IAN PARKER
Më 4 korrik, mbrëmjen përpara referendumit që u kërkonte grekëve të vendosnin se deri në ç’masë qeveria e tyre, e mbytur në borxhe, duhej të plotësonte kërkesat e kreditorëve kryesorë – “trojkës” së Bashkimit Evropian, Bankës Qendrore Evropiane dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar – Janis Varufaqis, ministri grek i financave, po darkonte në tarracën e një restoranti athinas, veshur me një bluzë me mëngë të shkurtra, mbi të cilën qe stampuar harta e Teksasit. Në janar, Varufaqis, një ekonomist që kishte dhënë mësim në Universitetin e Teksasit, në Ostin, hyri me vrull në politikën greke, duke u kthyer në fytyrën publike të vendit gjatë negociatave sfiduese me udhëheqësit evropianë. Pas shumë muajve stërmundues, ai e kishte kaluar pjesën më të madhe të ditës duke fjetur dhe ndihej në humor të mirë. Varufaqis, 54 vjeçar, zotëronte qetësinë e dikujt me bindjen e patundur mbi rezultatin e zgjedhjeve dhe tashmë kishte filluar të shijonte kënaqësinë e asaj çka do të pasonte. Qeveria e tij, Partia Syriza e krahut të majtë, do të humbiste. Njerëzit do të votonin “po” – pr,a në favor të bërjes së më shumë lëshimeve nga sa kishin qenë të gatshëm të bënin Varufaqiss dhe Aleksis Cipras, kryeministri 44 vjeçar i vendit dhe udhëheqësi i Syrizas. Varufaqis do të jepte dorëheqjen nga posti i ministrit dhe kështu nuk do t’i duhej më kurrë të duronte takimet maratonë në Bruksel dhe Luksemburg dhe të dëgjonte ministrat e tjerë të financave në Evropë që i tërhiqnin veshin Greqisë për mosbindjen e saj. Dhe as nuk do të ishte më e nevojshme që ai të ushtronte vetëpërmbajtjen e duhur për të fshehur faktin se tashmë ai dhe Ciprasi kishin javë të tëra që kishin humbur besimin te njëri tjetri. Varufaqis nuk kishte hequr dore nga antagonizmi i tij kundrejt trojkës, apo nga argumenti ekonomik në thelb të këtij antagonizmi, por fliste sikur fushata javore e Syrizas, me slogane dhe protesta në mbështetje të oqi-t (jo-së) ishte tashmë pjesë e së kaluarës, e historisë të rezistencës së gjatë greke kundër agresorëve të huaj. Vota “po”, shpalli Varufaqis, ishte “e pashmangshme”.
Ai po darkonte me të shoqen, Dana Stratu, një artiste, puna e së cilës përfshin kryesisht instalime dhe fotografinë, si dhe me mikun e tij Xhejms Gallbrajth, një ekonomist amerikan dhe profesor në Universitetin e Teksasit. Gallbrajthi kishte punuar pa pagesë si këshilltar pranë një ekipi ndërkombëtar jozyrtar, që përfshinte edhe Xhefri Saksin një ekonomist nga Universiteti Kolumbia. Sipas Varufaqisit, Saksi kishte dërguar “mesazhe zyrtare gjatë dy javëve të fundit ku udhëzonte ‘Kërko lehtësim të borxhit. Kjo është e domosdoshme. Nëse nuk jepet, atëherë nuk paguhet.’”
Ishte ora dhjetë e darkës. Numri i turistëve ishte shumë më i vogël nga sa ndeshje zakonisht në një mbrëmje korriku dhe në restorant njerëzit bashkëbisedonin me zë të ulët. Kur një kalimtar i dha dorën Varufaqisit – ministrit i pëlqente ta mbante krahun në kënd të drejtë, në një qasje alla-vëllazërore, sa herë tokej me bashkëkombësit e tij – ky i fundit vazhdoi t’ia shkundte dorën tjetrit me një intensitet pothuajse të dhunshëm. Ditët e fundit kishin qenë më se çorientuese, gjatë të cilave grekët e kishin bërë zakon ta përshkruanin çdo ngjarje aktuale sikur kishte ndodhur shumë kohë më parë, përpara se të ftilloheshin se ngjarja në fjalë kishte ndodhur vetëm ditën e shkuar. Aristidhes Baltas, një filozof i shkencës, i cili shërben aktualisht si ministër i arsimit, më tha njëherë se koha ishte “dendësuar”.
Në fund të javës së kaluar, negociatat mes Greqisë dhe kreditorëve të trojkës kishin ngecur në vend numëro dhe Ciprasi kishte shpallur referendumin. Më 28 qershor, Banka Qendrore Evropiane refuzoi të rriste nivelin e kredisë në baza ditore, sipas një programi të njohur si Asistenca e Emergjencës së Likuiditetit, në ndihmë të bankave të rrënuara greke; atyre pothuajse iu kishin firuar paratë, pas rrjedhjes së ngadaltë, por konstante, të depozitave gjatë muajve të fundit. Grekët i kishin marrë eurot në shtëpi. Varufaqis i dha nismë asaj që e quajti “një mekanizëm tragjik” për të kufizuar ndjeshëm tërheqjen e depozitave. (Kur u kthye nga puna mbrëmjen tjetër, që i binte e hënë, ai i tha Stratut: “E dashur, i mbylla bankat.”) Grekët nuk mund të tërhiqnin nga automatet më shumë se gjashtëdhjetë euro në ditë. Ekonomia e tkurrur u tkurr edhe më, edhe pse ishte ende e mundur të kryeje dërgesa bankare elektronike të pakufizuara brenda Greqisë. Të vendosur për të boshatisur llogaritë e tyre bankare, nga frika se mos depozitat humbitnin ose zhvlerësoheshin, grekët paguanin faturat: Varufaqis përmendi shuma “të mëdha” që po hynin në llogaritë e zyrës së taksave.
Qeveria kishte bërë gati plane për një monedhë alternative të përkohshme, në formën e një I.O.U-je (I Owe You) elektronike, një dokument jozyrtar ku njihte borxhin. Më 30 qershor, Greqia nuk respektoi afatin për t’i paguar FMN-së këstin e radhës, duke u bashkuar kështu me tre vende të tjera me borxhe të prapambetura: Somalinë, Sudanin dhe Zimbabven. Tri ditë më vonë, Klaus Regling, shefi i Mekanizmit Evropian të Stabilitetit, institucioni që po menaxhonte huanë që Greqia iu kishte borxh vendeve të BE-së, i shkroi një e-mail Varufaqisit për t’i kujtuar se, meqë FMN-së nuk i ishte paguar kësti i radhës, Enti Evropian i Stabilitetit Financiar fitonte të drejtën për të kërkuar shlyerjen e menjëhershme të fondeve të BE-së. “Unë personalisht u detyrohem €142.6 miliardë,” – tha Varufaqis. “Jam unë ai që ka nënshkruar kontratat.” Ai rikujtoi përgjigjen që kishte dhënë, e cila në vetvete përmbante njëfarë humori luftarak, por edhe një dozë të mirë përbuzjeje, që nuk ishte tjetër veçse një citim dy fjalësh i mbretit të Spartës: “Molon labe,” ose “Ec e merri.” Mbrëmjen e 3 korrikut, i rrethuar nga turma me dhjetëra mijëra grekë, Varufaqis marshoi drejt tubimit final në mbrojtje të “jo”-së. Teksa i vija pas, pashë një burrë shtatëdhjetë vjeçar të afrohej dhe t’i puthte shpatullat.
Pas muajsh të tërë në qendër të spektaklit politik botëror, Varufaqis ende sillej si dikush që nuk kishte të bënte me elitën drejtuese: jozyrtar, ironik, në një farë mënyre gjithmonë i vetëm në skenë. Kjo mënyrë sjellje i jepte, me raste, mandatit të tij atmosferën e një fjalimi TED të gjatë pesë muaj. Në restorant, komentet e Varufaqisit mbi trazirat e fundit dhe zhvillimet edhe më dëshpëruese, që kishin gjasa të pasonin, të jepnin përshtypjen se ministri po argëtohej me situatën, madje po gëzohej. Ai e pyeti Gallbrajthin për fëmijët, pastaj vuri në dukje se, vetëm pak orë më parë, një deputet gjerman e kishte vizituar në shtëpi dhe i kishte rrëfyer: “Nuk besoj në atë çka po u bëjmë juve.” Ligjvënësi ishte një kristiandemokrat, partia e Anxhela Merkelit, kancelares gjermane, e cila kishte forcë që ta zbuste krizën greke. “E di që je ateist, por do të lutem për ty,” i kishte thënë deputeti përpara se të largohej.
Varufaqis bëri një telefonatë. Duke folur greqisht, ai përshëndeti Euklid Çakalotosin, një koleg dhe mik, duke e quajtur “shok” dhe pastaj hamendësoi mbi sjelljen e Ciprasit në rast se do të fitonte vota “po”: “Mendjendriturit në Maximo (rezidenca e kryeministrit) janë rehatuar mirë në kolltukët e tyre të pushtetit dhe nuk duan të zbythen prej andej.” Dukej se Varufaqisi ishte i mendimit se Ciprasi nuk do të jepte dorëheqjen nëse humbiste referendumin. Thjesht do të ketë “një ristrukturim strategjik,” tha Varufaqisi dhe më pas zgjedhjet.
Sa për veten, “Pas të nesërmes, do të jem i lirë të bëj ç’të dua!” – tha ai.
Një djalë rom u qas pranë tavolinës për të shitur trëndafila. “Varufaqis! – thirri ai i mrekulluar. -Të pashë në lajme.” Varufaqisi e lejoi djalin ta ngacmonte mbi faktin që mbante gjithmonë me vete një çantë shpine, gjë që e bënte të dukej si çunak shkolle. Qeshi dhe pagoi pesë euro për një trëndafil, të cilin ja dhuroi Stratut. Tek po largohej, djaloshi thirri përsëri me të madhe “Varufaqis! Varufaqis!” dhe disa tavolina më tutje, truprojat e ministrit – dy djelmosha të veshur me sqimë, të cilët ngjanin jashtëzakonisht me Xhorxh Majkëllin, në videon e këngëtarit “Faith”, kthyen kokat të alarmuar.
Gallbrajti i tha Varufaqisit se instinkti po e gënjente në lidhje me rezultatin e referendumit. “Jo”-ja do të ngadhënjente, pavarësisht mbylljes së bankave. Shumicës së grekeve nuk iu kishte ngelur më asgjë për të humbur dhe shumë të tjerë ishin mbrojtur duke i shpenzuar paratë e tyre, ndoshta për të blerë ndonjë makinë. “Ndoshta,” – u përgjigj Varufaqis-. Stratu i hodhi një sy ekranit të telefonit. “Xhejms, mund të kesh të drejtë,” -tha ajo. Pastaj i tregoi ekranin Varufaqisit. Një anketë tregonte se “jo”-ja ishte para. “Mos i nënvlerëso bashkëkombësit e tu….populli më sypatrembur në këtë botë,” i tha Gallbrajti.
Edhe pse një fitore e “jo”-se do të ndërlikonte të ardhmen e afërt politike të Varufaqisit, ai e lejonte veten të mrekullohej me vullnetin e zgjedhësve grekë për të pranuar mbi vete vuajtje të tjera ekonomike të menjëhershme. Syriza nuk kishte sjellë ndonjë përmirësim të ndjeshëm të krizës, që kur kishte ardhur në pushtet, por pozitat e partisë gëzonin ende mbështetjen popullore. “Çfarë po ndodh kështu?” pyeti veten Varufaqis.
Kamerieri solli një kanë metalike me verë. Gallbrajti ngriti gotën dhe duke risjellë një shaka të vjetër me një emocion të ri, citoi Çe Guevarën: “Hasta la victoria siempre! (“Gjithmonë përpara drejt fitores!”). Varufaqis qeshi.
