Ripërtëritja e frymës së Helsinkit: 40 vitet e Aktit Final të Helsinkit

Në gusht 2015, Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë festoi 40-vjetorin e nënshkrimit të Aktit Final të Helsinkit. Por çfarë ka për të festuar? Çfarë mësojmë nga një marrëveshjeje për sigurinë e para 40 viteve? Jetojmë në një botë me ndryshime të shpejta, ku globalizimi sjell një pafundësi mundësish dhe sfidash të cilat ishin të papërfytyrueshme në mesin e viteve 1970. A mbetet i vlefshëm Akti Final i Helsinkit edhe sot?

1

LAMBERTO ZANNIER

Më 1 gusht 1975, në kryeqytetin finlandez, Helsinki, nisi përpjekja 40-vjeçare për krijimin e një kuadri të plotë dhe përfshirës për sigurinë dhe bashkëpunimin në Evropë. Në një demonstrim historik të konsensusit shumëpalësh,Akti Final i Helsinkit u nënshkrua nga 35 krerë shtetesh (vendete NATO-s, vendete Traktatit të Varshavës, shtete neutrale dhe shtete të pa pozicionuara), që u angazhuan për dialog me përfitime të ndërsjella. Qëllimi:kapërcimi i ndarjes Lindje-Perëndim, për të kaluar nga thjesht detanta në rivendosje të vërtetë të marrëdhënieve miqësore. Ky përkushtim, gjatë viteve 1990, çoi në krijimin e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), e cila sot është struktura më e madhe në botë e sigurisë rajonale, në kuadrin e Kapitullit VIII të Kartës së OKB-së.
Nënshkrimi i Aktit Final të Helsinkit nuk i dha fund Luftës së Ftohtë, por ishte një pikë kthese revolucionare në atë drejtim, përmes transparencës dhe bashkëpunimit. Shtetet pjesëmarrëse, më pas, ranë dakord që të shkëmbejnë informacionin ushtarak dhe të informojnë njëra-tjetrën për lëvizjen e trupave, veprimet dhe stërvitjet ushtarake. Gjithashtu, nënshkruesit pranuan se siguria e vërtetë është më shumë se sa mungesa e luftës dhe se ajo kërkon mirëqenie ekonomike, mjedis të shëndetshëm dhe respektim të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut. Helsinki qe fillimi i një procesi dialogu për paqen, i ndjekur me durim dhe këmbëngulje të pagabueshme, i cili është bërë shenja dalluese e OSBE-së.
Që atëherë, OSBE-ja ka qenë një aktore themelore në mbështetje të stabilitetit në Evropë. Ajo kontribuoi në përfundimin e luftërave në ish-Jugosllavi dhe vijon të ndihmojë vendet e rajonit me veprimtari që synojnë të forcojnë pajtimin dhe bashkëpunimin rajonal, institucionet demokratike dhe shtetin e së drejtës. OSBE-ja ka lehtësuar gjetjen e zgjidhjeve jetëgjata në vende si Transdniestria, Nagorno-Karabak dhe Osetia e Jugut, ku konfliktet e pashuara vazhdojnë të pengojnë zhvillimin paqësor. Duke ditur që siguria për jetën shkon përtej zgjidhjes së konflikteve ushtarake, OSBE-ja është e fokusuar në promovimin e nevojave bazë, si uji i pastër, arsimi dhe zgjedhjet e lira; aksesi në drejtësi, barazia gjinore dhe jetesa pa diskriminim dhe ngacmim. Përmes rrjetit të misioneve në terren, OSBE-ja ka një mjet unik për të zbatuar projekte që mbështesin sigurinë e bashkëpunimin dhe përmirësojnë jetën e njerëzve.
Me ndryshimin e kërcënimeve, edhe OSBE-ja e ka ndryshuar fokusin e saj. Paralelisht me sfidat më tradicionale, OSBE-ja po përfshihet gjithnjë e më shumë në përballimin e sfidave që tejkalojnë kufijtë kombëtarë si, krimi kibernetik, terrorizmi, trafikimi, korrupsioni dhe migrimi. Në një botë të globalizuar, është i domosdoshëm ndërtimi i partneriteteve solide me OKB-në dhe organizata të tjera ndërkombëtare. Gjithashtu, ne vijojmë të forcojmë lidhjet e ngushta me Partnerët për Bashkëpunim të Mesdheut dhe Azisë.
