NILS MUIŽNIEKS
Kriza e refugjatëve është simbolikë e krizës politike në Evropë. Për të shmangur kolapsin sistematik, Evropa duhet të rikthehet te solidariteti dhe mbrojtja e atyre që largohen nga lufta dhe persekutimi.
Për shumë vite, vendet evropiane janë paralajmëruar për sistemet e tyre të papërshtatshme të emigrimit dhe azilit. Tashmë, me rritjen e numrit të refugjatëve dhe tragjedive më të shpeshta, ky sistem po i tregon të gjithë dobësitë e tij. Shkaku i këtij kolapsi nuk është ardhja e refugjatëve në Evropë. Arsyeja e vërtetë është politike.
Sipas Agjencisë së Refugjatëve të Kombeve të Bashkuara, që prej janarit 2015, në shtetet e Bashkimit Evropian janë bërë më tepër se 430 000 aplikime për azil. 40% prej tyre janë pritur nga Gjermania dhe Hungaria, duke marrë një në katër të atyre që mbeten. Kjo do të thotë se 26 vende të BE-së po merren me pak më tepër se 180 000 aplikime për azil; një përpjekje epike në të vërtetë.
Edhe duke përfshirë rreth 300 000 njerëz që kanë mbërritur në Greqi dhe Itali që prej janarit – shumica sirianë që do të marrin azil – Evropa është ende larg përjetimit të presionit të vërtetë të ardhjes së refugjatëve, me të cilën po përballen vende më pak të pasura dhe më pak të qëndrueshme si Pakistani, Libani dhe Etiopia ose pa shkuar kaq larg, Turqia është kthyer në shtëpinë e më tepër se 2 milion refugjatëve sirianë.
Franca dhe Mbretëria e Bashkuar – kjo e fundit është vendi ku aplikimet për azil kanë mbetur të qëndrueshme gjatë viteve të fundit – nuk mund të gjenin një përgjigje më të mirë për nevojat e rreth 3000 emigrantëve në Kale, se sa të dërgonin policinë dhe të shtonin paratë për të forcuar vëzhgimin. Të mërkurën e kaluar në Danimarkë – ku aplikimet për azil nuk janë rritur ndjeshëm krahasuar me vitin 2014 – parlamenti miratoi një shkurtim në përfitimet e refugjatëve, me qëllimin e deklaruar për ta bërë vendin më pak tërheqës për ta. Në Poloni – ku aplikimet për azil në vitin 2014 ranë me 50%, krahasuar me 2013 – presidenti i vendit foli kundër mundësisë së pranimit të azil kërkuesve të tjerë, edhe pse numri i aplikimeve për azil mbeti i ulët edhe për gjysmën e parë të vitit 2015.
Me një rritje të shpejtë në aplikimet për azil dhe pak ose aspak ndihmë nga vendet e BE-së, Bullgaria dhe Hungaria morën vendimin e mbylljes së kufijve. Kjo nuk është përgjigja e duhur për ata që kërkojnë mbrojtje ndërkombëtare. E vërteta e duhur politike, gjithsesi, është se kjo vjen si rezultat i një sistemi azili i cili penalizon vendet që janë në kufijtë e Evropës.
Problemi i vërtetë nuk është mbërritja e refugjatëve, por kjo përgjigje pothuajse histerike ndaj tyre. Më tepër se një krizë refugjatësh, kjo është një krizë politike: shtetet anëtare po i largohen idealeve evropiane, kur në fakt ato na duhen më tepër. Për të shpëtuar solidaritetin e Evropës dhe të drejtat e njeriut, ne duhet të rimendojmë qasjen evropiane ndaj emigrimit.
Gjeja e parë që duhet bërë është rishikimi thelbësor i Konventës së Dublinit: një mekanizëm i padrejtë që lejon shumicën e vendeve të BE-së ta transferojnë përgjegjësinë e përballjes me azilkërkuesit në vende kufitare si Bullgaria, Greqia, Hungaria, Malta dhe Spanja. Lëvizja më e fundit pozitive, që lidhet me situatën, vjen nga Gjermania, që ka pezulluar zbatimin e e Konventës së Dublinit për refugjatët sirianë. Ky vendim duhet të zgjerohet në të gjithë kategoritë e azilkërkuesve dhe të aplikohet nga të gjithë shtetet anëtare të Bashkimit Evropian.
Për më tepër, vendet e BE-së dhe Komisioni Evropian duhet të ndërtojnë një sistem ku vendet të ndajnë në mënyrë të drejtë azilkërkuesit, bazuar në parimet e solidaritetit dhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut. Kjo do të ndihmonte jo vetëm përmirësimin e mbrojtjes që Evropa mund të përballojë me refugjatët, por do të lehtësonte edhe presionin mbi ato vende të BE-së që janë më të prekur nga kriza e emigrantëve.
Zhvillime të tilla duhet të shkojnë dorë për dorë me përmirësimin e bashkëpunimit ndërmjet shteteve të Ballkanit Perëndimor. Deri tani, BE-ja ka ushtruar presion në forma të ndryshme për të ndaluar azilkërkuesit, një zgjedhje e cila ka bërë që disa shtete të adoptojnë një sërë masash joligjore, si profilizimi etnik në pikat kufitare dhe konfiskimi i dokumenteve udhëtuese. Tashmë BE-ja duhet t’i ndihmojë këto vende të zhvillojnë sistemin e tyre të azilit dhe kapacitetet e tyre për të pritur refugjatë në përputhje me standardet e BE-së. Kjo do të ndihmojë jo vetëm në shpëtimin e jetëve, por do të ndihmojë edhe në mbajtjen e premtimit për të arritur një unitet më të madh për të cilin e gjithë BE-ja dhe shtetet e Ballkanit Perëndimor ranë dakord kur u bashkuan në Këshillin e Evropës.
Për më tepër, shtetet evropiane duhet të ofrojnë më tepër rrugë ligjore për refugjatët që të mbërrijnë në kontinent, për shembull duke lehtësuar vizat humanitare dhe rregullat e bashkimit familjar. Kjo do të ndihmonte që refugjatët të shmangin rrugët e rrezikshme detare dhe tokësore dhe do të dobësonte gjithashtu kthetrat e kontrabandistëve, të cilët lulëzojnë kur kufizimet e emigrimit janë të ashpra.
Mbrojtja e refugjatëve është detyrim moral dhe ligjor. Ajo nuk është një detyrë e thjeshtë, por as edhe e pamundur. Ne duhet të bëjmë më tepër për të mbrojtur ata që largohen nga lufta dhe persekutimi. Me vullnet politik, Evropa mund t’u qëndrojë besnike vlerave të saj.