Ministria e Financave e Greqisë ndodhet në një ndërtesë betoni dhe xhamash me pamje mbi Sheshin Sintagma. Jashtë hyrjes së saj ndodhet një fushim protestuesish i krijuar nga ish-pastruesit e ministrisë, të cilët u pushuan nga puna dy vjet më parë. Në rrugët aty afër, kanë vendosur kuti kartoni pas xhamave të dritareve të kateve të sipërme. Zyrat janë kthyer në magazina. Në katin përdhes, qepenat e dyqaneve, të dekoruara me shkrime politike, qëndrojnë gjithmonë të ulura ose ngrihen vetëm për të shfaqur dyqane të sajuara aty për aty që shesin mallra të lira me çmim një euro.
Zyra e ministrit, në katin e gjashtë, ka një pamje të gjerë të sheshit, në anën tjetër të të cilit ngrihet parlamenti helen, një ish-pallat mbretëror. Kur u takova me Varufaqisin në ministri, pak ditë përpara referendumit, mezi mundëm të bisedonim nën poteren e thirrjeve të sindikalistëve komunistë poshtë ndërtesës: “Njerëzit do të shprehen!”
Në vjeshtën e vitit 2009, Jorgo Papandreu, udhëheqësi i PASOK-ut, partisë tradicionale të qendrës së majtë, u bë kryeministër. Për vite të tëra, shteti kishte marrë hua pa kursim nga bankat dorëshpuara në Greqi, Gjermani dhe Francë. Qeveria e Papandreut shpalli se administrata paraardhëse kishte publikuar një vlerësim aspak të saktë për deficitin e atij viti. Në vend të gjashtë apo tetë për qind të prodhimit të brendshëm bruto, një shifër kjo më se alarmante në vetvete, deficiti do të ishte në fakt 12.5 për qind. Dihej me kohë që Greqia vuante nga disa probleme apo mangësi të rënda ekonomike: evazioni fiskal, korrupsioni, prirjet oligarke, paaftësia për të prodhuar mallra konkurruese për tregun ndërkombëtar. Vlerësimi kreditor i vendit përkeqësohej nga viti në vit, bashkë me reputacionin për sinqeritetin statistikor.
Varufaqis, në atë kohë profesor me një karrierë të dytë si analist mediatik, propozoi idenë për të shpallur falimentimin me bankat. “Unë thashë se nuk ishim në gjendje të paguanim dhe se duhej të përballeshim me këtë fakt,” risjell ai ndërmend. Por argumenti kundër shpalljes së falimentit mbështetej forcërisht nga kujtimet e freskëta të falimentit të Lehman Brothers, në vitin 2008 dhe pasojat globale që shkaktoi. Qeveria rriti taksat, ngriu pagat dhe shkurtoi pensionet. Argumenti ekonomik për asketizmin ekonomik, pra, shkurtimin e shpenzimeve publike në kohë të vështira, mbështetet mbi supozimin se investitorët do të fitojnë më shumë siguri nga rritja e disiplinës. Por Greqia nuk qe e aftë të merrte hua me norma të ulëta. Në prill 2010, Papandreu shpalli se ekonomia greke ishte një anije në fundosje e sipër dhe kishte nevojë për ndihmën ndërkombëtare. Dy javë më vonë, njëqind mijë protestues kundër asketizmit ekonomik vërshuan në Sheshin Sintagma. Tre vetë u vranë kur një bombë Molotov shpërtheu përpara një banke.
Atë maj, institucionet e trojkës ranë dakord t’i huazonin Greqisë €110 miliardë euro. Kontributi i Gjermanisë ishte €20 miliardë euro. Kjo masë shpëtimi, por edhe huaja pasuese prej €130 miliardë euro, u shoqëruan me tre lloj detyrimesh: Greqia duhej të privatizonte asetet shtetërore, të tilla si porti i Athinës; të reformonte institucionet dhe praktikat që vlerësoheshin si jo rentabël, përfshi sistemet e shëndetësisë dhe mirëqenies sociale, që pashmangshmërisht do të shpinte në flakjen në rrugë të mijërave punonjësve të sektorit publik dhe përmirësimin e buxhetit nëpërmjet rritjes së taksave dhe shkurtimit të shpenzimeve. Në një ekonomi pa rritje ekonomike, një bilanc i tillë pozitiv kthehet në një masë të asketizmit ekonomik. Objektivi ishte 4.5 për qind i PBB-së së vendit.
Sot janë të shumta kritikat ndaj këtij plani, më së shumti i mbështetur në kërkesat e Gjermanisë. Te kritikët futen Pol Krugman, ekonomist dhe gazetar i revistës Times, Norman Lamont, deputet i Partisë Konservatore dhe ish-Kancelari Britanik i Thesarit, si dhe analistë të FMN-së. Huatë e BE-së e kthyen borxhin e pamenaxhueshëm privat në një borxh të pamenaxhueshëm institucional. Edhe pse huatë e reja ishin kryesisht afatgjata dhe me interesa të ulëta, ato përmbanin udhëzime që ndikonin tej masë në vendimmarrjen e shtetit për shpenzimet e përditshme dhe sipas mendimit të shumë ekspertëve, ato shtypën shpresat për një rritje ekonomike. Duke shkruar në kohën e huasë së parë shpëtimtare, Varufaqis e përshkroi atë si ndëshkuese – një deja-vu e Traktatit të Versajës, por kësaj radhe me Gjermaninë si perëndia dhe jo si viktima e hakmarrjes ekonomike.
Në prill 2012, Dhimitris Kristulas, një farmacist në pension, i cili jetonte me një pension të mjerë si të ardhur, vrau veten pranë një qiparisi, duke lënë pas një letër ku e krahasonte administratën greke me “qeverinë e Çollakoglut “, duke iu referuar kryeministrit kuisling gjatë pushtimit nazist të Greqisë. Vdekja e Kristulas u kthye në pishtar të tërbimit kombëtar. Pema e qiparisit u mbulua me pamflete politike nga të gjithë brezat.
Dimrin e fundit, kur kryeministri i katërt grek brenda katër viteve shpalli zgjedhje të parakohshme, borxhi tejkalonte vlerën e €300 miliardë eurove. Në proporcion me PBB-në, Greqia kishte dyfishin e borxhit qeveritar në krahasim me Gjermaninë apo Amerikën. Nëse, deri në ato muaj, ekonomia greke po jepte disa shenja rigjallërimi, pak ishin ata që po e ndjenin: papunësia e rinisë kishte arritur gjashtëdhjetë për qind. Varufaqis shkroi se vendi i tij ishte kthyer në viktimë të “torturave fiskale” të trojkës, të mundësuara nga gjunjëzimi i udhëheqësve grekë. Ai më tha se këta politikanë “nuk negociuan kurrë.” Përfaqësuesit e trojkës vetëm sa dërguan urdhrat e tyre me e-mail dhe grekët “thjesht i zbatuan.”
Varufaqis, një ekonomist matematicien me një reputacion akademik modest, ishte kthyer në një autor popullor në Greqi. Kur u shpallën zgjedhjet e parakohshme , ai e la pozicionin e profesorit në Universitetin e Teksasit, fluturoi në atdhe dhe nisi një fushatë zgjedhore dhjetë ditore ku shpenzimi i vetëm ishte karburanti i përdorur për motorin e tij. Ai po kandidonte si deputet për në parlament, me qëllimin parësor për t’u bërë ministër i financave në qeverinë Syriza. Zgjedhjet u mbajtën më 25 janar. Syriza dyfishoi vendet e saj në parlament dhe Ciprasi formoi një qeveri të re në koalicion me një parti të vogël të qendrës së djathtë, me të cilën ndanin të njëjtin qëndrim kundër kushteve të trojkës. Varufaqisi u zgjodh duke fituar një numër votash shumë më të madh se kandidatët e tjerë dhe u emërua ministër i financave. Përvoja e tij e vetme e mëparshme në një post të zgjedhur kishte qenë si udhëheqësi (i bardhë, grek) i Aleancës e Studentëve Zezakë në Universitetin e Eseksit, një institucion britanik, në fund të viteve shtatëdhjetë. Në këtë moment, ai pyeti veten: “Çfarë kam bërë?” Në blogun e tij, ai huazoi disa ide mbi rebelimin – dhe rrjedhimisht, dështimin e sigurë – nga Dilan Thomasi. “Sot, demokracia greke zgjodhi t’i japë fund zhytjes pa pipëtirë në humbëtirën e natës,” shkroi Varufaqis. “Demokracia greke vendosi të rebelohet kundër mekjes së dritës.”
Disa vite më parë, Varufaqisi i tha Jorgo Avgjeropulosit, një regjisor dokumentarësh, se ndryshimi midis një borxhi prej dhjetëra mijëra euro dhe një borxhi prej treqind miliardë euro ishte se ky i fundit të jepte pushtet për të negociuar. Dhe ky pushtet vjen vetëm me një kusht: “Duhet të jesh i gatshëm të thuash jo.” Pasi u zgjodh, Varufaqis përdori ndikimin aspak ideal të një alpinisti në ngjitje e sipër, i cili, i lidhur me litar me alpinistët e tjerë, shpall vendimin se do të heqë dorë. Në emër të qeverisë Cipras, Varufaqisi iu tha kreditorëve të Greqisë dhe mediave botërore se vendi i tij ishte kundër kushteve të marrëveshjeve. Ky qëndrim inkurajoi komente të shumta se Greqia i ishte futur një rrugë pa krye, nga “jo”-ja te falimenti, nga falimenti te “Grexit”, apo dalja e vendit nga eurozona, e cila mund të sillte një katastrofë ekonomike në Evropë dhe në botë.
Ishte njësoj sikur Kristofer Hitçensi të ishte gdhirë një ditë të bukur si Sekretari i Shtetit në Amerikë. Tashmë Varufaqisi nuk po shkruante thjesht blogje elegante kundër figurës së Kristina Lagardit, shefes së FMN-së, por ai po takohej me Lagardin. Brenda pak ditëve nga zgjedhjet në Greqi, një akademik me mbrujtje marksiste, me kokë të rruar dhe një nofull boksieri ishte kthyer në një nga politikanët më të njohur në botë. Ai tregoi një nivel intelekti dhe retorike plot vetëbesim – ose ndoshta krekosje të pajustifikuar – që ngriti peshë zemrat e grekëve dhe zemëroi keqas politikanët e Evropës Veriore. Refuzimi i tij për të mbajtur kollare, dukej se pasqyronte pamundësinë për t’i vënë fre burrërisë së tij.
Varufaqisin e takova për herë të parë në fund të prillit, kur karriera e tij politike ishte ende në hapat e para. Ai nuk i kishte hequr ende fotot në Instagram, me pishina dhe torta ditëlindjesh dhe në takimet e para me zyrtarë të lartë ai i lejoi vetes të rrëfente histori të sinqerta, vetëledhatuese, të tilla që shumica e politikanëve parapëlqejnë t’i rezervojnë vetëm për ditarët e tyre. Jo pa humor, ai i drejtohej Xhorxh Osbornit, kancelarit britanik të thesarit, si “Xhoxhi”.
Varufaqis ishte më i gatshëm se zyrtarët e tjerë të zgjedhur të pranonte faktin se karriera e tij mund të përfundonte shumë shpejt. Nuk ishte e qartë se për sa kohë një “jo” e buzëqeshur, por e çeliktë – edhe kur mbështetet në një teori të shëndoshë ekonomike, në një mandat popullor dhe një nivel karizme që frymëzoi një deputete të parlamentit portugez të shpallte në internet: “Dreqi ta marrë, por ministri grek i financave është seksi!” – mund të shërbente si qëndrimi parësor ndërkombëtar i një vendi të falimentuar, që shpresonte të qëndronte në bashkimin monetar. Varufaqis po negocionte ende për të drejtën për të negociuar, ndërkohë që marrëdhëniet e tij me kreditorët e Greqisë po degradonin. Ishte njësoj sikur të kishte rënë në mes të një alegorie të goditur mbi pushtetin e gënjeshtërt të Njeriut të Madh në histori. “Nuk dua t’ia di,” kishte thënë për të ardhmen e tij politike. Ai thjesht kërkonte një marrëveshje më pak ndëshkuese nga kreditorët: në këtë pikë, ai dhe Ciprasi, me anë të një marrëveshjeje personale, do të mbanin kollare…të paktën për një ditë të vetme. “Por kur ata më thonë, ‘Mund ta mbash punën nëse nënshkruan këtë program, që ta ngushton edhe më lakun në fyt,’ atëherë më mire të lë tjerët të vijnë dhe ta bëjnë.”
