Integrimi europian: sundimi i ligjit, demokraci, të drejta themelore

Ambasadore e Mbretërisë së Holandës në Shqipëri

1

DEWI VAN DE WEERD

Për mua është kënaqësi që më jepet mundësia t’u drejtohem sot juve. I jam mirënjohëse Institutit të Studimeve Ndërkombëtare e në veçanti Dr. Albert Rakipit, që më ka ftuar për të qenë folëse në Forumin Evropian.
Pararendësi im ka mbajtur këtu një fjalim, rreth një vit më parë. Gjatë kësaj kohe shumë gjëra kanë ndodhur. Më lejoni të filloj me diçka të rëndësishme. Shqipëria është bërë vend kandidat i BE-së. Do të doja t’u përgëzoja për statusin. Holanda është në mbështetje të plotë të përpjekjeve tuaja për integrimin evropian. Shqipëria i përket BE-së dhe Holanda është e gatshme ta mbështesë vendin në procesin e anëtarësimit.
1. Do të doja të diskutoja fillimisht disa nga zhvillimet më të fundit në BE. Le të shikojmë më me imtësi disa nga planet e Komisionit të ri.
2. Më tej do doja të fokusohesha në pozicionin e Holandës brenda BE-së, duke qenë se po përgatitemi për të marrë Presidencën e radhës në Bashkimin Evropian në janar të vitit të ardhshëm.
3. Së treti, le të hedhim një sy te BE-ja dhe Ballkani Perëndimor dhe të shikojmë se ku jemi me politikën e zgjerimit të BE-së.
4. Në përfundim, do të fokusohem te pjesa më e mirë, e ardhmja e Shqipërisë në BE.

1. BE-ja sot

Përreth Evropës Ka një rreth trazirash. Situata është shumë më serioze krahasuar me çfarë kemi parë në dekadat e shkuara. Kjo sjell jo vetëm pasiguri për shumë njerëz, por vjen edhe me valë të mëdha refugjatësh. Ne nuk mund t’i injorojmë ata. E pikërisht, në këto kohë të vështira, BE-së i duhet të veprojë.
Gjithashtu, brenda Bashkimit jemi përballur me një krizë ekonomike të thellë. Fatmirësisht, në shumë vende anëtare, tashmë, perspektiva është më e mirë. Megjithatë, politikat e nevojshme të zvogëlimit të deficitit publik kanë çuar edhe në trazira dhe rënie të mbështetjes për Evropën, siç e dimë të gjithë. Kjo ka çuar në më pak besim, jo vetëm midis vendeve anëtare, por edhe midis tyre.
Pas zgjedhjeve të vitit të kaluar, Parlamenti Evropian është rinovuar. Një Komision i ri filloi punën, me një president, Claude Juncker, i cili ishte në fakt kandidati i preferuar i Parlamentit Evropian. Ish-ministri i jashtëm i Holandës, Frans Timmermans, i cili e ka vizituar Shqipërinë në të shkuarën, e ka lënë Holandën për t’u bërë zëvendëspresident i Komisionit në Bruksel.
Komisioni i ri ka paraqitur axhendën e vet strategjike. Kjo axhendë parashtron pesë prioritete të cilat do ta drejtojnë punën e Bashkimit gjatë pesë viteve të ardhshme:
1. Një Bashkim me vende pune, rritje dhe aftësi konkurruese;
2. Një Bashkim që fuqizon dhe mbron gjithë qytetarët e vet;
3. Drejt një Bashkimi Energjetik me një politikë klimatike largpamëse. Ne duam më pak varësi nga furnizuesit e energjisë, që shkelin të drejtat e njeriut. Dhe në lidhje me klimën jemi vonë, në të vërtetë është 5 deri në 12;
4. Një Bashkim lirie, sigurie dhe drejtësie, që fokusohet te solidariteti dhe
5. Bashkimin si një aktor të fuqishëm global.
Axhenda i kushton vëmendje mënyrës se si duhet të formësohet dhe zbatohet politika evropiane. Parimet e subsidiaritetit dhe proporcionalitetit janë parime kryesore në këtë proces: Bashkimi duhet të fokusohet në fusha ku mund të sjellë ndryshim. Ai duhet të përmbahet që të mos veprojë aty ku vendet anëtare mund të veprojnë vetë. Parlamentet kombëtare duhet të jenë më të përfshira. Çfarë do të thotë kjo konkretisht? Më lejoni t’u jap një shembull. Kjo do të thotë që nuk duhet t’i kërkojmë Brukselit të kontrollojë, për shembull, përmasat dhe format e shisheve të vajit të ullirit. Kjo nuk shton asnjë vlerë. Por ne duhet të mbështetemi te Evropa për të përcaktuar standardet e sigurisë së shëndetit dhe ushqimit.

