Gjermania, kriza e migrimit dhe shqetësime të reja për imazhin e Shqipërisë

Intervistë e Ambasadorit të R. F. Gjermane në Shqipëri, Shkëlqesinë e tij, Z. Hellmut Hoffman me Kryeredaktorin e Tirana Times, z. Andi Balla*

0

Të aplikosh për azil është mënyra e gabuar për të kërkuar punësim në Gjermani, thotë Ambasadori Hellmut Hoffman në një intervistë ekskluzive në Tirana Times. Për ta bërë më të lehtë aplikimin e ligjshëm, Berlini po harton një plan që do të hapë tregun e punës për Ballkanin Perëndimor. Ambasadori Hoffman foli gjatë rreth çështjeve të emigrimit si edhe rreth temave të tjera si reformat e qeverisë, ku bëri thirrje për një qasje gjykimi të përbashkët për forcimin dhe dekriminalizimin e politikës, për të cilin u shpreh: “sulmojeni këtë kancer në mënyrë sa më të suksesshme’’.

Z. Ambassador, ju falënderojmë që u bëtë pjesë e pyetjeve dhe përgjigjeve në Tirana Times. Gjermania ka qenë mjaft e pranishme në lajme kohët e fundit, lidhur kryesisht me krizën e emigracionit dhe refugjatëve. Duke qenë se kjo temë lidhet edhe me Shqipërinë do të doja të fillonim me të. Autoritetet gjermane e kanë bërë të qartë se pothuajse të gjithë azilkërkuesit nga Shqipëria do të procedohen shpejt dhe do të kthehen në vendin e tyre të origjinës. Cilat janë planet e menjëhershme mbi kthimin e rreth 30,000 shqiptarëve që kanë aplikuar për azil në Gjermani gjatë këtij viti?

Kam kënaqësinë të kem mundësinë të flas për këtë pasi është një çështje tepër e rëndësishme për momentin. Besoj se i ndiqni lajmet rreth asaj që po ndodh gjatë javëve të fundit në Gjermani, Austri, Hungari, Serbi, Maqedoni. Veçanërisht në Gjermani, ku tani kemi pasur dhjetëra mijëra refugjatë të ardhur nga Siria dhe vende të tjera. Kemi bërë mjaft në lidhje me asistencën humanitare, por është plotësisht e qartë se mund të vazhdojmë ta bëjmë këtë vetëm nëse arrijmë të kthejmë emigrantët ekonomikë në vendet e tyre dhe këtë po përpiqemi ta bëjmë me Shqipërinë. Po kthejmë njerëz pothuajse çdo ditë me avionë. Nuk ka ndonjë plan të madh. Nuk mund t’iu them se kur do të kthehen këta 30 000, por ne po i kthejmë mbrapsht rregullisht tashmë – thjesht për t’i treguar gjithkujt se e kemi me të vërtetë kur themi se nuk do të ketë azil ekonomik dhe mund t’u lutem vërtet njerëzve të heqin dorë nga kjo ide – për të kërkuar azil ekonomik – kështu nuk funksionon.

Opozita shqiptare e ka akuzuar qeverinë se po i detyron njerëzit të emigrojnë përmes reformave të ashpra që i kanë goditur fort më të varfrit. Faktori shtytës është varfëria dhe mungesa e shpresës në vend, thotë opozita, duke fajësuar qeverinë për menaxhim të keq. A është qeveria shqiptare pjesërisht fajtore për valën e emigrantëve shqiptarë që kërkojnë një jetë të re në Gjermani këtë vit?

Shiko, unë nuk do t’i futem fare kësaj mosmarrëveshjeje të brendshme. Nuk është puna ime. Gjithashtu duhet thënë se çështja e valës së emigrimit është tepër e komplikuar. Ka të ashtuquajtur faktorë tërheqës, por dhe ka edhe faktorë shtytës. Ajo që mund të them për situatën në Shqipëri është kjo: Unë mendoj se kjo është një çështje që i përket të gjithë shoqërisë, të gjithë klasës politike shqiptare që t’i bëjnë vetes këtë pyetje themelore: Çfarë po ndodh në këtë vend që kaq shumë njerëz janë të gatshëm të largohen? Vërtet nuk dua ta kthej këtë në një ndeshje partish politike, se drejtimi i gishtit nuk është aspak diçka e mirë. Ky është një fenomen i gjatë në kohë – emigrimi – dhe nuk është vetëm një çështje që prek Shqipërinë – prek të gjithë rajonin, Ballkanin Perëndimor, pasi kemi pasur shumë njerëz që kanë kërkuar azil.
Dhe së fundi, rreth reformave që përmendët: Sigurisht, jam mjaft i qartë që mund të ketë një lloj lidhjeje. Njerëzit që duhet të paguajnë faturat e energjisë mund të kenë ardhur në përfundimin se ndoshta largimi drejt Gjermanisë është një variant. Por duhet të them se kam qenë pro reformave të tilla dhe do të vijoj të jem në favor, sepse mendoj se ka ardhur koha që Shqipëria të rregullojë vendin e saj dhe njerëzit duhet të paguajnë. Gjithsesi e shoh të vështirë të kuptoj pse situata është toleruar për kaq shumë vite, ku edhe njerëz që nuk janë aspak të varfër, që kishin biznese, ja hidhnin pa paguar faturat e energjisë elektrike dhe mund ta imagjinoni se sa shumë dyshime lidhen me këtë gjë. Ndaj, po, mendoj se politika të tilla duhen ndjekur, por mendoj dhe shpresoj – duke parë skenën këtu – që njerëzit do ta bënin me një ndjenjë të mirë gjykimi.
Edhe për rastin aktual të luftës kundër informalitetit mendoj se është ide e mirë në vetvete, por shpresoj që kasa fiskale të mos i kërkohet një fermeri që shet 1 kg domate në cep të rrugës.

