Vajza e Kolonelit – Robert Coover

1

Komplotistët tymosin cigaret dhe rrufisin gotat me konjak, të mbledhur në poltronat përreth vatrës së zjarrit në studion e Kolonelit. Vendimi është marrë. Secili prej tyre ka ardhur aty duke rendur i pasigurt pas një entuziazmi të vagullt dhe, tani që kthejnë kokën mbas, kanë kuptuar se kanë shkelur përtej një pragu historik. Së shpejti nuk do të ketë më kthim mbas. Ndoshta që tani nuk ka kthim mbas. Ata janë zgjedhur nga Koloneli. Ata nuk i njohin mirë të tjerët rreth tyre dhe nuk janë të sigurtë nëse mund t’i besojnë njëri tjetrit. Ata pëshpërisin, buzëqeshin të ndruajtur, ngrenë dolli që fati i mbarë t’u prijë në aventurën përpara, por vazhdojnë të ruajnë vigjilencën.

Vajza e Kolonelit hyn me një tabaka në duar ku pushojnë kafet dhe biskotat. Ky është një shpërqendrim i mirëpritur. Në praninë e saj, bisedat boshe bëhen jo vetëm të mundshme, por edhe të nevojshme, duke u dhënë mundësi komplotistëve të harrojnë për një moment  komplotin. Pragu i derës që pak më parë kishte marrë përmasa historike, tashmë është kthyer përsëri në një prag dere të thjeshtë, që mundëson kalimin funksional nga një dhomë në tjetrën. Ajo ka veshur një kostum tradicional të vendit, me një fund dhe përparëse leshi të thurura me dorë, një bluzë borë të bardhë dhe të hekurosur për merak, dhe një jelek të qëndisur. Ndoshta ka qenë Koloneli ai që e ka sugjeruar këtë veshje, për të frymëzuar krenarinë kombëtare mes atyre që janë mbledhur për atë ngjarje historike. Prania e saj, në vend të shërbëtorëve, shërben gjithashtu për të theksuar ndjeshmërinë e takimit dhe nevojën për fshehtësi absolute. Së shpejti, mendon Koloneli, duke e vështruar të bijën me dhembshuri atërore, ajo do të jetë vajza e Presidentit ose, në të kundërt, një jetime. Ai është i bindur se të paktën një person në atë dhomë ka për ta tradhtuar. Një tradhti e tillë mund të mos jetë fatale për fatin e komplotit, por pa dyshim që do të përshpejtojë rrjedhën e gjërave. Ai shpreson se, kur të vijë ky moment, ka për të qenë gati.

Kërcënimi i tradhtisë rëndon në mendjet e të gjithë të pranishmëve: ja ku është, për shembull, një burrë me pamje ogurzezë dhe me dy sy të mufatur pas syzeve xhamtrasha si fund kavanozi, i cili qëndron mënjanë pa bërë zë dhe që, me sa duket, askush nuk e njeh. Por askush nuk do të zbulojë ankthin që i zien përbrenda nga frika se mos në të njëjtën kohë zbulon edhe tundimin e tij, ndaj, në vend që të studiojnë njëri tjetrin, sytë e komplotistëve përqendrohen mbi vajzën e Kolonelit, e cila sillet mes tyre duke shërbyer kafet dhe biskotat. Koloneli kundron ata tek kundrojnë vajzën e tij. Disa prej tyre kundrojnë fytyrën e saj, disa të tjerët gjinjtë e saj, ose vithet, kostumin, këmbët. Burrat që i kanë ngulur sytë trupit të saj nuk janë medoemos më pak të besueshëm se ata që kundrojnë fytyrën e saj dhe ata që i shmangin vështrimet ose meditojnë, të përqendruar siç duket mbi gotën e konjakut, janë ndoshta më të rrezikshmit nga të gjithë.

Ai që kthen kokën në anën tjetër, kur trupi i vajzës së Kolonelit fërkohet lehtë pas shpatullës së tij, është një ish profesor i historisë dhe i së drejtës. Në fakt, vajza e Kolonelit ka qenë dikur studentja e tij, përpara se ky të përjashtohej nga universiteti, t’i hiqej liçensa për të ushtruar praktikën ligjore dhe të burgosej për oponencën e tij tepër të zellshme kundër regjimit të kohës. Bindjet e tij politike, të ushqyera ideologjikisht, kanë për synim një ristrukturim revolucionar dhe të plotë të qeverisë, të cilën ai e quan një diktaturë oligarkësh.  Ndaj ai ndihet pak si mbi vezë mes gjithë këtyre biznesmenëve të paskrupuj, ushtarakëve profesionistë dhe oportunistëve politikë. Ai i trembet faktit se, pas revoltës, gjërat do të ngelen po njësoj, madje është i bindur për këtë, por hidhërimi i dëshpëruar e ka tërhequr në këtë komplot dhe po e mban aty. Jeta i ka kaluar përpara syve pa u ndjerë. Kjo është mundësia e tij e fundit. Dhe, nëse ata janë të suksesshëm, ai mund të tregojë kurajë të mjaftueshme për të arritur atë çka ka ëndërruar gjithmonë.

Koloneli është i ndërgjegjshëm për dyshimet e profesorit dhe nuk i ka besë ideologjisë së tij – profesori ka shkruar një libër të diskutueshëm mbi çështjen, tani i ndaluar – por ai është e vetmja lidhje e tyre e supozuar me studentët dhe ka shpresa se profesori do të arrijë të sigurojë mbështetjen e këtyre. Koloneli ka qenë pjesërisht përgjegjës, edhe pse profesori nuk e di këtë, për përjashtimin e tij nga universiteti dhe për burgimin dhe torturat që pasuan. Në fillim Koloneli kishte për synim vetëm mbrojtjen e së bijës, por fati i solli në derë një aleat të paçmuar. Nëse fati e do që profesori t’i mbijetojë grushtit të shtetit, libri i tij do të vazhdojë të ndalohet dhe padyshim që ai duhet të burgoset përsëri. Për më tepër, koloneli është i bindur se njeriu është një mister tmerrësisht transparent dhe se profesori e ka të qartë perspektivën e tij, por është bashkuar me ta gjithsesi. Sepse nuk ka zgjidhje tjetër.

