FLORIAN BIEBER
Hofburgu vienez është një vend i mrekullueshëm për çdo samit. Kur qeveritë e Ballkanit Perëndimor u takuan me zyrtarët e BE-së dhe përfaqësuesit e disa vendeve anëtare të BE-së, nga Gjermania dhe Austria, por edhe nga Kroacia, Sllovenia dhe Italia, sinjali i planifikuar ishte të tregohej se zgjerimi i BE-së është ende gjallë, sikurse është edhe bashkëpunimi rajonal.
Në krahasim me samitin e parë vitin e kaluar në Berlin, samiti i Vjenës vjen pas një sërë takimesh rajonale – disa kanë bërë shaka se kryeministrat e rajonit e shohin njëri-tjetrin më shpesh se ministrat e tyre. Bashkëpunimi rajonal ka rimarrë shpejtësi, edhe nëse zgjerimi i BE-së mbetet jo shumë afër për pjesën më të madhe të rajonit krahasuar me një vit më parë. Është e pashmangshme gjithsesi që ka një dinamikë lehtësisht të rinovuar.
Kriza e refugjatëve mund të ketë dominuar raportimin dhe diskutimin zyrtar, por gjithashtu thekson dhe absurditetin që Ballkani Perëndimor është jashtë BE-së. Këtë po e dëshmojmë dhjetëra mijëra refugjatë që kalojnë BE-në dhe vendet e Shengenit për t’u arratisur përmes dy vendeve që nuk janë në BE – Maqedonisë dhe Serbisë – për të shkuar në një tjetër vend të Shengenit – në Hungari – që po ndërton një gardh si ai që shkatërroi në kufirin perëndimor 26 vite më parë. Samiti nuk mundi të ofronte më tepër se një mbështetje simbolike për vendet ku mijëra refugjatë kanë vërshuar në parqet dhe stacionet e trenit.
Çështja e refugjatëve – të cilëve gabimisht u është vendosur emri emigrant – zuri vendin kryesor në samit, por sikurse çdo samit i këtij lloji, vendimet kryesore dhe substancat merren javë e muaj më parë. Ndaj, kriza e refugjatëve dhe vdekja e tmerrshme e rreth 70 refugjatëve në një autostradë rreth 50 km nga Hofburgu hodhën hije mbi samitin, por nuk e përmbytën atë.
Qeveritë e Ballkanit Perëndimor dukeshin të interesuara për infrastrukturën dhe paratë. Mesazhi ishte i përzierë, pasi Kryeministri serb Vuçiç tha se ai nuk e konsideronte BE-në një bankomat – duke zbuluar vlera për të lavdëruar trajtimin që Serbia iu ka bërë refugjatëve në kontrast me disa anëtarë të BE-së – ndërkohë kryeministri shqiptar sugjeroi se ai është vënë pas parave të BE-së. Sidoqoftë, të dy kryeministrat theksuan nevojën për të mbështetur infrastrukturën.
Nuk ka dyshim se infrastruktura rajonale ka nevojë për përmirësim dhe se projektet e përbashkëta, si autostrada që lidh Shqipërinë, Kosovën dhe Serbinë mund të ketë një ndikim të madh. Rreziku është që infrastruktura fizike po zë vendin e formave të tjera të bashkëpunimit. Këtu, përgatitjet e gjata kanë sjellë dy rezultate inkurajuees në samitin e Vjenës.
Qeveritë nënshkruan një marrëveshje për të themeluar një sistem rajonal shkëmbimi rinor bazuar te Zyra Gjermano-Franceze e Rinisë. Deri në samitin e vitit të ardhshëm në Paris duhet të ketë një traktat dhe strukturë të gatshme për themelimin formal. Me përfshirjen e ministrive të rinisë, angazhimin për financimin evropian dhe qeveritar, ky projekt premton rritjen e bashkëpunimit ndërmjet qytetarëve. Çelësi nuk është mbingarkesa ndaj programeve ekzistuese dhe mundësive të bashkëpunimit.