2. FOKUSI I NJË VENDI ANËTAR ME PËRMASA TË VOGLA APO TË MESME

Pozicioni holandez është i mirë-reflektuar në axhendën strategjike të BE-së. Ne duam një Bashkim që fokusohet në thelbësoren, në gjërat kryesore e jo në detaje. Një Bashkim që rrit vlerën e tij të shtuar për qytetarët dhe kompanitë e Evropës. Ne mendojmë se BE-ja duhet ta zvogëlojë barrën administrative. Për shembull, duhet të bëhet e mundur që një specialist të ri IT-je, të themi nga Gjermania, të shesë nga dyqani i tij gjëra online në Holandë, pa shumë rregullime, shkresa, etj. Ne duhet të arrijmë te një treg dixhital.
Ne kemi prezantuar programin për Presidencën tonë të BE-së vitin e ardhshëm, të cilin e kam sjellë me vete dhe ju lutem merrni një kopje nëse dëshironi. Do të doja të përmendja fushat ku përqendrohemi:
1) Mendojmë se një ndër detyrat kryesore është të krijojmë vende pune dhe rritje ekonomike, me fokus në inovacion dhe punë të ndershme.
2) BE-ja, me Holandën si një nga shtetet themeluese, ishte planifikuar si një komunitet legal, i bazuar në vlera të përbashkëta, që synon përparimin e interesave të përbashkëta. Na duhet të vazhdojmë të dëgjojmë qytetarët tanë dhe të sigurohemi që ata e gjejnë veten akoma te ideja evropiane. Ne duhet t’i bëjmë zërat e tyre të dëgjohen, të kemi debate, të kërkojmë idetë e tyre.
3) Mendojmë se BE duhet të forcojë më tej politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë. Ne besojmë në një qasje të integruar, me më shumë bashkëpunim në mbrojtje, midis vendeve anëtare, por edhe me NATO-n dhe aleatë të tjerë. Ne tani duhet t’u japim prioritet zonave në jug dhe ne lindje të BE-së.
Nëse ju do të bënit pyetjen, “ku janë kufijtë e Evropës?”, përgjigja është që ato janë aty ku vlerat e saj diskutohen më së shumti.
4) Shteti ligjor është një nga këto vlera themelore i cili duhet të respektohet nga çdo shtet anëtar. Dua të fokusohem më tej në këtë çështje. Kjo mund të shikohet nga dy perspektiva: ajo e qytetarit dhe ajo e kooperimit të vendit anëtar brenda BE-së.
Parimi kryesor i nënshtetësisë evropiane është që shtetasit e një vendi anëtar, që gjenden në një vend tjetër anëtar gëzojnë të njëjtat të drejta si shtetasit e këtij të fundit, në mënyrë që gjithkush të shfrytëzojë liritë e BE-së: lëvizja e lirë e mallrave, shërbimeve, kapitalit dhe njerëzve. Këto liri mund të garantohen vetëm nëse shteti ligjor funksionon efektivisht në të gjitha shtetet anëtare. Legjislacioni i harmonizuar krijon një fushë të barabartë loje. Kjo ndikon pozitivisht mbi kompanitë që punojnë në shtetet e ndryshme anëtare, pasi ato dinë se çfarë legjislacioni të presin. Por në këtë rast, diferencën nuk e bën vetëm vetëm ekzistenca e këtij legjislacioni, por edhe bindja se ai do të zbatohet.
Së fundi, për besueshmërinë e politikës së jashtme të BE-së dhe të vendeve anëtare është thelbësore që vetë vendet anëtare të jenë të qeverisura nga shteti ligjor. Koherenca është e nevojshme midis politikave të brendshme dhe të jashtme të të drejtave të njeriut.
Përpara se të vija këtu, drejtoja grupin tonë të të drejtave të njeriut në Hagë. Ne promovojmë të drejta të barabarta për gratë, për LGBT apo lirinë e shtypit, në vende si Zimbabve apo Rusi. Por si evropianë, ne nuk mund të tregojmë me gisht të tjerët, në një kohë kur të drejtat e njeriut nuk po respektohen brenda kufijve tanë. Kështu, ne duhet të sigurohemi që vendet anëtare mund të kërkojnë llogari ndaj një vendi tjetër anëtar apo kandidat. Edhe brenda Bashkimit, nuk kemi arritur akoma në këtë pikë. Shihni, për shembull, Hungarinë. Megjithatë, në këtë fushë ka progres. Këtë vit vendet anëtare do të fillojnë bisedime për të vlerësuar gjendjen e shtetit të tyre ligjor në nivel kombëtar, të monitoruar nga Komisioni. Kjo ka qenë dhe do të mbetet ndër prioritetet e axhendës holandeze.
Ne mendojmë se shteti ligjor nuk duhet të kuptohet vetëm si strukturë formale. Të rëndësishëm janë edhe faktorët kulturorë. Autoritetet duhet të veprojnë në frymën e shtetit ligjor, i cili duhet të jetë pikërisht kultura. Procedurat ligjore, procedurat e ankimimit, etj, nuk janë të mjaftueshme. Faktori vendimtar është kultura operuese ndër agjencitë dhe zyrtarët shtetërorë, të cilët kanë një rol kyç në shtetin ligjor. Forcimi i shtetit ligjor varet edhe nga vigjilenca dhe respekti për gjyqësorin. Politikanët dhe të tjerë në pozicione autoritare, si për shembull gjyqtarë të lartë apo shefat e policisë, duhet të japin shembullin e mirë.

