Problemet me historinë

0

 Adam Michnik

I

Një nga të përjavshmet djathtiste në Poloni botoi një sërë artikujsh mbi makartizmin, që shërbyen si një apologji e madhe për veprën e Senatorit Xhozef Makarti (Joseph McCarthy) dhe të tjerëve që kurdisën Panikun e Kuq në Amerikë më shumë se pesëdhjetë vjet më parë. Ky episod i trishtuar në historinë e Shteteve të Bashkuara, u karakterizua me triumfin e informatorëve dhe shantazheve, e një kulture të frikës dhe hetimeve – që përfundoi me diskreditimin e Senatorit Makarti, një inkuizitor që kërkonte komunistë edhe në Shtëpinë e Bardhë, në Pentagon dhe Departamentin e Shtetit – që kohët e fundit ka gjetur entuziastë në anën tjetër të oqeanit, në Poloni, një vend që është krenuar si pjesëtar i familjes së shteteve demokratike. Dhe ka të drejtë të krenohet, sepse Polonia në të vërtetë është një vend demokratik. Por ky admirim për veprën e Makartit dhe pasuesve të tij tregon fare mirë kurthet që i presin demokracitë e reja të periudhës paskomuniste. Dhe kjo nuk lidhet vetëm me Poloninë. Secila nga këto demokraci të reja dyshohet nga sëmundja e shkaktuar prej virusit të veçantë ideologjik, që unë e quaj virusi i antikomunizmit me pamje bolshevike. Ky virus mund të quhet edhe ndryshe – virusi i fundamentalizmit, që përhap besimin se duke përdorur metodat e frikësimit të opinionit publik mund të ndërtohet një botë pa mëkate dhe se kjo mund të ndodhë vetëm në qoftë se shteti drejtohet nga individë pa mëkate, që janë të pajisur me doktrinën e projektit të vetëm dhe të saktë për organizimin e marrëdhënieve njerëzore.

Po cili na qenka ky projekt i vetëm dhe i saktë? Ai është një projekt për të luftuar kalbëzimin që manifestohet në korrupsionin, rënien morale, pornografinë, pansekzualizmin, abortin dhe homoseksualizmin, kontracepsionin dhe feminizmin. Ky kalbëzim gjen shprehjen e vet edhe si një relativizëm moral, që do të thotë mosbesim te të vërtetat e zbuluara dhe përfundimtare, që shpallen nga ata që janë në pushtet. Ai e zbulon veten si një krizë e identitetit kombëtar, që është kozmopolitizëm pa përkatësi kombëtare apo si përçmim ndaj historisë heroike të kombit të vet. Kjo botë në kalbëzim karakterizohet nga lidhje të fshehta mes njerëzve “mëkatarë” – lidhje që duhet të shkatërrohen dhe të eliminohen menjëherë. Kjo është arsyeja përse duhet forcuar kontrolli, kodi penal duhet ashpërsuar dhe një komb i mirë duhet të mbrohet prej njerëzve që janë zhytur në mëkate. Kjo është arsyeja që “ata pa mëkate” duhet të marrin përsipër aparatin e sigurisë, sistemin e drejtësisë, botën e medias dhe operacionet financiare, rekordet e policisë dhe arsimin e rinisë, institucionet e kulturës dhe trashëgiminë kombëtare. Dhe ky proces i marrjes përsipër të shtetit nga grupi i atyre “pa mëkate” duhet të shoqërohet me çjerrjen e vazhdueshme të maskave të mëkatarëve. E gjithë kultura e kohëve të fundit dhe njohuritë historike u krijuan mbi të gjitha nga mëkatarët dhe kjo është arsyeja përse ato janë fëlliqur me falsitete. Për këtë arsye mëkatari duhet ekspozuar dhe historia duhet rishkruar sërish. Kjo do të çohej përpara nga “politika e historisë” e shpallur kohët e fundit.

