ALBERT RAKIPI
Ashtu sikundër moti në këtë fillim vjeshte edhe politika po bëhet çdo ditë e më shumë e paqartë, e pakuptueshme e paparashikueshme dhe ordinere. Vetëm astrologu i parë, një nga ata personazhet periferike, por në të njëjtën kohë unikë të Kadaresë mund të kishte dhënë një shpjegim të besueshëm për lidhjen midis motit dhe politikës. Por përtej lidhjes astrologjike të motit dhe politikës ajo që është duke ndodhur në politikë në këtë fillim vjeshte nuk është diçka e re dhe e panjohur, por thjesht një déjà vu. Po përse na duket se ato që po ndodhin i kemi parë, përjetuar në një kohë tjetër të largët dhe të afërt, por pothuajse njëlloj në mënyrën që po ndodhin tani. A është kjo déjà vu fatale që na mban te e kaluara
Korrupsion, paranojë dhe konspiracion
Kryetari i Komisionit Parlamentar për Sigurinë Kombëtare ka dhënë alarmin për një komplot që synon destabilizimin e vendit. Kryetari i këtij komisioni që supozohet sigurisht të ketë të gjitha informacionet e duhura dhe të klasifikuara ka vënë në dijeni për komplotin dhe qëllimet e këtij komploti të gjitha institucionet kushtetuese të vendit, përfshirë edhe kryetarin e shtetit. Alarmi për komplot shoqëron debatet e nxehta për të ashtuquajturën aferë të CEZ-it, ndoshta një nga rastet e bujshme të korrupsionit në Shqipëri, që mund të ketë implikime serioze për të gjithë skenën politike aktuale.
Një raport paraprak që kishte hetuar rreth aferës së CEZ-it linte të kuptohej se një ish-kryeministër është i përfshirë në korrupsion në këtë çështje. Media në fillim, por edhe opozita, e identifikuan këtë ish-kryeministër, të raportuar nga BIRN, me kryetarin aktual të parlamentit, i cili i hodhi poshtë këto aludime. Opozita kërkon dorëheqjen e kryetarit të parlamentit në mënyrë që të zbardhet afera, sipas saj e korrupsionit dhe pikërisht në këtë kontekst kryetari i Komisionit Parlamentar për Sigurinë Kombëtare denoncon publikisht një komplot që synon destabilizimin e Shqipërisë përmes një skenari që do të inkriminonte Kryetarin e Parlamentit.
Por ndonëse qeveria dhe opozita bien dakord për të hetuar çështjen CEZ, ky hetim duhet të jetë një hetim ndërkombëtar ( Kryetari i Parlamentit madje kërkoi që hetimi të bëhet nga qeveria amerikane). Nuk duket të jetë vetëm shkalla e ulët e mosbesimit midis palëve dhe institucionet përkatëse, që e shtyjnë të paktën Kryetarin e Parlamentit dhe udhëheqësit e opozitës drejt idesë për të kërkuar hetim ndërkombëtar njëzet e pesë vjet pas rënies së komunizmit, për një çështje që është tërësisht shqiptare. Pyetja nëse vërtet politikanët dhe institucionet shqiptare duan ta hetojnë çështjen CEZ, ende nuk ka marrë një përgjigje të qartë. Kërkesa për një hetim ndërkombëtar mund të jetë e parealizueshme dhe kështu hetimi i çështjes nuk do të jetë i mundur. A e duan vërtet udhëheqësit politikë në Shqipëri hetimin dhe zbardhjen e aferës së CEZ-it?
Do të kishte qenë krejt normale që hetimi i plotë i aferës së CEZ-it të kishte implikime potenciale për individë të rëndësishëm, përfshirë politikanë të lartë dhe për rrjedhojë, edhe për të gjithë politikën. Por ajo që po shohim të ndodhë është krejtësisht absurde.
Më shumë se sa substanca dhe afera CEZ, ende e pa hetuar, janë leximet dhe interpretimet paranojake dhe konspirative të kësaj çështjeje, që mund të kenë implikime serioze në skenën e sotme politike. Kryetari i Komisionit të Sigurisë në parlament vë alarmin për një komplot për të destabilizuar Shqipërinë. Në të njëjtën kohë ose ndoshta si pjesë e të njëjtit komplot, drejtues të rëndësishëm të LSI-së, përfshirë edhe analistët lokalë, e shikojnë hapjen e çështjes CEZ si një super komplot të PS-së dhe PD-së për të neutralizuar dhe nxjerrë jashtë loje LSI-në. Ky komplot, me këtë konspiracion të madh, sigurisht nuk është aq shumë i ngjashëm me grupet antiparti përmes të cilave shpikëshin dhe likuidoheshin kundërshtarë dhe tradhtarë në të shkuarën tonë jo aq të largët, që jo vetëm përgjon, por edhe influencon të tashmen dhe të ardhmen.
