Instituti i Studimeve Ndërkombëtare organizoi më 27 tetor një veprimtari publike për fillimin e Qendrës së Përbashkët të Marrëdhënieve Shqiptaro-Serbe, një nismë e përbashkët e dy organizatave, Institutit të Studimeve Ndërkombëtare në Tiranë dhe Forumit të Marrëdhënieve Ndërkombëtare të Lëvizjes Europiane të Serbisë. Gjatë kësaj veprimtarie u prezantuan edhe disa rezultate kryesore të një sondazhi publik të kryer në shtator të këtij viti me një kampion kombëtar prej 1200 të anketuarish.
Në fjalën e hapjes, Drejtori i Institutit të Studimeve Ndërkombëtare, Dr. Albert Rakipi, vuri në dukje natyrën strategjike të këtij projekti të përbashkët në kontekstin e ri të marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Serbisë. Z. Rakipi rikujtoi incidentin që ndodhi në ndeshjen e futbollit në vitin e kaluar, që shërbeu për të theksuar faktin se përderisa ndodhin incidente të tilla dhe përderisa midis shoqërive tona ekzistojnë ende keqkuptime të mëdha ka ende shumë sfida të panjohura. Rakipi vuri në dukje se “Gjatë dy vjetëve të fundit, marrëdhëniet shqiptaro-serbe kanë njohur ulje e ngitje, ashtu si një vit më parë, kur ato ishin afër një krize të ngjashme me kohët e Luftës së Ftohtë. Për më tepër, qeveritë e të dy vendeve përdorën për një kohë mjete komunikimi tipike për kohët e Luftës së Ftohtë. Ideja për të krijuar një qendër të Marrëdhënieve Shqipëri-Serbi lindi si një reflektim mbi kontekstin e këtyre zhvillimeve në marrëdhëniet midis dy vendeve.”
Rakipi shtoi se qendra është një projekt strategjik i Institutit të Studimeve Ndërkombëtare dhe Lëvizjes Europiane të Serbisë për të ardhmen e të dyja vendeve, si edhe të gjithë rajonit.
Frank Hantke, Drejtor i Fondacionit Fredrich Ebert në Shqipëri, që ka mbështetur sondazhin, vuri në dukje rëndësinë e normalizimit të marrëdhënieve të të dy vendeve sipas shembullit të mirë të procesit të pajtimit franko-gjerman. Hanke solli shembullin e edukimit të tij si përfitues i një brezi që gëzoi paqen dhe theksoi nevojën për të pasur një këndvështrim pozitiv, “madje naiv” për të ardhmen.
Rezultatet paraprake të sondazhit “Marrëdhëniet shqiptaro-serbe në sytë e publikut shqiptar” u prezantuan nga studiuesi i Institutit të Studimeve Ndërkombëtare, Dritan Sulçebe. Sondazhi kombëtar i zhvilluar në Shqipëri tregonte mbështetje kombëtare për normalizimin e marrëdhënieve midis dy shteteve dhe nevojën për më shumë shkëmbime kulturore reciproke.
Sipas sondazhit, 45 për qind e të pyeturve i cilësonin marrëdhëniet shqiptaro-serbe si normale, ndërsa 90 për qind mendonin se “Shqipëria dhe Serbia duhet t’i thellojnë marrëdhëniet e tyre, sepse kjo është në interesin më të mirë të të dyja vendeve.” Rezultati i dytë është më i rëndësishmi sepse ai iu kundërvihet varianteve të tjera që përsëriten shpesh në debatet publike se marrëdhëniet do të përmirësohen vetëm se këtë gjë e ka kërkuar Brukseli apo Berlini. Kur pyeten nëse kanë ndonjë informacion mbi aktivitetet e përbashkëta kulturore midis Serbisë dhe Shqipërisë, 61 për qind e të pyeturve shpreheshin se nuk ishin të informuar, megjithëse një shumicë e madhe ishte e gatshme t’i mbështeste aktivitete të tilla. Ndaj pyetjes “A duhet të ketë më shumë aktivitete të përbashkëta kulturore midis dy vendeve?”, 81 për qind e të anketuarve i përgjigjeshin “Po”.
