Il Signore: Mentor Hoxha, kronikë e një fati të paralajmëruar

0

 

Kur avioni i Alitalias u ngrit nga Aeroporti i Rinasit dhe njerëzit, shtëpitë dhe pemët në tokë filluan të zvogëloheshin, ai mendoi se ajo që po ndodhte ishte reale.
Po ndodhte vërtet dhe ishte krejtësisht e pangjashme me mënyrën se si e kishte përfytyruar dhe madje njëlloj e ndryshme nga ëndrra që kishte parë tri netët e fundit. Stjuardesat e bukura, gjithë mirësjellje, nuk ishin qenë as në përfytyrimin, as në ëndrrën që kishte parë në tre variante të ndryshme gjatë tri netëve të fundit. Bukët e vogla, të rrumbullakëta, por edhe të bukura, që mund të gëlltiteshin si një kafshatë, gjalpi i shijshëm që shkrinte mbi fetat e vogla, një ëmbëlsirë e zbukuruar me një kokërr qershie, që i jepte një shije të veçantë, sallata me gjethe të çuditshme, që nuk ngjante aspak me marulet e freskëta, që përdorte Baruzja, nëna e tij; gjella e ngrohtë, e mbyllur në një kuti plastike, përsëri gjalpi dhe një djathë që të shkrinte në gojë dhe që nuk i ngjante kaçkavallit të Gjirokastrës, që ndonëse rrallë, por gjithsesi, hynte në kuzhinën e varfër; pirunët dhe thikat, një pecetë e bardhë dhe një gotë verë e kuqe. E gjitha ndodhte në ajër, krejt si me një zotëri të vërtetë, nën kujdesin e stjuardesës, një zonjushe e bukur pothuajse në moshën e tij. “Nuk mund të jetë më shumë se njëzet e tre vjeç apo njëzet e një vjeç.“ Mentor Hoxha, njëzet e një vjeç, nga Patosi, me profesion teknik në Ndërmarjen e Naftës.“Po çfarë profesioni mund të jetë tekniku? Të qenit teknik nuk mund të jetë një profesion”, por i papunë prej dy vjetësh, formalisht ende anëtar i Partisë së Punës, po shijonte për herë të parë në jetën e tij një drekë “zotërinjsh”. Dhe po e shijonte atë në ajër.
Në e xhepin e brendshëm të xhaketës me kuadrate, për asnjë arsye të vetme, i kishte mbetur tesera e anëtarit të Partisë së Punës, tesera e kuqe e komunistit e firmosur nga Engjëll Besho , Sekretar i Parë i Komitetit të Partisë. Ndoshta si një shenjë se vinte përmes qiellit nga një planet tjetër. ”Ku mund të ishte tani ky Engjëll Besho në tokën që vetëm zvogëlohej, zvogëlohej”. Mentor Hoxha, 23 vjeç, me teserën e anëtarit të Partisë së Punës, (“e punës,” kjo paskësh qenë një gënjeshtër e madhe) i kishte harxhuar të gjitha kursimet e tij për të blerë një biletë avioni vajtje-ardhje, për t’u nisur pa asnjë lëkundje drejt fatit të tij.

Nga një provincë e Shqipërisë së izoluar në sallonet e biznesit dhe sipërmarrjes romake

