Jemi në luftë

Shteti Islamik po provokon një përballje të botës perëndimore dhe asaj myslimane, por Europa dhe SHBA-ja duhet të dinë të reagojnë po aq ashpër, pa rënë pre e dashurisë së ISIS për vdekjen.

0

DOMINIQUE MOISI

Që nga sulmet terroriste në janar ndaj revistës satirike Charlie Hebdo dhe një supermarketi, parisienët e dinin se barbarizmin e kishin pranë dhe se do të godiste sërish. Por është ndryshe të dish diçka, ta parashikosh atë dhe tjetër gjë të përballesh me realitetin e zymtë.
Qartësia e analizës është tani më e nevojshme se kurrë. Ne mezi e njohim armikun tonë, përveç intensitetit të urrejtjes së tij dhe thellësisë së mizorisë së tij. Për të kuptuar strategjinë e tij, duhet ta njohim atë për atë që është: një kundërshtar inteligjent – dhe sipas mënyrë së tij racional. Për një kohë të gjatë, ne e kemi shpërfillur dhe nënvlerësuar atë. Është urgjente që tani ta ndryshojmë mënyrën tonë.
Në këto javët e fundit, strategjia e terrorit të Shtetit Islamik ka sjellë vdekje në rrugët e Ankarasë, Beirutit dhe Parisit dhe në qiellin e Sinait. Identiteti i viktimave nuk lë dyshim për mesazhin. “Kurdë, rusë, shiitë të Libanit, francezë: ju na sulmoni, ne ju vrasim”.
Planifikimi i sulmeve është po aq i rëndësishëm sa kombësia e shënjestrës. Sa më shumë që mundet në terren Shteti Islamik dhe sa më tepër territor të humbasë në Siri dhe Irak, aq më shumë nxitet ta manifestojë luftën për të penguar ndërhyrjen e mëtejshme. Sulmet e sinkronizuara në Paris, për shembull, koinciduan me humbjen e qytetit Sinjar nga Shteti Islamik në Irak.
Sigurisht, qeliza terroriste që goditi Parisin nuk është krijuar tani në humbjet e fundit të betejave të Shtetit Islamik. Ka qenë gati në vend, duke pritur që të aktivizohej (ashtu siç mund të jenë të tjerë në pritje). Kjo tregon freksibilitetin taktik të Shtetit Islamik, pa përmendur mundësinë e njerëzve që janë gati të kryejnë vetëvrasje.
Nëse Shteti Islamik zgjodhi këtë herë, që në Paris të shënjestrojë njerëz që nuk ishin satirikë, policë apo hebrenj, është pikërisht “zakonshmëria” e tyre ajo që i la të pambrojtur. Këtë herë, sulmuesit zgjodhën “sasinë” në vend të “cilësisë” (më falni për një formulim kaq të ashpër). Qëllimi ishte të vriteshin sa më shumë që të ishte e mundur.
Kjo strategji është e mundur sepse territori i kontrolluar nga Shteti Islamik ofron një terren strehues dhe të përshtatshëm për stërvitje. Territoret e kalifatit të vetëshpallur përfaqësojnë grupin që përfaqësonte Al Kaeda për Afganistanin e kontrolluar nga talebanët në vitet 1990.
Është thelbësore të rifitohet kontrolli në këtë terren. Dhe shkatërrimi i “provincës” së Shtetit Islamik në Libi, Sinait, dhe kudo tjetër duhet të bëhet prioriteti numër një i komunitetit ndërkombëtar. Përtej qartësisë analitike, ekziston edhe një nevojë për unitet, duke filluar në Francë, ku qytetarët nuk do të pranonin që anëtarët e klasës politike të vepronin të ndarë në një pikë të tillë kthese historike.
Uniteti duhet të arrihet edhe brenda Europës. Neve na thuhet vazhdimisht se Europa është në mes të një krize identiteti, në nevojë për një projekt të ri. Edhe tani Europa e ka gjetur një. Të jesh europian do të thotë të përballesh së bashku me barbarizmin, të mbrosh vlerat, mënyrën e jetesës dhe mënyrën e bashkëjetesës pavarësisht diferencave.
Uniteti është gjithashtu i nevojshëm në botën perëndimore si një e tërë. Deklarata e presidentit Barak Obama pas sulmeve në Paris tregon se çfarë e bashkon Europën dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës është më e rëndësishme sesa çfarë na ndan. Ne jemi në të njëjtën varkë, përballë të njëjtit armik. Në këtë kuptim uniteti duhet të shkojë përtej botës europiane dhe perëndimore, sepse Shteti Islamik kërcënon vende si Irani dhe Rusia, pa përmendur Turqinë, po aq – edhe më shumë – sesa perëndimin.
Sigurisht, ne duhet të jemi realistë. Aleanca jonë rrethanore me këto vende nuk do të tejkalojë të gjitha problemet mes nesh dhe atyre. Ndaj, përtej qartësisë dhe unitetit, na duhet vendosmëri, si në përballjen me kërcënimin e ISIS dhe në mbrojtjen e vlerave tona, veçanërisht sundimin e ligjit.
Shteti Islamik pret nga ne një kombinim të frikës dhe reagimit të tepruar. Ambicia e tij është të provokojë një përplasje civilizimi midis botës perëndimore dhe myslimane. Ne nuk duhet të biem pre e kësaj strategjie.
Por qartësia vjen e para. Kur Parisi u sulmua si të premten e shkuar, flitet për luftë. Askush nuk do të përsërisë gabimet e SHBA-së nën presidentin Bush; por t’i përdorësh ato gabime si një alibi për të shmangur përballjen me botën tani do të ishte po njëlloj gabim. Përgjigjja e Europës duhet të jetë e fortë, por nuk duhet të devijojë nga sundimi i ligjit. Ne jemi, mbi të gjitha, të përfshirë në një betejë politike me Shtetin Islamik, një betejë ku dashuria për jetën duhet të dominojë mbi dashurinë e tyre për vdekjen.

 

SHPËRNDAJE