BAHRI MYFTARI
Për të, pra, për Liridonin qysh në rininë e hershme mendohej, flitej dhe parashikohej një e ardhme e ndritur. Domosdo, kishte disa tregues qoftë fizik apo intelektual, që ndikonin. Për shëmbull balli i lartë, i ngjashëm me disa shkencëtarë të vjetër ruse, të krijonte atë të Liridonit studiues; diskutimet me zë të lartë, shpesh për gjëra të kota, të krijonte bindjen e një njeriu publik që mund të realizohej edhe në deputet, apo zelli për të patur sukses qoftë edhe duke manipuluar apo genjyer, të bindte se në mes tonë, kishim qeveritarin e ardhshëm!
Mu për këto, e gjithë lagja jonë, e këtij qyteti të vjetër, arsimdashës i pa shëmbull, më djem e vajza të diplomuar në Paris, Vjenë, Moskë e Zagreb e, së fundi më të shkëlqyerit e universitetit të Tiranës, u gëzua kur ai shkoi për studime universitare në një universitet privat, me një emër të gjatë, sa vargjet e poezive të Migjenit tonë, a të Uitmanit te “ Fije bari”. Të gjithë e morën me shumë qejf Liridonin student!.Në fund të fundit, shumë kush, mund të shihte të realizuar atë cka mendja dhe zemra pati dashur për atë djalë e që patjetër ai do ndiqte shëmbujt e shkëlqyer që gjendeshin aq shumë në qytet.
Opinioni dhe adhurimi për të shumë shpejt nga kufinjtëtë e lagjes fluturoi anë e kënd! Vetë presidenti, që sapo përuroi edhe një televizion të tij po me një emër të ngatërruar, e shprehu publikisht mendimin e lartë për idhullin tonë, madje e quajt shtesë e pasurisë intelektual për në e për kombin! Presidenti! Po, po Presidenti që, për ne të paditurit, për ne bijtë e thjeshtë të këtij vendi, ishte i njëjtë me atë të Republikës, ndonëse ai zgjidhet në kutinë e votës. Shkurt, nuk mund të ishte i njëjtë, megjithëse edhe ata të kutisë qëllojnë të vësh “duart në kokë!” .
Presidenti i Liridonit ishte i vetëshpallur. Gjithësesi, si i zgjedhur, si i vetëshpallur zor se diferenca do jetë aq e madhe! Ai i Liridonit ishte i bredhur, ku nuk kishte qenë, në Evropë dhe Amerikë, po me nostalgji kujtonte një vend në Azinë e Vogël. Atje pati punuar si kasap në një thertore të madhe, sa tre herë sheshi “Skënderbe.” Vec universitetit, televizionit, tani së fundi, na qënkej edhe pronar i tre lokaleve të admirueshëm, ku tregtohej, po më shumë shërbehej vetëm mish i pjekur, që sic thoshin zerat, na paskësh një kontribut në shtimin e klientelës, edhe idhulli ynë.
Shqetësimit të presidentit, që mishi të mos piqej më me korent apo qymyr guri, iu gjend në krah Liridoni. Pas kësaj mishi piqej nën prush drush duke ruajtur cilësinë dhe aromën. Po c’ne Liridoni? Ku mund të dukej a të shfaqej kontributi i tij?
Atëherë, të gjithë tregonin me gisht pyllin në krah të lagjes së vjetër, buzë lumit, që, kohë në kohë, po shfarosej dhe po ngjante me një kokë të qethur ushtari…Të kishte nevojë idhulli ynë për këtë pazar drush!? Ja ra ky kaq poshtë ky, gjë që zor të pranohej, po presidenti i universitetit që ne guxuam dhe e bëmë një me atë të Republikës! I morëm si fjalë dashakeqe dhe mirë bëmë. Vitet gati fluturuan dhe Liridoni u kthye me një goxha diplomë, qëndisur me fije ari. Domosdo, mbi të gjithë u gëzua familja, i ati vecmas. Ai pati nisur dhe një shtëpi të re, e cila pati mbaruar si karabina. Mendonte i miri baba, se, pas diplomës c’lumturi e gëzim mbetet! Martesa, martesa, ja përkujdesja, një shtëpi dhuratë. Të martohej! Cila vajzë, e këtij qyteti të përmendur e të famshëm, nuk do ta kishte halë në sy, të kuptohemi për mirë, një yll të tillë?
Liridoni, tashmë i diplomuar, pasi përballoi gëzimet, urimet dhe një koktej në pallatin kulturës, me sfond gjithë portretet vendase që kishin bërë historie, pra kur këto morën fund, shkonte dhe rrinte me orë të tëra, duke iu sevdallosur shtëpisë së re. E teproi me soditjen, aq sa vuri merak të atin.
-Kam kaq ditë, i dashur baba, kam kaq ditë që vras mendjen të gjej si e qysh është gjendur ajo bajga madhe te ai trau i mzezit, atje lart!?
-Si është gjeëndur bajga atje lart! bëri në mëdyshje të madhe i ati.
-Ndoshta, lopa, ndonjë lopë e stërvitur, e mësuar, e ndërpreu Liridoni, ka mundur që?..
-Mos u shpejto, mos u ngut, gjeje e pastaj fol, tha i ati i merakosur dhe u largua.
Liridoni djersitej të gjente të vërtetën e bajgës te trau. Edhe pas dy-tri ditësh, kur pa se ende i biri, vuante dhe vazhdonte të fliste për lopë të stërvitur, për lopë të mësuar, pësoi një shok të rëndë, deri në kufi të goditjes cerebrale.Të gjithë menduan se i shkreti baba, po ikte nga kjo botë, kur nuk duhej. U shtrua në spitalin më të afërt. Ndërsa i ati hiqte dhe vuante, përpëlitej atje në spital, i biri, idhulli ynë, i diplomuar në atë universitetin me atë emrin e gjatë si vargjet e Migjenit a të Uitmanit, përpëlitej të gjente si paskësh hipur lopa atje sipër, te trau në qendër të çatisë!