SYLË UKSHINI
Hyrje
Si në literaturën studimore shqiptare, ashtu edhe në atë ndërkombëtare, e cila merret me zhvillimet e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, në disa raste operohet me disa të dhëna të paqarta si dhe të pasakta. Megjithëse viteve të fundit ka pasur shumë punime, madje edhe doktoratura, ato ose nuk kanë sjellë të dhëna të reja, ose janë mbajtur nën “dry”, duke mos u publikuar, pasi autorët kanë qenë të vetëdijshëm për kufizimet shkencore të këtyre punime. Pra, gjendja e studimeve historiografike ka mbetur në një lloj status quo-je, madje në disa raste niveli i prurjeve shkencore është edhe më i ulët se në periudhën e sistemit monist socialist. Edhe pse formalisht shkenca jonë në dy dekadat e fundit arrihet të çlirohet nga çdo barrierë dhe kontroll shtetëror mbi të shkruarit e historisë, në Prishtinë, Tiranë dhe Tetovë, ajo nuk arriti dot të thyej dot klishetë e vjetra, ta tejkaloj diskursin ideologjizues, duke shfrytëzuar po ashtu teorinë e shkencave sociale. Prandaj, ka munguar një analizë e hollësishme e të gjithë faktorëve që kanë sjell pavarësinë e shtetit shqiptar, pa selektim dhe pa instrumentalizim faktesh. Dhënien e meritave për themelimin e shtetit shqiptar vetëm faktorit të brendshëm apo një heroi kombëtar, ka bërë që të mos ketë vendin e merituar Austro-Hungaria, e cila ka luajtur rolin më të rëndësishëm nga të gjithë në krijimin e shtetit shqiptar.
Si rezultat i kësaj, të pakta janë punimet dhe trajtesat shkencore që shkojnë përtej klisheve të vjetar, që sfidojnë interpretimin e të deritanishëm tradicional, gjë që shumë ngjarje dhe figura historike mbetem edhe më tej tabu. Të dhënat e arkivave perëndimore na ofrojnë përgjigje në disa çështje dhe na mundësojnë të rikonstruktojmë ngjarjet lokale dhe ndërkombëtare që çuan në shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë. Ky shkrim mbështet kryesisht në të dhënat arkivore austro-hungareze të Arkivit Shtetëror të Austrisë në Vjenë dhe Arkivit të MPJ në Berlin. Për më tepër, këtu synohet të ofrohet një punim, i cili shkon përtej “stereotipeve” të historiografisë shqiptare dhe synon të nxis një interpretim më ndryshe të ngjarjeve historike të periudhës së pavarësisë së Shqipërisë. Synimi është të nxitet debat i kualifikuar shkencor, i cili do të rishikonte interpretimet e zakonshme dhe njëkohësisht do të ofronte orientim për lexuesit dhe studiuesit e kësaj periudhe historike. Nuk pretendojë të japim një përgjigje të vetme, aq më pak përfundimtare. Prandaj, do të përpiqem të argumentoj rolin që ka luajtur kryengritja antiosmane në Kosovë dhe veçanërisht diplomacia austro-hungareze në proklamimin e pavarësisë së Shqipërisë. Madje, këtë shkrim e konsideroj një përpjekje për të thelluar edhe njohjen time mbi temën e heronjve.
Shqipëria, simfonia lamtumirëse e Koncertit Evropian
Ideja themelore e këtij shkrimi është të trajtojë ligjshmeritë e brendshme dhe ligjshmeritë e jashtme, të cilat kanë sjell pavarësinë e Shqipërisë njëqind vjet më parë. Ështe fakt i njohur se shtetet Ballkanike, në këtë mes edhe Shqiperia, janë formuar si rrjedhojë e dinamikës mes kërkesës dhe aspiratës së popujve për pavarësi politike dhe angazhimit të fuqive evropiane, të cilat që nga Kongresi i Vjenës 1815 krijuan Koncertin Evropian, i cili në fokus kishte ruajtjen e status quo-së dhe shmangien e një lufte kontinentale. Shtetformimi ishte një produkt i determinuar nga faktorët e brendhsme etinik dhe politik dhe nga faktorët e jashtëm, fuqitë evropiane. Të parët e kishin idenë e lirisë, ndërsa të dytët e kishin idenë e sigurisë dhe të ruajtjes së balanceve rajonal dhe evropian.
Duke e pare pamjaftueshmërinë e faktorit shqiptarë që vetë ta zgjedh çështjen e tyre kombëtare, një pjesë e elitës shqiptare me orientim evropian i jep krah afrimit me Austro-Hungarinë, i vetmi shtet evropian që do te marre marr rolin e protektorit për krijimin e shtetit shqiptar. Në këtë kuadër, Vjena zyrtare mbështeti idenë e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare që brenda Perandorisë Osmane të krijohej një provincë autonome shqiptare si fazë të ndërmjetme drejt realizimit të vetëvendosjes së jashtme. Elita politike, ndonëse e ingranuar në sistemin e shtetit osman, u bë bartëse e idesë për krijimin e shtetit shqiptar. Lëvizja kombëtare shqiptare në vitin 1912 arriti piken kulmore, ndërsa epiqendër e saj u bë Kosova, e cila që nga Kriza Lindore, për shkak të premisave të brendshme dhe të jashtme, mori primatin e lëvizjes shtetformuese. Kosova u be qendra e nacionalizimit politik e shtetëror, derisa në pjesët tjera të trevave shqiptare, sidomos jugu, u bë bartës i nacionalizmit kulturor.
Krijimi i Shqipërisë duket sot si një histori e rastësishme. Lufta e Pare Ballkanike detyroi fuqitë e mëdha evropiane të ballafaqohen me kërkesat e shqiptarëve. Krijimi i Shqipërisë rrodhi edhe si rezultat i ekuilibrave të fuqive të mëdha evropiane. Shqipëria ishte simfonia lamtumirëse e Koncertit Evropian.
Kosova epiqendër i nacionalizmit shtetëror
Në kohën kur po dobësohej qendra e shtetit osman, filluan luftimet pothuaj të pafundme mes periferisë qendrës dhe anasjelltas, mes qendrës dhe periferisë. Mirëpo, qendra prapë se prapë mbetej fushëbeteja vendimtare. Kështu ndodhi edhe në pranverën e vitit 1912 me rastin e kryengritjes anti-osmane në Vilajetin e Kosovës, në agjendën e së cilës ishte krijimi i një Shqipërie autonome përmes bashkimit të katër vilajeteve me shumicë shqiptare. Ky ishte caku më real për realizimin e vetëvendosjes së brendshme, që influencohej sa nga ligjshmëritë brendshëm ashtu edhe të jashtme. Ndonëse kryengritja shqiptare në Vilajetin e Kosovës arrin përmasa të mëdha, ajo nuk pati një qendër udhëheqëse unike që të shprehej edhe në një strukturë organizative adekuate, ashtu siç kishte ndodhur në kohën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
Të ndarë, shqiptarët u shndërruan në top loje të fuqive ballkanike, shtetit osman dhe atyre evropiane; ishte një garë po ashtu për primat të brendshëm shqiptar, politikanë shqiptarë me mendësi anadollake nuk dinin ç’donin, derisa vendet ballkanike kishin krijuar në fshehtësi një agjendë për ndarjen e trashëgimisë evropiane të shtetit osman. Po ashtu, me planet ekspansioniste të vendeve ballkanike rrezikonin njëkohësisht idenë e krijimit të një principate autonome shqiptare dhe në të njëjtën kohë, ishin të drejtuar edhe kundër zgjerimit të influencës politike dhe ekonomike të Austro-Hungarisë.
Kryengritja shqiptar në Kosovë, e drejtuar nga Hasan Prishtina, si pjesë e agjendës politike dhe kombëtare nga Takimi i Taksimit, i dha shtytje të fuqishme idesë për një kongres kombëtar dhe për realizimin e idesë të bashkimit të vilajeteve shqiptare.
Këto ngjarje, të cilat patën një rezonancë të fuqishme ballkanike dhe evropiane, gjithsesi përcilleshin me vëmendje nga Vjena zyrtare, e cila, në emër të ruajtjes së status quo-së, dhe në kohën kur vendet ballkanike po përgatiteshin për realizimin e planeve të tyre të luftës kundër Portës së Lartë, provonte të arrij një marrëveshje politike mes Qeverisë së Stambollit dhe kryengritësve shqiptarë. Qeveria e Stambollit nuk e kishte kuptuar qartë as gjendjen në Shqipëri dhe as nuk ishte në dijeni për planet agresive të shteteve ballkanike. Kjo shihet mirë edhe nga një takim i vezirit të madh dhe ministrit të Luftës, Mahmut Shefqet Pasha me ambasadorin austro-hungareze Pallavacinit në Stamboll, të cilin e siguroi se së shpejti do të shtypej kryengritja shqiptare. Ky qëndrim i vezirit osman e shtyri diplomatin austro-hungarez t’i shkruante Vjenës që qëndrimet e qeverisës së Stambollit duhej të merreshin cum grano salis.