Parlamenti – Back to the future
Një prej ligjvënësve të shumicës parlamentare, i dënuar për përfshirje në veprimtari kriminale, më në fund ka dorëzuar mandatin duke lënë një vend bosh në parlament. Një tjetër anëtar i parlamentit gjendet i arrestuar, i akuzuar për vrasje. Po kështu një deputet tjetër përsëri nga shumica parlamentare është arrestuar pas një konflikti të armatosur, ku mbetën të plagosur shtatë persona dhe ku të paktën dy prej të plagosurve janë qëlluar nga deputeti me një armë zjarri që e mbante pa lejë. Një tjetër deputet është kallëzuar në organet e zbatimit të ligjit për fshehje të pasurisë. Këto fakte janë krejtësisht të mjaftueshme për të provuar se në Parlamentin e Shqipërisë kanë mundur të hyjnë individë me rekorde kriminale. Kur në dhjetor të vitit të kaluar, Partia Demokratike nisi atë që më vonë u quajt procesi i dekriminalizimit të parlamentit, gjithçka dukej e pabesueshme. Tani kjo është e pranuar nga të gjitha palët politike dhe përveç projektligjit të përgatitur nga opozita për të ndaluar hyrjen e të inkriminuarve në parlament, qeveria ka përgatitur një projekt të vetin. Me të njëjtin synim : mbrojtjen e parlamentit nga kriminelë dhe shkelës të ligjit. Aktualisht qeveria dhe opozita janë në kërkim të konsensusit, një gjë e rrallë për të mos thënë e pamundur, për të pasur një projektligj të përbashkët, por palët janë të përfshira si gjithmonë në konflikt .
Por Parlamenti i Shqipërisë, njëzet e pesë vjet pas rënies së regjimit komunist, nuk është i “sëmurë” vetëm nga fakti që individë me rekorde kriminale kanë arritur në mënyrë të pabesueshme të përfaqësojnë sovranin.
Në parlamentin e sotëm të Shqipërisë nuk mungojnë edhe “ të fortët, e shkuara e të cilëve mund të jetë problematike në raport me ligjin, por edhe shumë emra anonimë, pa asnjë influencë, pas asnjë lloj legjitimiteti, por shumë të pasur: Këta janë biznesmenë dhe oligarkë të postkomunizmit shqiptar. Dhe të mos harrojmë edhe shpurën e injorantëve që gjithashtu nuk mungon. Çfarë ka ndodhur me politikën shqiptare që kemi mbërritur deri këtu? Në fillim opozita, por tani edhe qeveria, po kërkojnë një ligj që do të ndalonte hyrjen e të inkriminuarve në parlament. Duket sikur udhëheqësit politikë shqiptarë po kërkojnë të mbrojnë parlamentin nga një gjë që është jashtë vullnetit të tyre, por, për fat të keq, mungon reflektimi për një pyetje thelbësore: përse ka degjeneruar kështu parlamenti? Kush i ka sjellë dhe përse i ka sjellë të fortët, biznesmenët dhe sidomos individët me të shkuar kriminale?
Tani po mbushen 25 vjet nga Parlamenti pluralist i Shqipërisë. Më 1991, në zgjedhjet e para, ku regjimi komunist lejoi konkurrimin e një partie kundërshtare, pra, të opozitës, shpresa se kjo opozitë dot të arrinte të mposhte me vota Partinë Komuniste, që kishte dominuar gati gjysmë shekulli, midis të tjerash mbështetej edhe te legjitimiteti, popullariteti, respekti dhe vlerat që gëzonin kandidatët e opozitës në sytë e qytetarëve. Duket se tani për të mundur kundërshtarët politikë nuk është e domosdoshme as legjitimiteti, as respekti, as vlerat, as idetë, as dituritë, as principet e kandidatëve, por paratë e shumta, sidomos ato të ardhura në rrugë të pandershme deri kriminale. Për të mundur kundërshtarët politikë sot duhen oligarkë dhe biznesmenë deri edhe banditë dhe kriminelë.? Çfarë tjetër mund të jetë rruga për ta ndryshuar këtë, nëse jo rikthimi te e shkuara, te vlerat, principet, dituritë , idetë, siç ishte përpjekja e parë për të ndërtuar parlamentin më 1991.
