JAN TECHAU
Çfarë lloj aktori është Bashkimi Evropian në politikën e jashtme? A mund të bëhet ende kjo pyetje pa iu errur sytë gjithsecilit? A nuk është kjo çështja themelore e flluskës së Brukselit, që konfirmon se pjesa më e madhe e njerëzve në BE janë më tepër të interesuar për konceptet dhe etiketat se sa për rezultatet? Ndoshta.
Gjithsesi, përkundër sfondit të një fqinjësie evropiane që po shpërbëhet në themel, rikthimit të fokusit strategjik të ShBA-së te Azia dhe me një Rusi që tashmë e përcakton veten kundër Perëndimit, kjo çështje është më me vend se kurrë më parë. Pas saj ngihet një pyetje që ka vërtet rëndësi: çfarë duan në të vërtetë vendet anëtare nga BE-ja në lidhje me politikën e jashtme?
Për të gjetur përgjigjen e të dy pyetjeve le të shohim për një moment se çfarë fuqie e politikës së jashtme mund të jetë BE-ja, megjithëse nuk është.
Së pari, BE-ja nuk është më një fuqi vërtet transformuese. Politika e zgjerimit, që ishte mjeti kryesor i transformimit mund të sjellë ende disa vende të Ballkanit te bashkimi, por kjo ose është lënë mënjanë si një instrument strategjik, ose nuk funksionon, si në rastin e Turqisë.
Politika e fqinjësisë e BE-së, një skemë tepër ambicioze për të përmirësuar politikën dhe ekonominë e vendeve në pjesën jugore të kontinentit dhe në skajet lindore, ka qenë një dështim spektakolar. Pavarësisht përpjekjeve të mëdha dhe shumat e mëdha të parave të shpenzuara, në të dy rajonet tashmë ka më pak paqe dhe më pak liri. Përjashtimet nga kjo prirje janë të rralla dhe perspektiva nuk duket e mirë.
Mbi të gjitha, shpenzimet e konsiderueshme të BE-së për asistencën e zhvillimit kanë fat të njëjtë me pjesën më të madhe të përpjekjeve të ndihmës perëndimore në 40 vitet e fundit: rezultati ka qenë një zhgënjim i madh. Për pjesën më të madhe, ndryshimi real dhe i qenësishëm ka ardhur nga forcat e globalizimit të liberalizimit të tregut dhe nga lodhja e palëve në konflikt, por jo nga projektet e asistencës teknike të drejtuara nga eurokratët.
Së dyti, nëse të dhënat e BE-së si një fuqi transformuese janë të dobëta, ndoshta vetë projekti evropian mund të shërbejë si model për të tjerët. Megjithatë, ndërkohë që elementë të integrimit evropian studiohen me kujdes në Azi dhe Amerikën Latine, asnjë rajon tjetër në botë nuk e ka rivalizuar modelin evropian të negociatave të sovranitetit, që janë në themel të projektit të integrimit. Sot, dobësitë e brendshme të BE-së – që u vunë në dukje nga kriza e euros, rritja e ngadaltë ekonomike, rritja e politikave populiste, një dalje e mundshme e Britanisë dhe dështimi në fushën e emigrimit – e kanë gërryer rëndë BE-në si një fuqi e butë.
Po atëherë çfarë duhet thënë për fuqinë e fortë? Është e dukshme që BE-ja nuk është një aktor ushtarak dhe as shtetet e saj anëtare nuk janë të tilla, me përjashtim ndoshta të Francës dhe Mbretërisë së Bashkuar (të dyja së bashku janë më të dobëta tani krahasuar me pak vite më parë). Por aty ku aftësitë e ekspeditave po varfërohen sistematikisht, po humbet edhe aftësia për të mbështetur diplomacinë dhe për të dhënë garanci sigurie për palët e treta. Si rezultat, influenca gjeostrategjike zhduket dhe BE-ja do të mbetet një aktor i parëndësishëm ushtarak në të ardhmen.
Së fundi, a është BE-ja një fuqi intelektuale? Në këtë front, gjërat duken pak më mirë, por vetëm pak. Inovacioni në fushën e promovimit të demokracisë, siguria gjithëpërfshirëse, ndryshimet klimatike dhe ekonomia priren të vijnë nga Shtetet e Bashkuara dhe tashmë dhe më shpesh nga vendet marrëse të ndihmës. Ideja e BE-së mbi ‘’multilateralizmin efektiv,’’ si model për qeverisjen globale, nuk ka qenë asnjëherë më tepër se një slogan dhe partneriteti i modernizimit me Rusinë mbetet i pafuqishëm përkundrejt kulturës dominuese politike në Moskë.
Me pak fjalë: BE-ja nuk është një aktor i fuqishëm i politikës së jashtme. Megjithatë ka disa përjashtime të kohëve të fundit që japin shenja se çfarë lloj aktori mund të jetë BE-ja. Sa herë që BE-ja ka qenë e suksesshme si entitet strategjik në çështjet botërore, kanë qenë të pranishëm pesë faktorë:
1. Përplasja e interesave kombëtare ndërmjet shteteve anëtare
2. Fuqia negociuese e krijuar nga aftësia për të bërë oferta tërheqëse (si futja në treg apo anëtarësimi)
3. Partneriteti me Shtetet e Bashkuara si një fuqi rezervë diplomatike dhe ushtarake
4. Një mandat i fortë nga ana e shteteve anëtare që institucionet e BE-së të veprojnë.
5. Mbështetje politike e nivelit të lartë për institucionet nga ana e kryeqyteteve anëtare.
Kur të pesë këto elementë janë të pranishëm, një politikë e jashtme e suksesshme e BE-së është e mundur, siç ishte rasti me negociatat me Iranin, marrëveshjet e arritura ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, si dhe krijimi i shpejtë i një regjimi të ashpër sanksionesh kundër Rusisë pas aneksimit të Krimesë.
Kur këto parakushte strukturore për një politikë të jashtme të fortë nuk janë të pranishme, BE-ja, në rastin më të mirë, mbetet një spektator. Fatkeqësisht, ky kombinim fatsjellës i faktorëve është i pranishëm shumë rrallë dhe natyra e vërtetë e BE-së mbetet ajo e një aktori rastësor në politikën e jashtme.
Ata që janë të ngarkuar për planifikimin e politikës së re të jashtme të BE-së duhet të kërkojnë çështje ku këto pesë faktorë mund të konvergojnë. Nëse këto raste vihen në krye të listës së prioriteteve, atëherë mund të prodhohet një dokument i vlefshëm. BE-ja do të jetë ende një fuqi rastësore. Por aty ku ka një prirje të dukshme, mundet të hapet edhe një rrugë. Dhe kjo mund të jetë shumë mirë rruga e Evropës Strategjike.