Shqiperia në 2016

1

ALBA CELA

 

2016 është një vit para-elektoral për Shqipërinë ku shumica e zhvillimeve formësojnë kornizën dhe klimën në të cilat mbahen zgjedhjet e vitit në vijim. Kodi Zgjedhor do të ndryshojë për të reflektuar dhe brendësuar jo vetëm ligjet e kaluara gjatë vitit të kaluar por dhe llogaritë politike të bazuara në strategjitë e reja të partive. Ky vit do të tregojë sesi procesi i rëndësishëm i refomës në drejtësi do të jetë një provim i vështirë jo vetëm për durimin e komunitetit ndërkombëtar në Tiranë por dhe qëndrueshmërinë e kualicioneve më të mëdha në vend. Gjendja brenda Bashkimit Evropian më shumë sesa progresi në reformat e brendshme do të jetë faktori përcaktues për Shqipërinë nëse do të ketë arritje madhore si hapja e negociatave. Deri më tani kjo duket e vështirë pasi konteksti në BE është shumë kompleks dhe jo i favorshëm. Megjithatë nuk përjashtohen surprizat.
Zhvillimet në ekonomi janë variabla më kryesore që duhet monitoruar pas reformave të njëpasnjëshme në 2015 të cilat nuk sollën rezultatet e pritshme dhe të dëshirueshme. Shkurtimet në shpenzimet publike janë si ajo shpata klasike me dy presa: nga njëra anë kanë efektin pozitiv të konsolidimit fiskal dhe nga ana tjetër efektin negativ të uljes së konsumit dhe për pasojë pengesës së rritjes së PBB.
Një proces interesant pritet të fillojë herët këtë vit: rregjistrimi i emigrantëve, i pari në histori, zhvillim ky që në kohë do të mund të krijojë kushtet edhe për të drejtën e votës të qytetarëve shqiptarë që jetojnë jashtë vendit. Nëse realizohet, kjo gjë në të ardhmen do të ndryshojë krejtësisht jetën politike në Shqipëri.
E fundit për nga rradha por jo nga rëndësia: në verë të gjithë shqiptarët do të jenë të angazhuar në ndjekjen e sportit më të bukur në botë. Kombëtarja e Futbollit Shqiptar do të luajë ndeshjen e saj të parë në Kampionatin Evropian të Futbollit kundër Rumanisë, mbas një kualifikimi të vështirë dhe me shumë të papritura.
Le të hedhim një vështrim të detajuar tek secili zhvillim:

Reforma në drejtësi

Reforma në drejtësi do të jetë kryefjala e shumicës së diskutimeve por dhe veprimeve publike e politike sidomos gjatë gjysmës së parë të 2016. E përshkruar nga ambasadori aktual amerikan në Tiranë si reforma më e rëndësishme që ka ndodhur pas rënies së komunizmit 25 vite më parë, reforma në drejtësi synon të zgjidhë një ndër pengesat më serioze dhe të vështira në rrugën e konsolidimit të shtetit modern demokratik dhe funksional në Shqipëri: një sistem ekzistues gjyqësor i korruptuar dhe i urryer nga publiku dhe nga ana tjetër i manipuluar rregullisht nga klasa politike. Ditët e para të vitit të ri kanë treguar se konsensusi politik për këtë reformë është shumë i brishtë. Opozita dhe mazhoranca janë në një debat konfliktual mbi strukturën e reformës por dhe mënyrën si do të merren vendimet. Pritshmëria kryesore është që aktorët ndërkombëtarë do të vazhojnë të luajnë një rol vendimtar mbi garantimin e konsensusit por dhe mbi vijimësinë e punës mbi kolonat kryesore të reformës. Megjithatë procesi pritet të ketë ulje ngritje të vazhdueshme përfshirë këtu periudha të shkurtra të ngërçit.
Një ndër pritshmëritë e tjera në lidhje me reformën është që do të ketë më shumë informacion në publik mbi efektivitetin e dizenjove të reja institucionale të parashikuara në këtë reformë, diçka që ka munguar deri më tani.
Jo vetëm reforma në vetvete por dhe procesi i hartimit dhe aprovimit të paketës përkatëse legjislative do të sjelli shumë ndryshime dhe do të ketë pasoja të ndryshme në kohë për vendin. Në periudhën afatshkurtër shumica e pasojave do të jenë në rrafshin politik ku duket se konsensusi brenda partive të kualicionit qeverisës por dhe konsensusi i vështirë midis maxhorancës dhe opozitës varen nga zhillimet e procesit. Duke qenë se ky është një vit para elektoral këto dinamika do të krijojnë klimën në të cilën do të fillojë dhe fushata elektorale. Në periudhën afatgjatë sipas një skenari pozitiv, reforma do të rezultonte në rritjen e numrit të zyrtarëve të lartë të korruptuar, përfshirë këtu nga vetë sistemi gjyqësor, që janë hetuar dhe dënuar.
Megjithatë edhe nëse të gjithë elemetët harmonizohen dhe puna ecën mbarë për hapat e refomës, efektet e vërteta të saj do të jenë më të dukshme në periudhën afatmesme, mbas 2 ose 3 vitesh kur të përfundojë edhe procesi i monitorimit dhe kontrollit të gjyqtarëve dhe prokurorëve i parashikuar në reformë. Skenari pozitiv do të ishte: një progres i konsiderueshëm në procesin e hapave të reformës që do të sillte një energji të re në integrimin evropian të Shqipërisë, duke legjitimuar kësisoj kërkesën për të pasur një datë zyrtare nga BE për çeljen e negociatave.