Zëvendësministri i Brendshëm, i cili i është bashkuar komplotit ngaqë e ka humbur durimin me prirjet liberalizuese të kolegëve të tij në ministri, ka një pikëpamje më pak gjaknxehtë për profesorin, të cilin e sheh si udhëheqësin sharlatan të një bande virulente prej ideologësh tinzarë, të lidhur me mish e me shpirt pas shkatërrimit të kishës, shtetit dhe familjes tradicionale. Nëse Zëvendësministri do të ishte President, ai nuk do ta kishte burgosur profesorin; ai do ta kishte ekzekutuar atë dhe do t’i kishte djegur të gjithë librat e tij. Dhe ndoshta ai ka për t’u bërë President. Koloneli nuk është veçse një plak sentimental, i rrjedhur dhe i vetëkënaqur, dhe nuk do të jetë problem të zbythet. Njëherë e mirë po të jetë e nevojshme. Zëvendësministrit nuk ndihet rehat me sjelljen e vajzës. Ai ndjen se ka një qëllim në sjelljen e saj. Ajo po trumbeton patriotizmin, por edhe trupin e saj, duke flirtuar hapur në atë dhomë plot me komplotistë. I buzëqesh asaj pa të keq, vetëm aq sa të njohë praninë e saj në dhomë, dhe, ashtu si Koloneli, vëzhgon mendueshëm reagimet e të tjerëve.

Ka mundësi që Zëvendësministri ta nënvlerësojë Kolonelin; nënvlerësimi i kundërshtarit është një dobësi fatale e shumë burrave ambiciozë. Edhe pse një tymosës i rregullt i llullës dhe me një sjellje të shtruar prej babaxhini të dashur, Koloneli është një njeri gjakftohtë e sistematik, i vëmendshëm, i matur, i vendosur dhe gjithmonë i pamëshirshëm. Dija është pushtet dhe ka pak gjëra që ai të mos i dijë mbi njerëzit e mbledhur në atë dhomë. Ai është takuar me secilin prej tyre kokë më kokë, me disa prej tyre disa herë, si dhe me shumë të tjerë që nuk janë ftuar në këtë takim dhe, për shkak të sjelljes së tij të qetë dhe të menduar, burrat dhe gratë pa dallim e kanë zakon t’i hapen përgjithçka. Ai e di, për shembull, se Zëvendësministri pranon shuma të konsiderueshme parash nga pronari i pasur i zinxhirit më të madh të dyqaneve të veshjeve në vend, gjithashtu i pranishëm në dhomë, për të mbyllur një sy ndaj kontrabandës jashtëzakonisht fitimprurëse të tregtarit. Ai e di se pronari i dyqaneve të veshjeve ndihmohet në kontrabandën e tij nga Kapiteni i marinës, një pijanec dhe qejfli femrash, i cili është ulur në poltronën përkrah tij. Një treshe aspak për t’u pasur zili, e megjithatë e rëndësishme për planet e Kolonelit në sajë të asaj çka ofrojnë: kontakte, para, lidhje me kishën dhe elitën e vendit, si dhe një rrjet furnizimi për armë dhe municione. Për më tepër, që të tre mund të shërbejnë fort mirë si “kokë turku” nëse gjërat shkojnë keq. Kapiteni ngre në ajër gotën e tij të zbrazur, si për të propozuar një dolli, dhe një tjetër raund me konjak shërbehet për të pranishmit.

Tregtari i dyqaneve të veshjeve ka sjellë me vete një shishe me konjak të huaj dhe të shtrenjtë, të një cilësie shumë herë më të mirë se konjaku vendas që po shërbehet, por Koloneli nuk e ka hapur ende, duke mos dashur të krijojë ndonjë përshtypje, qoftë edhe të vogël, të një ndikimi të huaj, sado e vërtetë që mund të jetë kjo. Megjithatë shishen e ka lënë jashtë, në sytë e të gjithëve, për të parë se kush prej tyre do të tundohet, kush do ta shpërfillë dhe kush do të zhgënjehet nga konjaku që po i serviret. Për shembull, shoku i vjetër i Kolonelit nga klasa e akademisë ushtarake, ish Shefi i Policisë së qytetit dhe dikur Drejtori i Sigurisë Kombëtare, i hodhi një sy mospërfillës shishes, njësoj siç do të shpërfillte një objekt të parëndësishëm në një skenë krimi. Ndërkohë, manjati i ngjallur i pasurive të patundshme dhe industrisë së ndërtimit, i veshur si gjithmonë me një kostum veror të prerë me sqimë, e ka studiuar mirë e gjatë shishen kushedi sa herë. Manjati i ndërtimit është një burrë fjalëpakë dhe i zgjuar, me një shije lpër luksin të kultivuar gjatë viteve të pasurimit dhe ngjitjes së tij në hierarkinë shoqërore në kohën e regjimit të kaluar. Ngjitjes së tij të suksesshme i erdhi fundi kur Presidenti aktual, pasi rrëzoi nga pushteti paraardhësin e tij, i konfiskoi pjesën më të madhe të pronave. Por Presidenti dhe banda e tij e hajdutëve nuk kanë arritur të shtien në dorë milionat që thuhen se manjati i ka depozituar në llogari bankare dhe në investime të ndryshme jashtë shtetit. Janë pikërisht këto para, bashkë me ato të pronarit tjetër të dyqaneve të veshjeve, të cilat Koloneli shpreson t’i përdorë për të financuar grushtin e shtetit. Ka njësite të tëra ushtarake që duhen rekrutuar dhe aleanca kyçe që duhen formuar.

Për praninë e tij, ish Shefi i Policisë ka si motiv nevojën e vetë-ruajtjes dhe dëshirën për hakmarrje: ai u pushua nga Shërbimi i Sigurisë si pasojë e akuzave të rreme për korrupsion dhe dhunë policore, ku qeveria përdori dëshmitarë të blerë dhe prova të falsifikuara. Fakti që ish Shefi i Policisë, me shumë mundësi, është fajtor për krime të tilla apo të ngjashme me këto, pak rëndësi ka për Kolonelin. Ajo çka ka rëndësi është manipulimi cinik i ligjit nga ana e Presidentit për të arritur qëllimet vetjake. Ish Shefi i Policisë do të shërbejë si imazhi publik i grupit të komplotistëve, si një njeri i drejtë që është trajtuar padrejtësisht. Motivi i manjatit të ndërtimit, nga ana tjetër, është më i thjeshtë: lakmia! Ai kërkon të rifitojë pronat e tij. Dhe ndoshta kjo e bën një nga bashkëkomplotistët më të besuar të Kolonelit, nëse nuk do të ishte për atë cinizmin e tij rë trishtë e disi të sforcuar. Asgjë për të nuk është e vërtetë, përfshi vetë jetën. Besnikëria nuk është e huaj në natyrën e tij, por as nuk është pjesë e saj, gjithashtu.