Politika e historisë, siç e propagandojnë arkitektët e saj, synon të pastrojë të kaluarën e nihilizmit kombëtar dhe relativizmin moral. Ata po ashtu shpallin se pragu i transformimit demokratik, iu kërkohet polakëve (por edhe rusëve, rumunëve, sllovakëve e të tjerë) që të heqin dorë nga identiteti i tyre historik dhe kombëtar. Sot, autorët pa mëkate të politikës së historisë duan ta sjellën përsëri këtë krenari të përligjur në të kaluarën kombëtare. Le ta injorojmë faktin që ata burra shteti ishin të rremë, sepse askush nuk e bëri ndonjëherë atë lloj kërkese absurde. Por ç’do të thotë në praktikë një politikë e tillë e historisë? Ajo nënkupton një marrëdhënie shfajësuese ndaj të kaluarës kombëtare. Ajo na paraqet tezën se të gjitha fatkeqësitë polake ishin rezultat i dashamirësisë, i besimit dhe mirësjelljes polake, si dhe ligësisë dhe egërsisë së të huajve.

Natyrisht që ky lloj të menduari nuk është vetëm një dukuri polake. Kjo lloj vetëdijeje historike ekziston në çdo kulturë kombëtare. Por kur flitet për mëkatet tona ne na pëlqen të mbyllim gojën ose t’u japim një lustër. Çdo gjë që është fisnike dhe e mençur ne tentojmë ta zmadhojmë – vetëm me një përjashtim: historinë e kohëve më të fundit. Për ata pa mëkate kjo histori e kohëve të fundit ka qenë një kohë rënieje e rendit moral, një kohë tradhtie ndaj idealeve të bashkësisë kombëtare, një kohë përçmimi ndaj besimit të të parëve tanë. Kjo është arsyeja përse “pamëkatarët” tregojnë nevojën e një revolucioni konservator kombëtar, që do të vërë gjithçka në vendin e duhur.

Ky lloj debati mund të dëgjohet në çdo vend paskomunist, që nga Rusia deri në Shqipëri. Në Rusi debati fokusohet rreth së kaluarës së vjetër, asaj cariste dhe të kaluarës më të afërt, asaj bolshevike, – rreth mburrjeve me Pjetrin dhe Katerinën e Madhe, reformat e Stolipinit dhe Revolucionin e Shkurtit 1917. Ai lidhet edhe me revolucionin bolshevik dhe mburrjet me Leninin dhe Stalinin dhe përfundimisht me Gorbaçovin. Duket se në Rusi, në rrethet e elitës së Kremlinit, ka tendenca për të formuluar të vetmen të vërtetë të saktë, si dhe vizionin kanonik dhe të detyrueshëm të historisë së Rusisë. Sikur këto tendenca të transformoheshin në një kod zyrtar, të dekretuar ligjërisht, mbi historinë, ai do të ishte një fund i trishtuar i lirisë ruse. Liri – qoftë në Rusi apo kudo gjetkë -do të thotë debat, një shumëllojshmëri pikëpamjesh, pluralizëm i mendimeve. Monologu është gjithmonë privilegj i diktaturave.

Monologu ishte tipar i diktaturës komuniste. Për ne, njerëzit e opozitës demokratike, rebelimi kundër komunizmit ishte kundërshtim i gënjeshtrave zyrtare dhe i asaj kulture të monologut. Me frymën e dialogut dhe pluralizmit ne madje kundërshtuam edhe idenë e përmbysjes së diktaturës. Është e qartë se komunizmi krijoi si antitezë të tij jo vetëm një qëndrim ndaj dialogut dhe pluralizmit, por edhe një filozofi të zëvendësimit të monologut komunist me një monolog antikomunist. Sipas zëdhënësve të kësaj tendence, vitet e lirisë të pas-1989-ës, janë njollosur nga mëkati i kompromiseve të qelbura me njerëzit e regjimit komunist, me nacional-nihilistët e orientimit liberal-majtist, me Rusinë dhe Gjermaninë. Sipas jomëkatarëve, ishte mëkat të frenoheshe nga një qëndrim radikal ndaj të shkuarës, sepse mungesa e de-komunistizimit dhe lustracionit ka penguar një vlerësim pa kompromis të së shkuarës apo krijimin e një formulimi të qartë se regjimi komunist nga 1944 deri më 1989 ishte thjesht një pushtim sovjetik. Por, në fakt, a ishte kështu?

 

II

 

E vërteta do t’ju çlirojë, deklaroi Papa Gjon Pali II, një nga autoritetet më të larta të historisë polake. Nëse kjo është e vërtetë atëherë përse ne vijojmë të përsërisim pyetjen e Ponc Pilatit ”Cila është e vërteta mbi historinë tonë?” A është e vërtetë formula e shpesh përdorur që pas pushtimit nazist erdhi edhe pushtimi sovjetik?

