Kriza e refugjatëve

0

Më 24 nëntor 2015, qeveria suedeze bëri të ditur masat për reduktimin e numrit të refugjatëve që hynin në Suedi. “Më brengos fakti që Suedia nuk ka më mundësi të presë shifra kaq të larta azilkërkuesish, siç kemi bërë deri më tani.”, u shpreh kryeministri Stefan Löfven. Duke u nisur nga pranvera e ardhshme, shumë refugjatë do të pajisen vetëm me leje të përkohshme qëndrimi. Në Suedi, numri i refugjatëve pritet të shkojë deri në 190 000 në 2016.
Më 8 dhjetor 2015, autoritetet bavareze raportuan se kishin regjistruar refugjatin e nje-miliontë të mbërritur në Gjermani për 2015-ën. Të dhëna të lëshuara nga Ministria e Brendshme Gjermane konfirmuan këtë: nëntë ditë më parë, 965 000 refugjatë ishin regjistruar në sistemin e tyre kompjuterik, i cili menaxhon shpërndarjen e refugjatëve në vend. Në kongresin e partisë së saj më 14 dhjetor 2015, Kancelarja Angela Merkel mbrojti fuqishëm politikën e saj për refugjatët: “Duhet të marrim përsipër përgjegjësitë tona njerëzore… Kjo është një sprovë historike për Europën… Bërja e gjërave të mëdha është pjesë e identitetit të vendit tonë.” Merkel gjithashtu shtoi se fluksi i refugjatëve duhet të ulej në 2016-ën, për të mos tronditur shoqërinë gjermane.
Angela Merkel ishte liderja e parë europiane që propozoi një marrëveshje me Turqinë për ta kthyer procesin e mbrojtjes së refugjatëve nga një proces kaotik, në një më të organizuar. Në një artikull të përbashkët në fund të nëntorit, zëvendës Kancelari gjerman Sigmar Gabriel dhe Ministri i Jashtëm Frank-Walter Steinmeier gjithashtu diskutuan për këtë: “Nëse Turqia është e gatshme të kontribuojë në sigurimin e kufijve të përbashkët me BE dhe njëherazi të ripranojë refugjatë që përpiqen ta kalojnë atë kufi, atëhere në këmbim, Bashkimi Europian duhet t’i ofrojë mbështetje të plotë Turqisë… më pas Gjermania duhet – në këmbim – të sistemojë kontigjentin e refugjatëve sirianë sipas kuadrit të një përpjekjeje të përbashkët europiane, siç ka bërë dhe në rastin e luftërave të tjera civile. Njerëzit që janë pjese e këtyre kontigjenteve do të mbërrijnë në Europë dhe Gjermani nëpërmjet rrugëve të sigurta… Kjo proçedurë do të rrisë kontrollin mbi këdo që kërkon të hyjë në territorin tonë, duke qenë se kërkesa për azil, verifikimi i identitetit dhe regjistrimi po kryhen përpara emigrimit. Në të njëjtën kohë kjo do të thotë se njerëzit që kërkojnë mbrojtje, nuk do ta kenë më të nevojshme të përdorin rrugët e rrezikshme të Mesdheut apo të Ballkanit. Askush nuk duhet të rrezikojë jetën për të mbërritur në Europë. Ky është një standart ambicioz, por nuk duhet të jetë më i ulët.”
IST (Iniciativa për Stabilitet Europian) paraqiti ide të ngjashme tre muaj më parë dhe i shtjelloi ato edhe më tej në fillim të tetorit (shiko Planin Merkel – Propozim mbi krizën e refugjatëve sirianë). Por megjithatë, ndërkohë që konsensusi është bindës, hasen probleme të mëdha në implementimin e tij. Janë pikërisht detajet e vogla të propozimeve të ndryshme, ato që kanë rëndësinë më të madhe tani.