Ndoshta personi më pak i besuar mes tyre është piloti riosh dhe kokëkrisur i avionit, të cilit vajza e Kolonelit është duke i shërbyer. Edhe pse nuk ka gjasa që ai të tradhtojë – prindërit e tij, me sipërmarrjet e tyre të panumërta në bujqësi, janë miq për kokë me Kolonelin – ai gjithsesi mund të zgjedhë fare mirë ta braktisë kauzën, duke e zhvatur Kolonelin nga një element ushtarak thelbësor në strategjinë e tij. Një ish major i Forcave Ajrore dhe një udhëheqës i sprovuar, piloti u hoq nga shërbimi nga Presidenti, i cili nuk kishte besim te ai, dhe tani ka zhvilluar një biznes të suksesshëm në dezinfektimin e të mbjellave me pesticide nëpërmjet ajrit. Thuhet se biznesi shërben gjithashtu si mbulesë për trafikimin e drogës; Koloneli nuk para u beson këtyre fjalëve, por pak rëndësi ka. Piloti nuk shfaqi as hezitimin e manjatit të ndërtimit dhe as shpërfilljen e ish Shefit të Policisë kur vuri re shishen e konjakut. Ai u ngrit, e mori shishen në duar, studioi etiketën, ndezi një cigare që po i varej e pajetë mbi buzë dhe buzëqeshi i kënaqur. Një djalë i pashëm dhe me një pasuri të krijuar me forcat e veta, ai është pak si tepër i çartur dhe njëfarë donzhuani, por Koloneli, i cili e njeh djalin që kur ky mbante ende pelena, e ka marrë për zemër, duke njohur tek ai diçka nga vetja. Studimi i sinqertë dhe i vetëkënaqur, që djali po i bën vajzës, sugjeron se ai po e zhvesh mendërisht atë dhe ky është një fakt inkurajues për Kolonelin.

Piloti ka kohë që është i ndërgjegjshëm se Koloneli mund ta ketë zgjedhur si dikë të përshtatshëm për të bijën, por e ka larguar menjëherë idenë, duke mos dashur ende të hedhë rrënjë. Ka qenë besnikëria familjare, më shumë se interesi për vajzën apo për luftën e ashpër për pushtet që ka përfshirë kombin, që e kanë sjellë aty. Kjo dhe shpirti i aventurës. Ai dhe vajza e Kolonelit kanë luajtur shpeshherë bashkë kur kanë qenë fëmijë. Ajo ka qenë për të si një motër e vogël dhe, deri në momentin që ajo hyri në dhomë, e mendonte ende si të tillë. Por ajo ishte rritur, kishte ndryshuar shumë. Sa e bukur. Ai beson se ajo e ka veshur atë kostum popullor enkas për të, një sugjerim i të kaluarës së tyre fëminore, por edhe i një të ardhmeje të përbashkët mëse të mundur. Aroma delikate që buron nga trupi i saj, buzëqeshja ndjellëse, gjinjtë që duket se do të shpërthejnë plot jetë nën bluzën e bardhë, teksa ajo po i mbush gotën, pa pritur i ndezin epshin. Ai ndez një tjetër cigare, rehatohet në kolltuk sa gjatë-gjerë dhe ia ngul sytë asaj me një buzëqeshje kuptimplotë. Tani që mendohet, pozicioni, që Koloneli i ka ofruar, si Shefi i Shtabit të Forcave Ajrore duket se ka të mirat e veta.

Kur vajza e Kolonelit i qaset pronarit të dyqaneve të veshjeve për t’i mbushur gotën, ai mbërthen përparësen e saj prej leshi dhe e afron tek syzet pa skelet që pushojnë mbi hundën e trashë e kuqalashe. Ajo skuqet, zgjidh rripat e përparëses dhe bën një hap pas, duke e lënë në dorën e tij. Pasi e studion për një çast, ai identifikon jo vetëm fshatin e origjinës, por edhe endësin e mundshëm, duke mahnitur të gjithë me ekspertizën e tij. Modeli i përparëses, shpjegon ai me një solemnitet qesëndisës, tek përkëdhel mustaqet e kuruara, përmban simbole tradicionale të pjellorisë, gjë që nënkupton se mbajtësja e saj dëshiron të bëhet me fëmijë ose, të paktën, të ngelet shtatzënë (ai e provon përparësen mbi vete dhe rrotullon sytë, i shoqëruar nga shpërthimi i të qeshurave), ndërsa format gjeometrike, që duket sikur kanë thjesht një funksion dekorativ, janë në fakt abstraksione të aktit seksual, apo të akteve, sepse secila figurë përfaqëson një variant ekzotik më vete. Kapiteni i marinës ia rrëmben përparësen nga dora dhe e pyet se cilin akt simbolizon secila figurë; në fund të fundit, ai nuk dallon veçse disa vija. Tregtari nuk i jep përgjigje, thjesht i shkel syrin dhe ndez një cigare tjetër, duke i lënë të tjerët të harbohen në hamendësime nga më të ndryshmet, ndërkohë që përparësja kalon dorë më dorë. Me sytë mbi vajzën e Kolonelit, e cila po buzëqesh e pafajshme mes tyre, tregtari e zhvesh atë nga koka të këmbët në mendjen e tij, me përjashtim të mbathjeve, të cilat i imagjinon prej mëndafshi dhe aq të holla, sa janë pothuajse transparante, por pa treguar kurrë gjithçka. Kohët e fundit ai ka sjelljë një linjë të re me të brendshme për femra në dyqanin e tij kryesor në qytet dhe e ka mbikqyrur vetë veshjen e manekineve me to, pa harruar të vinte re se manekinet ngjanin shumë më joshëse me të brendshmet mbi trup, se sa pa to.

Profesori nuk e kap përparësen me dorë kur i vjen radha, por çohet dhe i afrohet dritares dhe aty vështron kopshtin e madh e të rrethuar me mur të pronës së Kolonelit. Në të ka statuja të personazheve kombëtare, mitologjike dhe fetare, disa mbi piedestale, disa si pjesë dekorative e shatërvanëve dhe të tjerat që ngrihen mes luleve dhe gjethnajave sikur të kenë mbirë bashkë me to. Dhe profesori vëren rastësinë e çuditshme, nëse është me të vërtetë një rastësi, se numri i statujave në kopsht është ekzaktësisht sa numri i njerëzve në dhomë, përfshi vajzën e Kolonelit, e cila mund të thuhet se përfaqësohet nga statuja e Virgjëreshës së pikëlluar, e cila prehet në fund të kopshtit, pranë asaj çka mund të jetë një varr i vjetër i familjes. Prirje të tilla, si ato që gjejmë në histori, joshin mendimet e profesorit. Kërkimi kokëfortë, madje i kotë, mes rrënojave të botës për të gjetur një kuptim. Shumica e gjesteve romantike dështojnë, ai e di, por gjurmët mbeten. Jeta, në rastin më të mirë: një njollë e zbehtë mbi faqen që shfletohet. Ai ka shkruar për këtë, jo me kaq zymtësi, në librin e tij të fundit, “Të hysh në histori”. Profesori, pasi i ka hedhur një sy përparëses që më përpara, kur po shërbehej nga e zonja, ka parë në të jo dhe aq imazhe pjellorie se sa simbole të brishta të rezistencës kundër shtypjes, sidomos të shtypjes nga të pasurit e militarizuar, me ato vija gjeometrike që u ngjajnë hekurave. Hekura që duhen thyer për të çliruar të burgosurit pas tyre. Pavarësisht prejardhjes së saj nga një kastë ushtarake, vajza e Kolonelit ka qenë studentja e tij e preferuar.