Natyrisht që ka ndarje dhe ato gjenden në perceptimet kur vjen puna për të vlerësuar incidente të tilla si ai ndeshjes së futbollit vitin e kaluar, për të cilën shumica e shqiptarëve apo më shumë se 70 për qind fajësonin Serbinë.
Pavarësisht nga kjo, shumica e shqiptarëve shpresojnë se marrëdhëniet e ardhshme do të shkojnë drejt përmirësimit, ku 54 për qind e të anketuarve pohonin se marrëdhëniet do të zgjerohen dhe përmirësohen në krahasim me 32 për qind që shpresonin për një ngecje në vend, ndërsa vetëm 3 për qind pohonin se ato do të prishen.
Rezultatet e sondazhit venë në dukje disa fusha për ndërhyrje dhe disa ide potenciale që duhen zhvilluar. Janë pikërisht këto fusha, në të cilat do të përqendrojë punën e saj nisma e paraqitur në këtë veprimtari, Qendra e Përbashkët. Për këtë arsye, Znj. Alba Çela, Zëvendësdrejtore e Institutit të Studimeve Ndërkombëtare, paraqiti projektin e Qendrës së Marrëdhënieve Shqiptaro-Serbe, një nismë e përbashkët e Institutit të Studimeve Ndërkombëtare në Tiranë dhe Forumit të Marrëdhënieve Ndërkombëtare të Lëvizjes Europiane të Serbisë. Projekti ka nisur si një punë me aktivitete të përbashkëta dhe paralele midis dy institucioneve, megjithëse qëllimi i tij përfundimtar është krijimi i një qendre funksionuese si në Shqipëri, ashtu edhe në Serbi. Një nga objektivat kryesore të kësaj qendre është normalizimi marrëdhënieve dypalëshe, si dhe shtimi i mundësive që të rinjtë, profesionistët dhe gazetarët, të njohin njëri-tjetrin. Aktivitetet që ka planifikuar të zhvillojë qendra janë të shumëllojshme, që nga studimet, raportet, sondazhet, si dhe shkëmbimi i studentëve, akademikëve dhe gazetarëve. Qendra ka në objektiv grupe të ndryshme, si vendimmarrësit, për t’iu dhënë atyre analiza të plota dhe rekomandime politike dhe të rinjtë, për të shtuar bashkëpunimin midis tyre dhe duke iu krijuar mundësi për të mësuar së bashku, si dhe pë bashkësinë e biznesit, duke e ndihmuar atë me rrjetin e punës dhe hulumtimet. Qendra do të angazhohet edhe për veprimtaritë kulturore për të organizuar veprimtari të përbashkëta artistike dhe më pas ndoshta edhe krijimin e pikave të mësimit të gjuhës në Tiranë e Beograd.
Vitin që vjen, Instituti i Studimeve Ndërkombëtare planifikon organizimin e Akademisë së tij tradicionale Europiane, duke ftuar edhe folës dhe pjesëmarrës nga Serbia, ku tema e integrimit në BE mund të diskutohet nga të gjithë pjesëmarrësit, meqenëse ajo është e ardhmja e aspirojnë të dyja vendet.
Projekti vlerëson rëndësinë e medias për nxitjen e një debati më të madh publik dhe formimin e perceptimeve dhe planifikon organizmin e shkëmbimeve midis gazetarëve, si edhe të veprimtarive për formimin e kapaciteteve për të përmirësuar saktësinë dhe aftësitë analitike për një raportim më të mirë dhe më konstruktiv të marrëdhënieve dypalëshe.