Në ndërkohë, Porta e Lartë u detyrua te bënte negociata me delegacionin shqiptar. Gjatë këtyre negociatave, që më shumë nga Porta e Lartë u përdorën sa për të blerë kohë si dhe për të përçarë prijësit e lëvizjes kombëtare, dhe jo për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme, në mesin e prijësve shqiptarë u shfaqen tre grupime:
Krahu autonomistë me në krye Hasan Prishtinën dhe Nexhip Dragën vazhdonte përpjekjet për afrimin e konservatorëve dhe të hamidistëve. Krahu i autonomistëve, megjithëse kishte përkrahjen deklarative të Shqipërisë së Mesme dhe të Jugut, nuk e gjeti përkrahjen e nevojshme dhe të premtuar me Marrëveshjen e Taksimit. Mos shkuarja e Ismail Qemailit në Prishtinë me arsyetimin se ndodhej në Trieste dhe se do të shkonte në Stamboll për të biseduar me qeverinë e Gazi Pashës ndjeshëm do ta dobësojë pozitën e Hasan Prishtinës nga brenda, meqë mbeti pakicë dhe me rastin e hartimin të 14 pikave, që në histori njihen si “14 pikat e Hasan Prishtinës”, qe i detyruar të bënte kompromise me rrymën hamidiane dhe turkomanë. Hasan Prishtina, ideologu dhe strategu i kryengritjes së Kosovës, më 9 gusht të vitit 1912, në emër të gjithë krahinave shqiptare ia parashtroi 14 kërkesat e kryengritësve Marshallit Ibrahim Pasha në Prishtinë, i cili i dërgoi në Stamboll. Më pas, kryengritësit shqiptarë në fillim të gushtit të vitit 1912 pa asnjë rezistencë të ushtrisë osmane marshuan në Shkup dhe asnjëherë më afër nuk dukej mundësia e bashkimit të katër vilajeteve shqiptare në një Shqipëri autonome.
Për më tepër, lind pyetja, pse të zhvilloheshin bisedime në Stamboll mes Ismail Qemailit dhe qeverisë së Stambollit, pikërisht në këtë kohë kur ato veç po ndodhnin në Prishtinë dhe Shkup? Ishte ky një diversion i paramenduar i Portës së Lartë për të përçarë shqiptarët apo ishte lufta për primat politik brenda skenës politike shqiptare. Kjo çështje është për ta studiuar me akribi të lartë shkencore dhe pa kompromis me të vërtetën historike. Është e ditur se në kryengritjen e 1912 në Vilajetin e Kosovës, e drejtuar nga Hasan Prishtina, ideologu i nacionalizmit modern shqiptar dhe i shtetit shqiptar, Ismail Qemaili nuk ushtroi asnjë influencë, madje qëndroi shumë larg saj. Kur kryengritja në Vilajetin e Kosovës shënoi sukseset e para, Ismail Qemaili në korrik dhe gusht shkoi në veri të Shqipërisë, pastaj kaloi në Cetinje për të zhvilluar bisedime të drejtpërdrejta me mbretin e Malit të Zi. Ndërsa në shtator 1912 atë e gjejmë përsëri në Stamboll, ku atij i thuhet se veziri i madh, Qemail Pasha, i ofroi postin e ministrit, por ai e refuzoi. Në këtë moment sigurisht ai e kishte kuptuar se Perandoria Osmane po shkonte drejt humnerës, ndaj dhe ky politikan shqiptar me eksperiencë të gjatë politike zgjidhjen e problemit të shqiptarëve e shihte tashmë në njohjen e kombit shqiptar dhe të gjuhës në kuadrin e një autonomie brenda Perandorisë.
Pavarësisht nga kjo, një raport midis 14 kërkesave të Hasan Prishtinës dhe pikëpamjeve të Ismail Qemailit nuk mund të supozohet, aq për faktin se ai në asnjë deklarim, dhe as në intervistën e gushtit 1912 për gazetën e njohur vjeneze “Neue Freie Presse” nuk e përmendte këtë kryengritje në Vilajetin e Kosovës dhe për dallim nga rasti i memorandumit të Gërqes, kësaj radhe roli i tij në formulimin e kërkesave të kryengritësve shqiptarë ishte i padukshëm. Zhvillimet e mëvonshme dhe rivaliteti i tij me Syrja dhe Eqrem bej Vlorën për primat në thirrjen e një Kuvendi Kombëtar, janë dëshmi se Ismail Qemaili, prej kohësh po përgatitej të vinte në krye të Shqipërisë. Këtë e konfirmojnë edhe burimet arkivore ballkanike, të cilat bëjnë me dije se shumë muaj para shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë Ismail Qemaili po përgatitej për princ. Ai i njihte më mirë se kushdo tjetër në Shqipëri ligjshmëritë e brendshme dhe të jashtme të asaj kohe dhe mekanizmat për drejtimin e politikës dhe daljes në krye të zhvillimeve, që më pas çuan në pavarësinë e Shqipërisë.
Veç kësaj, paralelisht me kryengritjen e Kosovës dhe të hartimit të “14 kërkesave” të Hasan Prishtinës, në Shkodër dhe në Shqipërinë e Jugut shpërfaqen kërkesa dhe memorandume që dallojnë me njëri-tjetrin. Ajo që është domethënëse, këto kërkesa të kryengritësve shqiptarë, ndonëse të hartuara në emër të krahinave tjera shqiptare, nuk gjetën shumë jehonë në krahinat tjera shqiptare dhe për këtë flet mjaft fakti se në Shkup kishte fare pak përfaqësues nga viset tjera jashtë Kosovës. Në sfondin e formimit të elitës shqiptare kishte dallime dhe orientime të ndryshme, të cilat pamundësonin krijimin e një platforme politike unike. Nisur nga ky fakt, mund të themi se kryengritja e verës 1912 në Vilajetin e Kosovës nuk mori karakter të përgjithshëm kombëtar dhe për këtë përgjegjësia e drejtpërdrejt binte mbi prijësit shqiptarë, të cilët nuk ishin treguar në nivelin e kërkuar për realizimin e detyrave të marrë në Takimin e Taksimit.
Mungesa e një uniteti dhe vendosmërie më të madhe shqiptare dhe prolongimi i pafund i Perandorisë Osmane për të përmbushur kërkesat e shqiptarëve dhe më pas ndërhyrja e fuqive ballkanike, bënë që kryeqendra e Vilajetit të Kosovës, Shkupi, të mos bëhet kryeqendra e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë.
Në kohën kur duhej ruajtur niveli i organizimit, pas kryengritjes së verës së vitit 1912, nga gjysma e dytë e muajit gusht kemi një gjendje të ç’organizuar në radhën e lëvizjes kombëtare, nuk kemi një qendër drejtuese mbarë kombëtare
Nisma diplomatike e Berchtoldit
Kryengritja shqiptare në Vilajetin e Kosovës dhe hyrja e kryengritësve shqiptarë në Shkup në gusht të vitit 1912, megjithëse nuk përmbushi pritjet e saj fillestare, vuri në lëvizje edhe diplomacinë evropiane, para së gjithash atë austro-hungareze, e cila prej kohësh kishte shprehur interesim për lëvizjen kombëtare dhe me simpati e shikonte synimin e saj për bashkimin e katër vilajeteve shqiptare në një njësi të vetme autonome. Në të njëjtën kohë, ministri i Jashtëm i Austro-Hungarisë, Leopold von Berchtold, duke parë rrjedhën e zhvillimeve në hapësirën shqiptare si dhe përgatitjet e Aleancës Ballkanike, më 13 gusht 1912 mori nismën diplomatike me synim që të ruhej status quo-ja politike në Ballkan, si dhe të krijoheshin rrethanat për arritjen e një autonomie shqiptare brenda Perandorisë Osmane.
Në këtë kontekst duket qartë se ka një sinkroni mes 14 pikave të kryengritësve shqiptarë dhe nismës diplomatike të ministrit të Jashtëm austro-hungarez Berchtold, i cili fuqive të mëdha evropiane u propozoi nismën që të ndërmerrej një hap kolektiv pranë Portës së Lartë për ta detyruar që të zbatonte politikën graduale të decentralizimit në përputhje me raportet etnike reale në perandori. Shikuar nga koha dhe caku i këtij propozimi të diplomacisë vjeneze, atëherë lehtë mund të bëhet një paralele dhe një ndërlidhje mes pozicionit të politikës së Austro-Hungarisë kundrejt çështjes shqiptare dhe kërkesave të kryengritësve shqiptarë të formuluara nga Hasan Prishtina. Siç bëjnë të njohur burimet e kohës, konti Berchtold e riaktualizoi idenë e pararendësit të tij Aehrenthal që pranë Stambollit të bëhen përçapjet për caktimin e një guvernatori të përgjithshëm për të gjithë Shqipërinë. Qëllimi i Ballpllazit ishte të siguronte përkrahjen e kërkesave shqiptare nga Fuqitë e Mëdha, në mënyrë që, nga njëra anë, të detyrohej Stambolli t’i pranonte ato dhe, nga ana tjetër, të mënjanohej ndërhyrja e shteteve ballkanike, e cila do të pamundësonte realizimin e këtij synimi të Monarkisë Danubiane.