Samiti ishte gjithashtu i pazakontë pasi shoqëria civile përfshihej për herë të parë në një aktivitet të tillë. Mbi 50 përfaqësues nga OJQ-të rajonale, media, sindikatat dhe aktivistë qytetarë u takuan në fillim të konferencës dhe paraqitën rekomandimet e tyre për krijimin e vendeve të punës, lirinë e medies dhe bashkëpunimin rajonal në vetë samitin.
Përfshirja e shoqërisë civile ishte sfiduese pasi udhëheqësit politikë të rajonit ende nuk janë mësuar të flasin me shoqërinë civile sy më sy dhe shoqëria civile në shumë vende është vënë nën presion, si në Mal të Zi, Serbi dhe Maqedoni. Një samit i vetëm nuk mund të ndryshojë këtë dinamikë, por të paktën përfshirja e shoqërisë civile nga ana e Ministrisë së Jashtme të Austrisë dha sinjalin që ato nuk duhet të injorohen.
Një tjetër sinjal i rëndësishëm ishte nënshkrimi i deklaratës mbi çështjet dypalëshe. Në deklaratë, ministrat e jashtëm u angazhuan të mos lejojnë çështjet dypalëshe të pengojnë procesin e integrimit evropian të vendeve të tjera të rajonit. Ky angazhim është i ngjashëm me Marrëveshjen e Brukselit ndërmjet Serbisë dhe Kosovës dhe një deklaratë nga parlamenti kroat më 2011.
Megjithatë, për herë të parë, të gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor nënshkruan dhe ftuan vendet fqinje të BE-së t’i bashkohen (mesazhi është i qartë, edhe nëse ka pak gjasa që këto t’i bashkohen angazhimit). Për më tepër, ata ranë dakord të raportonin progresin e bërë në samitin e ardhshëm në Paris. Kjo deklaratë erdhi pasi Mali i Zi nënshkroi një marrëveshje kufitare me Kosovën dhe Bosnjë Hercegovinën në prag të samitit dhe Serbia dhe Kosova ranë dakord mbi disa çështje kryesore.
Çështjet më serioze dypalëshe përfshijnë anëtarët e BE-së dhe vende të tjera (veçanërisht ndërmjet Maqedonisë dhe Greqisë, por gjithashtu kufijtë ndërmjet Kroacisë, Bosnjës dhe Serbisë mbeten një burim i mundshëm tensioni) dhe nuk ka një perspektivë të menjëhershme për t’i zgjidhur, por deklarata dhe marrëveshjet japin sinjalin se të paktën disa burime tensioni mund të sheshohen.
Yjet e samitit ishin kryeministri serb dhe ai shqiptar, që u shfaqën së bashku në një debat me shoqërinë civile dhe në shfaqjen televizive Okruzenje. Në mënyrë të dukshme, duke iu drejtuar njëri-tjetrit me emër, Edi dhe Aleksandri i shfrytëzuan lidhjet e tyre të mira për të ushtruar presion mbi BE-në që ajo të japë. Kjo është një lëvizje e mirë, krahasuar me më pak së një vit më parë, kur u desh ndërhyrja e Gjermanisë për t’i bërë që të takohen të dy, kur loja e braktisur e futbollit ndërmjet Serbisë dhe Shqipërisë çoi në një luftë fjalësh. Megjithatë, tashmë duket si një lojë e përpunuar ku luajnë të dy dhe bashkëpunimi rajonal po punon si hutim, veçanërisht për Vuçiç. Për sa kohë ai bën pjesën e tij për bashkëpunimin rajonal dhe Kosovën, BE-ja dhe Gjermania duket se po i shmangen një vështrimi të dytë më kritik të mënyrës se si ai po kontrollon dhe mikro-menaxhon Serbinë.
Samiti i Vjenës nuk mundi ta trajtojë autoritarizmin në rritje në rajon. Si për ironi ishte fakti që kryeministri maqedonas Gruevski ka shënuar dy gola në lojën e futbollit të politikanëve nga Ballkani Perëndimor kundër BE-së. Ndoshta është simptomatike, që dikush, nën presion të fuqishëm pak muaj më parë dhe që duket qartë se ka tendosur parimet demokratike dhe rendin ligjor, të mund të gjuajë një top në portën e BE-së në Vienë.