Bashkimi Evropian 2015: koha për sinqeritet, bashkim, solidaritet

By Jean-Claud Juncker, President i Komisionit Evropian

0

JEAN-CLAUD JUNKER

Ngjarjet e kohëve të fundit konfirmuan nevojën urgjente për një qasje politike në Bashkimin Evropian. Kjo nuk është koha për të bërë biznes si zakonisht. Kjo nuk është koha për të përmbushur lista ose për të kontrolluar nëse kjo apo ajo iniciativë sektoriale është përfshirë në fjalimin e Gjendjes së Bashkimit. Kjo nuk është koha për të numëruar sa herë është përmendur në fjalim fjala social, ekonomik apo e qëndrueshme. Kjo është koha për sinqeritet. Është koha për të folur hapur rreth çështjeve të mëdha me të cilat përballet Bashkimi Evropian. Sepse Bashkimi ynë Evropian nuk është në gjendje të mirë. Në këtë Bashkim nuk ka Evropë. Dhe në këtë Bashkim nuk ka bashkim aq sa duhet. Këtë duhet ta ndryshojmë. Dhe duhet ta bëjmë tani.

Kriza e refugjatëve: detyra për të vepruar si Bashkim

Pavarësisht nga ç’thuhet në programet e punës apo rendin e ditës së legjislativit: sot, prioriteti i parë është dhe duhet të jetë trajtimi i krizës së refugjatëve. Që prej fillimit të vitit, në Evropë kanë ardhur afërsisht 500 000 njerëz. Shumica prej tyre janë larguar prej luftës në Siri, nga terrori i Shtetit Islamik në Libi apo nga diktatura në Eritre. Shtetet anëtare më të prekura janë Greqia, me më tepër se 213 000 refugjatë, Hungaria me më tepër se 145 000 dhe Italia me më tepër se 115 000. Shifrat janë mbresëlënëse. Për disa madje edhe të frikshme. Por nuk është koha për t’u frikësuar. Është koha për veprim të guximshëm, të vendosur dhe të përbashkët, nga ana e Bashkimit Evropian, nga ana e institucioneve të tij dhe të gjitha shteteve anëtare.
Kjo është në radhë të parë çështje e humanizmit dhe dinjitetit njerëzor. Dhe për Evropën është gjithashtu një çështje e drejtësisë historike. Ne evropianët nuk duhet të harrojmë që Evropa është një kontinent ku pothuajse gjithkush ka qenë në një moment refugjat. Historia jonë e përbashkët është vulosur nga miliona evropianë që janë arratisur nga persekutimi fetar ose politik, që janë larguar nga lufta, diktatura ose shtypja. Hugenotët që u larguan nga Franca e shekullit 17. Hebrenjtë, sintët dhe romët e shumë të tjerë u larguan nga Gjermania gjatë tmerrit nazist të viteve 1930 dhe 1940.
Republikanët spanjollë u larguan në kampet e refugjatëve në Francën e Jugut në fund të viteve 1930, pas humbjes së tyre në Luftën Civile. Revolucionarët hungarezë u larguan për në Austri pas kryengritjes së tyre kundër sundimit komunist, që u shtyp nga tanket sovjetike në vitin 1956. Qytetarët çekë dhe sllovakë kërkuan azil në vende të tjera evropiane pas shtypjes së Pranverës së Pragës në vitin 1968. Qindra dhe mijëra u detyruan të braktisnin shtëpitë e tyre pas luftërave të Jugosllavisë.
Mos vallë kemi harruar se ka një arsye përse në ShBA jetojnë tepër McDonalds se në Skoci? Që ka një arsye përse numri i O’Neils dhe Murphys në ShBA e tejkalon numrin e atyre që jetojnë në Irlandë?
Mos vallë kemi harruar se 20 milion njerëz me origjinë polake jetojnë jashtë Polonisë si rezultat i emigrimit politik dhe ekonomik pas shumë ndryshime kufijsh, përjashtim dhe shpërnguljeje të detyruar gjatë historisë shpesh të dhimbshme polake?