Me këtë nismë Berchtold gjithashtu synonte të krijonte parakushtet diplomatike evropiane përmes të cilave do të pengohej ekspansioni i Serbisë në drejtim të Sanxhakut të Novi Pazarit, Vilajetit të Kosovës, pjesa shqiptare e Adriatikut dhe Manastirit, pasi në këtë mënyrë do të prekeshin interesat vitale ekonomike dhe politike të shtetit austro-hungarez.
Në fakt, ky ishte shansi i fundit që ajo paqësisht të fillonte procesin e ndarjes së shqiptarëve të pranonte si faze transitore krijimin e Shqipërisë autonome. Ky ishte edhe një shans për të konsoliduar pozicionin e saj përballë shteteve ballkanike ose të paktën rrjedha fatale që ajo pati për shtetin osman dhe bashkë me të edhe për shqiptarët. Nuk është e rastit pse Rusia u bë prijatare për dështimin e kësaj nisme të Austro-Hungarisë.
Po ashtu, po të fitonte një ide e tillë mbase edhe shteti shqiptar dhe kufijtë e tij do të ishin më ndryshme me 1913.
Porta e Lartë nuk e kuptoi seriozitetin e situatës në Ballkan dhe dobinë që do të sillte një nismë e tillë diplomatike nga Vjena zyrtare. Derisa shtetet ballkanike dhe ato evropiane, sidomos Rusia, e kundërshtonin nismën diplomatike të ministrit të Jashtëm austro-hungarez duke pasur si pikënisje planet për ndarjen e trashëgiminë osmane, qëndrimi i Portës së Lartë ishte refuzues dhe ai më shumë motivohej nga frika se ky propozim i Vjenës do t’i hapte rrugë ndërhyrjes së fuqive evropiane si me rastin e Marrëveshjes së Mürzstegut (1903). Perandoria Osmane, duke mos qenë në dijeni të planeve agresive të shteteve ballkanike, refuzoi këtë nismë diplomatike të Vjenës zyrtare, e cila, në fund të fundit, edhe për një periudhë në planin e jashtëm do të mund t’i garantonte ruajtjen e status qos-së së saj territoriale, ndërsa në planin e brendshëm evitonte faktorët shtytës të konflikteve dhe luftërave permanente mes shqiptarëve dhe shtetit osman. Për më tepër, kjo nismë e Vjenës provonte që kryengritjet shqiptare të kanalizoheshin në shtratin e reformave institucionale, përmes të cilave hapej shtegu për krijimin e shtetit shqiptar në kufij sa më të gjerë etnike.
Për ta kuptuar peshën e angazhimeve të Austro-Hungarisë lidhur me çështjen shqiptare duhet parë edhe pozicionin që ekzistonte atëbotë brenda Koncertit Evropian, i cili ishte një lloj Grupi i Kontaktit i ditëve tona. Në njërën anë, qëndronin Rusiadhe prapa saj Franca dhe deri në një masë edhe Anglia dhe të tri këto së bashku mbështesnin shtetet ballkanike si kundërpeshë ndaj vendeve të Aleancës Tripalëshe dhe Perandorisë Osmane. Në anën tjetër, Austro-Hungaria nuk e kishte prapa vetes gjatë gjithë kohës Gjermaninë, e cila nuk ishte e gatshme të sakrifikonte për Vjenës, dhe po ashtu Italinë, që sa herë i cenohej ndonjë interes, shkëputej nga Aleanca Trepalëshe dhe ishte e gashte të hynte në kompromise me kundërshtarët e Austro-Hungarisë. Krahas kësaj, shtetet e fuqishme evropiane, me përjashtim të Rusisë, deri në fund të Luftës së Parë Ballkanike e mbrojtën konceptin e ruajtjes së status quo-së politike.
Në këtë rrethanë, Austro-Hungari po kërkonte aleancë për ta çuar më tej idenë e krijimit të Shqipërisë si shtet, pasi projeksioni i interesave ekonomike dhe politike të Austro-Hungarisë puqej me synimet e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Mbi këtë premisë, duhet parë edhe bisedën e shtatorit 1912 ndërmjet kontit Berchtold dhe Kancelarits gjerman Thobald von Bethman Hollweg lidhur me politikën austriake në Ballkan. Ministri i Jashtëm austro-hungarez shpalli qëllimet e Austro-Hungarisë: Vjena së pari synonte të pengonte që italianët të vendoseshin në brigjet shqiptare të Adriatikut. Së dyti, në rast të humbjes osmane duhej të krijohej Shqipëria e pavarur. Kjo është hera e parë, që Vjena, vetëm disa javë pas kryengritjes shqiptare doli me idenë për krijimin e shtetit shqiptar, derisa elita shqiptare në këtë periudhë qëndronte e pa organizuar dhe në pritje të përmbushjes së 12 pikave të premtuar. Në fund të fundit, kjo politikë e Austro-Hungarisë ishte e motivuar nga aspekti strategjik.
Pranimi teorik i kërkesave shqiptare nga ana e Qeverisë së Stambollit ishte vetëm sa për të fituar kohë dhe në të njëjtën kohë për ta evituar presionin e shteteve ballkanike, të cilat për ta krijuar pretekstin e një lufte kundër shtetit osman, i shtruan kërkesa ultimative që të drejta të njëjta me të shqiptarëve do t’u jepeshin edhe pakicave të krishtere. Synimi ishte që Porta e Lartë të vihej në vështirësi, të detyrohej të mos përmbushte kërkesat shqiptare dhe kështu të pamundësohej bashkimi i katër vilajete osmane me shumicë shqiptare. Aleanca Ballkanike ishte e interesuar jo për kërkesat e pakicës së krishterë dhe as për reforma, por krijimin e parakushteve për fillimin e luftës vendimtare kundër Perandorisë Osmane.
Shpërthimi i Luftës së Parë Ballkanike
Përgatitjet për luftë të Serbisë u përshpejtuan përmes shumë faktorëve: pas okupimit dhe aneksimit të Bosnjë-Hercegovinës rruga e ekspansionit të shtetit serb mbetej e lirë në drejtim të Ballkanit jugor. Në këtë drejtim ishte e interesuar të shtrinte influencën e saj edhe Austro-Hungaria (“Drang nach Thessaloniki”), e cila ishte në rivalitet me Serbinë në planet e saj për ndërtimin e linjë hekurudhore përmes Sanxhakut të Novi Pazarit, Vilajetit të Kosovës dhe të Manastirit. Realisht, kush do ta kishte këtë linjë, do ta kontrollonte krejt Ballkanin. Dhe në kohën kur Perandoria Osmane po shkonte drejt shpërbërjes së saj, Monarkia Danubiane po ndërmerrte të gjitha veprimet diplomatike dhe ushtarake për ta penguar daljen e Serbisë në brigjet shqiptare të Adriatikut.
Kur komisioni negociues osman teoritikisht i pranoi 14 pikat e Hasan Prishtinës në gusht të vitit 1912,22 të cilat më pas ia përcolli Qeverisë së Stambollit, u bë i dukshëm potenciali i lindjes së shtetit autonom shqiptar, çka Beogradin dhe kryeqendrat tjera ballkanik i alarmoi në masë të madhe.
Sipas të dhënave të Zyrës së Shtabit të Përgjithshëm mbretëror dhe perandorak austro-hungarez, Armata e Perandorisë Osmane ishin të ndara në tri armata me 315.000 ushtarë. Ndërsa vendet e Aleancës Ballkanike 490.000 ushtarë (Shih më poshtë hartën e Shtabit të Përgjithshëm të Austro-Hungarisë).
Përballë kësaj force të madhe ushtarake të vendeve anëtare të Aleancës Ballanike ishte e pafuqishme të kundërpërgjigjet armata osmane, e cila nuk kishte forca të mjaftueshme dhe kualitative, pasi ajo ishte e pa reformuar dhe pa asnjë moral luftarak dhe pa kohezion të brendshëm. Në Evropë ishin të stacionuara dy armata osmane,: njëra mbronte Traken dhe kryeqytetin, ndërsa e dyta ishte tërhequr në Maqedoni. Krahas këtyre forcave nën një komandë të përbashkët ndodheshin divizionet në Shkodër dhe në Janinë.
Duke e parë se shtetet ballkanike po përgatiteshin për luftë, qeveria e Stambollit reagoi menjëherë. Nën petkun e ushtrimeve ushtarake Porta e Lartë në shtator të vitit 1912 nisi regjimentet tjera në Maqedoni dhe Traki. Shtetet ballkanike mobilizuan forcat e tyre mes 13 shtatorit dhe 3 tetorit 1912.
Më në fund më 8 tetor 1912 trupat malazeze kapërcyen kufirin veriperëndimor të Perandorisë Osmane, dhe më këtë filloi Lufta e Parë Ballkanike, së cilës më 17 tetor iu bashkuan edhe Serbi dhe Greqia dhe më pas të njëjtin hap e ndoqi edhe Bullgaria.