Nga të dhënat që po marrim deri tani del se po kontrollohen disa nga këto biznese të vogla dhe si rezultat i kësaj, ekziston frika e rritjes së papunësisë.

Nuk kam informacione të detajuara për këtë gjë. Këshilla ime e vetme është që kjo të bëhet me një farë ndjenje të arsyeshme. Por mendoj dhe ndoshta duam të flasim për Evropën në këtë bisedë, Shqipëria dëshiron të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian dhe në një pikë të caktuar nuk mund të kesh një anëtar që i ngjan pak një vendi të botës së tretë me një sektor tejet të madh informal, ndaj në një moment do të duhet që kjo çështje të trajtohet dhe mendoj që sa më shpejt aq më mirë, por këshilla ime modeste do të ishte që duhet ta bëni me një arsyetim të shëndoshë.

Më tej në intervistë do të kalojmë te pyetjet mbi integrimin në BE, por kam një pyetje tjetër sa i përket çështjes së emigrimit. Shqiptarët janë vetëm pjesërisht pjesë e kësaj vale të madhe emigrantësh me të cilën po përballen Gjermania dhe BE-ja. Këta janë azilkërkues nga vendet e shkatërruara prej luftës dhe të tjerë që po kërkojnë mundësi më të mira ekonomike. Këtë javë u rivendosën kontrolle kufitare. A po e dëmton lëvizjen e lirë kjo krizë në Evropë dhe meqë Shqipëria është e ngatërruar me këtë gjë, a ka rrezik që të ketë kufizime udhëtimi për Shqipërinë?
Si fillim, për të ritheksuar atë që është e dukshme, kur paraqet kontrollet kufitare, kjo ka një ndikim negativ te lëvizja e lirë në zonën e Shengenit, për të cilën po flasim dhe kjo sigurisht është për të ardhur keq, por në këto kushte mendoj se ishte absolutisht e nevojshme që kjo të bëhej. Por më duhet të them, sepse lexova një artikull sot sipas të cilit: ‘’Gjermania braktis Marrëveshjen e Shengenit’’ – gjë që është absolutisht e pavërtetë. Në Marrëveshjen e Shengenit ka një dispozitë të qartë, sipas së cilës, në rrethana të caktuara, mund të rivendosësh kontrollin kufitar dhe kjo është ajo që ne po bëjmë.
Dhe meqë ra fjala ne nuk po e bëjmë këtë për çdo gjë, është më tepër kontroll i rastësishëm në mënyrë që të risjellim rregull në lëvizjet hyrëse. Sepse si rezultat i këtyre zhvillimeve kryesisht kaotike, ky lloj rregulli ka humbur. Ndaj, është një masë e parakohshme që është e nevojshme në këto rrethana dhe për sa i përket shqiptarëve ata nuk preken më tepër se të tjerët.
Dhe për të shtuar këtë, kërkojmë mirëkuptim që njerëzit do të duhet të presin më gjatë në pikat kufitare, por për fat të keq është e pashmangshme.

Ka pasur raporte se po përgatitet një plan që ua bën më të lehtë njerëzve të kualifikuar nga Ballkani Perëndimor të punojnë ligjërisht në Gjermani. Këta do të ishin njerëz që aplikojnë për leje pune në ambasadë. A është ky një program i ri, që e bën punësimin më të lehtë apo thjesht më tepër informim mbi mundësitë ekzistuese të punës?

Në fakt, figurat udhëheqëse të koalicionit qeverisës, nën udhëheqjen e vetë kancelares, u takuan disa ditë më parë dhe vendosën disa pika bazë të politikës sonë në lidhje me krizën e azilit dhe emigrimit dhe një prej tyre është pikërisht hapja e tregut gjerman të punës – në mënyrë të matur – për shtetet e Ballkanit Perëndimor – e theksoj – vetëm për shtetet e Ballkanit Perëndimor – si vende kandidate të BE-së.
Detajet duhet ende të përpunohen, por është e vërtetë që duam ta bëjmë këtë në mënyrë që të lehtësojmë situatën me azilkërkuesit, sepse ka një keqkuptim thelbësor këtu në Shqipëri dhe në vende të tjera të Ballkanit Perëndimor, ku njerëzit që duan të punojnë në Gjermani mendojnë se mënyra për ta bërë këtë është duke kërkuar azil dhe kjo është absolutisht e gabuar. Mund të them vetëm se: Nëse do të punosh – mos kërko azil.

