CARL BILDT
Ish-Përfaqësues Special i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara për Ballkanin, ish-Kryetar i Partisë së Moderuar nga 1986 deri në 1999 dhe ish-Kryeministër i Suedisë në vitet 1991 dhe 1994.
Në ditët e sotme duket me vend të reflektojmë si mbi gjendjen e Evropës, ashtu edhe të botës. Pak dyshime ka që rendi evropian dhe në fakt, rendi global, që jemi përpjekur të krijojmë po ndryshon thellësisht.
Sot e shohim shpërthimin e luftës së madhe si fillimin e vërtetë të shekullit të tmerrshëm të njëzetë dhe më pas dhomat e gazit, kampet e përqendrimit, telat me gjemba dhe muret që pasuan.
Vetëm çerek shekulli më parë, me zgjedhjet në Poloni dhe rënien e murit të Berlinit, kontinenti ynë filloi të rindërtonte të ardhmen e tij që ne të guxonim tëëndërronim për një Evropë që do të ishte e plotë dhe e lirë, demokratike dhe dinamike.
Vitet në vijim janë karakterizuar nga arritje të mëdha. Të parë në nivel global, ato kanë qenë ndër kohët më të mira për njerëzimin në tërësi. Ajo që Evropa arriti gjatë këtyre dekadave ishte një pjesë e rëndësishme suksesi e historisë ndërkombëtare.
‘’Duhet të kuptojmë se ndryshe nga reagimet tona, me gabime të dukshme, pas luftës së gushtit 2008 ndërmjet Gjeorgjisë dhe Rusisë, kriza e Ukrainës është më tepër një episod i pafat, që do të kalojë së shpejti’’.
Pak njerëz e parashikuan bashkimin paqësor të Gjermanisë, por edhe më pak rivendosjen e pavarësisë së tre shteteve baltike. Por ne pamë edhe pengesat e një dekade brutale lufte në Ballkan, që ishin një jehonë e tmerrshme e shekullit të kaluar.
Luftërat e mëdha në historinë e Evropës kanë përfunduar zakonisht me marrëveshje të mëdha paqeje që kishin për qëllim rregullimin e gjërave në një mënyrë që do të siguronte paqen dhe stabilitetin në vitet e ardhshme. Ndaj mendojmë për Paqen e Vestfalisë të vitit 1648, Traktatin e Utrehtit të vitit 1713 apo Kongresin e Vjenës të vitit 1815. Më pas, sigurisht që ishte Versaja, më 1919, trashëgimia e të cilës la shumë për të dëshiruar. Nuk është aspak befasuese që ne i referohemi shpesh asaj si ‘’paqja që i dha fund paqes’’.
Vetëm një çerek shekulli më parë, udhëheqësit kombëtarë në kontinentin tonë mundën të uleshin e të kërkonin marrëveshje të vërteta mbi parimet e paqes, pas gjithë tmerreve që erdhën prej asaj dite vere të vitit 1914 në Sarajevë.
Ata e bënë pikërisht këtë, ndërkohë që këto parime i parashtruan në Kartën e Parisit të vitit 1990 dhe më pas të parashtruara në konceptin ambicioz të Organizatës për Sigurimin dhe Bashkëpunimin në Evropë.
‘’Nëse veprimet e Rusisë do të pranoheshin, mund të shohim një situatë në të cilën, me kalimin e kohës, solidariteti mbi të cilin është krijuar Bashkimi Evropian do të tensionohet, me gjithë zhvillimet e paparashikueshme që mund të ndodhin më tej’’.
Ajo që u shqiptua në atë kohë ishte koncepti i paqes që shkoi shumë më tej, duke përcaktuar një mungesë të luftës. Ai e përkufizonte paqen të ndërtuar mbi respektin për të drejtat e njeriut, për çdo njeri në shoqëritë tona. Ne evropianët e morëm mësimin e eksperiencës së hidhur të shekullit të 20-të, i cili ishte që rendi i brendshëm i shtetit është po aq i rëndësishëm për paqen sa edhe marrëdhëniet që ekzistojnë ndërmjet tyre.