Zëvendësministrit, i zemëruar nga aleancat që duhet të bëjë në këtë botë për ta pastruar atë, po i shtohen dyshimet për t’iu bashkuar këtij rebelimi, por ai e di gjithashtu se tashmë është tepër vonë për t’u tërhequr. Ai nuk ka veçse neveri të pafund për profesorin dhe përfytyron mendimet e liga që tjetri po bluan në atë mendjen e tij të deformuar, tek qëndron pranë dritares. Ndoshta po i dërgon sinjale dikujt aty jashtë. Zëvendësministri pyet veten sa të vërteta janë thashethemet për pjesëmarrjen e tjetrit në orgjitë studentore, por edhe nëse vajza e Kolonelit ka qenë pjesë e tyre. Zëvendësministri ka qenë gjithashtu i shqetësuar me mundësinë e ekzistencës së mesazheve të fshehura në qëndisjet e përparëses. Mos vallë ato përmbajnë mesazhe kriptike dhe, nëse po, a i ka deshifruar ato tregtari i veshjeve, me atë dijen e tij të mësuar, vetëm që të ruajë për vete kuptimin e tyre? Mos vallë fati i sipërmarrjes së tyre kokëkrisur është fshehur në përparëse? Apo në jelekun e qëndisur? Në fustanin prej leshi? Brenda së cilës janë shtrënguar vithet dhe kofshët e vajzës së Kolonelit, ku lëvizja e saj më e vogël sjell në jetë figurat e stilizuara, të cilat hedhin valle në mënyrë provokuese përpara syve të tij. Trupi i saj nuk është i fshehur, por shfaqet në një joshje dehëse. Zëvendësministri lëviz plot siklet mbi karrige dhe buzëqesh i shqetësuar, vështron vajzën dhe pranon një tjetër gotë me konjak, edhe pse nuk e kishte pasur ndër mend.

Tek vështron përparësen që qarkullon rreth dhomës, njëkohësisht si objekt afrimiteti dhe qesëndisjeje, Koloneli e kupton se, kur rebelimi i tyre do të nisë pa kthim pas, e bija do të kthehet në një shënjestër. Ndoshta ajo është që tani një shënjestër. Përparësja, deri një moment më parë, ishte pjesë e saj, dhe ende është pjesë e saj ndërsa kalon me vrazhdësi dorë më dorë, nga një burrë te tjetri. Njëfarë dhunimi më vete. Dhe këta supozohen të jenë miqtë e tij, shokët e tij të armëve; do të ishte e papërfytyrueshme nëse ajo do të binte në kthetrat e armiqve të tij. Ai do t’i kërkojë manastirit, patrone e të cilit familja e tij ka qenë historikisht, ta marrë atë mes mureve të trasha për njëfarë kohe, duke i ofruar strehën e nevojshme nëse grushti i shtetit dështon. Ai e kupton, pa dyshim, se kalimi dorë më dorë i përparëses, tashmë në duart e ngjallura dhe plot unaza të manjatit të ndërtimit, shërben piksëpari si një mjet shpërqendrimi nga serioziteti i tmerrshëm i sipërmarrjes së tyre, se të qeshurat e vrazhda shërbejnë si një mjet çlirimi nga tensioni që mbretëron në dhomë. Manjati i ndërtimit valëvit përparësen. Shoh prova këtu, thotë ai me dihatjen karakteristike të njerëzve mbipeshë, e një sfide qesëndisëse ndaj shtetit, sepse në figurat e kafshëve në çiftim e sipër, ato që janë përsipër, janë plot ngjyra, sikur të kenë veshur kostumet shumëngjyrëshe të vendasve, por ato që janë përposh, ato të nënshtruarat, kanë “të veshura” ngjyrat e shtetit. S’besoj se është e nevojshme të them atë fjalën e urtë që kjo më sjell ndër mend?!

Në atë moment, ndërsa të qeshura të tjera troshisin ajrin e dhomës të rënduar nga tymi, mbërrin redaktori mustaqelli i gazetës së qytetit, e mbyllur me urdhër të qeverisë që nga zgjedhjet e fundit. Ai është pjesëtari i fundit i grupit të komplotistëve të Kolonelit. Duket qartë se ka nxituar, rrobat i ka të shkalafitura dhe flokët të shprishur. E flak cigarillon gjysmë të pirë në zjarrin e vatrës, rrëmben gotën e konjakut që i ofrohet, e kthen me një frymë, refuzon një të dytë dhe mërmërit njëfarë ndjese për vonesën. Koloneli e prezanton me grupin, edhe pse shumica e njohin, madje disa prej tyre më shumë nga çdo të kishin dashur, dhe gjithashtu shpjegon se personi me syze me xhama të trashë është doktori i familjes. Një njeri të cilit mund t’i besohet pa ngurrim, thotë Koloneli, dhe drejtori i ardhshëm i Shërbimit Kombëtar të Shëndetsisë. Koloneli shton se ai është gjithashtu doktori i gruas së Presidentit, të cilën të gjithë e dinë që vuan nga kriza të shpeshta depresioni dhe ka gjithmonë nevojë për trajtim personal. Të tjerët miratojnë me kokë, disa prej tyre nënqeshin në mënyrë kuptimplotë.

Përparësja i ofrohet redaktorit, i cili e sheh i habitur, mbledh supet dhe e hedh mbi kurrizin e karriges. Ai është më i rrezikshmi mes zgjedhjeve të Kolonelit, një njeri që njihet për paaftësinë e tij për të ruajtur konfidencialitetin dhe për të hyrë në aleanca; ai mund të jetë këtu thjesht për faktin se një histori pret për t’u treguar. Për më tepër, ai ia ka dalë mbanë të ofendojë pothuajse të gjithë në atë grup, në një kohë apo tjetër, përfshi Kolonelin, të cilin e ka shënjestruar dikur në një seri artikujsh mbi abuzimet e supozuara të ushtrisë. Por, si një formues i aftë i opinionit publik, me një rrjet të gjerë marrëdhëniesh që përfshijnë të gjithë spektrin shoqëror, redaktori mund të jetë një aset i paçmuar për sipërmarrjen e tyre dhe, ashtu si gjithkush tjetër në dhomë, ai ka sekretet e tija të errëta – për shembull, nuk është sqaruar kurrë në mënyrë bindëse vdekja e një ish të dashurës së tij, e cila thuhej se po i bënte shantazh. Koloneli është i bindur se mund të sigurojë bashkëpunimin e plotë të tij.