Zbatimi i De-kriminalizimit

Ligji i dekriminalizimit të zyrtarëve me funksione publike në Shqipëri kaloi në parlament , kryesisht i ndihmuar nga faktori ndërkombëtar, mbas shumë fërkimeve dhe mbas shumë mosmarrëveshjeve politike. Terreni kryesor sprovues për zbatimin e ligjit do të jetë hartimi i listave të kandidatëve për deputetët në zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Shqipëri në verën e vitit 2017.
Megjithatë edhe gjatë vitit 2016 do të ketë shenja e sinjale për të treguar qasjen e partive politike përsa i përket kryerjes së detyrave që imponon ky ligj. Në të dy krahët e spektrit politik ka individë me të kaluar shumë problematike por me një ndikim shumë të madh që gjeneron vota në komunitetet e tyre specifike. Deri më tani vihet re një veprim i liderëve politikë për ti hequr këta persona nga vëmendja publike por për ti akomoduar në strukturat e brendshme partiake.
Implikimet e mundshme të zbatimit të plotë të ligjit të dekriminalizimit nuk do të shihen vetëm tek cilësia e debatit në Parlament. Ato do të ndryshojnë një dukuri me rëndësi themelore për vendin: profilin e modeleve të suksesit që ju ofrohen për momentin të rinjve shqiptarë. Shqipëria ka nevojë që të zhduki përfundimisht modelin e kriminelëve të pasur dhe ‘të fortëve’ që arrijnë deri tek karriget e institucioneve ligj-bërëse. Vetëm kjo do të mund të frymëzonte të rinjtë shqiptarë që të kërkonin sukses nëpërmjet punës intensive por të ndershme.

Ligji Zgjedhor- le të fillojnë llogaritë

Shqipëria do të mbajë raundin tjetër të zgjedhjeve parlamentare në 2017 dhe tashmë ekzistojnë të gjitha sinjalet që do të ketë (sërisht!) ndryshime në Kodin Zgjedhor. Kryetari i Kuvendit dhe Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, partia me rol kyc në përcaktimin e kualicioneve fituese në vend, Ilir Meta ka kërkuar tashmë nisjen e punës për këto ndryshime përmes një letre dërguar partive të tjera parlamentare. Si Partia Socialiste ashtu edhe ajo Demokratike janë shprehur në favor të bisedimeve për të rënë dakort mbi ndryshimet në Kod. Baza mbi të cilët do të duhet të bisedohen ndryshimet janë rekomandimet e Misionit të OSBE-ODHIR mbas zgjedhjeve të fundit vendore në 2015. Megjithatë nuk duhen anashkaluar edhe llogaritë e forcave politike vecanërisht në kontekstin e ri të përcaktuar nga reforma territoriale e cila e ka rishkruar hartën në Shqipëri. Ndryshimet do të duhet të diktohen në një pjesë edhe nga brendësia e ligjit të dekriminalizimit me qëllim pengimin e profileve të caktuara të njerëzve nga listat e kandidatëve.
Një nga elementët e tjerë që ka mundësi të rishikohet është administrata në terren e zgjedhjeve, deri më tani e përbërë totalisht nga njerëz të caktuar nga partitë politike. Zëra nga shoqëria civile kanë argumentuar shpesh se kjo duhet të zëvendësohet nga një administratë e pavarur dhe profesioniste. Gjithsesi hapi i parë për këtë cështje është krijimi i Komisionit të posacëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore.
Një tjetër ndryshim që do të gëzonte shumë përkrahje në publik është hapja e listave të kandidatëve për deputetë në mënyrë që zgjedhësve tju jepej mundësia të shprehnin preferencën e tyre me votë dhe jo thjesht të afirmonin një listë fikse të mbyllur që më parë. Aktualisht fakti që listat janë të mbyllura i vesh kryetarët e partive kryesore në vend me një lloj autoriteti pothuajse totalitar duke ju dhënë pushtet të plotë mbi përbërjen e Kuvendit.

