PROF. NIKOLLA PANO
Gjatë tre dekadave të kaluara, Dr. Elez Biberaj ka fituar një reputacion mjaft të merituar si një nga vëzhguesit dhe analistët më të respektuar të botës për zhvillimet e periudhës komuniste dhe paskomuniste në Shqipëri dhe Kosovë. Ai është autor i tre librave që lidhen kryesisht me Shqipërinë, njëri prej të cilëve është botuar edhe në shqip me titullin “Shqipëria në tranzicion: Rruga e vështirë drejt demokracisë, 1990-2010” (AIIS, 2011). Ai është autor edhe i shumë kapitujve të veçantë, i artikujve dhe shumë kumtesave, që përqendrohen mbi çështjet shqiptare dhe kosovare. Një model përfaqësues të studimeve të tij përbën edhe përmbajtja e këtij libri.
Përveç një periudhe katërvjeçare (1982-1986), kur ai punonte për ish-Agjencinë e Informacionit të Shteteve të Bashkuara (USIA), Elezi është dalluar në kryerjen e detyrave të ndryshme në Zërin e Amerikës (VOA), ku që nga viti 1980 u fut në Seksionin Shqip të Zërit të Amerikës. Në vitin 1986 ai u bë Shef i Seksionit Shqip dhe që nga viti 2005 ka qenë Drejtor i Departamentit Euroaziatik të Zërit të Amerikës. Duke e vlerësuar kontributin e tij të shquar si Shef i Seksionit Shqip, në vitin 2000, Elezit iu dha Çmimi i Punonjësit të Shquar të Vitit i Zërit të Amerikës.
Ekspertiza e Dr. Biberajt në çështjet shqiptare dhe të Ballkanit është vlerësuar më tej brenda Zërit të Amerikës, nga agjencitë e tjera qeveritare, nga qendrat studimore, prestigjioze, joqeveritare, në Shtetet e Bashkuara dhe bashkësia akademike. Ai është intervistuar dhe konsultuar nga qendra kryesore mediatike në Shtetet e Bashkuara dhe jashtë shtetit gjatë periudhave të krizës në Shqipëri dhe Kosovë. Këto lidhje të ndërsjellët i kanë mundësuar Elezit të ngrejë lart vetëdijen e kolegëve në qeveri, akademi, media dhe publikun amerikan, në lidhje me sfidat me të cilat është përballur dhe përballet Shqipëria, Kosova dhe popullsia shqiptare në Ballkan, si dhe për të ndikuar mbi pikëpamjet e tyre.
Por Elez Bibaraj ka qenë më tepër se sa një vëzhgues dhe analist i ngjarjeve në Shqipëri dhe Kosovë. Ai, në periudha të ndryshme që nga rënia e komunizmit, ka marrë pjesë edhe në disa ngjarje kryesore, që përbëjnë faza të tranzicionit paskomunist të këtyre shteteve. Në përgjithësi dihen nismat e Dr. Biberajt gjatë viteve 1989-1990 për të krijuar kontakte me udhëheqësit e opozitës antikomuniste shqiptare, që po krijohej, duke iu mundësuar atyre të përdornin lehtësirat e Zërit të Amerikës për të komunikuar drejtpërsëdrejti me bashkëpatriotët e tyre në Shqipëri, si edhe në diasporë, për ta bërë publike kauzën e tyre.
Elezi u përfshi në diskutimet që kulmuan me marrëveshjen e 15 marsit 1991 për të rivendosur marrëdhëniet SHBA-Shqipëri, pas një ndërprerjeje prej 52 vjetësh dhe së bashku me të tjerët ndihmoi për të përgatitur Ambasadorin e porsa emëruar të Shteteve të Bashkuara, Uiliam Rajerson (William Ryerson) dhe stafin e tij për të nisur detyrën e tyre në Shqipëri. Elezi shërbeu edhe si vëzhgues i zgjedhjeve parlamentare të 31 marsit 1991. Ai u rikthye në Shqipëri në qershor të atij viti si përkthyes i Sekretarit të Shtetit Xhejms Bejker (James Baker), gjatë vizitës së tij të paharrueshme në Tiranë.