3. ZGJERIMI I BE-së: NË UDHË

Pra, duke parëse cila është Evropa, mund të themi dhe këtu po citoj ish-ministrin Timmermans, se Evropa është një mënyrë jetese, një mënyrë të menduari. Të gjitha shtetet evropiane kanë një përzierje të ingredientëve të njëjtë të lirive dhe të drejtave njerëzore dhe respekt për sundimin e ligjit, qoftë ky në përbërje të ndryshme. Kjo nuk është diçka e lehtë për t’u arritur ose për t’u mbajtur, sikurse e shohim për momentin. Kjo kërkon investime të mëdha politike, financiare dhe sociale. Por ka një nivel të lartë rikthimi dhe kjo duket qartësisht nga vendet e Ballkanit.
Pavarësisht thirrjeve për ‘’më pak Evropë’’, ndoshta për shkak të zgjerimit tepër të shpejtë të Bashkimit Evropian në të shkuarën, ka gjithashtu edhe thirrje për ‘’më tepër’’ Evropë. Me anëtarësimin e Kroacisë në BE, hapja e negociatave me Malin e Zi dhe Serbinë, dhënia e statusit kandidat për Shqipërinë dhe rivendosja e marrëdhënieve miqësore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë – me të vërtetë kemi parë një prirje pozitive për Ballkanin Perëndimor gjatë viteve 2013-2014. I gjithë Ballkani Perëndimor ka një perspektivë anëtarësimi dhe kjo me të drejtë. Këto vende janë pjesë e Evropës dhe duhet t’i bashkohen BE-së eventualisht.
Por zgjerimi i BE-së nuk është i vetëkuptueshëm këto ditë, ashtu sikurse mbështetja për të. Kritikët dhe skeptikët po shtohen. Kjo prirje mund të kundërshtohet përmes argumenteve dhe përmes veprimeve. Në fund të fundit, mbështetja për zgjerimin mund të ruhet nga një proces i rreptë ku udhëheqin kushte të rrepta.
Fokusi i tanishëm i procesit të zgjerimit te sundimi i ligjit, demokracia dhe të drejtat themelore, e kanë bërë këtë gjë. E kanë vendosur thelbin e BE-së në zemër të procesit të anëtarësimit. Është mirë të shohim se vendet e Ballkanit Perëndimor po e pranojnë këtë sfidë dhe po i rrisin përpjekjet e tyre mbi këto çështje thelbësore.
Bashkimi Evropian dhe vendet anëtare duan të ndihmojnë vendet e Ballkanit Perëndimor t’i përmbushin këto kushte. Për këtë arsye, Holanda ia ka kushtuar asistencën e saj dypalëshe në Ballkanin Perëndimor pothuajse tërësisht sundimit të ligjit. Sapo kemi filluar një projekt pilot rajonal mbi sundimin e ligjit, me ekspertë në të gjithë ambasadat tona në Ballkan.
Shqipëria po luan një rol aktiv në rajon. Në të njëjtën kohë është e qartë se çështjet e ndjeshme që lidhen me bashkëpunimin rajonal mbeten, veçanërisht sa i përket Serbisë dhe Kosovës. Mendojmë se është e rëndësishme që të gjitha palët të jenë të ndërgjegjshme për këtë dhe të shmangin krijimin e keqkuptimeve. Marrëdhëniet e mira fqinjësore janë një aspekt i rëndësishëm për procesin e anëtarësimit në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.
Duhet të kuptojmë gjithashtu se BE-ja, siç e shohim sot, nuk është BE-ja në të cilën vendet e Ballkanit Perëndimor do anëtarësohen me kalimin e kohës. Ajo po ndryshon me shpejtësi, veçanërisht sa i përket qeverisjes ekonomike. Shikoni, për shembull, sektorin bankar. Vendet që duan të anëtarësohen, duhet të përgatiten për kërkesat e qeverisjes ekonomike që do t’i paraqiten sapo të bëhen pjesë e Bashkimit Evropian. BE-ja ka nevojë të ndihmojë gjithashtu, ndaj përmirësimi i qeverisjes ekonomike është një prej prioriteteve për Shqipërinë. Kjo nënkupton gjithashtu asistencën ndaj vendeve kandidate për të përmirësuar kapacitetet e tyre, për shembull në statistika. Holandës i është kërkuar të analizojë efikasitetin energjetik dhe të shohë nëse rregullatori energjetik mund të punojë me homologun shqiptar.
Pas anëtarësimit të Kroacisë në vitin 2013, nuk pritet të ketë anëtarësime të reja në BE. Vendet e Ballkanit Perëndimor do të kenë një perspektivë të sinqertë për anëtarësim në BE – integrimi i tyre në BE do të kontribuojë në stabilitetin rajonal dhe evropian – por ato janë përgjegjëse për rrugëtimin e anëtarësimit të tyre.

