Wangn Chenxi
Çdo pasdite, Cao Fuchun shkon në një stacion të dërgesave ekspres për të parë nëse i ka ardhur ndonjë pako. Punonjësi tashmë në pension ka marrë virusin “haitao”.
Për Cao-n, haitao (blerja e mallrave jashtë shtetit nëpërmjet internetit) do të thotë që mund të bëjë pazar në vende për të cilat nuk ka dëgjuar kurrë.
Duke jetuar në Pengzhou, një rajon pranë Chengdu, në jugperëndim të Provincës Sichuan të Kinës, Cao ka blerë qumësht të skremuar nga Australia, mish lope nga Argjentina, dhe një filtër uji nga Gjermania si disa prej mallrave të tjera të huaja.
Në fund të vitit të kaluar, vajza e Cao-s, një financiere në Pekin, bleu kapsula vaji peshku të prodhuara në Shtetet e Bashkuara dhe tabletë vitaminash për prindërit e saj. “U befasova sa lire kushtonin, kështu që u fiksova edhe vetë pas haitao-s”, thotë ai.
Një numër në rritje të shpejtë i blerësve kinezë me anë të internetit po blejnë nga e gjithë bota. Shumica e tyre kanë lindur në epokën e teknologjisë, janë të rinj, të mirëarsimuar dhe të gatshëm të blejnë mallra të huaj të cilat në Kinë janë ose të padisponueshëm ose me çmime mjaft të kripura. Ata po shndërrohen në një treg miliarda dollarësh për shitësit dhe prodhuesit e huaj me anë të internetit.
Sipas Qendrës Kërkimore të Tregtisë Elektronike në Kinë, totali i tregtisë elektronike ndërkufitare, brenda dhe jashtë Kinës, arriti në 4.2 trilionë juanë (657 miliardë dollarë amerikanë) dhe pritet të rritet në 5.5 trilionë juanë në 2015-n.
Ministria e Tregtisë parashikon se tregtia ndërkufitare do të rritet në 6.5 trilionë juanë në 2016-n, duke zënë 20 përqind të totalit të tregtisë së jashtme në vend.
Anketa Nielsen e Tregtisë Globale Elektronike dhe Anketa e Re e Tregtisë me Pakicë në prill treguan se ka disa faktorë që janë në lojë për të rritur tregtinë elektronike në Kinë. Urbanizimi i shpejtë dhe dendësia e lartë e popullsisë e bëjnë modelin e dërgesave në shtëpi të suksesshëm ekonomikisht, veçanërisht kur shoqërohet me kosto të ulëta pune. Veç kësaj, zotërimi dhe përdorimi masiv i telefonave inteligjentë kanë krijuar mundësi të mëdha të tregtisë me celular.
Sektori i brendshëm i tregtisë elektronike të Kinës, gjithashtu po fiton pjesën e tij të tregut. Sipas Shërbimit të Kujdesit ndaj Klientit të Kinës dhe Qendrës së Kërkimit të Tregtisë Elektronike të Kinës, 18 milionë kinezë shpenzuan 140 miliardë juanë në haitao në vitin 2014. Volumi i tregut haitao do të arrijë në 1 trilion juanë në 2018-n.
Qeveria po e mbështet këtë prirje. Në gusht të vitit 2013, Këshilli Shtetëror ndërmori një nismë për të mbështetur tregtinë elektronike ndërkufitare, me gjashtë masa konkrete për të lehtësuar proceset, duke përfshirë zhdoganimin, inspektimin në karantinë, taksat dhe këmbimin valutor.
Në 2014-n, shtatë qytete, Shanghai, Hangzhou, Ningbo, Zhengzhou, Guangzhou, Shenzhen dhe Chongqing, u përcaktuan si zona studimore importi për tregtinë elektronike, ku mallrat e importuara mund të ruhen në magazina doganore përpara zhdoganimit. Në 2015-n, kësaj liste iu shtuan edhe dy qytete të tjera.
Sipas rregulloreve të taksave në këto qytete, çdo porosi nën 500 juanë (rreth 82 dollarë amerikanë) përjashtohet nga taksa doganore dhe çdo porosi nga 500 deri në 1,000 juanë i nënshtrohet një tarife prej 10 përqind, krahasuar me mallrat e zakonshëm të importuar të cilët taksohen mesatarisht 40 përqind.
Disa qytete studimorë gjithashtu kanë thjeshtuar rregulloret e tyre doganore. Në Guangzhou, në jug të Kinës, tregtarët e pakicës të tregtisë elektronike mund të regjistrojnë menjëherë mallrat e jashtëm në doganë kur një blerës kinez arrin një marrëveshje, në mënyrë që vjelja e tarifës dhe procedurat e tjera të përshpejtohen.
Bazuar në sistemin e Guanzhgout, shitësit me pakicë me ulje çmimesh Vip.com iu desh vetëm 40 minuta për të kryer zhdoganimin e 800 orëve dore.
Në 11 nëntor, 2014, Takimi i 22-të i Udhëheqësve Ekonomikë të Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC) në Pekin mbështeti tregtinë me Nismën e APEC për Risi dhe Zhvillim në Tregtinë Elektronike Ndërkufitare.