Vërtetë kemi harruar se pas shkatërrimit të Luftës së Dytë Botërore, në Evropë 60 ishin refugjatë milion njerëz? Që si rezultat i kësaj eksperience të tmerrshme evropiane, një regjim botëror mbrojtjeje – Konventa e Gjenevës e vitit 1951 mbi statusin e refugjatëve – u themelua për t’i dhënë strehim atyre që kapërcenin muret e Evropës për t’i shpëtuar luftës dhe shtypjes totalitare?
Ne evropianët duhet ta dimë dhe nuk duhet të harrojmë asnjëherë përse është kaq e rëndësishme dhënia e strehimit dhe përmbushja e të drejtave themelore për azil.
E kam thënë edhe në të shkuarën që ne jemi rrallë herë krenarë për trashëgiminë tonë evropiane dhe për projektin tonë evropian. E megjithatë, pavarësisht brishtësisë tonë, dobësisë së vetë-perceptuar, sot është Evropa që kërkohet si vend strehimi dhe azili.
Është Evropa ajo që sot përfaqëson një grimcë shprese, një parajsë stabiliteti në sytë e burrave dhe grave në Lindjen e Mesme dhe Afrikë. Kjo është diçka për të cilën duhet të jemi krenarë e jo të frikësohemi. Evropa sot, pavarësisht ndryshimeve të shumta ndër shtetet anëtare, është kontinenti më i pasur dhe më i qëndrueshëm në botë. Ne kemi mjetet për t’i ndihmuar ata që shpëtojnë nga lufta, terrori dhe shtypja. E di se shumë syresh tani do të thonë se Evropa nuk mund t’i pranojë të gjithë. Është e vërtetë që Evropa nuk mund të zgjidhë gjithë vuajtjet e botës. Por të jemi të ndershëm dhe t’i vendosim gjërat në perspektivë.
Sigurisht që kemi një numër të paprecedentë refugjatësh që vijnë në Evropë për momentin. Megjithatë, ata ende përfaqësojnë 0.11% të popullsisë së BE-së. Në Liban, refugjatët përfaqësojnë 25% të popullsisë. Dhe kjo ndodh në një vend ku njerëzit kanë vetëm një të pestën e pasurisë që gëzojmë ne në Bashkimin Evropian.
Le të jemi gjithashtu të qartë dhe të sinqertë me qytetarët tanë shpesh të shqetësuar: për sa kohë ka luftë në Siri dhe terror në Libi, kriza e refugjatëve nuk do të largohet vetvetiu.
Ne mund të ndërtojmë mure dhe gardhe mbrojtëse. Por imagjinoni për një sekondë sikur të jeni e të shkatërruar ju, fëmija juaj, bota që njihnit. Nuk ka çmim që nuk do ta paguanit, nuk ka mur që nuk do ta kalonit, nuk ka det që nuk do ta përshkonit apo kufi që nuk do ta kalonit nëse është lufta ose barbarizmi i të ashtuquajturit Shtet Islamik prej të cilit po largoheni.
Ndaj është koha e veprimit për të menaxhuar krizën e refugjatëve. Nuk ka asnjë alternativë tjetër.
Shumë gishta janë drejtuar javët e fundit. Shtetet anëtare kanë akuzuar njëri-tjetrin se nuk kanë bërë mjaftueshëm ose se kanë bërë gjënë e gabuar. Dhe më shpesh gishtat janë drejtuar nga kryeqytetet te Brukseli.
Të gjithë mund të inatosemi nga kjo lojë fajësimesh. Por pyes veten se kujt mund t’i shërbejë kjo gjë. Të jesh i inatosur nuk ndihmon askënd. Dhe përpjekja për të fajësuar të tjerët është shpesh thjesht një shenjë që politikanët janë të mbingarkuar nga ngjarjet e papritura.
Në vend të kësaj, duhet të rikujtojmë për çfarë është rënë dakord që mund të ndihmojë në situatën aktuale. Është koha të shohim se çfarë kemi në tavolinë dhe të lëvizim me shpejtësi përpara.
Nuk po ja nisim nga fillimi. Që prej fillimit të viteve 2000, Komisioni ka propozuar legjislacion pas legjislacioni për të ndërtuar një sistem të përbashkët azili evropian. Dhe Parlamenti dhe Këshilli e kanë miratuar këtë legjislacion pjesë-pjesë. Legjislacioni i fundit i miratuar hyri në fuqi në korrik të 2015-ës.