4. SHQIPËRIA DHE E ARDHMJA E SAJ NË BE: DUHEN DY VETË PËR TË KËRCYER TANGON

Holanda është mbështetëse e përpjekjeve integruese të Shqipërisë. Dje dhe sot, ministri Bushati dhe ministri Gjiknuri po vizitojnë Holandën. Ata patën një drekë më ministrin tonë të punëve të jashtme Koenders dhe u takuan me ministrin e çështjeve ekonomike, Kamp. Dhënia e statusit kandidat në Qershor është një moment i rëndësishëm si për vendin ashtu edhe për qeverinë. Është një njohje e merituar e progresit që është shënuar deri tani. Është fantastike të shohësh që ka mbështetje të madhe publike për BE-në, 91%.
Kemi shumë gjëra të përbashkëta. Holanda sinqerisht e vlerëson faktin që Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe vend që e rreshton veten me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë së BE-së, veçanërisht pasi situata aktuale gjeopolitike është në fluks.
Si Holanda ashtu edhe Shqipëria janë tashmë anëtare të Këshillit të të Drejtave të Njeriut në OKB. Sikurse vende të tjera të ngjashme, mund të punojmë së bashku mbi çështje të të drejtave të njeriut, si më tepër pjesëmarrje politike të grave ose dhënies fund dhunës ndaj gruas. Holanda është kandidat për Këshillin e Sigurisë të OKB-së, sikurse edhe Shqipëria.
Duke iu rikthyer BE-së, mendojmë se statusi i vendit kandidat do të thotë se reformat duhet të përshpejtohen. Shkrirja e bashkive përmes reformës territoriale është një fillim i mbarë. Shpresojmë që kjo do të kontribuojë në luftën kundër korrupsionit. Mendojmë se reforma në drejtësi duhet të ofrojë një sistem të ri që shqiptarët të mund ta besojnë në jetën e tyre të përditshme. Kjo është thelbësore për progresin: një sistem gjyqësor më i besueshëm do të tërheqë më tepër investime të huaja.
Reforma e administratës publike dhe progresi në media i dixhitalizimit janë të nevojshme dhe të mirëpritura. Dua të theksoj edhe njëherë rëndësinë e përfshirjes së qytetarëve shqiptarë në vendimmarrje. Ne do të vijojmë të mbështesim këtë.
Holanda ka qenë kritike ndaj gatishmërisë së Shqipërisë për marrjen e statusit kandidat në të shkuarën. Dhe ende jemi. Më lejoni të përmend disa hapa pas që duhet të preken nga perspektiva holandeze:
• Funksionimi i duhur i dialogut politik, veçanërisht aty ku i përket, në parlament. Bojkoti i plotë ose i pjesshëm i parlamentit dhe polarizimi ekstrem nuk ndihmojmë. Si qeveria ashtu edhe opozita kanë përgjegjësitë e tyre që ta bëjnë bashkëpunimin të funksionojë. Më bëri përshtypje që kërkimet e kohëve të fundit kanë treguar se besimi i qytetarëve shqiptarë në partitë e tyre politike qëndron në 15%, shumë shifër e ulët.