Dokumenti i OSBE-së: Një “sekret publik” shkon ne publik
Publikimi në mënyrë të paautorizuar i një raporti për përdorim të brendshëm i Prezencës së OSBE-së inkurajoi fillimisht një debat rreth përmbajtjes së këtij dokumenti. Raporti i famshëm, në fakt një përmbledhje aspak profesionale e akuzave dhe thashethemeve që qarkullojnë në publik prej kohësh, i vizatonte pothuajse të gjithë udhëheqësit dhe shtetarët kryesorë si të korruptuar, përfshirë kryeministrin Rama, ish-kryeministrin Berisha dhe kryetarin aktual të parlamentit, po kështu edhe një numër anëtarësh të parlamentit .
Shumë nga “faktet” dhe “akuzat” për përfshirje në korrupsion dhe deri në veprimtari kriminale dhe lidhje me organizata mafioze, deri me mafien ndërkombëtare nuk ishin të reja për publikun shqiptar. Këto “ fakte” janë bërë publike kohë pas kohe nga gazeta apo mediat online, në fakt, gazeta apo portale online shumë periferike, besueshmëria e të cilave është krejtësisht e diskutueshme. Jo në pak raste “ faktet” e përfshirjes në korrupsion “ apo “veprimtari kriminale,” të referuara nga dokumenti i OSBE-së fillimisht kanë qenë akuza të bëra publike nga politikanë shqiptarë ndaj njëri tjetrit, të pahetuara dhe të paverifikuara nga organet e zbatimit të ligjit.
Por raporti i OSBE-së, nëse e quajmë kështu dokumentin për përdorim të brendshëm të bërë publik, përmbante edhe “fakte” të cilat po provohen dita ditës si të vërteta: si prezenca në parlament e biznesmenëve, njerëzve të fortë dhe ajo që është më e pabesueshmja : me rekorde kriminale.
“ Akuzat” e bëra publike për pothuaj të gjithë elitën politike në Shqipëri janë jo vetëm të paverifikuara dhe të pahetuara, por madje në raportin e famshëm nuk ka as referenca për burimet se nga janë marrë këto akuza. Megjithëkëtë ky dokument, nëse nuk e pohon, të paktën nxit debatin për një fenomen gjithmonë e më të pranishëm në Shqipëri: kapjen e partive dhe përmes kapjes së partive kapjen e shtetit nga individë/oligarkë/klane , të pasur dhe shumë të pasur, përfshirë edhe individë me rekorde kriminale. Këmbëngulja e Ambasadorit Amerikan në Tiranë për të larguar nga parlamenti individë me të shkuar kriminale dhe sigurisht kërkesa e Ambasadorit Amerikan në OSBE që Shqipëria të shmangë ndikimin kriminal në qeverisje është një konfirmim për shkallën e lartë të ndikimit të këtyre individëve, pra, të kapjes së shtetit përmes kapjes së partive.
Nga ana tjetër, publikimi i një raporti të përgatitur nga një organizatë serioze si OSBE, i një raporti që i baltos të gjithë, në një kohë kur ishin bërë hapa seriozë dhe konkretë në procesin e dekriminalizimit, nuk është e pamundur që të dobësojë vrullin që ishte krijuar në Shqipëri. Çfarë kuptimi ka dekriminalizimi në një vend ku pothuajse gjithë udhëheqja është e akuzuar për përfshirje në veprimtari të paligjshme deri kriminale dhe mafioze.?!
Shpaga qeverisë
Reagimi i menjëhershëm i politikanëve të përmendur në raport ishte i pritshëm. Një numër deputetësh “ të akuzuar’ kërkuan që OSBE të kërkojë ndjesë, madje disa syresh dhe jo pa influencë në shumicën e sotme, e sulmuan organizatën duke kërkuar largimin e saj nga Shqipëria.
Megjithëse raporti i OSBE-së ishte thjesht një dokument i brendshëm, mbeten pikëpyetje serioze rreth cilësisë së këtij dokumenti, shkallës së ulët të profesionalizmit të atyre që e kanë përgatitur, përfshirë edhe pikëpyetje serioze rreth qëllimeve dhe dobisë së këtij dokumenti.
Duke përjashtuar reagimet e disa deputetëve të shumicës parlamentare, në fakt , qeveria mbajti një profil të ulët dhe pothuajse heshti rreth raportit të OSBE-së, në të cilën drejtues të lartë të shumicës, përfshirë edhe kryeministrin, kryetarin e parlamentit dhe mjaft ligjvënës, përshkruheshin si të përfshirë në afera të mëdha korrupsioni deri edhe në veprimtari mafioze.