Në Evropë kemi tashmë standarde të përbashkëta për mënyrën se si i presim azilkërkuesit, duke respektuar dinjitetin e tyre, për mënyrën se si i trajtojmë aplikimet për azil dhe kemi kritere të përbashkëta që sistemet tona të pavarura gjyqësore i përdorin për të përcaktuar nëse dikush ka të drejtën e mbrojtjes ndërkombëtare.
Por këto standarde duhen zbatuar dhe respektuar në praktikë. Dhe kjo nuk ka ndodhur ende. Para verës, Komisioni duhet të fillonte një seri të parë ndjekjeje penale për 32 shkelje për t’i rikujtuar shteteve anëtare për çfarë kanë rënë dakord më parë. Dhe një seri e dytë do të fillojë në ditët në vijim. Ligjet evropiane duhet të zbatohen nga të gjithë shtetet anëtare – kjo duhet të jetë e dukshme në një Bashkim të bazuar te sundimi i ligjit.
Standardet e përbashkëta të azilit janë të rëndësishme, por të pamjaftueshme për t’u përballur me krizën aktuale të refugjatëve. Komisioni, Parlamenti dhe Këshilli e thanë këtë në pranverë. Komisioni hartoi një program gjithëpërfshirës evropian mbi emigrimin në maj. Dhe do të ishte e pandershme të thuhej se asgjë nuk ka ndodhur që prej asaj kohe.
Ne trefishuam praninë tonë në det. Mbi 122 000 jetë janë shpëtuar që prej asaj kohe. Çdo jetë e humbur nuk është e tepërt, por shumë të tjera, që përndryshe do të kishin humbur, janë shpëtuar – një rritje prej 250%. 29 vende, anëtare dhe vendet e asociuara të Shengenit, janë duke marrë pjesë në operacione të përbashkëta të koordinuara nga Frontex në Itali, Greqi dhe Hungari. 102 oficerë nga 20 vende; 31 anije; 3 helikopterë; 4 aeroplanë; 8 makina patrullimi; 6 makina me termovizion dhe 4 mjete transporti – kjo është masa e parë e solidaritetit evropian në aksion, edhe pse më tepër punë duhet bërë.
Kemi dyfishuar përpjekjet tona për të kapur kontrabandistët dhe për të shpërbërë grupet e trafikantëve të qenieve njerëzore. Anijet e lira e kanë tashmë të vështirë të vijnë, që do të thotë se më pak njerëz e vënë jetën në rrezik në varka të papërshtatshme për të lundruar. Si rezultat, rruga e kalimit nga Mesdheu Qendror është stabilizuar me rreth 115 000 që vijnë në muajin gusht, e njëjta shifër si vitin e kaluar. Tashmë kemi nevojë të arrijmë një qëndrueshmëri të ngjashme në rrugën e kalimit të Ballkanit, që është neglizhuar nga të gjithë politikëbërësit.
Bashkimi Evropian është gjithashtu donatori më i madh në përpjekjet globale për të lehtësuar krizën e refugjatëve sirianë. Rreth 4 miliard euro janë mobilizuar nga Komisioni Evropian dhe shtetet anëtare për asistencën humanitare, zhvillimore, ekonomike dhe qëndrueshmëri, për sirianët në vendin e tyre dhe për refugjatët dhe komunitetet e tyre pritëse në vendet fqinje si Libani, Jordania, Iraku, Turqia dhe Egjipti. Vetëm sot kemi nisur dy projekte që ofrojnë shkollim dhe siguri ushqimore për 240 000 refugjatë sirianë në Turqi.
Ne jemi përkushtuar bashkërisht për të rivendosur 22 000 njerëz nga jashtë Evropës gjatë vitit të ardhshëm, duke treguar solidaritet me fqinjët tanë. Sigurisht, kjo mbetet mjaft modeste krahasuar me përpjekjet herkuliane të ndërmarra nga Turqia, Jordania dhe Libani, që kanë pritur rreth 4 milionë refugjatë sirianë. Jam i inkurajuar nga disa vende anëtare që kanë treguar gatishmërinë për të rritur ndjeshëm përpjekjet evropiane për rivendosjet. Kjo do të na lejojë që shumë shpejt të kemi një sistem të strukturuar për të pasur përpjekje më sistematike.