• Përmirësimi i funksionimit dhe pavarësisë së gjyqësorit është thelbësor. Përse nuk po merr pjesë Këshilli i Lartë i Drejtësisë në reformën gjyqësore?
• Të sigurohet se lufta kundër korrupsionit nuk e kufizon veten tek peshqit e vegjël, por fokusohet njësoj tek korrupsioni i një shkalle të gjerë. Ka patur një numër të madh ankesash, 4300 në portalin e ri elektronik. Por në fakt jam më tepër e interesuar për numrin e rasteve që do të ndiqen.
• Liria dhe pavarësia e medias ka nevojë për përmirësim.
Është e qartë se shumë punë mbetet për t’u bërë para hapjes së negociatave. Që prej fillimit të politikave zgjeruese në vitin 1993 Holanda ka ndërmarrë një qasje për të vlerësuar progresin e axhendës së zgjerimit përmes një metode që e quajmë “strikte dhe të drejtë”. Çfarë do të thotë kjo?
Strikte do të thotë që e marrim seriozisht pikën fillestarë të “acquis”. Acquis është një sërë parimesh bazike të Bashkimit Evropian dhe kriteri i Kopenhagenit stimulon një minimum kushtesh që duhet të plotësohen para se një vend të bëhet anëtar i BE-së. Këto kushte janë:
1. Institucione të qëndrueshme që garantojnë demokraci, sundim ligji, të drejta të njeriut dhe respekt për mbrojtjen e minoriteteve;
2. Një ekonomi tregu funksionuese me aftësinë për t’u përballur me konkurrencën dhe forcat e tregut;
3. aftësinë për të implementuar në mënyrë efikase detyrimet e anëtarësimit, duke përfshirë aderimin në qëllimet politike, ekonomike dhe monetare të bashkimit.
Në qasjen strikte dhe të drejtë, e drejtë do të thotë se Bashkimi Evropian dhe shtetet anëtare janë të përgatitur të ndihmojnë vendet në përmbushjen e kushteve minimale të kritereve të Kopenhagenit. Ne jemi për shembull duke parë kërkesat për të ndihmuar Shqipërinë në vendosjen e ekipeve negociuese.
Fondet holandeze përdoren për të mbështetur Shqipërinë në fushën e gjyqësorit, të drejtave të njeriut dhe sundimin e ligjit. Disa shembuj të këtyre projekteve janë:
1) Trajnimi i policisë mbi diversitetin dhe si të përballemi me dhunën në familje
2) Përmirësimi i implementimit të procedurave të e-prokurimit që çojnë në kufizimin e korrupsionit, rritjen e transparencës dhe konkurrueshmërinë ndërmjet operatorëve ekonomikë/bizneseve.
3) Përgatitjen e ligjit për mbrojtjen e whistle-blower.
Zonja dhe zotërinj, dëshiroj të përfundoj me një citim të Erasmus, një filozof i famshëm holandez dhe një prej baballarëve themelues të konceptit të Evropës.
“Ka disa njerëz që jetojnë në një botë ëndrrash dhe disa të tjerë që përballen me realitetin; Dhe ka nga ata që transformojnë njërin në tjetrin”.
I kam vendosur shpresat tek një brez i ri dinamik shqiptar që do të bëjë pikërisht këtë.

SHPËRNDAJE