Ky ishte fillimi i Luftës së Parë Ballkanike. Me këtë shtrohej edhe çështja e marrjes së pozicionit të Monarkisë: Për apo kundër Aleancës Ballkanike? Çfarë do të thotë me qenë, për apo kundër Serbisë. Nga kjo për politikën ushtarake rezultonin tri mundësi për një ndërhyrje të Austro-Hungarisë në konfliktin e Ballkanit: Bashkimi në Aleancën Ballkanike, e cila ishte për zgjidhjen përgjithmonë të “çështjes serbe” me forcën e armëve, apo ta luftonte Italinë, e cila ishte dobësuar me luftën e saj kundër Perandorisë Osmane, por që megjithatë ishte shumë aktive me aktivitetet e saj në Ballkan. Për këtë ajo provoi ta përfitonte Rumaninë me të cilën kishte lidhur një aleancë që nga viti 1883. Por, përkundër kësaj dhe bisedave të gjeneralit Conrad në dhjetor 1912 në Bukuresht, kjo aleancë nuk u dëshmua e qëndrueshme, sepse Rumania u gjet në ujërat ruse.
Në nëntor 1912 veprimet luftarak pushuan, vetëm Greqia vazhdonte të bënte lufte në deti, dhe më 3 dhjetor 1912 u arrit armëpushimi, i cili çoi në arritjen e paqes më 30 maj 1913. Aleanca Ballkanike që më 28 maj të të njëjtit vit ishte shpërbërë, kur në mesin e anëtarëve të aleancës erdhi deri të grindjet për ndarjen e plaçkës së luftës, ndërsa më 26 qershor Bullgaria filloi operacionin ushtarak kundër Serbisë lidhur me Maqedoninë. Greqi dhe Rumania sulmuan po ashtu dhe me 5 korrik 1913 Lufta e Dytë Ballkanike ishte në kulmin e saj. Më 21 korrik edhe Turqia hyri në luftë dhe provoi ta merrte sërish Adrianopojën.
Kjo luftë, tek e fundit, shpërtheu për shkak se shtetet ballkanike përpiqeshin të pengonin shtrirjen e Perandorisë Austro-Hungareze në pjesën evropiane të Perandorisë Osmane dhe që ta shtyjnë depërtimin e drejtpërdrejtë të Gjermanisë drejt Lindjes. Në anën tjetër, Gjermania dhe Austro-Hungaria do të kishin dashur të ndaleshin sa më shpejt të ishte e mundur shtetet ballkanike në rrugën e fitores. Derisa Rusia, Franca dhe Anglia parapëlqenin t’u linin atyre fushë të lirë në këtë kohë.
Lufta e Parë Ballkanike, që mbaroi me sukses për aleatët ballkanikë, shënoi fundin e Perandorisë Osmane në Evropë dhe fillimin e dekompozimit të ndikimit austro-hungarez në Ballkan. Kjo ishte fatale edhe për fatin dhe të ardhmen e shqiptarëve. Shtetet e forcuara ballkanike bëhen faktor i tretë në rindarjen ndërkombëtare të ndikimit në këtë pjesë të Evropës. Për 80 për qind Serbia zgjeroi territorin e saj, ndërsa me pushtimin e Sanxhakut e rivendosi lidhjen territoriale me Malin e Zi dhe në këtë mënyrë filloi të paraqiste rrezik edhe për Perandorinë Danubiane. Madje, Serbia, e shtyrë nga Rusia, refuzoi kërkesat e Vjenës që të ndërpresë marshimin ushtarak përtej Vilajetit të Kosovës, përkatësisht të heq dorë nga synimi për daljen në bregdetin shqiptar. Në qëndrimin e tij refuzues Beogradi kishte mbështetjen politike dhe ushtarake të Rusisë dhe për këtë Nikolla Pashiqi theksonte se “shqiptarët janë me origjinë serbe, por që kanë ndërruar fenë nën presionin dhe ndjekjet e pushtetit osman”, po ashtu se nuk “heq dorë dalja në det është “interes jetik serb sepse pa të Serbia do të ngulfatej dhe zihej sikur në ndonjë kazan që gjithkah është i mbyllur”.
Në tablonë e përgjithshme ndërkombëtare, luftërat Ballkanike paraqesin zhvillimin më të rëndësishëm në Evropë dhe më tragjik për fatin e shumë popujve të Ballkanit, veçanërisht për shqiptarët. Të gjitha shtetet ballkanike, kishin në kufi Perandorinë Osmane dhe të gjitha synonin të pushtonin tokat në pjesën evropiane të kësaj perandorie. Serbia, Mali i Zi donin Sanxhakun e Novi Pazarit, këtë pykë territori ndërmjet tyre, Serbia, Mali i Zi dhe Greqia dëshironin Shqipërinë. Të gjitha kishin projektet e tyre për rajonin e Ballkanit jugor.
Megjithëse luftërat ballkanike 1912/1913 i morën vetëm një vit të shekullit XX, ato ndikuan shumë mbi fatet e popujve dhe zhvillimet në Ballkan gjatë gjithë shekullit XX. Qysh nga ajo kohë këto luftëra mbeten pikë interpretimi kundërthënës për popujt e rajonit. Ato edhe pse si referencë kishin çlirimin kombëtar, në rend të parë, ishin luftëra për territore, luftëra për dominim, luftëra për ta ndarë pjesën evropiane të Perandorisë Osmane dhe për mbajtur sa më larg influencën austro-gjermane. Nxitimi i shteteve ballkanike tregon se ato synonin të realizonin planet e Aleancës Ballkanike dhe të shfrytëzonin vështirësitë e brendshme dhe të jashtme të Perandorisë Osmane, për ta dëbuar atë nga Ballkani dhe për të ndarë mes vete trashëgiminë e saj. Një mjet mobilizimi brenda dhe jashtë ishte përkufizimi i kësaj lufte kundër Perandorisë Osmane edhe si mision fetar kundër myslimanizmit. Prandaj, të gjithë popujt myslimanë të perandorisë, në sytë e fuqive ballkanike konsideroheshin si pengesë për realizimin e planeve ekspansioniste. Për këtë arsye, Ballkani vazhdon të jetë objekt i interesave kontradiktore, i rivaliteteve të fuqive kryesore botërore.
Kur Aleanca Ballkanike, prapa së cilës qëndronte Rusia, kishte nisur luftën kundër Perandorisë Osmane, Kosova, Shqipëria Veriore (Kosova) ndodhej në luftë; ushtria serbe po vriste dhe shkatërronte fshatra dhe qytete shqiptare dhe në vilajetet tjera osmane me popullatë shumicë shqiptare. Dhjetëra mijë veta u vranë dhe dëbuar. Dhe nga kjo periudhë Shqipëria dhe Kosova kanë bërë një rrugëtim të ndarë: Shqipëria si shtet i pavarur, ndërsa Kosova si një rajon i pushtuar nga Serbia, përkatësisht Jugosllavia.
Siç dihet, beteja, që përcaktoi fatin e luftës, u zhvillua në Kumanovë, në Maqedoninë Veriore, afër trekëndëshit të sotëm kufitar Kosovë-Maqedoni-Serbi. Aty ku, me 9 qershor 1999, komandantët serbë nënshkruan Marrëveshjen Ushtarako-Teknike me NATO-n. Pra, në një farë mënyre, në të po njëjtin vend Kosova u fitua dhe u humbë nga serbët.
Lufta e Parë Ballkanike, që mbaroi me sukses për aleatët ballkanikë, shënoi fundin e Perandorisë Osmane në Evropë dhe fillimin e dekompozimit të ndikimit austro-hungarez në Ballkan. Kjo ishte fatale edhe për fatin dhe të ardhmen e shqiptarëve. Shtetet e forcuara ballkanike bëhen faktor i tretë në rindarjen ndërkombëtare të ndikimit në këtë pjesë të Evropës. Për 80 për qind Serbia zgjeroi territorin e saj, ndërsa me pushtimin e Sanxhakut e rivendosi lidhjen territoriale me Malin e Zi dhe në këtë mënyrë filloi të paraqiste rrezik edhe për Perandorinë Danubiane. Madje, Serbia, e shtyrë nga Rusia, refuzoi kërkesat e Vjenës që të ndërpresë marshimin ushtarak përtej Vilajetit të Kosovës, përkatësisht të heq dorë nga synimi për daljen në bregdetin shqiptar. Në qëndrimin e tij refuzues Beogradi kishte mbështetjen politike dhe ushtarake të Rusisë dhe për këtë Nikolla Pashiqi theksonte se “shqiptarët janë me origjinë serbe, por që kanë ndërruar fenë nën presionin dhe ndjekjet e pushtetit osman”, po ashtu se nuk “heq dorë dalja në det është “interes jetik serb sepse pa të Serbia do të ngulfatej dhe zihej sikur në ndonjë kazan që gjithkah është i mbyllur”.
Serbia nën presionin e Austro-Hungarisë, gjegjësisht të forcave të shteteve anëtare të Koncertit evropian, Austro-Hungarisë, Gjermanisë, Italisë, Francës, Anglisë dhe Rusisë, që ishte një lloj i “Grupit të Kontaktit” të sotëm, megjithatë u detyrua që të tërhiqet nga Shqipëria veriore, por jo nga Kosova. Austro-Hungaria asokohe nuk ishte në gjendje të ndërhynte ushtarakisht, ngase pas pushtimit të Sanxhakut nga serbët e malazezët, që deri atëherë ishte një pykë ndarëse midis këtyre dy popujve sllav dhe në të njëjtën kohë shërbente si urë lidhëse mes Bosnjës dhe Kosovës, ishte krejt e pamundur të ndërhyhej ushtarakisht. Madje, edhe brenda vetë qarqeve qeveritare në Vjenë kishte dallime mes krahut politik dhe ushtarak lidhur me mënyrat e qasjes ndaj Serbisë, nga frika se çdo konfrontim me këtë shtet grindavec ballkanik do të përfshinte në luftë edhe Rusinë dhe Francës. Po ashtu, gjatë krizës ballkanike, Gjermania zyrtare nuk ishte e vendosur për opsionin e luftës.
