Romana Vlahutin
Fjalimi i Ambasadores Romana në Simpoziumin e organizuar nga Instituti i Studimeve Ndërkombëtare
Njëzet e pesë vjet më parë pati një shpërthim të paprecedent të lirisë në kontinentin evropian, një shpërthim optimizmi dhe besimi se pas rënies së murit të Berlinit, nuk do të ngriheshin kurrë më mure.
Në atë kohë, Bashkimi Evropian e kuptoi përgjegjësinë e vet historike dhe krijoi politikën evropiane më strategjike dhe më të suksesshme, zgjerimin.
Udhëheqësit evropianë të kohës e kuptuan se interesat e kombeve evropiane nuk përcaktoheshin brenda kufijve të tyre, por me bashkimin që e bën secilin prej tyre individualisht më të fortë.
Megjithatë, procesi i tranzicionit nuk ishte i lehtë.
Miliona njerëzve iu desh të mblidhnin copëzat e jetëve të tyre dhe jetëve të komuniteteve të tyre, të shteteve dhe të ekonomive, si dhe të bënin një tranzicion drejt një demokracie të plotë funksionale.
Përgjatë rrugës atyre iu desh gjithashtu të mësonin mësimin më të madh ndër të gjithë – nuk mjafton të jesh i lirë. Duhet të bësh diçka kuptimplotë me atë liri.
Adam Michnik dikur ka thënë se gjëja më e keqe e komunizmit është ajo që vjen pas. Shumë kombeve të Evropës Lindore iu desh shumë punë dhe kurajë, si dhe vendime të guximshme për të mbërritur aty ku janë sot. Më shumë se gjithçka, iu desh forcë për t’u përballur me mangësitë dhe dobësitë e tyre, me gabimet dhe të vërtetat e vështira.
Unë jam rritur në një nga këto vende, që përveç tranzicionit iu desh të kalonte edhe luftën. Unë vij nga brezi jetët e të cilit këtë vit do të ndahen në mënyrë të barabartë mes periudhës së jetuar në komunizëm dhe periudhës së jetuar në demokraci. Dhe ato përvoja më mësuan një gjë – liri nuk do të thotë thjesht të jesh i lirë të bësh atë që dëshiron, liria ka të bëjë, para së gjithash, me përgjegjësinë ndaj vetes dhe ndaj të tjerëve.
Për të rindërtuar shoqërinë dhe për t’u fokusuar tek e ardhmja, duhet gjithashtu të bësh paqe me të shkuarën.
Shqipëria ka pasur një ndër të shkuarat më të vështira dhe më tragjike.
Një numër prej përafërsisht 7000 kundërshtarësh të regjimit u ekzekutuan gjatë epokës komuniste nga viti 1946 deri më 1991. Dhjetëra mijëra u burgosën apo u dërguan në kampet e punës. 6000 njerëz u zhdukën dhe janë varrosur në varre të panjohur.
Deri këtë vit Shqipëria ka qenë një ndër vendet e pakta në Evropë ku dosjet e fshehta të policisë së epokës komuniste kishin mbetur konfidenciale. Unë shpresoj që ligji për hapjen e dosjeve të komunizmit, i miratuar në maj, do të sigurojë një kuadër ligjor më të mirë dhe ne presim me padurim ngritjen e një organizmi që do ta mbikëqyrë këtë nismë.
Këta njerëz kanë nevojë për drejtësi dhe njohje. Ata meritojnë respektin tonë më të madh.
Dhe mënyra më e mirë për të nderuar jetët e tyre është ndërtimi i një shoqërie të lirë dhe të drejtë, për të cilën kanë vuajtur dhe kanë sakrifikuar.
Kohët e fundit kam folur me një grup të rinjsh mjaft të zgjuar, që kanë studiuar të gjithë jashtë, janë kthyer në Shqipëri dhe e kanë të vështirë të pajtojnë ëndrrat e tyre me realitetin.
Njëri prej tyre më tha: “Në Shqipëri gjithçka ka të bëjë me hakmarrjen dhe jo me drejtësinë”.
Nuk e di nëse kjo është e vërtetë, por ishte e rëndë ta dëgjoje.
Të gjitha vendet në tranzicion kanë pasur shumë sfida të ngjashme me Shqipërinë, por nuk kanë pasur një deficit kaq tmerrësisht të dukshëm sa këtu. Një deficit dialogu.
Si rindërtohet një shtet dhe një shoqëri nëse njerëzit dhe përfaqësuesit e tyre politikë nuk i diskutojnë gjërat me njëri-tjetrin? Po nëse ata e trajtojnë njëri-tjetrin jo si kundërshtarë politikë, por si armiqtë më të këqij?