Profesori, që tashmë i ka kthyer kurrizin dritares, studion me vëmendje bandën e shkartisur të tradhtarëve të privilegjuar që ka mbledhur Koloneli, aspak i habitur, por edhe as i inkurajuar nga mbërritja e këtij shërbëtori ojnatar të status quo-së. Profesori di gjithçka për retë e zeza që kërcënojnë redaktorin nga e kaluara e tij, sepse në atë kohë, tashmë kanë kaluar shumë vite, ata po luftonin për të njëjtën femër fatkeqe. Ata gjithashtu po luftonin kundër njëri tjetrit nëpër debatet universitare mbi të ardhmen e kombit. Profesori ka qenë gjithmonë një romantik në shpirt dhe politika e tij ngelet e pandryshuar, edhe pse në të ritë e tij ka qenë më pak i disiplinuar dhe i informuar. Kundërshtari i tij riosh, gazetari i ardhshëm, nuk ndiqte asnjë lloj politike; për atë, gjithçka ishte një lojë që duhej luajtur, ku elokuenca dhe shkathtësia ishin vlera që mbizotëronin mbi të drejtën. Kjo është ende e vërtetë edhe sot. Në këtë mbledhje, megjithatë, redaktori është deri diku njëfarë intelektuali dhe aleati i vetëm i mundshëm për profesorin. Ai i rikujton redaktorit, duke i u drejtuar drejtpërsëdrejti (pas tij, kuqëlimi i perëndimit ka flakëruar kopshtin), se në ditët e tij studentore ka shkruar një ese shumë të vlerësuar mbi gjuhën e koduar të atyre pa të drejtë vote, të “të përjashtuarve”. A ka një mesazh të fshehur ose simbolik në figurat e përparëses së leshtë? Çfarë mendon ai?

Redaktori, tashmë me një cigarillo tjetër të rehatuar mes buzëve, mbërthen përsëri përparësen, sikur të donte ta studionte, dhe vlerëson gjithashtu audiencën në dhomë, duke u përpjekur të lidhë fijet e shumta që ndërthuren për të krijuar të ashtuquajturën strategji të Kolonelit – tre degët e ushtrisë, policia civile, koka biznesmenësh, qeveria vetë (prania e Zëvendësministrit është i vetmi lajm për t’u shënuar), plus profesori i diskredituar, me lidhjet e tija të supozuara me studentët dhe sindikatat – ndërsa kërkon të gjejë një përgjigje sa të sigurtë, aq edhe origjinale. Figurat mbi përparëse janë tradicionale dhe në të kaluarën ai u ka dhënë shumë interpretime të ndryshme, në varësi të rrethanave dhe qëllimit që ka pasur në një kohë të caktuar. Pa dyshim që edhe tani mund të gjejë interpretime të reja, të përshtatshme për sipërmarrjen e tyre, por pikërisht në atë moment e bija e Kolonelit i sjell një filxhan kafe dhe biskota të ëmbla. Ai e di mirë nga debatet që ka bërë në të kaluarën se e befasia është çelësi i fitores, ndaj e hedh përsëri përparësen mbi karrige duke ngritur supet, i quan simbolet si krijime tradicionale rutinë, kafshon biskotën plot zhurmë dhe… ngrin në vend, me sytë e ngulur mbi jelekun e leshtë të vajzës. Ah! Megjithatë… Ai tregon me gisht një figurë mbi jelek, pikërisht aty ku duhet të jetë thithka e gjoksit. A mundem? pyet ai, me gojën plot me thërrime biskotash, dhe vajza heq e ndruajtur jelekun dhe ia jep. Ai e mban jelekun përpara fytyrës, ende duke u mbllaçitur, dhe koka i shkon sa majtas-djathtas, sikur po lexon diçka të rëndësishme. Historia e qëndisur këtu, thotë ai, duke ledhatuar me gisht fijet, është një histori e lashtë pagane për një zot a hero kombëtar, i cili u mësoi njerëzve si të lexonin qiellin. Të gjitha këto temina janë në të vërtetë yje dhe rruazat, me shumëllojshmërinë e ngjyrave, përfaqësojnë racat e ndryshme njerëzore. E pazakontë për këtë model është mënyra si rruazat jo vetëm janë të shpërndara kudo mbi jelek, por edhe janë të grupuarar në grumbuj të vegjël, të cilët rrethohen nga zinxhirë të mbërthyer, duke sugjeruar formimin e shoqërive, ose ndoshta – shikoni këtë fijen metalike – formimin e ushtrive.

Koloneli e kupton se redaktori, me shkathtësinë e tij tipike, po improvizon aty për aty dhe zor se ka ndonjë në dhomë që u beson gjepurave të tij, por ai ia ka dalë mbanë të tërheqë vëmendjen e tyre, pavarësisht nënqeshjeve, dhe tashmë jeleku po kalon gjithashtu dorë më dorë, ku secili përpiqet të dallojë ato që pretendon se sheh redaktori. Jo, thotë redaktori kur pyetet nga profesori, zoti ose heroi i qytetërimit nuk është i paraqitur aty, sepse kjo do të ndillte fatkeqësi, ose do të ishte një sakrilegj, e ç’rëndësi ka; ai përfaqësohet nga tërësia, duke qenë pjesë e gjithçkaje, një nocion primitiv fetar që ti gjithmonë e ke akuzuar se krijon premisat drejt tiranisë. Këtu i shkel syrin Kolonelit. Koloneli, me një buzëqeshje toleruese, përfiton nga rasti të qartësojë mendimet që po bluan në kokë. Së shpejti do t’u bëjë të ditur të tjerëve strategjinë e tij për të përmbysur regjimin aktual. Ky nuk është një operacion gueriljesh (ai do ta theksojë këtë gjë), por një goditje e shpejtë nga brenda. Disa do të vdesin, kjo nuk mund të shmanget, por nëse ata veprojnë shpejt dhe me vendosmëri, numri i viktimave mund të mbahet në minimum. Ai do të shpalosë disa nga veprimet që do të kryhen, por pa bërë të ditur detajet, të cilat askush nuk i di. Më vonë, në takimet kokë më kokë, ai do ta zgjerojë informacionin e dhënë, duke i thënë secilit komplotist diçka ndryshe nga të tjerët, mes tyre edhe gjëra të rreme, për të parë nëse informacioni i zotëruar prej secilit do të shkaktojë ndonjë reagim nga Presidenti, duke veçuar në këtë mënyrë të gjithë tradhtarët e mundshëm të kauzës përpara se të jetë tepër vonë.

