FRANC KAFKA
E hëna gdhiu e ngrohtë dhe pa shi. Aurelio Eskovari, një dentist i padiplomuar, i cili e kishte zakon të ngrihej që me natë, e hapi klinikën që më gjashtë. Nga një kavanoz qelqi ai mori një palë dhëmbësh artificialë, ende të ngjitur pas formës së allçisë dhe mbi tavolinë vendosi një mori instrumentesh pune, të cilat i radhiti sipas madhësisë, a thua se po i ekspozonte për t’i shitur. Ai kishte veshur një këmishë pa jakë dhe pa vija, të mbyllur në krye me një karficë të artë dhe pantallona me tiranta. I gjatë dhe hollak, trupin e mbante gjithmonë drejt dhe kishte një vështrim që s’përputhej asnjëherë me situatën, një vështrim i ngjashëm me atë të njerëzve shurdh.
Pasi i kishte vendosur mirë sendet mbi tavolinë, ai e afroi trapanin drejt karriges së pacientit dhe u ul të pastronte dhëmbët artificialë. Dukej sikur nuk e kishte mendjen te ajo që po bënte, por punoi i përqendruar, duke pompuar trapanin me këmbë, edhe kur kjo nuk ishte e nevojshme.
Pas orës tetë ndaloi një copë herë të mirë të kundronte qiellin përmes xhamit të dritares dhe vuri re dy qifte hijerënda që po thanin pendët mbi traun e çatisë të shtëpisë përballë. I u rikthye punës me bindjen se shiu do të riniste përpara drekës. Britma çjerrëse e të birit njëmbëdhjetë vjeçar e shpërqendroi aty për aty.
-Baba.
-Çfarë ke?
-Kryetari i bashkisë do të dijë nëse ke kohë t’i heqësh një dhëmb.
-Thuaji që s’jam këtu.
Ai po pastronte një dhëmb të artë. E mbante përpara vetes, në gjatësinë e krahut dhe po e hetonte me sytë gjysmë të pulitur. Britma e të birit u dëgjua përsëri nga dhoma e vogël e pritjes.
-Ai e di që je këtu, sepse të dëgjoi zërin.
Dentisti vazhdoi ekzaminimin e dhëmbit. Vetëm kur mbaroi punë me të dhe e vendosi mbi tavolinë foli përsëri:
-Kështu po!
E futi përsëri trapanin në punë. Nga një kuti kartoni, ku mbante sendet me të cilat nuk kishte mbaruar ende punë, mori disa pjesë nga një urë dhëmbësh dhe nisi të pastronte arin.
-Baba.
-Çfarë ke?
Fytyra vazhdonte të ruante të njëjtën shprehi.
-Ai thotë se po nuk i hoqe dhëmbin, ka për të të vrarë.
Pa u ngutur, me një gjakftohtësi të akullt, ai ndaloi trapanin, e shtyu larg karriges dhe hapi deri në fund sirtarin e fundit të tavolinës. Brenda prehej një revolver.
-Mirë, – tha. –I thuaj të vijë brenda dhe të më vrasë.
E shtyu poltronën kundruall derës. Në derë u shfaq kryetari i bashkisë. Anën e majtë të fytyrës e kishte rruar, por e djathta, e ënjtur dhe lënguese, mbulohej nga një mjekër pesë ditëshe. Në vështrimin e tij të përhumbur, dentisti dalloi net të shumta dëshpërimi. E mbylli sirtarin me majën e gishtave dhe foli shtruar:
-Ulu.
-Mirëmëngjesi, – tha kryetari i bashkisë.
-‘Gjes, – tha dentisti.
Ndërsa veglat sterilizoheshin në ujin përvëlues, dentisti mbështeti kokën mbi qafën e karriges dhe u ndje më mirë. Zyra qe mobiluar varfër: një karrige e drunjtë, trapani me pedale, një dollap qelqi me shishe qeramike. Përkundrejt karriges ndodhej dritarja e mbuluar përgjysmë me perde prej cohe të zakonshme. Kur ndjeu dentistin të lëvizte, kryetari i bashkisë shtrëngoi këmbët dhe hapi gojën.
Aurelio Eskovari ia drejtoi kokën nga drita. Pasi kontrolloi dhëmbin e prishur, i mbylli nofullat kryetarit duke i shtypur me kujdes me gishta.
-Duhet ta heqim me anestezi, – i tha.
-Pse?
-Sepse të është qelbëzuar.
Kryetari i nguli sytë.
-Në rregull, – tha dhe u përpoq të buzëqeshte. Dentisti nuk buzëqeshi. Ai vendosi mbi tavolinë kutinë me veglat e sterilizuara e. Pastaj, me anë të një piskatoreje të ftohtë, nxori veglat një e nga një nga kutia, gjithmonë pa u nxituar. Pastaj e shtyu pështymoren me majën e gishtit dhe shkoi te lavamani të lante duart. I bëri të gjitha këto pa ia hedhur sytë kryetarit të bashkisë. Por kryetari nuk i a shqiste të tijët.
Bëhej fjalë për një nga dhëmballët e poshtme të pjekurisë. Dentisti hapi këmbët dhe e mbërtheu dhëmballën me dhëmbët e nxehtë të darës. Kryetari i bashkisë mbërtheu krahët e karriges, shtrëngoi këmbët pas njëra tjetrës dhe ndjeu një therje të ftohtë në veshka, por nuk nxori zë fare. Dentisti lëvizi vetëm kyçin e dorës. Pa mllef, madje me një dhembshuri të hidhët, i tha:
-Tani do të paguash për njëzetë burrat e vrarë.
Kryetari ndjeu shtrëngimin e kockës në nofull dhe sytë i u mbushën me lot. Por nuk mori frymë derisa ndjeu që dhëmballa u hoq. Pastaj e vështroi mes lotëve. I dukej aq e huaj ndaj dhimbjes që ndjente sa e pati të vështirë të kuptonte torturën e pese netëve të shkuara.
I kërrusur mbi pështymore, i djersitur dhe duke gulçuar, ai zbërtheu xhaketën dhe rrëmoi xhepin e pantallonave për të gjetur shaminë. Dentisti i zgjati një pecetë të pastër.
-Fshiji lotët, – i tha.
Kryetari i fshiu. Po dridhej. Teksa dentisti lante duart, ai vështroi suvanë e tavanit, gati për të rënë dhe një rrjetë merimange plot pluhur, vezë merimange dhe insekte të ngordhura. Dentisti u kthye duke fshirë duart.
-Shko fli tani, – i tha, – dhe bëj gargarë me ujë të kripur.
Kryetari i bashkisë u çua, tha mirupafshim me një përshëndetje gjysmë ushtarake dhe bëri për nga dera duke shtriqur këmbët, pa e kopsitur xhaketën.
-Dërgomë faturën, – i tha ai.
-Ty apo qytetit?
Kryetari nuk ia hodhi sytë fare. Mbylli derën sapo doli dhe foli përmes xhamit:
-Një mut është! Ose E njëjta gjë është, dreqi ta marrë!