Aty ku Evropa nuk ka punuar mirë është sigurisht solidariteti i përbashkët në lidhje me refugjatët që kanë mbërritur në territorin tonë.
Për mua është e qartë se shtetet anëtare që pranojnë numrin më të lartë të refugjatëve fillimisht – për momentin janë këto: Italia, Greqia dhe Hungaria – dhe ato nuk mund të lihen vetëm në përballjen me këtë sfidë.
Për këtë arsye Komisioni propozoi tashmë një mekanizëm emergjence në maj, për të rishpërndarë 40 000 njerëz që kërkojnë mbrojtje ndërkombëtare nga Italia dhe Greqia.
Për këtë arsye sot po propozojmë një mekanizëm të dytë emergjence për të rishpërndarë 120 000 të tjerë nga Italia, Greqia dhe Hungaria.
Kjo kërkon një përpjekje të fortë në solidaritetin evropian. Para verës, nuk kishim mbështetjen e vendeve anëtare te të cilat po shpresonim. Por shikoj se qëndrimi ka ndryshuar disi. Dhe besoj se ka ardhur koha për këtë.
I bëj thirrje vendeve anëtare të miratojnë në Këshillin e Jashtëzakonshëm të Ministrave të Brendshëm më 14 Shtator propozimet e Komisionit mbi rishpërndarjen urgjente të 160000 refugjatëve. Tashmë duhet veprim i menjëhershëm. Nuk mund ta lëmë Italinë, Greqinë dhe Hungarinë të vetme përballë situatës. Sikurse nuk mund të lëmë vetëm asnjë vend tjetër. Pasi nëse sot po largohen njerëz nga Libia dhe Siria, nesër mund të ndodhë e njëjta gjë në Ukrainë.
Evropa ka bërë gabime më parë duke dalluar ndërmjet hebrenjve, të krishterëve dhe myslimanëve. Kur vjen puna te refugjatët nuk ka as fe, as besim e as filozofi.
Mos e nënvlerësoni urgjencën. Mos e nënvlerësoni domosdoshmërinë e veprimit. Dimri po afrohet – mendoni për familjet që flenë në parqe dhe stacione treni nëpër Budapest apo në tendat e Traiskirchen, apo në brigjet e Kosit. Çfarë do të ndodhë me ta në netët e ftohta të dimrit?
Sigurisht që vetëm rishpërndarja nuk do ta zgjidhë këtë çështje. Është e vërtetë se duhet të ndajmë më mirë ata, që kanë nevojë për mbrojtje ndërkombëtare dhe që kanë më tepër gjasa të aplikojnë për azil duke qenë të suksesshëm dhe ata që po e braktisin vendin a tyre për arsye të tjera, që nuk kanë të bëjnë më të drejtën e azilit. Për këtë arsye Komisioni propozon sot një listë të përbashkët të BE-së për vendet e sigurta të origjinës. Kjo listë do t’u mundësojë vendeve anëtare të përshpejtojnë procedurat për njerëzit me kombësi nga vendet që supozohet se jetojnë në vende të sigurta. Ky supozim i sigurisë duhet të aplikohet sipas pikëpamjes sonë dhe Këshilli Evropian bie unanimisht dakord se ato përmbushin kriteret bazë të Kopenhagenit për anëtarësim në BE – sa i përket demokracisë, sundimit të ligjit dhe të drejtave themelore. Kjo duhet gjithashtu të aplikohet për vende të tjera potenciale kandidate në Ballkanin Perëndimor lidhur me progresin e bërë për marrjen e statusit kandidat.

Jam i ndërgjegjshëm se lista e vendeve të sigurta është një thjeshtim procedural. Ajo nuk mund t’u heqë të drejtën themelore për azil qytetarëve të Shqipërisë, Bosnjës dhe Hercegovinës, Maqedonisë, Kosovës, Malit të Zi, Serbisë dhe Turqisë, por lejon që autoritetet kombëtare të fokusohen te ata refugjatë që kanë më tepër gjasa t’u jepet azil, veçanërisht atyre që vijnë nga Siria. Dhe ky fokus është i domosdoshëm në situatën aktuale.
Gjithashtu besoj se përtej aksionit të menjëhershëm, të nevojshëm për të zgjidhur urgjencat aktuale, është koha të përgatitemi për një ndryshim themelor në mënyrën se si merremi me aplikimet për azil – veçanërisht me sistemin e Dublinit, i cili kërkon që aplikimet për azil të trajtohen nga vendi i parë i hyrjes.