Për rrjedhojë, ishte shumë e rëndësishme që anëtarësia në Këshillin e Evropës dhe Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut të zgjerohej te të gjitha kombet e kontinentit tonë.
Pjesa më e madhe e kësaj bëhej sigurisht për Rusinë. Ishte shumë e rëndësishme që të krijonim një rend, i cili përfshinte si Rusinë, ashtu edhe shtetet që lindën prej rënies së Bashkimit Sovjetik. Një hap i parë ishte Marrëveshja e Partneritetit dhe Koordinimit, e përfunduar në vitin 1994 ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Rusisë, që u pasua në vitin 1997 me Aktin Themelues, të nënshkruar nga NATO dhe Rusia.
Bashkimi Sovjetik mund të kishte humbur Luftën e Ftohtë, por Rusia e re, që u shfaq, ishte pjesë e formimit të rendit të ri të paqes dhe sigurisë që erdhi më pas. Aty nuk pati asnjëherë bisedime poshtëruese të stilit të Versajës – dhe duke pasur parasysh zhvillimet e njëpasnjëshme kjo është një pikë shumë e rëndësishme. Federata e re Ruse, me aspiratat e saj demokratike dhe evropiane, gjatë viteve 1990 u prit pozitivisht nga Evropa dhe nga Perëndimi.
Në disa marrëveshje, që përfunduan gjatë këtyre viteve formuese, u mishëruan disa parime kryesore dhe natyrisht ato reflektonin eksperiencat e dekadave të hidhura pararendëse. Ato gjithashtu i detyroheshin në një farë mënyre edhe sfidave që u shfaqën nga ndarja e Bashkimit Sovjetik fillimisht dhe më pas e Jugosllavisë.
‘’Duket sikur nuk ka gjasa që revizionizmi i Rusisë të përfundojë me Krimenë apo me rajonin kryesisht rusisht-folës të Donbasit në Ukrainën Lindore’’.
Marrëveshja Belavezha e dhjetorit 1991 i dha fund marrëveshjes së arritur nga Bashkimi Sovjetik që të gjitha republikat përbërëse të BRSS-së do të kishin të drejtën e pavarësisë, por pavarësia do të mbetej brenda kufijve ekzistues. Edhe i ashtuquajturi Komisioni Badinter, i themeluar prej Komunitetit Evropian, në fillim të krizës jugosllave, parashtroi të njëjtin parim.
Ndaj Belavezha dhe Badinteri thanë të njëjtën gjë: Po pavarësisë dhe vetëvendosjes, por kufijtë duhet të respektohen dhe ndryshimet e kufijve duhet të bëhen me marrëveshje.
Për këtë kishte arsye mjaft të shëndosha. Kufijtë kombëtarë brenda Evropës janë përcaktuar ku më shumë e ku më pak me gjak gjatë shekujve të konflikteve brutale, spastrimeve etnike dhe lëvizjeve masive të popullsisë. Ndonjëherë këto kufij duken mjaft logjikë për syrin modern, por ka edhe raste – shumë prej të cilëve në ish-Bashkimin Sovjetik dhe në Ballkan – ku kjo gjë është më e diskutueshme. Por t’i hapësh ato raste apo të ftosh të tjerët të bëjnë një gjë të tillë, do të thotë të rrezikosh që të derdhet sërish gjak.
Parimi i respektimit të kufijve ekzistues u parashtrua kështu ndër themelet kryesore të paqes në Evropë dhe deri në mars të vitit të kaluar ai zbatohej në mënyrë të rreptë.
Gjatë viteve të konfliktit në Ballkan, ne në Evropë nuk pranuam të bëheshin ndryshime në kufijtë brenda Republikës Jugosllave. Ne këmbëngulëm për integritetin territorial të Kroacisë dhe nuk pranuam të sillnim ndërmend ndarjen e Bosnjës, mbrojtëm integritetin e Maqedonisë dhe ishim të qartë që Kosova e Veriut duhet të mbetet Kosovë e Veriut dhe Serbia e Jugut duhet të mbetet Serbi e Jugut.