Gjatë një fluturimi me Lufthansan nga Uashingtoni në Mynih, Varufaqis më tha se kishte pasur një bashkëbisedim dhjetë minuta “shumë të këndshëm dhe mjaft befasues” me Presidentin Barak Obama, në një celebrim të Ditës së Pavarësisë të Greqisë në Dhomën Lindore të Shtëpisë së Bardhë. “Organizimi ta shpifte,” tha ai. “Shumë njerëz po shtyheshin të takoheshin dhe të përqafoheshin me të.” Aktori Xhon Stamos qëndronte në të djathtë të Varufaqisit. “Por, sipas gjasave, aty mundëm të flasim më seriozisht nga ç’do të kishim folur në Dhomën Ovale.”
Obama, tha Varufaqis, i kishte thënë se nuk e kishte aspak zili. (Në fakt, shumë politikanëve sigurisht që do t’ua kishte ënda rrethana të tilla, ku ka pak për të humbur profesionalisht, duke vepruar mbi atë që besojnë, pikërisht ashtu siç kanë kërkuar zgjedhësit, të cilët kanë shprehur qartë vullnetin e tyre.) Varufaqis i tha Obamës se situata ishte e vështirë: “Ju trashëguat një katrahurë, kur morët detyrën, por të paktën kishit mbështetjen e bankës qendrore. Edhe ne kemi trashëguar një katrahurë, por kemi një bankë qendrore” – Bankën Qendrore Evropiane – “që po na mbyt.” Sipas Varufaqisit, Obama i ishte përgjigjur: “Mos nënvleftëso sa e vështirë ishte për mua,” duke shtuar se shpëtimi financiar i Wall Street-it ishte “kundër politikave të mia” dhe një “helm politik.” Ai e nxiti Varufaqisin “t’i gëlltiste kritikat.” (Shtëpia e Bardhë refuzoi të komentonte mbi bashkëbisedimin.)
Varufaqis kishte shkuar në Uashington për tre dite me takime të njëpasnjëshme në një konferencë pranverore të zyrtareve më të lartë financiarë të botës. Pak pas takimit në Shtëpinë e Bardhë, ai dhe Volfgang Shoble, ministri i pushtetshëm gjerman i financave, kishin mbajtur nga një fjalë në Brookings Institute, me gjysmë ore diferencë nga njëri tjetri. Kjo diferencë kohore nuk ishte aq e gjatë sa të pengonte batutat e audiencës për rrezikun e një samiti në hollin e pritjes. (Në një konferencë të përbashkët në Berlin, në shkurt, Shoble kishte thënë mbi takimin e tyre të parë, “Ramë dakord për të mos u pajtuar” – një deklaratë me të cilën Varufaqis nuk kishte rënë dakord.
Që nga viti 2010, fati i ekonomisë së Greqisë ishte përcaktuar kryesisht nga përfaqësuesit e Gjermanisë, ekonomia më e madhe e Evropës dhe në veçanti, nga Merkel dhe Shoble. Mëria mes dy vendeve buron nga kujtimet e Luftës së Dytë Botërore dhe nuancohet më tej nga perceptimi gjerman për grekët si “dhelpra dorëshpuara të pandreqshme,” siç u shpreh njëherë Varufaqis. Mosbesimi nuk u zbut, kur, gjatë një interviste televizive në një program gjerman për zhvillimet aktuale, Varufaqisit iu desh të përballej me një video të vetes të vitit 2013, ku mbante një fjalim në Festivalin Anarkist të Zagrebit – një ngjarje ku kishte marrë pjesë edhe Oliver Stoun. Në video, Varufaqis po përshkruante se si, tre vjet më parë, kishte argumentuar që Greqia duhej të falimentonte dhe “t’i tregojë gishtin e mesit Gjermanisë” – këtu ngriti gishtin – “dhe t’i thotë ‘Epo, tani mund ta zgjidhësh vetë problemin.” Videoja në fjalë ishte redaktuar jo ndershmërisht, duke fshehur faktin se Varufaqis po i referohej vitit 2010 – kur dhe kishte mbrojtur qëndrimin për falimentimin e Greqisë në lidhje me huatë e bankave private – por përgjigjja e tij, si rrallëherë e acaruar, ishte se regjistrimi qe i gjithi një mashtrim dhe se ai kurrë nuk e kishte bërë një gjest të tillë në jetën e tij.
Dy fjalimet në Brookings treguan dy qasje vetësigurie, madje arrogante, që binin ndesh me njëra tjetrën. Varufaqis la përshtypje me retorikën e tij: Udhëheqësit evropiane, sugjeroi ai, duket se kanë për qëllim ta zgjidhin krizën kontinentale “duke e eksportuar atë në pjesën tjetër të globit.” Shoble foli sikur po udhëzonte kolegët, mendimet e tij luftarake të zbutura nga një shqiptim babaxhan. “Në Evropë kemi një arsye të fortë për të mos ofruar ndihmë financiare pa kërkuar diçka në këmbim,” tha ai përzemërsisht. Pak më vonë: “Edhe Janis Varufaqis, i cili është një ekonomist i famshëm, nuk është i pari ekonomist në historinë e botës…jo!”
Në Shtëpinë e Bardhë, Varufaqis përsëriti një fjali që e kishte përdorur në Brookings: “Z. President, qeveria ime po planifikon dhe unë po planifikoj për kompromis, kompromis dhe kompromis, por nuk do ta lëmë veten të komprometohemi.” (“Kjo i pëlqeu,” kujton Varufaqis.) “Z. President, sigurisht që dikush duhet të paguajë kostot për të vjelë përfitimet, por këtu është çështje balance. Duhet të ketë një balancë pozitive.” Pastaj vazhdoi: “Po na asfiksojnë, sepse u përpoqëm të simulojmë atë çka bëtë ju, e shikoni?”
Obama tregoi më shumë solidaritet nga sa priste Varufaqis. “E di…asketizmi ekonomik ta shpif,” i kishte thënë Obama. (“Ai përdori këto fjalë. Aspak presidenciale.”) Sipas Varufaqisit, Presidenti e kishte më shumë fjalën për mungesën e efektivitetit se sa për faktin që ishte një politikë e pakëndshme. Obama donte të thoshte se “asketizmi ekonomik nuk funksionon…krijon mjerim, është vetë-përjetësues dhe i dënuar të dështojë.”
Varufaqis i tha Obamas se nuk kishte ndjerë të njëjtin mirëkuptim kur kishte biseduar me Sekretarin Amerikan të Thesarit. “Xhek Lju nuk po ndjek vijën e Obamës,” tha ai. “Ti e di si janë ministrat e financave,” i qe përgjigjur Obama. “Ata janë më konservatorë.”
Varufaqis ndryshoi avionin në Mynih dhe fluturoi në Athinë. Duke pritur për të hyrë në avion, një grua i tha: “Mos u dorëzo! Vazhdo të thuash jo.” Dhe, ditën kur editoriali në Frankfurter Allgemeine Zeitung citoi një burim pa emër nga radhët e kreditorëve grekë, që përshkruante negociuesit grekë si “ta paaftë dhe të papërvojë,” një burrë me theks gjerman prezantoi veten dhe tha: “Njerëzit më thonë se ngjaj me ju.” Edhe ai e kishte kokën e rruar dhe si Varufaqis – i cili kishte mbathur këpucë Doc Martens në Shtëpinë e Bardhë – kishte ruajtur njëfarë shije rinore në veshjen e tij, pavarësisht moshës së mesme.
Varufaqis pozoi për një foto të përbashkët.
Në pistë na priste një Hyundai i lënë pas dore. Me makinë dolëm nga aeroporti dhe hymë në një lloj reklame për makina: një autostradë e boshatisur, me ulje dhe ngritje të buta, e cila qe ndërtuar pak para Olimpiadës Verore të vitit 2004. Më vonë bisedova me Elena Psikun, një regjisore greke, filmi i ardhshëm i se cilës bën fjalë pikërisht për këtë periudhë. Ajo e përshkroi skenarin e filmit si një studim i refuzimit për të pranuar të vërtetën.
Ishte e diel, gjë që i dha Varufaqisit mundësinë të mos e kontrollonte telefonin çdo dy minuta për të marrë informacion në kohë reale mbi gjendjen e financave greke. “Nuk dua t’ia di për tregjet e aksioneve,” tha ai. “Ato le të bien sa të duan.” Në fakt, shifra që kërkonte ngelej e papublikuar: “Bilanci, ndryshimet në të.” Pas zgjedhjeve, Varufaqis kishte refuzuar të nënshkruante një marrëveshje, që e mbante Greqinë në një trajektore të rënë dakord paraprakisht, e cila bllokoi këstin e fundit prej €7.2 miliardë nga huaja e shpëtimit. Ky veprim e rifuti Greqinë në recesion dhe nuk bëri asgjë t’u paraprinte pagesave të borxhit. Kriza greke ishte kthyer me kohë në një krize tkurrjeje, varfërie dhe papunësie, por këtë pranverë statusi debitor i Greqisë mori përmasat e një republike bananesh. Pensionistët tërhoqën kursimet e jetës nga bankat dhe grekët i paraprinë faktit që qeverisë do t’i fironin paratë. Në makinë, Varufaqis pranoi vështirësitë e punës së tij, pastaj u çel në fytyrë: “Të paktën kjo ka më kuptimin se ata që rrinë përpara terminaleve Bloomberg për të luajtur me marzhin, apo jo?” Atë nuk e kishte braktisur humori dhe kishte ende shpresa se në fund Merkeli do të bënte të sajën për arritjen e marrëveshjes.
Në Uashington, megjithatë, nuk kishte marrë ndonjë inkurajim të madh. Ai tha se u kishte thënë përfaqësuesve të trojkës: “Nëse kujtonin se do të gjunjëzoheshim me këto tortura kineze, atëherë do të zhgënjeheshin keqas. Ndaj dhe gjaku do t’u ngelej atyre në duar.”
Rrugës, Varufaqis foli për të atin, Jorgon, kokëfortësia e të cilit kishte ndikuar në formësimin e të birit. Më 1946, gjatë luftës civile greke kundër rebelëve komunistë, Jorgo Varufaqis u arrestua si një student i majtë dhe refuzoi të nënshkruante një letër ku denonconte komunizmin. Ai u burgos për katër vjet dhe u torturua vazhdimisht. Po të kishte nënshkruar, do të kishte fituar lirinë. Më vonë u takova me vetë me plakun Varufaqis, drejtorin e përzemërt të një kompanie çeliku, i cili, në moshën nëntëdhjetë vjeçare, vazhdon të paraqitet në zyrë çdo ditë. Ai më rrëfeu se për vite me radhë, pasi doli nga burgu, nuk ishte në gjendje të dëgjonte Johan Shtrausin: torturuesit e tij “luanin valse me volum të lartë, në mënyrë që të mos dëgjoheshin zërat, ulërimat tona.”
Pasi Jorgo Varufaqis u kthye në kolegj, një studente femër e mbajti nën vëzhgim për llogari të një grupi paramilitar të krahut të djathtë – “Gjëra Stasi,” e përmblodhi Jani. Por ajo ra në dashuri me Jorgon dhe ata u martuan. Jani lindi më 1961. Gjatë diktaturës ushtarake të periudhës 1967-1974, xhaxhai i Varufaqisit, një çlirimtar, u burgos për pjesëmarrje në terrorizëm të shkallës së vogël. Varufaqis kujtoi ngazëllimin kur u dënua, sepse i sillte letra xhaxhait fshehurazi gjatë vizitave në burg.