Ndonëse formula e dyfishtë për reforma dhe status quo-në tokësore, mbi të cilën u arritën marrëveshjet e para të diplomacisë evropiane, pas Luftës së Parë Ballkanike dukej e vonuar. Sidoqoftë, ajo përbënte në atë kohë një përpjekje të përbashkët të fuqive të mëdha për ruajtjen e ekuilibrave dhe të evitimit të konfrontimeve në shkallë kontinentale.
Vetë Serbia, në konferencën e Londrës hoqi dorë nga “parimi etnografik” dhe u deklarua për “kufirin natyror, gjeografik dhe strategjik”, sepse sipas Beogradit, “konsideratat etnografike” ishin të pafavorshme për caktimin e kufijve në Ballkan.
Për shkak të pranimit të rezultateve të luftës dhe ruajtjes të ekuilibrave mes fuqive evropiane, Konferenca e Londrës vulosi një paqe të brishtë, e cila nuk arriti të shmangte shpërthimin e Luftës së Parë Botërore. Kjo ishte një paqe e padrejtë, ngase legjitimoi ndryshimet territoriale në Ballkan, të cila u shndërruan një faktor destabliteti për rajonin dhe Evropën.
Nisma e dytë e Berchtoldit
Lufta e Parë Ballkanike përbënte kërcënim ushtarak për Austro-Hungarinë: nëse serbët do të pushtonin pjesën tjetër të Shqipërisë, atëherë edhe aleati i saj Rusia do të fitonte dalje në Adriatik. Dhe ky deti më nuk do të ishte , ashtu siç kishte qenë që nga Kongresi i Berlinit, një deti i brendshëm austro-italian. Për këtë arsye Berchtold dëshironte me të gjitha mjetet të pengonte një port serb në Adriatik.
Kur tashmë ishte përcaktuar fati i Luftës Ballkanike dhe kur u bë e qartë se më nuk mund të ruhej më ekzistenca e Perandorisë Osmane, dhe kur Serbia kishte pushtuar tërë Kosovën, dhe po mësynte brigjet lindore të Adriatikut, diplomacia vjeneze paralajmëroi Beogradin që të mos shkonte më tej.
Berchtoldi bëri përpjekjet diplomatike të radhës për ta penguar daljen e Serbisë në brigjet shqiptare të Adriatikut. Ai udhëzoi të dërguarit diplomatik në Beograd dhe në Cetine që të kundërshtonin këtë aksion ushtarak në brendësi të territorit shqiptar. Kryeministri serb do t’i përgjigjej të dërguarit austro-hungarez Ugron, pasi i kishte sjellë këtë kërkesë të qeverisë së tij, se “ nuk mund të tërhiqeshin assesi nga një port në Detin Adriatik”, ngase për Serbinë ky është “një kusht i ekzistencës.”
Kjo mënyrë sesi këto dy vende ballkanike, Serbia dhe Mali i Zi, pa hezituar fare refuzuan kërkesat e Monarkisë Danubiane, nuk ishte e rastit, pasi Rusia cariste kërkonte që të mbështeste aksionet e shteteve ballkanike dhe lidhur me këtë mori edhe masa ushtarake. Jo vetëm se këto dy shtete ballkanike refuzuan kërkesat e Austro-Hungarisë, por trupat serbe ndërmorën sulme edhe kundër trupave austro-hungareze.
Veç kësaj, trupat ushtarake serbe ndërmorën veprime arbitrare edhe ndaj përfaqësive konsullore austro-hungareze në Kosovë. Ky ishte tregues se Monarkia Danubiane nuk mund ta ndryshonte gjendjen në kufijtë jugor të fqinjit armiqësore, madje tani ishte tepër vonë edhe po të ndërhyhej ushtarakisht pasi vendet ballkanike kishin krijuar fakte në terren. Pushtimi i Sanxhakut ishte fatal për pozicionin e Perandorisë Austro-Hungareze, pasi më nuk ekzistonte një pykë mes Serbisë dhe Malit të Zi dhe se ishte prishur kontinuiteti territorial nga Bosnja-Sanxhaku deri në Kosovës.
Ofensiva diplomatike austro-hungareze vazhdoi edhe në pjesën e parë të nëntorit, kur në qarqet diplomatike evropiane filloi të formësohej ideja për një konferencë evropiane.
Pas rezultateve të Luftës së Parë Ballkanike, kur shtetet ballkanike kishin dal fitimtare, Austro-Hungaria e kishte të qartë se ishte bërë e pamundur bashkimi në një shtet i katër vilajeteve, Kosovës, Janinës, Manastirit dhe Shkodrës. Në këto rrethana Vjena zyrtare ravizoi krijimin e një Shqipërie të aftë për të mbijetuar e pavarur. Kjo pikë e programit, që doli nga diskutimet në rrethet qeveritare të Austro-Hungarisë, iu komunikua edhe dy anëtarëve të Trepalëshes, Gjermanisë më 30 tetor dhe Italisë më 3 nëntor. Në të njëjtën kohë Berchtoldi edhe përmes Programit 7 pikësh, të cilin më 3 nëntor 1912 ambasadori austro-hungarez në Berlin ia bëri të njohur edhe Gjermanisë, kërkoi që të sigurojë një qëndrim të përbashkët të qeverisë gjermane për mbrojtjen e interesave vitale të Austro-Hungarisë, të cilat do të mund të përfshiheshin në një zhvillim të lirë të Shqipërisë.
Ky program përcaktonte linjat e ardhshme të politikës së jashtme të Monarkisë Danubiane, përkatësisht përcaktonin kornizat e veprimit të Vjenës në periudhën e pas Luftës së Parë Ballkanike. Në pikën e parë theksohej se Monarkia do të pajtohen me zgjerimin territorial të Serbisë me kusht që ajo të mos ndiqte politika agresive ndaj saj. Por, në pikën e dytë, Vjena zyrtare mbetej konsekuent kundër daljes së Serbisë në brigjet lindore të Adriatikut si dhe theksohej se ekspansioni i Serbisë në territoret serbe dëmtonte interesat e shqiptarëve. Ndërsa në pikën 3 theksohej se një zhvillim i lirë i Shqipërisë qëndronte në ndërlidhje me interesat e Monarkisë.
Duke dashur të forconte pozicionin e saj lidhur me çështjen e krijimit të shtetit shqiptar, Berchtold i propozoi Rusisë më 17 nëntor një shkëmbim mendimesh mbi caktimin e kufijve dhe organizimin e brendshëm të Shqipërisë. Në këtë fazë, vetëm krijim i një Shqipërie të pavarur dhe siguria e territorit të saj mbeti objektivi kryesor i politikës ballkanike të Austro-Hungarisë. Sa për organizimin e brendshëm të Shqipërisë, u sugjerua që të përzgjidhje një princ që të mos i përkiste as njërës prej feve shqiptare.
Rruga drejt pavarësisë
Katërmbëdhjetë pikat e kryengritësve shqiptarë, të cilat në gusht 1912 ishin formuluar nga Hasan Prishtina, synonin të krijonin parakushtet për krijimin e shtetit të pavarur shqiptarë. Mungesa e një qendre dhe organizimi mbarë kombëtare, bënë që disa prijës shqiptarë e konsideronin të domosdoshme marrjen e një hapi radikal. Elita shqiptare synonte t’u dilte përpara tendencave të hapura për ndarje të territoreve shqiptare nga shtetet ballkanike. Ismail Qemaili u nis për të diskutuar për të ardhmen e Shqipërisë dhe për ta hapur rrugën e tij që të vinte në krye të një shteti autonom shqiptar. Në takimin e Bukureshtit në nëntor 1912 pjesëmarrësit nuk ishin në gjendje të merrnin ndonjë vendim të qartë. Ata ende luhateshin mes autonomisë dhe pavarësisë, por bashkoheshin në pikën se nuk do të lejohej ndarja e territoreve shqiptare dhe se për këtë duhej të thirrej një Kuvend Kombëtar. Në fund të takimit të Bukureshtit më 5 nëntor u arrit të merrej vendimi, në të cilin pjesëmarrësit deklaronin se meqë qeveria osmane aktualisht nuk është e aftë për të siguruar rend të qeverisjes, shqiptarët do të formonin një Komitet Drejtues për drejtimin e Shqipërisë. Në të njëjtën kohë Ismail Qemaili shpërfaqi pretendimet e tij për të luajtur një rol vendimtar në fatin e Shqipërisë. Nga Bukureshti i udhëzoi përkrahësit e tij që të pengonin përpjekjet e Syrja bej Vlorës që pa prezencën e tij të merrte në dorë çfarëdo aksioni. Paralelisht me të afërmin e tij Syrja bej Vlora filloi edhe Ismail Qemaili kampanjën për thirrjen e një Kuvendi Kombëtar, çka thelloi edhe më shumë kaosin në Shqipëri.