‘’Ne duhet të pranojmë gjithashtu se nuk do të jetë më e mjaftueshme të japim deklarata dhe të shpresojmë që një dialog diplomatik do t’i lehtësojë gjërat – edhe nëse nuk arrin dot t’i zgjidhë ato’’.
Dekada e luftës që përfshiu Ballkanin, që nga Sllovenia te Maqedonia, ishte brutale dhe e tmerrshme, e megjithatë jam thellësisht i bindur se dhuna mund të kishte qenë shumë më e ashpër nëse nuk do ta kishim zbatuar këtë parim.
Ne nuk duhet të harrojmë, se këtë parim e respektuam edhe kur erdhi puna te vetë Rusia. Edhe pse shpesh u tmerruam nga sjellja e forcave ruse, kur ato u përpoqën të shtypnin thirrjet çeçene për vetëvendosje dhe megjithëse ishim kritikë të ashpër të shkeljeve masive të të drejtave të njeriut që pasuan, asnjëherë nuk u lëkundëm në mbështetjen tonë për integritetin territorial të Federatës Ruse.
Ndaj është e natyrshme që ne duhet t’i mbeteshim besnikë këtij parimi, kur u rikthye lufta në Kaukazin e Jugut, në gusht të vitit 2008. Integriteti territorial i Gjeorgjisë shihej si i rëndësishëm për integritetin territorial të Rusisë. Në këtë mënyrë, ne në Evropë refuzuam praktikën historike të ndryshimit të kufijve përmes forcës. Si asnjëherë më parë filluam me vendosmëri ndërtimin e Evropës përmes zvogëlimit paqësor të rëndësisë së kufijve.
Politikat tona në këtë kuadër nuk u kufizuan asnjëherë vetëm te anëtarët e Bashkimit Evropian. Vizioni ynë për një Evropë me lëvizje të lirë mallrash, shërbimesh, kapitali, njerëzish dhe idesh, që nga Lisbona në Vladivostok, mbetet ende dhe themelet e tij mund të shihen nga të gjithë.
Partneriteti i Lindjes për Ukrainën dhe për pesë vendet e tjera që gjenden ndërmjet nesh dhe Federatës Ruse, është një ndër këto themele të rëndësishme. Negociatat e anëtarësimit me Turqinë përbëjnë një tjetër, pas angazhimit të BE-së në Selanik për të gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor, i cili përbën një bllok tjetër themeli. Edhe bisedimet që kanë filluar në vitin 2008 dhe kanë për qëllim të arrijnë atë që quhet Marrëveshja e Re me Rusinë për të zëvendësuar Marrëveshjen e Vjetër të Partneritetit dhe Asociimit, reflektojnë deri diku të njëjtën ambicie.
Që prej fillimit të vitit 2014 jemi përballur me një situatë të re dhe kjo është një situatë në të cilën parimet dhe vizioni ynë po sfidohen thellësisht. Thonë se shekulli i njëzetë filloi në vitin 1914 dhe historianët në të ardhmen mund të thonë se shekulli 21 filloi në vitin 2014. Në orët e para të ditës së mërkurë, më 27 shkurt, një grup i armatosur mori në kontroll ndërtesën e parlamentit të Krimesë, në Simferopol dhe në orët në vijim udhëheqja e vjetër e rajonit autonom u hodh jashtë, ndërkohë që u instalua një udhëheqje e re, me një program krejt të ndryshëm.
Ne na u desh ca kohë që të kuptonim atë që tani e njohim si fakt: këto ishin forca speciale të Federatës Ruse, por që operonin pa ndonjë shenjë dalluese kombëtare. Sulmi, pushtimi dhe aneksimi i Krimesë nuk ishin operacione të shpejta apo të kufizuara për nga rëndësia. Ajo ishte një shkelje e rëndë e parimeve themelore të sigurisë në Evropë mbi të cilat ishte rënë dakord në fund të Luftës së Ftohtë. Që atëherë, Rusia është përpjekur të mbështesë një sërë argumentesh për të justifikuar atë që ka bërë, por asnjëri prej tyre nuk mund të pranohet, pa pasoja të rënda për të ardhmen e të gjithëve.
