Kundër informalitetit: Kërbeçi pa kulaç

Në fushatën kundër informalitetit, ekspertët paralajmërojnë se në kohën e një ekonomie të dobët, efektet negative të masave kundër aktorëve ekonomikë nuk duhen injoruar

1

ANDI BALLA

Në Shqipëri, qeveria ka nisur një fushatë të madhe kundër informalitetit ekonomik, e cila është pasqyruar gjerësisht nga media. Autoritetet thonë se 600 grupe inspektorësh tatimorë, mbështetur nga forcat policore, po bëjnë inspektime në terren. Ato duan t’i japin fund informalitetit të përhapur, që, sipas zyrtarëve, përllogaritet në rreth 30% e PBB-së së vendit. Qeveria shqiptare thotë gjithashtu se ka për qëllim të mbledhë rreth 330 milionë dollarë nga fushata kombëtare në 300 ditët e para të saj.
Sipas qeverisë, inspektorët e terrenit po kontrollojnë nëse bizneset janë regjistruar pranë autoriteteve përkatëse dhe nëse përmbushin rregullat fiskale. Këto do të përfshijnë inspektime të tilla si: dhënia apo jo e kuponëve tatimorë klientëve, nëse punonjësit janë të regjistruar pranë autoriteteve tatimore dhe nëse mallrat e akcizës kanë të gjithë pullat e nevojshme.
Kryeministri Edi Rama u shpreh se lufta kundër informalitetit do të jetë fokusi i një viti të tërë qeverisës. Kjo fushatë do të harmonizojë operacionet e doganave dhe tatimeve, Inspektoriatin e Punës dhe Policinë e Shtetit si edhe prokurorët, konsumatorët dhe bizneset, u shpreh ai.
Në qëllimin e tij përfundimtar, ky është një operacion që synon uljen e taksave dhe rritjen e pagave — por mbi baza tepër të forta dhe pa shkelur stabilitetin makroekonomik dhe konsolidimin e ndërmarrë me vendosmëri në bashkëpunim me FMN-në dhe institucione të tjera financiare, shtoi kryeministri.
Por shumë ekspertë të ekonomisë mendojnë se, në kushtet e një ekonomie të dobët, kjo fushatë mund të prekë pikërisht treguesit makroekonomikë.