Jo, nuk është e vërtetë. Ne nuk mund të krahasojmë fatin e kombit polak nën pushtimin nazist me ekzistencën nën një shtet satelit me sovranitet të kufizuar si Republika Popullore Polake (1945-1989). Gjithashtu, shpërbërja e diktaturës komuniste nuk kishte asgjë të ngjashme me fundin e pushtimit nazist. Shpërbërja e komunizmit në Poloni ishte një proces i kryer përmes marrëveshjeve të nënshkruara në pranverën e vitit 1989 dhe që erdhën si rezultat i një tryeze të rrumbullakët. Në këtë tryezë, si përfaqësuesit e regjimit komunist ashtu edhe të opozitës antikomuniste u ulën së bashku dhe ishin pikërisht këta që arritën kompromisin që hapi rrugën drejt lirisë. Në Budapest, në tetor 1956, oficerët e aparatit komunist u varën nëpër shtyllat e ndriçimit të qytetit. Ndërsa në Poloni, nuk u thye asnjë dritare e vetme dhe diktatura u rrëzua përmes votës. Polonia ishte shteti i parë komunist që pati kapacitetet e duhura për të vendosur për fatin e tij.

Liria solli me vete ankth dhe pasiguri. Pati tradita të ndryshme politike që bashkëjetuan pak a shumë në mënyrë harmonike brenda opozitës demokratike. Pati vetëm një gjë ku të gjithë ranë dakord: E kaluara duhet të “ç’falsifikohej”. Por ndërsa për disa kjo nënkuptonte llogaridhënien për biografinë e secilit, për disa të tjerë ç’falsifikimi i të kaluarës do të thoshte mohimi i saj në tërësi. Sipas perspektivës së dytë, të gjithë njerëzit në pushtet si dhe ata që punuan për ta duhet të trajtohen si kolaboratorë: të gjithë ata që pas 1945 mbështetën regjimin komunist duhet të emërtoheshin si kuislingë dhe të dërgoheshin para gjyqit për tradhti të lartë ndaj atdheut të tyre. Dhe kjo ishte pika kryesore e mosmarrëveshjeve, sepse Polonia nuk ishte as një lloj “ Governatorati i Përgjithshëm” sipas modelit nazist, por as edhe “ Krahina e Vistulës” e modelit carist rus, por një shtet satelit i qeverisur nën diktaturë. Në këtë rast duhet të njihet fakti që polakët gjatë kësaj periudhe përmbushnin nevojat dhe interesat e tyre thelbësore edhe pse jo në mënyra demokratike si një popull i lirë.

Sidoqoftë, për të marrë një pozicion të tillë, duhet të merret parasysh situata e komunistëve polakë në lidhje me Kremlinin, evolucioni i tyre nga fanatizmi dhe terrori stalinist drejt një diktature që toleronte një kishë të pavarur katolike dhe bujqësinë private, që në periudha të caktuara lejonte një nivel të caktuar lirie në art dhe shkencë. Gjithashtu duhet të marrim parasysh jetët e individëve dhe vendimet  që çdo person duhet të merrte përditë. Në fund të fundit, kushdo që donte të bënte diçka në të mirë të komunitetit ishte  i dënuar të bashkëpunonte në një mënyrë ose tjetrën me regjimin komunist. Dhe pikërisht nga radhët e këtyre komunistëve fillimisht idealistë të përkushtuar, komunistët e dekadës së parë të diktaturës, dolën kritikët më kurajozë, mendjemprehtë dhe koherentë ndaj regjimit komunist në Poloni. A mundet që të gjithë këta njerëz të klasifikohen si tradhtarë të Polonisë? Një shkrimtar që ka mbështetur regjimin komunist përgjatë viteve të tij të para, por që më vonë u shndërrua në një autoritet moral dhe në një simbol të rezistencës ndaj diktaturës duhet të cilësohet si tradhtar apo të përfshihet në panteonin heronjve kombëtarë? Ne dimë që në çdo vend komunist ka pasur një numër figurash të tilla simbolike. E kundërta gjithashtu ka ndodhur: Shkrimtarë të cilët kanë qenë të heshtur gjatë viteve staliniste dhe që më vonë mbështetën diktaturën komuniste, janë duke i kujtuar me këmbëngulje kundërshtarëve të tyre lidhjet e këtyre të fundit me regjimin e mëparshëm. Me një fjalë, gjithfarë gjërash kanë ndodhur.