Ishte fakt i njohur se Vjena para Ismail Qemalit preferonte që flamurin pavarësisë ta ngrinte Syrja bej Vlora dhe djali i tij Eqerem bej Vlora, madje ky i fundit për këtë qëllim shkoi në Vjenë, ku ra dakord me austriakët që të bënte përpjekje së bashku me babanë e tij të mblidhnin një Kuvend në Vlorë që ta shpallnin ata Pavarësinë. Nga tubimi kombëtar i thirrur nga ata në Vlorë, nuk ishin përfaqësuesit e të gjithë krahinave shqiptare, prandaj edhe nuk doli ndonjë rezultat konkret. Syrja Vlora u ballafaqua me vështirësi të shumta: paragjykimi, smira, vogëlsira dhe pasiviteti i karakterizoi shumicën e pjesëmarrësve. Megjithatë, Syrja bey Vlora nuk hoqi dorë nga synimi i tij për proklamimin e pavarësisë dhe për neutralitetin e saj, si dhe mbështetjen e saj nga ndonjë fuqi e madhe, pikërisht nga Monarkia Austro-Hungareze.
Në fakt, shumica e shqiptarëve nuk e besonte se shtetet ballkanike do të mund të mund ta fitonin luftën kundër Perandorisë Osmane. Pavarësisht nga kjo, Lufta e Parë Ballkanike shpërtheu dhe kur arritën informacionet e para nga fronti i luftës, Syrja bej Vlora vendosi që nga Vlora të shkonte në Shqipërinë e Mesme dhe Veriore për të biseduar me prijësat e atjeshëm lokal lidhur me mundësinë e organizimit të një Mbledhje Kombëtare në një qytet në Shqipërinë e mesme. Po ashtu, Eqrem bej Vlora ndërkohë në Vjenë zhvilloi negociata lidhur me deklarimin eventual të pavarësisë dhe të neutralitetit. Në të njëjtën kohë, në Vjenë kishte shkuar edhe Ismail Qemaili për të biseduar për planet e tij me ministrin e Jashtëm austro-hungarez. Ardhja e Eqrem bej Vlorës në Vjenë e shtyri Ismail Qemailin të largohej përkohësisht nga Vjena dhe të shkonte në Budapest për aq kohë sa kushëriri i tij të qëndronte në kryeqytetin e Perandorisë Austro-Hungareze. Ismail Qemaili rikthehet në Vjenë, por ai do të pritet pa ndonjë entuziazëm dhe pa gatishmërinë e Berchtoldit që të hynte në diskutime të hollësishëm për çështjen e të ardhmes së Shqipërisë. Në ditarin tij konti Berchtold shkruan se Ismail Qemaili kërkoi nga ai mbështetje diplomatike për synimet kombëtare të shqiptarëve si dhe informacione lidhur me qëndrimin e Vjenës zyrtare për organizimin e ardhshëm të Shqipërisë, si dhe mendimin e qeverisë austro-hungareze lidhur me mundësinë mbajtjes të një Kuvendi Kombëtar. Megjithëse atij ju premtua përkrahje diplomatike, Berchtold nuk dëshiroi të hynte në detaje deri në përfundim të luftës. Berchtold mori qëndrim vetëm rreth synimit serb për daljen në brigjet shqiptare të Adriatikut: Austro-Hungaria do të pengonte me të gjitha mjetet që Serbia të merrte një pjesën lindore të Adriatikut. Arsyeja e vërtetë e mungesës së gatishmërisë të ministrit të Jashtëm Berchtold për të diskutuar në detaje me Ismail Qemailin, ishte jo vetëm pasiguria e përfundimit të luftës ballkanike, por nga njëra anë edhe interesimi i Ballhausplatzi që Kuvendi Kombëtar të bëhej nga Syrja bej Vlora, dhe nga ana tjetër, ngjashëm si italianët, personin e Ismail Qemailit e konsideronin si mjaft i pasigurt.
Dhe të njëjtat pikëpamje të bisedës, që pati me Ismail Qemailin në Ministrinë e Jashtme të Austro-Hungarisë në Vjenë, dalin edhe nga telegrami që Berchtold ia dërgoi ambasadorit austro-hungarez në Romë Merey më 22 nëntor, për t’i transmetuar San Xhuilianos në mënyrë tepër konfidenciale se takimi me Ismail Qemailin kishte qenë “krejt i përgjithshëm” për arsye “se edhe unë kam të njëjtin mendim të disfavorshëm për këtë politikan sikurse edhe markezi San Xhuliano” dhe ani nuk planifikonte që ti caktonte ndonjë rol të veçantë atij në zhvillimet e ardhshme në Shqipëri. Në anën tjetër, Eqrem bej Vlora zhvilloi takime në të gjitha nivelet. Ai bisedoi me ministrin e Jashtëm austro-hungarez Leopold Graf Berchtold, me Shefin e shtabit të Përgjithshëm Conrad von Hötzendorf dhe ekspertët për Shqipërinë në shërbim të Ministrisë së Jashtme si Karl Macchio dhe Alfred Rapport. Ai priste përgjigje nga Berctholdi në nëntë çështje themelore, nga këto duhet përmendur tri: nëse Vjena do të merrte apo jo përsipër garantimin e brigjeve shqiptare deri në Prevezë; nëse Ministria e Jashtme e Austro-Hungarisë do të mbështeste përcaktimin territorial dhe një organizimin dhe kontrollim austro-hungarez “të territoreve të banuara kryesisht me shqiptarë nën sundimin osman”; dhe nëse Monarkia ishte e gatshme, në rast se integriteti i territoreve shqiptare nuk do të mund të mbrohej nga konferenca ndërkombëtare, me diplomacinë e saj të përfaqësonte shqiptarët dhe që të mbështeste furnizimin me armë dhe të subvenciononte organizimin e Lidhjes Shqiptare? Me atë rast rezultoi edhe çështja , nëse dhe nën çfarë rrethana eventuale parashikohej një okupim perandorak dhe mbretëror austro-hungarez. Natyrisht, në përgjigjen e tij Bercthold do të jepte edhe një përgjigje retorike për çështjen e ruajtjes së taksu quo-së, si një detyrim kolektiv i Koncertit Evropian. Ndërsa në rast të vazhdimit të luftërave të mëtutjeshme dhe të dekompozimit të Perandorisë Osmane, synimet e Austro-Hungarisë ishin të krijohej një shtet shqiptar deri te lumi Kalama. Berchtoldi përjashtonte mundësinë e një ndërhyrje dhe të një kontrolli ushtarak mbi vilajetet shqiptare. Pasi Vjena zyrtare e konsideronte se e vetme do të ishte jo shumë e mundshme që të pengonte copëtimin e territoreve shqiptare, ministri i Jashtëm austro-hungarez u tregu i gatshëm që të mbështeste në fshehtësi një rezistencë eventuale të shqiptarëve. Vlen të theksohet se Vjena zyrtare shkoi më tej, Eqrem bej Vlorën e udhëzoi që në rast të shpërbërjes së Perandorisë Osmane të thirrej një Kuvendi Kombëtar me qëllim që të proklamohej pavarësia dhe neutraliteti i Shqipërisë. Në këtë kohë nuk ekzistonte një unitet brenda prijësve shqiptarë, madje as brenda familjes së madhe Vlora, respektivisht mes Syrja bej Vlorës dhe Ismail Qemal Vlorës. Pikërisht për shkak të këtyre dallimeve disa javë më parë ishte penguar Syrja bej Vlorës që të mbante një tubim të tillë. Kështu, edhe Eqrem bej Vlora u kthye në atdhe pa ndonjë rezultat konkret.
Në fillim të nëntorit Syrja bej Vlora filloi udhëtimet e tij nëpër Shqipëri. Ai zhvilloi takime si në Tiranë ashtu edhe në Durrës. Asambleja Kombëtare e planifikuar nga ai kishte shumë objektiva: duhej të zgjidhej një delegacion me qëllim që t’i mbronte vetë shqiptarët në një konferencë ndërkombëtare, për të cilën asokohe filloi të flitej në qarqet evropiane dhe me sa duket për këtë ai dhe djali i tij ishin të informuar nga zyrtarët e lartë të Ministrisë së Jashtme në Vjenë. Në këtë kohë, ideja e proklamimit të pavarësisë në parim mbështetej edhe në Shqipërinë e Mesme, por për këtë çështje nuk mund të bëheshin për vete disa pjesëtarë të familjes Toptani dhe një pjesë e malësorëve në Veri, përkatësisht në Mirditë. Po ashtu, edhe vendi i shpalljes së pavarësisë u shtrua në diskutim: duhej të ishte Elbasani apo Tirana apo edhe Durrësi? Në këtë kohë merrej në konsideratë edhe rezistenca popullatës dhe prijësve konservativ myslimanë, të cilët besnikërinë dhe simpatitë e tyre ndaj Sulltanit e kishin shprehur përmes një varg demonstrimeve publike. Kjo situatë e bënte të vështirë çështjen e thirrjes dhe organizimit të një kuvendi kombëtar.