Ai, të cilin Koloneli po shpreson ta zbulojë, e di se Koloneli do të përpiqet të ngrejë një kurth. Atij i është kërkuar të takohet kokë me kokë me Kolonelin. Ai do të mbajë vesh me vëmendje, por nuk do të veprojë mbi asgjë që do të thotë tjetri, përveçse kur të urdhërohet ndryshe. Por edhe në raportet klandestine që do t’i nisë Presidentit, ai nuk do të shtojë asgjë më shumë nga çka do të dëshmojë në këto mbledhje. Emra, numra, data. Aq sa është e nevojshme. Si Koloneli, ashtu edhe Presidenti, i kanë bërë atij të njëjtin premtim. Ai nuk i beson asnjërit prej tyre. Por së shpejti, ndoshta edhe më shpejt, atij do t’i duhet të zgjedhë. Koloneli është një burrë më i mirë. Ndaj nuk ka dyshim që ai do të zgjedhë Presidentin. Ai vështron jelekun e vajzës që qarkullon rreth dhomës, duke shërbyer si një lojë për t’i afruar rebelët me njeri tjetrin. Entuziazmi i tyre sa vjen dhe rritet. Pritshmëri. Frikë. Epsh. Ata do të hyjnë në histori; ora vendimtare po troket. Kur jeleku mbërrin në duart e ish Shefit të Policisë, ai ia kalon tjetrit pa asnjë koment. Një njeri gjakftohtë, për të cilin asgjë nuk ka vlerë veç ambicies së tij. Tradhtarit të ardhshëm i është kërkuar ta rekrutojë këtë njeri, kaq afër Kolonelit, një projekt i rrezikshëm. Ai është miqësuar me tjetrin me maturi, duke nisur një bisedë mbi nevojën e madhe për një agjenci të sigurisë private dhe ka shprehur gatishmërinë e tij për të gjetur mbështetës financiarë. Të tjerët mezi presin të shtien në dorë jelekun dhe, kur më në fund e kanë në dorë, e ledhatojnë, sikur të duan të ledhatojnë të zonjën. Të gjithë garojnë për të ofruar interpretime të reja, asnjëri më interesant se shpikjet e redaktorit. Pa mburojën e jelekut të bukur, bluza e bardhë e vajzës duket sikur po vezullon, ndërsa drita jashtë venitet pak nga pak. Mos duhet ta përfshijë edhe këtë në raport? Jo, nuk ka për ta bërë. Pronari i pagdhendur i dyqaneve të veshjeve, piloti riosh paksa i skuqur nga të pirët, Kapiteni i marinës me batutat e tija idiote, të gjithë e përpijnë me sy vajzën kur kjo u kalon pranë. Ai mund të përfytyrojë përfytyrimet e tyre. Kur i vjen radha për të komentuar mbi jelekun, megjithëse nuk ia ka ënda të ushqejë oreksin e tyre vulgar, ai nuk ka zgjidhje tjetër. Vështrimi i profesorit, vëren ai, përmban më shumë dhembshuri se epsh. Dikur ajo ka qenë studentja e tij. Çfarë vallë mund të ketë ndodhur mes tyre? Zëvendësministri i brendshëm duket i zemëruar nga qarkullimi i jelekut dhe komentet provokuese që shoqërojnë udhëtimin e tij, e megjithatë duket i kënaqur t’i bashkohet turmës. Edhe pse, kur i vjen radha, e mban jelekun në dorë sikur ky të jetë një objekt i pahijshëm, ai nuk ngurron ta shqyrtojë sa para-mbrapsht me sy të uritur. A mund të jetë Zëvendësministri një agjent i dyfishtë, i punësuar për të mbajtur një sy mbi tradhtarin, për të vërtetuar vërtetësinë dhe plotësinë e raporteve të tij? Kush e di? E ka futur veten në një qorrsokak, megjithëse jetën e ka jetuar gjithmonë sipas një parimi të vetëm: jeta është e shkurtër dhe e pakuptimtë, ndaj gjithkush duhet të gëzojë atë çka ka në dorë, të shijojë sa të mundet dhe të vdesë kur të jetë e shkruar.

Ish profesori është mbështetur pas dritares, tashmë e veshur me terrin e natës, dhe po vështron bashkëkomplotistët e tij që kalojnë dorë më dorë jelekun e qëndisur sikur të jenë studentë që shkëmbejnë pusulla dashurie në orën e mësimit. Për momentin, jeleku ndodhet në duart e manjatit të ngjallur të ndërtimit, i cili e kundron gojëshqyer, e shpalos mbi prehër si të jetë ndonjë pecetë buke dhe i kalon dorën përsipër, njësoj sikur po përpiqet ta pastrojë nga thërrimet. Një llafazn shterp, qëllimi i ekzistencës së të cilit, me sa duket, është të gllabërojë botën, kafshatë pas kafshate. Çfare dreqin kërkon ai këtu? Nevoja korruptuese për para dhe armë e ka kompromentuar sipërmarrjen e tyre ende pa filluar. Kur jeleku mbërrin te profesori, ai propozon se teminat, të cilat shkëlqejnë si helmeta çeliku, mund të përfaqësojnë ushtrinë e kudogjendur dhe rrathët e rrethuar me zinxhirë mund të jenë burgje për popullsinë. Një komb i tërë në burgim shtëpiak të përhershëm. Kjo e shtyn Kolonelin të ndërhyjë, duke thënë se asgjë nuk është e përhershme, me përjashtim të ndryshimit vetë, gjë që i bën të tjerët të nënqeshnin me ironi. Nisur nga sa beson Koloneli, ky rebelim kthehet thjesht në një përpjekje vetë-shtypëse, duke dashur të arrijë të paarritshmen. Njësoj si historia e hidhur e jetës së profesorit. E cila është e pandryshueshme. Nga ana tjetër, Koloneli është i njëjti oportunist i etur për pushtet, i cili, në fund të fundit, nuk e vret shumë për idealet romantike. Për rrjedhim, Koloneli edhe mund të korrë sukses, edhe nëse profesori, një ushtar i thjeshtë, i infektuar nga shpresa e kalbur, nuk ia del mbanë.