Ajo që mund të bëhet sot dhe ajo që është bërë e mundur prej kohësh, është që njerëzit me aftësi speciale dhe me kualifikime të njohura – mund të udhëtojnë në Gjermani duke përdorur regjimin e liberalizimit të vizave dhe nëse gjejnë një punëdhënës gjerman, i cili i ofron një kontratë pune dhe nëse kualifikimet e tyre njihen nga autoritetet gjermane – dhe duhet të pyesin punëdhënësin të ndihmojë – atëherë mund të kthehen në Tiranë te Ambasada Gjermane dhe të aplikojnë për një vizë afatgjatë për të punuar në Gjermani. Kjo është mënyra për ta bërë. Dhe debati tani do të jetë nëse do të ulim, le të themi kërkesat për kualifikim, në mënyrë që të kenë mundësi të aplikojnë edhe ata me më pak kualifikim.

Dua të rikthehem te çështja e integrimit në BE. Media shqiptare ka raportuar se kryeministri Rama, në një konferencë për shtyp – gjatë vizitës së tij në Gjermani këtë javë – tha se gazetarët duhet të pyesin Kancelaren Merkel se kur do të anëtarësohet Shqipëria në BE – dhe jo atë, jo kryeministrin. A është kjo një nga deklaratat e radhës që e zhvendos fajin te Gjermania dhe BE-ja për progresin e ngadaltë të Shqipërisë në rrugën e anëtarësimit. A ka të drejtë Z. Rama?

Më lejoni të them po dhe jo. Po, në kuptimin që janë shtetet anëtare ato që vendosin se kush do të anëtarësohet. Është pak a shumë si një klub tenisi. Janë anëtarët e klubit të tenisit dhe jo kërkuesit që vendosin kush mund të anëtarësohet. Ajo që nuk është e vërtetë sigurisht është se Shqipëria nuk duhet të pyesë vetëm kancelaren, por duhet të pyeten edhe 27 krerët e tjerë të qeverive. Dhe këtë e them me të vërtetë. Është një vendim që merret bashkërisht nga të gjithë anëtarët e BE-së dhe qeveritë e tyre.
Dhe lidhur me këtë më duhet të them që shpesh kam parë një keqkuptim thelbësor në Shqipëri lidhur me rolin e Komisionit, sepse Komisioni bën rekomandime. Ata rekomanduan për shembull që t’i jepej statusi kandidat Shqipërisë dhe më pas nuk pati një vendim pozitiv nga ana e qeverive. Komisioni thjesht rekomandon – qeveritë vendosin.
Në përgjithësi do të thosha se nëse një vend pranohet ose jo kjo nuk është çështje e tekave të qeverive. Ka standarde të caktuara që janë përcaktuar dhe vendet duhet të sigurohen që e kanë arritur progresin që kërkohet për t’u anëtarësuar dhe sigurisht e di që ndonjëherë ka interpretime të ndryshme nëse këto standarde janë arritur ose jo. Njerëzit mund të kenë pikëpamje të ndryshme mbi ketë, por mund të them se nuk duhet të kemi qasjen e plotësimit të listave, sepse njerëzit në Gjermani le të themi kanë një ide të qartë se çfarë do të thotë në lidhje me substancën që disa standarde të jenë arritur. Dhe ky është debat i vërtetë – në çfarë mase i ka bërë detyrat e shtëpisë Shqipëria dhe jam i sigurt se Gjermania, ashtu si qeveritë e vendeve të tjera të BE-së, do t’i hedhë një sy kësaj kur të jetë koha e duhur.

Një sërë lajmesh ka pasur edhe për një çështje tjetër të nxehtë, lidhur me njerëz me të kaluar të dyshimtë që mbajnë poste publike në Shqipëri. A i dëmton marrëdhëniet me Gjermaninë dhe BE-në fakti që në Shqipëri ka zyrtarë me lidhje kriminale të dyshuara apo të provuara?

Shiko, është pak a shumë si të kesh 27 banorë që jetojnë në një shtëpi dhe dikush aplikon për t’u bërë banori i 28. Dhe sigurisht këta 27 banorë e shikojnë këtë aplikim dhe sa herë që një banor i tillë sjell me vete një sërë problemesh, kjo sigurisht nuk ndihmon – si fillim.
Mbi vetë substancën, të gjithë e dinë se Shqipëria ka një problem reputacioni për shumë arsye dhe kjo ka vite që ndodh dhe jam shumë i kënaqur që shoh se këto perceptime po ndryshojnë për mirë tashmë. Por kjo çështje e një lidhjeje ndërmjet atyre që ju i quani karaktere të dyshimtë në politikë nuk po i bën aspak mirë reputacionit të Shqipërisë. Dhe me të vërtetë do të thosha se nëse doni të bëheni banori i njëzetë e ca sa më shpejt nuk është ide e keqe – do të përdor një term të fortë tani – të sulmohet ky kancer në mënyrë sa më efikase dhe sa më shpejt që të jetë e mundur.

SHPËRNDAJE