ROBERT SHUMAN, arkitekti i integrimit europian

1

PROF. DR. GJERGJ SINANI

Robert Shuman, u angazhua edhe në mbështetjen e tij personale në idenë e një politike europiane të mbrojtjes së përbashkët dhe drejtoi parlamentin europian nga 1958 deri më 1960.

Rinia

Robert Shuman ështe vetë mishërimi e Europës. Ai lindi më 29 Korrik 1886 në Luksemburg. Babai i tij ishte francez dhe ai mori nacionalitetin gjerman kur krahina ku jetonte u aneksua nga gjermanët, ndërkohë që nëna e tij ishte luksemburgase. Vetë ai ishte qytetar gjerman. Ai mori nacionalitetin francez më 1919, kur Alzas – Lorena u bë përsëri franceze, pas Luftës I Botërore.
Ai studjoi drejtësi, ekonomi, filozofi, teologji dhe statistikë në universitetet e Bonit, Mynihut, Berlinit dhe Strasburgut. Me tu diplomuar, ai punoi si avokat ne Metz, më 1912. Kur shpërtheu Lufta I Boterore, ai u përjashtua nga shërbimi ushtarak për arsye shëndetësore. Pas luftës, ai u angazhua në politikë duke u bërë deputet i departamentit të Moselës.
Kur shpërtheu Lufta II Botërore, Shuman filloi karierën e tij si ministër në qeverinë franceze. Ai mori pjesë në rezistencën franceze dhe, për këtë arsye, ai u burgos. Pasi i shpëtoi për pak deportimit në kampin e Dakaut, ai u vendos në zonën e lirë franceze, ku qëndroi i fshehur pas pushtimit nazist. Duke jetuar në klandestinitet, për kapjen e tij gjermanët kishin vendosur një shumë prej 100.000 markash gjermane, ai i sfidoi gjermanët për gjatë tre vjetëve në vazhdim. Madje, ai nuk e pranoi ftesën e kryetarit të qeverisë franceze në mërgim në Londër, duke preferuar që të qëndronte pranë bashkatdhetarëve të vet në Francën e pushtuar nga nazistët.
Pas luftës, ai ju kushtua përsëri politikës duke marrë respektivisht postet e ministrit të financave, pasta kryeministër më 1947, ministër i Punëve të Jashtme nga viti 1948 deri më 1952, pastaj përsëri ministër i financave nga 1955 deri më 1956. Ai luajti një rol përcaktues në negocimin e traktateve dhe insisiativave që synonin përforcimin e kooperimit në gjirin e aleancës perëndimore dhe për bashkimin e Europës. (Konkretisht angazhimin për Këshillin e Europës, Planin Marshall, NATO-n). Por, do të ishte “Deklarata Shuman” që do ta bënte atë të famshëm, ku ai i propozoi Gjermanisë dhe vendeve të tjera europiane për të kooperuar me qëllim që të bashkonin interesat e tyre ekonomike. Ai ishte i bindur se, në sajë të këtij kooperimi, lufta do të bëhej “jo vetëm e pamendueshme, por edhe materialisht e pamundur”.

Deklarata Shuman

Në një diskutim të paraqitur më 9 Maj 1950, i frymëzuar dhe hartuar në pjesën më të madhe nga Zhan Mone, Robert Shuman propozoi vendosjen e prodhimit franko – gjerman të qymyrit dhe çelikut nën kontrollin e një Autoriteti të Lartë të përbashkët. Ky organizim do të ishte i hapur edhe për vendet e tjera europiane.
Robert Shuman duke paraqitur diskutimin e tij të famshëm më 9 Maj 1950
Kjo formë kooperimi duhej të realizonte harmonizimin e interesave të përbashkëta të vendeve europiane dhe të shpinte në një integrim politik progresiv, që do të ishte garant i paqes në Europë. “Europa nuk do të bëhet menjëherë, as në një konstruksin të përbashkët; ajo do të bëhet përmes realizimesh konkrete që do të krijojnë më së pari një solidaritet faktik. Bashkimi i kombeve europiane kërkon që kundërvwnia shekullore e Francës dhe Gjermanisë të eliminohet”. Ky diskutim u dëgjua me vëmendje. Kancelari Adenauer ju përgjigj menjëherë në favor. Të njejtën gjë bënë edhe qeveritë e Hollandës, Italisë, Belgjikës dhe Luksemburgut. Traktati i Parisit u firmos nga gjashtë anëtarët themelues më 18 Prill 1951, pikërisht një vit pas kësaj deklarate. Kjo mërrëveshje shënoi krijimin Komunitetit europian të qymyrit dhe çelikut, të parin komunitet mbinacional të Europës. Ky organizim pararojë i hapi rrugën Komunitetit ekonomik europian, më pas Bashkimit europian, i cili edhe sot drejtohet nga institucionet inovative të krijuara më 1950.
Robert Shuman nuk u ndal vetëm këtu. Ai u bë një mbrojtës i flaktë i një integrimi më të avancuar edhe përmes një Komuniteti europian të mbrojtjes. Në vitin 1958 ai u bë president i parë i Parlamentit europian. Kur u largua nga ky funksion, Parlamenti i dha atij titullin e “atit të Europës”. Për shkak të rëndësisë së Deklaratës Shuman, data 9 Maj 1950 është shpallur “Dita e Europës”. Dhe, në nder të punës së tij për një Europë të bashkuar, zona që përmbledh institucionet europiane në Bruksel mban sot emrin e tij.

* Drejtor i Shtëpisë së Europës

SHPËRNDAJE