Megjithëse edhe kritikët më të ashpër të qeverisë nuk kanë folur kundër idesë së luftës ndaj informalitetit, metodat e propozuara dhe të përdorura nga autoritetet kanë shkaktuar shqetësime.
Në fakt, fushata ka kaq shumë efekte anësore negative mbi ekonominë, sa ngre dyshime serioze nëse përfitimet do të mund të eliminojnë humbjet, thonë dy ish-ministra financash nga të dy anët e spektrit politik – Ridvan Bode i PD-së dhe Arben Malaj i PS-së, ky i fundit larguar rishtazi nga partia dhe që njihet si kundërshtar politik i Z. Rama.
Cilat janë metodat në fjalë? Me rregullat aktuale, nëse bizneset kapen në shkelje të rregullave, kompanitë e regjistruara përballen me gjoba të forta në rastin e parë dhe konfiskim të mallit në një shkelje të dytë. Në rastin e bizneseve të paregjistruara, të gjithë mallrat konfiskohen në shkeljen e parë dhe çdo aktivitet i mëtejshëm biznesi ndalohet. Shumica ndryshoi rishtazi ligjet mbi tatimet, duke rritur gjobat me 10 deri në 50 herë më tepër se sa ishin më parë.
Qeveria po kërkon gjithashtu të bëjë ndryshime në kodin penal, që disa shkelje administrative në lidhje me taksat t’i bëjë shkelje penale dhe njerëzit përgjegjës do të arrestohen dhe të burgosen.
Efekti i menjëhershëm i këtyre masave të forta ishte se bizneset filluan të binden të frikësuar të ndiqnin me përpikëri çdo rregull tatimor. Ata insistonin që konsumatorët të marrin kupon edhe për produkte si fruta perime që në të shkuarën janë shitur pa faturë. Disa dyqane mbyllën dyert e tyre ndërkohë që merreshin me statusin e regjistrimit tatimor. Për ca kohë pati mungesa me disa lloje furnizimesh për shkak se autoritetet filluan të konfiskojnë kamionë me mall rrugëve të vendit dhe furnitorët e frikësuar ndaluan furnizimet.
Shumë shpejt dolën edhe historitë e berberëve të arrestuar apo botit të ujit të konfiskuar si pjesë e fushatës. Pati edhe nga ata biznesmenë të vegjël që protestuan kundër masave në tre qytete të vendit — Shkodër, Kavajë dhe Elbasan. Këta, shumica me veprimtari mbijetese vetëpunësimi, nga mediat pro-qeveritare u etiketuan me shpejtësi “si njerëz të PD-së”.
Mesazhi i qeverisë është i qartë — vetëm kërbaç dhe jo kulaç, pasi kjo funksionon me shqiptarët. Qeveria thotë se masat kanë sjellë rezultate paraprake pozitive. Një rekord prej 11,000 biznesesh, shumica dërrmuese e të cilëve më parë operonte në mënyrë informale, u regjistruan në 18 ditët e para të shtatorit krahasuar me 4,422 në gushtin e shkuar, kur qeveria deklaroi se do të niste një fushatë kombëtare kundër evazionit tatimor, sipas të dhënave të Ministrisë së Financave.
Radhë të gjata dhe përplasje janë raportuar në qendrat kombëtare dhe rajonale të regjistrimit pasi pronarët e bizneseve u vunë në radhë ose për të regjistruar biznesin e tyre për të shmangur gjobat, ose për të mbyllur zyrtarisht bizneset e tyre ekzistuese për të shmangur dënimet që ata prisnin si pjesë e masave të qeverisë.
Në afatin e mesëm, ekspertët paralajmërojnë se këto rezultate pozitive të fillimit do kenë kosto që nuk mund të parashikohen.
Për disa analistë, lufta kundër informalitetit është një operacion i ngjashëm me fushatën e energjisë elektrike për të zvogëluar vjedhjet masive dhe për të mbledhur faturat e papaguara të energjisë elektrike. Kjo fushatë, e drejtë ligjërisht dhe moralisht, solli rreth 120 milionë dollarë ekstra në arkën e shtetit në vitin 2014. Megjithatë, banka qendrore vuri në dukje se pagesa e detyruar, shpeshherë e menjëhershme e lekëve te kompania shtetërore e energjisë, çoi në uljen e konsumit të përgjithshëm familjar, duke dëmtuar kështu ekonominë në nivelin makro. Ideja është që paratë që shkojnë në sëndukët e buxhetit të shtetit, nuk bien nga qielli, ato tërhiqen nga ekonomia, duke e ngurtësuar atë.
Ka pasur gjithashtu shumë histori që të bëjnë të mendosh se fushata e energjisë ishte nxitëse për mijëra të shqiptarë të varfër që vendosën të iknin në emigrim, shpesh duke kërkuar azil në Evropën Perëndimore.
Kostot e kësaj fushate të fundit për të mbledhur taksat mund të jenë më të larta, veçanërisht nëse qeveria vë në shënjestër më të lehtit për t’u kapur — të vetëpunësuarit në biznese të mbijetesës — ata që janë më pak të aftë të përballojnë presionin e zbatimit të ligjit.
Sërish, duhet thënë se nuk bëhet fjalë për mbështetje të informalitetit, por për një zgjidhje logjike te çështjes. Problemi kryesor i qeverisë , sipas kritikëve, është koha që ajo ka zgjedhur për vendosjen dhe ashpërsimin e masave.
