E shkuara nuk mund të pengojë të ardhmen europiane

Nga fjalimi i Presidentit të Parlamentit Europian Martin Schulz, mbajtur në parlamentin e Shqipërisë, Korrik 2015.

1

MARTIN SCHULZ

Në Europë kemi lënë pas një vit, gjatë të cilit u zhvilluan shumë aktivitete përkujtimore. Të tilla ditë përkujtimore dhe çaste kujtese janë të rëndësishme, pasi na lejojnë që të ndalemi e të sjellim ndërmend se nga vijmë. Të sjellim ndërmend se si ngjarjet e së shkuarës vazhdojnë të ndikojnë mbi të tashmen tonë. Të kuptojmë se sa ngushtë jemi të lidhur ne evropianët me njëri-tjetrin gjatë historisë tonë dhe në këtë mënyrë, se sa të lidhur jemi sot e kësaj dite me njëri-tjetrin, se sa ngushtë varet e ardhmja jonë nga bashkëpunimi.
Përpara një shekulli, Lufta e Parë Botërore, jo larg prej këtu, filloi me atentatin e Sarajevës. Gjatë Luftës së Parë Botërore, zonja e zotërinj, në luftën e parë të industrializuar, epoka moderne shfaqi fytyrën e saj të shëmtuar. Le të kujtojmë se miliona e miliona burra të rinj, me besimin e tyre në vlera të tilla si nderi, fisnikëria, besnikëria dhe vdekja heroike në fushën e betejës, u nxitën drejt fushëbetejës, drejt teknologjive ushtarake të shekullit të 20-të, për të vdekur në një vrasje masive industriale.
Miliona njerëz i vuajtën pasojat e pushtimit dhe të luftës. Po ashtu edhe Shqipëria juaj, e cila kishte fituar pavarësinë vetëm pak kohë para se të niste Lufta e Parë Botërore. Lufta e Parë Botërore, prej nga zunë fill katastrofat e shekullit të 20-të, la pas një kontinent të shkretuar dhe të shkatërruar. Fuqitë ranë. Perandoritë u shkatërruan, kufijtë u rivendosën. Fara me një urrejtje të re, me një mllef të ri, u përhap anembanë kontinentit. Pas mbetën miliona të vrarë dhe një brez plot vraga lufte.
Por shkatërrimi që do të pasonte do të ishte më i madh. Fashizmi. Para treçerek shekulli, Gjermania naziste duke pushtuar Poloninë do të bëhej shkak për shpërthimin e Luftës së Dytë Botërore. Lufta e Dytë Botërore përshkoi Europën porsi një ortek zjarri. Shqipëria u pushtua sërish. Ndaj masakra e Vermahtit gjerman në Borovë përpara 72 vitesh, më 6 korrik 1943, ishte një akt ku ushtarët gjermanë në shenjë hakmarrjeje ndaj sulmeve partizane vranë barbarisht gratë dhe fëmijët. Ky akt do të na mbushë përgjithmonë me turp. Ne do ta mbajmë gjallë kujtimin e viktimave të kësaj masakre. Ashtu siç nuk do të harrojmë kurrë guximin dhe humanizmin e të gjithë shqiptarëve që i shpëtuan fqinjët e tyre hebrenj nga dëbimi.
Mijëra hebrenj në arrati, të dëbuar, gjetën strehim dhe mbrojte në vendin tuaj. Një popull i cili udhëhiqet nga parimi se është e vetëkuptueshme t’i hapësh portën e shtëpisë njerëzve që kërkojnë mbrojtje, madje edhe duke vënë në rrezik jetën e vet. Një parim që ju shqiptarët në vendin tuaj e quani “BESA”, një populli të tillë mund t’i shpreh vetëm respektin tim më të thellë. Në vitin 1944 vendi juaj u çlirua nga pushtuesi, por liria nuk erdhi në Shqipëri. Perdja e hekurt e ndante Europën arbitrarisht në Lindje dhe Perëndim. Edhe vendi prej nga vij unë, Gjermania, u nda në dysh. Familjet u ndanë brutalisht nga njëra-tjetra. Ndërsa në Perëndim po ndodhte diçka unike në histori, se fitimtarët nuk po e vinin edhe më përfund Gjermaninë, por kësaj shkaktareje të luftës, këtij armiku të përbetuar, ata po i zgjatnin dorën për pajtim, duke krijuar një bashkësi të paqes dhe demokracisë, të progresit dhe të solidaritetit.