Në panelin e dytë, Shqipëria dhe Serbia drejt një të ardhmeje europiane, u mblidhen diplomatë dhe ekspertë, për të diskutuar mbi të ardhmen e marrëdhënieve dypalëshe, si edhe për format dhe modelet e ndryshme që mund të ndiqen për zhvillimin gradual të një situate pajtimi midis Shqipërisë dhe Serbisë.
Paneli u hap nga Z. Aldo Bumçi, Zëvendëskryetari Komisionit të Punëve të Jashtme të Kuvendit të Shqipërisë. Z. Bumçi vuri në dukje se sipas sondazhit, shumica e shqiptarëve i cilësonin marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Serbisë si normale dhe kjo përbën një shenjë nxitëse për intensifikimin e mëtejshëm të këtyre marrëdhënieve në të ardhmen. Më tej, Bumçi theksoi rëndësinë e krijimit të kanaleve të komunikimit midis dy vendeve dhe shtoi se marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Serbisë duhet të marrin parasysh edhe interesat e Kosovës. “Kosova është një shtet i pavarur dhe sovran, ndaj Shqipëria nuk duhet të ketë një qëndrim paternalist, kur flitet për marrëdhëniet midis Kosovës dhe Serbisë. Nga ana tjetër, normalizimi i marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Serbisë duhet të marrë parasysh interesat më të mira të Prishtinës”, u shpreh Z. Bumçi.
SHT, Z. Miroljub Zariç, Ambasador i Republikës së Serbisë në Shqipëri, theksoi se Serbia është e angazhuar për fuqizimin e marrëdhënieve me Shqipërinë dhe për të kapërcyer dallimet për të mirën e bashkëpunimit rajonal. Ai shtoi më tej se Qendra e Marrëdhënieve Shqiptaro-Serbe do të kontribuojë për forcimin e marrëdhënieve midis dy vendeve dhe dy kombeve. Sipas Z. Zariç, bashkëpunimi midis Shqipërisë dhe Serbisë është fokusuar kryesisht te tregtia, bujqësia dhe zbatimi i përbashkët i projekteve infrastrukturore dhe energjetike. Më tej ai tha se të dyja vendet duhet të zgjidhin disa çështje të trashëguara nga e kaluara, si mbrojtja e pakicave, çështjet tregtare që lidhen me importin e barnave mjekësore nga Serbia dhe kthimin e pronave për qytetarët serbë.
Shembulli shumë shpesh i cituar i normalizimit të marrëdhënieve dypalëshe është ai midis Francës dhe Gjermanisë, pajtimi i të cilave është guri i themelit i idesë së Bashkimit Europian. Të pranishëm në panel, ambasadorët e Gjermanisë dhe Francës në Shqipëri, shprehën mendimet e tyre se çfarë mund të funksionojë në rastin e të dy vendeve të Ballkanit Perëndimor.
SHT, Z, Helmut Hofman, ambasador i Gjermanisë në Shqipëri, një nga mbështetësit më të parë të kësaj nisme, shprehu gatishmërinë e tij për të vazhduar mbështetjen e projektit për Qendrën e Marrëdhënieve Shqiptaro-Serbe. “Aktualisht, Ballkani është i vetmi rajon në Europë, ku ekzistojnë tensione midis vendeve fqinje. Shumë tragjedi njerëzore kanë ndodhur në të kaluarën dhe çdo nismë që përpiqet për të përmirësuar marrëdhëniet në rajon është më se e mirëpritur. Samiti i Selanikut që u zhvillua në vitin 2003 ishte një ndryshim loje për stabilizimin dhe paqësimin e rajonit. Në këtë kontekst, konferenca e vendeve të Ballkanit Perëndimor në Berlin dhe në Vjenë, tregoi përpjekjet e mëdha për integrimin e rajonit në BE, duke u fokusuar kryesisht te projekte konkrete, si programet e shkëmbimit të rinisë,” – tha Ambasadori Hofman. Më tej ai theksoi se në të kaluarën, marrëdhëniet shqiptaro-serbe kanë qenë disi të vështira, por vizitat e Kryeministrit Rama në Beograd dhe vizita e fundit e Vuçiçit në Tiranë, ishin të suksesshme dhe shënuar një hap tjetër përpara për normalizimin e këtyre marrëdhënieve. Sipas Z. Hofman, problemi kryesor në marrëdhëniet midis dy vendeve është çështje e Kosovës, që është një shtet sovran dhe mund të veprojë në mënyrë të pavarur. “Të dyja vendet duhet t’i mbajnë sytë nga hyrja në Bashkimin Europian. Unë jam gjithmonë i kënaqur që Rama e përdori marrëdhënien franko-gjermane si shembull për marrëdhëniet shqiptaro-serbe. Në të ardhmen këto marrëdhënie do të përfshijnë edhe një komponent të fuqishëm për rininë.” – përfundoi ambasadori gjerman.