Pavarësisht nga kjo, Eqrem bej Vlora, siç shkruan në kujtimet e tij, shkoi në Shkodër për çështjen e organizimit të një kuvendi kombëtar dhe atje takoi komandantët ushtarak osmanë, Hasan Riza pashën dhe Esat pashë Toptanin, Me këtë rast ai propozoi që në rast se do të shpërbëhej Perandoria Osmane të shpallej pavarësia e Shqipërisë dhe në këtë pikë kyçe të ngrihej flamuri shqiptar. Derisa Esat Pasha do të qëndronte shumë i rezervuar ndaj këtij propozimi, Riza Pasha e priti me simpati. Dhe vetëm pas marrje së lajmit për afrimin e trupave serbe dhe malazeze në Shqipërinë e Veriut, Toptani u pajtua për thirrjen e një Kuvendi Kombëtar dhe një qëndrim i tillë ndryshoi edhe qëndrimin e popullatës myslimane në Shqipërinë e Mesme, e cila u rreshtua para qëndrimit të tij. Me këtë ndryshim u rritën përsëri shpresat për organizimin e një Kuvendi Kombëtar në Tiranë. Për këtë qëllim Syrja bej Vlora e udhëzoi djalin e tij Eqremin, i cili sapo ishte kthyer nga Vjena, të dërgonte në Tiranë përfaqësuesit e fundit që ende ndodheshin në Vlorë. Por, Eqrem bej Vlora nuk pati sukses të përmbushte udhëzimin e babait të tij. Kështu, pa ndihmën e të gjithë prijësve shqiptarë Syrja bej Vlora edhe kësaj radhe nuk arriti të bënte realitet qëllimet e tij. Tubimi i thirrur prej tij nuk ishte efektiv dhe shpallja e pavarësi dështoi sërish, pasi nuk arriti t’i bashkonte rreth vetes të gjithë prijësit shqiptarë. Syrja bej Vlora u sulmua nga kundërshtarët e tij dhe misioni i djalit të tij në Vjenë pësoi në fund një fiasko. Syrja bej Vlora, i zhgënjyer nga ky dështim, nuk u kthye më në Vlorë, por la aty djalin e tij Eqremin që të mbaj pozicionin dhe shkoi për në Stamboll.
Ndërkohë, në fillim të nëntorit, ndodhën parashikimet e Syrja bej Vlorës, trupat e Aleancës Ballkanike depërtuan pandalshëm dhe pushtuan pothuaj gati të gjitha territoret shqiptare. Tani prijësit shqiptar e kuptuan se kishte ardhur momenti kritik në të cilin shqiptarët duhej të vendosnin për të ardhmen e vendit të tyre, të kërkonin fatin e tyre në kuadër të shtetit osman apo të shpallnin pavarësinë e Shqipërisë.
Në Jug të Shqipërisë, në Vilajetin e Janinës, të kërcënuar nga ushtritë greke, prijësit shqiptarë vendosën të luftonin për mbrojtjen e atdheut, derisa veriu (Kosova) tashmë ishte pushtuar nga ushtritë serbe dhe malazeze. Në Janinë konsulli austro-hungarez Konstantin Bilinski u informua nga paria shqiptare se në rast të copëtimit të Perandorisë Osmane , atëherë toskët do të kërkonin mbrojtjen e Austro-Hungarisë dhe në rast nevojë këtë gjë do ta deklaronin edhe përmes një Kuvendi Kombëtar. Në ndërkohë, një pjesë e inteligjencës katolike shqiptare të thirrur nga Syrja bej Vlora kërkuan mundësinë një rrugëzgjidhje në Durrës. Aty zhvilluan bisedime me vicekonsullin austro-hungarez dhe u interesuan, nëse Austro-Hungaria në rast nevoje edhe me masa ushtarake do të pengonte depërtimin e mëtutjeshëm të ushtrisë serbe në territoret shqiptare. Vicekonsulli Lajos Rudnay, i cili mori instruksionet e Vjenës, mohoi mundësinë e një intervenimi austro-hungarez. Pak ditë më vonë, më 12 nëntor, disa prijës shqiptarë në Durrës, i dërguan një letër Perandorit Franz Joseph i kërkuan ndihmë që nga katër vilajetet e banuara me shqiptarë (Kosovë, Manastir, Janinë dhe Shkodër) që të organizonin një njësi administrative autonome në kuadër të Perandorisë Osmane. Në rast se kjo nuk do të ishte e mundshme, thuhej në letër, atëherë perandorit austro-hungarez i kërkohej ndihmë që nga katër vilajetet të formohej një shtet shqiptar sipas shembullit të shteteve tjera ballkanike. Ajo që nuk u bë realitet në gusht të vitit 1912 në Shkup dhe nga përpjekjet e Syrja bej Vlorës, okupimi serb, malazias dhe grek ndikoi në afrimin e grupeve të ndryshme shqiptare rreth nevojës së bashkimit të vilajeteve shqiptare në një shtet autonom. Ndërsa ideja e pavarësisë, e cila në Vjenë ishte formësuar që nga shtatori 1912, ishte e përfytyrueshme vetëm në rast të humbjes së luftës nga Perandoria Osmane. Duhet pranuar se popullata myslimane në Shqipërinë e Mesme edhe më tej nuk e shikonte me simpati rrezikimin e pushtetit të Sulltanit në Shqipëri. Në anën tjetër, përfaqësues të popullatës së Shqipërisë Veriore, të cilët ishin arratisur në Kotorr, ishin të një mendimi me prijësit shqiptarë të mbledhur në Durrës, ata iu drejtuan kontit Berchtold që të ndihmonte për autonominë e katër vilajeteve shqiptare. Madje, ata kërkonin që në rast të shpërbërjes së Perandorisë Osmane, Shqipëria të vihej nën kontrollin e Austro-Hungarisë. Nevojën e intervenimi ushtarak austro-hungarez e kërkonte edhe kleri katolik.
Ndërkohë, në Jug të Shqipërisë, në rajonin e Himarës kishin zbarkuar trupat greke. Komandanti shqiptar i Janinë Esad Pashë Halasti, kundër tyre dërgoi një trup prej 500 kosovarëve nën komandën e një oficeri osman dhe kërkoi nga Eqrem bej Vlora që të organizohej rezistenca kundër ushtrisë greke. Në këto rrethana, kur Eqrem bej Vlora lëshoi Vlorën dhe nis luftë kundër grekëve, për politikanin me eksperiencë dhe shumë të mprehtë Ismail Qemail bej Vlora u krijua një mundësi e madhe për realizimin e qëllimit për deklarimin e pavarësisë. Atë që në “paqe” nuk arriti ta bënte Syrja bej Vlora, nën rrethanat e rrezikut të pushtimit total nga vendet ballkanike e bëri realiteti i afërmi i tij Ismail Qemaili, i cili në vitet 1911-1912 gjithmonë ndodhej në lëvizje në relacionet Cetnije, Bukuresht, Sofje, Stamboll dhe Vjenë.
Pas kthimit të Ismail Qemailit nga Vjena në Durrës më 21 nëntor, ai zhvilloi takime me disa prijës shqiptarë të rretheve të ndryshme të Shqipërisë. Në të njëjtën kohë, Vjena zyrtare mori një aksion të gjerë për të takuar dhe mbështetur edhe prijësit shqiptarë, duke filluar nga Syrja dhe Eqrem bej Vlora dhe Ismail Qemaili dhe prijës të tjerë. Konti Berchtold në një udhëzim që i dërgonte nënkonsullit të tij në Durrës, Ludwig von Rudnay i përsëriste se në këto kohë të vështira është shumë i nevojshëm uniteti ndërmjet prijësve shqiptarë si dhe i kërkohej që të bisedohej me ta për formën e qeverisjes së ardhshme të Shqipërisë.69
Mbi të gjitha, thirrja e Berchtoldit për unitet mes prijësve shqiptarë synonte të krijonte një situatë të favorshme brenda Shqipërisë si dhe të krijoheshin premisat se mund të realizohej më në fund pavarësia e Shqipërisë, pas disa përpjekjeve të pasuksesshme të vitit 1912, fillimisht në Shkup, pastaj në Tiranë dhe në Durrës. Tejkalimi i dallimeve të brendshme do të ishte një faktor lehtësues edhe për Vjenën zyrtare në mbrojtjen e çështjes shqiptare në rrafshin diplomatik, sidomos kur tashmë në horizont ishte ravijëzuar çështja e thirrjes të një konference diplomatike evropiane për rregullimin e problemeve pas Luftës së Parë Ballkanike.