Ende në makinë, Varufaqisit i ra telefoni. Ai bisedoi rreth një minutë në greqisht. Pastaj buzëqeshi: kishte qenë një koleg i kabinetit, i cili ishte “i bekuar me optimizëm të natyrshëm.” Pastaj vazhdoi: “Pa pasur asnjë ide, më thotë, ‘Mirëserdhe, jam i bindur qe ke bërë punë fantastike, gjithçka do të shkojë si mos më mirë!’” Varufaqis qeshi: “E nga dreqin e di ai!”
Të nesërmen e kthimit nga Uashingtoni, Varufaqis shkoi në punë me motor. Në ministri u takua me tre bankierë gjermanë, të cilët, në një shfaqje solidariteti, nuk kishin vënë kollare. Më pas drejtoi një diskutim mbi krijimin e një autoriteti grek taksash më të pavarur – një ambicie e vjetër kjo e trojkës. Pjesa dërrmuese e të ardhurave greke nuk raportohen. Sipas një analize të vitit 2012, rroga mesatare e deklaruar e grekëve të vetëpunësuar në sistemin e shëndetësisë ishte €1628 euro; të njëjtët punonjës paguanin mesatarisht €1628 euro në muaj në këste huaje.
Atë mbrëmje, Varufaqis shkoi në Shtëpine Maximos, vetëm pak minuta larg, për të takuar Ciprasin. Varufaqis raportoi mbi takimin në Uashington dhe argumentoi në favor të ngritjes së organit të ri të tatimeve. Ata qëndruan bashkë për tre orë e gjysmë. “Ai u bind, kështu që biseda ishte pozitive,” kujtoi më vonë Varufaqis.
Pas orës dhjetë të darkës, ai më nisi një e-mail dhe unë i shkova në shtëpi, në katin e fundit të një pallati në veri të Athinës. Varufaqis dhe Stratu sapo kishin hyrë në apartamentin e ri. Shtëpia e tyre e mëparshme, në një ndërtesë në pronësi të prindërve të Stratut, kishte dalë në Revistën Paris Match më përpara atë vit, me foto që tregonin Varufaqisin në piano dhe duke u prehur bashkë me Stratun në tarracë, me Akropolin në sfond. Fotot shkaktuan një skandal të vogël. Edhe pse apartamenti nuk dukej dhe aq luksoz, Stratu dhe familja e saj njihen se janë në gjendje të mirë ekonomike dhe për shumë kritikë dukej se çifti po reklamonte rehatinë e tij në një kohë krize dhe skamjeje kombëtare. Kritika më therëse ishte për sqimën e tepërt: ata ngjallnin vetëbesim të tepërt me rrobat e prera sipas trupit dhe elegancën mesdhetare, por edhe kishin dështuar t’i paraprinin stilit farfuritës të Revistës Paris Match. “Estetikisht, ishte një katastrofë!” më tha Varufaqis. “E kisha unë fajin.” Nisur nga zallamahia në fjalë, do të dukej e pasjellshme të raportoja që shtëpia e tyre e re ishte e këndshme: qindra metra katrorë hapësirë e dekoruar me një stil modern të borgjezisë së lartë, plot vepra arti, dysheme me parket dhe divane të ulëta e të rehatshme.
Varufaqis dhe Stratu kanë ndjekur të njëjtën shkollë të mesme private në Athinë, edhe pse nuk mbajnë mend të jenë takuar. Në vitin 1978, Varufaqis u regjistrua në Universitetin e Eseksit, një kolegj radikal në verilindje të Londrës, ku u bë pjesë e Partisë Komuniste të Britanisë së Madhe. Ai kujton se, si fytyra e Aleancës së Studentëve Zezakë – një rol që e kishte marrë pas këmbënguljes së studentëve zezakë – ai “do të ngrihej në këmbë dhe do të thoshte: ‘Ne zezakët besojmë…’ dhe të gjithë do të gajaseshin.” “Pastaj unë do t’i shikoja në sy,” vazhdoi ai, “dhe do t’u thosha: ‘Ngjyra është thjesht çështje perceptimi dhe ne greket jemi zezakët e Evropës, bashkë me irlandezët.’”
Marrëdhënia e Varufaqisit me Stratun krijon hapësirë për fërkime të shpeshta, më së shumti miqësore, gjë që del në pah nga fraza: “Ok, tregoje ti historinë.” Varufaqis tregoi se si një i huaj, gjatë periudhës së Theçerit në Britani, ai ndjehej gjithmonë i kërcënuar nga dhuna në rrugë. Stratu, e cila ka studiuar në Kolegjin St. Martin, vetëm pak vite më vonë, e hidhte poshtë këtë argument. “Po ti ishe në parajsë, në Londër!” i thoshte Varufaqis. Këtë verë, një faqe greke në internet hamendësoi se Xharvis Kokër ish-solisti i grupit “Pulp”, i referohej Stratut në këngën “Common People” (njerëz të thjeshtë), hiti i famshëm i grupit në vitin 1995. Kënga autobiografike nis kështu: “Ajo erdhi nga Greqia, e etur për dije/Studioi skulpturë në Kolegjin St. Martin.” Pastaj vazhdon duke cituar Stratun: “Dua të jetoj si njerëzit e thjeshtë/ Dua të bej gjithçka që bëjnë ata.” Më vonë, Varufaqis më tha se asokohe Stratu ishte e vetmja studente për skulpturë në kolegjin St. Martin.
Varufaqis studioi për ekonomi, por në fund arriti në përfundimin se fusha, në formën e saj akademike, ngjante më shumë si një lloj “astrologjie e kompjuterizuar.” (Ai ka shkruar për shpresën që, si profesor, ta shpalosë ekonominë përpara studentëve si një “një fushëbetejë ku përplasen pa mëshirë armatat e ideve.” U përqendrua kryesisht te matematika, përpara se t’i rikthehej ekonomisë me një tezë doktorature mbi dinamikat e grevave të punëtorëve. Për një kohë të shkurtër, u mor gjithashtu me garat profesionale me makina. “Isha shumë i zoti në garat kualifikuese” – kur nuk kishte garues të tjerë në pistë – por, “zero me bisht në garë.” Pastaj shtoi: “Isha ose jo agresiv sa ç’duhej, ose, kur më duhej të rikuperoja, më agresiv se ç’duhej. U përplasa disa herë.”
Varufaqis, i cili e ka krahasuar pozicionin e tij në fushën e ekonomisë si “një teolog ateist i mbyllur në një manastir mesjetar,” ka pasur disa pozicione si profesor rishtar në universitetet britanike, përpara se t’i bashkohej fakultetit të Universitetit të Sidnejit, ku u takua me gruan e tij të parë, një historiane greko-australiane. Në vitin 2000, Varufaqis u kthye në Greqi si profesor në Universitetin e Athinës. Aty publikoi mbi teorinë e lojës dhe me raste këshillonte Jorgo Papandreun, në atë kohë në opozite. Së afërmi, Varufaqis ma përshkroi Papandreun si të kishte mendjen ekonomike të një pesëvjeçari. Varufaqis nuk votoi kurrë për Papandreun; as nuk u rreshtua menjëherë me Syrizan, kur kjo u themelua, në vitin 2004, si një grupim i partive të vogla të së majtës. “Kërkonim të njëjtat gjëra, por ata ishin mishmash në drejtim të ideve – ekologë, komunistë.”
Në vitin 2005, ai u nda nga e shoqja, vetëm pak kohë pas ardhjes në jetë të vajzës së tyre; ajo dhe e ëma jetojnë në Australi. Me pas u takua me Stratun, e cila i kërkoi një këshillë mbi një projekt arti që kishte të bënte me tensionet politike ose me mosmarrëveshjet mbi vijat kufitare. Nuk vonoi dhe të dy nisën një seri udhëtimesh që zgjatën një vit për të fotografuar kufij të tillë si Qipro, Kashmiri dhe gjetkë. Ai shkroi tekstin shoqërues, “Muri Globalizues” dhe nisi të publikonte ese personale dhe kulturore. Po dilte gjithnjë e më në pah si një intelektual publik i gjithanshëm në brumin e Sllavo Zhizhek.
Duke pasur “një mbrujtje marksiste,” siç shprehej vetë Varufaqis, ai kishte prirjen ta shihte qetësinë si një prelud të trazirës: “Shumica e kolegëve të mi ekonomistë i shohin krizat si aksidente që mund të parandalohen – njëfarë gabimi i një politike çfarëdo – ndërkohë që, nëse e sheh botën nga këndvështrimi im, është kapitalizmi që i prodhon ato.” Përpara 2007-ës, më tha ai, kishte nisur të ndihej “shumë nervoz” në lidhje me mungesën e stabilitetit në një sistem ku lëvizja e kapitalit global po mbështetej gjithnjë e më shumë mbi atë çka ai e gjykonte si politikë e qëllimtë e Amerikës për të rritur deficitin. Më vonë, në një libër plot frymëzim, “Minotauri global,” që disa kritikë e cilësuan me prirje konspirative, ai ricikloi një metaforë që e kishte përdorur edhe më parë për të kritikuar politikën e jashtme amerikane. Amerika ishte një bishë ekonomike, e cila mbahej sus vetëm nga thithja e vazhdueshme e parave të botës nëpërmjet terminaleve të Wall Street-it. “Aty nga viti 2007, kuptova se po përballeshim me perspektivën e një Depresioni tjetër të Madh,” tha ai. Pastaj, pas kolapsit të Lehman Brothers, “deklaratat nga Evropa qenë tepër idiote,” vazhdoi ai. “Për shembull: ‘Ky është një problem anglo-sakson. Ne jemi të sigurt, sepse kemi praktika të sigurta në sektorët bankarë të Evropës.’ Besoje, po deshe!”
Kur kriza goditi Greqinë, Varufaqis nisi blogun e tij dhe bashkë me Stjuart Holandin, një akademik dhe ish-politikan britanik, botoi një ese, “Një propozim modest.” Eseja sugjeronte mënyra me të cilat BQE dhe BE mund të bindnin bankat në zotërim të bonove të vendeve në vështirësi të eurozonës të falnin pjesën më të madhe të borxhit dhe përfytyronte një Evropë që mund të emetonte bonot e saj për të financuar investime stimuluese – me pak fjalë, kursimet gjermane të përdoreshin për të shpëtuar Irlandën dhe Greqinë. Varufaqis, i cili kishte argumentuar kundër vendimit të Greqisë në vitin 2001 për të hyrë në euro, shkroi se, nëse do të ndodhte një bashkim financiar, kjo nuk duhej të bëhej vetëm përgjysmë dhe se duhej të funksiononte pak a shumë si bashkimi që lidh Kaliforninë me Alabamën.
Varufaqis dalloi dobësitë e shumta të ekonomisë greke, por ai parapëlqeu të fliste për një krizë bankare, në vend të një krize borxhi dhe për një krize evropiane, në vend të një krize greke. Nëse Greqia kishte marrë më shumë borxh nga ç’i mbante xhepi, fajtorët e vërtetë ishin kreditorët, që tani po qëndronin në radhë për fondet e shpëtimit. Euro kishte krijuar një iluzion: bankat i kishin dhënë hua Greqisë sikur kjo të ishte një studente e garantuar nga prindër të pasur. Por këta garantues nuk ekzistonin dhe kur u mbyll saraçineska e huave, Greqia u zu në kurth nga e njëjta monedhë që e kishte joshur aty. Vendi nuk kishte më mundësinë të zhvlerësonte monedhën e vet, një masë e dhimbshme kjo, si, p.sh., Argjentina në fillim të shekullit. (Zhvlerësimi i monedhës varfëron njerëzit e një vendi, por i bën mallrat që prodhon më të lira, pra, më joshëse). Ndërsa euros i mungonte një organ drejtues, si psh, Rezerva Federale ose Banka e Anglisë, i cili mund të fuste para të printuara rishtazi në ekonominë greke; për dëshpërimin e Varufaqisit, BQE-ja nuk ishte kjo lloj banke.