Fillimi ose me shumë gjasë
mosfillimi i negociatave

Pavarësisht faktit se integrimi europian është “çadra” që mbulon të gjithë objektivat e tjerë të ekzekutivit shqiptar dhe përligj shumicën e reformave më të mëdha, situata brenda Bashkimit Europian nuk duket mjaftueshëm e favorshme për Shqipërinë sa për të ndërmarrë hapin tjetër: i cili do të ishte vendosja e një date për çeljen e negociatave. Një skenar optimist do të ishte nëse vihet re progres i konsiderueshëm në reformën e drejtësisë; atëherë për të shpërblyer përpjekjet e bëra në këtë fushë dhe njëkohësisht duke rifreskuar proçesin e zgjerimit, Bashkimi Europian mund të caktojë një datë. Sidoqoftë, Bashkimi Europian për momentin është plotësisht i angazhuar me përballimin e krizës së refugjatëve si dhe kërcënimet ndaj sigurisë. Presidenca hollandeze e cila do të mbulojë gjashtë-mujorin e parë të vitit nuk e përmend zgjerimin në prioritetet e saj. Po ashtu dhe presidenca sllovake që do ta pasojë, nuk pritet të veprojë ndryshe.
Dinamikat e integrimit do të kenë ndërlikime në perceptimet popullore dhe pritshmëritë vis-à-vis me proçesin e integrimit. Sondazhet tregojnë se entuziasmi fillestar në Shqipëri është stabilizuar tashmë në shifra më normale, por që mbeten të larta sidoqoftë. Nga ana tjetër, nëse proçesi nuk shënon ndonjë moment tjetër historik këtë vit, do t’i përçojë shenja lodhjeje publikut, i cili nga ana e tij mund të reagojë me një rritje skepticizmi ndaj BE.

Regjistrimi i emigrantëve

Qeveria shqiptare muajin e kaluar paraqiti një plan ambicioz për të regjistruar të gjithë shqiptarët që jetojnë jashtë vendit. Regjistrimi do të fillojë menjëherë në 2016, ku brenda gjashtë muajve të parë do të ofrohet një mundësi e regjistrimit vullnetar në internet. Procesi sipas kryeministrit përfundimisht do t’u garantojë të drejtën për të votuar emigrantëve shqiptarë, ndërsa për ministrin e jashtëm regjistrimi do të shërbejë si bazë për hartimin e një plan-veprimi për diasporën.
Edhe pse gati gjysma e qytetarëve shqiptarë jetojnë jashtë vendit dhe kontribuojnë në masë të madhe në ekonominë e vendit nëpërmjet dërgesave të emigrantëve, shumica e administratave deri më tani nuk kanë pasur ndonjë qasje strategjike për të patur njohuri sistematike për numrin, vendndodhjen dhe profilin e tyre, në mënyrë që diaspora të vlerësohet si një pasuri e vërtetë për avancimin e qëllimeve politike dhe ekonomike të Shqipërisë.