Në Lindje, ndryshe nga Perëndimi, e drejta për vetëvendosje dhe liria do të mbeteshin të mohuara për disa dekada me radhë. Për një gjysmë shekulli populli shqiptar do të vuante nën diktaturën me të egër, i izoluar dhunshëm nga pjesa tjetër e botës, i ndarë arbitrarisht nga familja e vet evropiane. Derisa një çerek shekulli më parë, në një vit mrekullie, shkëndija e lirisë, ndriçoi Europën.
Le të kujtojmë se në Poloni fitoi Solidarnosti, në Hungari njerëzit arritën të fitojnë të drejtën për vetëvendosje, që nga Vilniusi, Riga e Talini miliona njerëz qëndruan dorë për dorë, krah për krah dhe duke kënduar fituan pavarësinë në një revolucion paqësor. Në Berlin njerëzit rrëzuan murin me thirrjen e tyre: “Populli jemi ne”. Edhe në Tiranë ishin të parët studentët që dolën në rrugë e pas tyre gjithnjë e më shumë njerëz që kërkonin liri.
Sot, na duket pothuajse e vetëkuptueshme që këto lëvizje për liri në Europë nuk mund të kishin veçse një fund të mirë, na duket e vetëkuptueshme që perdja e hekurt duhet të binte. Por ky është këndvështrimi ynë i sotëm. Në atë kohë nuk kishte asnjë garanci për këtë fund të mirë. Nuk kishte aspak garanci që pankartat, qirinjtë, lulet, këngët dhe lutjet do të triumfonin mbi tanket dhe pushkët, do të triumfonin mbi muret dhe kufijtë. Për këtë nuk kishte garanci. Demonstratat mund të ishin përgjakur me shumë lehtësi dhe të përfundonin në një tragjedi.
Sot nuk duhet ta harrojmë këtë fakt për të kuptuar guximin e jashtëzakonshëm të atyre njerëzve të viteve 1990-1991 për të kuptuar se mbi cilën frikë u ngritën ata, sepse donin të jetonin në një shoqëri të lirë e të drejtë, për të kuptuar dhe për të bërë të qartë për veten tonë se sa shumë u detyrohemi këtyre luftëtarëve të lirisë. Për të kuptuar se çfarë përgjegjësie na lind ne sot nga akti i tyre.
Mbajtja gjallë e kujtesës së historisë sonë të ngjarjeve të hidhura dhe të gëzuara ka një rëndësi të veçantë, sepse nuk mund të ketë pajtim pa kujtesë. Pajtim mund të ketë vetëm nëse vuajtjet e përjetuara dhe dhimbja e kaluar pranohen.
Nga historia jonë evropiane për mua lind një detyrim, që çdo ditë të veprojmë kundër kthimit e rikthimit të forcave që e kanë shkatërruar Europën, kundër urrejtjes, urrejtjes ndaj të huajve që të veprojmë së bashku kundër këtyre forcave në mënyrë që të zgjidhim çdo ditë konfliktet në mënyrë konstruktive, në tryezën e dialogut, që çdo ditë të luftojmë për lirinë dhe demokracinë, për paqen dhe mirëkuptimin, ndaj dua t’iu them se vendi juaj dhe Serbia po afrohen kohët e fundit dhe ky afrim përputhet plotësisht me ketë frymë europiane.
Mund të ndodhë që mes fqinjëve të ketë dallime në mendime dhe interesat e ndryshme janë pjesë e jetës, por e rëndësishme është se si zgjidhen ato. Ne në Europë, i zgjidhim ato me dialog dhe me konsensus.
Por cila do të ishte alternativa tjetër?!
Cila është alternativa pa konsensusin dhe dialogun? A duhet të jetë vallë alternativa që më i forti t’i imponojë më të dobëtit alternativën e vet? Pra, a duhet të jetë alternativa që konfliktet të mos zgjidhen me dialog, por me dhunë? Jo. Kjo nuk është alternativa. Nëse mendojmë për luftërat e së shkuarës, si konflikte të zgjidhura me forcë ushtarake dhe miliona njerëz kanë paguar me jetën e tyre, atëherë duhet t’i marrim me gëzim bisedimet që mund të zgjasin me net të tëra.