Si strehimi (nuk) do të funksionojë

Ditët e fundit, Komisioni Europian ka përgatitur propozimin e tij për të ashtuquajturën “skema vullnetare humanitare e strehimit.” Kjo mbetet për t’u aprovuar nga Kolegji i Komisionerëve të Martën e 15 dhjetorit. Propozimi vjen si rezultat i një serie takimesh që nisën me Sherpas – përfaqësuesit personalë të emëruar prej krerëve të BE ose qeverive të disa vendeve anëtare – të mbledhur më 4 dhjetor.
Ky propozim ka aq shumë të meta sa që mendohet se ka gjasa që ky i fundit do ta hedhë poshtë projektin më të madh të propozuar tek i cili mbante shpresa Berlini zyrtar. Gjithashtu, ai i përçon sinjale negative dy audiencave të tjera të rëndësishme: Turqisë dhe refugjatëve sirianë.
Komisioni rekomandon që procesi duhet të jetë “i shpejtë”, “fleksibël” dhe “efikas”. Por kjo është një gënjeshtër. Për Komisionin “fleksibël” do të thotë “të marrësh në konsideratë reduktimin e qëndrueshëm të numrave dhe personave që kalojnë ilegalisht kufirin turk për në Bashkimin Europian si rezultat i veprimeve të Turqisë”. Arsyetimin e kësaj e shpjegojnë kështu në detaje: “Nëse shtetet pjesëmarrëse arrijnë në përfundimin e përbashkët që nuk ka një reduktim të konsiderueshëm të numrit të personave që kalojnë ilegalisht kufirin e Turqisë për të hyrë në Bashkimin Europian, ata mund të vendosin pezullimin ex nunc të implementimit të kësaj skeme, ose ata mund të përshtasin shifrat sipas rastit.”
Kjo pasqyron një mosbesim të thellë të Brukselit ndaj Turqisë. Në të njëjtën kohë, kjo gjë do të ngjallë dyshime në Ankara. Për më tepër, nëse shifrat zbresin, shtetet e BE mund t’ia atribuojnë këtë gjë faktorëve të tjerë (siç mund të jenë faktorët klimaterikë, apo vetë veprimet e BE) në vend që të përgëzojnë veprimet e ndërmarra nga Turqia; ato mund ta deklarojnë reduktimin e shifrave si dicka të përkohshme dhe jo “të qëndrueshme”. Qëllimi kryesor është që Turqia të veprojë e para; BE të presë dhe të vlerësojë nëse veprimet e Turqisë janë mjaftueshëm të volitshme përpara se BE të angazhohet.
Ky nuk është problemi i vetëm. Komisioni propozon gjithashtu që “duke patur parasysh ekspertizën e mirënjohur globalisht të Komisionerit të Lartë për Refugjatët të Kombeve të Bashkuara (UNHCR)… strehimi dhe programet humanitare të pranimit, UNHCR duhet të thirret për të luajtur rolin e saj në këtë skemë”. Më tej, Komisioni konstaton se: “Kapaciteti proçesues i UNHCR duhet marrë në konsideratë si pikë reference gjatë implementimit të skemës. Momentalisht UNHCR gëzon kapacitetin për të procesuar 80,000 cështje në kuadër global; këto kryesisht të lidhura me strehimin.”
Atëherë, nëse kapaciteti global i strehimit të UNHCR është 80,000, sa prej refugjatëve që ndohen aktualisht në Turqi, mund të strehojë: 10,000 ose 50,000 në një vit? Shifra të tilla janë të pakonsiderueshmë në krahasim me ato të 2 milion refugjatëve të regjistruar në Turqi dhe 1 milion refugjatëve që kanë mbërritur në Gjermani gjatë 2015-ës.
Si hap i parë, Zyra Europiane për Mbështetje ndaj Azilantëve (EASO) “në bashkëpunim të ngushtë me Komisionin, shtetet pjesëmarrëse, UNHCR dhe IOM” duhet të zhvillojnë kritere dhe proçedura të standartizuara për proçedurat e pranimit. Kjo proçedurë duhet të përfshijë një sërë kontrollesh: të identitetit, të regjistrimit paraprak në Turqi, të kualifikimit për status refugjatësh, të sigurisë, të mjekësisë, të cënueshmërisë dhe mundësisë së lidhjeve familjare në shtetin pritës. Komisioni parashikon se nevojitet një muaj pas adoptimit të Rekomandimeve për përpunim të këtyre kritereve dhe të proçedurave. Mund të merrte edhe më shumë kohë.
Komisioni gjithashtu sugjeron “ngritjen e qëndrave dhe/ose skuadrave të përbashkëta të përpunimit”. Themelimi i çfarëdolloj qëndre proçesimi do të përbënte një sfidë më vete. Personeli i kualifikuar është shumë i paktë në numër. Zyrat për azil, policia dhe autoritete të tjera të shteteve të BE janë tashmë të tejngarkuar. Themelimi i qendrave të përbashkëta do të merrte edhe më shumë kohë.
Komisioni thekson më tej se “proçedura e pranimit duhet të konkludohet sa më shpejt të jetë e mundur dhe cilidoqoftë rasti, brenda gjashtë muajsh duhet të jetë i mbyllur.” Në këtë rast akomodimi i një numri të vogël refugjatësh mund të ndodhë në fillim të vjeshtës 2016.
Mesazhi që Komisioni i përcjell botës është i qartë: BE po përgatitet të fshihet pas UNHCR dhe “kapaciteve të tyre proçesuese.” Pas dështimit të fundit të BE për të implementuar rivendosjen e refugjatëve përbrenda BE (deri më tani 184 refugjatë nga më shumë se 100 000 janë akomoduar, në tre muaj), çdo gjë është e destinuar të dështojë për së dyti.
Sidoqoftë, nëse Turqia nuk bën përpjekje serioze, bazuar në eksperiencën e këtij viti, mund të themi se prurjet e reja mund të kapin shifrat e 1-1.5 milion njerëzve deri në vjeshtën e vitit pasardhës. Çfarë do të bëjë BE atëherë?