Pjesërisht sepse Varufaqis kishte këshilluar dikur Papandreun, idetë e tij bënë jehonë. “Fitova dy gjërat që urrej më shumë: fansa dhe armiq,” – më tha ai. Një burrë kërcënoi dhunshëm familjen e Varufaqisit nëse ky nuk ndalte kritikat për njërën nga bankat.
Në atë kohë, Agimi i Artë, partia neonaziste greke, po fitonte mbështetje popullore. Stratu i tha Varufaqisit: “Ose mos u përfshi, ose futu në politikë që të na mbrosh, ose po ikim nga ky vend.” Në vitin 2012, Varufaqisit iu propozua pozicioni si profesor i jashtëm në Universitetin e Teksasit dhe çifti u transferua në Ostin. Varufaqis jepte leksione mbi krizën për studentët pasuniversitarë dhe bashkë me Gallbrajtin, ripunuan “Një propozim modest.” “Ata ishin kalorës fisnikë në përpjekje për të shpëtuar botën!” me tha Stratu, duke qeshur me fjalët që kishte përzgjedhur, por e sinqertë në adhurimin e saj. Ciprasi, një ish-inxhinier civil, u zgjodh në parlament në vitin 2009 dhe u bë udhëheqësi i Syrizas. Në vitin 2014, ai i bëri thirrje Varufaqisit që ky të përfaqësonte partinë në zgjedhjet për Parlamentin Evropian, i cili mblidhet në Bruksel. Varufaqis refuzoi. Në ato zgjedhje, Syriza fitoi më shumë vende se çdo parti tjetër. Pozicioni i qeverisë greke të qendrës së djathtë u dobësua edhe më, por u godit më fortë kur trojka shpalli se Greqia nuk i kishte mbajtur premtimet për reforma dhe kërkoi masa të mëtejshme, përfshi shkurtime të tjera të shpenzimeve, përpara se të derdhte këstin e radhës prej €7.2 miliardë euro nga fondi i shpëtimit. Dukej se zgjedhjet e radhës po trokisnin në derë dhe fitorja e Syrizas qe e pashmangshme. Ciprasit i kishin pëlqyer shkrimet e Varufaqisit dhe kishte krijuar idenë se ky mund të ishte një ministër efektiv financash, pavarësisht mungesës së përvojës dhe të lidhjeve me Syrizan. Varufaqis pranoi të kthehej në atdhe. Sipas Stratut, ai “mendonte se, kur të ishte tetëdhjetë vjeç dhe të hidhte sytë pas, nëse nuk do ta kishte shfrytëzuar atë mundësi, kjo do t’i dukej si një tradhti ndaj vendit.” Ajo rikujtoi se sa shpesh i kishte thënë Varufaqis: “Nëse do të isha unë ai që fliste me Merkelin, do të kisha vepruar kështu…”
Dy ditë pasi Varufaqis u betua si ministër, ai doli vetëm në Sheshin Sintagma. Aty po e priste Jorgo Avgeropulo, regjisori i dokumentarëve, për ta prezantuar me Emi Kristulën, vajzën e farmacistit që kishte kryer vetëvrasje. Varufaqis vendosi lule buzë qiparisit ku kishte vdekur Kristula. (Varufaqis nuk njoftoi mediat dhe as mua nuk ma përmendi një gjë të tillë, por e lejoi Avgeropulon të filmonte.) Akti i parë i Ciprasit si kryeministër ishte të vendoste lule në një përkujtimore në periferi të Athinës, ku dyqind luftëtarë të rezistencës greke ishin ekzekutuar nga forcat naziste në vitin 1944. Gazetat gjermane e shfrytëzuan rastin për të vënë në dukje simbolizmin.
Në ministri, Varufaqis bisedoi në telefon me Zheron Dizhselblomin, ministri holandez i financave. Dizhselblom është aktualisht president i Eurogrupit, komitetit të gjithëpushtetshëm, edhe pse disi i paqartë nga ana kushtetuese, i ministrave të financave të vendeve pjesë e eurozonës. (Janë nëntëmbëdhjetë vende të tilla; nëntë të tjera, përfshi MB-në, janë në BE, por jo në eurozonë.) Askush në Eurogrup nuk ka më shumë pushtet se Shoble, por Dizhselblomi ka marrë rolin e qehajait ose po të citojmë një kritik aspak dashamires, të kamerierit. Nëse Greqia kërkonte të ndryshohej “programi” ekonomik i mandatuar nga huatë e trojkës, atëherë i duhej bekimi i Eurogrupit. Sipas përshkrimit të Varufaqisit, nëntëmbëdhjetë qeveritë mund të ndahen në tre grupe: “Kemi një pakicë të vogël që beson në asketizmin ekonomik dhe rrjedhimisht, në këtë program.” Gjermania udhëheq këtë pakicë. Një grup i dytë – Irlanda, Spanja, Portugalia dhe vendet baltike – kanë ndjekur programe të asketizmit ekonomik dhe tani tremben se mos Syriza, nëse është e suksesshme, do t’i ekspozoje këto vende kundrejt opozitës radikale në vend. “Pastaj kemi edhe një grup tjetër, me vende me peshë si Italia dhe Franca – sidomos Franca – të cilat nuk besojnë në asketizmin ekonomik. Por ato kanë frikë se, po të mbajnë anën tonë, do të ndëshkohen.” Ky ndëshkim do të ishte pikërisht asketizmi ekonomik.
Marrëveshja e Greqisë me trojkën do të skadonte në 28 shkurt. Nëse Syriza nuk pranonte të respektonte termat ekzistues dhe programit i skadonte afati, BQE-ja nuk ishte më e detyruar t’u jepte bankave greke kredi të tjera nga fondi i emergjencës, të cilave rrjedhimisht do t’u fironin paratë. Vendit do t’i duhej të emetonte monedhën e vet, që do të ishte de facto një dalje nga eurozona. Varufaqis shpalli se shpresa ishte që, përpara 28 shkurtit, Eurogrupi të pranonte një “urë” – një rinovim afatshkurtër të huave, që do të krijonte kohë të mjaftueshme për të negociuar ndryshime në program. Syriza mundej, psh, të vononte privatizimet, në një kohë kur çmimet për asetet shtetërore ishin jashtëzakonisht të ulëta dhe të mbante një premtim zgjedhor për të rritur pensionet shtetërore dhe rrogat minimale. Varufaqis kërkonte gjithashtu një lehtësim të borxhit.
Në telefon, rikujton Varufaqis, Dizhselblomi “ishte jashtëzakonisht i këndshëm,” duke pyetur, “Çfarë do të bësh?” Duke premtuar të negocionte në mirëbesim, Varufaqis kërkoi urën. Sipas tij, Dizhselblomi u përgjigj: “Më duket e arsyeshme. Po vij për nja dy ditë.”
“Nga ai moment gjithçka mori të tatëpjetën,” tha Varufaqis.
Kur erdhi në Athinë, Dizhselblomi bëri të njëjtën pyetje dhe Varufaqis dha të njëjtën përgjigje. Kësaj here, Dizhselblomi u përgjigj: “Nuk ka për të ndodhur.” (“Nuk kam pikë dyshimi se, nga telefonat e deri te vizita, atë e kane “bindur” të ndryshonte qëndrim,” me tha Varufaqis. Ai refuzoi të përmendte hapur Gjermaninë, por shtoi: “E gjen vetë se kush!”) Varufaqis pyeti Dizhselblomin: “Mos po më kërcënon me një Grexit që ditën e parë?” Tjetri i ishte përgjigjur se dështimi i programit nuk do të sillte domosdoshmërish daljen e Greqisë nga euro.
“Por banka do të mbyllen,” kishte thënë Varufaqis.
“Po, sigurisht,” kishte ardhur replika e Dizhselblomit. (Javën e shkuar, një zëdhënës për ministrinë holandeze të financave kishte thënë se “Ne nuk i komentojmë kurrë raportet mbi diskutime të mbajtura me dyer të mbyllura. Z. Dizhselblom po përpiqet të shijojë pushimet verore të qeverisë. Do të këshilloja Z. Varufaqis të bënte të njëjtën gjë.”)
Në konferencën e përbashkët për shtyp që pasoi, Varufaqis shpalli se Greqia do të vazhdonte negociatat me BE-në, BQE-në dhe FMN-në, individualisht, por jo si një bllok që kishte pushtetin – aq të urryer – për të vendosur zyrtarët e tij në ministritë greke. Ai po përpiqej njëanshmërisht ta shkëpuste borxhin nga ndërhyrjet e përditshme në qeverisjen greke (ose, siç e përkufizoi ai, “një strukturë poshtërimi”). Varufaqis foli kështu në greqisht. Pati një moment qetësie ndërkohë që Dizhselblomi po dëgjonte përkthimin në kufje. Sot Varufaqis pretendon se, kur ishin vetëm, Dizhselblomi kishte pranuar se reforma e trojkës ishte e pashmangshme. Por deklarata e Varufaqisit nuk transmetoi këtë. Dizhselblomi u ngrit të ikte; fytyra e Varufaqisit shfaqte buzëqeshjen e pafajshme dhe të sikletosur të dikujt që kishte thënë me shumë nga ç’kishte synuar mbi një argument të brendshëm. Dizhselblomit “i iku truri,” me tha Varufaqis. “Ai më pëshpëriti në vesh: ‘Sapo i dhe dërrmën trojkës.’”
Fama e Varufaqisit u shtua edhe më, pasi harroi valixhen në një taksi athinase. Kur mbërriti në Paris, mbrëmjen vonë, pikënisja e një turi nëpër kryeqytetet evropiane, ai kishte vetëm rrobat e trupit me vete. Atë natë, në një dyqan Zara, ai bleu dy këmisha dhe një palë pantallona. Për të gjetur një pallto iu desh të mbështetej te Teodor Pasas, ambasadori grek në Francë. “Ai është një ambasador me shije,” më tha Varufaqis. Pasa i huazoi Varufaqisit një xhaketë motoçiklete alla-gangsterësh dhe një pallto gjuetie dhe kur Varufaqis e veshi në një takim me Xhorxh Osbornin në Londër – mbi një këmishë ngjyrë blu me shkëlqim – shtypi evropian i mbushi faqet me artikuj për ministrin e shtetit që vinte vërdallë sikur të ishte i armatosur. “Funksionoi për mrekulli!” më tha Varufaqis. “Madje me thirrën mafiozi rus, e beson?” Në atë vizitë, Lordi Lamont, politikani britanik konservator, i cili i kishte dërguar Varufaqisit një sërë mesazhesh inkurajuese (deri në atë pikë sa Varufaqis e quante “miku im më i mirë”), e mori grekun në një klub të Pall Mall-it për mëngjes. Siç u shpreh Lamonti për Financial Times: “Ata nuk donin të dëgjonin që kostumi i tij kombëtar nuk përfshinte një kollare.”
Në prill, Varufaqis më tha se Osborni kishte rënë dakord me të për “gjithçka.” Varufaqis e kishte zakon të besonte ose të paktën kështu pretendonte se ato që një politikan thoshte me përzemërsi gjatë një dreke ishin më të sinqerta nga çfarë mund të deklaronte në publik. (Një zëdhënës i Thesarit Britanik refuzoi të komentonte mbi bashkëbisedimet e Osbornit.) Varufaqis më tha se ai dhe Mishel Sapini, ministri francez i financave, flisnin “si vëllezër, kur jemi vetëm.” Pastaj shtoi: “Ai më thotë: ‘Bashkë do ta ndryshojmë Evropën!’ Pastaj dolëm jashtë – konferencë për shtyp, mikrofona dhe kamera – dhe ai thotë: ‘Greqia duhet të përpiqet më shumë, duhet të pranojë kushtet.’” Varufaqis tha se, kur e kishte sfiduar Sapinin në këtë pikë, përgjigjja e trishtë kishte qenë: “Jani, Franca nuk është më ajo e para.” – që do të thotë se nuk ka më pushtetin e mëparshëm. Një zëdhënës i Sapinit e mohoi këtë version të ngjarjes, duke shtuar se Varufaqis “është një person inteligjent dhe i shkëlqyer, porse i mungon botëkuptimi politik.”