Ne kemi më tepër nevojë për Evropë në politikën tonë të azilit. Kemi më tepër nevojë për Bashkim në politikën tonë të refugjatëve. Një politikë e vërtetë e refugjatëve dhe azilit kërkon që solidariteti të jetë përherë i ankoruar në qasjen tonë të politikave dhe në rregullat tona. Për këtë arsye sot Komisioni propozon një mekanizëm të përhershëm rishpërndarje, që do të na lejojë të përballemi lehtësisht në të ardhmen me situata krize. Një politikë e përbashkët për refugjatët dhe azilin kërkon përafrim të mëtejshëm të politikave të azilit pasi është dhënë statusi i refugjatit. Shtetet anëtare duhet t’i hedhin një sy tjetër politikave të tyre të mbështetjes, integrimit dhe përfshirjes. Komisioni është gati të shikojë se si mund të mbështeten këto përpjekje nga fondet e BE-së. Unë jam fuqimisht në favor që t’i lejojmë azilkërkuesit të punojnë dhe të fitojnë para ndërkohë që po procedohet me aplikimin e tyre.
Një politikë e përbashkët për refugjatët dhe azilkërkuesit kërkon gjithashtu përpjekje të përbashkëta për të siguruar kufijtë tanë të jashtëm. Për fat të mirë, kemi hequr dorë nga kontrollet kufitare ndërmjet vendeve anëtare të zonës Shengen, për të garantuar lëvizjen e lirë të njerëzve, një simbol unik i integrimit evropian. Por ana tjetër e monedhës në lirinë e lëvizjes së njerëzve është se duhet të punojmë më tepër së bashku për të menaxhuar kufijtë e jashtëm. Kjo është ajo që presin qytetarët tanë. Komisioni tha në maj dhe unë e përsërita gjatë fushatës sime zgjedhore: Duhet të fuqizojmë shumë Frontex-in dhe ta zhvillojmë atë në një sistem plotësisht veprues mbi kufijtë dhe rojet bregdetare. Kjo sigurisht që është e arritshme. Por do të kushtojë para. Komisioni beson se këto para janë një investim i mirë. Kjo është arsyeja se përse propozojmë hapa ambiciozë drejt një Rojeje Kufitare dhe Bregdetare Evropiane para fundit të këtij viti.
Një politikë vërtet e përbashkët evropiane e emigrimit gjithashtu do të thotë se duhet të shohim hapjen e kanaleve ligjore të emigrimit. Le të jemi të qartë: kjo nuk do të na ndihmojë të trajtojmë krizën aktuale të refugjatëve. Por nëse ka më tepër rrugë të sigurta dhe të kontrolluara, që hapen në Evropë, ne mund ta menaxhojmë më mirë emigrimin dhe ta bëjmë punën e jashtëligjshme të trafikuesve të qenieve njerëzore më pak tërheqëse. Të mos harrojmë se jetojmë në një kontinent në plakje dhe në rënie demografike. Do të kemi nevojë për talente. Me kalimin e kohës emigrimi duhet të ndryshojë nga një problem që duhet trajtuar në një burim të mirë menaxhuar. Për këtë qëllim Komisioni do të hartojë një paketë ligjore për emigrimin në fillim të vitit 2016.
Një zgjidhje afatgjatë do të vijë vetëm nëse trajtojmë shkaqet themelore dhe arsyet përse jemi duke u përballur me këtë krizë refugjatësh. Politika jonë e jashtme duhet të jetë më e vendosur. Nuk mund të jemi më injorantë apo të pabashkuar për sa i përket luftës ose paqëndrueshmërisë në vendet fqinje.
Në Libi, BE-ja dhe vendet anëtare duhet të angazhohen më tepër me partnerët rajonalë për t’u siguruar se një qeveri e bashkimit kombëtar vendoset së shpejti. Ne duhet të jemi të përgatitur të ndihmojmë me të gjithë instrumentet e nevojshme që një qeveri e tillë të ofrojë siguri dhe shërbime për popullsinë sapo të vijë në fuqi. Mbështetja e BE-së për zhvillimin dhe humanizmin do të duhet të jetë e menjëhershme dhe e gjithanshme.