Në Moskë, Kremlini me siguri ka pasur mosmarrëveshje me Kievin dhe u tmerrua kur Presidenti i atëhershëm i Ukrainës, Viktor Janukoviç, braktisi thjesht postin e tij dhe marrëveshja e datës 21 shkurt e bëri që t’i frikësohej frymës së re demokratike që po lindte atje. Sado i fuqishëm të jetë ndjerë Kremlini ndaj këtyre zhvillimeve, mospëlqimi për atë që po ndodh në një vend fqinj nuk mund ta justifikojë asnjëherë pushtimin e tij.
Argumenti kryesor i paraqitur nga rusët dhe nga vetë Presidenti Putin, ka qenë se Krimea është pjesë e Rusisë dhe i është dhënë Ukrainës vetëm në vitin 1956. Në fakt, historia e gjatë dhe e pasur e Krimesë e ka vendosur atë nën një sërë perandorish dhe udhëheqësve të tyre dhe ky gadishull ka qenë pjesë integrale e Rusisë për më pak se dy shekuj. Një vështrim i shpejtë i Hartës së Evropës na mjafton për të na kujtuar se pak vende janë që në një kohë të caktuar nuk kanë qenë pjesë e një shteti tjetër dhe në shumë raste për shumë më tepër se dy shekuj. Tre shtetet baltike, për shembull ,ishin pjesë e Rusisë për një kohë shumë më të gjatë se Krimea.
Mund të jetë e vërtetë se një pjesë thelbësore e rusisht-folësve të Krimesë e mendojnë përfshirjen brenda Rusisë si një ide të mirë, edhe nëse sondazhet para pushtimit nuk kishin treguar ndonjë mbështetje të rëndësishme për këtë gjë. Por nëse pranimi i tyre për aneksimin përbën justifikim, atëherë e njëjta logjikë mund të zbatohet nga disa kombësi të tjera në pjesë të tjera të Evropës. Në Ballkan, për shembull, mund të organizosh me lehtësi një referendum të ngjashëm, që do të shkaktonte një mërzi të madhe për disa shtete të rajonit.
Me fjalë të tjera, në argumentet e ofruara për të justifikuar pushtimin rus, zaptimin dhe aneksimin e Krimesë, ka rreziqe të mëdha. Ne në Evropë përballemi me një përpjekje jo vetëm për të rishkruar kufijtë, por edhe parimet kyçe që qëndrojnë në themel të sigurisë tonë.
Kërcënimi ndaj këtyre parimeve është bërë i qartë në një sërë mënyrash. Fjalimi i Presidentit Putin në Kremlin, në mars të vitit të kaluar, pas aneksimit të Krimesë, parashtroi vizionin e tij të ‘’Rusisë së Madhe’’ dhe në një farë mënyre ndërtohej mbi konceptin që ai kishte parashtruar pas luftës së shkurtër të Rusisë me Gjeorgjinë në gusht të vitit 2008. Kjo shprehte pikëpamjet e tij mbi të drejtën e Rusisë për të përdorur forcat e armatosura për të mbrojtur qytetarët e saj në vendet fqinje. Që prej asaj kohe ai e ka çuar këtë edhe më tej, pasi në Konferencën e Valdait, në tetor të vitit të kaluar, ai mbajti fjalimin e titulluar ‘’Rregullat e reja ose një lojë pa rregulla’’, në të cilin tha në mënyrë të hapur se Rusia nën udhëheqjen e tij nuk i pranonte më rregullat ekzistuese mbi paprekshmërinë e kufijve kombëtarë. Ai deklaronte si parim të parë se ‘’ndryshimet në rendin botëror – dhe ajo që po shohim sot janë ngjarje të kësaj shkalle – nëse nuk janë shoqëruar zakonisht nga një luftë dhe konflikt global, janë shoqëruar nga një zinxhir konfliktesh intensive në nivel lokal’’.