Ndaj afrimi i kohëve ndërmjet Shqipërisë dhe Serbisë, tregon se pavarësisht dallimeve në mendime, mund të krijohet edhe një atmosferë miqësore, madje ju i keni intensifikuar kontaktet. Fakti që Shqipëria dhe Serbia duan ta shndërrojnë bashkëpunim mes tyre në motorin e bashkëpunimit rajonal, është një sinjal shpresëdhënës.
Unë vetë jam rritur në një zonë kufitare. Sot e kësaj dite jetoj në kufirin e Gjermanisë me Holandën dhe Belgjikën dhe në jetën time kam mësuar diçka, që mënyra më e mirë për kufijtë është t’i hapësh ato për të zbehur vijat kufitare dhe për të zgjidhur çështjet e minoriteteve nëpërmjet hapjes së kufijve. Ndaj mund të them se angazhimi juaj për bashkëpunimin rajonal është shembullor dhe dua t’iu inkurajoj për të vazhduar më tej në rrugën e nisur dhe mos lejoni që të na ndajnë dhe të na nxisin kundër njëri-tjetrit. Duhet të qëndrojmë së bashku.
Duhet që bashkërisht të çlirohemi nga varësitë. Madje edhe për sa i përket çështjes së furnizimit me energji dhe sigurisë së furnizimit me energji. Ne në Europë duhet të bashkëpunojmë ngushtë me njëri-tjetrin në këtë drejtim për të pakësuar varësinë prej të tjerëve, prej atyre vendeve që e përdorin çështjen e energjisë si presion politik. Bashkimi Evropian dhe Shqipëria kanë një përputhje të plotë për sa iu përket objektivave përkatëse në këtë drejtim, ndaj ju falënderoj për këtë gjë. Dhe do të kërkoja që të vazhdojmë të bashkojmë forcat për të punuar së bashku.
Parlamenti Evropian angazhohet për perspektivën europiane të Ballkanit Perëndimor. Ne dëshirojmë që ky rajon të ecë drejt një të ardhmeje paqësore, të qëndrueshme, demokratike dhe në prosperitet.
Një çerek shekulli pas fillimit të Luftës së Parë Botore dhe 75 vjet pas fillimit të Luftës së Dytë Botërore 28 vende kanë shprehur vullnetin e tyre për t’i përballuar së bashku sfidat, sepse ne ndajmë me njëri- tjetrin të njëjtat vlera dhe sepse së bashku, të bashkuar jemi më të fortë. Një çerek shekulli pas rënies së perdes së hekurt, sot disa vende të Europës Lindore dhe Qendrore, janë anëtare me të drejta të plota, madje në role dhe në funksione drejtuese në Bashkimin Evropian.
Këto vende kanë zbatuar reforma mbresëlënëse, kanë ristrukturuar pothuajse plotësisht sistemet ekonomike dhe modelet shoqërore. Këto procese kanë kërkuar sakrifica të mëdha nga qytetarët e këtyre vendeve. Këto procese nuk kanë qenë dhe nuk janë të lehta, por Bashkimi Evropian e mban premtimin e dhënë ndaj të gjithë atyre që përshkojnë me guxim rrugën e reformave. Parlamenti Europian i mbështet të gjithë ata që ndjekin rrugën e demokracisë dhe të shtetit të së drejtës. Parlamenti Evropian i mbështet të gjithë ata që e kuptojnë pajtimin si çelës drejt sigurisë dhe është pro bashkëpunimit në Ballkanin Perëndimor.
Ne deputetët e Parlamentit Evropian qëndrojmë përkrah të gjithë atyre qytetarëve në Shqipëri që duan të krijojnë një të ardhme paqësore e të përbashkët, që angazhohen për zbatimin e reformave dhe që iu zgjasin fqinjëve dorën për pajtim, për të jetuar së bashku me një respekt të ndërsjellë dhe në paqe.

SHPËRNDAJE