Do të doja të vija në dukje se po hyjmë në vitin e pestë të krizës siriane dhe në horizont nuk duket ndonjë zgjidhje. Deri tani, komuniteti ndërkombëtar ka dështuar. Evropa ka dështuar. Sot iu bëj thirrje për një ofensivë diplomatike evropiane që të trajtojë krizat në Siri dhe Libi. Na duhet një Evropë më e fuqishme kur vjen puna te politika e jashtme. Dhe jam shumë i gëzuar që Federika Mogerini, Përfaqësuesja jonë e Lartë, është tejet e vendosur dhe ka përgatitur atmosferën për një iniciativë të tillë me suksesin e saj diplomatik gjatë bisedimeve me Iranin. Dhe ajo është e gatshme të punojë nga afër bashkë me vendet anëtare drejt paqes dhe stabilitetit në Siri dhe Libi.
Për të lehtësuar punën e Federikës sot Komisioni propozon të themelojë një fond emergjence, duke filluar me 1.8 miliard euro nga mjetet tona të përbashkëta financiare për të trajtuar krizat në rajonet e Sahelit dhe Liqenin e Çadit, Afrikën e Veriut dhe Verilindjes. Duam të ndihmojmë që të krijojmë stabilitet afatgjatë, për shembull, duke krijuar mundësi punësimi në komunitetet lokale dhe për rrjedhojë duke trajtuar shkaqet kryesore të destabilizimit, shpërnguljes së detyruar dhe emigrimit të paligjshëm. Pres që të gjithë shtetet anëtare të bien dakord dhe të kenë të njëjtat ambicie si ne.
Nuk dua të krijoj ndonjë iluzion se kriza e refugjatëve do të mbarojë së shpejti. Nuk është kështu. Por të largosh varkat nga portet, t’i vësh flakën kampeve të refugjatëve apo të bësh një sy qorr para njerëzve të varfër dhe të papërkrahur: kjo nuk është Evropë.
Evropa është furrtari në Kos, që i jep bukën e tij një njeriu të uritur e të lodhur. Evropa janë studentët në Mynih dhe Pasau që sjellin veshje për ata që vijnë në stacionet e trenit. Evropa është polici në Austri, që mirëpret refugjatët e lodhur sapo kalojnë kufijtë. Kjo është Evropa ku unë dua të jetoj.
Kriza është e mprehtë dhe rrugëtimi ende i gjatë. Kam besim te ju në këtë shtëpi dhe në të gjithë vendet anëtare, që të tregoni kurajën evropiane për të ecur përpara në përputhje me vlerat dhe historinë tonë të përbashkët.

Një fillim i ri për Greqinë, për zonën euro dhe për ekonominë evropiane

Përmenda se sot dua të flas për çështjet e mëdha. Për këtë arsye ky fjalim duhet të trajtojë situatën në Greqi, si edhe mësimet e mëdha që dalin nga viti i pestë i krizës greke, ndikimi i të cilës vijon të ndjehet në eurozonë, në ekonominë dhe shoqërinë evropiane në tërësi.
Që prej fillimit të vitit, bisedimet mbi Greqinë kanë testuar durimin tonë. Shumë kohë dhe shumë besim është humbur. Shumë ura janë djegur. Janë thënë fjalë të cilat zor se mund të tërhiqen.
Shumë shpesh pamë njerëz që mendojnë se mund të imponojnë pikëpamjet e tyre pa menduar për pikëpamjet e të tjerëve.
Në eurozonë pamë demokraci që iu kundërvunë njëra-tjetrës. Fillimi i mbarë dhe krijimi i vendeve të punës që pamë vitin e kaluar në Greqi u zhduk gjatë këtyre muajve.
Dhe pikërisht atëherë, kur ishim sërish pranë humnerës, ne arritëm të shikonim panoramën më të gjerë dhe të përmbushnim përgjegjësitë tona.
Nuk jam krenar për çdo aspekt të rezultateve të arritura. Megjithatë, jam krenar për grupet e Komisionit Evropian që punuan pa pushim, ditë e natë, deri në fund të gushtit, për të ngushtuar hendekun ndërmjet qëndrimeve ekstreme dhe për të sjellë një zgjidhje në interes të Evropës dhe popullit grek.
