Mes konsensusit dhe kompromisit

Kornizimi i Integrimit të Vendeve të Evropës Juglindore

0

FLORIAN RAUNIG

Kompromisi dhe konsensusi duket sikur janë konceptet që përmenden e përdoren më shpesh në gjuhën e sotme të zhvillimit dhe atë diplomatike. Përparësia aktuale e Shteteve të Evropës Juglindore për integrim evropian shoqërohet – në mos kornizohet – nga qortimet e ndërkombëtarëve për një mungesë të supozuar të vullnetit të aktorëve politikë dhe të shoqërisë në përgjithësi për të arritur kompromis për një sërë çështjesh. Konsensusi më i fortë në Evropën Juglindore, nga ana tjetër, ekziston pikërisht për vetë integrimin evropian.
Kompromisi dhe konsensusi: Këto janë dy koncepte që përdoren shpesh si sinonime.

Megjithatë, do të më pëlqente të theksoja se mes tyre ka një dallim të konsiderueshëm, jo vetëm sa i përket anës gjuhësore, por edhe përmbajtjes. Para se t’u kthehem këtyre dy nocioneve, do të trajtoj konceptin e integrimit.
Duket sikur të folurit rreth “integrimit” sot në Ballkanin Perëndimor ka kuptim të vetëm: “Integrimin në Bashkimin Evropian”. Ndonëse janë të shumta aspektet në të cilat mund të shihet ky proces integrimi, njëri aspekt – i cili është ende ideja themelore e Bashkimit Evropian – mund të mos marrë gjithmonë vëmendjen që meriton në debatet e përditshme: Paqja! Nuk duhet të harrojmë se projekti evropian filloi si një projekt paqeje mbi rrënojat e Luftës së Dytë Botërore.

Prandaj, integrimi i Ballkanit Perëndimor në këtë projekt evropian do të thotë edhe përmbushje e planit për një Evropë më të gjerë, më të begatë e më të paqtë. Kjo duhet parë veçanërisht në dritën e shpërbërjes traumatike të ish-Jugosllavisë në vitet 1990 dhe të trazirave që përjetoi Shqipëria me rënien e regjimit totalitar.

Megjithatë, duke qenë Kryetar i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, mund të mos jetë shumë me vend që ta fokusoj ndërhyrjen time vetëm tek integrimi në Bashkimin Evropian. Prandaj, unë do të përmend një tjetër kuadër evropian që lindi si nevojë dhe dëshirë për paqe në Evropë. Akti Final i Helsinkit, nënshkruar në verën e vitit 1975, vërtetoi se vendet dhe liderët e ndarë ideologjikisht qenë në gjendje të bënin hapin e madh dhe t’i afroheshin njëri-tjetrit përmbi llogoret e thella që e ndanin botën asokohe.

Sot, nisma e ndërmarrë në Helsinki vazhdon në OSBE, duke luajtur një rol të rëndësishëm në stabilizimin dhe zhvillimin e mëtejshëm jo vetëm në Evropën Lindore, por edhe në Ballkanin Perëndimor. Masat e OSBE-së për të fuqizuar dhe për të stabilizuar vendet e Evropës Juglindore shkojnë krah për krah me procesin e integrimit të BE-së. Ndonëse të dallueshme nga ky proces për nga objekti dhe mandati i tyre, programet dhe projektet e OSBE-së janë gjithsesi plotësuese të tij, ashtu siç qëndron edhe e anasjella. Nga kjo pikëpamje, kuadri i gjerë i integrimit të OSBE-së ofron një potencial të qartë për t’u përdorur në mënyrë gjithëpërfshirëse. Përveç dimensionit të tij evropian, integrimi në Ballkanin Perëndimor përfaqëson ende një sfidë, kryesisht në dy drejtime të tjera: në dimensionin rajonal dhe në dimensionin e brendshëm.

Kur sheh rajonin sot, të lë më shumë përshtypjen e një nocioni gjeografik, që është ish-Jugosllavia me – përkatësisht plus apo minus – Shqipërinë, në varësi të këndvëzhgimit. Edhe pse sipas raportimeve ekzistojnë më shumë se dyzet forume, lëvizje, nisma dhe organizata politike, duke përfshirë edhe Procesin e Bashkëpunimit në Evropën Juglindore, kryesuar këtë vit nga Shqipëria, ku politikanët e rajonit takohen e flasin shpesh, bashkëpunimi ekonomik dhe kulturor mbetet ende në nivel relativisht të ulët. Edhe lidhja ndërrajonale është shpesh disi e kufizuar për shkak të mungesës së një infrastrukture të përshtatshme. Edhe media vazhdon të raportojë shumë pak rreth zhvillimeve në vendet fqinje, duke vazhduar të përqendrohet së tepërmi në çështjet e brendshme.

Kjo çon në një situatë, ku liderët politikë të rajonit janë pothuajse të vetmit që ndërveprojnë mjaft sistematikisht. Dëshiroj të theksoj se ky ndërveprim është jashtëzakonisht i rëndësishëm për bashkëpunimin dhe integrimin e mëtejshëm të rajonit, por nuk mjafton. Vetëm nëse punojnë së bashku për projekte konkrete – mes të ashtuquajturave kontakte popull me popull – do të jenë në gjendje popujt e rajonit të kapërcejnë paragjykime shpesh ende të rrënjosura thellë. Vetëm atëherë do të kuptojnë ata se sa mirë përshtaten me njëri-tjetrin në fusha si mënyra si e shohin jetën, shija, humori dhe modelet kulturore.