Shumë institucione dhe struktura të OSBE-së punojnë së bashku për të mbështetur Shtetet pjesëmarrëse të OSBE-së me zbatimin e angazhimeve të tyre. Disa prej tyre janë: Zyra për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut, Përfaqësuesi për Lirinë e Medias, Komisioneri i Lartë për Pakicat Kombëtare, si dhe Asambleja Parlamentare. Të gjithë këto kanë punuar në sinergji për zgjidhjen e konfliktit në Ukrainë dhe rreth saj. Grupi Tripalësh i Kontaktit, me pjesëmarrjen e OSBE-së, po negocion hapat praktikë për të ndalur luftimet dhe po kërkon zgjidhje politike të qëndrueshme. Misioni Special i Monitorimit në Ukrainë, i dislokuar në mars të vitit 2014, vazhdon të monitorojë dhe të raportojë mbi situatën në mbarë vendin, ndërsa në Lindje po vëzhgon armëpushimin e brishtë në kushte shpesh të rrezikshme. Koordinatori i Projektit të OSBE-së në Ukrainë, një prani në terren qëpunon prej 15 vitesh në Kiev, po ndihmon qeverinë me reformat dhe dialogun kombëtar.
Siguria dhe bashkëpunimi evropian, sipas nënshkruesve të Aktit Final të Helsinkit, udhëhiqet nga dhjetë parime themelore, të ashtuquajtura Dekalogu i Helsinkit: barazia sovrane, mospërdorimi i forcës, paprekshmëria e kufijve, integriteti territorial, zgjidhja paqësore e mosmarrëveshjeje, mosndërhyrja në punët e brendshme, respektimi i të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, të drejtat e barabarta dhe vetëvendosja e popujve, bashkëpunimi ndërmjet shteteve dhe përmbushja në mirëbesim e detyrimeve në kuadrin e së drejtës ndërkombëtare.
Për 40 vjet, këto parime kanë shërbyer si themeli i rendit të sigurisë evropiane. Dispozita në Aktin Final të Helsinkit,se secili prej tyre ka rëndësi parësore dhe interpretohet nën frymën e parimeve të tjera, është busulla e dialogut ndërmjet tashmë 57 Shteteve pjesëmarrëse të OSBE-së.
Kriza në Ukrainë dhe rreth saj, që ka marrë deri tani mbi 6 000 jetë, na ndërmendi, në mënyrë tragjike, se respektimi i këtyre parimeve nuk mund të merret si i mirëqenë. Duhet të dyfishojmë përpjekjet tona për të afirmuar legjitimitetin e këtyre parimeve dhe për ta bërë më të vështirë mposhtjen e tyre. Duhet të bashkojmë forcat për të ringjallur frymën e Helsinkit dhe të frymëzohemi nga udhëheqësit e 40 viteve më parë, të cilët gjetën guximin për t’u ulur në tavolinë dhe, pa asnjë premisë të dukshme për sukses, u angazhuan në dialog për të parandaluar një luftë tjetër.
Ndoshta po shohim, ende jo fillimin, por shenjën paralajmëruese të një epoke të re për sigurinë evropiane. Po kristalizohen pyetjet të vështira, të cilat pararendësit tanë në Helsinki mund të mos kenë qenë në gjendje t’i bëjnë. Por sot, siç ka treguar reagimi i OSBE-së në Ukrainë, ne jemi të pajisur me përvojën dhe mekanizmat që udhëheqësit themelues nuk i kishin. Sot, ashtu si atëherë, na nevojiten burra dhe gra të guximshme që t’i bashkohen dialogut plot me pasiguri, në mënyrë që sipari, i ngritur për sigurinë në Evropë në Helsinki në vitin 1975, të mos ulet.

SHPËRNDAJE