Si rikthimi (nuk) do të funksionojë

Çuditërisht, BE nuk ka arritur dot të angazhohet seriozisht në hartimin e një propozimi që të jetë thelbësor jo vetëm në raport me marrëveshjen me Turqine, por nga i cili do mund të përfitonin drejtpërdrejtë dhe shtetet e BE: siç ëhstë rikthimi i emigrantëve nga Greqia drejt Turqisë.
Për shumë vite, Turqia ka hezituar të pranojë kërkesat hyrëse nga Greqia. Këtë vit, megjithatë, Turqia ka filluar të pranojë më shumë kërkesa në kuadër të kushtit për udhëtimin pa viza të qytetarëve turq. Sidoqoftë, Greqia ka dërguar një numër të ulët kërkesash (8 700), dhe madje në rastet që Turqia ka pranuar (2 400), Greqia nuk ka patur mundësi t’i rikthejë emigrantët duke qenë se shumë prej tyre janë larguar nga territori grek përpara zgjidhjes së çështjes së tyre. Si përfundim, vetëm 8 individë janë rikthyer në Turqi.
Nëse BE kërkon që rikthimi të funksionojë realisht, ata duhet të ndihmojnë Greqinë të rrisë kapacitetin e saj për dokumentim të kërkesave për rikthim dhe pranim të emigrantëve në Turqi. Deri më tani nuk është bërë asnjë përpjekje në këtë drejtim.
Marrëveshja e pranimit BE-Turqi, e përmendur në marrëveshjen që u arrit më 29 nëntor, nuk është fort e përshtatshme. Sipas saj, marrëveshja u aplikohet personave të cilëve u ndalohet hyrja “ilegalisht dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë në territorin e shteteve anëtare pasi kanë qëndruar, ose kanë kaluar tranzit nëpër territorin e Turqisë”. Mirëpo shumica e refugjatëve hyjnë në BE “në mënyrë të drjetpërdrejtë” nga Serbia, jo nga Turqia.