Kjo na çon sërish te tema e integrimit evropian, ku një shqetësim themelor duket se ende është: A mundet Ballkani Perëndimor të integrohet në Bashkimin Evropian pa mbaruar një herë së integruari brendapërbrenda?

Sa i përket integrimit të brendshëm, ende shtrihen përpara disa sfida të qenësishme: jo pak vende të Evropës Juglindore kanë ende një sistem të brendshëm politik dhe social të dominuar nga konflikte të pafund. Kështu, e njëjta pyetje për integrimin rajonal duket me vend edhe në këtë këndvështrim: A mundet një vend të vazhdojë me sukses në rrugën e integrimit, qoftë ky integrim rajonal apo integrim në Bashkimin Evropian pa shëruar njëherë çarjet e veta të brendshme e të thella? Si mundet një entitet më i vogël të integrohet në një më të madh kur ai vetë është ende i shpërbërë? Parë nga këndvështrimi i entitetit më të madh, mund të ekzistojë një hezitim i fortë ndaj importimit të problemeve të mundshme.
Cilat mund të jenë arsyet për pengesat ndaj integrimit të brendshëm? Pikësëpari, niveli i lartë i konfliktit politik e pengon zhvillimin dhe progresin e shëndoshë të një shoqërie duke thithur energjinë e kufizuar njerëzore për çështje kryesisht joproduktive. Së dyti, jo vetëm shkojnë dëm koha dhe burimet e kufizuara njerëzore për punë jokrijuese, por e gjithë shoqëria mbahet peng nga një atmosferë e vazhdueshme konflikti, duke tërhequr shumicën e vëmendjes dhe të magjepsjes, sidomos kur mbështeten nga media në kërkim të sensacionit.

Cila mund të jetë zgjidhja? Çfarë mund ta ndërpresë rrethin vicioz të krijimit të konflikteve të njëpasnjëshme? Së pari, nëse shoqëritë dhe shtetet që preken nga ky fenomen dëshirojnë ta këpusin zinxhirin e pafund të konflikteve, ato duhet ta bëjnë këtë me bindjen dhe vullnetin e tyre të brendshëm. Të huajt mund të ndihmojnë, por nuk mund ta marrin kurrë përsipër përgjegjësinë e një përpjekjeje të tillë. Nëse një proces i tillë udhëhiqet nga institucione apo persona të jashtëm, ai mund të funksionojë për ca kohë, por rrezikon të jetë i paqëndrueshëm.

Çfarë mund ta shpërshkallëzojë situatën e brendshme politike? Unë jam i bindur, është kompromisi. Ndonëse kompromisi në Ballkanin Perëndimor shihet ende shpesh si shenjë dobësie, ai përbën bazën e Bashkimit Evropian, entitetin në të cilin këto vende do të donin të integroheshin. Edhe OSBE-ja, si organizata më e madhe rajonale e sigurisë në botë – “nga Vankuveri deri në Vladivostok” – bazohet në konceptin e negociimit dhe kompromisit. Prandaj, sfida jo vetëm për politikanët e vendeve të Evropës Juglindore, por edhe për shoqëri të tëra, e pranimit të kompromisit si forcë, virtyt, mbetet ende përpara.

Cili do të ishte grupi më i përshtatshëm social për forcimin e konceptit të kompromisit? Unë jam i bindur se do të ishin gratë e Ballkanit Perëndimor. Gratë në këtë rajon të lënë përshtypjen e fortë të të pasurit të një qasjeje të ndryshme nga burrat ndaj zgjidhjes së problemeve. Ato janë në përgjithësi më të prirura për të bashkëpunuar e për të mbushur boshllëqet politike dhe ideologjike. Prandaj vendimi i kohëve të fundit i parlamentit shqiptar për miratimin e një kuote prej pesëdhjetë për qind gra në zgjedhjet e ardhshme vendore në listat e kandidatëve për anëtarë të këshillave bashkiakë, përmes alternimit të emrave të kandidatëve dhe kandidateve në listë, përbën një hap përpara që meriton të përgëzohet.
Para se ta mbyll, dëshiroj t’i kthehem edhe një herë temës fillestare të kompromisit dhe konsensusit. Kompromisi nuk duhet të ngatërrohet me konsensusin. Kompromisi i lejon palët e përfshira në të që ta ruajnë opinionin dhe qëndrimin që i dallon, duke u lënë hapësirë edhe opinioneve dhe qëndrimeve të palës tjetër. Kompromisi është e mesmja e artë, ku gjithkush fiton pak e gjithkush humbet pak. Mund të jetë zgjidhja më e mirë kundër kulturës shumë të përhapur, sipas së cilës “fituesi i merr të gjitha” dhe keqperceptimit të konsensusit si fuqi e vetos.

Transformimi i Shqipërisë, dalja nga tranzicioni, është një projekt kombëtar që do të ketë sukses vetëm duke u bashkuar dhe duke vënë të mirën e vendit mbi interesat e ngushtë personalë, ekonomikë dhe partiakë. Prandaj edhe miqtë e Shqipërisë dhe komuniteti ndërkombëtar i mëshojnë kaq shumë kërkesës për një bashkëpunim të sinqertë dhe të shëndoshë bazuar te kompromisi. Mënyra konstruktive me të cilën trajtojnë njëri-tjetrin komunitetet fetare dhe etnike në Shqipëri mund të shërbejë si një shembull shumë i përshtatshëm për rrugën e mëtejshme të integrimit të brendshëm dhe të jashtëm.

Fjala e Ambasadorit, kryetar i prezencës së OSBE-së në konferencën “Integrimi Evropian dhe Bashkëpunimi Rajonal në Ballkanin Perëndimor”

SHPËRNDAJE