Republika Popullore Polake ka pasur prehistorinë e saj të komplikuar që nuk mund të reduktohet në skllavërinë e saj ndaj Bashkimit Sovjetik. Kjo prehistori përbëhet nga Republika e dytë Polake (1918-1939), e cila është perceptuar si një gati-diktaturë anakronike, të paaftë për të ndërmarrë reforma sociale dhe në bujqësi, si një shtet i cili diskriminonte minoritetet kombëtare, manipulonte zgjedhjet dhe gjyqet politike. Një vend ku mbizotëronte egoizmi dhe pompoziteti i elitave sunduese. Një çështje tjetër ishte edhe reagimi ndaj nazizmit, i cili u perceptua si e keqja absolute dhe rezultat i dështimit total të demokracive liberale në botë. Së fundmi, imponimi i komunizmit si rezultat i tradhtimit të Polonisë prej aleatëve në konferencën e Jaltës. Sipas këndvështrimit polak, hegjemonia ushtarake e Bashkimit Sovjetik nën udhëheqjen e Stalinit kishte marrë legjitimimin e plotë të Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë së Madhe. Anti-komunizmi integral i atyre që konsideroheshin si “pa mëkate”, nuk donte të dëgjonte për nuanca apo për rrethana lehtësuese. Tradhtia ishte tradhti dhe si e tillë duhet të gjykohet edhe pas gjashtëdhjetë vjetësh.

Rezultati i një pozicioni të tillë ishte de-komunistizimi dhe lustrimi. De-komunistizimi u kuptua si ndalim për ushtrimin e funksioneve shtetërore nga njerëz që kanë qenë më parë të përfshirë në aparatin komunist. Megjithatë lindi pyetja: A duhej që çdokush të përfshihej në këtë ndalim? Duhet te përfshiheshin këtu edhe ata që ndihmuan në ngritjen e tryezës së rrumbullakët për shpërbërjen e diktaturës? Në një ndalim të tillë kishte dhe një shpirt që i bënte jehonë formulës jakobine: Nëse ju jeni në pushtet unë kërkoj për mua të drejta civile, pasi ato janë edhe parimet tuaja; Nëse unë jam në pushtet, unë i heq ato të drejta nga ju, pasi ato janë parimet e mia. Për të thyer parimin e barazisë para ligjit, i cili nuk mund të jetë retroaktiv u desh të krijohej një kuptim shumë i veçantë i rendit demokratik. Në këtë mënyrë mosmarrëveshjet mbi të kaluarën u transformuan në një mosmarrëveshje tërësore mbi atë që duhet të jetë premisa e aktit themelues të shtetit të ri, pajtimi apo hakmarrja? Një aspekt tjetër i kësaj çështje është i dukshëm në polemikat mbi lustrimin, që do të thotë gjykimi i njerëzve duke u bazuar në materialet e ruajtura në arkivat e policisë sekrete. Dikush mund të thotë që ata që kontrollonin këto arkiva fituan aftësinë për të komprometuar këdo që ishte objekt i interesit të policisë, çka do të thotë më së shumti njerëzit e përfshirë në opozitën demokratike. Unë e di nga përvoja ime, që agjentët e policisë ishin infiltruar në të gjitha grupet e opozitës dhe sigurisht nuk mund të ndodhte ndryshe. Kjo është diçka që ndodh në çdo situatë kur diktatura lufton opozitën. Por a ekziston një situatë e pranueshme ku raportet e policisë shërbejnë si dëshmi më të besueshme për një person anëtar të opozitës sesa tërësia e jetës së tij? A janë këto raporte më të besueshme sesa dëshmitë e kolegëve disidentë? Fatkeqësisht ka historianë që mendojnë pikërisht këtë.

