Kukës, Përrenjas, Pogradec, Kuçovë, Bulqizë, Cërrik, Selenicë, Vorë, Mallakastër, Skrapar, Delvinë dhe Kolonjë), Ora News, LSI zyrtarizon 15 kandidaturat për Bashkitë, Meta porosi për zgjedhjet, 15 prill 2015. http://www.oranews.tv/vendi/lsi-zyrtarizon-15-kandidaturat-per-bashkite-meta-porosi-per-zgjedhjet/.
32 Panorama, Zgjedhjet, PDIU prezanton kandidatët për Rrogozhinën, Peqinin dhe Konispolin: Idrizi negocion me Ramën, 16 prill 2015. http://www.panorama.com.al/zgjedhjet-pdiu-prezanton-kandidatet-per-rrogozhinen-peqinin-e-konispolin/.
33 Tonight Ilva Tare, “Kandidatë të inkriminuar?”, Ora News, 28 prill 2015. http://tonight.oranews.tv/tonight-ilva-tare-kandidate-te-inkriminuar/.                                   34 Shekulli, Erion Veliaj shpall premtimet e para të fushatës për bashkinë e Tiranës, 05 prill 2015. http://www.shekulli.com.al/m/post.php?id=252963#sthash.LFQp3mnm.dpbs.
35 Mapo, Bojaxhi: Prioritetet e programit tonë të ardhshëm, 10 prill 2015. http://www.mapo.al/2015/04/bojaxhi-prioritetet-e-programit-tone-te-ardhshem.
36 Newsbomb, Bojaxhi akuzon Veliajn: emrin nuk ma përmend kurrë, por idetë mi vjedh, 3 Maj 2015. http://www.newsbomb.al/index.php/politike/item/10268-bojaxhi-akuzon-veliajn-emrin-nuk-ma-permend-kurre-por-idete-mi-vjedh.                                                               37 Zaloshnja, E. “Projeksion paraprak i votave në 61 bashkitë e reja”, Respublika, 27 mars 2015. http://www.respublica.al/opinion/2015/03/27/projeksion-paraprak-i-votave-ne-61-bashkite-e-reja.
38 Zaloshnja, E. “Firoja e mazhorancës, rreth 200 mijë vota”, Respublica, 28 shkurt 2015. http://respublica.al/opinion/2015/02/28/firoja-e-mazhorances-rreth-200-mije-vota.

 

SHPËRNDAJE