Elezi dhe kolegët e tij në Seksionin Shqip të Zërit të Amerikës krijuan gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë dhe vazhdojnë t’i mbajnë deri më sot ato standarde të larta profesionalizmi që e kanë bërë programin e tyre burimin më të besueshëm të lajmeve në Shqipëri.
Vlerësimi i lartë që gëzojnë Elezi dhe Seksioni Shqip ishte i dukshëm nga titujt e lartë që ata kanë marrë nga zyrtarët e Shteteve të Bashkuara, si dhe nga personalitetet nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe qendra të tjera ta bashkësisë mbarë shqiptare, në maj 2013, në festimet e 70 vjetorit të transmetimeve të para të Zërit të Amerikës në gjuhën shqipe, të zhvilluar në Uashington. Me këtë rast, Presidenti Bujar Nishani i akordoi Dr. Biberajt Medaljen Nderi i Kombit. Ky shpërblim iu shtua Medaljes së Mirënjohjes që i akordoi atij një vit më parë ish-Presidenti Bamir Topi.
Këto shkrime të zgjedhura nga botimet dhe prezantimet e thelluara të Elez Biberajt në këtë vëllim, reflektojnë edhe vështrimet e thella që burojnë nga përvoja e tij vetjake dhe kontaktet që ai ka me një spektër të gjerë intelektualësh, gazetarësh dhe politikanësh brenda bashkësisë ballkanike-shqiptare dhe gjetkë. Pesëmbëdhjetë shkrimet e kësaj përmbledhjeje janë shkruar fillimisht midis viteve 1982 dhe 2013. Duke pasqyruar interesat profesionale dhe studimore të Dr. Biberajt, ato pothuajse janë njësoj të ndara me përqendrimin e tyre kryesor mbi zhvillimet në Shqipëri dhe Kosovë gjatë kësaj periudhe. Karakteri i mbulimit dhe analiza e çështjeve që trajtohen pasqyrojnë kontekstin e kohës gjatë së cilës janë shkruar. Por ky faktor mund të shihet edhe si një nga pikat e forta të këtij libri, për faktin se na jep mundësinë të vështrojmë mënyrën se si shpalosja e ngjarjeve në Shqipëri dhe Kosovë gjatë kësaj periudhe të vrullshme ka ndikuar me kalimin e kohës mbi pikëpamjet e autorit lidhur me çështjet që ai trajton.
Një nga karakteristikat dalluese të shkrimeve të Dr. Biberajt është se ato përshkohen me atë që karakterizohet si një qasje panshqiptare, pa i dhënë ndonjë kuptim përçmues këtij termi. Me këtë dua të them se ai nuk i trajton zhvillimet në Shqipëri dhe Kosovë në një vakum. Përkundrazi, ai i sheh ato në kontekstin e evoluimit të situatave brenda bashkësisë ballkanike shqiptare, që është rezultat i faktorëve të tillë si rënia e sistemit komunist, shpërbërja e Federatës Jugosllave dhe vështirësitë e tranzicionit paskomunist.
Një aspekt tjetër i rëndësishëm i qasjes së Dr. Biberajt ndaj çështjeve shqiptare brenda kontekstit rajonal është vëmendja e tij ndaj lidhjeve të politikës së brendshme dhe politikës së jashtme, që kanë qenë, për shembull, në lojë në ndryshimin e qëndrimeve të Tiranës ndaj Kosovës nga periudha komuniste deri tani. Siç tregojnë studimet më të fundit të Dr. Biberajt, pikëpamjet e dikurshme divergjente të dy partive politike kryesore shqiptare mbi çështjen e Kosovës tani duket se konvertojnë, duke neutralizuar në këtë mënyrë, me sa duket, një burim mosmarrëveshjesh të brendshme.