Në kohën kur Syrja bej Vlora kishte shkuar në Stamboll, ndërsa nipi i tij ndodhej në luftë për mbrojtjen e Himarës, Ismail Qemaili ndodhej afër cakut të realizimit të idealit të shqiptarëve dhe ëndrrës së tij për të qenë në krye të zhvillimeve shqiptare. Ai mori rrugën për në Vlorë, ndërsa në Fier atij iu bashkuan refugjatë të familjeve të mëdha kosovare, Draga, Deralla dhe Begolli, të cilët e mbështetën e idenë e thirrje së kuvendit kombëtar në Vlorë dhe disa pr prej tyre po ashtu u konsideruan edhe si delegatë të krahinave prej nga vinin. Megjithëse një pjesë e konsiderueshme e delegatëve akoma ndodheshin në rrugë e sipër, si për shembull Isa Boletini me luftëtarët e tij, apo ndonjë tjetër që nuk mund të vinte shkaku i depërtimit të forcave serbe, në një takim të shkurtër, më 27 nëntor 1912 u vendos që të nesërmen, më 28 nëntor, të shpallej pavarësia e Shqipërisë. Pasi që politikanët shqiptar shpallën pavarësinë e shtetit shqiptar dhe trupat serbe arritën në brigjet e Adriatikut, Vjena dhe Roma udhëzuan diplomatët e tyre në Shqipëri se Austro-Hungaria dhe Italia e përkrahnin një Shqipëri të pavarur. Kornizat politike dhe qëndrimi i vendosur i Austro-Hungarisë e bënë realitet ëndrrën e nacionalizmit shqiptar për një shtet kombëtar. Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë më 1912 në Vlorë nuk ishte një përfundim madhështor, ajo më shumë u imponua nga natyra e ngjarjeve historike, brenda dhe jashtë, të cilat çuan në krijimin e një shteti të cunguar shqiptar. Shpallja e pavarësisë përmbylli një epokë dhe në të njëjtën kohë hapi një tjetër, e cila u shoqërua me vështirësi dhe destabilitet të vazhdueshëm deri në këtë 100 vjetor.
Përfundim
Mund të thuhet se kryengritja shqiptare kundër pushtetit osman e vitit 1912, njëzet e katër vjet pas Lidhje së Prizrenit, ishte lokale për nga karakteri i saj. Ajo ndodhi më shumë veri të Shqipërisë, respektivisht në Vilajetin e Kosovës. Kryengritja e vitit 1912, edhe pse kishte tejkaluar stadin e saj rudimentar, ajo nuk gjeti një shtrirje mbarë kombëtare dhe i mungoi një qendrën drejtues po ashtu mbarë kombëtar. Nuk pati as unitet çfarë e kërkonte komenti i asaj kohe, pati tre rryma brenda prijësve shqiptarë, të cilët po ashtu me apo pa vetëdije viheshin në shërbim të agjendave të shteteve fqinje apo të shtetit osman. Vetëm krahu autonomist, më përparimtar për kohën, ishte i pafuqishëm përballë grupit të tukomanëve dhe hamidistëve. Në fakt, këto qarje vinin edhe si rezultat i lojës së Portës së Lartë, e cila në njërën anë, bënte premtime boshe për premtimin e kërkesave të shqiptarëve, në anën tjetër, investonte për thellimin e dallimeve në kuadrin e lëvizjes kombëtare shqiptare. Një handikap tjetër, ishte se elita e atëhershme shqiptare, me përjashtim të një numri të vogël, nuk ishte në nivelin e kohës, për të komunikuar me kancelaritë evropiane dhje për të artikuluar qartë synimin kombëtar. Kryengritja e vitit 1912 ë Kosovë, megjithëse nuk pati si qëllim interesat lokale, por kërkesa të karakterit gjithëkombëtar, ajo nuk arriti të shtrihej në gjithë Shqipërinë. Kryengritjen Kosovës e vitit 1912 nuk ndoqën edhe krahinat shqiptare. Prandaj, ngjarjet e vitit 191 nuk ndoqën mendimin politik kombëtar shqiptar dhe projeksionet kombëtare të Takimit të Taksimit. Veç kësaj, në lëvizjet çlirimtare të Ballkanit kurrë nuk pati një front të përbashkët lufte kundër sundimit osman, pasi përherë u përjashtuan shqiptarët, të cilët dalloheshin me popujt tjerë të Ballkanit për nga feja dhe gjuha.Për këtë shkak, objektiva e saj fillestare ishte krijimin i një Shqipërie autonome, por që në fund ajo përfundoi me një kompromis midis konservatorëve dhe të hamidistëve, në njërën anë, dhe krahut autonomist me në krye intelektualët e njohur Hasan Prishtina dhe Nexhip Draga, në anën tjetër. Një pengesë tjetër e rëndësishme për arritjen e synimeve të kryengritjes së vitit 1912 në Kosovë vinte nga vendet fqinje ballkanase, të cilat në projeksionet e tyre agresive mohonin ekzistencën dhe interesin e kombit shqiptar. Po kështu, feja ishte një forcë frenuese në ndërgjegjësimin kombëtar. Në Perandorinë Osmane, feja e jo kombësia, qe kriteri për trajtimin e shqiptarëve. Duke qenë myslimanë shumica e shqiptarëve, ata gëzonin një pozicion më të privilegjuar në perandori, përballë vëllezërve të tyre ortodoksë dhe katolikë. Kjo rrethanë ishte pengesë për bashkimin kombëtar, por edhe për gjetjen e mbështetjes nga vendet evropiane. Çlirimi i kombit shqiptar, ashtu si edhe i popujve të tjerë ballkanikë, nuk mund të përfytyrohej pa ndihmën e ndonjë Fuqie të Madhe evropiane. Mirëpo, këto shtete evropiane ndihmuan kryesisht kombësitë e krishtera të Ballkanit, por qëndruan indiferent ndaj fatit të shqiptarëve, meqë shumica e tyre qenë myslimanë, ata shpesh identifikoheshin me osmanët dhe turqit. Ata nuk kishin lidhje të përbashkëta me ndonjë nga fuqitë evropiane, si ato që ekzistonin midis sllavëve ballkanas dhe Rusisë, lidhje të bazuara mbi trashëgiminë e përbashkët sllave dhe fetare ortodokse.
Në të vërtet, Austro-Hungaria i kishte kushtuar një vëmendje të madhe Shqipërisë, por këtë e kishte bërë ngushtësisht për shkak të rivalitetit që kishte me Serbinë dhe projeksioneve të saj për influencë. Politika e status quo-së, e formuluar nga Koncerti Evropian, e mbrojti Shqipërinë nga pushtimi i vendeve fqinje, por në të njëjtën kohë nuk ishte e mjaftueshme për ndërgjegjësimin kombëtar të shqiptarëve dhe për krijimin e një shteti autonom si një hap drejt pavarësisë. Sidoqoftë, rolin më të rëndësishëm në këtë periudhë e luajtën kosovarët. Ironia e fatit e solli që kosovarët, të cilët i kishin ndihmuar xhonturqit të vinin në fuqi, tani po kontribuonin më shumë se të tjerët për humbjen e tyre. Zgjidhja më e mirë në ato rrethana ishte në Shqipëri autonome si një hap drejt pavarësisë. Në këtë linjë duhet parë edhe nismën diplomatike të Austro-Hungarisë për decentralizimin e Perandorisë Osmane.
Pikërisht, kur shtetet ballkanike formuan Aleancën e tyre nën mbështetjen e Rusisë, Austro-Hungaria ndërmori me nismat e saj diplomatike për të bindur Portën e lartë dhe qeveritë të tjera evropiane për nevojën e decentralizimit të Perandorisë Osmane dhe për bashkimin e katër vilajeteve shqiptare në një principatë autonome shqiptare.
Në saje të përpjekjeve të fuqishme të Austro-Hungarisë në arenën ndërkombëtare, të cilat gjetën mbështetje tek Gjermania dhe Italia, të bashkëpunimit të saj me vetë udhëheqësit e lëvizjes kombëtare shqiptare, si dhe kryengritjes në Vilajetin e Kosovës në vitin 1912, , u realizua e pavarësia e Shqipërisë, por jashtë saj mbeti Kosova dhe krahina të tjera shqiptare. Konferenca e Londrës kryesisht njohu rezultat e luftës dhe në këtë mënyrë u krijua një shtet i cunguar shqiptar. Me këtë vetëm pjesërisht u ideja e Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Por, duhet pranuar se në procesin e përcaktimit të kufijve dhe në vetë procesin shtet-ndërtimit të saj, roli i Vjenës zyrtare mbeti vendimtar. Ishte qëndrimi i vendosur i Austro-Hungarisë ndaj pretendimeve të mëtutjeshme dhe serbe, ashtu si ai italian ndaj pretendimeve greke, , që ia siguruan Shqipërisë mbijetesën e mëtutjeshme. Ndonëse i pa konsoliduar, krijimi i Shqipërisë shënoi një kthesë vendimtar, ajo ndikoi në zhvillimin e vetëdijes dhe identitetit kombëtar në mesin e popullit shqiptar brenda kufijve të shtetit, si dhe në Kosovë, Maqedoni dhe rajone tjera të banuara me shqiptar në dekadat e ardhshme. Ashtu si për nacionalizmi modern shqiptar që periudha e Skënderbeut u bë shtrati në procesin e krijimit të shtetit shqiptarë, edhe për shqiptarët e Kosovës, të Maqedonisë dhe rajoneve tjera etnike shqiptare, shteti shqiptar, ani pse asnjëherë Tirana nuk arriti të luante një lloj irredentizmi, ka qenë shtrati i lëvizjeve politike shqiptare në Kosovë për pavarësi dhe i lëvizjeve tjera politike në Maqedoni dhe në luginën e Preshevës . Dhe vetëm pavarësia e Kosovës i ka dhënë kuptim e vërtetë këtij 100 vjetori të pavarësisë së shtetit shqiptar.