Mentor Hoxha është një nga sipërmarrësit më të suksesshëm shqiptarë në Romë. Dhe sipërmarrësit shqiptarë në të gjithë Italinë nuk janë pak. Por rasti i Mentor Hoxhës është i jashtëzakonshëm. Për një arsye të vetme: për shkallën e plotë dhe të pakrahasueshme të integrimit në një shoqëri të re për të, e cila 25 vjet më parë ishte e huaj dhe krejtësisht refuzuese për të, ashtu si edhe për shumë shqiptarë të tjerë dhe për çdo ekstrakomunitar, pavarësisht nga cili vend vinte dhe kujt etnie i përkiste.
“Ardhja ime në Romë,njëzet e pesë vjet më parë,ishte vërtet një tronditje e madhe. Ishte ndryshe ta shikojë Italinë dhe Romën nga Patosi, përmes ekranit të televizionit dhe ndryshe ta prekje e të ecje në të”..
Shtëpia e tij e parë në Romë ishte një apartament i rëndomtë në Via dei Coribanti, një nga lagjet më popullore në jug të Romës, që iu përket kryesisht refugjatëve, ekstrakomunitarëve apo quajeni si të doni. “Ky ka qenë klubi i rumunëve, ndërsa ai tjetri në krah klubi i albanezëve, kurse më larg klubi i marokenëve dhe klubet e tjera sipas kombësive. Nuk e kuptoja përse klubet ishin të ndarë mbi bazën e etnive: shqiptarët me shqiptarët, rumunët me rumunët.”
Mentor Hoxha thotë se gjëja e parë, që ka refuzuar në Romë, ishte pikërisht kjo ndarje sipas grupit etnik. Për një arsye themelore dhe të padiskutueshme. Refuzimi për të pranuar izolimin në një vend të lirë, që në përfytyrimin e tij dhe të jo pak shqiptarëve ishte identifikuar me Perëndimin.
Pavarësisht nga punët e shumta dhe shpesh të rënda që ka kryer ai thotë se“Kurrë nuk kam menduar të kthehem mbrapsht, se kthim mbrapa do të thotë izolim dhe prapambetje.”
Ndoshta është e shkuara jonë tragjike, një vend i izoluar dhe një shoqëri e izoluar që fatkeqësisht ende ose të mban në vend, ose të nxit të ikësh. Roni, vëllai i vogël i Mentor Hoxhës, zbulon se një vetizolim i shqiptarëve nuk ndodh vetëm në Itali apo në Europë, ku shkalla e pranimit të “ekstrakomunitarëve” dhe të huajve të tjerë është e vogël, por edhe në një vend si Amerika, ku të gjithë janë të barabartë dhe pothuajse të gjithë emigrantë.
Roni Hoxha thotë se një klubi i shqiptarëve në Kaliforni ishte edhe më i zymtë dhe i pakuptueshëm për të tjerët. Njerëz të prapambetur, që nuk duan t’i ikin prapambetjes, megjithëse kanë kaluar Atlantikun. Në Kaliforni, klubi i shqiptarëve gjithë tym cigaresh, vetëm me shqiptarë dhe të gjithë meshkuj. Thjesht pinin duhan, kafe dhe ndiqnin në lajme seancën parlamentare të ditës së enjte në Parlamentin e Shqipërisë, duke ndezur edhe kërshërinë, edhe kureshtjen, edhe habinë e vajzave amerikane, që kalonin aty pari. Për to, në fillim ishte një habi, por Roni Hoxha thotë se i ka dëgjuar të thoshin se “atje është klubi gejve.”