Nisur nga perspektiva e tij panshqiptare, nuk është për t’u çuditur që Dr. Biberaj ka mbështetur prej kohësh krijimin e lidhjeve të ngushta në një varg fushash midis Shqipërisë dhe Kosovës, ndërkohë që ka nxitur njëkohësisht marrjen e nismave nga shqiptarët e Maqedonisë dhe të Malit të Zi. Në të njëjtën kohë ai arrin në përfundimin se duke pasur parasysh problemet e brendshme me të cilat përballet Shqipëria dhe Kosova, krahas me kundërshtimet nga bashkësia ndërkombëtare dhe mungesa e ndjenjave masive në të dy vendet, çështja e “Shqipërisë së Madhe” për momentin ka gjasa të mbetet në gjumë. Biberaj mendon se brenda një kohe të afërt, e ardhmja e marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Kosovës dhe fqinjëve të tyre ballkanikë do të zhvillohen kryesisht nëpërmjet nismave të përbashkëta dypalëshe dhe rajonale, si dhe brenda kuadrit të procesit të integrimit europian. Brenda këtij konteksti ai e vë theksin te roli i rëndësishëm i Shqipërisë, Kosovës dhe bashkësisë shqiptare në Ballkan për ruajtjen e stabilitetit rajonal.
Shkrimet e zgjedhura, që merren kryesisht me Shqipërinë, për të zbuluar tendencat kryesore të brendshme dhe ndërkombëtare, që nga vdekja e Enver Hoxhës, më 1985 e deri në prag të zgjedhjeve të 23 qershorit 2013. Ato përshkruajnë faktorët që e kishin çuar Ramiz Alinë të kërkonte një hapje të kufizuar dhe të kontrolluar drejt Perëndimit, si pasojë e vështirësive të mëdha ekonomike, që e kishin kapluar Shqipërinë aty nga fundi i periudhës së Hoxhës, si edhe procesi i gjatë me të cilin Shqipëria i dha fund izolimit të vetimponuar për t’u bërë pjesëtare aktive e bashkësisë ndërkombëtare. Trajtimi i çështjeve të politikës së jashtme rritet duke përfshirë edhe një studim, që pasqyron vlerësimin e Dr. Biberajt për rolin e Shteteve të Bashkuara në demokratizimin e Shqipërisë.
Përveç kësaj, ka edhe artikuj që merren me vlerësimin e fazave të ndryshme të tranzicionit paskomunist të Shqipërisë. Këto studime janë me interes të veçantë, duke pasur parasysh njohuritë e dorës së parë të Elezit mbi zhvillimet gjatë fazës fillestare të procesit të tranzicionit. Megjithëse duket qartë se ai e sheh me simpati platformën e Partisë Demokratike, që erdhi në pushtet në mars 1992, nga materiali i botuar në këtë përmbledhje bëhet e qartë se Elezi nuk është ndikuar negativisht nga ky faktor, në vlerësimet e tij për programet dhe udhëheqësit e dy partive kryesore, politike, shqiptare, gjatë 20 vjetëve. Dëshmia e Dr. Biberajt para Komisionit të Helsinkit të Shteteve të Bashkuara, më 6 maj 2014, shërben si një përmbledhje e shkëlqyer e pikëpamjeve të tij në lidhje me skenën politike bashkëkohore në Shqipëri. Megjithëse Shqipëria e kaloi me sukses “provën” e zgjedhjeve të vitit 2013, ka marrë statusin e vendit kandidat për në BE dhe është në rrugën e gjatë të anëtarësimit në BE, ashtu siç këshillon Biberaj, ajo duhet të zgjidhë një varg problemesh: korrupsionin publik dhe privat, të metat e sistemit ligjor dhe të drejtësisë, polarizimin politik, për të përmendur vetëm disa prej tyre, që kanë penguar arritjen e një demokracie të konsoliduar.
Me pak fjalë, ky libër na jep perspektiva të dobishme për të vështruar zhvillimet kryesore në Kosovë dhe në Shqipëri, në intervale të ndryshme gjatë tridhjetë viteve të kaluara. Ai na jep po ashtu mprehtësinë e pikëpamjeve të një analisti veteran dhe mjaft të respektuar të çështjeve shqiptare dhe kosovare gjatë së njëjtës periudhë. Materialet që përbëjnë këtë libër janë studime të thelluara, janë të shkruara bukur dhe mjaft të arsyetuara me analizën e tyre. Ato së bashku na japin një shembull të admirueshëm mbi praktikën e historisë bashkëkohore.
Instituti Shqiptar i Studimeve Ndërkombëtare ka bërë një shërbim të madh duke i vënë artikujt që përbëjnë këtë libër në dispozicion të publikut shqiptar. Unë shpresoj se libri do të ketë një interes të veçantë për shqiptarët e brezit më të ri dhe studentët lidhur me perspektivat që ai jep për të tashmen.