Për gjigantin e tregtisë elektronike, Amazon, dhe konkurrentët e tij duke përfshirë Alibaba-n e listuar në Bursën e Nju Jorkut, që prej vitit të kaluar kanë lindur mundësi të reja.
Në 20 gusht të vitit të kaluar, Amazon China njoftoi se do të niste blerjet ndërkufitare nga interneti në Zonën e Lirë Ekonomike të Shangait. Blerësit kinezë mund të shkonin në faqet e internetit në Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera për të blerë nga interneti dhe të merrnin dërgesat brenda një jave apo 10 ditësh me kosto me të ulëta dërgese.
Amazon e ka ndryshuar taktikisht mënyrën “prokurë” të blerjeve nga interneti jashtë shtetit, përmes së cilës një blerës kinez paguan një prokurë për të blerë mallra nga jashtë dhe prokura i dërgon mallrat si sende personale.
Metoda e prokurës përmban disa rreziqe, si mallrat e falsifikuar të siguruara nga prokura, vonesat në dërgim dhe problemet me dokumentacionin dhe taksat gjatë zhdoganimit. Nëse gjithçka shkon mire, një dërgesë me avion nga Shtetet e Bashkuara mund të mbërrijë në një muaj, ose 20 ditë nga Evropa dhe 10 ditë nga Japonia.
Metoda e magazinave doganore të Amazon është më e thjeshtë dhe më e lire. Me ndihmën e të dhënave të mbledhura gjatë viteve, Amazon mund të parashikojë porositë dhe të dërgojë mallrat më parë në rrugë detare në magazinat doganore të Zonës së Tregtisë së Lirë të Shangait. Amazon i dërgon këto sende nga Shangai pas kryerjes së blerjes nga blerësit kinezë.
Lojtarët e mëdhenj të sektorit të tregtisë elektronike të Kinës, si Alibaba dhe 360buy e listuar në bursën NASDAQ, kanë ndjekur Amazon në hapjen e kanaleve haitao. Ata bashkëpunojnë me shitësit e huaj me pakicë për të shitur prodhime deti nga Alaska, avokado nga Meksika apo edhe pajisje reaktive një milion juanësh të projektuar në Zelandën e Re. Shumë ndërmarrje të tregtisë elektronike përdorin gjithashtu magazina doganore për të importuar mallra të konsumit masiv, si formulat e foshnjave në trajtë pluhuri, pelena, vitamina dhe produkte kozmetike.
Për më tepër, Alibaba përdor sistemin e saj global të pagesave, Alipay, për të afruar më shumë lojtarë të huaj, duke përfshirë gjigantët amerikanë të shitjeve me pakicë si Macy’s, Bloomingdale’s, Saks Fifth Avenue dhe Neiman Marcus dhe markat luksoze si Prada dhe Hugo Boss.
Konsumatorët kinezë mund të futen me anë të fjalëkalimit në faqet e huaja të internetit të shitësve me pakicë dhe të paguajnë në monedhën RMB (Renminbi) përmes Alipay, e cila përfshin taksat dhe kostot e dërgimit. Më pas, ata presin për një javë ose dy për të marrë mallrat të cilat mund të gjurmohen në internet. Kjo gjithashtu shmang rrezikun e përdorimit të prokurave.
Sistemet e përmirësuara të logjistikës dhe furnizimit do të shpalosin më tej potencialin e tregut haitao. Sipas Raportit të vitit 2015 të Blerësve Ndërkufitarë me anë të Internetit në Kinë, i botuar nga konsulenti i industrisë së Internetit iResearch, vetëm 15.3 përqind e blerësve në rrjet kanë blerë nga jashtë shtetit. Ata zgjodhën mallra të prodhuara jashtë për shkak të cilësisë më të lartë (67.8 përqind), çmimit (65.5 përqind) dhe për shkak së mallrat nuk gjendeshin në Kinë (52 përqind).
E bija e Cao Fuchun, një blerëse me eksperiencë haitao, shpenzoi më shumë se 16,000 juanë (rreth 2,500 dollarë amerikanë) këtë vit për dy çanta dore në Shtetet e Bashkuara, një palë çizme nga Britania, qumësht pluhur nga Gjermania, mjaltë nga Spanja dhe produkte kozmetike nga Japonia si disa nga blerjet.
“Haitao përmirëson cilësinë e jetës dhe lidh të gjithë botën me jetën time të përditshme”, thotë ajo.
Chen Fengying, kreu i Qendrës Kërkimore të Ekonomisë Botërore i Instituteve Kineze për Marrëdhënie Bashkëkohore Ndërkombëtare, beson se haitao do të rrisë ekonominë botërore dhe krijojë vende pune jashtë shteti.
“Tashmë nuk jemi vetëm prodhues, por edhe blerës. Një numër në rritje i popullsisë prej 1.3 miliardë të Kinës po futet në shtresën e mesme me një kërkesë në rritje. Kjo është një mundësi për mbarë botën”.