Dhjetë ditë pas zgjedhjeve, Varufaqis mori pjesë në takimin e tij të parë të Eurogrupit. “Njerëzit kujtojnë se [takimet] janë njësoj si zhvillimet dramatike në një sallë gjyqi,” tha Varufaqis. “Nuk është aspak kështu. Janë tmerrësisht të mërzitshme.”
Eurogrupi takohet më vete, çdo ministër nga të nëntëmbëdhjetët vetëm me një koleg tjetër. Në takimet që mbajti Varufaqis, qenë të pranishme edhe institucionet kreditore. Pas fjalëve të hapjes, ministrat flisnin me radhë. Shoble dominonte dhomën. “Të gjithë i kishin sytë te ai, se çfarë do të thoshte dhe me tonin që do e thoshte,” kujton Varufaqis. Pastaj pjesëmarrësit përpiqeshin të binin dakord mbi një komunikatë. Në këtë pikë, “plaste sherri,” tha Varufaqis. Kur nuk i pëlqeu një draft-komunikatë, ai ngriti dorën: “Zheron, nuk mund ta pranoj dot këtë fjali. Duhet të shtoj këtë mbiemër këtu dhe të heq këtë folje këtu.” Shpesh, Shoble kundërshtonte sugjerimet e Varufaqisit.
“Kjo mund të zgjaste për gjashtë orë,” tregon Varufaqis.
Në kundërshtim me traditën, ministria e Varufaqisit e bëri më pas publike fjalën e tij të hapjes në seancën e parë të Eurogrupit. “Ne duhet të fitojmë besimin tuaj pa humbur besimin e popullit tonë, të votuesve tanë, te të cilët gëzojmë ende një mbështetje të konsiderueshme. Sepse ky miratim është një kapital i rëndësishëm pozitiv në përpjekjet e Evropës për të ndrequr Greqinë dhe për t’i rikthyer stabilitetin.” kishte thënë Varufaqis. Pastaj kishte vazhduar: “Për vendin tonë thjesht nuk do të jetë e mundur të rritet ekonomikisht nëse vazhdojmë rrugën e asketizmit ekonomik, i cili e asfikson rritjen.”
Varufaqisit i kujtohet se Shobles nuk i kishte shkuar aspak për shtat fjalimi dhe kishte thënë: “Kur kemi një program, për të cilin kane rënë dakord të gjithë, atëherë ka marrë fund.” (Një zëdhënës për ministrin gjerman të financave deklaroi se “Takimet e Eurogrupit midis ministrave të financave janë konfidenciale.”) Siç mu shpreh Varufaqis, ideja se zgjedhjet nuk mund të ndryshojnë asgjë ishte “dhurata më e vyer që dikush mund t’i jepte Partisë Komuniste të Kinës.” Kjo sigurisht që është e tepruar dhe qeveritë demokratike kanë prirjen t’i respektojnë marrëveshjet e lidhura dhe të nënshkruara nga paraardhësit e tyre. Por ishte interesante të dëgjoje Shoblen në Brookings kur tha se “Franca do të ishte e lumtur nëse dikush do të detyronte” parlamentin e saj të miratonte reforma aspak popullore për tregun e punës. Nuk ishte e qartë se çfarë donte të thoshte Shoble me “Franca”, nëse aty nuk ishte i pranishëm as populli e as parlamenti francez.
Gjatë atij takimi të parë, tha Varufaqis, atij iu kërkua të miratonte një komunikatë sipas të cilës “asgjë nuk kishte ndryshuar.” Ai kërkoi të ndryshohej fjala “programi” në “programi i ndryshuar.” Tek risillte ndër mend kërkesën në fjalë, ai e përshkroi atë si “shumë paqësore,” edhe pse do të ishte më e saktë të mos e konsideronim të tillë.
Shoble vendosi veton mbi kërkesën e bërë. “Unë i vë veto vetos!” qe përgjigjur Varufaqis. Gjatë një pushimi në diskutimin pasues, Dizhselblomi i tha Varufaqisit se mundësia për të respektuar afatin e 28 shkurtit, që ndodhte dy javë më vonë, do të skadonte mëngjesin e së nesërmes, për shkak të kohës që nevojitej nga disa vende për të siguruar miratimin nga parlamentet përkatëse për rinovimin. Nëse Varufaqis nuk nënshkruante, kishte thënë Dizhselblomi, “Atëherë e ke humbur trenin,” pra, huaja do të anulohej. Varufaqis i telefonoi Ciprasit në Athinë. “Ai më tha: ‘Mos nënshkruaj! Në djall me gjithë të!’ Jo, nuk u shpreh pikërisht kështu, por, pak a shumë, këtë nënkuptonte. Kështu që unë u thashë: ‘S’ka marrëveshje!’”
Mëngjesin tjetër, Dizhselblomi shkoi në hotelin e Varufaqisit të bisedonin. Meqë afati kishte kaluar, Varufaqis doli në përfundimin se Dizhselblomi e kishte “mashtruar,” dhe e pyeti me qesëndi nëse treni ishte kthyer mbrapsht në stacion. “Ai gënjeu një ministër,” më tha Varufaqis, “kur po shërbente si president, në shfaqjen e parë të ministrit rishtar! Detyra e tij ishte të informonte anëtarët e Eurogrupit mbi procesin ligjor dhe ai më gënjeu për këtë. Kjo është e papranueshme.”
Në 20 shkurt, Eurogrupi arriti një marrëveshje të përkohshme. Greqia fitonte një shtyrje deri në 30 qershor, përpara së cilës ajo mund të propozonte rishikime të programit. Për momentin, Syriza ra dakord të mos ndiqte planet e saj kyçe të shpenzimeve. Edhe pse Varufaqis zgjodhi ta shihte marrëveshjen si një mundësi “për të shkruar programin tonë dhe për t’u gjykuar mbi të,” të tjerët e panë si një tërheqje të Syrizës. Qeveria kishte futur në sirtar angazhimet e premtuara në fushatë, pa fituar ndonjë garanci për rishikimet, dhe kishte dështuar të vilte €7.2 miliardë euro nga kësti i radhës. “Pa dyshim që qeveria greke do e ketë të vështirë t’u japë shpjegime votuesve,” kishte deklaruar Shoble për reporterët.
Varufaqis më tha se, menjëherë pas nënshkrimit të komunikatës, “trojka po trokiste në dyert tona,” sikur të mos kishte ndryshuar asgjë. “Ne u detyruam t’u thoshim: ‘Jo, nuk kemi nënshkruar për këtë.’” Më vonë atij i erdhi keq që nuk e bëri zemërimin e vet më publik. “Duhet ta kisha shtyrë kryeministrin që ta bënim gjithçka publike…t’i dënonim ata për mosrespektimin e fjalës.”
Në prill, kur Varufaqis u kthye nga Uashingtoni, Greqia po sulmohej ngaqë nuk kishte dorëzuar ende një program të hollësishëm të rishikuar. “Mund të kishim vepruar më shpejt,” pranoi Varufaqis. “Sidoqoftë, pala tjetër s’po vepronte fare.” Pala tjetër mund të mos kishte njohur asnjë detyrim për të vepruar. Për ata, Varufaqis nuk ishte veçse një student që kishte vonuar detyrat e kursit, të cilat, fundja, nuk kishin për të qenë mbresëlënëse. Ai citoi një fjali që ndonjëherë i vishet Henri Kisingerit: “Kujt t’i telefonoj nëse dua të flas me Evropën?”
Ai nuk po kishte sukses në bisedime me qeveritë dhe institucionet, të cilat ishin “të fragmentuara, si horizontalisht, ashtu edhe vertikalisht.” “Horizontalisht,” më shpjegoi ai, “Merkeli dhe Shoble nuk shihen sy më sy. Ata kanë ide të ndryshme mbi atë çfarë duan nga ne. Ai do të na nxjerrë nga eurozona. Merkeli, jo.” (Zëdhënësi për ministrin gjerman të financave deklaroi se: “Z. Shoble dhe Kancelarja Anxhela Merkel veprojnë gjithmonë në bashkërendim.”) Mariano Rahoi, kryeministri spanjoll, donte Syrizën jashtë pushtetit; Fransua Holandi, presidenti francez, ishte kundra. Varufaqis më dha një shembull të “fragmentimit vertikal”: ai besonte se Lagard, drejtoresha ekzekutive e FMN-së, “nuk do që të dalim nga eurozona dhe do të gjejë një urë kompromisi, por njerëzit e vegjël që ajo dërgon me trojkën…këta kanë secili programin e vet.” Pastaj vazhdoi: “Kohët e fundit e kaloj gjithë ditën në telefon, në përpjekje për të shmangur këto probleme fragmentimi, dështime bashkërendimi, programe vetjake. Madje s’kemi kohë të flasim për çështjet që kanë rëndësi. Ngela duke u thënë këtyre njerëzve: ‘A mund të biem dakord për katër projektligje të rëndësishme reformash dhe t’i çojmë në parlament për votim?’” Ai kishte argumentuar se reformat e përkohshme, sado të paplota në sytë e trojkës, do të frymëzonin “një valë optimizmi” mes investitorëve të mundshëm në Greqi.
Por, tha Varufaqis, nuk kishte gjetur asnjë derë të hapur në Evropë për idetë e tij. Në nivel Eurogrupi, më tha Varufaqis, biseda rrotullohej “vetëm mbi rregullat.” Nuk ishte aspak një forum ku mund të diskutohej paqëndrueshmëria e borxhit apo fakti që zor se mund të kishte rritje ekonomike në kushte të asketizmit ekonomik. Madje Varufaqis shtoi se e “kishin akuzuar se po fliste për ekonomi.” Njëherë, Varufaqisin e pyetën se cili duhej të ishte suficiti-objektiv për Greqinë, nëse nuk ishte 4.5% i PBB-së. Atij “iu desh të jepte një leksion” mbi variabëlat që e bënin të pamundur përgjigjen për shkak të mënyrës si qe bërë pyetja. “Ata nuk janë ekonomistë,” tha Varufaqis. “Shumica e tyre janë juristë.”
Në negociatat e tij, Varufaqis përvetësoi një refren: “Ju mund të mos na pëlqeni, por ne nuk jemi pa gjë. Së pari, nuk jemi ende të korruptuar. Së dyti, jemi pro-evropianë. Së treti, jemi demokratë. Ne duam që ky vend të reformohet. Na ndihmoni ta bëjmë. Mos na fundosni. Nëse na fundosni, atëherë Greqinë do e marrin në duar disa njerëz shumë të këqij.”
Sipas një zyrtari të Eurogrupit, “dukej se [Varufaqis] nuk e kuptonte që të tjerët në dhomë i kishin duart e lidhura nga parlamentet përkatëse. Ata janë duarlidhur në sajë të disa marrëveshjeve. Këto kufizime nuk duan t’ia dinë për filozofinë ekonomike. Eurozona është e ndërlikuar dhe nuk ai donte as të kuptonte e as të përshtatej.”
Ndërkohë, në takimet “teknike” të nivelit të ulët, përfaqësuesit e kreditorëve të Greqisë ushtronin presion mbi kolegët e Varufaqisit për “çikërrima”: për shembull, si të modernizohej tregu i qumështit apo si të mundësohej që noterët të konkurronin me çmime. Programi i Greqisë qe ndërtuar mbi hollësi të tilla politikash; Varufaqis ndjente se idetë ishin më së shumti “gjepura anti-rritje,” dhe se procesi ishte i kotë nëse injoronte parimet bazë ekonomike në një mënyrë që vetëm sa zgjaste tërkuzë dinamikën pesëvjeçare “tërhiq e mos këput.” Ai kujtoi përpjekjen për të prezantuar një dokument që përmbante fjalët “ristrukturim borxhi.” “Nëse ka ato fjalë, nuk mund ta pranojmë. Merre mbrapsht.” i thanë.