Qyteti i gejve

Mentor Hoxha: “Mu kujtua qyteti i gejve. Në fund të viteve nëntëdhjetë, kur në Patos mbërriti italiani i parë, ai nuk u besoi syve: Si të jetë e mundur, duhet të ketë pyetur veten dhe më pas shpurën kureshtare, që e vështronte sikur të ishte një qenie e zbritur nga një planet tjetër, si të jetë e mundur që i gjithë qyteti qenka GEJ. Pse e pyetëm ne? Si pse? Nuk e shikoni të gjithë meshkujt dalin shëtitje vetëm me meshkuj, të kapur krahë për krahë.?!! U desh pak kohë që të sqaroheshim edhe italiani, edhe ne? Ishte ajo xhiroja e famshme e qyteteve provinciale në kohën e komunizmit, dy apo tre orë çdo pasdite, ku djemtë dhe burrat dilnin shëtitje me krahët e futur te krahët e njëri-tjetrit dhe të ndarë nga femrat. “Do të dalim xhiro,” “do takohemi në xhiro,” “nuk të pashë dje në xhiro” Puna e qytetit të gejve është një nga keqkuptimet e xhiros në një qendër urbane, provinciale, si Patosi, por ka edhe keqkuptime te tjera. M. J., një diplomat i lartë, në Tiranë, nga njëri prej vendeve të Lindjes Komuniste, kujton se gjëja e parë që i shkoi ndër mend tek shihte një lumë njerëzish që ecnin drejt Sheshit Skënderbej dhe një lumë tjetër zbriste nga sheshi, e dukej se diçka po ndodhte. Një protestë apo demonstratë e madhe. Ajo ishte, në fakt, xhirua e buzëmbrëmjes në Tiranë, por gjëja e parë që mendoi diplomati në ditën e parë në Tiranë, teksa dilte nga Hotel Dajti, ishte se me siguri do të zhvillohej ndonjë protestë. Po protesta nuk kishte lidhje me shqiptarët. Protesta iu përket njerëzve, që mund të mos jenë të lirë, por që e duan lirinë. Protesta nuk iu përket skllevërve. Këta shëtisnin lirisht në bulevard për xhiro. Krejtësisht e pabesueshme dhe absurde. Njerëz që ecnin bulevardit nga të dyja krahët me orë të tëra, njerëz të ngeshëm….. Xhiroja e Tiranës, por edhe e qyteteve provinciale, ishte, në fakt, një kotësi e madhe. Ajo e gjitha reflektonte një prapambetje të madhe. Dhe një dorëzim.
Ndaj Mentor Hoxha shprehet: “Të ikësh disa mijëra kilometra larg, deri në Kaliforni dhe të jesh i lidhur me sherrnajën e pafund të politikës në Shqipëri, shkurt do të thotë të mos dalësh nga izolimi, megjithëse jeton në një vend të lirë.”