Mirëpo vetëm dy tre ditë pas publikimit të këtij raporti Ministria e Punëve të Jashtme, përmes një qarkoreje që arriti të dilte në publik, u kërkonte të gjitha ministrive të rishikonin programet dhe projektet që kanë me OSBE-në me mundësinë e reduktimit të tyre ose zëvendësimin e OSBE-së me donatorë të tjerë.
Letra e Ministrisë së Punëve të Jashtme, e hartuar me një gjuhë të vjetër që të kujton Shqipërinë politike të Luftës së Ftohtë, paralajmëron “ domosdoshmërinë e rishikimit të mandatit të misionit të OSBE-së në Shqipëri sepse “Zhvillimet pozitive të demokracisë shqiptare, rritja e rolit dhe profilit të Shqipërisë në rajon dhe më gjerë, anëtarësimi në NATO dhe marrja e statusit të vendit kandidat në BE, kanë sjellë një ndryshim rrënjësor në marrëdhëniet tona me OSBE-në.
Sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme “Shqipëria nuk është vetëm konsumatore e ekspertizës së OSBE-së, por kontribuon në mënyrë të qenësishme në ruajtjen dhe promovimin e rolit të Organizatës në arkitekturën e sigurisë në Evropë. Parë në këtë këndvështrim, zhvillimet në Shqipëri do të justifikonin ndryshimin e mandatit të pranisë së OSBE-së në vendin tonë dhe tkurrjen e saj në disa fusha parësore.”
A po kërkon qeveria largimin e misionit të OSBE-së nga Shqipëria?
Publikimi përsëri “i paautorizuar” i një qarkoreje të Ministrisë së Punëve të Jashtme tregon qartë se menjëherë pas botimit të raportit të famshëm qeveria të paktën po përgatit me nxitim rishikimin e mandatit të misionit të organizatës në Shqipëri. A është kjo një shpagë kundër Prezencës së OSBE-së menjëherë pas publikimit të dokumentit të paautorizuar ?A është kjo që po ndodh fillimi i një hakmarrjeje ?
E vërteta është se rishikimi i mandatit të Prezencës së OSBE-së është një praktikë e rëndomtë që nuk ndodh për herë të parë në Shqipëri. Qeveritë e mëparshme kohë pas kohe kanë shqyrtuar dhe negociuar mandatin e prezencës. Në pamje të parë, një mision i OSBE-së në një vend anëtar të NATO-,s por edhe në një vend që ka statusin e vendit kandidat për në BE duket krejtësisht i pakuptimtë.
Por rrethanat në të cilën qeveria kërkon të rishikojë mandatin e OSBE-së i bëjnë thuajse të pabesueshme argumentet e paraqitura, si për shembull, anëtarësia në Aleancën e Atlantikut, anëtarësim që ka ndodhur 6 vjet më parë. Në kontekstin kur kërkohet rishikimi i mandatit, duket sikur thjesht qeveria po merr shpagën ndaj OSBE-së për shkak të një dokumenti , me akuza të rënda për udhëheqës politikë dhe parlamentarë. Por nëse këto akuza janë të pabaza , të pabesueshme dhe të papranueshme nga asnjëra palë dhe nga OSBE u deklaruan si të paverifikuara, përse po shpejton qeveria të marrë hak, nëse vërtet po e bën këtë gjë?
Nga ana tjetër, pavarësisht nëse qeveria po e kërkon dhe pavarësisht nga motivet përse po e kërkon largimin apo thjesht rishikimin e mandatit të OSBE-së, një pyetje themelore dhe e pashmangshme qëndron edhe për Prezencën e OSBE-së.
Çfarë pune kryen realisht OSBE në një shtet që është anëtar i NATO-s dhe kandidat për në Bashkimin Europian. Me zgjedhjet dhe çështjet që lidhen me zgjedhjet ende problematike në Shqipëri merret ODIHR.
Nuk kanë munguar kritikat për rolin dhe punët që kryen organizata në Tiranë. Disa vite më parë misioni u angazhua edhe me projektet Baywatch , angazhime që tingëllonin qesharake dhe cinike për një vend si Shqipëria. Po kështu edhe angazhime për rritjen e kapaciteteve për mediat apo trajnime për gazetarët kanë qenë të dobishme në një kohë të hershme të fillimeve të proceseve demokratike në Shqipëri. Besoj se nuk ka asnjë arsye përse OSBE të shpikë rolin e saj në Shqipëri. Personalisht mendoj se pavarësisht faktit që Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe kandidat për në BE dhe pavarësisht se tani Shqipëria nuk është vetëm konsumatore e ekspertizës së OSBE-së, por edhe kontribuuese, pra, pavarësisht nga të gjitha këto, OSBE ka ende një rol për të luajtur këtu. Dhe ndoshta po e luan, por publiku nuk e di.