Kurorëzimi i kësaj historiografie të çuditshme, e cila lidh vizionin konspirativ të botës me materializmin “detektivist”, janë publikimet të cilat akuzojnë Lech Valesan, udhëheqës i lëvizjes “Solidariteti” dhe fitues i çmimit Nobel për Paqe, për qenien agjent sekret të policisë. E di që kjo duket si një nga historitë e zymta nga ndonjë libër të Franc Kafkës. Por sidoqoftë ne jemi dëshmitarë të faktit sesi debati për Poloninë komuniste është duke u transformuar në një debat për vlerësimin e opozitës demokratike. Lustrimi, i cili duhet të ishte një hap drejt së vërtetës mbi komunizmin është shndërruar në një mënyrë për të asgjësuar këtë të vërtetë. Jo vetëm për sa i përket komunistëve dhe policisë së tyre sekrete, por gjithashtu edhe në lidhje me viktimat e tyre. Historia siç është kujtuar dhe treguar nga njerëzit mbështetës të opozitës antikomuniste është zëvendësuar me narrativën e informatorëvee dhe funksionarëve të policisë.  Dikush mund të ketë menduar që historia e viktimave do të ishte e pamundur të shkruhej mbi bazat e provave të siguruara nga xhelatët, por gradualisht një absurditet i mbivendoset një tjetri. Arkivat e policisë janë duke u rrëmuar në një mënyrë të egër dhe jo ligjore duke ekspozuar dokumente të ndryshme që duhet të provojnë kolaboracionizmin e disa priftërinjve katolikë me aparatin komunist të sigurisë  dhe e gjithë kjo po bëhet në një mënyrë të vrazhdë jo civile.

Karnivali i lustrimit vazhdon dhe e shkuara komplekse shndërrohet në një mundësi për të formuluar teori thjeshtëzuese, të cilat shndërrohen në vegla të luftës politike. Kjo të çon drejt përfundimit që opozita antikomuniste nuk kishte heronjtë e saj, pasi ajo ishte e përbërë nga njerëz që preferonin më mirë “ta rregullonin” komunizmin sesa të çliroheshin prej tij; ose ata ishin thjesht agjentë të tij. E kaluara pushon së qënuri burim i asaj krenarie kombëtare të cilët jo-mëkatarët i referoheshin, por ajo shndërrohet në një shkop bejsbolli për të shkatërruar të gjithë oponentët politikë. Ajo shndërrohet në një metodë për të frikësuar oponentët politikë. Anti-komunistët pa mëkate me një fytyrë bolshevike besojnë siç besuan jakobinët dhe bolshevikët para tyre, që vetëm me ta fillon era e re e historisë kombëtare.

III

Debati mbi trashëgiminë komuniste është i ndërthurur me debatet mbi marrëdhëniet e polakëve me fqinjët e tyre si dhe minoritetet kombëtare. Ky nuk është vendi për të analizuar në detaje problematikën e komplikuar të marrëdhënieve polako-hebraike. Pa dyshim, kjo është çështja më e dhimbshme dhe ndarëse për opinionin publik polak. Antisemitizmi do të jetë për një kohë të gjatë burim konfliktesh në debatet mbi të kaluarën. Shembull ishte debati mbi masakrën në Jedwabne në Korrik të 1941. E vërteta mbi këtë krim të kryer nga një pjesë e popullsisë polake mbi fqinjët e saj hebrenj tronditi të gjithë mitologjinë kombëtare të rezistencës anti-naziste. Ky krim i frymëzuar nga nazistët, por i kryer nga duart polake hapi një debat të madh duke treguar dy fytyra të Polonisë: Fytyrën e fisnike dhe të ndershme, por gjithashtu edhe atë të shëmtuar dhe hipokrite. Thuajse e gjithë ndërgjegjja historike e polakëve u desh të përballej me këtë aspekt të së vërtetës që njerëzit dhe komunitetet preferojnë ta spastrojnë nga kujtesa. Debati mbi Jedwabne-n zbuloi këtë problem si dhe gjithë kompleksitetin e lidhur me të, por natyrisht nuk mundi ta zgjidhë atë.

Si debati mbi komunizmin ashtu edhe ai mbi Jedwabne-n e kanë vënë katolicizmin polak përballë një çështjeje të re thelbësore. Dhe sërish këtu kemi hasur disa fytyra të katolicizmit:

Nga botëkuptimi ungjillor mbi të vërtetën dhe pendesën tek hipokrizia dhe mohimi i neveritshëm i fakteve. Kështu, ky është një tjetër problem që ndërgjegjja historike polake duhet të adresojë në të ardhmen. Roli politik i kishës katolike polake është më se i njohur, siç janë gjithashtu të njohura përpjekjet e saj në drejtim të pajtimit Polako-Gjerman. Në letrën e famshme të peshkopëve polakë drejtuar homologëve të tyre gjermanë në 1965, u shkruajt: Ne zgjasim dorën në shenjë pajtimi dhe ndjese dhe ne kërkojmë gjithashtu të falur.