Manjati i ndërtimit po e mban jelekun përpara fytyrës dhe po thotë se ato rrathë me zinxhirë mund edhe të jenë shoqëri ose ushtri të ndryshme, siç kanë sugjeruar disa, madje dhe botë tjera që pluskojnë mes yjeve, një ëndërr për t’u arratisur nga vuajtjet e kësaj bote. Nga ana tjetër, teminat mund të jenë shiu që bie mbi kopshte, të cilat përfaqësohen nga grumbujt me rruaza, një imazh më pozitiv se ai i një kombi të burgosur, por edhe një imazh më fshataresk, më i përshtatshëm për endësin. Me ngjyrën e tyre të trëndafiltë, vazhdon ai me dihatjen e tij karakteristike, këto janë më shumë kopshte në kuptimin e Këngës së Solomonit, teminat janë si… Ejakulime! pëllet Kapiteni i marinës me një të zgërdhirë pijanecësh, edhe pse askush nuk i mban ison. Manjati i dhjamosur tund kokën dhe i kthen kurrizin. Koloneli, edhe pse pa dyshim që nuk i miraton ato fjalë, mjaftohet duke ndezur llullën, pastaj mbledh disa letra nga tavolina pranë tij dhe i shfleton. E bija, me bluzën që vezullon gjithnjë e më fort, lëviz tërë hijeshi mes rrapëllimës, sikur të mos ketë dëgjuar gjë. Ndoshta edhe nuk ka dëgjuar.

Ndërsa i ati përgatitet t’u flasë të ftuarve, vajza e Kolonelit shërben edhe një raund të fundit me kafe të freskët, biskota dhe konjak. Mungesa e përparëses dhe jelekut, sipas përfytyrimit të disa prej atyre që nuk ia ndajnë sytë, zëre se e kanë zhveshur të tërën, duke i theksuar lëvizjet e saj në një spektakël marramendës – qenia e pilotit është përfshirë nga zjarrmia epshore; ajo duhet dhe do të bëhet e tija! – edhe pse për Zëvendësministrin këto vizione aspak të hijshme, të cilat kanë pushtuar të shfrenuara dhomën, janë më shumë  torturë se kënaqësi. Doktori, sigurisht, nuk ka nevojë për imagjinatën që ta përfytyrojë vajzën ashtu siç e ka bërë e ëma, por vetëm për kujtimet e tij, meqë e ka ekzaminuar shpeshherë atë që në moshë të vogël: trupi i saj nuk është një imazh statik, por një proces. Kapiteni i marinës, tek zbraz gotën e konjakut dhe e mbush sërish, mund të perceptojë përmes fundit të saj vithet e njomat, që e eksitojnë më shumë se çdo gjë tjetër, dhe, i patrazuar nga etika profesionale e doktorit, përfytyron t’i hipë asaj nga mbas, t’i shtrëngojë gjinjtë e fortë e të mbushur, madje edhe t’u kërcasë ndonje shpullë për lezet. Ai ngre lart gotën, me sytë që i shkëlqejnë nga të pirët, për të ngritur një dolli, ndërsa me dorën tjetër rreh më kot ajrin – Për shëndetin tuaj! i shpall dhomës – dhe, me një ngërdheshje të shtrembët prej kodoshi, lëshohet si plumb mbi kolltukun e rehatshëm në gjysmë-rrethin përballë vatrës së zjarrit.

Zjarri ka më së shumti një funksion ceremonial, udhëzues. Moti është aq vjeshtor sa t’u kujtojë të gjithëve shkurtësinë e jetës, por ende jo aq i ftohtë sa të justifikojë një zjarr të tillë. Ka qenë vendimi i Kolonelit për të ndezur zjarrin; ai ka dashur jo vetëm që të krijonjë një intimitet familjar për makinacionet e tyre, por edhe ta përdorë zjarrin për të ilustruar natyrën shkatërruese, por në fund ripërtëritëse, të sipërmarrjes së tyre. Fshatarët i vënë zjarrin fushës pas të korrave, që ta përgatisin për të mbjellat e vitit tjetër, apo jo? Zjarri kërcet nga kërcujtë që shpërbëhen në thëngjij, duke mbushur ajrin me shkëndija. E bija ndërhyn të trazojë thëngjijtë dhe të shtojë një kërcu tjetër. Pra, një zjarr i kontrolluar… po, metafora është ajo e duhura, mendon Koloneli, sepse, nëse gjërat shkojnë ashtu siç duhet, revolta do të jetë e shpejtë, me një grusht viktimash në pikat kyçe, të cilat ai po bëhet gati t’ua tregojë të tjerëve. Ata që nuk janë të përfshirë, dhe ai do t’i bindë për këtë, shumë shpejt do të bashkohen me ta, sapo hierarkia aktuale do të pushojë së ekzistuari. Dhe për popullsinë mirënjohëse ky do të jetë çlirimi nga tirania; populli do të vërshojë rrugëve për të përshëndetur fitimtarët dhe do të brohorasë me shpirt emrat e tyre të lavdishëm.