Shkëlqesia e tij, Z. Bernard Fitoussi, ambasador i Francës në Shqipëri, e lavdëroi nismën dhe shtroi se BE ka nevojë për normalizimin e marrëdhënieve midis dy shteteve më shumë se sa shtetet kanë nevojë për BE-në. Ambasadori francez solli një shembull nga Franca dhe brezi i prindërve të tij. Ai tregoi se si populli francez u rrit me idenë se gjermanët ishin armiq. Megjithatë, ai pohoi se brezi i tij ishte i pari që përfitoi nga bashkëpunimi dhe shkëmbimet duke i eliminuar gradualisht stereotipat për njëri tjetrin.
“BE është e interesuar që rajoni të mos shndërrohet në një shesh për terrorizmin dhe fuqitë e huaja,” tha Fitoussi. Më tej si theksoi vështirësitë e mëdha me të cilat ndeshet Shqipëria në procesin e integrimit në BE, si lufta kundër korrupsionit, reformat në sistemin e drejtësisë dhe në administratën publike.
Dimensioni shpesh i nënvleftësuar i marrëdhënieve njerëzore dhe i lidhjeve në jetën e përditshme u trajtua përsëri nga Jelica Miniç, Kreu i Forumit të Marrëdhënieve Ndërkombëtare të Lëvizjes Europiane të Serbisë, e cila tregoi disa anekdota interesante rreth ngjarjeve të vogla në Serbi që tregojnë shtimin e bashkëpunimit dhe ndikimin e tij pozitiv. Ajo shprehu entuziazmin dhe angazhimin e saj për këtë nismë duke u fokusuar në rezultatet pozitive që do të vinë nga marrëdhëniet midis Serbisë dhe Shqipërisë. Miniç theksoi se ka tri shtresa që përcaktojnë marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Serbisë. 1. Marrëdhëniet zyrtare dypalëshe midis administratës dhe udhëheqësve, 2. Pjesëmarrja e të dyja vendeve në një varg të madh nismash rajonale dhe 3. historitë dhe përvojat e vërteta jetësore të individëve.
Nga ana tjetër ajo u fokusua te roli i medias për krijimin e një imazhi për “tjetrin” dhe pohoi se gazetaria e rajonit, fatkeqësisht, po fokusohet ende në anët negative. Sipas Znj. Miniç, marrëdhëniet shqiptaro-serbe po ecin drejt, por herë pas here ato vuajnë nga oscilacione të ndryshme.
Gjatë diskutimeve të mëtejshme, nga shumë pjesëmarrës u trajtua problemi i gjuhës së urrejtjes në media. Pjesëmarrësit ngritën edhe çështjen se si duhet të merremi me adoleshentët dhe studentët e shkollave të mesme, sepse sipas sondazheve në Serbi, ky grup shfaq kryesisht ndjenja nacionaliste. Lidhur me këtë çështje, Remzi Lani, drejtori i Institutit Shqiptar të Medias, theksoi se marrëdhëniet midis dy vendeve duhet të normalizohen në një mënyrë të qëndrueshme dhe pastaj ne mund të ecim me pajtimin.