Ky është një dokument i jashtëzakonshëm që i përket faqeve më të bukura të historisë polake, kjo edhe prej faktit që ky është një prej akteve më të vështirë e me te rrallë që janë kryer ndonjëherë. Ne kemi qenë gjithashtu dëshmitarë të një deklaratë të përbashkët të peshkopëve polakë dhe ukrainas, një gjest që i jep një kuptim të ri marrëdhënieve polako-ukrainase, të shënjuara nga vite urrejtje të ndërsjelltë dhe lumenj gjaku. Por gjithashtu edhe në këtë rast nuk munguan njerëzit në të dyja palët, polakë dhe ukrainas, të cilët kërkonin të përdornin kujtesën historike si instrument në luftën politike në vendet e tyre. Kjo ka ndodhur duke ushqyer shpirtin e urrejtjes dhe duke ngritur kujtesën mbi padrejtësitë e pësuara dhe njëkohësisht duke qenë të heshtur ose të pandershëm për padrejtësitë që ne vetë i kemi kryer.

Plagët e historisë mund të shërohen vetëm në një klimë debati të lirë, në të cilin gjithkush mund të shprehet për gabimet e veta, plagët dhe vuajtjet. E njëjta gjë vlen edhe për marrëdhëniet Ruso-Polake, të ndërprera nga deklaratat absurde të Kremlinit në lidhje me për shembull: Paktin Molotov-Ribbentrop ose masakrën e Katinit. Motivi për këto deklarata është i qartë: Bëhet fjalë për lehtësimin e tensioneve të brendshme duke krijuar tensione të jashtme. Një politikë e tillë mund të shërbejë si një manipulim efektiv i opinionit publik, por sigurisht nuk do t’i shërbejë të vërtetës historike. Marrëdhëniet Polako-Gjermane kanë evoluar në një mënyrë të ndryshme. Pajtimi midis Polonisë dhe Gjermanisë u duk nga njëra anë si mrekulli dhe nga ana tjetër si rezultat i natyrshëm i kolapsit të komunizmit. Edhe pse kjo arritje u errësua nga  mosmarrëveshjet e vjetra të lidhura me Qendrën e Berlinit për të dëbuarit , ka shumë fusha të interesit të përbashkët për të cilat janë bërë arritje të mëdha gjatë dy dekadave të fundit.

Kthesa e opinionit publik drejt retorikës nacional-konservative është reflektuar qartë edhe në debatet midis historianëve. Historia po shndërrohet gjithnjë e më shumë në një instrument që gjeneron konflikte në të tashmen. Për këtë arsye, roli dhe përgjegjësia e historianëve ka marrë një kuptim të ri.

IV

Ndërthurja e historisë si mësues i kohës me politikën e sotme mund të përdoret lehtësisht për të manipuluar sjelljen e njerëzve në mënyrë që të arrihen qëllime politike konkrete. Fundja kjo ka ngjarë gjithnjë me politikën e historisë. Njerëz të brezit tim kujtojnë se si emra të veçantë u zhdukën nga librat e historisë dhe fytyra të caktuara u fshinë nga fotografitë historike.

Për ta përsëritur: Opozita demokratike përballoi monologun e versionit komunist të historisë me anë të një zëri polifonik. Versioni zyrtar u sfidua nga disa të vërteta historike. Për këtë arsye, anëtarët e opozitës demokratike nuk hezituan të pranonin që mësues i vërtetë në jetë është historia, pasi na mëson që jeta është një përpjekje këmbëngulëse drejt së vërtetës.

Historia na ka mësuar që edhe pse askush nuk mund të jetë  pronar i së vërtetës objektive mbi të kaluarën, por nga ana tjetër edhe subjektivizmi apo pikëpamjet e ndryshme të çdokujt mbi çështje të caktuara kanë kufizimet e veta. Ka shumë çështje të paqarta dhe të dykuptimta, por asnjë person i arsyeshëm nuk mund të pretendojë që më 1 Shtator 1939, Polonia pushtoi Gjermaninë.