Edhe pse kjo u nënkuptua, pushtimi i Krimesë dhe përpjekjet e mëpastajme për ta shpërbërë Ukrainën, duke themeluar entitetin e ashtuquajtur Novorossia, duhet të shihet si zbatim konkret i këtij parimi. Zëvendëskryeministri i Rusisë, Dimitri Rogozin ka deklaruar në twitter se ajo që po shohim tani është rikthimi i fuqisë ruse dhe se përballja me Perëndimin duhet të pranohet si pjesë e këtij procesi. Këto mesazhe revizioniste duket se kanë për qëllim rikthimin te koncepti i ‘’sferave të interesit’’, që nënkuptojnë sovranitet të kufizuar për disa dhe të drejta të pakufizuara për disa të tjerë. Kjo qenka një botë në të cilën pushteti ka të drejtë dhe ligji nuk zbatohet njësoj për të gjithë.
Nëse evropianët do ta pranonin këtë, pasojat do të ishim të thella. Kjo është veçanërisht e vërtetë për Evropën Lindore, pasi nëse pranojmë se Rusia ka të drejtë të vendosë kufizime ndaj sovranitetit të Ukrainës, çfarë garancie kemi që nuk do të kërkojë të ushtrojë të njëjtën të drejtë diku tjetër? Duket se nuk ka gjasa që revizionizmi i Rusisë të mbarojë me Krimenë apo me rajonin kryesisht rusishtfolës të Donbasit në Ukrainën Lindore.
‘’Sot, fillojmë të dëgjojmë sërish oshtimën e armëve dhe nuk është vetëm pushteti revizionist rus në lindje që përbën sfidë. Në jugun e Evropës shohim një rrezik që vjen nga Lindja e Mesme sikundër e kemi parë të shpërbëhet’’.
Pasojat rrezikojnë të shkojnë edhe më tej. Nëse veprimet e Rusisë do të pranoheshin, mund të përballemi me një situatë, në të cilën do të ngushtohet solidariteti mbi të cilin është ndërtuar vetë Bashkimi Evropian, me gjithë zhvillimet e paparashikueshme që mund të ndodhin me kalimin e kohës. Në disa prej vendeve të BE-së tashmë mund të shohim veprime politike që shprehin admirim për Putinin si një njeri i fuqishëm, që nuk ka frikë të përdorë pushtetin ushtarak dhe ‘’maço-nacionalizmi’’ i të cilit kërkon të diktojë fatin e të tjerëve. Fakti thellësisht shqetësues është se një numër vendesh nëpër botë tashmë duken gati që ta zhvendosin vëmendjen në mënyrë që të shmangin marrjen e një qëndrimi mbi çështjen e Ukrainës.
Kjo ambivalencë nuk vjen kryesisht nga ndonjë simpati e veçantë me atë që ka bërë Rusia. Por disa mund të shohin mundësi për të ardhmen, qoftë kjo një kapje e shpejtë e tokës, sheshimin e mosmarrëveshjeve të vjetra apo thjesht afirmimin e ndonjë të drejte që mendojnë se kanë. Ka pjesë të mira të Azisë Lindore ku kjo mund të ndodhë dhe ku pasojat mund të jetë tejet të rrezikshme. Azia Qendrore, në fund të fundit, është një rajon ku kufijtë, në vend të të qenit logjikë, janë vendosur shpesh në mënyrë arbitrare nga fuqitë e vjetra sovjetike.
Ndaj implikimet e aneksimit të Krimesë shkojnë përtej Ukrainës dhe madje edhe përtej Evropës, pasi këto implikime sfidojnë rregullat e rendit ndërkombëtar. Kjo është arsyeja përse është mjaft e rëndësishme të jemi të gatshëm të ngrihemi së bashku kundër këtyre zhvillimeve. Ne në BE nuk duhet ta tolerojmë asnjëherë agresionin dhe nuk duhet të heqim dorë nga parimet tona.