Letrat nga Perëndimi vinin nga Roma

Përse zgjodhe Italinë? Ndërsa pres përgjigjen e tij mendoj se kjo është një pyetje krejt idiote, që nuk ka nevojë për përgjigje. Për shumicën, nëse jo për të gjithë shqiptarët, madje edhe për ata që rrëmbyen anijet në Durrës, edhe për ata që hezituan, edhe për ata që u futën në ambasada, Perëndimi më i afërt ishte Italia. Mirëpo ky nuk është rasti i Mentor Hoxhës. Nuk e kam zgjedhur Italinë për shkak të Jaçe Z., më shpjegon ai. Jaçe Z. ishte inxhinieri i talentuar që “shpiku” kënaçen në qytetin tonë. Kënaçja është e famshme, një shpikje e shekullit të kaluar, me të cilën shqiptarët arrinin të shikonin kanalet e huaja televizive., kryesisht ato italiane.
Lidhja e Mentor Hoxhës me Italinë është e jashtëzakonshme, unike dhe e pabesueshme. “Në shtëpinë tonë, -thotë Mentor Hoxha, – vinin letra nga Roma. Unë nuk kam lexuar asnjërën prej tyre. Në shtëpi, për letrat që vinin nga Roma flitej pak ose nuk flitej fare. Nuk di se ç’bënte babai im me to. Letrat kanë vijuar, sipas nënës sime, deri sa unë shkova në shkollë të mesme. Por më tej nuk erdhën më. Ndoshta ngaqë asnjëra prej tyre nuk mori përgjigje. Kur unë vendosa të ikja përfundimisht nuk kisha asnjë dilemë se ku duhet të shkoja. Motra kishte bërë të njëjtën gjë. Pa hezitim. Në Itali. Në Romë.
Ishte një fat i përcaktuar, i paralajmëruar, ende pa lindur unë, motra ime dhe vëllai im. Letrat nga Roma vinin prej Pietro di Renzos, ish-ushtari italian, që u bë pjesëtar i familjes Pasho në Paftal të Beratit. Deme Pasho, gjyshi i Mentor Hoxhës nga nëna çoi një ditë vjeshte në shtëpi ushtarin italian Pietro di Renzo.
Por nuk ka qenë vetëm fakti që ushtari italian Pietro di Renzo u bë pjesëtar i barabartë i familjes Pasho, që detyronte vetëm respekt dhe mirënjohje. Deme Pasho arriti t’i shpëtonte edhe jetën italianit të shtëpisë. Ishte një mesditë vjeshte, kur Deme Pasho u kthye në shtëpi, të cilën e gjeti të alarmuar. Një skuadër gjermane kishte kaluar në Paftal dhe e kishte marrë me vete Petro di Renzon. Është e habitshme, e pabesueshme dhe e pashpjegueshme, se si arriti Deme Pasho të bindte oficerin gjerman për t’i rikthyer italianin në shtëpi.
“I kërkova nemces të ma kthente italianin, ka qenë shpjegimi i vetëm që ka dhënë Deme Pasho. I kërkova të ma kthente italianin dhe nemcja ma dha.” Këtë shpjegim Mentor Hoxha e ka nga babai i tij, Qemali.
“Italiani është njeriu i shtëpisë dhe robi im,” – paska thënë Deme Pasho. Nëse oficeri gjerman, që dha pëlqimin për ta rikthyer Pietron, nuk e ka kuptuar çdo të thoshte fshatari me kalë, me fjalinë “njeriu i shtëpisë,” është e sigurt se e ka kuptuar fjalën rob, të përkthyer në gjermanisht nga një civil që kishte skuadra me vete.
Deme Pasho, një njeri me influence, pa ndonjë shkollim, në thelb, i kishte kujtuar oficerit gjerman nëse jo ligjet e luftës, të cilat s’kishte si t’i dinte, të paktën zakonet e luftës, të cilat ashtu sikundër ligjet e luftës nuk e lejojnë vrasjen e robërve, që ai me siguri e ka ditur, se çfarë arsye tjetër ta ketë bindur oficerin gjerman përveç kësaj? Askush nuk e di, por cilado të ishte arsyeja, Deme Pasho arriti ta kthente gjallë italianin në shtëpi.

Italia ishte Perëndimi i Shqiptarëve.

“E kam falënderuar me shpirt Jaçen, -thotë Mentor Hoxha, – që për ne ishte një shkencëtar. Pa Jaçen, inxhinierin e talentuar të raketave, që shpiku kënaçen me të cilën mund të shihnim kanalet italiane të televizionit, duke iu ikur zhurmuesve të regjimit, Perëndimi dhe Italia nuk do te kishin ekzistuar për ne. Nuk do të kishim mundur ta zbulonim. Megjithatë, nuk ishin vetëm letrat, as vetëm Jaçja dhe shpikja e tij që i detyroi zgjedhjen drejt Italisë.
Në fillim ishte Pietro Di Renzo. Pietro di Renzo, ish-robi italian në shtëpinë e gjyshit në Paftal të Beratit ishte grishja e parë drejt Perëndimit. Si të thuash, duket sikur ka qenë diçka e paralajmëruar që do të ndodhte, por që duhej zbuluar, pothuajse një çerek shekulli më parë. Për të mbërritur këtu ku është tani: i integruar dhe i respektuar në shoqëri në cilën një i huaj mbetet gjithsesi një i huaj…
Mentori sapo ka dalë nga një meshë e veçantë në Vatikan, ku është pagëzuar Entela, e fejuara e tij, një mjeke e re, e talentuar , që së shpejti do të sjellë në jetë dy binjakë.
Unë e pyeta veten nëse e gjitha kjo që ka ndodhur me të gjatë këtyre 25 vjetëve kanë qenë ëndrra e tij? – Jo, u përgjigj menjëherë Mentor Hoxha.

SHPËRNDAJE