Ekonomia- çdo gjë po ndryshon

Rritja e PBB do të ketë një ritëm më pozitiv duke arritur deri në 3.5 % ndërkohë që zhvillimi tjetër kryesor ekonomik do të jetë konsolidimi fiskal. Deficiti fiskal pritet të mbërrijë në nivelin më të ulët historik prej 2.2 përqind sipas vlerësimeve më të fundit zyrtare. Përmirësimi i kushteve në Eurozonë por dhe vetë efekti pozitiv i konsoldimit fiskal krijon pritshmëri legjitime për rritjen e besimit dhe ndjenjës së sigurisë tek aktorët ekonomik. E kombinua kjo me politikën aktuale monetare të Bankës së Shqipërisë rezultati do të jetë një përmirësim modest i lehtësimit të kreditimit duke ndihmuar konsumin dhe investimet.
Pavarësisht parashikimeve zyrtare optimiste për rritjen ekonomike në vend shumë ekspertë mendojnë se shifrat do të rishikohen dhe do të ulen gjatë vitit, gjë që në fakt ka ndodhur shpesh dhe më parë. Një hap pozitiv që vlen të përmendet është përpjekja për të zgjidhur problemin e kredive të këqija e ndërmarrë nën kujdesin e Bankës së Shqipërisë dhe që duhet monitoruar për të shikuar rezultatet e para në 2016.
Në përgjithësi deri më tani ka mbizotëruar një klimë pasigurie dhe ndryshimesh radikale që ka ndikuar mjaft në vendimet e aktorëve ekonomikë por dhe të investitorëve të huaj aq të nevojshëm në vend. Korniza tatimore në Shqipëri në krahasim me rajonin nuk është konkurruese. Koncesionet e mëdha janë në rishqyrtim. Vendime të ndryshme rregullatore për ekonominë u ndryshuan shpesh gjatë vitit të kaluar duke kaluar nga masat ndëshkuese tek lehtësirat e shpërblimet me shpresën për të ulur nivelin e lartë të informalitetit.
Në aspektin e infrastrukturës dhe projekteve madhore të energjisë puna për gazsjellësin TAP pritet të intensifikohet në 2016 ku në fillim të vitit pritet të shpallen kontrata prokurimi dhe në verë të fillojë puna për shtrirjen e tubacionit. Gjithahtu ka avancuar puna në ngritjen e kaskadës së Devollit. Fillimi I mundshëm i projekteve rajonale infrastrukturore dhe ndërlidhëse të dorëzuara për shqyrtim në Samitet e Berlinit dhe Vienës mund të jetë një tjetër stimulus pozitiv për ekonominë jo vetëm në Shqipëri por në gjithë Ballkanin.

Më shumë aeroporte më shumë fluturime

Negociatat për të ndryshuar koncesionin me natyrë monopolistike të dhënë ndaj kompanisë që administron Aeroportin e Rinasit në Tiranë janë në një fazë pothuajse të kompletuar dhe tashmë janë hartuar plane konkrete për hapjen ose vënien në punë të aeroporteve të tjera në vend, aty ku infrastruktura ekziston të paktën pjesërisht. I tillë është rasti i Aeroportit të Kukësit. Ky mund të jetë dhe viti që kompani të njohura ajrore me kosto të ulët (low cost) fillojnë aktivitetin e tyre në Shqipëri. Shumë nga këto kompani janë tashmë prezente me oferta konkurruese në vende të tjera të rajonit.
Një ndër rezultatet e këtij zhvillimi është përfitimi që do të kenë konsumatorët shqiptarë në terma të çmimeve më të ulëta që do rrjedhin nga taksa më të ulëta aeroportuale. Një tjetër pasojë pozitive do të jetë inkurajimi i turizmit në lokalitete të veçanta duke ofruar hyrje dalje ajrore në skajet veriore dhe jugore të Shqipërisë, aty ku dhe përqendrimi i atraksioneve turistike është më i madh. Nëse aeroporti i Kukësit që është edhe më afër standarteve bëhet funksional ndryshimet pozitive do të fillojnë të ndihen shumë shpejt edhe në disa vende të rajonit përvec Shqipërisë si në Kosovë, Maqedoni dhe Serbi.

Loja më e bukur

Pavarësisht të gjitha sfidave dhe vështirësive të përshkruara në rradhët më lart, shqiptarët do të kenë një arsye shumë të mirë për të gëzuar e festuar duke filluar që nga qershori kur kombëtarja e futbollit do ti bashkohet Kampionatit Evropian në Francë. Ky ka qenë një kualifikim sportiv historik për shqiptarët, i arritur mbas shumë mundimeve si dhe disa betejave të papritura. Kështu shumë sportdashës dhe qytetarë do të ndjekin me pasion lojtarët e tyre ndërsa ata godasin topin e parë në ndeshjen me Rumaninë. Të gjithë do të shpresojnë me gjithë zemër që skuadra të mund të arrijë të paktën në fazën e dytë të kompeticionit. Në një mënyrë ose në tjetrën, ashtu sic thotë edhe shprehja e famshme nga filmi klasik i kinematografisë botërore Casablanca: ne gjithsesi gjithnjë do të kemi Parisin!

SHPËRNDAJE