E di që jo të gjithë ishin të lumtur me atë që bëri Komisioni.
Shumë politikanë grekë nuk ishin të lumtur që ne këmbëngulëm për reforma në Greqi, veçanërisht në lidhje me sistemin e paqëndrueshëm të pensioneve dhe regjimin e padrejtë të taksave.
Shumë politikanë të tjerë evropianë nuk mund të kuptonin përse Komisioni vijoi të negocionte. Disa nuk mund të kuptonin përse ne nuk i braktisëm fare bisedimet me ekspertët e Fondit Monetar Ndërkombëtar. Përse disa herë folëm edhe për anën sociale të angazhimeve të programit dhe i ndryshuam ato duke marrë parasysh efektet e pjesës më të cenueshme të shoqërisë. Ose se unë personalisht guxova të them vazhdimisht se euro dhe anëtarësia në euro është e pakthyeshme.

Të bashkuar përkrah Ukrainës

Evropa është një pjesë e vogël e botës. Nëse kemi diçka për të ofruar, ajo është dija dhe roli ynë drejtues.
Rreth një shekull më parë, një në pesë njerëz të botës jetonin në Evropë, kurse sot kjo shifër është një në nëntë dhe në një shekull tjetër do të jetë një në 25.
Besoj se mund dhe duhet të luajmë pjesën tonë në skenën botërore, jo për krenarinë tonë, por sepse kemi çfarë të ofrojmë. Mund t’i tregojmë botës fuqinë që vjen prej bashkimit dhe interesit strategjik të veprimit së bashku. Kjo është koha më urgjente dhe më e duhur për ta bërë këtë gjë.
Për momentin kemi më tepër se 40 konflikte aktive në botë. Ndërkohë që këto konflikte përshkallëzohen, ndërkohë që familjet prishen dhe shtëpitë shndërrohen në rrënoja, unë nuk mund të vij te ju rreth 60 vjet pas lindjes së Bashkimit Evropian dhe t’iu predikoj paqen, pasi bota nuk është në paqe.
Nëse duam të promovojmë një botë më paqësore, do të na duhet më tepër Evropë dhe më tepër Bashkim në politikën tonë të jashtme. Kjo është më urgjente kundrejt Ukrainës.
Sfida për ta ndihmuar Ukrainën që të mbijetojë, të reformohet dhe të përparojë, është një sfidë evropiane. Në fund, ëndrra ukrainase, ëndrra e Meidanit është evropiane: të jetojë në një vend modern, në një ekonomi të qëndrueshme dhe një sistem politik të drejtë. Gjatë 12 muajve të fundit jam njohur me Presidentin Poroshenko, në një samit, gjatë një darke në shtëpinë e tij. Ai po lufton për paqe. Ai e meriton mbështetjen tonë.
Kemi bërë shumë tashmë, duke huazuar 3.41 miliard në tre programe asistence makro-financiare, për të ndihmuar nënshkrimin e një marrëveshjeje që do të sigurojë furnizimin me gaz të Ukrainës gjatë dimrit dhe këshillim për reformën e gjyqësorit. BE-ja dhe vendet e saj anëtare duhet të kontribuojnë nëse do të kenë sukses.
Ne kemi nevojë për më tepër bashkim, kur bëhet fjalë për sanksione. Sanksionet që BE-ja ka vendosur mbi Rusinë kanë kosto për secilën prej ekonomive tona dhe pasojat mbi sektorë të rëndësishëm si fermerët. Por sanksionet janë një mjet i fuqishëm për t’u përballur me agresionin dhe shkeljet e të drejtës ndërkombëtare. Ato janë një politikë që duhet mbajtur derisa të arrihet plotësisht Marrëveshja e Minskut. Duhet të qetësojmë nervat dhe të mbetemi të bashkuar. Por duhet të kërkojmë edhe zgjidhje.
BE-ja duhet t’i tregojë Rusisë koston e përballjes, por duhet t’i bëjë gjithashtu të qartë se është e gatshme për t’u angazhuar. Nuk dua një Evropë që qëndron në kufijtë e historisë. Dua një Evropë që udhëheq. Kur Bashkimi Evropian qëndron i bashkuar, ne mund të ndryshojmë botën.

SHPËRNDAJE