Duhet gjithashtu ta pranojmë se nuk mjafton me thjesht dhënia e deklaratave dhe të shpresojmë se një dialog diplomatik do t’i lehtësojë gjërat – edhe nëse ai dështon për zgjidhjen e tyre. Duhet të kuptojmë se në kontrast me reagimet tona të gabuara pas luftës ndërmjet Gjeorgjisë dhe Rusisë, kriza e Ukrainës është më tepër se një episod i pafat që do të kalojë së shpejti.
Raporti i një eksperti politikash drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s në prag të Samitit të Uellsit, shtatorin e kaluar, e hodhi vështrimin te panorama më e gjerë dhe arriti në përfundimin se ‘’shfaqja e një bote më të rrezikshme në dekadën e dytë të shekullit 21 përbën një test historik për qeveritë e komunitetit transatlantik’’. Dhe ne kemi bërë një rrugë tepër të gjatë që nga hyrja triumfale te Strategjia Evropiane e Sigurisë e vitit 2003, që thotë se ‘’Evropa nuk ka qenë kurrë kaq e begatë, as kaq e sigurt apo e lirë’’ dhe se ‘’dhuna e gjysmës së parë të shekullit 20 i ka lënë vendin një periudhe paqeje dhe stabiliteti të paprecedent në historinë evropiane’’.
Sot, fillojmë të dëgjojmë edhe njëherë oshtimën e armëve dhe nuk është vetëm fuqia revizioniste ruse e lindjes që përbën një sfidë. Në një raport të vitit 2006, Instituti i BE-së për Studime të Sigurisë, me qendër në Paris, paralajmëroi për ‘’mundësinë e shpërbërjes sistematike të të gjithë Lindjes së Mesme’’. Pothuajse një dekadë më pas, pjesë të mëdha të atij rajoni duket se po i drejtohen versionit arab të luftës tridhjetë vjeçare që ndau Evropën gjysmë mijëvjeçari më parë.
Paqendrueshmëria në rritje në fqinjësinë e afërt të BE-së po na ndikon gjithnjë e më shumë. Prej disa vitesh, njësi të ushtrisë suedeze u dislokuan me trupat e NATO-s në Mazar-el-Sharif, ku fushat e Azisë Qendrore takohen me Malet e Hindu Kushit. Ky dislokim ka përfunduar tashmë dhe forcat suedeze kanë hyrë në një operacion të ri sfidues me Kombet e Bashkuara në qytetin legjendar të Timbukut, ku rajoni i thatë Sahel bashkohet me rërën e Saharasë.
Implikimet për Bashkimin Evropian janë mjaft të dukshme. Përpjekjet e BE-së për të ndërtuar një politikë të jashtme dhe të sigurisë vërtet të përbashkët duhet të ngjiten në krye të axhendës, pasi vetëm duke vepruar së bashku në Bashkimin Evropian, shpesh në partneritet me Shtetet e Bashkuara, ne mund t’i trajtojmë këto sfida. Fatkeqësisht, suksesi nuk është i sigurt nëse e bëjmë këtë – por dështimi do të jetë i pashmangshëm nëse nuk e bëjmë një gjë të tillë. Kohezioni i BE-së është një parakusht për paqen dhe stabilitetin në Evropë.
Vitet e fundit kanë parë sfida të thella financiare dhe ekonomike, por deri në vitin 2014 çështjet e jashtme figuronin rrallë në axhendën e Këshillit Evropian. Sfidat ekonomike mbeten, megjithatë, sipas mendimit tim, vitet e ardhshme ato do të dominohen nga një shkallë më e madhe sfidash politike.
Revizionizmi në lindje dhe mungesa e rendit në jug janë më të dukshmet, por duhet të përballemi edhe me rrezikun e fragmentimit të BE-së, pasi politikanët në Mbretërinë e Bashkuar luajnë me idenë e rrezikshme të largimit. Një bashkim i dobësuar dhe i copëzuar do të rriste rreziqet e jashtme për ne të gjithë. Në shekullin 21 duhet të përgatitemi për një rrugëtim të vështirë.