Përse marrëveshja BE-Turqi duhet të funksionojë

Turqia është e domosdoshme në cilindo solucion. Kufinjtë e jashtëm të BE nuk mund të “mbrohen” kundër refugjatëve. Sipas ligjit ndërkombëtar dhe atij të BE, çdo shtetas i huaj që mbërrin në hapësirën e BE ka të drejtën të nenshtrojë kërkesë për azil dhe më pas t’i lejohet hyrja në mënyrë që të verifikohet kërkesa e tij. Si rrjedhojë, Greqia nuk mund t’i dëbojë refugjatët. Kështu, të fajësojmë Greqinë për fluksin do të ishte e gabuar, dhe kërkesat për kontroll “të përmirësuar” kufitar janë gjithashtu të gabuara. Një gardë kufitare e BE nuk do të bëntë kurrfarë ndryshimi këtu – kontroll “i përmirësuar” nuk do të thotë shifra më të ulëta. As ngritja e një “gardhi” mbi ujë nuk do të ishte zgjidhje. Greqia duhet të mbetet ligjërisht e detyruar të shpëtojë refugjatë në rrezik në det.
Siç theksuam në një shkrim të kohëve të fundit – Iniciativa e Berlinit – Zgjidhja e krizës se refugjatëve në Egje në 2016 (– Berlin Initiative – Resolving the Aegean refugee crisis in early 2016 – ) – BE po i kërkon Turqisë të bëjë dy gjëra që janë si të kushtueshme, ashtu edhe jopopullore:
Parandalimin e daljeve në bregun perëndimor dhe ripranimin e njerëzve nga Greqia në mënyrë konsistente dhe të shpejtë
Ofrim mundësish për refugjatët sirianë në Turqi nëpërmjet hapjes së një tregu pune dhe investimeve të rëndësishme, sidomos në arsim
Marrëveshja BE-Turqi kishte dobësi që në fillim (shihni shkrimin tonë post-Samit: The devil in the details). Diskutimet e mëvonshme me BE ngrenë dyshime të mëtejshme për angazhimin e BE.
Për momentin, shtesa 3 miliardë euroshe që BE ka premtuar të shpenzojë për refugjatët në Turqi nuk është gjetur ende. Shtetet anëtare të BE po negociojnë nëse kjo shifër duhet marrë nga buxheti i BE, apo duhet marrë nëpërmjet kontributeve vullnetare ose të detyrueshme.
Shtetet anëtare kanë shprehur gjithashtu mospajtueshmëri me kohën dhe rrethanat e heqjes së vizave për udhëtarët turq në 2016. Kjo gjë ka mbetur e paqartë në shkrimin e Samitit: duhet të ndodhë rreth “tetorit 2016” ose “sapo të përmbushen kriteret”.
BE dhe shtetet anëtare duhet t’i garantojnë Ankarasë që e shohin me seriozitet përmbushjen e angazhimeve kyçe të vendosura për 2016: strehimin e një numri të rëndësishëm të refugjatëve sirianë nga Turqia; dhe heqjen e kriterit të vizës për qytetarët turq.
Për të ndryshuar dinamikën aktuale në Egje, do të ishte thelbësore të përftohen rezultate reale në katër muajt e parë të 2016.

Plani Merkel 2.0 – për të përftuar rezultate

Gjermania duhet të angazhohet me akomodimin e 100 000 sirianëve të ardhur nga Turqia përpara 30 prillit në një fazë pararojë strehimi, duke i marrë ata në mënyrë të drejtpërdrejtë nga kampet turke të refugjatëve; instanca të tjera të BE duhet të angazhohen njëherazi me akomodim proporcional shifrash. Për më shumë informacione sesi kjo mund të bëhet në planin administrativ, dhe pse nuk është aspak e nevojshme përfshirja e UNHCR ose e BE në këtë fazë pararojë, ju lutemi shihni: Berlin Initiative – Resolving the Aegean refugee crisis in early 2016.
Turqia duhet të angazhohet për rikthimin, pa vonesa, të cdo emigrant, përfshirë këtu dhe të azilkërkuesvë që mbërrijnë në brigjet greke pas datës 15 janar 2016. Për të arritur këtë gjë, Turqisë do t’i duhej të implementnte menjëhere ligjin e 2013-ës për mbrojtjen ndërkombëtare të të huajve, në mënyrë të tillë që emigrantët e kthyer të mund të gëzojnë mbrojtjen e plotë të Turqisë. Më pas Greqia do të mund ta konsiderojë Turqinë si një vend i tretë i sigurt (për refugjatët) nga 15 janari i 2016-ës.
Për më shumë informacione si mund të arrihet kjo, shihni: Turkey as a “Safe Third Country” for Greece.
Në këmbim të bashkëpunimit të Turqisë, Komisioni Europian duhet të nisë menjëherë proçesin e heqjes së vizave Schengen për Turqinë. Ky proçes ligjor qe zgjat disa muaj, duhet të mbajë një premtim konkret ndaj qytetarëve turq: “Nëse Turqia implementon plotësisht marrëveshjen ekzistuese të rikthimit me Greqinë dhe pranon të marrë sërish mbrapsht prurjet e reja nga Greqia nisur që nga data 1 janar 2016, dhe nëse ajo zbaton një set konkret kushtesh të vendosura si prioritete deri në muajin mars, atëhere deri në prill 2016, shtetasve turq do t’u mundësohet udhëtimi pa viza drejt vendeve të BE.”
Nëse proçesi i rikthimit të refugjatëve shkon sipas planit, Këshili i Drejtësisë dhe i Punëve të Brendshme dhe Parlamenti Europian mund të votojnë në mars në favor të heqjes së vizave për qytetarët e Turqisë. Vendimi do të hynte në fuqi në prill 2016.

Përgatiti: Sara Kelmendi

SHPËRNDAJE