Vetë tranzicioni është shumë i vështirë dhe tranzicioni në një kontekst politik kaq thellësisht të ndarë është edhe më i vështirë.
Puna me reformat që na pret është aq e vështirë saqë Shqipëria nuk mund t’ia lejojë vetes të humbasë kohë dhe energji me grindje të kota politike. Ajo çka i nevojitet këtij vendi është uniteti rreth disa interesave kombëtare kyçe dhe integrimi në Bashkimin Evropian është me siguri një ndër më të rëndësishmit.
Procesi i zgjerimit është ndoshta mjeti më i mirë i mundshëm i modernizimit. Shqipëria ka mundësi t’i përdorë burimet dhe kapacitetet e vëna në dispozicion për t’u fokusuar dhe zëvendësuar kohën e humbur në të shkuarën.
Ky do të ishte përdorimi më i mirë i lirisë së fituar 25 vjet më parë.
Gjergj Fishta, një ndër etërit themeltarë të Shqipërisë së pavarur ka thënë:
“Atdheu dhe shtetësia … nuk janë thjesht një territor i gjerë i banuar nga njerëz me të njëjtin gjak, gjuhë dhe fe. Por është një vend ku njerëzit jetojnë me njëri-tjetrin dhe ndajnë jo vetëm lidhjet e gjakut dhe të gjuhës, por edhe shqetësimet, falë së cilave jetesa mund të jetë më e lehtë dhe më e frytshme”.
Kjo është e vërtetë për çdo komunitet në Shqipëri apo në Bashkim Evropian.
25 vjet pas rënies së komunizmit në Evropë, është sërish çasti për t’u ngritur kundër sfidave historike që qëndrojnë para nesh.
Sepse Evropa si një e tërë, e lirë dhe në paqe ende nuk është arritur. Dhe ndonëse gjaku dhe gjuhët tona mund të jenë të ndryshme, shqetësimet tona janë të njëjta.
Për më tepër, sot ato duken edhe më të rrezikshme dhe më sfiduese se 25 vjet më parë.
Florian Raunig
Fjala e Kryetarit të Prezencës së OSBE-së në Simpoziumin e organizuar nga Instituti i Studimeve Ndërkombëtare
jëzet e pesë vjet më parë, Shqipëria u çlirua nga një prej regjimeve më të ashpra diktatoriale që kanë ekzistuar ndonjëherë. Dyert me botën e jashtme, të mbyllura hermetikisht për më shumë se katër dekada, papritur u hapën dhe e çuan vendin drejt një realiteti të panjohur deri më atëherë: vendi qe katapultuar në shekullin e njëzetenjëtë.
Qysh atëherë, koha, durimi – dhe padurimi – të lidhur me pyetjen se si të arrish e të mbash një nivel të vazhdueshëm zhvillimi të qëndrueshëm të shoqërisë, ekonomisë, kulturës, politikës dhe vendit në përgjithësi, kanë luajtur një rol vendimtar në jetën e përditshme të popullit shqiptar.
Kur hedhim vështrimin pas te 25 vitet e fundit, e kuptojmë që Shqipëria pësoi një ndryshim të pamatë. Krahasuar me regjimin e mëparshëm totalitar, vendi ndryshoi kryekëput. 25 vjet më parë, Shqipëria jo vetëm mbijetoi, por edhe skicoi një program ambicioz për përparimin e saj të mëtejshëm.
Vendit iu desh të përballej me sfida të jashtëzakonshme përgjatë kësaj rruge si, gërryerja e shtetit në anarki më 1997 apo vërshimi i afro 400 000 refugjatëve më 1999. Shqiptarët i bënë ballë krizës ekzistenciale të piramidave me qëndrueshmëri të pashoqe dhe krizës së jashtëzakonshme të refugjatëve me madhështi njerëzore.
Veç kësaj, Shqipëria ia doli me sukses të ngrinte institucionet e nevojshme për të krijuar bazën e zhvillimit të mëtejshëm të një shteti dhe shoqërie të shëndetshëm, demokratikë dhe të drejtuar nga tregu. Për më tepër, Shqipëria u bë anëtare e disa institucioneve dhe organizatave të rëndësishme ndërkombëtare dhe kandidate për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian.
Sfida vijon në punën e përditshme, se si të nguliten fryma, kultura dhe sjellja e duhur tek institucionet shqiptare: si t’i konsolidohen ato në mënyrë që këto institucione të mund të kenë ndikim maksimal në përparimin e mëtejshëm të vendit.