Sipas zyrtarëve të trojkës, negociuesit grekë mezi angazhoheshin në nivelin teknik. Në fillim, u duk se kjo ishte një pasqyrim i paaftësisë, por më vonë u vu re një fije strategjie…një përpjekje për të detyruar bisedimet drejt politikës. Në fund, tregu grek i qumështit u arrit të diskutohej, në mes të natës, nga kokat e shteteve evropiane.
Sipas mendimit të një zyrtari të trojkës, mospërfillja e Varufaqisit për hollësitë…psh, lehtësia me të cilën ai u kërkonte taksapaguesve evropianë të paguanin llogaritë greke…kishin një ajër aspak demokratik. “Dikush mund ta shohë thjesht si disa teknokratë që merren me numra,” tha zyrtari. “Por, nëse diçka nuk rakordon dhe kemi një boshllëk, ky boshllëk duhet të financohet nga dikush.” Pastaj vazhdoi: “Rakordimi është thelbi i demokracisë.”
Në ato raste kur Greqia angazhohej, më thotë një përfaqësues tjetër i institutit të trojkës,”na dërgonin gjëra jashtëzakonisht naive.” Ai risjell ndër mend një masë të dorëzuar nga Varufaqis në mars, e projektuar për të rritur pagesën e taksës së shitjes, duke punësuar spiunë amatorë: njerëz të thjeshtë, përfshi turistët, do të trajnoheshin të mbanin kamera të fshehta. “U shtanga kur pashë diçka të tillë,” tha përfaqësuesi i trojkës, “në një dokument të një ministri të një vendi të BE-së.”
Pak ditë përpara referendumit, Gjikas Harduvelis, një ekonomist i vjetër që kishte shërbyer si paraardhësi i Varufaqisit si ministër financash, u ul në një kafene në një lagje veriore të Athinës, duke folur me zemëratën e dikujt që nuk i mban më shpirti. Ato javë, çdo mbrëmje, turma të mëdha qenë mbledhur në Sheshin Sintagma për të mbështetur “Jo”-në (klasa punëtore) dhe “Po”-në (klasa e mesme dhe elitat). Anembanë Athinës, pllakatet ekspozonin fytyrën e hakërryer të Shobles, me diçiturën: “Ai ju ka pirë gjakun për pesë vjet. I thoni ‘Jo!’” Kur pyeta pronarin e një lokali në Athinë se si do të votonte, ai më kërkoi t’i shpjegoja ndryshimin midis një pushke “Winçester” dhe një “Magnum.” Harduvelis, një mbështetës i “Po”-së, më tha: “Vetëm diktaturat e Botës së Tretë mbajnë referendume të tilla, duke mashtruar popullin, me demek kemi të bëjmë me demokraci.”
Ditën pas zgjedhjeve të janarit, përpara se Varufaqis të betohej në detyrë, Harduvelis përfaqësonte Greqinë një takim të Eurogrupit në Bruksel. Ai u tha pjesëmarrësve: “Mbani mend një gjë. Tetëdhjetë për qind e grekëve deklarojnë se duan të jenë pjesë e eurozonës.” Sipas pikëpamjes së tij, “evropianët qenë të gatshëm të bënin lëshime, sepse e dinin që kishin të bënin me një qeveri të majtë. Ata ishin gati të jepnin diçka…ndoshta në 2016-ën, me tepricat primare.”
Harduvelis mendonte se Varufaqis e kishte shpërdoruar mundësinë në fjalë: “Ai arriti të krijonte tetëmbëdhjetë armiq. Vetëm kaq!” Ai e përshkroi Ciprasin si ‘një tip që s’ka shkelur kurrë jashtë Greqisë, s’i është dashur kurrë të merret me të huajt, ndaj dhe nuk mund të hyjë automatikisht në logjikën e palës tjetër.” Ciprasi, anglishtja e të cilit ngelet më shume një shfaqje optimiste, varej te Varufaqis. Kur kish arritur ta pakësonte këtë varësi, Greqia ndodhej buzë greminës. “Për mua, fajin e ka Varufaqis,” tha Harduvelis. “Ai i prishi punë Ciprasit, sepse e dinte shumë mirë se ç’po ndodhte, por veproi vetëm që të promovonte veten, duke sakrifikuar vendin dhe kryeministrin në rrugë e sipër.” Kjo ishte një temë e zakonshme në Athinë, edhe pse fare lehtë mund ta imagjinoje argumentin të kthyer përmbys: pra, një politikan dinak kishte shfrytëzuar për hir të vetes një intelektual naiv dhe me vetëbesim të tepruar. Hasta la victoria siempre!
Disa kolegë të Harduvelisit i kishin thënë së afërmi se akademikët e Universitetit të Sidneit ishin gëzuar kur kishin mësuar se Varufaqis do të ikte nga Australia, duke e quajtur “njeriu më narcist që kishin takuar në jetë.” Harduvelis vuri në dukje se, në zyrën e qeverisë që dikur qe e tija, Varufaqis ishte “tepër krenar” për të përdorur tavolinën ministrore apo telefonat e zyrës. (Varufaqis punonte me një laptop MacBook dhe një celular, në cepin e një tavoline të gjatë konferencash.
Dy ditë përpara referendumit të së dielës, Varufaqis mbërriti në ministri në mesditë. Njëqind gazetarë po e prisnin në rrugë, përballë hyrjes. U ulëm në tavolinën e tij të konferencave dhe ai më përshkroi ngjarjet e javës së shkuar, përfshi mosmarrëveshjet e tij me Ciprasin, sikur të donte të më thoshte se nuk do të rrinte më në zyrë përtej fundjavës. Ai e nisi duke thënë se, në prill, zyrtarë të lartë amerikanë e kishin paralajmëruar se kreditorët e Greqisë “duan të të flakin në greminë.” Kur mori vesh një gjë të tillë, Varufaqis qe përpjekur të ndryshonte qasjen e Greqisë gjatë negociatave. Ai u përpoq t’u mbushte mendjen kolegëve për publikimin e një plani grek, sipas termave greke. Bashkë me Xhefri Saksin dhe të tjerë, ai shkroi një draft në tre pjesë: një plan fiskal, propozime për lehtësimin e borxhit dhe sugjerime për reforma strukturore.
“Ia çova kryeministrit, ekipit të negocimit,” kujton Varufaqis, “dhe u thashë: ‘duhet të ndjekim këtë rrugë. Nëse nuk iu pëlqen, mund të bëjmë ndryshime.’ Një plan publik do të perceptohej me korrektësi si një mohim përbuzës i negociatave ekzistuese. Ciprasi e hodhi poshtë idenë si të rrezikshme. (Siç më vuri në dukje dikush shumë afër negociatave, kishte rrezik se do të kuptohej lehtë kush ishte ideatori i planit…pra, do të përfundonte të quhej Plani Varufaqis.)
Konsensusi në ekipin grek ishte se mund të arrihej një marrëveshje vetëm nëpërmjet procesit ekzistues. Varufaqis qe kundër: “Nëse nuk arrijmë të ndryshojmë strukturën e negociatave, atëherë nuk do ta arrijmë kurrë marrëveshjen.” Nëse besimi i tij në atë strategji dukej si kokëkrisje, gjithsesi ajo mbështetej në një logjikë të fortë. “Nuk ka për t’u paguar një borxh që s’paguhet dot,” më tha ai. “Njësoj si ligji i gravitetit.” Qëllimi i tij ishte të bindte kreditorët e Greqisë ta pranonin këtë të vërtetë në atë moment…jo vite më vonë.
Në një takim në Riga, Letoni, në fund të prillit, toni i Eurogrupit kundrejt Greqisë u kthye jashtëzakonisht kritik. Një burim anonim i tha një gazetari se Varufaqis konsiderohej një humbje kohe, kumarxhi dhe amator. Ndërkohë, Varufaqis përdori Twitter-in për të cituar F.D.R.-në: “Ata janë të bashkuar në urrejtjen kundër meje dhe unë e mirëpres urrejtjen e tyre.”
Ciprasi, zemërlëshuar nga armiqësia e hapur në Riga dhe duke njohur mendimin e ulët të Varufaqisit mbi negociatat e përditshme, e ndërroi ekipin. Varufaqis nuk mund të mbikëqyrte më drejtpërdrejt bisedimet teknike.
Një mbrëmje në maj, Varufaqis mësoi se dy ditë më parë, Ciprasi kishte bërë një lëshim mbi suficitin primar, të cilin Varufaqis e gjykoi shkatërrimtar taktikisht dhe ekonomikisht. “Dhe kryeministri, që do ta ketë mirë me të gjithë, tha ‘Sigurisht që nuk të thashë, sepse e dija që nuk do të ishe dakord!’” kujton Varufaqis. “Kjo, kuptohet, është paksa problematike për një ministër financash.”
Kreditorët po shtynin për një objektiv të suficitit primar në 4.5% të PBB-se. Ciprasi, i këshilluar nga kolegë të tjerë, propozoi objektiva suficiti që, duke nisur nga 1%, do të rriteshin në 3.5% në vitin 2018. Kjo shifër ishte ende “absurde,” më tha Varufaqis. “Asnjë ekonomi në situatën e Greqisë nuk mund të prodhonte një suficit primar prej 3.5 për qind.” Varufaqis më kërkoi të përfytyroja dikë që po vlerësonte mundësinë për të investuar vitin tjetër në një sipërmarrje në Greqi. Ai/ajo shpreson të dalë me fitim pas dy vitesh. Por, “nëse borxhi i shtetit grek vazhdon të jetë i paqëndrueshëm në vitin 2018 dhe qeveria synon të ketë një suficit primar prej 3.5%, atëherë t’i po i thua investitorit se ‘ke për t’u mbytur në taksa, sepse shteti ka nevojë për suficitin primar.’ Asnjë investitor, me pak njohuri në financë, nuk do të investojë në një vend pas një lajmi të tillë.”
“Ciprasi iu dha atyre asketizmin ekonomik,” vazhdoi ai, “me shpresën se ata do t’i ofronin lehtësim të borxhit.” Sipas këndvështrimit të Varufaqisit, Ciprasi “thjesht nuk ishte në gjendje të kuptonte,” duke shtuar se, “Për ata që s’janë ekonomistë, është e lehtë të thonë: ‘Kisha dy objektiva, asketizmin ekonomik dhe borxhin, por nëse më duhet të zgjedh kë të godas…’” Këtu bëri një pushim. “Politikani e ka për detyrë arritjen e kompromisit.” Varufaqis ruajti bindjen se asketizmi ekonomik dhe borxhi duheshin trajtuar njëkohësisht. Ciprasi, ndërkohë, kishte bërë një lëshim kundrejt suficitit primar, duke dobësuar argumentin për lehtësimin e borxhit. Është paksa e vështirë të protestosh kundër pagimit të borxhit kur, zyrtarisht, ti ke parashikuar një buxhet në minus. “Kështu, ata e dinë se mund të të rrjepin të gjallë,” tha Varufaqis. “Dhe ata do të pretendojnë gjithçka nga gjithçka. Dhe kjo ndodhi.” Siç u shpreh ai, peshkaqenët nuk ngopen me dy pika gjak.
Ai shqyrtoi mundësinë e dorëheqjes. “Por do ti që isha shumë popullor!” më tha. “Po të ikja, kjo do e dëmtonte shumë Aleksin, mu në mes të negociatave.” (Më vete, Ciprasi kishte përdorur metaforën e dyshimtë të dy dominove në këmbë.) Për një muaj, tek afrohej afati i 30 qershorit dhe ndërkohë që Greqia bënte lëshime të tjera, Varufaqis vazhdoi të shpresonte se FMN-ja mund t’i jepte një dorë Greqisë, duke e vlerësuar borxhin e vendit si të paqëndrueshëm. FMN është e detyruar me kushtetutë të mos japë hua në situata ku vetëm ëndrrat me sy hapur përcaktojnë afatet e shlyerjes. (Ky argument u bë, me shumë vonesë, më 14 korrik.)