Përvoja e shekujve të fundit tregon që njohuria mbi historinë është një element i patjetërsueshëm i identitetit dhe kujtesës kombëtare. Pa një ide të qartë rreth historisë së tyre, kombet degjenerojnë dhe shpeshherë zhduken. Një formë e një degjenerimi të tillë është çdo diktat i historisë së falsifikuar, pasi ajo i jep jetë një identiteti të bazuar në një gënjeshtër. Për këtë lloj deformimi popujt dhe kombet zakonisht paguajnë një çmim shumë të lartë. Në mënyrë që ndërgjegjja kombëtare të ruhet nga shtrembërimet, kushdo që shkruan rreth historisë duhet t’i qëndrojë besnik burimeve; një njeri i tillë duhet t’i paraqesë lexuesit të gjitha burimet e aksesueshme dhe po ashtu gjithë interpretimet e mëparshme mbi këto burime. Historianët duhet të kuptojnë që ata janë pjesë e polifonisë që shoqëron çdo reflektim mbi të kaluarën. Ata duhet të jenë të ndërgjegjshëm që nuk janë të caktuar nga Zoti për të shpallur të vërtetën. Burimet historike duhet të jenë të aksesueshme në mënyrë të barabartë për të gjithë hulumtuesit, sepse vetëm në këtë mënyrë mund të verifikohet në një debat demokratik serioziteti dhe forca e argumentit. Së fundmi, çdo dokument historik duhet t’i nënshtrohet një redaktimi kritik. Për ta ilustruar këtë, fjalimet e Hitlerit mbi opozitën anti-naziste dhe të Stalinit mbi opozitën anti-staliniste janë për historianët një burim i çmuar njohurish mbi Hitlerin dhe Stalinin, por nga ana tjetër ato nuk janë një burim i përshtatshëm njohurish mbi opozitën anti-naziste dhe anti-staliniste. E njëjta gjë vlen edhe për historianët që hulumtojnë arkivat e Gestapos apo KGB-së.

Historia hap për çdo komb një rrugë drejt lirisë dhe të vërtetën mbi vetveten. Kjo liri përbëhet nga kapaciteti mbi vlerësimin autonom të së kaluarës, përballjen me këndvështrime dhe interpretime të ndryshme të burimeve. E vërteta e historisë është shpeshherë e diskutueshme, pasi të njëjtat ngjarje perceptohen ndryshe nga hulumtues nga vende të ndryshme. Gjithashtu ato interpretohen ndryshe nga hulumtues që mendojnë në mënyrë të ndryshme nga njëri tjetri. Kjo polifoni mendimesh përbën ndoshta të vërtetën më të rëndësishme mbi të kaluarën.

Studimi dhe përshkrimi i historisë është gjithnjë një bashkëbisedim me Tjetrin, me atë që mendon ndryshe, që gjendet në një vend tjetër apo që ka një formim të ndryshëm në sajë të pozicionit të tij/të saj kulturor. Të duash të kuptosh do të thotë para së gjithash të duash të kuptosh Tjetrin. Ne nuk mund të kuptojmë revolucionin francez apo luftën civile amerikane nga këndvështrimi i një perspektive të vetme, monarkiste ose jakobine, e Linkolnit apo e gjeneralëve të jugut. Kushti thelbësor për të kuptuarin është ballafaqimi i narrativave të ndryshme dhe vetëm nga një ballafaqim i tillë mund të shfaqet një tablo e shkaqeve që kanë sjellë konflikte.