Ndërsa jeleku dhe përparësja e vajzës së Kolonelit, por tani edhe fundi i saj, kalojnë dorë më dorë, duke i dhënë jetë një tjetër rrebeshi me interpretime sa të padëgjuara, aq edhe vulgare, Zëvendësministri kupton më në fund se të gjithë në dhomë janë të aftë të tradhtojnë. Të dy biznesmenët, në veçanti, janë tepër të rrezikshëm, sepse ata nuk kanë asnjë lidhje familjare, fetare, apo tradicionale, dhe sigurisht asnjë besnikëri ndaj kombit. Motivimi i tyre i vetëm janë problemet financiare në regjimin aktual, të cilat ata i quajnë me tallje si interesa vetjake të edukuara. Manjati i ngjallur i ndërtimit, me atë kostumin e tij të bardhë dhe byzylykët e trashë prej bakri, imazhi tipik i korrupsionit, tani po sugjeron me përulje se zogjtë dhe lulet e fundit përfaqësojnë dëshirën e pafajshme të endësit për një qeverisje të mirë. Pronari po aq i rrumbullt i dyqaneve të veshjeve po mban të brendshmet e mëndafshta të vajzës mbi hundë dhe po u merr erë plot ëndje. Ai qesh me pafajësinë e supozuar të endësit dhe vë në dukje dredhëzat ogurzeza në sfondin e fundit, që lidhin sëbashku të gjithë elementët në një rrjet të pashpirt intrigash vdekjeprurëse. Zogjtë dhe lulet e kanë jetën të shkurtër, vëren ai. Madje as vajzës së Kolonelit (ku është futur ajo?) nuk është për t’i besuar, sepse njëri prej të pranishmeve mund të jetë i dashnori i saj sekret (Kapiteni? Piloti? Profesori? Edhe ata janë zhdukur dhe aty ka ngelur vetëm një copë rrobe e bardhë, e lidhur mbi karrigen e boshatisur të pilotit, e cila vezullon nën dritën e flakëve në vatër), duke sabotuar në këtë mënyrë besnikërinë e saj ndaj të atit. Vetë Koloneli, i cili duket gjithnjë e më i shkëputur nga çka po ndodh në dhomë, a thua se, me atë buzëqeshje të pajetë, është duke komunikuar me botën e përtejme, nëse gjërat do të shkonin keq (A e dëgjon rënkimin? Shuplakën?) padyshim që do të mohonte çdo përfshirje dhe do të tradhtonte komplotin që ai vetë kishte ideuar në jetë. Potencialisht, ndoshta në aktualitet, gjithkush është një tradhtar! Dhe të gjithë (ndërkohë kthehen piloti dhe profesori, të tjerët braktisin vatrën dhe humbasin në hijet shushuritëse pas shpinës) do të mendojnë po të njëjtën gjë për të! Ai ka marre fund! Si vallë të shpëtojë pa lënë kokën? Ai duhet të gjejë një vend të sigurt për t’u fshehur! Ai do t’i telefonojë Presidentit sapo të largohet prej këtej. Ai është i vendosur të mos përfshihet në atë farë paturpësie që po ndodh pas krahëve të tij, por në fund, faji dhe shtysat e tjera, madje më të turpshme se vetë frika, e nxisin të ngrihet dhe të kërkojë ndjesë. Me mua po zgërdhihen ashtu? Do të më bëjnë sehir vallë? Por pas tij nuk ka njeri. Vetëm hijet madhështore të studios së Kolonelit. Me sa duket, e bija është larguar. Pas krahëve, ai dëgjon të qeshura. Me trupin që i dridhet nga zemërimi, ai braktis dhomën në kërkim të banjës.

 

Kur kthehet, thëngjinjtë në vatër janë shuar dhe vajza e Kolonelit, tashmë e veshur me të zeza,

pret kokëulur ata që kanë ardhur të ofrojnë respektet e fundit, mes tyre Presidenti me të shoqen, edhe ajo me të zeza, duke rrufitur hundët nën një shami të mëndafshtë, bashkë me doktorin personal në krah. Presidenti bën shenjë me kokë dhe Zëvendësministrin e nxjerrin zvarrë jashtë. Karriget janë rreshtuar pas murit; arkivoli monumental prej druri të kuq i Kolonelit prehet në mes të dhomës, i mbuluar me një flamur të thurur me dorë, një dhuratë e popullit. Një shishe me konjak të huaj dhe të shtrenjtë është hapur dhe manjati i ngjallur i ndërtimit po rrufit disa gllënjka nga një gotë e vogël kristali. Të tjerët i bashkohen me një pamje të pikëlluar. Nga kopshti dëgjohen britma të zemëruara. Presidenti i hedh një sy ish Drejtorit, njëkohësisht Drejtori i ardhshëm i Sigurisë Kombëtare; ai del, dëgjohet kollitja e një automatiku, pastaj asgjë; ai kthehet.

Presidenti, në eulogjinë e tij, pasi shpall ditën e zisë kombëtare, flet për dashurinë atërore të Kolonelit për vendin e tij, duke e quajtur një shërbëtor të popullit, një udhëheqës të njerëzve dhe një mik të dashur. Ai u bën të ditur të gjithë të pranishmëve se, për nder të patriotit të madh, prona e tij e bukur do të blihet nga shteti dhe do të kthehet në një ambient trajnimi dhe banimi për kadetët e rinj të ushtrisë, si dhe do të mbajë emrin e tij. Të tjerët miratojnë me kokë dhe ngrenë gotat. Vajza e Kolonelit ka shpallur dëshirën për të hyrë në urdhrin e murgeshave, shton Presidenti, ku do të jetë e mbrojtur nga oreksi pervers dhe i babëzitur i botës dhe ai garanton personalisht se kontributet e familjes për urdhrin do të vazhdojnë pa ndërprerje, për sa kohë që ajo do të jetë gjallë. Për një moment, ai i hedh një vështrim plot dhembshuri vajzës, pastaj vazhdon: Bashkëqytetarë, tek jemi mbledhur për të përkujtuar solemnisht ata që nuk janë më mes nesh, le te mendohemi për një moment për pragun e historisë, i shprehur në mënyrë aq elokuente në një monograf të famshëm nga njëri prej studiuesve tanë më të zotë, të cilin fati e rrëmbeu para kohe nga gjiri ynë. Një prag përmes të cilit shumë prej qytetarëve më të shquar të kombit kanë kaluar vetëm së afërmi. Shumë pak prej nesh e gjejnë këtë prag; sepse, për shumë prej nesh, është pragu i harresës së përjetshme ai që na gjen, një prag të cilit mundohemi t’i shmangemi, derisa, në dhimbje dhe frikë, vërvitemi përmes tij në natën e përjetshme dhe pa ëndrra. Përkundër, pragu i historisë na thërret, ne e kërkojmë atë, e flakim veten drejt tij pa u menduar, të joshur nga iluzioni tragjik i përjetësisë, edhe pse vetë ne nuk mund ta përjetojmë, por vetëm mund ta përfytyrojmë zbehtë atë, të joshur nga fantazia tunduese e kujtesës mashtruese… Ne e kapërcejmë pragun, vetëm për të zbuluar, tepër vonë, se është i njëjti prag drejt harresës së përjetshme që të gjithë të tjerët, pa e kërkuar, ndaj edhe më të mençur se ne, e kanë kapërcyer në anonimitet të plotë. Të dëshirosh diçka, vazhdon ai dhe vështrimi i tij melankolik pushon mbi vajzën e Kolonelit, do të thotë ta humbasësh atë. Fola për iluzionin tragjik të përjetësisë, por jo, miqtë e mi, ai është një iluzion komik. Një fabul absurde në kurthin e të cilës jemi të dënuar të biem të gjithë. Grekët e lashtë përdornin fjalën mythos për fabulën, duke i veshur rrjedhës rastësore të ekzistencës njerëzore një lloj qëllimi hyjnor të panjohur, por ndjellës, në përpjekje për t’i bashkangjitur njëfarë madhështie, iluzionin e domethënies. Por ne jemi karaktere të cilat nuk ekzistojnë, në një histori të krijuar nga askush dhe të frymëzuar nga hiçi. A mund të ketë diçka më mjerane? Ndaj nuk është aspak çudi që të gjithë po mbajmë zi.

 

Përktheu: Dhimitër Gjodede

SHPËRNDAJE