Shumë partnerë dhe miq, dypalësh, si dhe organizata ndërkombëtare, e kanë shoqëruar Shqipërinë në rrugën e konsolidimit dhe zhvillimit të qëndrueshëm: Kombet e Bashkuara, Bashkimi Evropian, Këshilli i Evropës dhe e fundit, por jo më pak e rëndësishmja, OSBE-ja, e cila hapi Prezencën e saj në vend në vitin 1997.
Duke marrë si shembull OSBE-në, mund të kuptojmë se sa e çmuar dhe e përshtatshme vijon të jetë ndihma ndërkombëtare, pasi çështjet e bashkëpunimit mes OSBE-së dhe Shqipërisë, të përcaktuara në mandatin e Prezencës të vitit 1997 dhe 2003, mbeten shumë të pranishme te temat kryesore me të cilat merret vendi sot.
Në fillim të viteve 1990, ndërkombëtarët, sikundër edhe shqiptarët, qenë të bindur se një dhjetëvjeçar do të mjaftonte për të ndërtuar një sistem demokracie dhe ekonomi tregu funksionalë dhe të rrënjosur mirë. Mbi dy dekada më vonë, e kuptojmë që na pret edhe shumë punë.
25 vjet mund të mos tingëllojnë shumë në terma historikë: ndërtimi i një demokracie dhe ekonomie tregu nga hiçi në vetëm 25 vjet duket ca si ambicioze, veçanërisht duke pasur parasysh se nga ç’pikë u nis vendi. Por, në jetën e një individi, 25 vjet janë shumë.
Kjo mospërputhje mund të jetë një prej arsyeve që nxisin pyetjen me të cilën vijojmë të përballemi edhe sot, një pyetje, me sa kuptohet, të paduruar: edhe sa duhet? Edhe sa duhet për të përmbushur programin ambicioz, për të përvetësuar kulturën e debatit demokratik, respektimin e shtetit të së drejtës, për të konsoliduar mirëqenien social-ekonomike e për të siguruar konkurrencën e ndershme të tregut? Si mund ta përshpejtojmë procesin, në mënyrë që popullsia të fitojë besim në të ardhmen e vendit?
Në shqyrtimin e sotëm, kuptojmë se populli shqiptar ka një pasuri krijimtarie, talenti, shpresash e ëndrrash, që vijojnë të mos e përmbushin dot potencialin e tyre të plotë.
Jam i bindur se mobilizimi i këtij potenciali varet thellësisht nga përpjekja e sinqertë e të gjitha segmenteve të shoqërisë për të bashkëpunuar në mënyrë konstruktive e të çiltër. Në të shkuarën, tepër shpesh, vëmendja është përqendruar te çështjet që përçajnë se sa te synimet e përbashkëta. Politika dhe media duhet të luajnë një rol udhëheqës: ato janë përgjegjëse për krijimin e klimës së përgjithshme të përshtatshme, ku puna konstruktive dhe e efektshme për të ardhmen e vendit bëhet e mundur.
Lejomëni t’ju siguroj se OSBE-ja do të mbetet përkrah vendit, për ta ndihmuar Shqipërinë, së bashku me të gjithë partnerët dhe miqtë, në arritjen e synimeve të përbashkëta për të ardhmen e vendit.
Donald Lu
Fjala e Ambasadorit Donald Lu Fjalimi i Ambasadores Romana në Simpoziumin e organizuar nga Instituti i Studimeve Ndërkombëtare
Në çdo shoqëri ka ngjarje për të cilat pyetet: “A të kujtohet ku ishe kur ndodhi kjo?” Si amerikan, në jetën time, këto përfshijnë zbritjen e astronautëve në hënë, shpërthimin e anijes kozmike “Challenger” dhe sulmet e 11 shtatorit ndaj Qendrës Botërore të Tregtisë dhe Pentagonit.
Historia moderne e Shqipërisë ka shumë çaste të tilla dhe shumë prej tyre ndodhën sapo del nga dyert e këtij hoteli, në Sheshin “Skënderbej”. Nga protestat e lëvizjes studentore, tek vizita e Sekretarit të Shtetit James Baker, për të cilën vërshuan në shesh 300 mijë shqiptarë. Por sot, dua t’ju drejtoj pyetjen: “A ju kujtohet ku ndodheshit atë ditë kur një i ri hypi mbi statujën e Enver Hoxhës dhe turma e rrëzoi në tokë? A ju kujtohet ajo ditë kur shqiptarët më në fund besuan se komunizmi mund të mposhtej?”