Refuzimi për të folur me Tjetrin është në të njëjtën kohë refuzim për të kuptuar të kaluarën. Ai është njëherësh një refuzim për t’u përballur me të këqijat e vjetra si dhe tradhtitë e kryera nga ana e komunitetit. Ky refuzim shënjon heqjen dorë nga liria dhe mëtimi për të vërtetën. Pikërisht atëherë kur ndodh kjo, historia shndërrohet në një shkop bejsbolli për të goditur ata që mendojnë ndryshe; ajo shndërrohet në një tapë për të mbyllur gojët e kritikëve. Përsëri duhet theksuar se në histori nuk ka një të vërtetë absolute dhe të vetme për mbështetësit e partisë qeverisëse. Lloji i patriotizmit që lind nga logjika e tapës dhe e shkopit të bejsbollit zakonisht shndërrohet, sipas Samuel Johnson, në strehën e fundit të maskarenjve. Ky lloj patriotizmi gjithashtu rekomandon trajtimin e studimeve dhe reflektimeve historike mbi të kaluarën si shprehje e interesimit për “ fuqizimin e identitetit kombëtar” dhe për të mbrojtur emrin e mirë të Polonisë në botë. Sipas mbështetësve të “politikës historike”, njerëzit duhet të paraqesin  vetëm aktet dinjitoze të historisë polake duke lënë mënjanë ata më pak të lavdishmet. Gjithashtu, pjesët më të palavdishme të historisë mund të falsifikohen në mënyrë të atillë sa të shërbejnë si bazë krenarie. Në këtë mënyrë, diskriminimi i hebrenjve të rinj përmes “ Getove të bankave të shkollës dhe universitetit” dhe numrit të kufizuar për studentët hebrenj përgjatë periudhës midis dy luftërave, mund të shihen si akte vetëmbrojtje të polakëve të rrezikuar nga një pushtim hebre. Në mënyrë të ngjashme, diskriminimi i popullsisë ukrainase mund të paraqitet si vetëmbrojtje ndaj bolshevizmit dhe terrorizmit. Edhe i ashtuquajturi “procesi Brzesc” i viteve 1930, i cili shkaktoi burgosjen e disa udhëheqësve të rëndësishëm të opozitës polake, mund të paraqitet si një akt i pavarur dhe i domosdoshëm për të forcuar shtetin tonë. Dhe e gjithë kjo, vetëm për hir të ruajtjes së emrit të mirë të Polonisë në botë. Por emri i mirë nuk mund të mbrohet me ndihmën e gënjeshtrave. Një gënjeshtër e shpallur publikisht çnderon emrin e mirë të çdo kombi. Dhe e vërteta, nuk ka rëndësi se sa e hidhur është, çliron reflektimin kritik, dinjitetin personal dhe kurajën për të jetuar sipas vlerave.

Gjatë viteve të fundit historia ka pushtuar politikën. Debatet mbi trashëgiminë e fashizmit, komunizmit, kolonializmit dhe diskriminimit racial (përfshirë aparteidin) shndërrohen gjithnjë e më shpesh në diskutime të lidhura me kompensimin moral dhe material, që do të thotë në çështje të lidhura me paratë. Nuk ekziston ndonjë recetë që mund të ndihmojë në kapërcimin e konflikteve të së kaluarës. Historia nuk do të reshtë së qënuri një element i shantazhit, një metodë për të përbuzur kundërshtarët dhe një mënyrë për t’i ndëshkuar ata, pasi një aparat pushteti është gjithnjë i ndotur nga joshja e totalitarizmit.

Na mbetet që të besojmë që historia do të vazhdojë të mbetet një fushë takimesh midis kujtimeve të ndryshme dhe ndjeshmërive, përmes të cilave ne mund të arrijmë të kuptojmë Tjetrin. Çdo ndërgjegje kolektive lartëson kujtesën e traditave të mëdha kombëtare, por midis përbërësve të këtyre traditave ka edhe heretikë që drejtojnë një debat të paepur për to, duke i transformuar dhe pasuruar vazhdimisht përmes kontributit me arritjet e tyre për të siguruar kështu vitalitetin e pafundmë të traditës.

Janë gardianët  e së vërtetës së vetme ata që shuajnë traditën, pasi transformojnë temën e debatit në objektin e një kulti. Triumfet e tyre janë lajme të këqija për debatin demokratik duke shfaqur edhe njëherë fantazmën e “taposjes” patriotike.

Për këtë arsye historiani ka përgjegjësinë, që si intelektual që lufton me historinë dhe i interesuar për pasurimin e imazhit të së kaluarës, të kultivojë një shpirt herezie, pasi siç thotë Czeslaw Milozc: “Kripa e kohërave qëndron në herezi”. Ndaj historiani duhet të observojë njëkohësisht si shpirtin e përuljes ashtu dhe atë të guximit: i përulur përballë blerave dhe i guximshëm përballë situatave të ndryshme. Ai duhet të besojë se për të vërtetën ia vlen të kujdesesh dhe se vetëm e vërteta zotëron forcën për të çliruar.

 

SHPËRNDAJE