Varufaqis ndihej i braktisur. Edhe pse Ciprasi dukej se kishte të njëjtin ankth në lidhje me lehtësimin e borxhit, sipas Varufaqisit, ata ishin “shokë që po thoshin: ‘Shiko, edhe kjo s’ka më rëndësi. Fundja, le të biem dakord!’ Lodhja bën të vetën.”
Më 25 qershor, në një takim të Eurogrupit në Bruksel, Varufaqisin e ftuan të nënshkruante një marrëveshje që ofronte pesë muaj shtesë me financim të kufizuar. Masa në fjalë përfshinte të gjitha lëshimet e bëra nga Greqia dhe asnjë masë për lehtësimin e borxhit. Varufaqis e quajti si “ajo lloj oferte që bëhet kur nuk dëshiron të pranohet.”
Ciprasit i hipën nervat. “Atij i duhej të shkelte mbi çdo cak që kishte vendosur kjo qeveri,” tha Varufaqis. Sipas tij, Dizhselblomi i tha: “Jani, këtë mund ta quash një ofertë merre-ose-lëre.” (Dizhselblomi e ka kundërshtuar këtë.)
Varufaqis beson se Eurogrupi, pasi kishte vendosur që “Syriza është një qeveri që s’e duam,” i zgjati qëllimisht negociatat, në mënyrë që të dobësonte ekonominë greke. Në qershor, Varufaqis i tha Pjer Moskoviçit, komisionerit të BE-së për politikat ekonomike, se “Shoble do që ne të dalim nga euro.” (Shoble ia kishte thënë vetë Varufaqisit një gjë të tillë.) “Por ai nuk do t’ia dijë nëse qeveria jonë bie apo jo. Dhe kam ndjesinë se Merkeli nuk do të dalim nga eurozona, porse do që qeveria jonë të bjerë. Sipas Varufaqisit, Moskoviçi kishte qenë dakord me analizën e mësipërme. Popullariteti i brendshëm i Shobles dhe vjetërsia e tij, i jepnin atij lirinë të përvetësonte një qëndrim kundrejt Greqisë që binte ndesh me atë të Merkelit. Pak kohë më parë, Der Spiegel e përshkroi qasjen e Gjermanisë si “një përzierje të çuditshme mes pavendosmërisë dhe brutalitetit.”
Në takimin e 25 qershorit, tha Varufaqis, Shoble shpalli se marrëveshja ishte tepër e butë për grekët dhe zor se do të kalonte në Bundestag. “Pa dyshim që, kur flet Shoble, lituanezët, finlandezët dhe sllovakët i bien pas. Ata thonë: ‘Ne s’mund ta kalojmë në parlamentet tona!’” Sipas Varufaqisit, “Dizhselblomi dukej shumë i shqetësuar. Ai donte të më shtynte që ta pranoja. Unë i thashë: ‘Volfgangu nuk mund ta kalojë dot në parlamentin e tij…e si të mundem unë?”
Mëngjesin tjetër, Ciprasi mblodhi anëtarët e ekipit grek në një dhomë hoteli në Bruksel dhe u kërkoi t’i linin jashtë celularët. Ai deklaroi se do të shpallte një referendum për “po” ose ‘jo” në lidhje me kushtet e ofruara nga Eurogrupi. Të nesërmen, Eurogrupi u takua edhe një herë tjetër. “Kjo ishte shumë e pakëndshme, sepse më duhej të mbroja parimet e demokracisë përpara një grupi që s’do t’ia dijë për demokracinë,” tha Varufaqis. “Në fakt, ata janë kundër saj. Më thanë në mënyrë të pagabueshme: ‘Si guxon ti të vendosësh çështje kaq të ndërlikuara përpara zgjedhësve?’” Ai kërkoi një zgjatje katër-javore të programit, duke argumentuar se “grekët duhet të kenë mundësinë t’i peshojnë këto çështje në paqe e qetësi.” Eurogrupi refuzoi.
E pyeta Varufaqisin mbi radhët e pensionistëve grekë që prisnin pagesat e sigurimeve shoqërore dhe për radhët e gjata përpara automateve të bankave. “Nuk i mbyllëm ne bankat,” më tha ai. “I mbylli Eurogrupi. Unë nuk mund të mbaj përgjegjësi morale për diçka që e kanë bërë ata.” Pastaj vazhdoi: “Këto janë momente kur thua, ‘Në djall me ata, nuk kam për të nënshkruar diçka për të cilën nuk jam dakord. Në djall edhe pasojat! Unë nuk veproj në bazë të pasojave.”
E pashë në fund të ditës, në ministri. Jashtë kishte pasur përplasje midis policisë dhe anarkistëve; në Sintagma ndihej ende kutërbimi i gazit lotsjellës. Ministria kishte ulur qepenin metalik mbi hyrjen kryesore. Varufaqis po qëndronte në korridor, pa folur, me kokoren e motoçikletës në njërën dorë. “Argumentet ekonomikë e kanë braktisur skenën,” tha ai. Ndërkohë, Shoble ishte shprehur publikisht për mundësinë e një Grexit. Nëse momenti qe alarmant, ai ofronte gjithashtu mjaft kthjelltësi. “Tani çështja është ‘T’i fundosim, edhe nëse fundosim veten.’ Njësoj si në fillim të Luftës së Parë Botërore.” Qepeni metalik u ngrit gjithë potere dhe në anën tjetër u shfaq një barrikadë me kamera televizive.
Varufaqis ndodhej në shtëpi kur dolën rezultatet e referendumit, dy mbrëmje më vonë. Në lajme, hartat e Greqisë qenë ngjyrosur plotësisht me ngjyrën e “jo”-së.
Ditën e referendumit, pyetja në fletën e votimit i referohej negociatës së porsambyllur. Programi i shpëtimit kishte dështuar dhe kushtet e ofruara më parë nuk ishin më në tavolinë. Referendumi ishte kthyer në një përfaqësues të trishtë të dëshpërimit dhe vetë-imazhit kombëtar. Gjashtëdhjetë e një për qind kishin votuar “jo”, në mbështetje të vijës së Syrizës. Por bankat greke qenë mbyllur dhe tashmë Grexit dukej se po trokiste në derë.
Mbrëmjen e rezultateve të referendumit, Varufaqis u takua me Ciprasin dhe i tha: “Ose më riaktivizo me pushtet të plotë, ose më zëvendëso.” Ciprasi i ofroi Ministrinë e Ekonomisë, Infrastrukturës, Transportit Detar dhe Turizmit. Varufaqis nuk pranoi. Ai dha dorëheqjen mëngjesin e së nesërmes.
Më 8 korrik, pas këshillimeve me udhëheqësit e tjerë grekë, Ciprasi propozoi një program të ri trevjeçar të shpëtimit, me masa të reja të asketizmit ekonomik. Eurogrupi u përgjigj me masa më të ashpra dhe më poshtëruese nga ato që ishin diskutuar muaj më parë. Më 12 korrik, Ciprasi, pasi qe takuar me udhëheqësit evropianë për shtatëmbëdhjetë orë rresht, pranoi t’i paraqiste kushtet përpara parlamentit. Ai kishte mundur të siguronte vetëm disa ndryshime të vogla dhe vetëm një fije shprese për lehtësim të borxhit në të ardhmen. Greqia pranoi të vendoste pasuri publike me vlerë €50 miliardë euro në një fond privatizimi; zyrtarët e trojkës do të vendoseshin përsëri në ministritë e Athinës. “Lexo dhe vër kujën,” shkroi Varufaqis në blogun e tij.
Përpara se të nënshkruhej marrëveshja, Greqia ishte e detyruar të prezantonte legjislacionin e reformave. Më 15 korrik, parlamenti u mblodh të diskutonte paketën e parë të masave, përfshi shkurtimet në pensione dhe rritjen e taksës mbi shitjet, të cilat do të rrisnin menjëherë çmimin e qindra mallrave dhe shërbimeve, nga plehu e deri te funeralet.
Atë natë, një bombë Molotov u hodh në Sheshin Sintagma; në një intervistë televizive, Ciprasi u përpoq të justifikohej. Ai pranoi përgjegjësinë për “nënshkrimin e një teksti në të cilin nuk besoj, por që jam i detyruar ta zbatoj.” “Më e keqja që një kapiten mund të bëjë,” vazhdoi ai, “teksa po drejton anijen përmes stuhisë, sado e vështirë, është të braktisë komandën.” Duke iu referuar Varufaqisit, ai tha se “të jesh një akademik i mirë nuk do të thotë domosdoshmërisht të jesh një politikan të aftë.”
Varufaqis qëndroi si anëtar i parlamentit dhe ishte një nga tridhjetë e dy deputetët e Syrizës, nga njëqind e dyzetë e nëntë, që votuan “jo” atë mbrëmje. Ai e përditësonte rregullisht blogun e vet, duke iu adresuar gjashtëqind mijë ndjekësve në Twitter. (Ciprasi ka vetëm gjysmën e ndjekësve.) “Jam këtu të qëndroj,” i tha Varufaqis një gazetari italian. Në një intervistë në radio, ai tha se Ciprasi “në ato momente nuk kishte forcën e nevojshme mendore, emocionale, që ta çonte votën “jo” në Evropë… dhe ta përdorte si armë.”
Pas disa ditësh, rrodhën në shtyp komentet që Ciprasi u kishte bërë këshilltarëve të tij. Ai kishte thënë se kishte lexuar “deklarata heroike,” porse “nuk kishte dëgjuar alternativa kundrejt ultimatumit shantazhist të 12 korrikut.” Ai pyeti nëse kundërshtarët e tij të majtë kishin ndonjë plan që ndryshonte nga ai i Volfgang Shobles.
Kur në parlament mbërriti një paketë e dytë legjislative, më 22 korrik, Varufaqis votoi “po.” Nëse më parë kishte synuar të sfidonte publikisht dhe seriozisht Ciprasin, vota e tanishme shënonte një ndryshim të kursit. Kur të nesërmen fola me të në telefon, ai më tha se, në orët përpara debatit, ai qe lëkundur midis “po”-së dhe abstenimit. Programi i shpëtimit nuk ishte efektiv, tha ai. “Ishte një grusht shteti!” Nëse do të ishte ende ministër, ai do të kishte përdorur mandatin e referendumit për të sfiduar Eurogrupin: “Bëjeni, po ua mbajti!” Por tashmë kishte vendosur të udhëhiqej, sipas fjalëve të tij, nga ndjenja e solidaritetit për Ciprasin dhe Syrizën. Pastaj ai listoi hollësi të ndryshme mbi legjislacionin…heqje dhe shtesa…që i kishin dhënë atij mundësinë për të votuar “po”. Teksa përshkruante kursin e tij të kompromisit, më dukej se po dëgjoja një politikan që po mësohej me sikletet e politikës.
Varufaqisin e pata takuar për herë të fundit mëngjesin e dorëheqjes, në zyrën e tij ministrore. Mbretëronte zhurma e makinerisë që griste dokumentet. Në dhomën e konferencave, ai falënderoi stafin dhe diskutoi mbi faktin që miku i tij Euklid Çakalotos qe ftuar ta zëvendësonte. Varufaqis u kthye në zyrë, në humor të mirë dhe nisi të fuste librat në kuti. Ai vuri në dukje se dorëheqja e tij kishte ngritur vlerën e euros. “Unë jam një shembull i stabilitetit,” më tha. I hodhi një sy telefonit. “Tani mund ta fshij numrin e Volfgang Shobles.” Një koleg i sugjeroi ta ruante, që t’i telefononte për ta ngacmuar.
Më pas Varufaqis tha se do t’i mungonte kundërshtari i tij kryesor. Ai kishte simpati për Shoblen, “në nivel personal.” “Ai ka një vizion,” vazhdoi Varufaqis.”Është vizioni i gabuar, por të paktën i ka idetë e qarta. Ai është një burrë parimor. Dhe mua më pëlqejnë politikanët me bindje të forta.”