Sigurisht, është çmenduri që këtë pyetje e bëj unë si amerikan, pasi kaq shumë prej jush e kanë jetuar atë ditë shumë të rëndësishme. Megjithatë, gjithmonë i kujtoj vetes që ky vend është një demokraci e re. Kur ndodhi kjo ngjarje, më shumë se gjysma e të gjithë shqiptarëve ishin nën 5 vjeç ose nuk kishin lindur ende. Nëse më lejoni do t’ju lexoj prej librit të kohëve të fundit nga Fred Abrahams, “Shqipëria Moderne”.
“Gratë marshuan dhe burrat i ndoqën pas. Currili i njerëzve u shndërrua në një rrëke dhe shumë shpejt në një lumë të zemëruar… Forcat speciale dhe automjetet ujëhedhëse prisnin aty për të mbrojtur “Bllokun” e shenjtë ku jetonte udhëheqja politike dhe për ta devijuar turmën poshtë bulevardit drejt Sheshit “Skënderbej”.
“Forcat e sigurisë prisnin në shesh.
“Turma u rrit, u zmbraps prej policisë, u sul përsëri prapë, duke fituar besim teksa numri i njerëzve rritej Krenar dhe i vendosur, Hoxha shihte mbi shesh, i veshur me kostum dhe pallto të gjatë, me dorën e majtë pas shpine dhe dorën e djathtë të shtrirë anash. Turma shtynte. Një djalë u ngjit mbi pallton e Hoxhës dhe lidhi një kabëll metali rreth gishtit të madh të dorës së diktatorit. Burrat e tërhoqën nga e majta, ndërsa të tjerët shtynin nga e djathta, dhe trupi i Udhëheqësit nisi të lëkundej sa nga njëra anë në tjetrën. Vetëm pas orës 2 pasdite, u nda nga bazamenti dhe ra, siç mund të pritej, nga ana e majtë e Hoxhës”
Ramiz Alia pati shpallur: “Turma të irrituara, pas asnjë sens logjik, kryen akte vandalizmi. Ia dolën mbanë të rrëzonin themeluesin e shtetit tonë, Enver Hoxhën. Tani është krejtësisht e qartë se forcat anti-demokratike kanë një strategji të menduar mirë. Duan shkatërrimin e shtetit”. Atë ditë qeveria dha dorëheqjen dhe të nesërmen demonstruesit rrëzuan monumentet e Hoxhës në Korçë dhe në Gjirokastër.
Gjatë vitit tim në Shqipëri, kam takuar shumë njerëz që kishin qenë në Sheshin “Skënderbej” atë ditë historike. Flasin për ditën kur njerëzit më së fundi besuan që komunizmi kishte marrë fund dhe se Shteti nuk mund t’i rezistonte vullnetit për të ndryshuar.
Dhe çfarë na tregon kjo për situatën tani? Unë besoj se sot vullneti për ndryshim në Shqipëri është i fortë, jo për rrëzimin e statujave apo rrëzimin e qeverive, por për të trajtuar problemet e thella me të cilat përballet kjo shoqëri.
Marrëveshja e javës së shkuar mes qeverisë dhe opozitës për dekriminalizimin është shenja e parë që kam parë se ndryshimi rrënjësor, i pakthyeshëm, po vjen. Jam duke parë prova që madje ndryshime më të mëdha po vijnë. Besoj që do të shohim miratimin e shumë reformave të tjera të rëndësishme në ditët dhe javët në vijim, përfshirë edhe ndryshimin më të rëndësishëm ndër të gjithë – reformën në drejtësi.
Së fundi, më lejoni t’ju bëj sërish pyetjen e rëndësishme: “Ku ishit kur u rrëzua monumenti i Enver Hoxhës dhe njerëzit besuan përfundimisht se komunizmi mund të mposhtej?” Nëse nuk kishit lindur ende, ose nëse ishit tepër të vegjël për ta kujtuar atë ditë, ju kërkoj të shkoni tek prindërit ose të merrni telefonin dhe t’u kërkoni t’ju tregojnë historinë e asaj dite që do ta ndryshonte të ardhmen e Shqipërisë përgjithmonë.
Është e rëndësishme të kujtojmë tmerret dhe padrejtësitë e komunizmit. Por, është po aq e rëndësishme, të kujtojmë ata burra dhe gra të patrembur, të të gjitha prejardhjeve politike dhe nga të gjithë cepat e Shqipërisë, që patën kurajon të rrezikonin jetën e tyre për liritë dhe të drejtat e lirisë që të gjithë shqiptarët gëzojnë sot. Ata që thërrisnin: “E duam Shqipërinë si gjithë Europa!”