Qeveria është në krizë financiare dhe ka nevojë për para. Ajo nuk mund të zhytet më tepër në borxhe apo të rrisë taksat, ndaj, në mënyrë natyrale, do që t’i mbledhë paratë nga ata që nuk kanë paguar atë që detyrohen deri më sot.
Por ekonomia është tepër e brishtë për atë që qeveria do të bëjë, thonë ekspertët. Si rrjedhim, kjo fushatë, sipas Z. Bode, rrezikon të çojë në rritjen e papunësisë, uljen e fuqisë blerëse të banorëve dhe dëmtimin e ekonomisë.
Një muaj pas fillimit të fushatës, disa biznese të mesme, për shembull, kanë vendosur qe risku i gjobave dhe kostot e reja janë shumë të larta në kombinim me krizën e përgjithshme. Sipas njoftimeve zyrtare, më shumë se 500 punëtorë kanë humbur punën pas masave në Elbasan dhe Shkodër. Gjasat janë që shifrat të jenë shumë më të larta në të gjithë vendin po të merren parasysh edhe të vetëpunësuarit.
Disa përfaqësues të komunitetit të biznesit e kanë përshëndetur iniciativën e qeverisë për të luftuar informalitetin, por kanë shtuar gjithashtu se fushata kombëtare duhet të drejtohet pa krijuar panik dhe pa përdorimin e masave ekstreme.
“Komuniteti i biznesit duhet konsideruar partner dhe inspektimet kundër informalitetit duhen bërë pa dëmtuar partneritetin me bizneset e ndershme,” thotë Nikolin Jaka, kryetar i Dhomës së Tregtisë në Tiranë.
Realiteti ekonomik është se bizneset në Shqipëri janë dy llojesh – bizneset e vogla familjare me vetëpunësim dhe të tjerët që kanë prirjen të jenë më të mëdhenj dhe më të formalizuar. Në grupin e parë hyn një person që shet cigare në një cep rruge me karrocë, floktorja apo këpucari i lagjes dhe shitësi fshatar i perimeve – shumica e këtyre janë të paregjistruar te tatimet. Ata gjithashtu mezi shtyjnë muajin e nxjerrin një rrogë të vogël për veten e tyre. Nëse ndëshkohen me gjobat e reja, gjasat janë që ata do të detyrohen të mos punojnë, duke lënë kështu mijëra familje pa të ardhura.
Shumë biznese të vogla informale thonë se do të mbyllin aktivitetin e tyre duke pretenduar se nuk mund të përballojnë dot as blerjen e kasave fiskale. Por të tjerë po regjistrohen për të shmangur konfiskimin e mallrave dhe veglave që ata kanë.
Për këtë kategori, qeveria duhet të mendojë për një zgjidhje më humane, një “qasje më praktike”, siç shprehet ambasadori gjerman, Hellmutt Hoffman në një intervistë për gazetën Tirana Times, ku ai e mbështet gjerësisht reformën e qeverisë.
Bizneset më të mëdha, ku informaliteti është edhe më i kushtueshëm për shtetin, ose do të fillojnë të ndjekin rregullat nëse nuk e bëjnë këtë tashmë, ose do të mbyllen plotësisht.
Bizneset më të mëdha, në fakt, janë ata që fitojnë më shumë nga nxjerrja prej lojës e bizneseve familjare të mbijetesës, vërejnë ekspertët. Një dyqan lagje që mbyllet do e çojë blerësin te supermarketi i madh, për shembull, ku kuponi lëshohet gjithmonë po ku fitimi i vogël i çdo blerje i shkon pronarëve të pasur dhe jo fqinjit që me parë nxirrte bukën e gojës me dyqanin familjar te cepi i pallatit. Ai ose ajo do te jetë tashmë i papunë dhe pa para duke menduar se si mund të ikë nga Shqipëria. Një këpucar lagjeje, që i konfiskohet çekiçi dhe gozhda, se nuk ka kasë, jo vetëm që ngelet pa punë vetë, por e detyron një banor që të mos harxhojë 50 lekë për të rregulluar këpucën, por 1000 lekë për të blerë këpucë të reja — ose të rrijë me këpucë të prishura, duke ulur cilësinë e jetës.
Këto janë thjesht shembuj, por gjasat janë që të gjitha kostot e përmendura në këtë artikull do kenë efekte makroekonomike — më shumë papunësi, më pak para në duart e shqiptarëve. Këto mund ta shtyjnë Shqipërinë me ekonomi të brishtë në recension. Paratë, që po mbledh qeveria me ketë fushatë të re, si rrjedhim, mund të anulohen nga paratë e humbura për shkak të rënies së aktivitetit të përgjithshëm ekonomik dhe për shkak të uljes së popullsisë dhe numrit të bizneseve.
Qeveria mund të ketë qëllime të mira në këtë fushatë kundër informalitetit, por sot të gjithë elementët janë prezent që masat ndëshkuese mund t’i bëjnë ekonomisë shqiptare po aq keq sa edhe mirë. Në bazën e politikës është që ndryshimi të bëhet ngadalë, jo menjëherë. Qeveria ka të drejtë të kërkojë formalizimin e ekonomisë, por kjo gjë nuk bëhet në 300 ditë dhe vetëm me kërbaç ndaj një popullsie të varfër dhe të pamundur. Duhet edhe ndihmë për shtresat në nevojë të shoqërisë, si edhe një fazë më e gjatë për kalimin në formalitet të bizneseve të mbijetesës.

SHPËRNDAJE